Aktualitet

Meta: Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar sot se Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim për interesa tërësisht egoiste dhe okulte.

Duke folur për mediet, pas pjesëmarrjes në Konferencën e tretë Kombëtare të Industrisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Kreu i Shtetit theksoi se, “kjo situatë nuk duhet të ekzistonte kurrsesi pas 22 vitesh, që kur Shqipëria u nda me vitin 1997, që ishte një vit mjaft fatkeq”.

Meta u shpreh se “të gjithë duhet t’i thërrasin mendjes dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Për interesa tërësisht egoiste dhe okulte Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim. Dhe As shqiptarët. Ata kanë vendosur të bashkëjetojnë në mënyrë demokratike dhe janë ndarë me sisteme përjashtuese që në vitin ’90”.

I pyetur se kush i ka këto interesa okulte, Meta tha se, “nuk i kanë ata të cilët mezi po presin turizmin dhe shtimin e rezervimeve dhe jo anulimin e rezervimeve”.

I pyetur për deklaratën e kryeministrit, i cili ka thënë që Presidenti nuk e ka ftuar për një tryezë për të zgjidhur krizën politike, dhe nëse do ta ndërmarrë Meta një hap të tillë, ai tha se, “askush nuk mund t’i transferojë përgjegjësitë tek të tjerët, aq më tepër tek Presidenti i Republikës. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që do të kenë në rast se e çojnë vendin drejt konfrontimit”.atsh

Meta: Shqipëria nuk ka pse të shkojë në konfrontim Read More »

Çelet sot edicioni i tretë i Festivalit të Resë, Tirana mirëpret 214 artistë

Për 15 ditë rresht, Tirana do të mirëpresë 214 artistë nga 18 shtete, që do të na dhurojnë çdo ditë një performancë ndryshe në edicionin e tretë të Festivalit të Resë.

Muzikë, valle dhe të tjera aktivitete do të krijojnë një atmosferë fantastike për të gjithë ata që dashurojnë artin.

Siparin ky festival e çel sot në orën 19:30 me një parade me daulle të ndriçuar me drita LED , për të zbritur më pas tek parkingu nëntokësor i sheshit “Skënderbej” dhe ndjekur në orën 20:30 me performancën 30-minuteshe “E Zakonshme” të krijuar posaçërisht nga artisti bashkëkohor Klod Dedja.

Mbrëmja do të vazhdojë me një koncert live, aheng tirons nga këngëtari i madh Rik Buneci dhe Orkestra. Ushqim, pije, kokteile dhe DJ-s do të shoqërojnë këtë mbrëmje underground e cila do të zgjasë deri në orën 02:00 të mëngjesit.

Përgjatë ditëve dhe netëve të festivalit, artistët më të mirë vendas dhe të huaj do të sjellin tek Reja ndërthurjen më të mirë midis dy ekstremeve të kulturës (artit ,muzikës,dancit dhe ndërthurjeve të tyre) – Të kulturës Bashkëkohore – duke veçuar këtu premierën e OPERAS eksperimantale “MAL” e cila është e inspiruar nga vepra e poetit tonë të madh MIGJENI.

Një vend të veçantë do të ketë edhe kultura tradicionale, e cila sjell muzikën e vjetër e më të mirë të ahengunt tirons dhe ahengut shkodran. Ansambli SAZ’ISO me famë ndërkombëtare,vjen si premierë shqiptare për të sjellë Gëzimin dhe Trishtimin e Muzikës së Sazeve te Shqipërisë së Jugut.

REJA dhe lulishtja e saj do të jenë hapësirat e teatrit fizik, instalacioneve audio-vizuale, bashkëbisedimeve me artistë, lojërave piknike e after-party, performanca të artit dhe dancit bashkëkohor, muzikë dhe kërcim, paradë me Led, rituale, tambure japoneze, kërcim egjiptian, workshops, leksione spirituale, kërcim TAP dhe Irlandez performanca letrare, trajnime 8-ditore për artin e performancës, leksione në universitete per menaxhim të karrierës artistike si artist i pavarur.

Sikurse është bërë tashmë traditë, do të ketë edhe DJ dhe kurse kërcimi në publik ku veçojmë Vallen e Tropojës udhëhequr nga Mjeshtri i Madh koregrafi Delih Metalia dhe Ansambli Dandania për të përfunduar me Rapsodinë Freiraum e kompozuar dhe dirigjuar nga Prof. Fatos Qerimaj dhe performuar nga Orkestra e Muzikës Bashkëkohore, me pjesëmarrjen e KORIT TË RESË.

Por më e veçantë do të jetë performance e artistit Astrit Ismaili “EMO GIRL” – “Vajza EMO”, e cila mund të quhet një nga performancat e para ose të vetme në vendin tonë, e cila bën bashkë trupa femërore, njerëz me gjini fluide dhe queer (joheteroseksuale). Reja dhe festivalet e saj janë produkte të mbështetura që prej fillimit nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. /atsh

Çelet sot edicioni i tretë i Festivalit të Resë, Tirana mirëpret 214 artistë Read More »

Ndryshimet në Kodin Penal, 1-5 vjet burg për dëmtim të zonave të mbrojtura

Ashpërsim penaliteteve për shkelësit mjedisorë në ndryshimet ligjore të Kodit Penal.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi paraqiti këto ndryshime në Kodin Penal në fushën e mjedisit, gjatë një takimi me ekspertë mjedisorë në mjediset e Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

”Kjo paketë ligjore nuk ka qenë më përpara dhe po futet tani. Konkretisht neni 201 i Kodit Penal parashikon burgim i cili fillon nga 1 deri në 5 vjet për ata që dëmtojnë zonat e mbrojtura.

Ata që shkaktojnë dëme të pakthyeshme të ekosistemit dhe biodiversitetit, do të dënohen nga 5 vjet deri në 15 vjet burg. Këto masa dënimesh do të rriten me 1/3 e dënimeve nëse territori i dëmtuar është pjesë e zonave të mbrojtura”, tha Klosi.

Në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë të njësisë së Karabinierisë italiane për kontrollin e mjedisit./atsh

Ndryshimet në Kodin Penal, 1-5 vjet burg për dëmtim të zonave të mbrojtura Read More »

“Muzeu lëvizës”, një autobus i zakonshëm me objekte të trashëgimisë kulturore

“Muzeu lëvizës” udhëtoi sot pranë nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Bërzhitë” në njësinë administrative Bërzhitë.

Një autobus i zakonshëm u kthye në një ekspozitë, ku nxënësit u njohën me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore. Ekspozita e “Muzeut Lëvizës” përmbante riprodhime nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike.

Midis tyre nxënësit mundën të gjejnë vazo nga antikiteti, vegla muzikore, kostume popullore etj. Drejtori i shkollës e përshëndeti këtë nismë duke thënë se kjo ishte një mundësi e mirë për nxënësit që banojnë larg qendrës së kryeqytetit për t’u njohur me objekte të ndryshme të trashëgimisë kulturore.

Nxënësit vizituan ekspozitën e improvizuar brenda autobusit dhe u shprehën se kjo mënyrë organizimi ishte ora mësimore që ata do të parapëlqenin.

Ky aktivitet synoi përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës kulturore në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.

Nёpёrmjet këtij projekti synohet që, koleksioni tё bёhet i njohur pёr njё publik mё tё gjerё, pёr tё bёrë njё lidhje mё domethёnёse me objektin, nё tё njёjtёn kohё duke kontribuar nё forcimin e identitetit tё muzeut, duke përfshirë bashkëpunimin me qytetarët, komunitetin e shoqërinë në ndërgjegjësimin e të rinjve për ruajtjen e trashëgimisë sonë. /atsh

“Muzeu lëvizës”, një autobus i zakonshëm me objekte të trashëgimisë kulturore Read More »

Turizmi i qëndrueshëm, program i ri investimesh në 4 qytete

Programi për Zhvillimin e Turizmit në katër komponentët e tij ka si objektiv kryesor të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në zonat Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.

Zbatimi i programit pritet të ketë impakt në nxitjen e turizmit dhe konkurrueshmërisë së vendit, por edhe në rritjen e ekonomive lokale dhe gjenerimin e vendeve të punës.

Pas disa projekteve të suksesshme investimi në fushën e turizmit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zbatojë një tjetër program të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të financuar nga Bashkimi Europian dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Turizmi është një burim shumë i rëndësishëm i vendeve të punës dhe gjenerimit të të ardhurave për ekonomitë lokale, por edhe për ekonominë në nivel kombëtar. Investimet në turizëm janë rritur së tepërmi vitet e fundit, çka është reflektuar në një numër të rritur të turistëve çdo vit.

Programi për Zhvillimin e Turizmit që ka një kohëzgjatje prej 4 vitesh (dhjetor 2018 – dhjetor 2023) në katër komponentët e tij ka si objektiv kryesor të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në zonat Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.atsh

Turizmi i qëndrueshëm, program i ri investimesh në 4 qytete Read More »

Jonida Maliqi performon sot në Eurovizion

Këngëtarja Jonida Maliqi do të këndojë sot në gjysmëfinalen e dytë të edicionit të 64 të Eurovisionit, në Tel Aviv, Izrael.

Këngëtarja do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë event dhe do këndojë shqip këngën “Ktheju Tokës” .

Maliqi do të jetë e 14 në radhë për të kënduar, duke konkurruar për të qenë në finalen e së shtunës.

Nga 41 këngëtare në konkurrim vetëm 26 do arrijnë të shkojnë në finale. Kjo këngë i kushtohet gjithë emigrantëve nëpër botë.

Juria shqiptare përbëhet nga Anxhela Peristeri, Eranda Libohova, Dilan Reka, Julka Gramo dhe Gent Rushi.

Jonida Maliqi performon sot në Eurovizion Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me alternime kthjellimesh e vranësirash.

Prej orëve të mesditës deri në ato të pasdites, parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave.

Intensiteti më i lartë i reshjeve, do të jetë më tepër përgjatë relieveve kodrinore dhe malore ku shtrëngatat janë më tepër të vrullshme. Në formë të izoluar dhe lokale parashikohen reshjet e shiut edhe në formë rrebeshi.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Veriperëndim 1-8 m/sek e në bregdet deri 12 m/sek. Valëzimi i forcës 3-4.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/18 Diell shi
Kukës 8/17 Diell shi
Lezhë 12/19 Diell shi
Dibër 6/15 Diell shi
Durrës 12/20 Diell shi
Tiranë 12/20 Diell shi
Elbasan 11/20 Diell shi
Berat 9/20 Diell shi
Vlorë 10/21 Diell shi
Korcë 6/16 Diell shi
Gjirokastër 8/19 Diell shi
Sarandë 13/20 Diell shi/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Kuvendi 1 minutë heshtje në nder të major Klodian Tanushit

Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minutë heshtje në orën 12:00 në nder të Dëshmorit të Atdheut, Major Klodian Tanushit, i cili ra në krye të detyrës në Letoni.

Për nder të Majorit Klodian Tanushi u zhvilluan sot edhe Homazhet tek Muzeu Historik.

Major Tanushi vdiq në spital në Letoni, pasi u plagos rëndë në incidentin e 6 majit, ku humbi jetën nëntetarja Zarife Hasanaj si pasojë e shpërthimit të disa municioneve të paplasura gjatë kryerjes së detyrës në bazën e NATO-s në Letoni, ku po zhvillohej stërvitja ushtarake e një prej aleatëve. Nga ai shpërthim mbeti i plagosur edhe rreshteri Julian Xhevat Kapaj./atsh

Kuvendi 1 minutë heshtje në nder të major Klodian Tanushit Read More »