Aktualitet

Spektakël në 5 qytete shqiptare me ritme folku dhe tango argjentinase

Tradita, arti dhe kultura argjentinase vijnë në Shqipëri. Artistët argjentinas, sjellin në festivalin “Open on tour” kërcimet tradicionale të jetës së përditshme, për të demonstruar se si çdo ditë për ta është festë dhe gëzim.

Festivali vjen në bashkëpunim me dy balerinët, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Ndërsa, 10 artistë argjentinas do të dhurojnë për publikun shqiptar një spektakël plot ritme folku argjentinase dhe tango.

Për koreografen shqiptare, ky festival premton që të sjellë ritëm muzikor, por edhe kostume të bukura argjentinase, që artistët i përdorin për të kërcyer muzikën e tyre.

Për herë të parë grupi Sangre Nativa shpalos folkun dhe kulturën e vendit nëpërmjet valleve karakteristike, ritmike dhe elegante. Pa harruar muzikën melodioze dhe tangon, që vetëm ata dinë ta kërcejnë më së miri.

Festivali nis në datë 7 qershor ora 19:00 në Korçë. Ndërkohë, në Tiranë do të jenë për tre net radhazi nga data 10 deri në 12 qershor në skenën e “arTubinës”, ku së bashku me artistët argjentinas do të performojnë edhe Enada Hoxha dhe Gerd Vaso.

Në datën 17 qershor, në Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës, më 19 dhe 20 qershor në teatrin “Skampa” të Elbasanit, për ta mbyllur me qytetin e Vlorës në datë 27 qershor në Lungomare. /atsh

Spektakël në 5 qytete shqiptare me ritme folku dhe tango argjentinase Read More »

Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë vlerësohet me Dekoratën “Nënë Tereza”

Presidenti Meta vlerëson Organizatën SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë, me Dekoratën “Nënë Tereza”, “Për kontributin e vazhdueshëm në ndihmë të fëmijëve dhe të rinjve që e kanë humbur kujdesin prindëror, në zhvillimin e komuniteteve me programe bashkëkohore, për një shoqëri më të barabartë në mbarë botën, si dhe në Shqipëri”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se, “Shqipëria nuk duhet të jetë vendi i shpresave të thyera, ku shkelen të drejtat bazike të fëmijëve dhe ku varfëria i frenon brezit të ri zhvillimin normal dhe ndrydh ëndrrat e tyre të lira”.

“Ashtu siç ka thënë Nënë Tereza: ‘Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me një dashuri të madhe’. Dhe puna dhe dashuria juaj ka qenë shumë e madhe. Dhe unë ju përgëzoj dhe shpreh mirënjohjen time të thellë që në 70 vite ju keni arritur t’i ktheni solidaritetin, dashurinë, sigurinë dhe shpresën miliona fëmijëve dhe familjeve në nevojë në mbarë botën”, theksoi Meta.

“Për 23 vjet, Fshatrat e Fëmijëve SOS Shqipëri kanë qenë shtëpia e shumë fëmijëve pa kujdes prindëror të cilët falë jush kanë gjetur një shtëpi të dashur dhe të ngrohtë.Këtu fëmijët janë rritur dhe kanë filluar jetën e tyre të zotë dhe të pavarur, duke na bërë krenarë për arritjet e tyre. SOS-i ka ndihmuar fëmijë që të rriten në një ambient familjar të sigurt dhe të kujdesshëm”, shtoi Meta.

“Shumë prej fëmijëve janë bërë prindër dhe gjyshër, dhe aftësia e tyre për t’u kujdesur për familjen që kanë krijuar është përmirësuar për shkak të mbështetjes dhe shembullit që kanë marrë nga ju”, vijoi Presidenti.

“Fshati SOS duhet mbështetur nga shteti dhe bizneset në mënyrë që të keni më shumë mundësi për t’u kujdesur ndaj më shumë fëmijëve dhe familjeve vulnerabël. Nuk ka prioritet më të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë sesa investimi për rritjen, edukimin dhe integrimin sa më të mirë të rinisë dhe sidomos të fëmijëve pa kujdesin prindëror”, theksoi Meta.

“Populli ynë ka mbartur gjithnjë brenda vetes një potencial të pashtershëm mirësie dhe humanizmi. Këtë vlerë tejet të çmuar ai e ka treguar gjatë të gjithë historisë së ekzistencës së vet. Solidariteti vëllazëror, ndihma dhe përkrahja ndaj tjetrit, mbrojtja dhe përkujdesja ndaj individëve në nevojë, të shpalosura ndër shekuj, janë tregues tejet domethënës zemërgjerësie dhe bujarie për një popull modest si i yni. Një popull modest, por me një zemër dhe dashuri të madhe”, tha më tej Presidenti.

Dekorata e lartë “Nënë Tereza” iu dorëzua Drejtorit të SOS Kinderdorf International për Rajonin e Europës Qendrore, Lindore dhe vendet e Commonwealth-it, zotit Tom Malvet, i cili falënderoi Kreun e Shtetit për vlerësimin, por sidomos për përkujdesjen e vazhdueshme që tregon ndaj fëmijëve të Fshatit SOS në veçanti, dhe fëmijëve e brezit të ri shqiptar në përgjithësi.

Më pas, Presidenti i Republikës dhe të pranishmit ndoqën një dokumentar që ilustronte veprimtarinë e Organizatës SOS, një program muzikor me kolazh nga grupi i violinistëve si dhe valle dhe shfaqje nga animatorët për fëmijë. /atsh

Organizata SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtarë vlerësohet me Dekoratën “Nënë Tereza” Read More »

Rama për “Die Welt”: Momenti i i duhur për hapjen e negociatave

Edi Rama është kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe ish-kryebashkiaku i Tiranës, Rama, shquhet edhe për faktin se ai është gjithashtu një artist i afirmuar. Përtej drejtimit të reformave historike, zhvillimit urban të vlerësuar me çmime dhe përgatitjeve për fillimin e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në BE, ai gjithashtu ka projektuar dekorin e zyrës se tij, ku janë vendosur vepra arti dhe shpesh bën piktura të gjalla që lidhen ngushtë me axhendën e tij, shkruan gazeta e njohur gjermane ”Die Welt”, në një intervistë me kryeministrin Edi Rama.

”Përmes elementeve të gjalla plot ngjyra, ai përshkruan bukurinë dhe të pazakonshmen e udhëtimit të Shqipërisë për të siguruar fillimin e bisedimeve për pranimin në BE dhe arsyen pse Angela Merkel tashmë është shndërruar në kampionen kryesore të vendit të tij”, shton gazeta gjermane.

Kjo intervistë shoqërohet edhe me një jetëshkrim origjinal për kryeministrin Rama, ku mes të tjerash thuhet se:

I konfirmuar për mandatin e tij të dytë si kryeministër i Shqipërisë në 2017, Edi Rama i ka përqëndruar gjithë energjitë e tij në përshpejtimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE-në. Edhe pse sondazhet flasin për një mbështetje popullore prej 80 për qind për përpjekjet tij në procesin e integrimit dhe progresin e qëndrueshëm në reformat me shkallë të gjerë, Rama ende përballet me probleme që pengojnë ambiciet e tij për t’u integruar në BE.

Një artist, dhe më vonë profesor arti, shumë kohë para se të hynte në politikë, kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë një mision për të sjellë ngjyra në jetën e njerëzve. Për shumicën e shqiptarëve të epokës komuniste, mungesa e lirisë rivalizonte aksionet e mjerimit me mungesë shërbimesh, arsimim që linte shumë për të dëshiruar, strehim jashtë standardeve dhe mjedis të shëmtuar.

Pasi u bë kryebashkiak i Tiranës, i hyri punës për të ngritur moralin e vendit dhe dhe njerëzve. Buldozerët shkatërruan ndërtesa të reja të ndërtuara pa respektuar asnjë kriter nga spekulatorët dhe shumë blloqe të vjetra apartamentesh u pikturuan me ngjyra të forta dhe të ndritshme. Përmirësimi i infrastrukturës eci më ngadalë pasi duheshin shumë fonde për ta realizuar.

Kryeqyteti dikur sa një rrethinë qyteti u zgjerua pesëfish në sipërfaqe.

“Ngjyrat nuk ishin art për mua”, thotë Rama. “Ishte një veprim politik, me ngjyra. Ne nuk kishim para për projekte të mëdha ndërtimi. Njerëzit asokohe kishin nevojë për gjithçka: furnizim me ujë, rrugë, ndriçim. Kur unë mora postin e kryetarit të bashkisë, në Tiranë kishte vetëm 78 drita në rrugë të cilat ishin në gjendje pune. ”

Megjithatë, zgjidhja e shpejtë që ishte lyerja me bojë pati një impakt të jashtëzakonshëm. Niveli mesatar i mbledhjes së taksave vendore ka qenë rreth katër për qind. ‘’Në zonat ku ishin pikturuar apartamentet, niveli u rrit deri në 100 për qind’’, thotë ai. Menjëherë pasuan projekte më të mëdha dhe më të mira, duke përfshirë rinovimin e sheshit Skënderbej në Tiranë, i cili fitoi Çmimin Europian për Hapësirën Publike Urbane 2018, një nga çmimet më prestigjoze në arkitekturë.

Hyrja e Ramës në politikë ndodhi në vitin 1998, kur ai u kthye në Shqipëri për të ndjekur funeralin e të atit teksa po konsolidonte karrierën e tij në Paris si artist.

Një ristrukturim i qeverisë la një vend bosh në krye të Ministrisë së Kulturës dhe Rama u zgjodh për këtë post, i cila përfshinte edhe portofolin e të rinjve dhe të sportit. Një personazh që tërhiqte shumë vëmendje, por edhe fizikisht – 1.95 m i gjatë- më i gjatë se shumica e njerëzve, Rama shfrytëzoi kontaktet e tij me botën e artit europian, me pothuajse asnjë financim nga qeveria, duke i ndihmuar krijuesit dhe kuratorët për të hapur një ekspozitë ndërkombëtare me vepra arti.

‘’Ne kemi qenë jashtëzakonisht me fat që kemi jetuar dhe punuar në të njëjtën kohë me Angela Merkel … Unë shpresoj sinqerisht se vizioni i saj nuk do të humbasë, dhe për me tepër , Gjermania duhet të kuptojë se nuk mban përgjegjësi vetëm për të ardhmen e fëmijëve në Gjermani, por edhe për fëmijët në Europë dhe përtej saj “, tha Edi Rama në janar 2019.

Gjatësia e tij e ndihmoi atë të bëhej pjesë e ekipit kombëtar të basketbollit dhe Rama e pranon se kishte një motiv të dytë pas ambicie për sport. Udhëtimet jashtë vendit ishin të ndaluara deri në vitin 1990 dhe arsyeja që ai “dëshironte” të futej në ekipin kombëtar ishte mundësia për të shkuar jashtë.

Udhëtimi i tij i parë jashtë vendit ishte në Austri, edhe pse Muzeu Kunsthistorisches në Vjenë të cilin ai e kishte rrethuar për ta vizituar ishte mbyllur të martën, ditën që ai ishte atje.

Në periudhën e komunizmit, Tirana ishte një rrethine me rreth 200,000 banorë. Deri në vitin 1991 automjetet private ndaloheshin me ligj, dyqanet ishin të pakta dhe të varfra në larmi produktesh dhe ofrohej shumë pak argëtim. Tani ai është një kryeqytet i gjallë, me një hapësirë turistike gjithnjë e në rritje, aktivitete të shumta argëtuese dhe një popullsi prej një milion banorësh, më shumë se një e treta e popullsisë së vendit. Qendra e re për Hapje dhe Dialog ka një galeri arti, një bibliotekë, pika WIFI dhe është e hapur deri në mbrëmje pa pagesë. Qëllimi, Kryeministri citohet në shtypin britanik, ishte të “vendosim katin e parë në dispoziocion të qytetarëve, katin e dytë për qeverinë”.

Pasioni i Ramës për të bërë skica u shtua edhe më shumë gjatë dy viteve në krye të ministrisë së kulturës. Pothuajse pa e vënë re, ai vazhdimisht zbukuronte printimet A4 të axhendës së tij. “Nuk gjeta një mënyrë më të mirë për të menaxhuar këto takime të gjata sesa vizatimi i cili më ndhmoi shumë me përqëndrimin”, tregon ai për ‘’The Guardian’’. “Është një proces që është bërë krejtësisht një pjesë e a imja. Nëse nuk e bëj, ndihem nervoz, thjesht ndjehem sikur nuk jam atje “.

‘’Die Welt’’ e mbyll portretin për kryeministrin Rama duke theksuar se prania e tij në vend dhe rajon sa vjen e rritet.

Intervista e plotë e kryeministrit Rama:

Negociatat për pranimin e Shqipërisë në BE mund të nisin në fillim të qershorit. Cilat janë pritshmëritë tuaja?

Vitin e kaluar, Komisioni i BE-së rekomandoi fillimin e bisedimeve me Shqipërinë. Kjo nuk ndodhi. BE-ja, megjithatë, është angazhuar për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në 2019. Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian, deklaroi në vitin 2014 se procesi i zgjerimi i BE-së mund të ngrinte për pesë vjet dhe tani është viti 2019. Marrëveshja e Maqedonisë së Veriut me Greqinë paraqet një moment historik në diplomaci dhe rajon dhe, në njëfarë mënyre, ka revolucionarizuar mënyrën se si i integron shqiptarët në vend. Duket se ka ardhur momenti i duhur. Në të njëjtën kohë, nuk mund të parashikosh dot asgjë se çfarë do të bëjë më tej BE-ja.

Është një çështje familjare dhe parashikueshmëria është gjëja e fundit që mund të kërkojmë. Ajo që është e rëndësishme është se ne i kemi bërë detyrat tona të shtëpisë dhe që nga viti i kaluar, ne jemi konsideruar nga Komisioni Europian të gatshëm për të filluar negociatat. Komisioni, sipas mendimit tim, është i vetmi trup që ka ekspertizën dhe njohuri të plota mbi historinë e një vendi. Megjithatë, pjesa tjetër është vetëm politike dhe nuk i dihet asnjëherë. Por, në fund të ditës, ajo që është e rëndësishme është se ne nuk e bëjmë atë për të tjerët; ne po e bëjmë atë për vete dhe për fëmijët tanë, sepse procesi i integrimit është një mjet i shkëlqyer drejt modernizimit. Përfshirja e standardeve të BE-së përbën pikërisht atë që brezat e ardhshëm meritojnë.
Unë jam i sigurt se nëse individët që ndërtuan BE-në do të ishin ende përreth, ata do i kishin kuptuar shumë më mirë përfitimet që do të kishin nga anëtarësimi ynë. Për ne, BE-ja është ajo që ishte për ta – një projekt paqeje dhe një hapësirë e caktuar ku nuk kërcënohesh nga konfliktet e së kaluarës.

A ndiheni më pak optimist rreth gjithë këtij procesi?

Jo, unë gjithmonë kam qenë shumë optimist. Jeta ime dhe historia jonë vazhdojnë të më tregojnë se të mendosh me optimizëm të lartë është gjëja më e mirë. Tani, madje edhe holandezët, të cilët ishin skeptikë, kanë thënë se kemi bërë hapa të mëdhenj. Holanda, së bashku me Gjermaninë dhe Austrinë, gjithashtu na kanë ardhur në ndihmë. Të tre vendet janë pjesë e një koalicioni që po na ndihmon në reformën në drejtësi. Ne kemi bërë atë që askush tjetër nuk e ka bërë. Ne kemi ndryshuar Kushtetutën – por jo vetëm këtë; ne i kemi kaluar të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët përmes një procesi shumë të vështirë të vetingut dhe po pastrojmë një sistem në mënyrë të tillë që vendet e tjera që janë ende duke negociuar nuk e kanë arritur ta bëjnë. Kjo është bukuria dhe e pazakonshmja e këtij procesi sepse ne mendohet t’i hapim negociatat dhe ne kemi bërë gjëra që vendet e tjera që janë duke negociuar nuk i kane bërë ende.

Mos ndoshta po sugjeroni se ky proces ka qene asimetrik?

Sigurisht. Nuk është një sekret dhe këtë e dinë të gjithë. Për vendet që u anëtarësuan të parët, presioni ishte më i vogël, kishte më pak kërkesa dhe procesi nuk ishte i rreptë. Dhe më pas, për çdo vend që anëtarësohej, ka qenë më e vështirë.

A mendoni se ka më pak dëshirë për vendet e reja që të bëhen pjesë e Bashkimit Europian?

Duhet të tregohem i qartë se nuk kemi ndërmend të hyjmë në BE tani – ne duam hapjen e negociatave. Koha për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian do të vijë më vonë. Është si të diskutosh rreth martesës, jo të martohesh. Kjo e bën atë mjaft të mërzitshme dhe madje absurde sepse kemi bërë gjithçka për hapjen e negociatave dhe po trajtohet sikur po vendosin nëse ne do të hyjmë apo jo në BE. Kjo nuk është e vërtetë.

Si mund të përfitojnë BE-ja dhe Gjermania nga fillimi i këtyre bisedimeve?

Nuk do t’u them asgjë. Ata janë në një pozicion ku mund të mendojnë çfarë duan. Ata janë më të fortë; ata nuk kanë parë luftë në jetën e tyre. Pra, për ta, nuk është kaq e lehtë për të kuptuar arsyet pse kemi një ndjenjë kaq të fortë për BE-në. Unë jam i sigurt se nëse individët që ndërtuan BE-në do të ishin ende përreth, ata do i kishin kuptuar shumë më mirë përfitimet që do të kishin nga anëtarësimi ynë. Për ne, BE-ja është ajo që ishte për ta – një projekt paqeje dhe një hapësirë e caktuar ku nuk kërcënohesh nga konfliktet e së kaluarës. Për njerëzit në Europë sot, lufta është vetëm një “fiction” televiziv bardhë e zi. Nga ana tjetër, natyrisht që BE-ja ka problemet e veta. Është një situatë mjaft komplekse, dhe nuk është e lehtë të bëhen parashikime.

A mendoni se është krijuar një ide te gabuar rreth Shqipërisë në Europë?

Unë do të thosha se ka qenë dhe më keq. Po bëhet më mirë dhe do të vazhdojë të bëhet gjithnjë e më mirë sepse shumë njerëz që vazhdojnë të vijnë në Shqipëri po kuptojnë se vendi është tërësisht ndryshe nga përgjithësimet negative të cilave ata u besonin. Kjo ide do të përhapet. Por, në të njëjtën kohë, gazetaria dembele është një karakteristikë e kohës sonë. Nga një gazetari dembele, nuk mund të presësh lajme të mira; mund të presësh vetëm lajme të këqija sepse ato shesin më shumë.

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare u rrit me 4,1 për qind, sipas BE-së. Si do ta përshkruanit situatën makro-ekonomike të vendit?

Sipas vlerësimit tonë, në fund të vitit 2018, rritja ishte 4,5 për qind, por kjo rritje vazhdon të ketë të njëjtën vlerë. Ne duam të mbajmë një rritje mbi 4 për qind. Ne kemi pasur gjithashtu një rënie të ndjeshme të papunësisë, nga 18,7 në 12,3 për qind. Qëllimi ynë është ta ulim në 8 përqind. Nuk do të jetë e lehtë, por është e mundur. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë. Kancelarja Angela Merkel është unike dhe ka një vizion shumë të qartë rreth Ballkanit – për të kaluarën dhe për të ardhmen e këtij rajoni. Kjo është arsyeja pse ajo ka qenë përkrahësja kryesore, ”kampionia” jonë dhe ende mbetet e tille.

Si do ta karakterizonit marrëdhënien dypalëshe mes Shqipërisë dhe Gjermanisë?

Shumë të mirë. Gjermania është Gjermani. Kancelarja Angela Merkel është unike dhe ka një vizion shumë të qartë rreth Ballkanit – për të kaluarën dhe për të ardhmen e këtij rajoni. Kjo është arsyeja pse ajo ka qenë kampionia jonë dhe ende mbetet kampionia jonë. Në sajë të udhëheqjes së kancelares Merkel, Gjermania është bërë shpëtimtarja e Europës. Unë nuk e di se ku do të ishte Europa sot nëse Angela Merkel nuk do të kishte qenë gjatë krizës së refugjatëve. Megjithëse asaj iu desh te paguante një çmim të lartë për këtë, gatishmëria e saj për të paguar atë çmim e bën atë një udhëheqëse të madhe. Gjermania është shumë e drejtë dhe shumë e arsyeshme në përgjithësi, gjë që nuk është e vërtetë për çdo vend.

Është raportuar se Shqipëria ka përfituar një grant historik nga Gjermania. A mund të më tregoni më shumë për rëndësinë e tij?

Ky nuk është një grant – media e bëri që të kuptohet kështu – por është një financim. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh, është një plan shumëvjeçar i financimit përmes Bankës Gjermane për Zhvillim, KfW-së.

Në vitin 2016, Gjermania u bë partneri i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë. Çfarë fushëveprimi shihni për të rritur tregtinë dypalëshe?

Ka shumë potencial për të rritur tregtinë tonë dypalëshe dhe unë jam shumë i bindur se pikërisht kjo do të ndodhë, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet tona bujqësore.
Sipas të dhënave të fondacionit ”Heritage”, një e dhjeta e të gjitha IHD-ve që vijnë në Ballkanin Perëndimor vijnë në Shqipëri.

Cilat janë mundësitë për të tërhequr më shumë?

Është një e dhjeta sepse nuk kemi qenë në gjendje të krijojmë një rrugë të qëndrueshme për të rritur IHD-të në turizëm, ku ka potencial më të madh. IHD-të në turizëm kanë qenë në nivele të ulëta dhe në vend të kësaj, sektori i energjisë ka qenë më i rëndësishëm. Tani kemi arritur në fund të testeve përfundimtare me kompaninë ”Shell” për kërkimet e naftës dhe të gazit në zonën offshore. Treguesit sugjerojnë se kjo do të jetë një histori suksesi. Do e marrim vesh këtë pranverë. Nëse lajmi është pozitiv, ne do të kemi një shtim investimesh vjetore në vitet në vijim. Tani, kemi filluar gjithashtu të investojmë në energjinë diellore. Oferta jonë e parë shkoi shumë mirë dhe tani jemi duke përgatitur një të dytë. Prodhimi dhe bujqësia gjithashtu ofrojnë mundësi interesante për investitorët e huaj.

Çfarë ka bërë qeveria juaj gjatë vitit të kaluar përsa i përket infrastrukturës dhe hapjes së korridoreve me pjesën tjetër të Europës?

Ka ende shumë punë për t’u bërë, por aktualisht po zhvillohen disa projekte të mëdha. Unë shpresoj se do të ketë edhe shumë të tjera që do te vijnë nga Procesi i Berlinit.

Për me tepër ju identifikoheni në mënyrë unike midis politikanëve, edhe si një artist. Çfarë po bëni si kryeministër për të mbështetur sferën kulturore?

Për fat të mirë, ne kemi shumë të talentuar dhe njerëz që tashmë po e shprehin veten jashtë vendit. Për shembull, në orkestrën e Filarmonisë së Berlinit ka shqiptarë, ne kemi këngëtarë të shkëlqyer të operas si dhe artistë të shkëlqyer vizualë. Për një vend të madhësisë sonë, ne kemi shumë ndikim në botën e artit. Rehabilitimi i fundit i sheshit ”Skënderbej” në qendër të Tiranës fitoi çmimin prestigjioz europian për hapësirën publike urbane te vitit 2018, që është një nga çmimet më të larta në arkitekturë./atsh

Rama për “Die Welt”: Momenti i i duhur për hapjen e negociatave Read More »

Cenimi i sekretit hetimor, Prokuroria urdhër për ndalimin e publikimit të përgjimeve të Çështjes 339

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndaluar publikimin e përgjimeve të dosjes 339.

Prokuroria ka lëshuar një urdhër të firmosur nga prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, në të cilin theksohet se nëse vijohet me publikimin e përgjimeve për këtë dosje, personat përgjegjës për publikimin e tyre do të mbajnë përgjegjësi për shkak se cenojnë sekretin e hetimit paraprak.

“Në Tiranë, sot më 05.06.2019, ne prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, pasi jemi njohur me publikimin e pjesshëm në disa media elektronike të disa akteve hetimore, përfshi dhe përgjime audio, të kryera në kuadër të procedimit penal Nr. 339 të vitit 2016;

Konstatuam
Më datë 27.12.2016, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është regjistruar procedimi penal Nr. 339, lidhur me veprat penale të “Trafikim i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 283/a/2 të Kodit Penal.

Pas një hetimi proaktiv deri në muajin tetor 2018, i jemi drejtuar me kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, për caktimin e masave të sigurimit personal për një numër të konsideruar shtetasish të dyshuar se kanë kryer veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/2, 33/a, etj, të Kodit Penal, të njohur ndryshe dhe si “Operacioni Vol Vo 4”.

Menjëherë pas caktimit të masave të sigurimit personal nga gjykata dhe ekzekutimit të tyre nga Policia e Shtetit. Medie të ndryshme kanë publikuar disa transkriptime të realizuara në kuadër të këtij hetimi dhe së fundmi edhe përgjime audio, të cilat na bëjnë të besojmë se kanë dalë nga kopjimi ose regjistrimi i bisedave që gjenden në CD-të bashkëlidhur akteve të këtij procedimi penal.

Nisur nga fakti se publikimi i akteve të mësipërme, cenojnë sekretin e hetimit paraprak lidhur me procedimin penal Nr. 339, të vitit 2016, i cili nuk ka përfunduar akoma, çmojmë se duhet ndaluar publikimi i tyre nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.

Në këto kushte, bazuar në kërkesat e neneve 103, 104 dhe 105 të K. Pr. Penale:

Urdhërojmë
Ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal Nr. 339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.
Ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhri Koordinatori për Mediat në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
Subjektet e procedimit penal, avokatët mbrojtës, etj., të cilët për shkak të cilësisë së tyre njihen me aktet e procedimit penal Nr. 339, të vitit 2016, ndalohen t’i bëjnë publike ato.
Shkelja e këtij urdhri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të Kodit Penal./atsh

Cenimi i sekretit hetimor, Prokuroria urdhër për ndalimin e publikimit të përgjimeve të Çështjes 339 Read More »

Rrjedhja e informacionit nga një dosje nën hetim përbën shkelje

“Përgjimet nuk janë prova, por janë mjetet për të gjetur prova dhe në bazë të tyre hetohet më tutje për të zbardhur një të vërtetë”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati, duke komentuar përgjimet e publikuara nga “Bild”.

E ftuar në një studio televizive, deputetja Ferhati tha se, “detyra e personave që kishin akses në këto dosje ishte të hetonin dhe jo të nxirrnin informacion”.

“Kushdo që ka nxjerrë informacionet hetimore për t’i bërë publike duhet ta tregonte gjithë këtë zell për profesionin. Ne nuk duhet të flasim fare për çështjet nën hetim, sepse prokuroria dhe gjykatat duhet të bëjnë punën e tyre. Nuk mundet kurrsesi të interpretohet një pasazh i shkëputur i një dosjeje dhe të dilet në konkluzione”, – tha ajo.

Ferhati theksoi se nga ajo që ka dëgjuar në kronika televizive nuk ka asnjë implikim të atyre që thuhen, në vepra penale të kryera nga eksponentë të PS-së në lidhje me zgjedhjet.

“Media, sado prestigjioze qoftë, nuk është gjykatë e prokurori. Në çdo vend të botës kështu është, ndaj organet ligjzbatuese do të doja që të bënin punën e të hetojnë dhe zbardhin të vërtetën”, – tha Ferhati.

Sipas saj, “rrjedhja e informacionit nga një dosje e cila është nën hetim, përbën shkelje”. Ferhati tha se “përgjegjësia qëndron brenda institucionit dhe kushdo që nxjerr informacion duhet të ketë kujdesin e duhur që të mos cenojë interesat e drejtësisë”.

“Këtu nuk po flitet për diskutime të natyrës morale, por për implikime në vepra të rënda. Çdo politikan është i detyruar moralisht të ketë një komunikim korrekt me të gjithë zgjedhësit në zonën e tij dhe nuk mund t’i kërkojë banorëve certifikatën e penalitetit”, tha Ferhati.

Ajo theksoi se “me këto situata synojnë të krijojnë në këto momente rrëmujë dhe “trazira” për t’i vënë perde punëve reale që po bën kjo qeveri”. “Nëse ka një çështje ku drejtësia duhet të flasë, të lëmë drejtësinë të flasë. Ne nuk mundemi me komentet tona të marrim rolin e gjykatës e të prokurorisë”, – tha ajo./atsh

Rrjedhja e informacionit nga një dosje nën hetim përbën shkelje Read More »

Dita Botërore e Mjedisit, Shqipëria me një sërë projektesh për ruajtjen e ekosistemeve

Në vendin tonë zbatohen një sërë projektesh që kanë në fokus ruajtjen e mjedisit dhe ekosistemeve, si pasuri e çmuar e jetës në planetin tonë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) bën të ditur se, është përzgjedhur mes organizatave që përfaqësojnë Shqipërinë në një sërë projektesh me fokus ruajtjen e mjedisit dhe ekosistemeve të financuara nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal nëpërmjet programeve Interreg.

“Në Ditën Botërore të Mjedisit, synohet që të gjithë të bëhen më të ndërgjegjshëm dhe më të ndjeshëm ndaj planetit tonë. FSHZH mbrojtjen e mjedisit e konsideron pjesë të rëndësishme të punës dhe stafi përgjegjës kujdeset në mënyrë të vazhdueshme të monitorojë zbatimin e kritereve të mbrojtjes së mjedisit në të gjitha projektet që FSHZH zbaton për llogari të palëve financuese”, thuhet në njoftimin e FSHZH-së.atsh

Dita Botërore e Mjedisit, Shqipëria me një sërë projektesh për ruajtjen e ekosistemeve Read More »

Ndotja e ajrit shkakton 2.4 milionë vdekje çdo vit

Ndotja e ajrit shkakton 2.4 milionë vdekje çdo vit, shumica e tyre janë në vendet në zhvillim.

Të dhënat u bënë publike nga strukturat e ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, më konkretisht nga Instituti i Shëndetit Publik në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit.

“Dita Botërore e Mjedisit 2019 kushtuar ndotjes së ajrit, një prej ndotjeve më të përhapura në mbarë botën. Ndotja e ajrit shkakton 2.4 milionë vdekje çdo vit, shumica e tyre janë në vendet në zhvillim”, bën të ditur ISHP.

Sipas ISHP, ndotja e ajrit është vrasësi i katërt më vdekjeprurës në botë dhe përgjegjëse për rreth 5% të barrës globale të sëmundjes./atsh

Ndotja e ajrit shkakton 2.4 milionë vdekje çdo vit Read More »

Vlorë, inspektime në Urën e Frëngut

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në Urën e Frëngut, në fshatin Gjorm, Vlorë.

Gjatë inspektimi u bë kontrolli teknik i monumentit dhe evidentimi i problematikave. Nga inspektimi u konstatua se gjendja strukturore e urës ishte përgjithësisht e mirë, me përjashtim të dëmtimeve sipërfaqësore të kalldrëmit dhe dëmtime të fugave në qemerë.

Pas kryerjes së inspektimeve do të vijohet me hartimin e projektit të mirëmbajtjes dhe restaurimit.

Ura e Frëngut ndodhet afër fshatit Gjormë dhe ka shërbyer për qarkullimin dhe komunikimin e banorëve të fshatrave, që ndodhen në bregun e majtë të lumit Shushicë.

Ajo është urë e tipit me dopjo qemer me harkun në formë lundre dhe me dy dritare shkarkuese. Arkitektura e urës i është përshtatur terrenit shkëmbor ku është ndërtuar, duke u harmonizuar me peizazhin natyror.

Muratura e saj është e ndërtuar me gur kave të lidhur me llaç gëlqere. Në vitin 2015 kjo urë i është nënshtruar një ndërhyrjeje restauruese nga DRKK Vlorë. /atsh

Vlorë, inspektime në Urën e Frëngut Read More »