Aktualitet

Parashikimi i motit

Masat e nxehta, të cilat qarkulluan në vend, do të pësojnë tërheqje gjatë kësaj jave.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, deri ditën e enjte, gjatë orëve të mesditës, përgjithësisht do të mbizotërojë zhvillimi i vranësirave. Përkohësisht në disa zona, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu e hera herës në formën e shtrëngatave me rrufe, si dhe me breshër të izoluar.

Era përgjithësisht do të mbizotërojë në drejtimet juglindje-veriperëndim, e lehtë e përkohësisht mesatare në bregdet, duke u shoqëruar nga një dallgëzim i ulët. /atsh

Parashikimi i motit Read More »

Murrizi: Të hetohet pasuria e politikanëve

Deputeti i PD-së Myslym Murrizi ka kërkuar sot që të hetohet pasuria e politikanëve.

Duke folur në seancën plenare ku është paraqitur raporti vjetor i ILDKPI-së, Murrizi ka thënë se tashmë vendi ynë ka nevojë për një ligj më të strukturuar.

Duke komentuar pjesë nga raporti i ILDKPI-së për sa u përket spiunëve të Shtetit, Murrizi ka thënë se shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundë me spiunët.

Ndër të tjera Murrizi ka deklaruar se duhet të fillojnë hetimet për politikanët pasi sipas tij nuk janë më shumë se 500 prej tyre që kanë marrë në qafë Shqipërinë.

“10 faqe për spiunët e shtetit dhe privatit që nuk kanë funksionuar. 126 njësi sinjalizues tek sektori publik dhe 426 për sektorin privat. Quani arritje që janë gjobitur disa subjekte. Shqiptarët janë ngopur me spiunë dhe bilbilfryrës. Shqiptarëve u ka ardhur në majën e hundës me spiunët. Vini për të raportuar po ishte krahasimi me 2003 dhe 2013 ajo që nuk më pëlqeu. Kjo është një llojë me regjimin komunist që e krahasonte me 38’”, tha Murrizi.

“Do të doja që të përgatisim një ligj për objektin e punës. Miliona pasuri kanë banorët e kësaj salle. Unë prap shoh se ata që kanë marrë vendin në qafë nuk i kalojnë 500. Këto që kanë qenë këtu dhe këta që janë këtu. Ata nuk i justifikojnë. A ka verifikim. Ka zyrtarë që kanë aksione në supermarketet e Serbisë dhe që blejnë vila në Firenze”, u shpreh Murrizi./atsh

Murrizi: Të hetohet pasuria e politikanëve Read More »

Siguria ushqimore, AKU mbyll dy aktivitete të paligjshëm dhe vendos gjoba mbi 200 mijë lekë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi se jka bllokuar dy aktivitete të paligjshme një në Tiranë dhe një në Shkodër, që prodhonin produkte ushqimore jashtë kushteve higjeno sanitare dhe ka gjobitur subjektet në vlerën e mbi 200 mijë lekëve.

Në një njoftim për shtyp AKU bën të ditur se, Drejtoria Rajonale e AKU-së në qytetin e Shkodrës, ka konstatuar se një subjekt me aktivitet “Prodhim pije alkoolike dhe joalkoolike” që i ishte mbyllur veprimtaria gjatë një kontrolli të mëparshëm, rezultoi se ky i fundit vazhdonte aktivitetin e tij në kundërshtim me ligjin.

Në prani të strukturave përkatëse, u krye inventarizimi i produkteve ushqimore, nga ku u konstatuan 44.5 ton produkte (verë, raki, maja, uthull, ujë, lëndë e parë etj) që vërtetojnë se subjekti vazhdonte aktivitetin në shkelje të ligjit dhe duke shpërfillur Urdhrin e Bllokimit të organit kompetent të sigurisë ushqimore.

Për subjektin në fjalë u morën masat e gjobës në vlerën 100,000 lekë për prishjen e shenjave dalluese të vendosura nga trupa inspektuese, gjobës në vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe gjobës në vlerën 200,000 lekë për veprim në kundërshtim me kërkesat për përgjegjësitë e operatorit të biznesit ushqimor.

Gjithashtu, u la në fuqi vendimi i inspektimit paraardhës për ndërprerjen e veprimtarisë së subjektit, si edhe u bllokuan 44,513 litra produkte (ujë, pije alkoolike dhe joalkoolike, lëndë e parë, maja e skaduar etj), dhe u morën 6 mostra për analiza laboratorike.

AKU bën të ditur se, ushtroi kontroll edhe në subjektin Y.M , Tiranë ku u konstatuan produkte ushqimore të cilat rezultuan të pa etiketuara apo me etiketë në kundërshtim me ligjin (fasule, sojë, qumësht gomarice, kavanoza me boronicë, çaj, uthull me mbishkrime mjekësore, hudhër, arrë kokosi, lajthi, stika, arra etj).

Sipas AKU-së, ambienti ishte i mbingarkuar me produkte, i pa sistemuar, produktet ruheshin në dysheme dhe disa produkte mbaheshin edhe në ambiente sanitare. Rezultoi se subjekti operonte në këtë adresë i pa pajisur me licencë për aktivitetin përkatës dhe nuk operonte me sistemin e vetëkontrollit HACCP, si dhe nuk dispononte sistem funksional gjurmueshmërie.

AKU mori masat e gjobës në vlerën 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa licencën përkatëse, gjobës në vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare, gjobës në vlerën 200,000 lekë për mungesë të planit të vetëkontrollit (HACCP), gjobës në vlerën 200,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë dhe gjobës në vlerën 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin./atsh

Siguria ushqimore, AKU mbyll dy aktivitete të paligjshëm dhe vendos gjoba mbi 200 mijë lekë Read More »

PS e vendosur t’i japë Shqipërisë shansin për anëtarësim në BE

Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ikonomi, theksoi sot se “Partia Socialiste është e denjë për ti dhënë çdo bashkie në vend kryetarin e duhur për të çuar përpara transformimet në atë zonë gjeografike duke shërbyer njerëzve dhe mirëqenies, së familjeve të tyre.

Në fjalën e saj në kuvend, deputetja Ikonomi theksoi se “për ne socialistët ka nisur një betejë mes të shkuarës dhe të ardhmes mes asaj që ne duam të çojmë përpara Shqipërinë me ide programe, punën në çdo drejtim dhe atyre që duan të kthejnë mbrapa këtë vend me baltë, sherr, konflikt në çdo ballafaqim mes nesh që duam një vend normal demokratik për fëmijët tanë dhe atyre që duan vetëm pushtet përmes dhunimit të demokracisë”.

“Problemi që ata kanë sot përveç se janë më të dobët politikisht se më parë tentojnë që me një grup ish-deputetësh shëtitës të krijojnë imazhin e një partie që mund të përdorë dhunë.

Planet e tyre për të sulmuar KZAZ-të me dhunë para se ato të fillojnë punë, apo për betimin se nuk do të lejojnë qytetarët të votojnë janë banalitete që nuk përbëjnë gjë tjetër veçse shpejtojnë dështimin e skemës për të bllokuar zgjedhjet”, nënvizoi Ikonomi.

Sipas saj, PS është e vendosur t’i japë Shqipërisë shansin për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ne e dimë që ky rrugëtim nuk bëhet vetëm nga PS, duhet konsensus i forcave politike , i atyre forcave që besojnë dhe kërkojnë para aleatëve tanë se anëtarësimi në BE është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar”, tha Ikonomi.

Deputetja Ikonomi u shpreh se “për këtë çështje partitë e opozitës nuk mund të dalin jashtë interesit të ngushtë të liderëve të tyre politikë, reforma në drejtësi u rri mbi krye dhe ndëshkimin për veten duan ta kthejnë në një kundër axhendë për një vend të tërë”./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1132474860289905/?t=0

PS e vendosur t’i japë Shqipërisë shansin për anëtarësim në BE Read More »

1242 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës

1242 persona janë punësuar nga 7-13 qershor në gjithë vendin vetëm përmes Zyrave të Punës.

Sipas statistikave të punësimeve për çdo qark, në Berat janë punësuar 52 persona, në Durrës janë punësuar 196 persona, në Fier 61 persona, në Korçë 76 persona.

Po ashtu, gjatë kësaj jave në Dibër janë regjistruar 15 të punësuar, në Elbasan 65 të punësuar, në Gjirokastër 10 të punësuar, në Kukës 7 të punësuar, në Lezhë 71 të punësuar, në Shkodër 50 të punësuar, në Tiranë 428 të punësuar dhe në Vlorë 211 të punësuar./atsh

1242 të punësuar në një javë nga Zyrat e Punës Read More »

Reportazhi i televizionit publik francez: Shqipëria vendi i vogël i ambicieve të mëdha

Shqipëria është një vend i vogël, por me ambicie të mëdha! E liruar nga tutela e komunizmit në vitin 1991, e ndodhur mes Malit të Zi, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria ëndërron të hyjë në Bashkimin Europian dhe të bëhet një destinacion i vërtetë turistik, shkruan portali i televizionit publik francez, Franceinfo, në një reportazh që ia kushton turizmit në vendin tonë.

”Aktualisht nuk ka shumë turistë francezë, ishin rreth 45 000 në vitin 2018, po ky numër është në rritje me 30% nga viti 2017 dhe mbi të gjitha, ata kthehen në vendin e tyre të magjepsur nga udhëtimi në Shqipëri.

Julien Roche jeton këtu që prej fillimit të viteve ’80.

Shumë i domosdoshëm, ky francez me origjinë nga rajoni Ën, ka krijuar rreth 40 kompani në këtë vend.

”Në veri ka liqene dhe male, atje përfundon vargmali i Alpeve. Në jug, ndodhen plazhet e detit Adriatik dhe ato të detit Jon që janë përballë Korfuzit. Vijnë shumë të rinj me çanta shpine ose persona të moshës së tretë. Këta janë ambasadorët tanë më të mirë dhe priten nga banorë të zonës që i strehojnë në banesat e tyre, është diçka shumë vëllazërore”, shpjegon ai në këtë reportazh të Franceinfo.

Autoritetet shqiptare duan të tregojnë mbi të gjitha se realiteti i vendit është larg imazhit të keq që ekziston në Francë, vendi i të gjitha trafiqeve, korrupsionit dhe mafies.

”Megjithatë, udhëtarët e huaj kanë filluar të tregojnë interes për këtë destinacion të ri në zemër të Ballkanit”, sikurse shpjegon Helmut Gschwentner, president i operatorit turistik “Visit Europe”.

“Nuk jam i sigurt nëse kjo do të jetë Kroacia e re, por në çdo rast është një destinacion bregdetar dhe kulturor. Ne i besojmë shumë. Prej pesë vitesh zhvillojmë ture në Shqipëri, por duke i kombinuar me vizita në Malin e Zi dhe Maqedoni. Duam të rrisim produktet dhe mundësitë për klientët tanë, për këtë arsye kemi hapur një zyrë në Tiranë”, thotë Gschwentner.

“Visit Europe” synon të arrijë 3 000 klientë këtë vjeshtë të interesuar për Shqipërinë dhe 4 000-5 000 vitin e ardhshëm.

Hotele të vogla familjare

Përveç më shumë se 500 kilometrave vijë bregdetare, pavarësisht disa zonave te betonizuara tashmë si Golemi, ky vend i vogël prej tre milionë banorësh, i madh sa Belgjika, ka gjithashtu një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme si Berati “qyteti i një mbi një dritareve”, që është klasifikuar trashëgimi e UNESCO-s apo qyteti i mrekullueshëm mesjetar i Krujës, që ende nuk është asfiksuar nga turmat e turistëve.

“Ka katër misione arkeologjike franko-shqiptare, në një vend të vetëm ky është një fat i madh. Kjo tërheq vizitorët dhe jo vetëm ata francezë. Ka gjithashtu muze shumë të mirë që japin një imazh të njerëzve dhe të historisë shqiptare, tragjike në disa çaste”, deklaron Christina Vasak, ambasadorja e Francës në Shqipëri.

Grupet e hotelerisë kanë filluar gjithashtu të drejtohen nga Shqipëria, që ende nuk e ka mjaftueshëm të zhvilluar këtë infrastrukturë, si kompania franceze “Accor” që parashikon të hapë në muajt në vijim një “Sofitel” në Tiranë.

“Turizmi këtu bazohet kryesisht tek hotelet e vogla familjare me pesë deri në 10 dhoma. Nuk ka hotele me kapacitet të mjaftueshëm për të pritur për shembull grupe të mëdha me 2 500 apo 3 000 persona. Potenciali i kërkesës është, por nuk është ende produkti”, shpjegon Elisabeth Gjoni, drejtoreshë e grupit energjetik dhe ndërtimor “Amadeus”.

Shqipëria bën pjesë në pesë vendet kandidate për të hyrë në Bashkimin Europian. Negociatat mund të fillojnë në muajt që vijojnë, por procedura është e gjatë. Ajo mund të zgjasë të paktën 10 vite.

Franceinfo e mbyll këtë reportazh duke i bërë një thirrje gjithë turistëve se “gjatë udhëtimit në Shqipëri do të zbulojnë fakte mbi këtë vend të panjohur”.

”Kryeqyteti, Tirana, do t’ju habisë me influencat e tij. Do të josheni nga pasuria historike e zonës më të madhe arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Apolonisë. Ky është një udhëtim i mrekullueshëm në të kaluarën që do e shijoni gjatë gjithë udhëtimit në Shqipëri”, përfundon Franceinfo./atsh

Reportazhi i televizionit publik francez: Shqipëria vendi i vogël i ambicieve të mëdha Read More »

Vlora me ujëra të pastra në sezonin turistik, impianti në funksion të plotë

Sezoni veror i këtij viti do ti gjejë ujërat në det në qytetin e Vlorës më të pastra, duke sjellë një ndikim të madh në sektorin e turizmit, falë vënies në funksion të plotë të impiantit të ujërave të zeza në “Pyllin e Sodës”.

Kështu deklaroi në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë, Dorjan Xhelili.

“Impianti është në funksion të plotë këtë sezon veror. Është një financim i BE dhe Qeverisë Shqiptare prej 21 milionë eurosh. Këtë sezon veror ai do të bëjë të mundur që filtrimi i ujërave të ndotura të shkojë në 70%, duke bërë që ujërat në det të jenë më të pastra”, – theksoi Xhelili.

Sipas tij, kjo do të ketë ndikim të madh në sezonin turistik të këtij viti.

Xhelili u shpreh se ky impiant do të trajtojë të gjitha ujërat e ndotura të qytetit të Vlorës.

“Aktualisht po punohet për të shtuar kapacitete dhe për të avancuar me teknologjinë për rritjen e shërbimit. Garantoj qytetarët dhe pushuesit se si pasojë e kësaj vepre do të kenë ujëra detar të pastër këtë sezon turistik”, – tha Xhelili.

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë është një vepër infrastrukturore e rëndësishme për mjedisin e turizmin. Ai konsiderohet si një investim strategjik me rëndësi të madhe për qytetin, që disiplinon rrjetin e ujërave të zeza, si dhe shërben për një standard të ri të Vlorës turistike me bregdet të pastër./atsh

Vlora me ujëra të pastra në sezonin turistik, impianti në funksion të plotë Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 26896 ankesa të zgjidhura

“Shqiperiaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre.

Këtë javë numri ankesave të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 26896, ndërsa numri ankesave të regjistruara është 38202.

Në nivel vendor janë regjistruar 6852 ankesa dhe janë zgjidhur 3269.

Sipas shifrave të publikuara nga “Pasqyra e qeverisjes” këtë javë, rezulton se janë dhe 11 raste të spikatura të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes. Konkretisht janë 2 raste nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. 7 raste nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, 1 rast nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 1 rast nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen dhe Sipërmarrjen.

Numri i “log in” në faqen e platformës për javën që sapo mbyllëm ishte 105 292, ndërsa numri i regjistrimeve të reja është 17 999./atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, 26896 ankesa të zgjidhura Read More »