Orikuminews

Alarmante! Shqipëria rrezikon “të boshatiset” në 70 vite, 2000 kërkesa për…(Shifrat)

Ndonëse pritshmëritë ishin që numri i azilantëve të vinte në rënie, për shkak se refuzimet e larta të dekurajonin aplikimet e reja, të dhënat nga Eurostat dhe EASO vazhdojnë të tregojnë një tendencë në rritje. Për shkak të politikave sociale, destinacioni kryesor i shqiptarëve kohët e fundit ka qenë Franca, ku janë bërë gati gjysma e aplikimeve në gjashtë muajt e parë të vitit 2019. Nëse të rinjtë shqiptarë do të ruajnë të njëjtin ritëm me largimet, do të duhen vetëm 70 vjet që Shqipëria të zbrazet. Si paraqitet situata në tremujorin e dytë në BE?

J.M, 17 vjeç, pjesë e një ekipi sportiv, u nis për në Francë në fillim të këtij viti si sportist, por vendosi që të mos kthehej më. Ai u drejtua tek një nga zyrat e emigracionit në Francë, ku paraqiti kërkesën për azil ekonomik. I favorizuar edhe prej faktit se ishte minoren, pak javë më parë, zyra franceze e emigracionit i ktheu një përgjigje pozitive për qëndrimin, ku përveç shtëpisë, i ofruan një vend pune dhe i mundësuan që të regjistrohej në një shkollë profesionale për kuzhinë.

Prej gati më shumë se dy vitesh, në Francë ndodhet edhe vëllai i tij së bashku me familjen, gruan edhe foshnjën që lindi gjatë qëndrimit të tyre si azilantë, i cili gjithashtu ka aplikuar për azil. Por kërkesa e tij vazhdon të refuzohet nga zyra e emigracionit. Për shkak të politikave tepër sociale, edhe kërkesa e E.M., nënë beqare tek të tridhjetat, e cila ka më pak se një vit e cila është vendosur si azilante në Francë u pranua në fillim të këtij viti, duke i mundësuar asaj strehim dhe përkujdesje ndaj fëmijës. Sot, shteti francez është kthyer në destinacionin kryesor të azilkërkuesve shqiptarë.

Vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit, rreth 4335 kërkesa të reja për azil janë regjistruar në shtetin francez, ndërsa sipas Eurostat numërohen në total mbi 5000 të tilla. Në total, janë shënuar në të gjithë BE-në 10,680 kërkesa për herë të parë për azil. Kjo do të thotë se, mesatarisht, që prej fillimit të vitit, çdo muaj janë larguar nga vendi mesatarisht 1780 shqiptarë. 40% e këtyre kërkesave kanë qenë të përqendruara në Francë, ku gjatë 6 muajve të parë të 2019 janë dorëzuar në total 4,435 kërkesa të reja, duke ruajtur tendencën e dy viteve të fundit.

Pas Francës, destinacioni i dytë me numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë është Mbretëria e Bashkuar, ku gjatë 6 muajve janë shënuar 1870 kërkesa, ndjekur nga Greqia me 1480 kërkesa për azil, Italia me 830. Ndërsa Gjermania është kthyer prej kohësh në një destinacion pak të preferuar për shqiptarët, pasi edhe shanset për të marrë një përgjigje pozitive janë shumë herë më të ulëta. Për gjashtë muajt e parë të 2019-s, të dhënat nga Eurostat tregojnë se aplikuan vetëm 850 shqiptarë. Eurostat ka raportuar edhe kërkesat për azil që janë bërë në Gjermani për muajt korrik dhe gusht, ku rezulton se kanë aplikuar për të dy muajt së bashku edhe 300 shqiptarë të tjerë.

Rreth 1200 kërkesa të tjera në 6-mujorin e parë janë shpërndarë në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Në Irlandë u dorëzuan gjatë këtyre muajve 465 kërkesa për azil, në Suedi dhe në Belgjikë u dorëzuan përkatësisht nga 215 kërkesa, në Holandë u regjistruan 110 të tilla, në Spanjë 65, në Zvicër 60, në Norvegji 50, ndërsa në Luksemburg dhe Danimarkë, 30 kërkesa.

Kërkesat rriten me 24%

Sipas të dhënave të Zyrës Europiane të Mbështetjes së Azilantëve (EASO) për periudhën janar-korrik, e cila raporton të dhëna më të përditësuara se Eurostat, aplikimet për azil nga Shqipëria në një nga vendet e Bashkimit Europian ishin gjithsej rreth 14 mijë, me një rritje të ndjeshme prej 24%, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 90% e këtyre aplikimeve janë për herë të parë, ndërsa ka dhe nga ata që nuk heqin dorë dhe e tentojnë sërish fatin. Të paktën rreth 2,000 persona në muaj kanë ikur nga vendi me qëllimin për të mos u kthyer më gjatë 7 muajve të këtij viti. Kjo është vetëm shifra që regjistrohet, pasi ka dhe shumë të tjerë që zgjedhin të largohen në heshtje, duke mos aplikuar për azil dhe duke mos treguar që nuk kanë ndër mend që të kthehen më.

Shqipëria mund të zbrazet brenda 70 viteve

Të dhënat demografike të Shqipërisë nuk janë aspak pozitive, popullsia po plaket, numri i lindjeve po shkon drejt minimumit, ndërsa shtesa natyrore e popullsisë drejt zeros. Kësaj i shtohet edhe fakti se vitet e fundit, vendi po përballet me një “epidemi” largimesh të popullsisë aktive, drejt Bashkimit Europian, qoftë si emigrantë me letra të rregullta, apo edhe duke kërkuar azil në dyert e Europës. Nëse largimet e popullsisë në moshë të re do të vazhdojnë me këto ritme, Shqipëria do të boshatiset për 70 vite. Sipas të dhënave statistikore të nxjerra nga Eurostat, rreth 80% e azilkërkuesve i përkisnin grupmoshës më të re se 34 vjeç.

Duke mbajtur konstant ritmin e largimit gjatë muajve të parë të 2019-s, ku për periudhën janar-korrik janë larguar mesatarisht 2000 persona në muaj, prej të cilëve (80%) rreth 1600 i përkasin grupmoshës nën 34 vjeç, i bie të largohen mesatarisht 19,200 persona në vit. Brenda 70 viteve, duke mos përllogaritur efektin e mëtejshëm të rënies së lindjeve dhe plakjes së popullsisë, Shqipëria do të zbrazet nga mosha e punës, sipas përllogaritjeve të Monitor.

Të rinjtë po ia mbathin

Edhe muajt e parë të 2019-s kanë mbajtur të njëjtin trend për sa i përket moshës. Të dhënat nga Eurostat mbi azilkërkuesit sipas moshës treguan se pjesa dërrmuese e të rinjve që u larguan i përkisnin grupmoshës nën 34 vjeç. Në periudhën janar-qershor, aplikuan për herë të parë 2,815 të mitur, të cilët përbënin çerekun e totalit të aplikimeve. Ndërsa grupmosha 18-34 vjeç, të cilët përbëjnë edhe shumicën, numëronin në total 4,650 aplikime në total, rreth 44% të të gjithë aplikimeve.

Rreth 20% e aplikimeve i përkisnin grupmoshës 35-64 vjeç, ndërsa pjesa e mbetur (10%) ishte mbi këtë moshë. “Monitor” ka nxjerrë të dhënat ndër vite në lidhje me aplikimet për azil sipas moshës. Mesatarisht, 80% e aplikuesve për herë të parë për azil ishin më të rinj se 34 vjeç. Në vitin 2018, sipas Eurostat, 79.3% e azilkërkuesve shqiptarë i përkisnin kësaj grupmoshe, 29% e tyre ishin më të vegjël se 18 vjeç, ndërsa 50% e aplikuesve i përkisnin grupmoshës 18-34 vjeç. Aplikantët për azil, për herë të parë nën 34 vjeç, përbënin 1% të popullsisë së asaj grupmoshe.

Numri total i aplikimeve për herë të parë i të rinjve, sipas publikimit të Eurostat është 140,390 nga viti 2009. Sigurisht, që edhe për këtë grupmoshë, rekordi i aplikimeve u shënua në vitin 2015, me një numër prej 53,175 aplikimesh. Në tre vitet në vijim, numri i aplikimeve të reja ka rënë.

Vetëm 5% e azilkërkuesve shqiptarë u pranuan

Edhe pse renditemi në vendet me numër të lartë azilkërkuesish, vetëm 5% e vendimeve që merren nga shtetet anëtare janë pozitive. Eurostat ka publikuar javën e kaluar, të dhënat për azilkërkuesit që iu është siguruar mbrojtja në vitin 2017.
Në 2017-n, mbi 22 mijë shqiptarë kërkuan azil për herë të parë në një nga shtetet e BE-së, duke u renditur të shtatit pas azilkërkuesve që iu largohen konflikteve dhe luftës. Sipas të dhënave të Bashkimit Europian, vetëm 5% e vendimeve mbi këto aplikime kanë qenë pozitive.
Shanset që azilkërkuesve shqiptarë t’iu sigurohet mbrojtja në një nga vendet anëtare janë të ulëta, duke qenë se Shqipëria është një vend që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe nuk është i përfshirë nga konfliktet.

Situata në Europë në tremujorin e dytë

Në tremujorin e dytë të vitit 2019 kanë aplikuar për herë të parë për azil rreth 149,200 individë, të cilët kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të Bashkimit Europian (BE). Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2019, numri i aplikimeve për herë të parë ra me gati 5%, nga 157,900 që ishte numri i aplikimeve dhe u rrit me gati 4% në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë me 142,900.

Shumica e aplikimeve nga sirianët, venezuelasit dhe afganët

Me 16.200 aplikantë për herë të parë, midis prillit dhe qershorit, 2019, sirianët mbeten grupi më i madh i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, përpara venezuelasve (10,700 aplikantë për herë të parë) dhe afganëve (10.200).
Në tremujorin e dytë të vitit 2019, njerëzit nga këto vende përfshinin tre shtetësitë kryesore të aplikantëve për herë të parë të azilit në shtetet anëtare të BE-së dhe përbënin 25% të të gjithë aplikantëve për herë të parë të azilit.

Shumica e aplikantëve për azil në Gjermani, Francë dhe Spanjë

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, numri më i lartë i aplikantëve për herë të parë u regjistrua në Gjermani (me 33,200 aplikantë për herë të parë për azil, ose 22% të totalit të aplikantëve për herë të parë në shtetet anëtare të BE-së), ndjekur nga Franca (28,600, ose 19%) dhe Spanja (28,200, ose 19%). Këto tre shtete anëtare llogaritnin së bashku 60% të të gjithë aplikantëve për herë të parë të azilit në BE-28 në tremujorin e dytë të 2019.

Numri më i madh i aplikantëve për herë të parë në krahasim me popullsinë në Qipro

Krahasuar me popullsinë e secilit Shtet Anëtar, niveli më i lartë i aplikantëve të regjistruar për herë të parë në tremujorin e dytë të vitit 2019 u regjistrua në Qipro (4,082 aplikantë për herë të parë për 1 milion banorë), Maltë (1,503) dhe Greqi (1,244). Në të kundërt, nivelet më të ulëta janë vërejtur në Sllovaki (7 aplikantë për milion banorë), Hungari (12) dhe Poloni (16). Në tremujorin e dytë të 2019, ishin gjithsej 291 aplikantë për herë të parë për azil për një milion popullsi në BE si një e tërë.

Pothuajse 900,000 kërkesa për azil ende në pritje

Aplikimet në pritje për mbrojtje ndërkombëtare janë ato që janë bërë në çdo kohë dhe janë ende në shqyrtim nga autoritetet përkatëse kombëtare në fund të periudhës së referencës. Me fjalë të tjera, ato i referohen “stokut” të aplikacioneve për të cilat vendimet janë ende në pritje.

Në fund të qershorit 2019, 880,300 aplikime për mbrojtje të azilit në shtetet anëtare të BE ishin në shqyrtim nga autoritetet kombëtare, një rënie prej 1% në krahasim me qershorin 2018 dhe marsin 2019. Me 351 600 aplikime në pritje në fund të qershorit 2019, Gjermania kishte pjesën më të madhe në BE (40% të totalit të BE), përpara Spanjës (122 100, ose 14%), Greqisë (82 900, ose 9%), Italisë (67 200, ose 8%) dhe Franca (62 700, ose 7%)./Monitor

Alarmante! Shqipëria rrezikon “të boshatiset” në 70 vite, 2000 kërkesa për…(Shifrat) Read More »

Ambasadori i SHBA thirrje qytetarëve kosovarë:” Votoni për të ardhmen tuaj cdo votë numërohet”!

Ambasdori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka reaguar lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që po mbahen në Kosovë, përmes një postim në “Twitter”.

Kreu i diplomacisë amerikane iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve kosovarë të dalin të votojnë, duke iu thënë se çdo votë numërohet.

“Në Kosovë, si në Amerikë, çdo votë numërohet. Cdo zë ka rëndësi. Cilado qoftë pikëpamjet tuaja, këdo që të mbështesni – më 6 tetor, dilni dhe votoni. Për veten, për vendin tënd, për të ardhmen tuaj”, ka shkruar Kosnett.

Ambasadori i SHBA thirrje qytetarëve kosovarë:” Votoni për të ardhmen tuaj cdo votë numërohet”! Read More »

Keisi i jep fund çdo dileme për ndarjen me Stresin

Prej kohësh përflitet në mediat rozë ndarja e reperit Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, me bashkëshorten e tij, Keisi.

Ndonëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga palët, disa detaje dëshmojnë qartë se mes tyre mund të ketë marrë fund.

Mirëpo dy ditë më parë reperi foli për situatën e tij me ish-bashkëshorten e tij.

Gjatë intervistës së tij në “Ftesë në 5″, ai nuk e mohoi faktin që ata s’janë më bashkë, por e konsideroi këtë si një periudhë prove dhe reflektimi, jo ndarje përfundimtare.

Ai tha se janë ndarë përkohësisht, sa të qetësohen gjërat.

Stresi u shpreh:

Ajo është një vajzë shumë e mrekullueshme. Nga eksperienca ime në rrugët e Tiranës, Europës, është shumë e vështirë të gjesh një vajzë të tillë, se ne gjithmonë kemi gjetur vajzat më të mira. Unë po luftoj, por po luftoj në fshehtësi pastaj të bëhet ca të bëhet.”
Lidhur me këtë deklarata të Stresit, ka ardhur edhe reagimi i Keisit, e cila me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka publikuar një foto të sajën mbi një jaht.

Në përshkrimin e fotos, ajo citon një shprehje të Benjamin Franklin e cila thotë:

Kur pusi është i thatë ia dimë vlerën ujit.”
Nuk dihet nëse ky është një mesazh i koduar për reperin, me të cilin Keisi nënkupton se tani që Stresi ja ka kuptuar vlerën asaj që e ka humbur, tani që nuk e ka pranë.

Keisi i jep fund çdo dileme për ndarjen me Stresin Read More »

Pasojat nga tërmeti, Qeveria cakton 6 milionë dollarë nga fondi rezervë

Qeveria ka miratuar një fond prej 6 milionë dollarësh për përballimin e nevojave të familjeve të dëmtuara nga tërmeti dhe përmbytjet që pasuan 21 shtatorin. Gjatë konferencës për shtyp pas marrjes së këtij vendimi, Kryeministri ka deklaruar se kjo shifër marrë nga fondi rezervë i emergjencave në buxhet do të plotësohet nëse bilanci i dëmeve rritet.

“Kemi vendosur pjesën e fondit rezervë në aktin normativ dhe janë rreth 6 milion dollarë në dispozicion sot, por është një shifër bazë, sepse kostot janë më të larta dhe do duhet të plotësohen edhe me elementë të tjerë”, – u shpreh Kryeministri.

Ai tha se shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtohen.

“Ne atyre që kanë humbur shtëpinë do u bëjmë shtëpinë. Lojëra me lekë nëpër duar nuk do ketë. Kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpinë. Kush do që ta bëjë vetë, është i lirë ta bëjë nuk do paguajë asnjë taksë. Kjo është ajo që do bëjmë”, – deklaroi Kreu i Qeverisë. /a.sh/j.p/

Pasojat nga tërmeti, Qeveria cakton 6 milionë dollarë nga fondi rezervë Read More »

Ndryshon ligji për pajisjet mjekësore, Manastirliu: Kontroll që në doganë, më shumë siguri për pacientët

Për herë të parë regjistrimi i pajisjeve mjekësore do të kryhet përpara hyrjes së tyre në treg, duke rritur sigurinë për pacientët”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi sot në Komisionin e Shëndetësisë ndryshimet lidhur me projektligjin “Për pajisjet mjekësore”, të cilat do të sjellin një përmirësim të procedurave rregullatore të sektorit, të lidhura me prodhimin, importimin dhe regjistrimin e pajisjeve të tilla.
“Ndryshe nga më parë kur pajisjet mjekësore regjistronin pasi kishin hyrë në treg, me ligjin e ri që ne propozojmë forcohen masat në kontrollin e tregut të pajisjeve mjekësore, duke kryer procesin e regjistrimit që në doganë. Do të monitorohet i gjithë zinxhiri, deri në daljen në treg, duke filluar nga pajisjet dentare të implantueshme, deri te pajisjet mjekësore të teknologjisë së lartë”, – tha Manastirliu.
Ajo theksoi se “projektligji i ri, i cili garanton cilësinë dhe ruajtjen e standardeve më të mira mbi pajisjet mjekësore që prodhohen, importohen apo tregtohen në Republikën e Shqipërisë është përafruar me legjislacionin e BE-së”.
“Për herë të parë përcaktohet një proces licencimi për pajisjet mjekësore, që nuk ekzistonte më parë. Gjithashtu do të vendosen rregulla të mirëpërcaktuara edhe për blerjen e pajisjeve online, i monitoruar nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, – tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi theksoi se një ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e pajisjeve mjekësore që rimbursohen.
“Për herë të parë do të ketë një listë të rimbursueshme të pajisjeve mjekësore që rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, me qëllim garantimin e aksesit në ofrimin e kujdesit shëndetësor të të gjithë qytetarëve. Aktualisht ne ofrojmë rimbursimin e fishave të diabetit falas deri në 25 vjeç dhe me këtë projektligj i hapet rrugë rimbursimit të pajisjeve mjekësore, përmes një liste të mirëpërcaktuar”, – u shpreh Manastirliu.
Duke nënvizuar se në vend janë regjistruar rreth 6000 pajisje apo grupime pajisjesh mjekësore, Manastirliu theksoi para komisionit se do të merren masa për çdo subjekt që shkel ligjin.
“Janë shtuar 8 penalitete për subjektet që shkelin ligjin, duke filluar nga masat administrative me gjobë për mosdeklarim importi apo vendosjen në treg të pajisjeve në kundërshtim me ligjin, deri në revokim licence në rast të shkeljes së rregullave më shumë se një herë”, – tha Manastirliu./m.m/j.p/

Ndryshon ligji për pajisjet mjekësore, Manastirliu: Kontroll që në doganë, më shumë siguri për pacientët Read More »

HAPËSIRË – ESA: Një asteroid 370 metra do të kalojë pranë Tokës

Një asteroid me gjatësi 370 metra do të kalojë pranë Tokës në një distancë prej rreth pesë milionë kilometrash, sipas një eksperti të agjencisë hapësinore europiane, ESA.

”Asteroidi do të jetë i dukshëm nga Toka, por nuk përbën kërcënim për njerëzit’’, theksoi Detlef Koschny i agjencisë ESA, një organizatë që përfshin 22 shtete anëtare të BE-së, pjesë e eksplorimit të hapësirës.

“Asteroidet që fluturojnë brenda orbitës hënore deri në 400 000 kilometra larg Tokës të rëndësishëm për ne,” tha Koschny duke shtuar se asteroidet me një rrugë më të largët fluturimi nuk duhet të monitorohen nga ESA.

Ajo që është e pazakontë për asteroidin në fjalë është madhësia e tij.

Nga 880 asteroide të vlerësuara nga agjencia, ai është një nga 20 më të mëdhenjtë për nga diametri.

“Njerëzit do të jenë në gjendje të shohin asteroidin me një teleskop standard gjatë fundjavës”, tha Koschny./ /os/ a.jor.

HAPËSIRË – ESA: Një asteroid 370 metra do të kalojë pranë Tokës Read More »

Aeroporti i Vlorës, Rama: Më i madh dhe me standarde më të larta se i Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot në Vlorë, projektin për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, i cili do të jetë 3,2 kilometra i gjatë dhe 60 metra i gjerë.

Ky aeroport do të ketë tri shtylla kryesore: Aviacionin Civil, Cargo-n e tregtisë së mallrave dhe mirëmbajtja e avionëve.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, theksoi se aeroporti i Vlorës do të jetë më i madh se i Tiranës dhe do jetë shumë herë më shumë me standarde se ai i Rinasit.

“Më vjen shumë mirë që ne sot, kemi praktikisht gati projektin e aeroportit. Paraqitja e bërë këtu ishte një paraqitje e përmbledhur e imazhit të aeroportit, por projekti është shumë voluminoz i cili faktikisht është i gatshëm për t’u marrë në dorë nga ndërtuesi dhe për të filluar ndërtimin”, – tha Rama.

“Dua të vë theksin te një fakt që besoj është i rëndësishëm. Deri para pak vitesh, ky aeroport ishte një ëndërr shumë e hershme dhe një premtim i përsëritur rëndom në fushata elektorale, por askush nuk e besonte vërtetë se mund të vinte dita që Vlora do kishte aeroportin e saj ndërkombëtar”, – shtoi ai.

“Kjo, sepse konteksti ishte shumë i vështirë dhe ajo që unë vetë e kam kaluar si eksperiencë është që nuk kishte asnjë interes, nuk kishte investitorë apo kompani të interesuar dhe faktikisht, përpjekja e parë u bë si rezultat i një le të themi gatishmërie nga ana e qeverisë turke për të na ndihmuar, jo për arsye komerciale, por thjesht për të na dhënë një dorë për ta ndërtuar këtë aeroport”, – vijoi Rama.

“Ne u përpoqëm të gjejmë një marrëveshje me konsorciumin që erdhi në Shqipëri, që bëri vizitat e nevojshme, hartoi një projekt financiar dhe pas një negociate shumë të gjatë nuk gjetëm pikat e duhura të afrimitetit për një marrëveshje të favorshme të dyanshme, duke nisur nga kërkesat e konsorciumit se për çfarë duhet të garantonte shteti, dhe këto ishin kërkesa jashtë mundësive tona. Kjo në një kontekst ku Vlora nuk kishte marrë imazhin që ka sot dhe ku Shqipëria nuk ishte në kontekstin ku është sot në aspektin e turizmit”, – theksoi Kryeministri.

“Vlora nuk është më ajo që ishte disa vite më parë, një qytet ku edhe për vetë ata që banonin, kishin vështirësi të hynin për të shkuar në shtëpitë e tyre dhe jo më pas për të tërhequr investime të konsiderueshme deri dhe një aeroport ndërkombëtar. Patjetër, ajo që ka ndodhur me Vlorën është një histori e njohur dhe e pranuar nga të gjithë. Por, kjo nuk është fundi, por fillimi e një historie transformimi, pasi veprat e realizuara do të pasohen nga të tjera investimet dhe paralelisht me gjithë zhvillimin e akseve kryesore të sektorëve që transformojnë qytetin, duke nisur nga infrastruktura, hoteleria… etj”, – tha Rama.

“Do përpiqemi të intensifikojmë punët edhe brendapërbrenda qytetit. Unë marr shumë mesazhe nga zona e padurimit vlonjat, ku të gjithë thonë se mirë kjo e ajo është bërë, por shiko në çfarë lagje jetoj unë. Jam dakord që ka dhe lagje, zona, të cilat duhet investuar dhe i gjithë qyteti duhet të kthehet në një zonë të mikpritjes. Por sot për sot nuk është e mundur që shtëpitë në lagje të caktuara të shërbejnë për turistët, kur gjenden në kontekste antituristike, por për të ndërhyrë te kjo duhet koha e caktuar për investim. Kështu që paralelisht, ne duhet t’i bëjmë të dyja, infrastrukturën qendrore dhe atë në zonat brenda qytetit, te kjo e fundit puna i takon kryetarit të Bashkisë”, – tha Rama.

Duke folur për investimet, Kryeministri tha se “së shpejti do fillojmë pjesën e Lungomares me pikën ku është sot deri te tuneli, më pas nga tuneli deri në Orikum, e më pas drejt Llogorasë, ku ministrja po punon për tunelin e Llogorasë dhe mundësisht dhe për një marrëveshje me investitorë të mundshëm për tunelin e Llogorasë, pasi jo të gjithë kanë dëshirën të ngjiten në mal për të kaluar matanë në det”, – tha Rama.

“Më pas do ketë investime të vijimit të Lungomares te zona e Pyllit të Sodës dhe gjithashtu investimi tek porti, që do marrë formën e portit turistik. Por normalisht, qendra më e rëndësishme e gravitetit të zhvillimit është aeroporti ndërkombëtar, dhe ne sot e shohim që edhe për këtë ka jo pak shprehje interesi, aq sa dhe po shkruajnë në gazeta të huaja se kush është interesuar apo kush e ka marrë”, – tha Rama.

“Ama e vërteta është që ne akoma jemi në një proces diskutimit të brendshëm që do e mbyllim brenda pak javëve se si do funksionojmë. Tani që kemi projektin kemi opsionin e marrjes së një kompanie ndërkombëtare për ndërtimin e këtij aeroporti dhe më pas menaxhimin e tij, ose të nisim vetë investimin, pasi kemi përcaktuar në buxhet për të nisur punën për ndërtimin e aeroportit dhe pastaj për të kaluar në një garë ndërkombëtare për operimin, pasi shtetet nuk operojnë aeroporte. Vendimin do ta marrim së shpejti, duke parë se sa shprehje interesi real do të kemi, dhe se sa ky interes do i përgjigjet ambicies sonë për të hapur një garë, që i përgjigjet interesit të qeverisë sonë, se sa i takon ambicies së vlonjatëve nuk kapet ajo”, – theksoi Rama.

“Tani e di, që kur të mbarojmë takimin, do kem një mesazh, duke hyrë në Tiranë do më vijë një mesazh, ku është aeroporti, që natyrisht do kohën e tij. Prandaj duhet të kemi parasysh se nuk është vetëm aeroportit turistik, ku vetëm gjatë sezonit të verës duhet të ulen e ngrihen avionët gjatë periudhës së verës. Unë kam qenë kundra kësaj, pasi mendoj se aeroporti i Vlorës duhet të jetë shumë më shumë se kaq, pasi mendoj se Vlora duhet të ketë një aeroport shumë më të madh se aeroporti i Tiranës dhe me më shumë funksione se ai i Tiranës, me një standard shumë herë më të madh se aeroporti i Tiranës. Jo se Vlora është më e rëndësishme se Tirana, kjo nuk diskutohet, pasi Vlora është më e rëndësishme edhe se Nju-Jorku, Berlini, Parisi…”, – tha Rama. /a.g/

Aeroporti i Vlorës, Rama: Më i madh dhe me standarde më të larta se i Tiranës Read More »

Kuvendi i kafshëve (fabul në vargje) – Nga Marinela Velaj

“Kuvendi i kafshëve”
(fabul në vargje)

U mblodhën kafshët në kuvend,
vendosën të bëjnë drejtësi
kundër qenies kryeneçe
që mban emrin Njeri.

I pari mori fjalën gomari,
filloi të qahej e të ankohej:
– gjithë ditën punoj unë i ziu
por më të ligut gomar i thonë.
Gomar hajduti e dembeli,
më thoni dot: – A jam i tillë?
Gomar i thonë dhe deputetit
që shet e blen vendin e tij!
A ka gjykatë që t’i dënojë
për këto shpifje e mizori,
e për ne të ketë drejtësi?

Pas gomarit, në podium
ngjitet lepuri këmbëshpejti:
– nuk di pse çdo frikacak në këtë botë
emrin tim mban si nofkë?!
Unë jam më i shpejti nga të gjithë
por s’do të thotë se jam frikacak!
Kush mundet vallë të gjejë një zgjidhje
këto qenie kryeneçe ti frenoj?

Zbret nga podiumi këmbëshejti
dhe fjalën merr me një frymë dhia:
– Njeriu është kaq egoist
sa nuk na i di as të mirat.
Unë iu dhuroj mish, qumësht, lesh
por dhi i thonë çdo arroganteje
që s’di të sillet, të komunikojë
a thoni vallë e meritoj?
Aty dhe qengji edhe dashi
në ndihmë i erdhën të shkretës dhi,
nëse kaq negativ ne jemi
përse na zgjedhin për kurban
kur nga Zoti kërkojnë hallallin!!!

Vajtueshëm ankohet dhe lopa:
– ç’të shtoj më shumë unë e mjera,
me qumësht e mish ushqej gjithë botën
por s’kam faj se obez është bërë ky njerëzim!

– Me vezë e mish i ushqej unë,
një zë i mekur u degjua
ish zëri i pulës që ankohej
shfajsohej si të ish e dënuar.

Më pas merr fjalën kukuvajka,
nis të qaj e të vajtoj
ç’faj kam unë e mjera
që për simbol të keq më mbajnë?
Unë nuk ndjell vdekje e fatkeqësi,
çdo gjë është shkruar nga Perëndia;
sapo hap krahët për fluturim,
tmerrohet plaku e fëmija!

Po unë thotë macja turivarur
që ruaj shtëpi e hambare,
me minjtë kam hyrë në hasmëri
e për ogur të keq më mbajnë.
“Thonj e turinj si mace”
nofkë për çdo femër tinëzare!

Me lot në sy merr fjalën qeni:
– ju më njihni miqtë e mi!
Unë jam kafsha më besnike
por fjala e parë për ofendim
është pikërisht emri im.

Të gjithë njëzëri folën kafshët,
e kemi nga një të metë secili
por jo më shumë se vet njeriu
që në gjenezë krijuesin shpërfilli!
I pari mëkatar në Botë
ndaj ka sot fatkeqësi
për shkak të kësaj padrejtësie,
kurban i tyre jemi ne!

Në fund fjalën e merr luani
i përhumbur në mendime:
– keni të drejtë bijtë e mi,
Njeriu çdo rregull e ka thyer.
A mundet vallë mbreti të rrijë
i mbyllur në kafaz të hekurt?
Në këtë botë Njeriu sundon
sikur ne të mos ekzistojmë!
Duhet bërë drejtesi,
të përmbyset kjo hierarki!!!

Marinela Velaj
10/09/2019

Kuvendi i kafshëve (fabul në vargje) – Nga Marinela Velaj Read More »