Aktualitet

Rama i përgjigjet Haradinajt: E vërteta ime me shumë dëshmitarë

“Askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama reagoi sot pas deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj për diskutimet në Samitin e Berlinit.

“Si rregull udhëheqësit nuk i komentojnë në publik bisedat mes tyre, e sidomos ato informale, aq më tepër pa rënë dakord paraprakisht dhe lëre pastaj t’i shtrembërojnë, duke gënjyer për të dalë “burra të mirë” para popullit të tyre, si të ishin duke shitur mish në pazar. Më vjen sinqerisht keq që miku im Ramush, nuk e ka mësuar ende këtë rregull kaq të thjeshtë, megjithëse normalisht ky s’është as ndonjë rregull udhëheqësish në fakt, po një normë elementare mirëkuptimi njerëzor. Nuk është hera e parë që e bën, po është hera më e gabuar dhe prandaj këtë herë, s’e kaloj dot në heshtje si të tjera”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “askush s’i ka bërë Ramushit presion në Berlin për të hequr taksën. Unë jo e jo. Madje askush as ia ka kërkuar hiç që ta heqë taksën! Unë jo e jo. Përkundrazi”, tha ai.

Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron, sipas Ramës, kanë nxitur një diskutim informal në holl mbi rifillimin e dialogut. “Kam ndërhyrë vetëm një herë, duke thënë se ata duhet të hynin vetë në proces. Më tutje i kanë kërkuar me shumë durim dhe disa herë Ramushit jo ta heqë taksën, po thjesht të japë pëlqimin që taksa të pezullohet përkohësisht, për 6 muaj apo edhe për 4 muaj qoftë, duke u zotuar që të hyjnë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi ata vetë. Edhe të dy personalisht, kancelarja dhe presidenti!”, tha Rama.

Kryeministri informoi se i ka sugjeruar Ramushit në dy momente ta pranojë këtë kërkesë të tyre, sepse ka menduar dhe mendon që përfshirja direkte në nivelin më të lartë e Gjermanisë dhe Francës, boshtit të Bashkimit Europian, u shfaq si një mundësi e re dhe shumë e favorshme për ta shtruar çështjen e finalizimit të dialogut, në nivelin më të lartë të mundshëm.

“E kam mbështetur dhe e mbështes edhe sot taksën si një “klithëm” të Kosovës, që ta dëgjojë bota dhe si të tillë edhe e kam mbrojtur, kudo e me këdo. Po unë di që ajo është një taksë që i është vënë Serbisë, jo një mur që i është vënë Gjermanisë, Francës apo SHBA, për t’i ndaluar ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën, në rrugën e përpjekjes së mundimshme historike drejt njohjes përfundimtare nga gjithë bota. Dhe kur këta aleatë të mëdhenj dhe të pazëvendësueshëm dot nga askush e askurrë (pa të cilët jo Ramushin, po as Kosovën dhe të drejtën e saj njëqind vjet të mohuar s’do ta njihte kurrëkush ende sot), kërkojnë thjesht pezullimin e përkohshëm të taksës, në mënyrë që të mund ta ndihmojnë e ta mbështesin Kosovën drejt njohjes së saj të plotë ndërkombëtarisht, refuzimi është i pakonceptueshëm për mua”, shtoi ai.

Shtoj këtu, vijoi Rama, se më ka mbetur gozhdë fakti që miqtë e mëdhenj, hasën në një refuzim të pashpjegueshëm edhe kur propozuan që përkundër pezullimit të përkohshëm të taksës, nëse në fund të muajve të dialogut nuk do të arrihej objektivi final i nënshkrimit të paqes, atëherë do t’i hapej përfundimisht rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën(!).

“Gjithësesi, meqë Ramushi u qa publikisht se unë i paskësha bërë më shumë presion se sa Vuçiçi për heqjen e taksës, mua s’më mbetet tjetër veçse të ngushëllohem me faktin që pas samitit edhe Vuçiçi, u shpreh publikisht ndaj meje po aq i palumtur sa Ramushi”, u shpreh Kryeministri Rama.

“S’kam dashur dhe s’dua të hyj asnjëherë në polemika publike me askënd në Kosovë, aq më pak me kryeministrin e Kosovës. Uroj që të mos jem i detyruar ta bëj përsëri. Ai ka të drejtën e tij të flasë në emër të Kosovës, po mua s’ma heq dot askush të drejtën të flas për Kosovën”, tha Rama në përfundim./atsh

Rama i përgjigjet Haradinajt: E vërteta ime me shumë dëshmitarë Read More »

Adhuruesit e muzikës xhaz, me tren nga Tirana në Shkodër

Nën stilin e viteve ’40-’50 me tingujt e mahnitshëm të grupeve shqiptare dhe të huaja, adhurues të këtij zhanri muzikor kanë festuar Ditën Ndërkombëtare të Xhazit.

“Swing Marathon”, edicioni i katërt u zhvillua mbrëmë në Teatrin “Migjeni” ku iu bashkuan mbi 500 adhurues të muzikës xhaz.

Aktiviteti nisi me simbolin e trenit, ku maratonamakët dhe të pasionuarit e këtij zhanri, me të njëjtat veshje, muzikë e kërcime, nisën aventurën nga Tirana për të mbërritur në Shkodër.

I gjithë eventi u shoqërua nga muzika live e interpretuar nga 18 muzikantë të ardhur nga Italia, Gjermania, Anglia dhe vende të tjera.

Teatri “Migjeni” ishte ndalesa e fundit për pjesëmarrësit e këtij eventi, ku për orë të tëra mes muzikës, vallëzimeve dhe ngjyrave duket sikur kthyen kohën pas.?atsh

Adhuruesit e muzikës xhaz, me tren nga Tirana në Shkodër Read More »

Shqipëri-Kanada marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore, përfitojnë rreth 60 mijë shqiptarë

TIRANË, 1 maj /ATSH-Megi Zonja/ – Rreth 60 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada nuk do të humbasin asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku kanë punuar.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë të ditur sot nënshkrimin e marrëveshjes për “Mbrojtjen Shoqërore mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe Rregullores Administrative” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë dhe Departamentit të Punësimit dhe Zhvillimit Social të Kanadasë.

Për Kanadanë, marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Punëve të Jashtme, Chrystia Freeland, ndërsa për Republikën e Shqipërisë, nënshkroi ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është shmangia e mbulimit të dyfishtë për të njëjtën periudhë dhe bashkimi i periudhave të sigurimit të realizuara në dy vendet. Në bazë të marrëveshjes asnjë qytetar nuk do të humbasë asnjë ditë kontribute, pavarësisht se ku ka punuar, pasi bashkimi i periudhave do të bëjë të mundur plotësimin e kushteve ligjore për përfitimin e pensionit në të dy vendet.

Gjithashtu, pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe eksporti i pensioneve, që do të thotë që pensioni do t’u paguhet qytetarëve shqiptarë në vendin që do të zgjedhin të jetojnë. Kështu, shtetasit shqiptarë do të kenë mundësi që të marrin pensionin kanadez edhe nëse zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, duke mos humbur asnjë të drejtë.

Nënshkrimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje erdhi pas një periudhe të gjatë negociatash për njohjen reciproke të skemave të sigurimeve shoqërore dhe hartimit të marrëveshjeve administrative, duke nisur që prej vitit 2013.

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes në Kanada, u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Kanadasë si edhe u trajtuan disa çështje me interes të ndërsjellë si dhe u theksua vullneti i përbashkët i të dy vendeve tona për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh. Ndërkohë që Ambasada Shqiptare në Kanada dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të jenë të gatshëm të asistojnë me informacion komunitetin e interesuar shqiptar të Kanadasë në lidhje me procedurat e mëtejshme për njohjen e kontributeve.

Që nga viti 2015 Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me 7 vende të Evropës, dhe aktualisht ndodhet në proces negociatash dhe me 4 vende të tjera ku jetojnë dhe punojnë qytetarët shqiptar.

/a.g/

Shqipëri-Kanada marrëveshje për njohjen e kontributeve shoqërore, përfitojnë rreth 60 mijë shqiptarë Read More »

FOTO/ Korabi, ‘zemra’ e maleve shqiptare që tërheq alpinistët

I cilësuar si zemra e maleve shqiptare, Korabi të magjeps me bukurinë që ka, shtigjet malore atraktive, pamjet madhështore, të rralla, rruga drejt ujëvarës dhe shtegu duke ndjekur Drinin e Zi.

Në majë të Korabit, atje ku lartësitë kapin qiellin dhe malet qasen me retë, një grup prej 40 alpinistësh u ngjitën ditët e fundit për të shijuar kënaqësinë që të fal ky mal.

Alpinistë të moshave nga 20-45 vjeç, nën drejtimin e dy guidave profesioniste, Albert Nikolli dhe Edmond Kocli u ngjitën në majën e Korabit.

Edmond Kocli, tha për ATSH-në se “qëllimi jonë për organizimin e këtyre guidave është që të ngjiten sa më shumë njerëz në mal dhe jo të kapin majat”.

Ndërsa Ermal Hallaçi, alpinist profesionist shprehet se “nisja u bë nga Radomira, një fshat turistik i futur edhe në projektin “100 fshatrat”.

Sipas tij, udhëtimi vajtje-ardhje shkoi 10 orë, pasi rruga ishte e mbushur me dëborë.

Një tjetër alpiniste, Xhulia shprehet e mahnitur nga bukuritë natyrore që ky mal ofron.

“Jemi në gjysmë të rrugës, prapa meje ndodhet mali i Korabit është një pamje e mrekullueshme. Nga mali i Korabit ka një pamje të mrekullueshme, deri tani nuk ka shumë dëborë dhe ecja është shumë e thjeshtë. Kam përshtypjen se çdo njeri që është marrë pak me aktivitet mund t’ia arrijë”, thekson Xhulia.

Grupit të alpinistëve shqiptarë i është bashkuar edhe Ashman Abdulov, shqiptare nga Maqedonia, por lindur e rritur në Kanada, e cila e vizitonte për herë të parë malin e Korabit.

“Unë sapo zbrita nga mali i Korabit, është mali më i lartë në Shqipëri. Ne kemi qenë pjesë e aventurës shqiptare. Ishte një ditë e përkryer, por në të njëjtën kohë shumë sfiduese. Përjetuam dëborën, erën, pak diell dhe një mjedis të gjelbër. Unë them se ia vlente çdo çast dhe jam e gëzuar që munda ta realizoj”, thekson Abdulov.

Ajo shprehet se ishte një grup i mrekullueshëm me njerëz shumë të mirë në një mal shumë të bukur.

“Shqipëria është një vend malor, por unë ju them se ky mal i tejkaloi pritshmëritë e mia, madje duke i krahasuar me malet kanadeze. Jam mirënjohëse që ia dola ta shoh malin e Korabit. Jam mirënjohëse për të gjithë ata të cilët erdhën me ne. Më pëlqeu shumë që udhëtova në Shqipëri”, thotë Abdulov.

Dibra, një nga destinacionet turistike më të bukura të Shqipërisë, vazhdon të joshë turistë vendas dhe kryesisht të huaj sidomos në pranverë. I gjithë ky segment përshfaqet nga një bukuri e pahasur, unike, mes diversitetit të natyrës dhe thellësisë së peizazhit, duke ofruar si në verë, dhe në stinët e tjera të vitit mundësi për turizëm.

Korabi është një nga malet më të larta të Europës Juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Vend i pasur me bukuri të rralla natyrore, me gurë, shkëmbinj dhe kullota, i cili vizitohet nga shoqata të shumta alpinistësh, të cilët arrijnë të ngjiten edhe deri në majën e tij, e cila ka lartësinë 2764 m.

Nga ana e Maqedonisë së Veriut mund të shkohet deri në fshatrat e Rekës, duke udhëtuar nga Dibra e e Madhe e deri në disa prej këtyre fshatrave siç janë: Nistrovë, Bibaj, Zhuzhnjë, Rimnicë, Grekaj, Tanushaj, Nivisht si dhe në pjesën tjetër të Strazimirit nga organizohen ngjitjet alpinistike çdo vit.

Vargmali i Korabit shtrihet mbi 40 kilometra në drejtimin veri-jug midis pjesës së poshtme të Drinit të Zi dhe degës së saj kontribuese Radika.

Mali i Korabit është shtëpi për ujëvara ku në luginën e sipërme të lumit, Përroi i Thellë Gjatë ujëvara arrin një lartësi prej mbi 130 metra, e cila e bën atë më të lartën në Maqedoninë e Veriut. /k.s/ /a.g/

FOTO/ Korabi, ‘zemra’ e maleve shqiptare që tërheq alpinistët Read More »

BE beson në fuqinë dhe zërin e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri

Bashkimi Europian beson në fuqinë dhe zërin e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka zhvilluar një takim me grupin Zëri 16 + mbështetur nga Save the Children në Shqipëri.

Soreca e konsideron këtë grup si një model të shkëlqyer për t’i dhënë zë të gjithë fëmijëve dhe të rinjve.

“Thellësisht i emocionuar nga takimi me grupin Zëri 16 + mbështetur nga Save the Children në Shqipëri, model i shkëlqyer për t’i dhënë zë të gjithë fëmijëve dhe të rinjve.

Ata janë drejtuestit e tanishëm dhe të ardhshëm të ndryshimit. BE-ja beson në fuqinë dhe zërin e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri”, është shprehur Soreca./atsh

BE beson në fuqinë dhe zërin e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri Read More »

Parashikimi i motit, 1 maj 2019

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për sot parashikohet me vranësira mesatare e të dendura si dhe intervale me diell.

Deri në orët e mesditës në veri e qendër të vendit parashikohen reshje shiu të herëpasherëshme. Intensiteti i reshjeve do të jetë i ulët deri mesatar.

Në formë të lokalizuar, gjithashtu parashikohen shtrëngata në veriperëndim të vendit.

Në jug reshjet do të jenë në intensitet të ulët e zonale. E pranishme do të bëhet mjegullina nga reshjet.

Në mbrëmje moti do të jetë në përmirësim.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje- Veriperëndim 1-8m/sek, në bregdet deri 10m/sek në mesditë, duke u pasuar nga një valëzim i forcës 1-2.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/18 shi diell
Kukës 8/16 shi diell
Lezhë 11/19 shi diell
Dibër 8/15 shi diell
Durrës 11/21 shi diell
Tiranë 10/20 shi diell
Elbasan 9/20 shi diell
Berat 10/21 shi diell
Vlorë 12/21 shi diell
Korcë 7/18 re diell
Gjirokastër 8/21 re diell
Sarandë 12/21 shi diell/atsh

Parashikimi i motit, 1 maj 2019 Read More »

Vija bregdetare në Lungomare krejtësisht e pastër,fund derdhjes së ujërave të zeza në det

Vija bregdetare përgjatë shëtitores “Lungomare”, do të jetë totalisht e pastër.

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, ka hartuar projektin që i jep fund derdhjes në det të ujërave të zeza dhe të ndotura.

Projekti aktualisht është dërguar pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe gjendet në proces tenderimi, për të nisur nga zbatimi shumë shpejt, ndërsa ka marrë miratimin e Këshillit Teknik.

“Ky është një premtim i mbajtur i kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Derdhja e ujërave të zeza në det, ka qenë një problem shqetësues për qytetin, por tashmë është drejt zgjidhjes”, – tha për ATSH drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorian Xhelili.

Xhelili shprehet se “projekti parashikon lidhjen me rrjetin e kanalizimeve të banesave apo objekteve të ndërtuara në zonat informale dhe që kanë qenë të patrajtuara, në zonën nga ish-Fabrika e Cimentos, tek “Bishti Kalldrëmit”, në kodrën pranë këtyre zonave deri në “Ujë të Ftohtë” te Tuneli, që nuk kanë qenë të përfshira ndonjëherë në rrjetin e kanalizimeve sipasojë e ndërtimeve që janë bërë ndër vite. Por janë ndërtuar edhe përpara se Impianti i Vlorës të projketohej”.

Sipas tij, këto banesa apo objekte momentalisht nuk kanë lidhje me rrjetin e kanalizimeve, ndërsa ujërat e ndotura me këtë projekt do të kalojnë në Stacionet e Pompimit.

“Brenda këtij viti pritet që situata të stabilizohet dhe të kemi një bregdet të pastër pa ujëra detar të ndotur. Një tjetër projekt i rëndësishëm do të jetë edhe ai i ridimensionimit të Stacioneve të Pompimit ekzistues në “Lungomare””, – u shpreh Xhelili.

Investimi është bashkëkohor me sistemin ‘Scada’ me monitorim 24 orë me kamera dhe sistem alarmi.

“Projekti për këtë investim është duke u hartuar dhe në të përfshihen Stacionet e Pompimit në “Lungomare”, ai tek ish-Parku i Tregtisë dhe tek ish-Fabrika e Makaronave”,- tha ai.

Kreu i ujësjellësit të Vlorës sqaroi se “do të zëvendësohen edhe pompat dhe panelet elektrike në stacionet e pompimit”.

I përuruar në maj të 2017, Lungomare është cilësuar si projekti më i rëndësishëm në funksion të turizmit në qytetin bregdetar të Vlorës. Jo vetëm, në stinën e verës , por edhe të dimrit Lungomare është ndër më tërheqësit për turistët vendas e të huaj./atsh

Vija bregdetare në Lungomare krejtësisht e pastër,fund derdhjes së ujërave të zeza në det Read More »

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi flet për sigurinë ushqimore

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Blendi Çuçi sqaroi në një emision televiziv perceptimet e gabuara se të gjitha ushqimet janë me hormone, gjë që rezulton e pavërtetë.

“Ka probleme, por patjetër që shumica e ushqimeve nuk janë me hormone. Një tjetër koncept i gabuar është që ushqimet që çohen jashtë janë më të mira, sepse nuk mund të jetë një serë e cila spërkatet ndryshe për tregun e brendshëm dhe ndryshe për tregun e jashtëm. Kjo nuk ndodh pasi spërkatja bëhet njëlloj”, u shpreh ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke folur për denoncimet e medies në lidhje me produktet ushqimore me hormone.

“Hormonet vetë nuk janë akoma të vërtetuara shkencërisht nëse janë të dëmshme për shëndetin e njeriut. Nuk ka deri sot një provë shkencore që hormoni është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. E vetmja gjë që është vërtetuar është që deformon produktin nga pamja fizike dhe nga shija. Sot në botë 90% e gjërave që konsumohen janë të modifikuara gjenetikisht. Sot në serat shqiptare meqë përmendët rastin e domateve fitorregullatorët për to janë bletët në 80% të serave shqiptare. Kjo është një metodë moderne dhe 80% e serave shqiptare përdorin bletët si fitorregullator. Kemi probleme, patjetër, dhe jam i gatshëm për bashkëpunim. Të denoncohen rastet dhe të shkojmë tek e keqja”, tha Çuçi.

Duke sqaruar rastin e mishit nga Brazili, po ashtu i denoncuar në një emision investigativ, Çuçi tha se në Europë, sot Shqipëria është i vetmi vend që kontrollon 100% të importeve që vijnë nga Brazili për mishin.

“Shqipëria është i vetmi vend që gjithë mishin që vjen nga Brazili 100% e kontrollon kur është këtu. Vetëm në këto muaj të parë të vitit ne kemi kthyer në vendin e origjinës nga Brazili 180 ton mish, ku kanë hyrë në vendin rreth 300 ngarkesa nga këto janë 15 ngarkesa të kthyera. Në thertoret e licencuara nuk hyn asgjë e pakontrolluar pasi kemi disiplinuar tregun”, tha ai.

“‘Kemi probleme me mënyrën sesi është rregulluar shërbimi veterinar në Shqipëri dhe unë kam marrë nismën që ta ribëjmë komplet nga e para, sepse fragmentimi që ka ndodhur midis pushtetit lokal, klinikave veterinere, ministrisë dhe veterinerëve privat ka krijuar një problem. P.sh sot matrikullimi bëhet në klinika private pra është decentralizuar tek privati. Ky është një problem që do marrë zgjidhje pas kam marrë iniciativën të bëjmë një ligj për ridimensionimin total të shërbimit veterinar, pasi nuk është vetëm çështja e matrikullimit por me veterinarinë fillojnë të gjithë problemet që dalin në tavolinat e konsumatorëve”, përfundoi ministri Çuçi. /atsh

Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi flet për sigurinë ushqimore Read More »