Aktualitet

Çuçi: Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, reagoi sot pas bllokimit të 41.7 tonë banane me cilësi jo të përshtatshme për konsum njerëzor, duke theksuar se “kur vjen fjala tek siguria ushqimore zbatimi i ligjit do të jetë pa kompromis”.

“Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë. Vlerësoj aksionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës për bllokimin e 41.7 tonëve banane me probleme për konsum njerëzor”, thekson Çuçi.

Ministri Çuçi inkurajon të gjithë trupën e inspektorëve të AKU-së kudo në Shqipëri të tregohen vigjilentë ndaj çdo rasti dhe të zbatojnë ligjin me rigorozitet.

Po ashtu, ministri fton qytetarët të jenë bashkëpunes me AKU-në duke denoncuar rastet e produkteve të papërshtatshme për konsum.

“Le të jemi të ndërgjegjshëm se siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët. Krahas punës së AKU-së dhe institucioneve të tjera, kontributi i qytetarëve është i domosdoshëm për të pasur në tregjet tona produkte cilësore”, nënvizoi Çuçi.

Sipas tij, siguria ushqimore është një komponent i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, prandaj ne do të bëjmë çdo pë​rpjekje që shqiptarët të konsumojnë produkte me standarde.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Durrës bllokoi sot 41.7 tonë banane me cilësi jo të përshtatshme për konsum njerëzor. Ngarkesa vinte nga Kosta Rika. Pas konstatimit nga inspektorët e AKU-së ajo u kthye mbrapsht në vendin e origjinës sipas legjislacionit në fuqi./atsh

Çuçi: Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore Read More »

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, gjatë 24 orëve të fundit kapen nga Policia e Vlorës 3 persona të shpallur në kërkim

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, gjatë 24 orëve të fundit kapen nga Policia e Vlorës 3 persona të shpallur në kërkim. Gjithashtu është arrestuar në flagrancë për vjedhje edhe një person tjetër.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Kundër Personit dhe Pronës kanë bërë ndalimin e shtetasit në kërkim L. B., 50 vjeç, banues në Vlorë. Ndalimi i tij u bë mbi bazën e Urdhrit të Ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, si i dyshuar për veprat penale “Vrasje me paramendim, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ngjarja i referohet datës 6 Gusht 2018, ku në lagjen “Pavarësia” Vlorë, L.B, dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A.M. Kristi Balli, 24 vjeç, banues në Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 1 vit burgim për veprën penale të “Vjedhjes”.

Po ashtu u ndalua, Ermal Arapaj, 28 vjeç, banues në fshatin Shushicë, Vlorë. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë e ka dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi A.G., 29 vjeç, pasi në lagjen “Isa Boletini” dyshohet se ky shtetas ka vjedhur disa sende shtëpiake në banesën e shtetasit K.Sh. Vazhdon puna hetimore për dokumentimin e ngjarjeve të ndryshme me qëllim kapjen dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorëve përkatës. /atsh

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, gjatë 24 orëve të fundit kapen nga Policia e Vlorës 3 persona të shpallur në kërkim Read More »

Kushte më lehtësuese për ripajisjen me pasaportë të shqiptarëve jashtë shtetit

Komisioni për Sigurinë Kombëtare u mblodh sot dhe miratoi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”.

Në fjalën e saj, kryetarja e Komisionit, Ermonela Felaj, theksoi se ky është një ndryshim që adresohet vetëm me ligj, përderisa rastet e pavlefshmërisë së pasaportës, janë përcaktuar vetëm me ligj edhe ndryshimet duhet të reflektohen në ligj.

E ftuar në komision, për të shpjeguar ndryshimet e propozuara nga Ministria e Brendshme, ishte zëvendësministrja e kësaj ministrie, Rovena Voda.

Gjatë fjalës së saj në komision, Voda theksoi faktin se propozimet për ndryshim të ligjit, vijnë si nevojë e lehtësimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Sipas saj, ligji ka qenë i kufizuar vetëm në rastin e pajisjes me pasaportë biometrike, kurse në rastin e ripajisjes, përkufizohej me një fjali të vetme, e cila adresonte të njëjtat procedura, si në rastin e pajisjes.

“Kjo nevojë lind edhe për shkak të rritjes së fluksit të qytetarëve për ripajisje me pasaportë, sepse në fund të 2019 shumë pasaportave, iu vjen fundi i vlefshmërisë, kështu që nëpërmjet këtij ndryshimi përcaktohet qartë kur shtetasi ka të drejtë të ripajiset me pasaportë biometrike. Ripajisja me pasaportë duhet të ketë disa kushte më lehtësuese, sesa pajisja. Për këtë arsye janë hapur disa zyra të vogla dhe në vazhdim po punojmë për hapjen e zyrave më të mëdha në të gjithë vendin”, tha Voda.

Relatorja Elena Xhina, theksoi në fjalën e saj, se ky ndryshim në ligj, është një ndryshim i vogël, por që sjell risi në kuptimin e faktit që tashmë qytetarët mund të nxjerrin pasaportat 6 muaj para afatit të skadimit.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve nga deputetët, drejtuar zëvendësministres, projektligji u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi./atsh

Kushte më lehtësuese për ripajisjen me pasaportë të shqiptarëve jashtë shtetit Read More »

Në kujtim të viktimave të Holokaustit – Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës”

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës për viktimat e Holokaustit, nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, u zhvillua sot paradite në Tiranë, ceremonia e shpalljes së Shqipërisë “Shtëpi të Jetës” nga Fondacioni Ndërkombëtar “Raoul Wallenberg” që u kurorëzua me përurimin e pllakatit.
Duke iu drejtuar pjesëmarrësve të shumtë ku ishin të pranishëm përfaqësues të trupit diplomatik, deputetë të Grupit të Miqësisë Shqipëri-Izrael, ministra, krerë të bashkësive fetare si dhe familje shqiptare që kanë shpëtuar dhe mbrojtur hebrenjtë gjatë Holokaustit, Presidenti Meta, shprehu falënderim të veçantë për Fondacionin Ndërkombëtar ‘Raoul Wallenberg’ për shpalljen e Shqipërisë ‘Shtëpi të Jetës’.
“Kjo ngjarje, jashtëzakonisht kuptimplote, nderon dhe respekton të gjithë shqiptarët.
Në mënyrë të veçantë ky akt nderon ata burra dhe gra shqiptare, që të udhëhequr nga kodi ynë shumëshekullor zakonor i mikpritjes dhe Besës, nën parimin se ‘Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut’, strehuan bujarisht e pa u kursyer, vunë në rrezik jetën e tyre dhe atë të familjeve, duke shpëtuar nga përndjekja dhe shfarosja e sigurt, qindra e mijëra hebrenj gjatë Holokaustit, njërës prej periudhave më të errëta të njerëzimit”,- tha Meta.
Shqipëria, vijoj më tej Presidenti, edhe pse një vend nën pushtimin nazist, është cilësuar si një “parajsë tokësore dhe strehë shpëtimtare” jo vetëm për qytetarët e saj hebrenj, që ishin gati 200, por edhe për ata hebrenj të cilët lanë shtëpi e katandi anembanë Europës, për të shpëtuar kokën, familjet dhe fëmijët e tyre nga “Zgjidhja përfundimtare” e shtazërisë së pamëshirshme hitleriane.
Gjatë fjalës së tij Meta nënvizoi se, Muzeu i Jad Vashemit në Jeruzalem ka vërtetuar historikisht se Shqipëria u bë shtëpia e përkohshme e atyre, të cilët ishin arratisur nga vatrat e veta, dhe i vetmi vend evropian që në territoret e veta numëronte në vitin 1945, dhjetëfishimin e hebrenjve në krahasim me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, më 1939-n.
Duke sjellë në vëmendje, ngjarjet e dy dekadave më parë, Meta tha se, “ne u bëmë dëshmitarë të masakrave në Ruanda, në Bosnje e Hercegovinë, dhe për më tepër, të masakrave dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës”.
Zëvendëspresidenti i Fondacionit Ndërkombëtar “Raoul Wallenber”, Daniel Rainer në fjalën e tij vuri në dukje se, “Në Shqipëri nuk është dëgjuar të ketë pasur as edhe një rast të vetëm denoncimi.
“Mësuam se kjo përpjekje shpëtimi nuk ishte rastësi. Përkundrazi! Ky gjest fisnik është pjesë e kodit gjenetik shqiptar, të njohur si BESA, fjala e nderit që shpjegon mikpritjen njerëzore të shfaqur nga populli shqiptar ndaj të përndjekurve, pa pritur e pa kërkuar asgjë në këmbim dhe duke u përballur me rrezikun e madh për jetën e shpëtimtarëve si dhe familjet e tyre. Kjo është arsyeja pse Fondacioni ynë e shpall Shqipërinë, vendin dhe popullin e saj, si ‘Shtëpia të Jetës’. Asnjë vendi tjetër nuk iu është njohur kurrë kjo njohje e vlerësim. Heroizmi i popullit shqiptar duhet t’i shpaloset e bëhet me dije mbarë botës.”- tha /atsh

Në kujtim të viktimave të Holokaustit – Shqipëria shpallet “Shtëpi e Jetës” Read More »

Fundjanari, euro u këmbye me rreth 124 lekë

Gjatë javës së parafundit të muajit janar 2019, monedha e përbashkët europiane, (euro), u këmbye në nivelin e 124 lekëve, duke pësuar luhatje të vogla. Ndërsa dollari amerikan u këmbye mesarisht me 109 lekë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vlerën më të lartë të këmbimit me lekun, euro e shënoi më 23 janar, me 124.84 lekë. Ndërsa monedha e gjelbër amerikane ditën e premte, më 25 janar arriti në 109.63 lekë.

Banka e Shqipërisë vëren se këmbimi valutor vendas është qendrueshëm dhe luhatjet janë brenda pritshmërive të saj.

Data Lekë/euro Lekë/usd

25.01.2019 124.30 109.63

24.01.2019 124.44 109.60

23.01.2019 124.84 109.62

22.01.2019 124.59 109.12

21.01.2019 124.21 109.10/atsh

Fundjanari, euro u këmbye me rreth 124 lekë Read More »

Drejtoria Detare apel subjekteve të porteve – Erëra të forta të hënën në bregdet

Drejtoria e Përgjithshme Detare i bëri apel sot subjekteve që operojnë në fushen e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte ditën e hënë, 28 janar, bregdeti i vendit tonë do të përfshihet nga erëra të forta.

Në një njoftim për shtyp të kësaj drejtorie theksohet se “informojmë lundërtarët dhe pronarët e mjeteve detare, operatorët në portet e Republikës së Shqipërisë dhe hapësirën detare, që ditën e hënë më 28 janar bregdeti ynë do të përfshihet nga erëra me shpejtësi deri 20 m/s nga drejtimi Jug-Jugperëndim dhe forca deti 7-8 shkalla Boufort”.

“Ju lutemi gjithë subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rritet shkalla e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete”, thekson Drejtoria e Përgjithshme Detare.atsh

Drejtoria Detare apel subjekteve të porteve – Erëra të forta të hënën në bregdet Read More »

Rikualifikimin urban i qendrës historike të Vlorës drejt përfundimit

Projekti për restaurimin e Qendrës Historike e Vlorës e cila ndërthur diversitetin dhe bashkëjetesën e kulturave, feve dhe është pjesë e së përditshmes dhe e historisë është drejt përfundimit.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti së bashku me drejtues e inxhinierë të DRKK Vlorë inspektoi punimet në Qendrën Historike, Vlorë, ku është drejt përfundimit projekti
“Restaurim dhe rikualifikim urban i ansamblit ndёrtimor “Qendra Historike Vlore”.

Pas më shumë se një viti pune ky projekt i rëndësishëm ka rivitalizuar ‘zemrën’ e Vlorës përmes restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe zonave të trashëgimisë kulturore.

Ky projekt bëhet i mundur falë bashkëpunimit teknik dhe financiar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, The_AADF sipas të njëjtit model me të cilin është punuar për rijetëzimin e Pazarit të Korçës, të Krujës, Gjirokastrës.

Është tashmë i njohur programi i Qeverisë shqiptare që udhëhiqet nga Ministria e Kulturës, për rijetëzimin e qendrave historike dhe kthimin e tyre në pole jo veç tërheqëse për turistët por dhe për t’i dhënë hov zhvillimit ekonomik të zonës. /atsh

Rikualifikimin urban i qendrës historike të Vlorës drejt përfundimit Read More »

Llogoraja me qendër të re për vizitorët

Një investim i jashtëzakonshëm i punës së palodhur të stafit të zonave të mbrojtura në Vlorë, falë zbatimit të projektit të financuar nga Bashkimi Europian, do ta shndërrojnë Parkun Kombëtar të Llogorasë në një atraksion turistik që shfrytëzohet në të 365 ditët e vitit.

“E bëmë jo pa qëllim inaugurimin e kësaj qendre, në dimër, pasi do donim të falënderonim punën e palodhur të ambientalistëve të kësaj zone, që nuk janë vetëm të inkuadruar në zonat zonat e mbrojtura, por janë pjesë edhe të universitetit të Vlorës, për të dhënë një ide të qartë se çfarë është potenciali i Llogorasë edhe në periudhën e dimrit. Ne po punojmë shumë që në kuadër të plotësimit të masave për 365 ditë turizëm në Shqipëri të promovojmë bukuri të tilla si kjo e Llogorasë”, tha ministri Klosi, gjatë inaugurimit të qendrës së re të vizitorëve në Llogora.

I pranishëm ne ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre të re ishte edhe ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit, duke mbrojtur mjedisin dhe promovuar biodiversitetin.

“Mbrojtja e parqeve dhe e këtij parku në veçanti është shumë e rëndësishme dhe këtu dua të falënderoj edhe ata që ruajnë parkun sepse ai duhet mbrojtur nga të gjitha rreziqet e mundshme. Siç e di edhe ministri, viti 2019 është shumë i rëndësishëm për turizëm. Së bashku ne do të lançojmë së shpejti një projekt shumë të rëndësishëm për turizmin, me rreth 40 milion euro, që do të vihet në zbatim nga banka europiane për rindërtim dhe zhvillim dhe synimi i tij është promovimi i turizmit, por i turizmit të qëndrueshëm”, u shpreh ambasadori Soreca.

Ministri foli edhe për rëndësinë e fushatës që ka nisur në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për të skanuar të gjitha lejet e dhëna për HEC-et, që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

“Shpreh bindjen që së bashku me ambasadorin ne do të jemi në një përpjekje të përbashkët nëpërmjet institucioneve shqiptare, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që natyra të jetë e para që ne të shikojmë në Shqipëri një turizëm të zhvilluar ku baza të jenë pasuritë natyrore”, u shpreh ministri Klosi.

Parku Kombëtar i Llogorasë ka rëndësi të madhe si një destinacion turistik dhe shërben si një urë tranziti për të dy llojet e turizmit, atë bregdetar dhe atë malor.

Ai ka potencial të madh për zhvillimin e eko-turizmit, sportet e ajrit, ekskursionet dhe udhëtimet. Ky është një vend klimatik, sepse këtu përzihen të dyja klimat, malore dhe detare e freskët. Për tifozët sportivë ky park ofron mundësi akomodimi në hotele luksi.

Mjedisi pyjor në Llogora, shtrihet në një sipërfaqe prej 1500 hektarësh, por vetëm 1080 prej tye janë përfshirë në territorin e Parkut Kombëtar, që mbrohet me ligj të veçantë. Mes pemëve, dominojnë pisha e zezë dhe bredhi./atsh

Llogoraja me qendër të re për vizitorët Read More »