Aktualitet

OBSH: Mbi 8 milionë njerëz humbasin jetën çdo vit nga përdorimi i duhanit

Më shumë se tetë milionë njerëz vdesin çdo vit për shkak të përdorimit të duhanit. Ndërkohë shtatë milionë prej këtyre vdekjeve shkaktohen nga përdorimi i drejtpërdrejtë i duhanit, ndërsa 1,2 milionë janë persona që nuk e përdorin duhanin, por vdesin për shkak se janë përdorues pasiv të tij.

Pirja e duhanit, e cila ndikon negativisht në jetën njerëzore në shumë mënyra, qëndron e vetme si një nga shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pothuajse gjysma e duhanpirësve vdesin nga arsye që kanë burim këtë ves.

OBSH tërheq vëmendjen se çdo vit rreth 65 000 fëmijë në mbarë botën humbin jetën nga shqetësimet në rrugët e frymëmarrjes si pasojë e pirjes së duhanit në familje dhe të cilët përballen me pirjen pasive. //atsh

OBSH: Mbi 8 milionë njerëz humbasin jetën çdo vit nga përdorimi i duhanit Read More »

Ja si do të jetë moti për ditën e sotme

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me kthjellime dhe zhvillime vranësirash, kryesisht prej orëve të mesditës.

Në veri parashikohen reshje shiu të herëpashershme, me intensitet të ulët deri mesatar. Në orët e mesditës deri pasdite, shiu do të jetë në formën e shtrëngatave me rrufe. Ndërsa në zonën e bregdeti qendror e jugor nuk do të ketë reshje.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim 1-8 m/sek, në brigjet e Jonit prej orëve të mesditës, era do të fitojë shpejtësi deri 20 m/sek, duke u pasuar nga një valëzim i forcës 3-4 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 13/24 re shi diell
Kukës 11/21 re shi diell
Lezhë 14/23 re diell
Dibër 10/20 re shi diell
Durrës 15/24 re diell
Tiranë 15/24 re shi diell
Elbasan 13/24 re shi diell
Berat 13/25 re shi diell
Vlorë 16/24 re diell
Korçë 10/20 re shi diell
Gjirokastër 12/25 re shi diell
Sarandë 16/22 re diell/atsh

Ja si do të jetë moti për ditën e sotme Read More »

Zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen”.

Në fjalën e tij në Kuvend po diskutohet progresraporti i Komisionit Europian për Shqipërinë, Rama theksoi se “data 30 qershor buron nga Kushtetuta si përcaktim në dekretin e Presidentit te Republikës bazuar në Kushtetutë”.

Duke folur për opozitën, Rama u shpreh se “ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër, ata nuk janë të zgjedhurit tanë. Kundërshtarin nuk e zgjedh, e përballon. Problemi është se ne këtu përballemi si kundërshtarë, ndërsa jashtë kësaj salle duhet të përballemi me një forcë që na trajton si armiq”.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë në raport me ambicien kombëtare dhe dhe interesin kombëtar për ta çuar ndaj Shqipërinë përpara në rrugën e BE-së dhe detyrën tonë në raport me procesin demokratike në Shqipëri dhe me zgjedhjet e 30 qershorit”, – tha Rama./atsh

Zgjedhjet e 30 qershorit nuk negociohen Read More »

Ndarja nga jeta e Muhamet Likos, Meta mesazh ngushëllimi

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të parodistit të Vlorës, Muhamet Liko.

Meta shkruan: “Me hidhërim mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej parodistëve më të dashur të Vlorës, Muhamet Liko.
Ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e Tij të panumërt, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë.

Mjeshtri i Madh i skenës, Muhamet Liko do të mbahet mend përherë për paroditë, skeçet, humorin karakteristik e rolet gazmore, nëpërmjet të cilave jo vetëm falte momente të pashlyera argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me plot mençuri plagët sociale të shoqërisë shqiptare. Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes dhe fëmijëve, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të Tij.
I paharruar do të mbetesh parodisti ynë i dashur!”

Muhamet Liko, pjesë e grupit të parodistëve të Vlorës, u nda nga jeta ditën e sotme pas një problemi në zemër./atsh

Ndarja nga jeta e Muhamet Likos, Meta mesazh ngushëllimi Read More »

Vlorë, asistencë mjekësore për një turist në kroçerën “Costa Viktoria”

Kapiteneria e Vlorës ka ndihmuar kroçerën “Costa Victoria”, pasi në bordin e saj kishte një të sëmurë rëndë.

“Në orën 21:15 Kapiteneria e Vlorës mori thirrjen për ndihmë nga kroçera. Pas kërkesës kapiteneria reagoi me shpejtësi dhe organizoi operacionin e shpëtimit të jetës, pasi në bordin e kroçerës kishte një të sëmurë rëndë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.

Sipas DPD, ambulanca dhe mjekët e ndihmës së shpejtë erdhën në kohë rekord në portin e Vlorës.

“Pasi afrohet kroçera në radën e portit me rimorkiatorin ‘Aulona’ u bë e mundur marrja e pacientit dhe transportimi drejt spitalit të Vlorës”, thekson DPD.

Kroçera “Costa Victoria” me 1457 turistë në bord vizitoi dje qytetin e Sarandës. /atsh

Vlorë, asistencë mjekësore për një turist në kroçerën “Costa Viktoria” Read More »

Klosi: Të gjithë bashkë duhet të promovojmë potencialet turistike

Turizmi dhe mjedisi, janë dy sektorë të cilët vlerësohen për progresin e arritur nga Komisioni Europian në raportin e publikuar një ditë më parë ku dhe u dha rekomandimi pozitiv për hapjen pa kushte të negociatave.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot në Kuvend se mjedisi ka qenë një ndër kapitujt e parë në procesin e hapjen së negociata. Ai shtoi se rreth 60% e legjislacionit janë përshtatur sipas ligjeve europiane.

Por vijoi, Klosi, më e e vështira e këtij procesi nuk është miratimi i ligjeve, por implementimi i tyre për mbrojtjen e mjedisit dhe kthimin e Shqipërisë në një destinacion gjithnjë në rritje të turistëve.

“Më vjen mirë që diskutohet mjedisi pasi është mundësi punësimi dhe ekonomie për vendin tonë, është para publike më e madhe, por a jemi ne një destinacion europian dhe a e promovojmë ne Shqipërinë si destinacion europian, a mendojmë ne për këtë turizëm si një mundësi e artë për t’u ngritur më me forcë për mijëra e mijëra familje nga veriu në jug”, – u shpreh Klosi, duke shtuar se të gjithë duhet të bashkohemi në mbrojtje të mjedisit dhe promovimit të potencialeve që vendi ynë ka.

“Jemi destinacion i ri, që po morëm goditje në këtë sezon, goditja do të na zgjasë edhe dy-tre vjet të tjera dhe sa të kthehemi ne në realitet, sa të krijojmë bindjen te tur operatorët dhe te turistët që në Shqipëri do të gjejnë një vend të qetë ku natyra dhe turizmi janë bashkë, ku mikpritja dhe toleranca janë bashkë, por ne këtë po e shkatërrojmë me duart tona. Ne flasim për politika të mëdha integruese, ky pra është integrimi”, – deklaroi ministri, duke iu referuar protestave të opozitës të cilat po i shkaktojnë dëm të madh turizmit.

“Nëse vjet na vizituan 6 milionë turistë të huaj, këtë vit ky numër është po në rritje, por ky numër është shumë më pak sesa ne kemi potenciale. Shqipëria është vetëm në çerekun e përdorimit të potencialit të saj turistik”, – tha ai./atsh

Klosi: Të gjithë bashkë duhet të promovojmë potencialet turistike Read More »

Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare – Ndahet nga jeta aktori i humorit Muhamet Liko

Një ngjarje e dhimbshme është shënuar ditën e sotme me ndarjen nga jeta të një prej parodistëve të Vlorës. Muhamet Liko u nda nga jeta sot në Itali në moshën 65-vjeçare.

Artisti, prej kohësh vuante nga një sëmundje e zemrës. Ai ndodhej në Itali për një kontroll periodik shëndetësor dhe pas kontrollit një atak kardiak i ka marrë jetën.

Muhamet Liko numëron qindra role në skenën e humorit me një aktivitet 41-vjeçar.

Ai mban shumë tituj dhe çmime ndërsa se fundmi është vlerësuar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”.

Liko ishte baba i dy fëmijëve.

Ndarja nga jeta e Muhamet Likos është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare, ndërsa familja humbi njeriun e shtrenjtë./atsh

Humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare – Ndahet nga jeta aktori i humorit Muhamet Liko Read More »

“Takohemi në Vlorë”, tenori Josif Gjipali rikthehet në qytetin e lindjes

Mbrëmja koncertale “Takohemi në Vlorë”, që u zhvillua në sallën e Teatrit “Petro Marko”, të këtij qyteti, mblodhi artistë të njohur nga treva të ndryshme, të cilët krijuan një atmosferë tepër të ngrohtë përpara një publiku që vlerësoi maksimalisht interpretimin dhe repertorin e zgjedhur.

Ky koncert, ku ishte i ftuar edhe tenori i famshëm me origjinë nga Vlora, Josif Gjipali, shënoi edhe rrugënisjen e aktiviteteve të Qendrës Kulturore “Resonance”, “Vlora Philarmony”, nismë e një grupi artdashësish vlonjatë.

Në repertorin e mbrëmjes koncertale përfshiheshin pjesë të ndryshme nga Moxart, Suppe, Vivaldi, Bize, Çajkovski, Puçini, kompozitori me origjinë nga Vlora, Enis Mullaj. Mes tyre spikati interpretimi i Gjipalit, i cili u paraqit për artdashësit që kishin mbushur sallën me pjesë nga “Recondita Armonia Toska” dhe “Nessun Dorma Turandott”.

Interpretimi i Gjipalit, Besiana Mehmedit, Erina Balla e Hektor Sinanaj, i dhanë ngjyra të veçanta kësaj mbrëmjeje, ndërkohë që, atmosfera u pasurua me emra të tjerë të njohur si violinist Zeqir Sulkuqi, me pjesë nga Enis Mullaj dhe Çajkovski, apo Martin Kushi e Igli Zeqiri në “Concerto per duo cello”, nga Vivaldi.

Orkestra simfonike Vlorë, nën drejtimin e dirigjentëve Thanas Çaçi (Drejtor Artistik) dhe Altin Babameto (i ftuar), u rikthye përpara artdashësve vlonjatë, me një nivel të admirueshëm interpretativ, si produkt i vlerave të krijuara në vite në këtë fushë në qytetin e Vlorës.

Në mbyllje të këtij aktiviteti kompozitori Enis Mullaj dhe violonçelisti Vlorent Xhafaj u nderuan me Titullin “Mirënjohje e qytetit të Vlorës”, akorduar nga kryebashkiaku Dritan Leli.

Sipas organizatorëve, ky aktivitet shënon vetëm fillimin e një rruge që do të vazhdojë gjatë, me synimin që simbolika “Takohemi në Vlorë”, të shndërrohet në një traditë./atsh

“Takohemi në Vlorë”, tenori Josif Gjipali rikthehet në qytetin e lindjes Read More »