Aktualitet

Jepen nga tatimet – 626.956 vërtetime përmes portalit e-Albania

626.956 vërtetime janë dhënë përmes portalit e-Albania nga Administrata Tatimore, për periudhën janar – dhjetor 2018 për individët, subjektet e interesuara, si edhe direkt nga punonjësit e institucioneve të përfshira në këtë portal.

Pjesa më e madhe janë vërtetime për pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të marra nga individë apo subjekte, por edhe për pagim detyrimesh etj..

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se, gjatë vitit 2018, ka ofruar një sërë shërbimesh për tatimpaguesit, individët dhe institucionet publike, si në rrugë elektronik, ashtu edhe në sportele, pa asnjë kosto dhe në çdo kohë.

Ofrimi i shumë shërbimeve në rrugë elektronike ka bërë që të reduktohen ndjeshëm kontaktet e drejtëpërdrejta me administratën, radhët e gjata dhe koha e pritjes. Për vitin 2018 janë dhënë 41,153 vërtetime në sportelet e Zyrave të Shërbimit të Tatimpaguesve, në një kohë që për vitin 2017 janë dhënë rreth 250,000 vërtetime në spotele.

Administrata Tatimore inkurajon marrjen e shërbimeve të saj përmes portalit e-Albania dhe mbetet e angazhuar maksimalisht për të ofruar për tatimpaguesit, në çdo kohë e me sa më pak kosto shërbime cilësore./atsh

Jepen nga tatimet – 626.956 vërtetime përmes portalit e-Albania Read More »

Nxitje e investimeve të Katarit në projektet strategjike në Shqipëri

Qeveria shqiptare po punon për nxitjen e investimeve katariane në projektet strategjike për vendin dhe së shpejti do t’i paraqesë Shtetit të Katarit një plan të ri projektesh në energjetikë, miniera, turizëm, infrastrukturë, transport ajror etj.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka pritur ambasadorin e Shtetit të Katarit në Shqipëri, Ali bin Hamad al Marri.

Në takim, Ruçi ritheksoi “vullnetin e Shqipërisë për fuqizimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë shumë të mira, por ato mund të intensifikohen sepse të dy qeveritë kanë shprehur vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh. Këtij qëllimi do t’u shërbejnë edhe vizitat e pritshme të udhëheqësve të lartë të të dy vendeve, vizita e afërt Zëvëndëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shtetit të Katarit në Tiranë dhe vizita e pritshme e Kryeministrit Edi Rama në Katar, në prill të këtij viti”.

Ambasadori al Marri vuri në dukje se Qeveria e Shtetit të Katarit është mjaft e interesuar për rritjen e bashkëpunimit me Shqipërinë. Ambasada në Tiranë po punon për nxitjen e këtij bashkëpunimi, sidomos për shtimin e investimeve të Katarit në Shqipëri, lehtësimin e lëvizjes së qytëtarëve të të dy vendeve si edhe bashkëpunimin në aspekte të tjera.

Ambasadori al Marri i përcolli Kryetarit të Kuvendit z. Gramoz Ruçi ftesën për të marrë pjesë në në Sesionin e 140-të të Asamblesë Parlamentare të Unionit Ndërparlamentar (AP IPU), që do të zhvillohet në Doha, Katar më 6-10 prill 2019./atsh

Nxitje e investimeve të Katarit në projektet strategjike në Shqipëri Read More »

Prefekti Mamaj: Aplikoni tani për kartat e identitetit dhe shmangni radhët

Prefekti i Qarkut Vlorë, Flamur Mamaj vizitoi sot Sarandën për të monitoruar nga afër punën që po bëhet lidhur me adresarin në Gjendjen Civile.

Po ashtu, Prefekti inspektoi mbarëvajtjen e procesit të rinovimit të kartave të identitetit.

Ai ripërsëriti thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve, të cilëve ju skadon karta e identitetit në vitin 2019, që të paraqiten pranë zyrave përkatëse për të bërë të mundur shmangien e radhëve në muajt e ardhshëm, ku fluksi parashikohet të jetë më i lartë.

Qytetarët në të gjithë vendin, të cilëve iu skadojnë kartat e identitetit këtë vit, janë lajmëruar nga të gjitha institucionet përkatëse që të aplikojnë për pajisen me kartat e reja të identitetit.

Prefekti Mamaj: Aplikoni tani për kartat e identitetit dhe shmangni radhët Read More »

Rama i delegon detyrën e ministrit, Cakaj: Asnjë ndryshim në politikën e jashtme

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht ministër për Europën dhe Punët e Jashtme i delegoi sot zv.Ministrit Gent Cakaj detyrën e drejtimit të kësaj ministrie.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së kalimit të stafetës në drejtimin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, zv/ ministri Cakaj vuri në dukje rezultatet dhe gamën e gjerë të sukseseve që kjo ministri ka shënuar prej 5 vitesh nën drejtimin e ministrit Bushatit.

Trajta amorfe dhe përmbajtja pothuaj likuide e politikës së jashtme të Shqipërisë, sipas Cakajt është shndërruar në një platformë solide në qasje dinamike të mirëstrukturuar dhe të mbështetur fuqishëm në parimet e dinjitetit kombëtar dhe besueshmërisë ndërkombëtare.

“Të qenit drejtues i këtij institucioni kyç të shtetit shqiptar me kompetenca të deleguara nga kryeministri Edi Rama, nën vëzhgimin e tij pashmangshmërisht të afërt, është një start i garantuar nën dritën e zjarrit të akuzave të pabaza dhe paragjykimeve pa faj”, tha Cakaj, në fjalën e tij prezantuese.

Pavarësisht sfidave të mëdha dhe problemeve të pamohueshme, sipas tij, “Shqipëria sot qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik dhe nivelin më të konsoliduar të veprimit politik të jashtëm.

“Vendi ynë është bërë bartës i një varg nismash rajonale që gjithësesi dëshmon për kredibilitetin e tij më tepër se sa rajonal. Shqipëria qëndron më afër se kurrë sot para vendimin historik për hapjen formale të negociatave për tu bërë pjesë e familjes europiane. Atdheu ynë, Shqipëria është në fazën e pakthyeshme të përgatitjeve përfundimtare për kryesimin e OSBE-së në vitin që vjen”, vijoi Cakaj.

Ky transferim autoriteti institucional, sipas tij, “nuk nënkupton asnjë ndryshim objektivash strategjike dhe politike të qeverisë shqiptare në kuadrin e politikës së jashtme”.

“Me energji të reja dhe qasje proactive ne do të vazhdojmë të shtyjmë përpara me më shumë vullnet, rrugën drejt integrimit rajonal duke forcuar profilin e Shqipërisë si një aktor aktiv e dinamik me peshë të pamohueshme dhe subjekt qendror që dëgjohet me vëmendje nga të gjithë dhe trajtohet me respekt nga secili”, tha ai.

Cakaj garantoi se Shqipëria do të mbetet forcë e patjetërsueshme e paqes dhe stabilitetit, promovuese dhe bartëse e ideve të zhvillimit përmes mjeteve të dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët pa dallim.

Shqipëria, tha Cakaj, ka hyrë në një fazë të re të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale me vende të rajonit, duke siguruar zbatueshmërinë e marrëveshjeve të dyanshme dhe po ashtu duke gjeneruar projekte të reja dhe konkrete politike.

“Ne duam të rrisim më tej ndërveprimin me faktorin shqiptar në veçanti. Në kohën që po vjen dhe me horizontet që po hapen ne do të jemi më pranë tyre. Jemi të përkushtuar të kryejmë të gjitha obligimet që vijnë nga angazhimet tona në rajon në kuadër të procesit të Berlinit”, tha Cakaj.

Kjo vëmendje e shtuar në politikën rajonale, sipas tij, “nuk duhet të lexohet si shenjë lëshimi në axhendën tonë europiane, përkundrazi zhvillimi i Shqipërisë në rajon është një kusht themelor i konsolidimit të pozicionit tonë në axhendën europiane”.

Rruga e Shqipërisë për në familjen europiane kalon përmes procesit të konsolidimit rajonal, tha Cakaj, ndërsa shtoi se “Shqipëria duhet të jetë e angazhuar dhe e mirëorganizuar për të organizuar këtë qëllim në kohë reale sipas kalendarëve të paraqitur”.

Cakaj garantoi se ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të vazhdojë punën intensive për një performancë cilësore në kuadër të procesit të “screening”. “Do të vijojmë dialogun cilësor të vendeve anëtare për ekspozim në një dritë sa më qartë të rezultateve të dukshme dhe reformave të pandalshme. Vëmendje e veçantë në 2 objektiva kyç të diplomacisë shqiptare, kryesimi i suksesshëm i OSBE-së në 2020 dhe angazhimi për të siguruar vendin tonë në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022”, tha Cakaj. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/348029269369104/?t=0

Rama i delegon detyrën e ministrit, Cakaj: Asnjë ndryshim në politikën e jashtme Read More »

Dhimitër Anagnosti, kineasti i mirënjohur feston sot 83-vjetorin

Vetëm katër vite më parë kineasti i mirënjohur, Dhimitër Anagnosti, theu heshtjen me romanin “Koburja nga Europa”. Sot ai feston 83- vjetorin e lindjes.

I vetmi regjisor shqiptar që ka patur guximin të meditojë publikisht mbi rolin e vet si kineast brenda propagandës së realizimit socialist, Dhimitër Anagnosti është njëkohësisht ndër ata që më pak se kushdo kanë qenë pjesë e kësaj propagande.

Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike. Anagnosti rrëfen në këtë intervistë të shkuarën dhe të ardhmen e kinemasë shqiptare.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 pril 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Anagnosti është ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”. Mban titulllin “Nderi i Kombit”. /atsh

Dhimitër Anagnosti, kineasti i mirënjohur feston sot 83-vjetorin Read More »

Situata e fruthit në Shqipëri- ISHP apel për vaksinimin e fëmijëve

Lidhur me situatën e Fruthit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se deri më 22 Janar 2019 numri i të prekurve me fruth është 30 raste (pozitive) dhe rastet e konfirmuara i përkasin kryesisht grupmoshës nën 2 vjeç.

Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve të ISHP-së për grupet që janë më të rrezikuara.

“Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit”, bën të ditur ISHP.

Masat e ndërmarra për mbrojtjen nga fruthi dhe ndaj epidemisë të shkaktuar prej tij janë masa të kontrollit spitalor dhe në qendra shëndetësore, si me poshtë:

– Izolimi në pavione të caktuara në spitale dhe vetëizolimi për rastet ambulatore.

– Masa standarde të kontrollit të infeksionit dhe ato të transmetimit nëpërmjet ajrit.

– Përdorim i mjeteve të mbrojtjes personale, si maskave, etj nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime.

– Vaksinim i personelit shëndetësor.

– Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj fruthit.

– Gjurmin dhe vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve.

– Vaksinim i disa grupeve të rrezikuara.

– Vendosja e survejancës aktive në të gjithë vendin.

– Takime dhe trajnime për mjekët e familjes, institucioneve parashkollore dhe personelin infermier.

– Monitorim dhe zbatim rogoroz të legjislacionit në lidhje me vaksinimin në institucionet parashkollore dhe shkollore si dhe institucionet shëndetësore.

“Gjatë vitit 2018 dhe deri më tani raportohen të jenë kryer mbi 113,237 vaksinime, nga të cilat, mbi 51.227 janë vaksinime sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç. Ndërkohë janë kryer edhe rreth 62,000 vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth”, sqaron ISHP./atsh

Situata e fruthit në Shqipëri- ISHP apel për vaksinimin e fëmijëve Read More »

AKU- Në 2018 u dyfishua numri i analizave të produkteve ushqimore

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare është i vetmi laborator reference në Shqipëri, realizon 340 lloje analizash dhe 53 teste të akredituara, ndërsa në fillim të 2018 kishte vetëm 8 të tillë.

Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), bën të ditur se “për këtë laborator janë financuar 1.500.000 euro për pajisje laboratorike të modernizuara. Është 2-fishuar numri i specialistëve, ndërsa stafi është trajnuar dhe kualifikuar nga institucionet ndërkombëtare”.

Sipas AKU-së shumë shpejt Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare i rikthehet statusi i Institucionit kërkimor.

AKU shprehet se disa nga analizat që kryhen në laboratore janë;

Salmonella spp. në ushqime- Në 2018 është 2-fishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017. Salmonela është patogjen që gjendet në produktet me origjinë shtazore.Kryerja e kësaj analize parandalon disa lloje sëmundjesh”.

Listeria Monocytogenes në ushqime; Në 2018 është 3.5-fishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017. Është patogjen që gjendet në produketet me origjinë shtazore dhe ato bimore.Rritja e numrit të kësaj analize rrit dhe monitorimin e OBU-ve.

Histamina në produkte peshkore; Në 2018 është rritur me 17% numri i kësaj analize krahasuar me 2017.Rritja e numrit të kësaj analize ka parandaluar tregtimin e peshkut që përmban këtë toksinë.

Pesticidet në produktet me origjinë shtazore (vezë, mjaltë, peshk, dhjamë, ujë).
Në 2018 është 2-fishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017. Rritja e numrit të kësaj analize ka bërë bllokimin e tregtimit të këtyre produkteve, si pasojë eleminimin e tyre nga tregu.

Mbetjet e pesticideve në produktet me origjinë bimore (fruta, perime, drithëra, çajra) nga 2017 në 2018.Në 2018 është dyfishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017.

“Numri i analizave të kryera për 2018 është dyfish më i lartë se në vitin 2017 duke bërë që rritja e numrit të kësaj analize ka sjellë eleminimin e tregtimit të këtyre produkteve që përmbajnë pesticide mbi normën e lejuar, ka shtuar përgjegjësinë e fermerëve duke përdorur në këto produkte, pesticide në normën e lejuar, si dhe kur konstatohen mos përmbushje e standardeve merret mostra dhe dërgohen në laborator, kështu sjellim siguri ushqimore”, thekson AKU.

Laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), garantojnë siguri, besueshmëri dhe pavarësi mbi produktet ushqimore.

AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo abuzim me sigurinë ushqimore ose në telefonin 0800 75 75 ose në portalin e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”./atsh

AKU- Në 2018 u dyfishua numri i analizave të produkteve ushqimore Read More »

Rama: Drejtori i Hipotekës Durrës shkarkohet, halabak dhe i padenjë

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, i denoncuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni Fiks Fare për sorrollatjen e një qytetari.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Rama tha se “ka njerëz të padenjë, që për fat të keq nuk na mungojnë në zyrat e shërbimeve”.

“Kështu ishte edhe rasti i djeshëm i denoncuar nga emisioni Fiks Fare i një drejtori që meriton vetëm një përcaktim, një halabak, për të cilin është marrë menjëherë masa e shkarkimit dhe Ministrja e Drejtësisë në raportin e përjavshëm që përkon me bashkëqeverisjen do ta komunikojë për publikun”, tha Rama.

Kreu i qeverisë përsëriti thirrjen për qytetarët që kanë të tilla pengesa dhe problematika, që t’i drejtohen platformës shqipëriaqëduam.al për një zgjidhje të shpejtë. /atsh

Rama: Drejtori i Hipotekës Durrës shkarkohet, halabak dhe i padenjë Read More »