Aktualitet

Artistë dhe sportistë njëzëri në mbështetje të Veliajt: Tirana një metropol europian

Artistë dhe sportistë kanë shprehur hapur mbështetjen për kryebashkiakun Erion Veliaj edhe për një mandat të dytë në krye të bashkisë së Tiranës.

Gjatë takimit hapës të fushatës për zgjedhjet e 30 qershorit në Parkun Olimpik, ata kanë vlerësuar ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti dhe kanë bërë thirrje për një votëbesim edhe për katër vitet e ardhshme.

Aktori Gazmend Paja, atletja Luiza Gega, këngëtarja e mirënjohur Eneida Tarifa dhe sportisti Izmir Smajlaj janë shfaqur përkrah Veliajt.

Ata thanë se duan ta shohin vendin e tyre të ecë përpara, ndaj edhe mbështesin punën që ai ka bërë për Tiranën.

“Dua ta shoh vendin tim të ecë përpara dhe më bëhet zemra mal kur shikoj sa shkolla dhe terrene sportive shtohen çdo ditë. Dua që ky zhvillim që po i bëhet vendit, ne e meritojmë ta ngremë vendin tonë sa më lart”, tha Luiza Gega.

Ndërsa Smajlaj dha një mesazh që 30 qershori të jetë pa dhunë. ‘Kam ardhur për të dhënë një mesazh jo politik, që 30 qershori të jetë ditë e zakonshme, pa rrëmujë dhe pa dhunë’, u shpreh Smajlaj.

Aktori Gazmend Paja tha se “e di që këta çunat dhe gocat do të hyjnë në histori dhe dua të jem pjesë e historisë”.

Këngëtarja Eneida Tarifa u shpreh se “nëse do kishte bërë nëna nja 3 si Erion Veliaj, nuk e di ku do ishim këtë 4-vjeçar. Unë jam në krah të Erionit sot as sepse kam një backgruond socialist, as sepse kam ndonjë teser partie, jam këtu sepse besoj te ky djali që kam këtu pranë. Besoj sepse kam parë atë që ka ndodhur me Tiranën tonë të dashur , me një qytet që po shkon drejt Europës”.

Ndërsa këngëtarja Anxhela Peristeri u shpreh se “në 30 qershor do të votoj për të ardhmen e Tiranës, do të votoj për ndryshimet që kam parë këto katër vjet, për gjelbërimin, për pastërtinë e qytetit tonë, për amfiteatrin, për Pazarin e Ri, për çdo ndryshim që është bërë në Tiranë”./atsh

Artistë dhe sportistë njëzëri në mbështetje të Veliajt: Tirana një metropol europian Read More »

Lumi i Vjosës në hartën e rafting në Shqipëri

Tashmë në lumin Vjosë mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Tepelenën në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Vizitorët vendas, por edhe turistët e huaj përveç ngjitjeve në mal, për të shijuar ujëvarat, kanionet, monumentet e natyrës, kalatë, objektet e kultit, ushqimin cilësor, mund të bëjnë edhe rafting.

Vjosa është i vetmi lum i egër i Europës, por edhe më i bukuri, sa i përket pastërtisë, peizazhit përreth dhe përshkrimit të saj lundrues dhe gjallesave.

“Eksplorer Tepelena” është agjencia e parë turistike e sporteve ujore, që bëri të mundur prezantimin e saj në Javën e Ali Pashës.

“Një udhëtim mbi Vjosë, mund të jetë një eksperiencat më të bukura që keni provuar dhe kjo duhet patjetër në axhendën tuaj, kur vizitoni Tepelenën”, bën të ditur bashkia e Tepelenës.

Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme.

Çfarë e bën këtë lumë vërtetë të veçantë ndërkombëtarisht është fakti, se pothuajse të gjitha degët e tij rrjedhin të pandërprera dhe të paprekura, duke krijuar një rrjet lumor të gjallë si diçka që nuk haset më aktualisht në Europë.

Tepelena që lehtësisht identifikohet me emrin e Ali Pashës dhe dhjetëra veprave të shkëlqyera inxhinierike që u ndërtuan nën dominimin e tij ofron këtë vit disa bujtina, kanionet e Nivicës, mundësinë për aktivitete të aventurës, kala, rrënoja antike dhe eksplorimin e një hapësire të gjerë me tradita blegtorale./atsh

Lumi i Vjosës në hartën e rafting në Shqipëri Read More »

Ja si do të jetë moti

Moti ditën e sotme parashikohet me kthjellime në orët e para të ditës, më pas do të ketë shtim vranësirash mesatare dhe të dendura.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se prej orëve të mesditës parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe stuhive afatshkurtra, shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Mjegullinë nga reshjet.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Veriperëndim 1-8 m/sek duke u pasuar nga një valëzim i forcë 0-1 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 14/24 Re shi
Kukës 12/19 Re shi
Lezhë 14/23 Re shi
Dibër 10/18 Re shi
Durrës 14/21 Re shi
Tiranë 15/23 Re shi
Elbasan 14/22 Re shi
Berat 12/22 Re shi
Vlorë 14/20 Re shi
Korçë 10/18 Re shi
Gjirokastër 10/22 Re shi
Sarandë 15/21 Re shi/atsh

Ja si do të jetë moti Read More »

Shqipëria destinacion turistik, publikohet në Holandë guida e parë turistike

Jo shumë kohë më parë, Shqipëria ishte një pjesë e panjohur e Europës, e mbyllur nga bota e jashtme, por tani është një destinacion turistik me vende të bukura e të papërshkrueshme, njerëz mikpritës dhe monumente e kulturës.

Këto janë disa nga fjalët që përshkruhen në guidën e parë turistike për Shqipërinë e shkruar në gjuhën holandeze.

E përgatitur nga Yvonne van Osch, e specializuar në art, kulturë, shkencë dhe udhëtime, kopja e parë e guidës turistike iu dorëzua edhe ambasadores së Shqipërisë në Holandë, Adia Sakiqi, gjatë një aktiviteti që u zhvillua në librarinë Pied a Terre, në Amsterdam.

Në guidë autorja rrëfen me shumë pasion dhe dashuri arsyet se pse duhet vizituar Shqipëria nga veriu në jug, si një ftesë për qytetarët e saj holandezë.

“Ju mund të shijoni ecje të mrekullueshme në Alpet Shqiptare. Gjithashtu në Peshkopi, është e bukur të ecësh në ultësirën e Korabit (2753 metra) dhe të shikosh burimet e tij. Ose në jug në luginën e Vjosës pranë Përmetit. Një udhëtim me familjen do të jetë një eksperiencë e paharrueshme, po ashtu edhe për kulinarinë. Kushdo që është i njohur me historinë e këtij vendi në shumë aspekte, do të mbetet i habitur nga mikpritja dhe dashamirësia e këtij populli”, thekson autorja në guidë.

Duke e cilësuar një bukuri të papërshkrueshme peizazhin e paprekur shqiptar të rrethuar me pyje të dendura dhe livadhet alpine mes madhështisë misterioze të Alpeve Shqiptare, ajo shprehet se “ekziston edhe një shumëllojshmëri e pasur e mundësive të plazhit, nga riviera luksoze në jug, deri tek thjeshtësia e këndshme në veri. Qytetet dhe fshatrat, ndajnë bujarisht thesaret e tyre historike”, përshkruan autorja e kësaj guide.

Ndërsa renditen disa arsye se përse duhet vizituar Shqipëria, në guidë përshkruhen edhe qytetet dhe destinacionet që mund të eksplorohen në Shqipëri, që nga Thethi, Valbona, Parku Divjakë-Karavasta, Voskopoja, Syri i Kaltër, Përmeti, Kruja, Bylisi, Tirana si dhe jugu i vendit me plazhet mahnitëse.

“Ky vend që të lë pa frymë, vetëm duhet që të zbulohet nga të gjithë”, thekson autorja e kësaj guide./k.s/r.e/

Shqipëria destinacion turistik, publikohet në Holandë guida e parë turistike Read More »

Roth: Për integrimin e Shqipërisë, BE duhet të mbështetet në fakte dhe ndershmëri

ër Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bashkimi Europian duhet të mbështetet në fakte dhe ndershmëri.

Kështu shprehet ministri i Shtetit për Europën i Gjermanisë, Michael Roth, i cili thekson gjithashtu se BE-ja dhe Gjermania kanë shumë për të humbur.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama i cili ka postuar edhe reagimin e ministrit të Shtetit për Europën i Gjermanisë, Roth.

“Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ne duhet të mbështetemi në fakte dhe në ndershmëri. BE dhe Gjermania kanë shumë për të humbur”, shprehet ai.

Para pak ditësh Shqipëria mori rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave me BE, raport në të cilin u vlerësuan arritjet në plotësimin e reformave kyçe.

/e.caushi/

Roth: Për integrimin e Shqipërisë, BE duhet të mbështetet në fakte dhe ndershmëri Read More »

Letër e shtatë publike jo për Lulzim Bashën

Bashkëqytetarë demokratë,

Sot Partia Socialiste nis zyrtarisht fushatën e zgjedhjeve të 30 qershorit. Ndërsa partia të cilës ju i përkisni si anëtarë apo që e keni votuar, si mbështetës ose simpatizantë, nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Fatkeqësisht, jo vetëm për ju po edhe për vendin, udhëheqja juaj politike ka hyrë në rrugën pa krye të frikës nga zgjedhjet, të panikut nga drejtësia dhe të kërcënimeve e të orvatjeve të dëshpëruara, në dëm të Shqipërisë e të çdo shqiptari të interesuar për paqe sociale, zhvillim ekonomik, integrim të plotë të vendit në Bashkimin Europian.

Braktisja pa kthim e parlamentit, nxitja e dhunës, bojkotimi i zgjedhjeve, janë në thelb arratisje nga misioni, funksioni dhe korniza e vlerave të një partie demokratike. Jam sinqerisht i keqardhur për këtë.

Unë nuk jam ai që ju doni të shihni në krye të vendit. Nuk më keni votuar dhe sot nuk ju kërkoj të më votoni, po thjesht shpresoj të më lexoni.

Kur kemi vendosur të jetojmë në një sistem shumëpartiak dhe të synojmë bashkimin e Shqipërisë me Europën, kemi sfiduar një histori të gjatë e aspak bujare në aspektin e traditës demokratike. Hymë në rrugën krejt të re të demokracisë, pas një gjysmë shekulli diktaturë komuniste dhe një mënyre jetese të imponuar, ku kundërshtari politik ishte thjesht një armik për t’u luftuar pa asnjë mëshirë, e për t’u asgjësuar pa asnjë ngurrim. Sot e gjithë ditën, jeta jonë politike vuan ende nga paaftësia për ta respektuar kundërshtarin pa e sakatuar publikisht, me sulme që rëndom tejkalojnë çdo kufi etik dhe kthehen shpesh në dhunë gjuhe të përdalë me egërsi, deri në farë e në fis. Por sidoqoftë, kemi tejkaluar një fazë të rëndë, kur kundërshtarët politikë sakatoheshin me dhunë fizike ose kur protestat ishin të rrezikshme, sepse armët e shtetit përdoreshin për të qëlluar me plumba mbi protestuesit apo reagimi policor ndaj tyre kthehej në hu masiv. Kësisoj, edhe pse rikthimi fatkeq i protestave të dhunshme së fundmi ka treguar se ende s’jemi deprimitivizuar politikisht, kemi bërë sidoqoftë progres të madh në qasjen e qeverisë e në sjelljen e forcave të policisë ndaj protestuesve. S’është pak.

Disa mijëra ndër ju, keni marrë pjesë në protestat partiake të kohëve të fundit dhe shumë të tjerë prej jush, i mbështesni ato edhe pse, bazuar në anketimet tona, po edhe në çfarë tregojnë anketimet e pavarura të bëra nga miqtë tanë ndërkombëtarë, shumica e demokratëve nuk mbështesin as djegien e mandateve, as dhunën e ushtruar në protesta dhe as bojkotin e zgjedhjeve nga ana e udhëheqjes suaj. Gjithësesi, juve as ju pyeti kush për këto vendime politike ekstreme dhe politikisht vetëvrasëse, as nuk është qëllimi im këtu t’ju them çfarë duhet të bëni me udhëheqjen tuaj, e cila ka humbur shikimin pasi s’di të shohë përtej hundës së vet.

Askush ndër ju mbase, unë jo e jo, s’e kishte menduar se do të vinte dita kur partia juaj, e lindur si parti parlamentare nga zgjedhjet e para pluraliste, as të mos ishte më parlamentare dhe as të mos futej në zgjedhje. Çudi dhe degradim i madh njëkohësisht! Por sot, me një vendim sovran të udhëheqjes së asaj partie jemi përpara këtij fakti të kryer dhe s’kemi, mesa duket, asnjë mundësi ta zhbëjmë një zhvillim kaq negativ.

Zgjedhjet janë një e drejtë e panegociueshme kushtetuese e të gjithë atyre që duan të zgjedhin dhe një detyrim i pashmangshëm kushtetues i të gjithë atyre që duan të zgjidhen.

Udhëheqja juaj nuk do zgjedhje, sepse i trembet një disfate elektorale të radhës. Ndërsa ne nuk e shkelim dot detyrimin, sepse duam të zgjidhemi në zgjedhjet e radhës.

Kam dëgjuar shpesh pyetjen: A mund të bëhen zgjedhje demokratike pa opozitën?

Zgjedhje demokratike do të thotë që të gjithë të gëzojnë të drejtën të zgjidhen. Por nëse përjashtimi në çfarëdo forme i opozitës nga zgjedhjet i bën ato antidemokratike, vetëpërjashtimi i një partie kryesore nga zgjedhjet nuk i bën ato jodemokratike.

Prandaj unë e ngre ndryshe pyetjen: A mundet që zgjedhjet demokratike të bëhen vetëm nëse do opozita?

Imagjinoni për një moment sikur zhvillimi i zgjedhjeve në këtë vend të varet nga do apo s’do opozita të bëhen! Mendje të lehta politike e mediatike, kanë rrahur së fundmi shumë ujë në havan, lidhur me sa e tmerrshme qenka të bëhen zgjedhjet pa opozitën dhe sa e thjeshtë qenka, që të shtyhet data e zgjedhjeve meqë s’do opozita!

Sinqerisht ju them, po të ishte kaq e thjeshtë, do të isha unë i pari që do të merrja flamurin e shtyrjes së zgjedhjeve, sepse në fund të fundit do të parapëlqeja të përqendrohesha non stop tek punët e qeverisë, pa qenë nevoja t’i bija rreth e përqark për fushatë Shqipërisë. Por jo vetëm pse është e pamundur nga pikëpamja kushtetuese, por edhe pse është e tmerrshme nga këndvështrimi i bashkëjetesës demokratike, unë mbetem absolutisht kundër idesë së shtyrjes së zgjedhjeve.

Si mund të vendoset – ku është parë? – ky rregull i ri i bashkëjetesës demokratike, që zgjedhjet të varen nga dëshira ose mungesa e dëshirës së një pale për zhvillimin e tyre, në datën e caktuar nga Kushtetuta. Kjo s’është punë date apo stine, kjo është punë qëndrueshmërie e themelit të jetës demokratike. Imagjinoni pak sikur të hapej rruga e një marrëzie të tillë jo vetëm qartësisht antikushtetuese, po edhe thelbësisht antidemokratike, se çfarë do të ndodhte në zgjedhjet pas këtyre zgjedhjeve, në ato pas tyre dhe me radhë, kur sipas tekave të opozitës së radhës (apo edhe të palës tjetër në qeveri pse jo!) data e zgjedhjeve të kthehej, nga një detyrim kushtetues për ata që duan të zgjidhen, në një lojë politike e kujtdo që nuk do zgjedhje!

Disa mendje ndër ato të lehtat që lartpërmenda i bien shkurt: Po ik ti (dmth unë) e pastaj le të bëhen bashkë, andej nga vjeshta, zgjedhjet vendore e ato të përgjithshme dhe fitoji prapë po deshe, se po vazhduam kështu vendi do shkojë në përplasje civile! Kjo është një recetë nga ato që heqin dhimbjen e kokës duke e paralizuar komplet trupin! Imagjinojeni pak çfarë rruge e tatëpjetë hapet për demokracinë tonë nesër, nëse sot vendoset precedenti që mjafton të ikësh nga parlamenti, të ushtrosh dhunë e të kërcënosh me moslejim të zgjedhjeve lokale dhe e përmbys, mu në mes të mandatit qeverinë e zgjedhur – duke provokuar zgjedhje të reja kur do ti, madje me kryeministrin që vendos ti! Nuk është e nevojshme besoj të zgjatem në këtë pikë, sepse s’ka mendje normale që s’e kupton çfarë çorapi do të ishte një jetë e tillë politike, ku fituesi nuk qeveris dot sipas kontratës me popullin dhe humbësi i imponohet me dhunë edhe vetë popullit!

Shkurt, çdo zgjidhje anormale në emër të normalitetit demokratik sot, kthehet në bumerang që prodhon anormalitet antidemokratik, për vite me radhë nesër.

Edhe dy fjalë për moslejimin e zgjedhjeve. Është krim dhe ndëshkohet rëndë nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, kushdo që e kryen një krim të tillë. Po jo vetëm kaq, cilido që do të kuturisej të prekte një hallkë të vetme të procesit zgjedhor dhe do të dënohej më pas për krime zgjedhore në Shqipëri, nuk do ta kishte më të mundur të shkelte për gjithë jetën në Shtetet e Bashkuara (do të merrte në qafë edhe familjarët e afërt sipas ligjit përkatës në SHBA) dhe as do të kalonte dot më, kontrollin e kufijve të Bashkimit Europian duke u përfshirë në listën e kompjuterizuar të personave me rekorde kriminale, të cilët nuk hyjnë dot në territorin e Unionit.

A i’a vlejnë të gjitha këto pasoja të rënda për të shkuar pas berihajit? Nuk besoj dhe jam i bindur se nuk do të ketë njerëz të zakonshëm, që të bëhen pjesë e një marrëzie kaq të jashtëzakonshme.

Në 30 qershor do të votohet në të 61 bashkitë e vendit. Ne do të bëjmë më të mirën për t’i dhënë Kukësit, Shkodrës, Kamzës, Lezhës, Devollit, Mallakastrës e me radhë bashkive blu, qeverisjen e munguar deri më sot, pavarësisht nëse ju do të dilni apo jo në votime. Kudo ku do të fitojmë aty ku kemi kundërshtarë të regjistruar, njësoj si aty ku s’kemi të tillë, ne do të jemi në dispozicion të të gjithë qytetarëve pa dallim. Betejën politike me udhëheqjen tuaj ne e kemi fituar dukshëm e bindshëm, sa për meritën tonë aq edhe për paaftësinë e asaj udhëheqjeje – ndajeni vetë cila nga të dyja peshon më shumë. Por betejën e vërtetë, më të vështirën, ne e kemi me plagët e qyteteve e të fshatrave kudo në Shqipëri, po sidomos aty ku ende era e ndryshimit të madh urban të katër viteve të fundit, s’ka fryrë sa e si duhet si pasojë e keqqeverisjes vendore të shumë bashkiakëve demokratë.

Me respekt të plotë për të drejtën tuaj për të menduar ndryshe prej meje, ju përshëndes e ju uroj çdo të mirë e shëndet në familjet tuaja.

Edi Rama

1 qershor, 2019

Letër e shtatë publike jo për Lulzim Bashën Read More »

Festa e 1 Qershorit, Policia e Shtetit uron fëmijët

Shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” priti sot disa vizitorë të veçantë, efektivët e Policisë së Tiranës, të cilët festuan së bashku me banorët e kësaj shtëpie, me rastin e 1 Qershorit. Punonjësit e Policisë shpërndanë dhurata të shumta për fëmijët, duke i bërë ata të ndihen specialë në këtë ditë. Më pas fëmijët u “shndërruan” për pak çaste në policë duke provuar edhe mjetet e Policisë, makinat dhe motorët e saj.

“Policia e Shtetit është gjithmonë pranë komunitetit e sidomos pranë fëmijëve, në mbrojtje të tyre e në çdo nevojë që ata kanë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu efektivët e Policisë së Elbasanit vizituan fëmijët me aftësi ndryshe për t’i uruar për festën e 1 Qershorit dhe për tu argëtuar së bashku me ta. Fëmijët me aftësi ndryshe janë pjesë e shoqërisë sonë, pjesë e ylberit vezullues. Ata nuk janë të frikshëm dhe as të “këqij”, janë thjesht fëmijë për tu dashur pasi kështu kuptohet me mirë vlera e dashurisë me gjithë shkëlqimin që kanë këta fëmijë kanë brenda tyre. Përmes aktivitetit festiv te shkolla speciale “Zërat e Jetës”, punonjësit e Policisë së Elbasanit kishin mundësinë të ishin pranë këtyre fëmijëve, në festën e tyre, për tu argëtuar së bashku me ta. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Drejtori i DVP Elbasan Arjan Muça, prindër e mësues. Gjatë aktivitetit u shpërndanë dhurata simbolike nga efektivët e DVP Elbasan, ndërsa fëmijët patën mundësinë të shihnin nga afër mjetet, makinat e motorët e Policisë.

Policia e Shtetit uron 1 Qershorin për gjithë fëmijët, duke u gjendur pranë tyre në çdo nevojë që ata kanë./atsh

Festa e 1 Qershorit, Policia e Shtetit uron fëmijët Read More »

“Corde Oblique”, grupi i njohur muzikor italian koncert në Vlorë

Grupi i njohur muzikor italian “Corde Oblique”, ishte i pranishëm të premten në mbrëmje në Vlorë me një koncert në sallën e Teatrit “Petro Marko”, të këtij qyteti në kuadër të Festës së Republikës së Italisë.

Kjo mbrëmje e veçantë, e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, nisi me një minutë heshtje në nderim të parodistit të njohur vlonjat, Muhamet Liko, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë në një nga klinikat e vendit fqinj.

Të pranishmit në sallë, konsullja e Përgjithshme, Luana Mikeli, qytetarë vlonjatë dhe shtetas italianë, mes të cilëve edhe mjaft të rinj e të reja nga Italia që kanë mbërritur në Vlorë në kuadrin e një projekti bashkëpunimi të ndërsjelltë, nderuan kujtimin e artistit të njohur, ndërkohë që, në homazh të veprës dhe jetës së Likos, kompozitori Aulon Naçi, interpretoi në piano pjesë nga vepra e vet “Shi lotësh”/atsh

“Corde Oblique”, grupi i njohur muzikor italian koncert në Vlorë Read More »