Aktualitet

Studentët përfitojnë nga ulja e tarifës së shkollimit/Përjashtim nga tarifa për 6245 studentë me mesatare mbi 9

Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaro sot se, vendimet e qeverisë për përjashtimin, reduktimin e tarifave dhe bursat që përfitojnë të gjithë studentët, sot janë fakt ligjor dhe financiar i zbatueshëm.

Në një konferencë për median, Ahmetaj tha se të gjithë studentët në shkallë vendi me mesatare 9-10 kanë përjashtim 100% nga tarifa e shkollimit. Përfitojnë 6235 studentë dhe efekti financiar në buxhetin e shtetit arrin në 201 milionë lekë.

Ndërsa studentët me mesatare 5-9 përfitojnë përgjysmim 50% të tarifës së shkollimit. Në këtë grup janë përfitues rreth 70 mijë studentët në të gjithë vendin dhe efekti financiar në buxhet shënon 1 miliard lekë.

Reduktim të tarifave të shkollimit edhe për studentët e ciklit master

Edhe për ciklin master, ministri i Financave, Ahmetaj theksoi se studentët përfitojnë nga ulja e tarifës. Sipas tij ata me mesatare 9-10 do të përfitojnë 50% ulje të tarifës.

“Kemi reduktim të tarifës për ciklin master. Në vendimin e Këshillit të Ministrave është realizuar reduktimi në 50% për studentët me mesatare 9-10 përfitojnë mbi 3 mijë studentë efekti financiar 150 mln lekë. Autonomia dhe përgjegjësia është e universitetit qeveria ka bërë të mundur procedurë të qartë, dhe financim të pastër e të plotë”, tha Ahmetaj./atsh

Studentët përfitojnë nga ulja e tarifës së shkollimit/Përjashtim nga tarifa për 6245 studentë me mesatare mbi 9 Read More »

Ministria e Financave:Lista e studentëve ekselentë gati

Ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj sqaroi sot se Bordet e Administrimit të Universiteteve do të nxjerrin e listat e studentëve sipas mesatares dhe studentët do të paguajnë sipas skemës përkatëse të vendosur nga Këshilli i Ministrave”.

Në një deklaratë për shtyp, Ahmetaj theksoi se “autonomia dhe përgjegjësia është e universitetit, qeveria ka bërë të mundur procedurë të qartë, të thjeshtë dhe financim të pastër e të plotë”.

“Bordet e Administrimit të Universiteteve, duhet të dorëzojnë listën e studentëve dhe të studentëve ekselentë në ministrinë e Financave”, theksoi Ahmetaj./atsh

Ministria e Financave:Lista e studentëve ekselentë gati Read More »

Temperatura polare në Manastir

Temperatura polare mëngjesin e sotëm në të gjithë Maqedoninë, ndërkohë që më ftohtë është në Manastir ku temperatura arriti në minus 18 gradë Celsius.

Në Tetovë u regjistrua minus 16 gradë Celsius, në Prilep minus 15 dhe në Shkup minus 12 gradë Celsius.

Më shumë dëborë ka në Mavrovë, 70 centimetra, në Krushevë 36, ndërsa në Kodrën e Diellit 30 centimetra.

Sinoptikanët për sot paralajmërojnë kryesisht mot me vranësira, rreth mesditës dhe pasdites me reshje të përkohshme të dëborës me intensitet  të dobët, ndërsa në pjesët perëndimore me intensitet të dobët mesatar.

Në orët e mbrëmjes do të fryjë erë mesatare nga drejtimi veriperëndimor, e cila here pas here do të përforcohet./ atsh

Temperatura polare në Manastir Read More »

Në pikën kufitare Durrës, kapet kamioni me drogë dhe tre shtetas të huaj

Policia Kufitare vijon zbatimin e masave shtesë në kontrollin e mjeteve dhe dokumentacionin e udhëtarëve. Gjatë 24 orëve të fundit është kapur një kamion në brendësi të të cilit kishte 5 kg e 300 gr lëndë narkotike. Është arrestuar në flagrancë drejtuesi i kamionit dhe është shpallur në kërkim një shtetas tjetër.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë tre shtetas të huaj, të cilët janë kapur duke kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në zbatim të masave shtesë për intensifikimin e kontrolleve, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, gjatë kontrollit të ushtruar mbrëmjen e djeshme në vijën e dytë, në kabinën e një kamioni kanë gjetur të fshehur lëndë narkotike.
Gjatë peshimit të kryer nga ana e Specialistëve për Hetimin e Narkotikëve lënda narkotike e llojit Marijuanë ka rezultuar në peshën 5 kg e 300 gr, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Është arrestuar në flagrancë shtetasi T.H, 31 vjeç, banues në Durrës (drejtuesi i kamionit) dhe është shpallur në kërkim shtetasi E.H.
Në ngarkim të shtetasve të mësipërm materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Gjithashtu , si rezultat i kontrolleve të dokumentacionit të udhëtarëve janë arrestuar në flagrancë tre shtetas të huaj me dokumente të dyshuara të falsifikuara, në tentativë për të kaluar kufirin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme, konkretisht : V.E, 30 vjeç, banues në Turqi; S.A, 43 vjeç, banues në Turqi; R.A, 32 vjeçe, banuese në Filipine.
Në ngarkim të shtetasve të mësipërm materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” parashikuar në nenin 189 të Kodit Penal.
Policia Kufitare vijon punën për të goditur paligjshmërinë në kufi duke forcuar kontrollet për verifikimet kufitare. /atsh

Në pikën kufitare Durrës, kapet kamioni me drogë dhe tre shtetas të huaj Read More »

Policia e Shtetit e angazhuar në operacione ndihme e shpëtimi

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës këto ditë të para të janarit, kanë vështirësuar jo pak qarkullimin në disa akse rrugore, sidomos drejt zonave rurale në disa qarqe apo në zonat e thella malore

Shërbimet e Policisë Rrugore, por edhe shërbime të tjera policore, si FNSH apo shërbime të Rendit janë angazhuar ditët e fundit në shumë operacione ndihme e shpëtimi, duke shmangur pasoja fatale për qytetarët.

Policia e Shtetit këshillon çdo përdorues rruge të bëjë kujdes të shtuar, duke përdorur zinxhirë në rast se nevojiten dhe të rregullojnë shpejtësinë e mjetit ndërsa apelon qytetarët që “në çdo rast emergjencë telefono 112”. /atsh

Policia e Shtetit e angazhuar në operacione ndihme e shpëtimi Read More »

E marta dita më e ftohtë, ja sa priten të shkojnë temperaturat

Muaji janar erdhi i ftohtë e i acartë dhe e shtuna që lamë pas ishte dita më e ftohtë duke shënuar -14 gradë celsius në zonat malore. Gjatë 15-ditëshit të dytë të muajit do të kemi më shumë reshje shiu dhe dëbore por temperaturat do të shkojnë drejt normalizimit.

Por kjo do të ndodhë vetëm pas ditës së nesërme, pasi pritet të jetë ndër ditët më të ftohta.

Ndonëse fillimi i javës solli reshjet e shiut në gjithë vendin, e marta risjell kryesisht mot të kthjellët por të ftohtë në gjithë Shqipërinë. Nga e marta deri të premten, nuk pritet të ketë reshje në territorin shqiptar, por temperaturat do të ulen ndjeshëm duke arritur deri në -4 gradë në kryeqytet.

Dita e premte ul sërish me 3°C temperaturat e mëngjesit duke ulur MIN në -5°C ndersa e premtja në mesditë sjell rënie të lehtë të temperaturave.

E marta dita më e ftohtë, ja sa priten të shkojnë temperaturat Read More »

Si u shpëtua me helikopter alpinistja 31 vjeçare ,pasi u rrëzua në malin e Cikës në Vlorë

Një apliniste 31-vjecare është plagosur në malin e Cikës në Vlorë pasi është rrëzuar nga një lartësi.

Gazetari Enrik Mehmeti raporton për “BalkanWeb” se vajza ka rënë nga një lartësi duke pësuar plagë në trup, ndërsa ishte pjesë e një grupi prej 5 personash që kryenin ecje në mal.

Transportimi i saj me makinë për në spital ka qënë thuajse i pamundur, pasi ndodhej rreth 4 orë larg nga rruga kryesore.
E ndodhur në këto kushte, në ndihmë i ka ardhur helikopteri i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (QKUB), i cili ka rrezikuar shumë, pasi helikopterë të tillë e kanë të vështirë manovrimin në terren të ulët dhe thepisur.

Pas disa peripecish, fatmirësisht vajza është arritur të futet në helikopter dhe të transportohet për në spital. Mësohet se gjendja e saj mjekësore është e qëndrueshme dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Si u shpëtua me helikopter alpinistja 31 vjeçare ,pasi u rrëzua në malin e Cikës në Vlorë Read More »

106-vjetori i Policisë, Lleshaj: Të përgatitur që t’i përgjigjemi krimit, jo politikës

I pranishëm në 106-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, ministri i Punëve të Brendshme, Sandër Lleshaj tha se kryefjalë e policisë është modernizimi i saj për t’ju përgjigjur me devotshmëri sfidave të reja. Lleshaj gjithashtu u shpreh mirënjohës për të gjithë punonjësit e policisë ndër vite, teksa nënvizoi mirënjohjen për efektivët e rënë në krye të detyrës.

Ministri i Punëve të Brendshme në fjalën e tij, theksoi se Policia e Shtetit është e përgatitur që t’i përgjigjet krimit, por jo politikës, e cila duhet të jetë aleate e saj.

“Përgjatë një shekulli, forcat e rendit dhe të sigurisë publike, të organizuara kryesisht si xhandarmëri në dekadat e para, apo si Polici më pas, kanë përballuar një ndër detyrat më të ndërlikuara dhe të vështira në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe kanë krijuar kushtet për zhvillimin e përgjithshëm të vendit, në një mjedis të brendshëm dhe të jashtëm jashtëzakonisht të vështirë. Ky përvjetor është rasti më i mirë për të shprehur mirënjohjen më të thellë, për të gjithë ata mijëra burra dhe gra që përgjatë 106 viteve kanë shërbyer me nder në radhët e Policisë së Shtetit. Por nderimi më i madh u përket natyrisht atyre që, gjatë këtyre viteve, kanë dhënë jetën e tyre në përmbushje të misionit fisnik”, – tha Lleshaj.

Ministri tha se, zhvillimi i gjithanshëm i vendit vjen edhe nga siguria që ofron Policia e atij vendi.

“Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë kushtet bazë të sigurisë, për të mundësuar zhvillimin e gjithanshëm të vendit dhe të shoqërisë tonë, të cilat janë në një fazë të rëndësishme të historisë, e cila, po të duhej të sintetizohej me një fjalë të vetme, do të mund të quhej integrim. Integrim rajonal, integrim europian. Dhe integrimi është një proces që lidhet ngushtë me lirinë, lirinë e lëvizjes, lirinë e organizimit, lirinë e tregtisë dhe shumë e shumë liri të tjera, për të cilat Policia e Shtetit ka misionin e madh të ofrimit të garancisë bazë, që është Siguria. Sa më shumë zgjerohen hapësirat e lirisë, aq më e madhe dhe më e ndërlikuar bëhet edhe përgjegjësia e Policisë për të garantuar që liria të funksionojë, përherë e më mirë”, – tha ministri Lleshaj.

Sipas tij, shtimi eksponencial i flukseve të lëvizjes së udhëtarëve që hyjnë apo dalin nga Shqipëria, shtimi po aq i shpejtë i shkëmbimeve tregtare, revolucioni teknologjik, si dhe lindja dhe shpërthimi i një realiteti të ri, siç është realitetit virtual, dhe shumë tendenca e fenomene të reja, kanë krijuar hapësira të pashmangshme që edhe e keqja, krimi, ekstremizmi apo terrorizmi të mund të shfrytëzojnë për qëllime të mbrapshta liritë e krijuara.

“Dhe pikërisht, në mes të kësaj fushe tensioni antagonist, mes lirisë dhe të keqes kriminale, qëndron Policia e Shtetit me misionin për të garantuar të parën dhe për të shtypur të dytën”, – theksoi Lleshaj.

Kreu i ministrisë së Brendshme tha se përgjigje për misionin e vështirë që ka policia është modernizimi i Policisë.

“Plotësimi i këtij misioni, që sa vjen e vështirësohet, kërkon që Policia e Shtetit të bëhet përherë e më e fortë, që për mua do të thotë përherë e më moderne. Ajo duhet të ketë njerëz përherë e më moderne, procedura dhe standarde moderne, arsimim dhe kualifikim modern, pajisje, mjete dhe teknologji moderne”, – tha Lleshaj.

Ministri foli dhe për lëvizjen e lirë me Kosovën.

“Përpjekjet për integrim do të ndjekin një qasje të dyfishtë: Integrim rajonal dhe integrim europian. Në funksion të integrimit rajonal, do të përshpejtojmë projektin për krijimin e një zone të lëvizjes së lirë, sipas standardeve ‘Schengen’ mes Shqipërisë dhe Kosovës, e cila shpresojmë të zgjerohet shpejt edhe me vende të tjera të rajonit”, tha Lleshaj, i cili shtoi se politika duhet të jetë aleate e Policisë.

“Për shkak të natyrës së ndërlikuar të misionit që kryen, jo rrallë herë, Policia e Shtetit është bërë shënjestër e sulmeve të ndryshme. Sigurisht, ajo do të jetë në shënjestër të sulmeve të krimit, për të cilat është e përgatitur dhe e gatshme të përballet dhe të fitojë. Por ka edhe një kategori tjetër sulmesh, kryesisht politike, për të cilat Policia e Shtetit nuk është dhe as nuk ka ndërmend të përgatitet për mbrojtje. Policia duhet të jetë e rreshtuar në front përballë me krimin, ndërsa krahët dhe shpinën e saj duhet dhe do ta mbrojë politika e përgjegjshme, Qeveria, institucionet dhe mbi të gjitha qytetarët, aleatët e saj të përhershëm”, – përfundoi Lleshaj./atsh

106-vjetori i Policisë, Lleshaj: Të përgatitur që t’i përgjigjemi krimit, jo politikës Read More »