Aktualitet

Parashikimi i motit, e premte, 24 maj 2019

Moti për ditën e sotme do të jetë me kthjellime dhe vranësira kalimtare, më pas prej orëve të drekës deri në ato të pasdites do të ketë shtim vranësirash mesatare dhe të dendura.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak nga orët e mesditës deri në ato të pasdites parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në formën e shtrëngatave. Lokalisht dhe në kohë afatshkurtër reshjet do të jenë në formën e rrebeshit të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Jugperëndim 1-10 m/sek, kryesisht në bregdet. Valëzimi në dete i forcës 0-1 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/22 Diell shi
Kukës 10/20 Diell shi
Lezhë 12/22 Diell shi
Dibër 10/19 Diell shi
Durrës 14/21 Diell shi
Tiranë 14/23 Diell shi
Elbasan 13/23 Diell shi
Berat 9/23 Diell shi
Vlorë 11/22 Diell shi
Korçë 9/20 Diell shi
Gjirokastër 8/22 Diell shi
Sarandë 12/21 Diell shi/atsh

Parashikimi i motit, e premte, 24 maj 2019 Read More »

Meta shtron darkë Iftari: Politika të jetë më reflektuese

Presidenti i Republikës, Ilir Meta shtroi sot një darkë Iftari me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit. Të pranishëm ishin kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, udhëheqës fetarë dhe shpirtërore të bashkësive shqiptare, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë, teologë, përfaqësues nga komunitetet në nevojë, mosha e tretë, paraplegjikë dhe personalitete të ndryshme.

Në fjalën përshëndetëse, Meta uroi agjërim të mbarë për gjithë besimtarët.

“Muaji i Ramazanit është një mundësi e madhe për të shpalosur ndjenjën e vëllazërisë, të dashurisë për njëri-tjetrin, dhe për atdheun tonë. Vendi ynë është i bekuar nga Zoti me resurse, natyrë dhe klimë të mrekullueshme, por mbi të gjitha me një popull të devotshëm, i cili me një besim të thellë në zemër nuk e çrrënjosi atë as edhe në ditët më të errëta të diktaturës së këtij vendi”, – tha ai, duke shtuar se për Zot dhe për Flamur shqiptarët e të gjitha besimeve, luftuan krah njëri-tjetrit dhe u vetëmohuan për Pavarësinë dhe Çlirimin.

“Shqipëria është e njohur në mbarë botën për shembullin e saj të jashtëzakonshëm të harmonisë fetare. Kjo është një ndër vlerat dhe asetet më të çmuara të historisë, traditës dhe shoqërisë sonë e që duhet ta ruajmë gjithmonë fort si sytë e ballit”, – tha Presidenti.

“Në këtë muaj të shenjtë nuk ka vend për zemrat krenare, aq më tepër për arrogancën dhe kokëfortësinë, por për zemërgjerësi, përkushtim, përulësi dhe dashuri. Gjatë këtij muaji edhe politika duhet të jetë reflektuese dhe të ketë më shumë besim, pa harruar se nuk është vetëm besimi ai që i bën njerëzit të jenë më të mirë, por mbi të gjitha janë veprat e mira dhe konkrete”, – theksoi Presidenti Meta. /atsh

Meta shtron darkë Iftari: Politika të jetë më reflektuese Read More »

Rama, letër të tretë publike Lulzim Bashës

LETER E TRETE PUBLIKE LULZIM BASHES

Zoti Kryetar,

kjo letër e tretë po shkruhet pas leximit të mesazhit Tuaj drejtuar dje qytetarëve, si përgjigje me spond ndaj letrave të mia në adresën Tuaj për t’u ulur në Tryezën e Dialogut.

E para gjë që mendova duke lexuar atë përmbledhje akuzash Tuajat ndaj meje, ishte si ka mundësi vallë udhëheqësi i një grupimi politik që pretendon të qeverisë vendin, të mund të hedhë kaq rrjedhshëm në letër një lumë të tërë gjysëm të vërtetash (gjysëm të vërtetat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha dihet!), sajesash, vulgaritetesh e veshëgjatësirash të hatashme(?)! Por unë fatmirësisht s’kam gisht në zgjedhjen Tuaj dhe prandaj edhe s’kam se si ta përjetoj keq personalisht, faktin se Ju jeni ky që jeni. Kështu që pa problem, asgjë personale!

Ama sigurisht, përjetoj me dhimbje faktin se tërë lumi i llumit në fjalë, është derdhur e vijon të derdhet në gjuhë të huaja, duke Ju bërë Juve të dytin udhëheqës në Europë pas udhëheqësit Tuaj, që i bën një të padëgjuar batërdi verbale vendit të vet – jo thjesht kundërshtarit të tij. Por është ende më i habitshëm fakti, se edhe pse megjithë këtë gjuhështhurrje ekstreme, Ju as i keni fituar, as do t’i fitoni dot deri kur të largoheni nga detyra votat e shumicës së shqiptarëve, ashtu sikundër as keni bindur e as bindni dot, asnjë mik e partner ndërkombëtar të Shqipërisë, Ju vazhdoni i bini fyellit po njësoj. Madje jo, i bini fort e më fort!

Sidoqoftë, për hir të njerëzve që me plot të drejtë presin nga udhëheqësit e çdo pale Dialog Politik, unë po e konsideroj mesazhin Tuaj një mundësi për të nxitur Dialogun. Aq më mirë që njerëzit mund të na lexojnë të dyve.

Ju e nisni mesazhin me “asgjësimin” e Gjykatës Kushtetuese dhe më atribuoni mua, “shpalljen hapur” të mendimit se “shqiptarët janë më mirë pa gjykata”! E pavërtetë!

E vërteta është se shqiptarët ishin de facto pa gjykata, për më shumë se dy dekada kur drejtësia, mu ashtu siç e donte udhëheqësi Juaj e jo vetëm ai, ishte një mall që i falej më të fortit dhe blihej nga më i pasuri. Ju keni edhe eksperiencë personale lidhur me këtë fakt dhe jeni një ilustrim kuptimplotë i tij!

Sot Shqipëria është e vërtetë po, nuk e ka ende funksionale Gjykatën Kushtetuese, por jo sepse unë nuk dua që ta ketë, po sepse trupa e Gjykatës Kushtetuese është fshirë në pjesën dërrmuese të saj nga Vetingu dhe është në procesin historik të rindërtimit pas rrënimit korruptiv, ashtu si i gjithë sistemi i drejtësisë. Problemi Juaj nuk është thjesht se nuk dini ç’do të thotë të rindërtosh pas rrënimit, çka sigurisht Ju nuk e dini për fat të keq. Problemi Juaj nuk është as se nuk doni ta kuptoni, që të rindërtosh nuk është një fjalë goje po një përpjekje e mundimshme, e cila kërkon durim e kohë. Çka fatkeqësisht nuk doni ta kuptoni, e qartë edhe kjo. Por jo, problemi Juaj është më i madh se mosdija dhe përtacia mendore.

Ju jeni i trembur!

Keni frikë nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe përfaqësoni një grupim që udhëhiqet nga frika e kësaj reforme qysh ditën e parë të nisjes së saj. Por unë s’Ju ndihmoj dot në këtë pikë! Puna Juaj pse e keni tërë këtë lebeti në atë barkun e kasolles Suaj politike, kështu që kaq për Gjykatën Kushtetuese.

Vazhdojmë.

Edhe pse Ju jeni natyrisht në dijeni të disa gjyqeve që unë kam nisur me Ju (për shpifje sigurisht), në mesazhin Tuaj të djeshëm, keni grumbulluar shumë syresh. Prandaj, për hir të këtij komunikimi të hapur mes nesh, po Ju bëj me dije se do t’Ju ftoj në gjykatë për të sjellë qoftë edhe një provë të vetme për maskarallëqet që keni artikuluar në mesazhin Tuaj të djeshëm; që nga 30 milionë eurot që paskam dashur të vjedh e të pastroj në Amerikë me një kompani fallco(!) e me radhë të tëra, tek im vëlla që qenka zbuluar i lidhur me një grup kriminal trafikantësh droge(!), e deri tek negociatat e mia për kufijtë e Shqipërisë(!)dhe madje edhe të Kosovës!

Puna është se tërë këto shpifje e plot të tjera akoma, të cilat janë gatuar në kazanin Tuaj të stërmadh, janë derdhur nëpër kazanët e neveritshëm të mexhelisit tonë mediatik, janë përhapur si mbetje toksike sado e kudo ku keni mundur, në Shqipëri, në Kosovë dhe nëpër botë, Ju i quani “zbulime”!

Zbulime!

Pra na qenkeshin zbuluar dhe jo gatuar, paketuar e promovuar prej Jush e atyre që Ju rrethojnë dhe shërbejnë qorrazi, tërë këto të zeza për të cilat unë, sipas Jush, duhet të kisha dhënë të paktën 20 herë dorëheqjen me hir, kurse tani u dashka ta jap me pahir! Sepse përndryshe, Ju dhe populli imagjinar që Ju paska zgjedhur për shpëtimtar, nuk do të lejoni zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor apo jo?

Hajde logjikë hajde!

S’ka më keq për një udhëheqës se sa të mos dijë të lexojë humbjen dhe s’ka më zi për një udhëheqës sesa të humbë logjikën. Unë patjetër kam bërë gabimet e mia në kryerjen e misionit tim. Po ama asnjëherë s’i kam tradhëtuar ata që ma kanë ngarkuar këtë mision dhe lidhje në botë s’kam me maskarallëqet që Ju më keni mveshur e keni mbushur botën! E që të jemi shumë, po shumë të qartë, askënd përveç atyre që më kanë votuar dhe familjes time (e cila paguan përditë koston e lartë shpirtërore të baltës së pafundme të mizerabilitetit politik e mediatik që derdhet ndaj meje e familjarëve të mi), s’e marr dot seriozisht kur më kërkon dorëheqjen. Ndërsa kur ma kërkoni dorëheqjen Ju dhe populli imagjinar i punonjësve të bashkive që do dorëzoni si Çeçua në 30 qershor, bashkë me ujësjellësat e falimentuar, që furnizojnë më shumë militantë në protestat Tuaja se sa ujë në çezmat e njerëzve, mua vetëm më shumëfishohen fuqitë për të vazhduar luftën me plagët e panumërta të trashëgimisë Suaj qeverisëse.

Kështu që i dashur Lulzim, shkeputu nga krahët e mllefit që ta ka çuar për pambuk logjikën, çlirohu nga paniku i humbjes që të rri shkruar mbi ballë, mbaje për vete e për Plakun tënd Digjital frikën nga Reforma në Drejtësi dhe bëj atë që bën çdo udhëheqës në këtë situatë të padëshiruar: Ulu në Tryezën e Dialogut!

(Ndjesë për momentin e adresimit me “ti”, po sinqerisht mjaft me këtë karshillëk me zarar që po i bëni vendit, shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe miqve e partnerëve të Shqipërisë, në një kohë kur Shqipërisë i duhen kundërshtarë politikë që dinë të arsyetojnë, jo kalamaj në formë burrash që luajnë luftash në dëm të saj – ndjesë edhe kalamajve për ofendimin e paqëllimtë!).

Duke Ju ftuar përsëri në Tryezën e Dialogut, Ju lutem të mos harroni ndërkohë se po nuk u kthyet në realitet, përtej dëmit që mund t’i bëni vendit dhe atyre pak individëve kokënxehtë, të cilët mbase për të keqen e tyre mund të shkojnë deri në fund pas berihajit ku po i udhëhiqni, Ju s’keni asnjë shans të pengoni 30 qershorin të vijë për ata që duan të votojnë. Asnjë shans të ndryshoni qeverinë pa zgjedhje. Asnjë shans të më ndaloni mua dhe Partinë Socialiste të Shqipërisë të kryejmë misionin historik të transformimit europian të Shqipërisë.

Akoma në pritje,

Edi Rama

24 maj, 2019

Rama, letër të tretë publike Lulzim Bashës Read More »

Deputetët dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë

Deputetë të Kuvendit i janë bashkuar sot fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut duke dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

Pas thirrjes së ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Kuvend, deputetët kanë ndaluar pranë vendit të posaçëm ku stafi i Qendrës së Transfuzionit dhe Dhurimit të Gjakut ka kryer procedurën.

Ky akt vullnetar jo vetëm u vjen në ndihmë fëmijëve talasemikë, por krijon ndërgjegjësim për të krijuar zinxhirin e dhuruesve vullnetarë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur fushatën për dhurimin e gjakut dhe këtu ndodhet stafi i Qendrës së Transfuzionit dhe Dhurimit të Gjakut. /atsh

Deputetët dhurojnë gjak për fëmijët talasemikë Read More »

5 masterplane për zhvillimin e turizmit, nga jugu në veri të vendit

Pesë masterplane me përparësi zhvillimin e turizmit, do të përfshijnë hartimin e investimeve shumëdimensionale në 5 zonat bregdetare nga jugu deri në veri të vendit.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka përcaktuar zonat: Baks-Rrjollë, Rana e Hedhun – Port Shëngjin, Tale, Grykë-Derdhja e Ishmit, Spille, pjesë të Planit të Përgjithshëm Kombëtar “Shqipëria 2030”, si dhe Planeve të Detajuara për Zonat me Rëndësi Kombëtare.

Zonat e përzgjedhura për studim, duke u karakterizuar nga një përqendrim i madh e i shumëllojshëm i burimeve natyrore, kanë filluar të jenë nën trysninë e kërkesës së lartë për përdorim e shfrytëzim të resurseve të tyre. Në këtë kontekst masterplani i zhvillimit parashikon:

Baks-Rrjoll:

Zona është e përshtatshme për zhvillimin e turizmit të (kompleksit të) resorteve me karakter pushim/ argëtimi dhe kurativ, për shkak të tipareve të veçanta të klimës dhe rërës së pasur me jod në këtë pjesë të bregut të Adriatikut. Sportet ujore, si surfing, mund të pasurojnë ofertën turistike të resorteve dhe mundësojnë diversifikimin e grupeve të targetuara turistike. Shërbimet hoteliere duhet të jenë të destinuara për struktura me 4 yje e sipër.

80% e zhvillimit duhet të jetë i destinuar për shërbime në formën e strukturave kompakte apo të shpërndara (vila) dhe vetëm 20% i destinuar për banesa të dyta (real-estate), në formën e strukturave individuale (vila, jo apartamente shumëkatëshe).

Rana e Hedhun – Port Shëngjin:

Zona ka kufizime fizike dhe shtrihet në një brez të ngushtë bregdetar, ku fasha e rërës e përshtatshme për aktivitete ditore të plazhit mund të mbartë shumë herë më shumë turistë sesa mund të mbartë fasha tokësore turistë të akomoduar. Gjithashtu, për shkak të kapaciteteve të limituara të plazhit në pjesën jugore të Portit, zona në fjalë mund të shërbejë për shfryrjen e turizmit ditor, i cili sjell turistë lokale, apo nga zonat verilindore të Shqipërisë dhe Kosova. Prezenca e monumentit të natyrës Rana e Hedhun është një tjetër atraksion që sjell turistë ditor në këtë plazh të Adriatikut. Për këto arsye zona duhet të destinohet për funksione të turizmit masiv ditor të rërës dhe diellit e sporteve ujore dhe në pjesët e ndërtueshme duhet të destinohet për shërbime hotelerie duke filluar nga 4 yje e sipër.

100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime. Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte.

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një ballinë ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qëndrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e restorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe masiv, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti të kompletuar (stacione), i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, parkimi dhe transporti janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone.

Tale:

Zonë e përshtatshme për zhvillimin e turizmit masiv ditor të rërës dhe diellit e sporteve ujore, ndërsa në pjesët e ndërtueshme e përshtatshme për resorte dhe shërbime hoteliere të një cilësie që fillon nga 3 yje e sipër.

100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime. Strukturat e akomodimit rekomandohet të jenë kompakte.

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një balline ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qëndrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e restorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe masiv, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti të kompletuar (stacione), i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, parkimi dhe transporti janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone.

Grykëderdhja e Ishmit:

Zona është pjesë e Rezervatit Natyror të Menaxhuar Patok-Fushëkuqe-Ishëm. Njihet gjithashtu edhe si një nga zonat, e cila në një pjesë të saj vuan ndotjen mjedisore të Lumit Ishëm, lumi që buron nga trevat e Tiranës dhe mbledh ujërat e një pellgu të populluar me ndërtime formale dhe joformale.

Zhvillimi i zonës për qëllime të turizmit të natyrës, sportit dhe aventurës, është një mundësi me përfitime të dyfishta: promovimi i vlerave të zonës së mbrojtur dhe rehabilitimi mjedisor i saj, janë mundësi të shtuara përkrah përfitimeve që mund të sjellë aktiviteti turistik.

Zona është e përshtatshme për krijimin e një resorti natyror në përputhje me natyrën e zonës së mbrojtur. Strukturat e akomodimit turistik duhet të jenë me natyrë të përkohshme, të lidhura me tokën në mënyrë lehtësisht të çmontueshme.

Këtu kërkohet që zhvillimi i zonës t’i dedikohet ‘glamping’, një koncept inovator që kombinon eksperiencën e eksplorimit dhe përjetimit të drejtpërdrejtë të natyrës me komoditetin e akomodimit. Glamping është një formë kampimi, ku akomodimi bëhet në struktura me më shumë hapësirë dhe komoditet se ato që gjenden në kampet tradicionale. Glamping është një fjalë e përbërë nga dy fjalë të tjera dhe do të thotë: ‘glamourous camping’. Kjo formë e zhvillimit të turizmit është sezonale dhe është e këshillueshme të përdoret në zonat që kanë bukuri natyrore të çmuara (të cilat mund të kenë edhe status mbrojtje).

Ky lloj aktiviteti turistik mund të jetë i preferuar nga të gjitha moshat, por mund të parapëlqehet sidomos nga të rinjtë dhe nga ata që preferojnë një dozë aventure në pushimet e tyre. Zhvillime të tilla shoqërohen edhe me aktivitete kulturore si koncerte e festivale, masive e të zhurmshme. Ndaj, zhvillimi i zonës duhet të shoqërohet edhe me struktura të përkohshme për akomodimin e këtyre aktiviteteve, të vendosura në kohë dhe hapësirë në mënyrë të atillë që të mos krijojnë konflikt me natyrën e qetë të zonave për ‘glamping’. Sidoqoftë, pritet që studimi të vlerësojë dhe të këshillojë lidhur me këtë ‘bashkëjetesë’.

Tipologjia e strukturave duhet të jetë në formën e tendave tekstile të kombinuara me elementë druri.

Zhvillimi i resortit ‘glamping’ duhet të menaxhohet nga një strukturë e vetme menaxheriale për të garantuar integritetin mjedisor dhe funksional të resortit natyror.

100% e zhvillimit të ri duhet të jetë i destinuar për shërbime.

Spille:

Zona është e përshtatshme për zhvillimin e turizmit të integruar masiv ditor dhe atij të (kompleksit) të resorteve me karakter pushimi/argëtimi. Pjesa veriore e zonës, në afërsi të zonave të banuara duhet të zonohet për zhvillimin e strukturave hoteliere dhe shërbimit të turizmit masiv ditor, ndërsa pjesa jugore e zonës, në drejtim të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe grykëderdhjes së Shkumbinit, për shkak të shtrirjes së gjerë të zonës në një fashë të bregdetit të patrazuar nga ndërtimet e paplanifikuara dhe tipareve të veçanta të klimës e brezit të pishave në këtë pjesë të Adriatikut, duhet të zonohet për zhvillimin e kompleksit të resorteve elitare.

Sportet ujore, si surfing, mund të pasurojnë ofertën turistike të zonës dhe të mundësojnë diversifikimin e grupeve të targetuara turistike. Për shkak të bregdetit ranor kjo zonë është e përshtatshme për resorte të drejtuara drejt turizmit familjar. Shërbimet hoteliere duhet të jenë të destinuara për struktura me 4 yje e sipër.

80% e zhvillimit duhet të jetë i destinuar për shërbime në formën e strukturave kompakte apo të shpërndara (vila) dhe vetëm 20% i destinuar për banesa të dyta (real-estate), në formën e strukturave individuale (vila, jo apartamente shumëkatëshe).

Zona duhet të sistemohet nëpërmjet një shëtitoreje bregdetare dhe një balline ujore, ku në fashën e parë (fasha ranore) duhet të vendosen strukturat e përkohshme të shërbimit të plazhit, në fashën e dytë strukturat e qëndrueshme të shërbimeve gastronomike dhe të mirëqenies, si bare e restorante, spa dhe të ngjashme, ndërsa në brezin e tretë strukturat e shërbimit hotelier. Në fashën më të thellë, duhet të akomodohen strukturat e banesave të dyta.

Në këtë zonë të destinuar për turizmin ditor dhe në masë, duhet të sigurohet akses shumë i mirë dhe mjedise të mjaftueshme parkimi, apo sistem transporti, i cili të jetë në harmoni (fizikisht dhe vizualisht) me zonën turistike. Aksesi, transporti dhe parkimi janë elementë shumë të rëndësishëm projektimi dhe njëkohësisht baza për zhvillimin cilësor të kësaj zone. /atsh

5 masterplane për zhvillimin e turizmit, nga jugu në veri të vendit Read More »

Lirohen nga detyra zv.ministrja e Shëndetësisë dhe prefekti i Beratit

Këshilli i Ministrave vendosi sot lirimin nga detyra të zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ardiana Jaku.

Po ashtu me një vendim të veçantë, qeveria Këshilli i Ministrave liroi nga detyra e prefektit të Qarkut të Beratit, Harilla Dafën.

Në detyrën e Prefektit të Qarkut Berat, Këshilli i Ministrave emëroi Valbona Zylyftarin. /atsh

Lirohen nga detyra zv.ministrja e Shëndetësisë dhe prefekti i Beratit Read More »

Sot në seancën plenare do të diskutohet pr/ligji për pensionin e minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve

Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku do të diskutohet pr/ligji “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera, në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Gjithashtu në Kuvend sot do të diskutohet raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit për vitin 2018

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për plotësimin e një vendi vakant në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”./atsh

Sot në seancën plenare do të diskutohet pr/ligji për pensionin e minatorëve, naftëtarëve dhe metalurgëve Read More »

Horoskopi, 23 maj 2019

Dashi

Të lindurit e kësaj shenje do të përqendrohen më shumë te pikat e forta gjatë kësaj dite sesa te dobësitë. Punoni për të krijuar një stil jetese më të shëndetshme, bëni ushtrime fizike dhe shëtitje. Gjithashtu, është mjaft e rëndësishme të ndiqni një dietë të shëndetshme ushqimore.

Demi

Gjatë ditës do të keni mjaft momente romantike. Ata që janë të përfshirë në një marrëdhënie do të diskutojnë plane për të ardhmen, ndërsa beqarët e kësaj shenje ka gjasa të dalin në një takim shumë interesant. Kjo e enjte do të jetë më e përshtatshme për të bërë plane sesa për të vepruar.

Binjakët

Duket sikur drama po ju ndjek në të gjitha aspektet e jetës. Madje më së shumti kjo vlen për lidhjen tuaj romantike. Përpiquni të mbani situatën nën kontroll dhe mendohuni mirë para se të veproni. Kushtojini më shumë kohë vetes suaj dhe gjeni kohën e duhur për t’u relaksuar.

Gaforrja

Dikush do të ketë shumë nevojë për ndihmën tuaj sot. Tregoni durim dhe bëni më të mirë e mundshme. Ka gjasa që dikush pranë jush të ndërmarrë veprime irracionale, çfarë do të shkaktojë shqetësim për ju. Megjithatë, në mbrëmje gjithçka do t’ju duket ndryshe. Relaksohuni për të fituar energjitë për të nesërmen.

Luani

Do të jeni në kërkim të një hobi të ri. Përpiquni të bëni gjëra që ju përshtaten me personalitetin dhe mos kërkoni ndryshime të mëdha në rutinën tuaj. Bëni kujdes me financat, mos shpenzoni më shumë se buxheti juaj.

Virgjëresha

Fati do të jetë në anën tuaj sot. Ekziston mundësia të takoni dikë, që mund të ndikojë ose në marrëdhënien tuaj romantike ose në rrugën e karrierës suaj. Rekomandohet të nisni planet për të ardhmen tuaj financiare.

Peshorja

Kur të komunikoni me të tjerët, le të shkëlqejë sharmi dhe humori juaj. Kjo do t’ju shërbejë mirë në pothuajse çdo situatë që mund të lindë sot, veçanërisht kur të ngushëlloni dikë pranë jush, që ka kaluar në disa situata të vështira kohët e fundit. Megjithatë, përpiquni të shmangni rreziqet dhe deficitin financiar.

Akrepi

Të lindurit e kësaj shenje mund të përballen me disa çështje të pazgjidhura ose me zgjedhje të vështira. Nëse keni vështirësi për të marrë një vendim përfundimtar, përpiquni të pushoni për disa orë dhe të kërkoni këshilla nga persona, të cilët janë marrë me probleme të tilla më parë.

Shigjetari

Sot mund të keni shansin për të provuar veten, për të rritur produktivitetin e biznesit tuaj. Sigurohuni nëse ajo që jeni duke bëre ju bën të lumtur, në të kundërt jeni në kohë të ndryshoni gjithçka. Pas një dite të lodhshme pune, bëni mirë ti lejoni vetes një pushim të gjatë.

Bricjapi

Ka shumë mundësi të shtyni disa nga planet tuaja të punës. Mos lejoni që kjo t’ju shqetësojë, sepse të gjitha ndodhin për një arsye. Shikoni anën pozitive, do të keni më shumë kohë për të qëndruar me familjen, miqtë apo partnerin tuaj.

Ujori

Sigurohuni të dëgjoni njerëzit që ju interesojnë sot. Edhe nëse nuk pajtoheni me atë që thonë ata, përpiquni të mos mërziteni, pasi ka shumë gjasa që ata të veprojnë nga dashuria. Merrni pak kohë për të menduar për këtë përpara se të reagoni ndaj tyre. Sot pasdite, mund të hasni disa ide, që me të vërtetë do të nxisin rrjedhën tuaj të parave.

Peshqit

Nëse e gjeni veten të mbingarkuar nga detyrat që duhet të kryeni gjatë ditës së sotme, përzgjidhni vetëm ato më të rëndësishme pasi do të jetë e pamundur t’ia dilni mbanë. Nuk është dita e duhur për të ndryshuar rutinën apo të pranosh dashurinë për dikë, pasi shumë gjëra mund të keqkuptohen./Opinion.al

Horoskopi, 23 maj 2019 Read More »