Rreth 300 nxënës të shkollave të mesme të qarkut të Vlorës janë pjesëmarrës të edicionit të tretë të festivalit “Gurra Folk Fest”, që çeli siparin sot në qytetin e Sarandës.
Ky festival organizohet nga Ministria e Kulturës, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore Rajonale Vlorë dhe me Qendrën e Kulturës dhe Artit Vlorë.
Ditën e sotme në festival nxënësit e shkollave të Konispolit, Finiqit dhe Delvinës, konkurruan me këngë, valle nga krahinat e tyre, ku nuk munguan edhe këngët polifonike.
Drejtori i DRKK Vlorë, Orgest Feimi, tha për ATSH-në se “në këtë festival marrin pjesë mbi 20 shkolla të mesme, me rreth 300 nxënës që performojnë. Mes një atmosfere fantastike nxënësit shpalosën talentin e tyre në këngë dhe valle folklorike”.
“Ndërsa në 29 mars është dita finale e festivalit, në tetarin “Petro Marko” me shkollat që janë kualifikuar nga dita e parë dhe e dytë”, tha Feimi.
Juria përzgjodhi për të marrë pjesë në natën finale shkollat e Delvinës, Livadhjasë dhe Konispolit.
Festivali zhvillohet mbi një platformë të qartë e të detajuar nga DRKK Vlorë dhe pritet të jetë një tjetër arritje në fushën e trashëgimisë shpirtërore pas aktivitetit, po me shkollat e mesme “Rini & Polifoni”, zhvilluar pak kohë më parë. /atsh
Portofoli i kredisë për sektorin e bujqësisë në fund të vitit 2018 kapi vlerën 4.75 miliardë lekë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues është ende nën potencialet e veta, për vetë likuiditetin në rritje që ka sektori bankar sot dhe mundësitë që ofron zhvillimi i bujqësisë në vend.
Ndërsa qeveria shqiptare ka shtuar përpjekjet konkrete për rritjen e financimit rural, në fillim të vitit 2016, qeveria dhe BERZH prezantuan skemën ambicioze të garancisë financiare për kreditimin e fermerëve.
Nga ana tjetër skema kombëtare e financimit dhe programi IPARD po injektojnë drejtpërdrejtë financime për fermerët që të nxisin prodhimin bujqësor, aktivitetin rural me impak në rritjen e të ardhurave për familjet e tyre.atsh
Me rastin e 7 marsit Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë vjen me një ekspozitë mjaft interesante për publikun mbi vlerën e mësuesit dhe arsimit si një hallkë e rëndësishme në zhvillimin e një shoqërie.
Ekspozita pasqyron për publikun “Dëftesa dhe diploma të shkollave të Korçës” që prej fillimeve e deri në Luftën II Botërore.
Ministrja e Kulturës Elva Margariti ka uruar festën e 7 marsit me anë të kësaj ekspozite. “Gëzuar 7 Marsin! Faleminderit armatës së dijes që përgatit dhe formon të ardhmen e kombit shqiptar.
Ju presim në ekspozitën “Dëftesa dhe diploma të shkollave të Korçës” prej fillimeve e deri në Luftën II Botërore në Muzeun Kombëtar të Arsimit ”Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, Korçë””, tha ajo./atsh
“Një Komb, një Abc” titullohet ekspozita që u çel për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim me kalanë e Tiranës, me rastin e 7 marsit, e cila organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës.
Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, Drejtoresha e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizimit në bashkinë e Tiranës, Mirela Koçollari, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe mësues dhe nxënës të shkollave të kryeqytetit.
Ekspozita përmban foto dhe dokumente të rralla të Kongresit të Manastirit, i cili ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë ishin Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës dhe Gjergj Zavalani. Në këtë ekspozitë mund të shihni dhe mjaft fotografi dhe dokumente të tjera.
Pabarazia profesionale mes burrave dhe grave nuk ka regjistruar ulje të vërtetë prej një çerek shekulli dhe situata do të ndryshojë vetëm nëse burrat do të marrin përsipër më shumë detyra në shtëpi, vlerësoi sot OKB-ja.
Organizata Ndërkombëtare e Punës (OIT) zbuloi në një raport të ri se hendeku mes normës së punësimit të burrave dhe grave është ulur vetëm me dy pikë përqindje gjatë 27 viteve të fundit.
Në 2018, mundësia që gratë të kenë një punë ishte më e ulët se ajo e burrave me 26 pikë përqindje, pavarësisht sondazheve që bëjnë të ditur se 70% e grave do të preferonin më tepër të punonin sesa të qëndronin në shtëpi.
Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Përgjigja ime” ka deklaruar se dy partitë më të mëdha opozitare PD dhe LSI, i tremben humbjes së zgjedhjeve të qershorit, duke shtuar se baltosja nga ana e tyre po ndikon në imazhin e vendit.
“Shumica nuk e do baltosjen dhe ziftosjen e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Përkundrazi e vuajnë sinqerisht dhe e dënojnë moralisht një qasje të tillë prej humbësish pa pikë dinjiteti, që janë gati t’i lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit të tyre për pushtetin e humbur. Kur nënshkruam me Bashën marrëveshjen parazgjedhore të 2017-ës, unë i dhashë atij gjithçka që kërkoi dhe i kërkova vetëm dy gjëra, rezultati nuk kontestohet, dhe se Shqipëria nuk shahet në gjuhë të huaj. Por u desh një sezon veror që këto dy pika të harroheshin, dhe të fillonte avazi i vjetër, për të arritur kulmin së fundmi. Kontestohet një fitore e thellë dhe e pastër e PS, sepse një tjetër humbje e thellë dhe e pastër po afron për PD dhe si motrën e saj LSI, e cila është prurësja dhe mishëruesja e fenomenit të shitblerjes së votës. Po të mos kishte LSI, nuk dot kishte as shitblerje vote në Shqipëri, dhe këtë e dinë të gjithë”, u shpreh Rama.
Sipas Kryeministrit dhuna e shfaqur në protestat e opozitës dëmton imazhin e Shqipërisë, e cila sipas tij përkthehet në dekurajim të turizmit dhe ulje të ekonomisë.
“Prodhimi i brendshëm i lajmeve të këqija për eksport, nga lajmet e paguara deri te intervistat e paguara dhe të shfazuara si ajo e Lulzim Bashës, veçse e karikaturizojnë imazhin e Shqipërisë, e bëjnë qesharak figurën e politikanit në sytë e botës, dhe godasin shtëpinë tonë. Godasin një burim të pazëvendësueshëm të ekonomisë tonë, vizitorin e huaj, sipërmarrësin e huaj dhe jo vetëm kaq, ky lloj eksporti i baltës dhe ziftit shqiptarë përmes kanaleve të huaja godet edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë nëpër botë, u ulë kokën në sytë e të tjerëve, dhe u komplikojnë jetën, pasi zgjon te të tjerët frikërat dhe paragjykimet e së shkuarës, ku Shqiptarët shiheshin padrejtësisht si djalli vetë. Dhuna godet imazhin e Shqipërisë, ekonominë dhe dekurajon turizmin, ul konsumin dhe dobëson familjet që jetojnë me punë”, u shpreh Rama.
“Këtë duhet ta dijë mirë kushdo që shkon dhe u bashkohet punonjësve partiakë të bashkive të opozitës, të cilat po e mbyllin pa nder dhe pa asnjë lavdi, mandatin duke kyçur dyert e shërbimeve dhe duke marrë autobusin opozitar për në Tiranë. Taksat e qytetarëve të Shkodrës, Lezhës, Kavajës, Rrogozhinës, Kukësit, Mallkastërs, burelit, Cërrikut, Çorovodës e me radhë, janë bërë kryesisht rroga, dhe tani me ato roga paguhen turistët e opozitarizmit të rrugës, jashtë sistemit. Opozita po sillet si i mbytur që të mbytë, dhe nuk është qeveria ajo që mund të mbytet në këtë dalldisje dëshpërimi, por Shqipëria që mbytet në sytë e çdo të huaji, që kapt nga dallga e marrëzive që eksportohet në kanalet e huaja”, – vijoi Kryeministri./atsh
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se djegia e mandateve është e papranueshme dhe se ka marrë mesazhe nga emrat më me peshë të opozitës, të cilët janë penduar për këtë akt.
Gjatë një interviste në “ABC News”, zëdhënësja e Qeverisë, Spiroplai theksoi se vendimi për djegien e mandateve nuk e ka marrë kreu aktual i Partisë Demokratike, por një tjetër deputet brenda radhëve të kësaj partie.
“Sali Berisha mori në qafë opozitën dhe ishte një vendim i tij. Mendjet e kthjellëta dhe racionale të PD-së, duhet ta kishin ndaluar. Ndoshta emrat më me peshë, ata më kanë shkruar dhe nuk janë militantë të verbër të partive politike dhe të rinj, janë njerëz që dinë të thonë çështja përgjegjësi. Janë penduar, por pendesa e tyre në këtë pikë nuk vlen, sepse nuk ka asnjë mundësi ligjore që ata të kthehen pas. Mesazhe marrim ne dhe patjetër që marrim mesazhe, se kjo ishte e papritur dhe nuk ka qenë një zgjedhje krejtësisht të pavarur. Ata janë detyruar të firmosin, pasi lidershipi i partisë dhe konkretisht Berisha, ishte ai që mori vendimin dhe Basha i ka detyruar. Kanë qenë në kushtet e një detyrimi dhe nuk ka qenë vullneti i tyre i pavarur. Por edhe LSI më pas vendosi që t’i digjet mandatet. Nuk besoj se gjithë deputet e LSI kanë dashur të lënë mandatet të tradhtojnë elektoratin. Kauza për zgjedhje të lira ka rënë”, – u shpreh Spiropali.
Më tej Spiropali është shprehur se me hyrjen e kandidatëve të listave të partive të opozitën Kuvend, tregon se Basha dhe Kryemadhi nuk mund të bindin më elektoratin.
“Janë pa mandate, janë pa strategji dalje dhe nga kjo situatë presin që në t’i nxjerrim nga situata ku kanë hyrë. Ka filluar pendesa e përgjithshme. Kandidatët e tyre në lista po hynë në Parlament, është diçka e papritur për ta, nuk po i binden Bashës dhe Kryemadhit, dhe kur nuk u binden ata imagjino t’u bindet elektorati. Ne nuk kemi ndërmend të hidhem nga vinçi pas tyre. Është zgjedhja e tyre me vullnet për të bërë këtë vetëvrasje dhe ja ku jemi. Kauzat e tyre janë hedhur poshtë, jo vetëm nga ne, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, – vijoi Spiropali.
Deputetja gjithashtu është shprehur se opozita nuk ka më në dore asgjë.
“Ne nuk biem pre e këtyre provokimeve qesharake dhe ata nuk janë në pozicione për të vendosur as tryezën, as kreun e tryezës dhe as për të vendosur kushte. Ata kanë në dorë vetëm vetën e vet”.
Më tej ajo ka komentuar deklaratën e Kryemadhit e cila tha mbrëmjen e djeshme në emisionin “Opinion” se mazhoranca po përgatittë për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme në Maj.
“Këto më duken si kthema kur je në mes të pyllit dhe është errësirë dhe klith për ndihmë. Ajo që në dimë me sigurinë më të madhe është sepse ata duan ta heqin patjetër Edi Ramën, sepse me Edi Ramën Kryeministër nuk mund t’i fitojnë zgjedhjet. Ne nuk mund të kujdesi për frikërat e tyre por për sigurinë e qytetarëve”, – përfundoi Spiropali./atsh
Ballkani është ende një destinacion i paprekur në Europë, i cili është kryesisht i pa eksploruar nga të huajt, shkruan CultureTrip.
Ky cep në juglindje të Europës ka shumë “letra të fshehura nën mëngët të saj”, duke përfshirë ide romantike “për arratisje” në qytete të përsosur për çifte, liqene dhe hotele.
Nëse dëshironi të zbuloni një destinacion të ri dhe t’i keni pushimet tuaja romantike të përballueshme, CultureTrip ka renditur rivierën shqiptare mes 8 destinacioneve më romantike të Ballkanit.
Mënyra më e mirë për të eksploruar është të marrësh me qira një makinë dhe të vozisësh vetëm përgjatë bregut, kudo që të ndalosh do të ndeshësh një plazh të egër shkëmbor.
Vetë Shqipëria është një gur i çmuar për eksploruesit e vërtetë, i përshtatshëm për ata çifte që kanë nevojë për diçka më shumë se një plazh dhe një koktej”, shkruan CultureTrip.
Riviera shqiptare renditet si destinacion romantik mes vendeve si Dubrovniku, Kroaci, Santorini Greqi, Liqeni Bled, Slloveni etj. /atsh