Orikuminews

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”

Presidenti Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama, vendosën sot kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri”, në nderim të Dëshmorëve të Atdheut.

Në ceremoninë e nderimit, krerët e lartë të shtetit në tingujt e himnit kombëtar përkujtuan Dëshmorët e Kombit në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Në kushtet e situatës së krijuar nga COVID-19, në Varrezat e Dëshmorëve këtë vit nuk ishin të pranishëm autoritete të tjera shtetërore apo familjarë të Dëshmorëve, por vetëm u vendosën kurora nga personalitetet e larta shtetërore.

Më herët, edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha vendosi kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”, në nderim të kapiten Feti Voglit, të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga diktatura komuniste pas bombës në ish-ambasadën sovjetike, ne varrin e Dëshmorit te Atdheut Skerdilajd Llagami, i rënë në luftën për çlirimin e Kosovës si dhe u përkul me nderim përpara Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ishte në “Varrezat e Dëshmorëve” në qytetin e Elbasanit për të kujtuar në këtë 5 maj Dëshmorët e Atdheut. Balla tha se “sot kujtojmë gjithashtu edhe dëshmorët e rënë nga radhët e Forcave tona të Armatosura në misionet ndërkombëtare, dëshmorët nga radhët e Policisë së Shtetit”./atsh

Krerët e lartë të shtetit nderojnë Dëshmorët e Kombit, vendosin kurora me lule pranë monumentit “Nënë Shqipëri” Read More »

5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut

5 Maji është një datë e rëndësishme historike për shqiptarët pasi përkujtohen Dëshmorët e Kombit.

Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit janë të shumtë emrat e të gjitha kohërave që kujtohen me mirënjohje jo vetëm për vlerat e përjetshme dhe kontributin që dhanë për çlirimin e vendit për një të ardhme më të mirë, por edhe të gjithë ata që sakrifikuan jetën e tyre për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari.

Ndryshe nga vitet e tjera, për shkak të masave të marrë në luftën kundër koronavirusit sot në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut do të vendosen vetëm kurora me lule.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisën përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”.

Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut.

Në vitin 2000, u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. /atsh

5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut Read More »

Revista e njohur spanjolle: Nxitoni të vizitoni Tiranën, një nga kryeqytetet më ekzotike të Europës

Do t’ju tregojmë sot për një nga kryeqytetet më ekzotike dhe tërheqëse europiane, shkruan Cristina Fernandez Gonzalez e revistës së njohur spanjolle të udhëtimeve, traveler.es.

”Tirana është rishfaqur fuqishëm pas dekadave vuajtje nga diktatura paranojake e Enver Hoxhës. Ajo që e la Shqipërinë plotësisht të izoluar nga bota dhe që, në një farë mënyre, i jep asaj këtë rol misterioz, atë të thesarit për ta zbuluar, që sot na pëshpërit në vesh këngë sirenash.

Tirana ka diçka që të fut në kurth. Kjo ju befason dhe ju fton ta ”zhvishni” atë dalëngadalë deri sa të zbuloni se cili është thelbi i saj i vërtetë. Dhe ne jemi të gatshëm ta ”zhveshim”. Për 48 orë, jo më pak.

Dita e parë

Ora 09:30. Pas një mëngjesi të bollshëm, i denjë për kampionë, për ditën turistike që na pret, vendosëm itinerarin apo pikënisjen e çdo rruge nëpër qytet: Sheshin ”Skënderbej” dhe 40 000 metra katroret e tij që na presin.

Nga kjo hapësirë ​​e jashtëzakonshme, nderohet heroi kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili u vu në krye të luftës kundër osmanëve në shekullin XV. Statuja e tij ekuestriane dominon mbi gjithçka. Por, ky shesh është gjithashtu vendi i përsosur për të ndjerë pulsin e qytetit.

Por, gjithashtu, është vendi i përsosur për të matur pulsin e qytetit: i përshtatur për këmbësorë që nga viti 2017, nëse ndalojmë të shikojmë lëvizjen e jetës, do të shohim zotërinj të moshuar që shëtisin në kohën e lirë, të rinj me biçikletë rrugës për në vendet e tyre të punës dhe turistë të rastit duke masakruar me klikime aparatesh fotografike muralen e madhe që kurorëzon Muzeun Historik Kombëtar. Titulli i tij? Shqiptarët.

Ora 10:00. Sapo muzeu hap dyert e tij, ne jemi atje për të zbuluar dhe për të mësuar historinë e Shqipërisë. Vizita e plotë atje mund të zgjasë një jetë dhe prapë se prapë diçka do të na mungojë.

Ne bëjmë një udhëtim të shkurtër kohor që na çon nga Parahistoria në të kaluarën e tij ilire; nga pushtimi osman deri në Luftën e Dytë Botërore; nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë te, natyrisht, vitet e diktaturës së errët. Një orë e gjysmë ku pamë xhevahire si koka e Apolonit nga shekulli IV para Krishtit dhe deri te mozaiku i parë i zbuluar në Shqipëri: Bukuroshja e Durrësit.

Ora 11:30 Përsëri në shesh po hedhim një vështrim nga Banka Kombëtare, Hotel Tirana Internacional dhe Pallatin e Kulturës, me Operën në krye: ndërtesat e thjeshta, por monumentale në një stil racionalist vazhdojnë të flasin për kohët e shkuara dhe kontrastin me ato modernet, rrokaqiejt që ngrihen atje, në distancë, në sfond. Përpara nesh, Xhamia historike e Et’hem Beut nga shekulli XVIII, një nga ndërtesat më të vjetra në Tiranë. Të dy afresket e saj të jashtme dhe pikturat e brendshme janë një kënaqësi absolute.

Por, ne mund të gjejmë pamjen panoramike të sheshit edhe nga maja e Kullës së Sahatit, një tjetër nga reliket arkitektonike të qytetit, megjithëse kjo vështirë se përfshin ngjitjen në shkallët e pjerrëta dhe të ngushta në 35 metra lartësi.

Ora 12:00 Rrethinat e sheshit ”Skënderbej” vazhdojnë të na mbushin me histori të vjetra: ne hasim nëpër ato rrugë që ishin dhe akoma janë, Toptanasit, një nga familjet fisnike më të rëndësishme dhe më të pasura në Shqipëri, dhe ndërtesat e tyre të bukura.

Deri tani kemi kuptuar se Tirana është një qytet që më shumë ndihet sesa duket. Një qytet që na kërkon fort që ne ta ”gërvishtim” thellë nga brenda. Dhe për ta bërë këtë, asgjë nuk vlen më shumë sesa të vizitosh një nga mijëra bunkerët që Hoxha urdhëroi të ndërtonte në të gjithë vendin, e gjithë kjo nga frika e tij e jashtëzakonshme nga një sulm bërthamor nga armiqtë e tij.

Tirana ka dy që janë thelbësore. Për të vizituar Bunk´Art 1 do të jetë e nevojshme të kaloni disa orë, pasi ai ndodhet në periferi të qendrës historike: një kompleks i tërë, që përfshin zyra dhe dhoma gjumi për zyrtarët qeveritarë, apartamente për liderët politikë, madje edhe një kantinë, gjithsej 106 dhoma. Për afërsi dhe prakticitet, vendosim për Bunk´Art 2, ngjitur me sheshin ”Skënderbej”, që lidhej me korridore nëntokësore me Ministrinë e Brendshme, që do të kishin shërbyer në rast të ndonjë sulmi.

Përgjatë korridoreve të tij, në këtë bodrum të qytetit, fshihen deri në 24 ambiente të zymta, të shpërndara mes dhomave të marrjes në pyetje, qelitë për të arrestuarit, një dhomë dekontaminimi, një apartament luksoz për ministrin e Brendshëm dhe madje disa instalime artistike moderne.

Pamë panele informative dhe video me dëshmi, që jo vetëm na mësojnë shumë për historinë politike të Shqipërisë, por që edhe na ngritën qimet e kokës përpjetë.

Ora 14:00 Kur kuptojmë se stomaku po na kërkon ”karburant” dhe mendja diçka më të lehtë, çfarë të hamë? Ne zgjodhëm bulevardin me pemë ”Murat Toptani”, vetëm disa hapa larg, ku ndodhen edhe Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium”, kopshte rastësore dhe tarraca të ndryshme.
Në këtë zonë të qytetit, jeta rrjedh me një ritëm të ngadaltë, boritë e makinave janë larg. Më të afërtat janë cicërimat e zogjve, që rrinë pezull rreth tryezave, në pritje për të marrë çdo thërrime. Një mjedis i qetë dhe i përsosur për të ngrënë një vakt të lehtë, para se të vazhdoni rrugën.

Ora 15:30 Tani është radha e artit. Dhe rezulton se jemi pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, një monument i vërtetë i trashëgimisë kulturore dhe një botë tjetër për të eksploruar përsëri historinë e Shqipërisë, këtë herë bazuar në krijimtarinë e artistëve të saj.

Në muret e saj shpaloset një festival i tërë pikturash dhe punimesh, me të cilat mund të zbulohet realizmi socialist, deri tek mostrat shumë interesante të propagandës komuniste. Paradoksalisht, ishte pikërisht këtë herë, kur censura ishte më e rëndë, që arti njohu rritjen më të shpejtë në vend.

Çdo devijim nga arti i promovuar socialist ishte rreptësisht i ndaluar. Veprat artistike duhej të idealizonin Enver Hoxhën. Ata që guxuan të anashkalonin rregullat u ndëshkuan rëndë. Për fatin tonë të mirë, pikturat dhe skulpturat për të tani janë shfaqur në muze.

Një shënim i fundit? ”Cloud” vepra artistike shumë origjinale e arkitektit japonez Sou Fujimoto që dekoron kopshtin në natyrë që prej vitit 2016, është një nga qoshet më të mrekullueshme dhe të paharrueshme në të gjithë Tiranën.

Ora 17:30 Ne zbresim rrugën drejt një prej ikonave të kryeqytetit, por jo përpara se të kalojmë pranë kalasë së vjetër të Tiranës, pronë e familjes Toptani, që vendosi ta rimodelojë atë dhe ta hapë së fundmi. Aty gjenden restorantet bashkëkohore të kuzhinës – pastat që përgatisin te ”Luga e Argjendtë” janë spektakolare, me dyqane origjinale, të përqendruara në delikatesat kombëtare, ashtu sikurse vajrat e ullirit të prodhuar në Vorë dhe sendet origjinale artizanale.

Ora 18:30 Dhe tani, po: pas një shëtitje të shkurtër që na çon përtej lumit Lana, shkojmë te ndërtesa e Piramidës. Piramida, një sulm autentik ndaj estetikës, e realizuar nga vetë vajza e Enver Hoxhës. Ndërtimi, që gjithashtu nuk kalon pa u vënë re, u krijua për të strehuar një mauzole në nder të babait të saj, megjithatë, gjatë luftës së Kosovës, funksionoi edhe si një qendër konferencash dhe seli e NATO-s.

Sot është krejtësisht e braktisur, pa roje. Jo pak njerëz guxojnë të ngjiten në muret e saj të pjerrëta deri në majë, me gjithë rrezikun që sjell aventura. Sigurisht, ka nga ata që thonë se soditja e perëndimit të diellit nga lart është gjëja më e mirë për të bërë në Tiranë.

Ora 19:30 Dhe më në fund arritëm në lagjen në modë, Blloku, lagje ku një pjesë e madhe e nomenklatura komuniste – përfshirë edhe vetë Hoxhën – banonin gjatë viteve të diktaturës.

Ajo ishte e mbyllur për njerëzit e zakonshëm për katër dekada. Kur mbaroi diktatura dhe tiranasit më në fund ishin në gjendje të përshkonin rrugët e saj, ata gjetën shtëpi që nuk kishin asnjë lidhje me ndërtesat e stilit komunist të pjesës tjetër të qytetit.

Sot, shumica e atyre shtëpive janë shndërruar në restorante, bare, kafene të lezetshme dhe klube. Shëtisim nëpër rrugët e saj dhe shijojmë si atmosferën e gjallë, ashtu edhe tezgat e librave.

Në kohën e darkës, ne zgjodhëm ”Salt”, në rrugën ”Pjetër Bogdani”, një restorant me një stil avangard, elegant dhe të rafinuar, dizajni i të cilit në format dupleks na bën të dashurohemi.

Specializuar në kuzhinën mesdhetare, ushqim deti dhe sushi, ajo gjithashtu ka edhe një ambient për koktej. Aty gjendet edhe ”Choko” që bashkon tradicionalen me modernen në të njëjtën pjatë.

Për një pije pas darke, ”Nunu Club” ka tavolina të larta dhe një zonë tarracë ku mund të shijoni me kënaqësi cilindo nga koktejet e shijshme, në menunë tuaj.

Dita e dytë

Ora 10:00 Pas një dite të parë intensive, destinacioni i radhës ishte Pazari i Ri, megjithëse në realitet origjina e tij daton nga 1939.

Kjo hapësirë ​​ku mëngjeset janë të mbushura me atmosferë u rimodelua në fund të vitit 2018 për t’u bërë një treg më në përputhje me ato europiane. Kjo është arsyeja pse, nga mesdita, dyqanet mbyllen, por restorantet hapen aty ku ne mund të kënaqemi me të gjitha llojet e shijeve. Gjithashtu, shpesh organizohen ngjarje kulturore si festivale, koncerte dhe panaire artizan ale.

Ora 12:00 Shkojmë për shëtitje me një itinerar shumë origjinal: ai që na çon të zbulojmë të gjitha ato fasada, që ishin pjesë e një projekti karakteristik të promovuar nga ish-kryetari i bashkisë së qytetit, Edi Rama, tani kryeministër i vendit. Që nga viti 2000, ai kërkoi t’i jepte një pamje të re të gjitha ndërtesave gri të kohës së komunizmit, të shpërndara në të gjithë qytetin. Si? Duke pikturuar fasadat e tyre me ngjyra dhe figura të ndritshme.

Guidat me rrugën e shënuar janë falas dhe mund të merren në Zyrën e Turizmit pranë sheshit ”Skënderbej”. Ka edhe itinerare të arkitekturës komuniste, historisë dhe temave të tjera dhe përfshin një mori fasadash më befasuese, të shpërndara përreth qendrës historike të Tiranës.

Artistë kombëtarë dhe të huaj kanë marrë pjesë në projekt si Ann Edholm nga Stokholmi, Franz Ackermann nga Berlini ose Tala Madani, nga Irani – të cilët vazhdojnë, edhe sot, duke reflektuar krijimtarinë e tyre përmes vizatimeve origjinale dhe muraleve mbi ndërtesat.

Qëllimi? Shndërrimi i Tiranës në një galeri të vërtetë të hapur arti.

Ora 14:30 Jemi duke provuar kuzhinën tradicionale shqiptare në restorant ”Oda”, një restorant komod i vendosur në një shtëpi të vjetër, kuzhina e të cilit kombinon receta antike me propozime të tjera më moderne.

Mjedisi? Autentik. Aq shumë, sa besojmë se po drekojmë në shtëpinë e një tirani: tavolina të ulëta prej druri, dekorim disi të veçantë dhe vëmendja më e kujdesshme sigurojnë një përvojë të shkëlqyer. Në pjatë, të gjitha llojet e propozimeve me një aromë Shqipërie: Qengji i pjekur, byrek me spinaq dhe patëllxhanë të mbushur.

Ora 16:30 Është e domosdoshme të shihni Shtëpinë e Gjetheve. Ky muze, i hapur në vitin 2017, zë ndërtesën e vjetër nga epoka komuniste që shërbeu si bazë për Sigurimin, policinë sekrete shqiptare.

Në dhomat e saj tregohet gjithçka që mund të imagjinohet për procedurat dhe sistemet e spiunazhit: pajisje fotografike, sisteme regjistrimi, mikrofonë, video, intervista…

Një univers paralel që tregon, edhe një herë, që ndonjëherë realiteti tejkalon trillimet.

Ora 18:30 Vendi ideal për t’i thënë lamtumirën Tiranës, këtij qyteti që na ka treguar kaq shumë fytyra të ndryshme, është mushkëria e gjelbër e kryeqytetit: 289 hektarët e Parkut të Madh janë vendi ideal ku të shëtisësh, të merresh me sport, të peshkosh në liqenin e tij artificial ose të pushosh, i shtrirë në lëndinë, pas një ditë të ngarkuar.

Në këtë pikë, një gjë është e qartë për ne, Tirana po ndryshon me hapa të mëdha, duke u munduar të kompensojë kohën e humbur, por pa hequr dorë nga e kaluara e saj, thelbësore për të kuptuar se cila është bërë sot.

Dhe për ta zbuluar atë, bëni mirë të nxitoni, sepse kur erërat e reja të Europës ta pushtojnë, ka për të qenë vonë./atsh

Revista e njohur spanjolle: Nxitoni të vizitoni Tiranën, një nga kryeqytetet më ekzotike të Europës Read More »

Monitorime edhe me dron në luftën kundër kultivimit të kanabisit, së shpejti të tjera goditje nga OFL

Ministria e Brendshme ka një plan të qartë për luftën anti-kanabis, në kuadër të të cilës kanë nisur dhe monitorimet nga ajri, ndërsa pritet dhe përdorimi i dronëve në zonat e thella.

Zv/ministrja e Brendshme, gjatë një interviste televizive shpreh bindjen se këtë vit rezultati do jetë i shkëlqyer, ndërsa nënvizon se në fokus të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit do të jetë edhe dhuna në familje.

“Ne planin e kemi për luftën antikanabis. Është një nga prioritet të cilin unë e ndjek sepse jam dhe drejtuese e task forcës qendrore kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabasit në sajë të strategjisë 2017-2020. Unë ju siguroj se të gjitha institucionet shtetërore, jo vetëm Policia e Shtetit, ka një plan të tyre sigurisht të detajuar. Policia e Shtetit planin e harton që në janar, planin e përgjithshëm operacional, pavarësisht se kultivimi nis këtë periudhë dhe drejtoritë vendore kanë planet e tyre të detajuara, sipas zonave. Ju kujtoj se kontrolli i territorit ka kohë që ka nisur dhe fakti që u zbulua një rast i kultivimit të mbyllur, tregon se sa e vështirë është bërë për individ të ndryshëm, qoftë dhe grupe kriminale për të kultivuar jashtë dhe sigurisht në këtë prizëm, plani ynë është identifikimi i kultivimit “indor”, pra brenda në banesa apo në godina të caktuara”, – thekson Voda.

Ajo shton se janë tre janë qarqet të cilat vlerësohen si më me rrezik.

“Kontrollet kanë nisur në qarqet që ne i kemi konsideruar me rrezik, si Durrës, Gjirokastër, Shkodër, ndërsa kontrollet nëpërmjet fluturimit kanë një javë që kanë nisur, pasi më herët edhe kushtet atmosferike nuk e lejonin një gjë të tillë. U ndërprenë ditët e reshjeve, dy ditë dhe këtë javë rinisin kontrollet nga ajri. Monitorimi i Policisë së Shtetit, priret të shkojë edhe në një monitorim modern, jo vetëm me helikopterë, por edhe me dron. Këtë vit Policia e Shteti do të ketë një numër të konsiderueshëm dronësh të cilat do monitorojnë zonat e thella, ku dhe helikopterët e kanë të vështirë të kontrollojnë. Unë jam e bindur se rezultati këtë vit do jenë shumë herë më i mirë se viti i shkuar sa i takon luftës ndaj Kanabisit. Në zbatim të gjitha planeve dhe aktiviteteve që Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera që kanë ndërmarrë dhe jam besimplotë se ky vit do jetë shumë më i mirë se sa viti i shkuar dhe jo problematikë siç pretendohet se janë zgjedhjet, pasi ka ikur koha e të hidhet baltë mbi këtë aktivitet, duke e lidhur me procesin zgjedhor. Nga vitit 2017 e këtej, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit e ka pasur prioritet luftën ndaj kultivimit të kanabisit”, – theksoi zv/ministrja.

Ajo paralajmëroi se OFL pritet shumë shpejt të ketë disa goditje.

“Për sa i përket punës së OFL, në këto dy muaj, ose ndoshta dhe më pak, për shkak të situatës së COVID-19 ka pasur një ulje të operacioneve, por ju siguroj se Task Forca që funksionon pranë drejtorisë së Policisë së Shtetit është në aktivitet. Ka në përpunim materiale të caktuara dhe ju siguroj se shumë shpejt do të dëgjoni për goditje të tjera të operacionit Forca e Ligjit. Por s’mund të jap detaje. Janë emra që sigurisht janë në listën e personave me rrezik apo veprimtari kriminale, që sigurisht janë objekt i OFL”, – theksoi Voda.

Zv/ministrja e Brendshme theksoi se ka një fokus të veçantë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë sa i takon fenomenit të dhunës në familje. Sipas Vodës, ka një rritje të besimit nga ana e qytetarëve tek Policia e Shtetit në kuadër të kësaj problematike.

“Në Kuvendin e Shqipërisë kalojë dhe një paketë ligjesh për dhunën në familje. Kjo për të forcuar më shumë kuadrin ligjor i cili do t’u vijë në ndihmë organeve ligjzbatuese, ku ndër to Policia e Shtetit, që ka përballjen e parë. Pavarësisht rasteve që kanë bërë bujë, ka një porosi të veçantë nga Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Shtetit, që institucionet ligjzbatuese ta kenë në fokus këtë problematikë, ashtu siç kanë në fokus luftën ndaj kanabisit apo krimit të organizuar apo ruajtjes së mjedisit, pasi dhe ky fenomen tashmë është kthyer në fokus të policisë, ashtu dhe dhuna në familje, pra lufta kundër dhunës në familje do jetë një nga prioritetet kryesore”, – tha Voda.

“Kjo betejë është çështje mentaliteti dhe besimi, por numri i telefonatave në numrin 112 apo 129 për rastet e dhunës në familje apo në komisariatin digjital ka pasur rritje, dhe unë e interpretoj si rritje besimi. Kjo s’do të thotë se ka pasur më pak dhunë familje në vitin 2013 se sa sot. Unë them se rritja e besimit te Policia e Shtetit është dhe shkak i rritje së përgjegjësisë së policisë në trajtimin e këtyre ankesave, pasi me urdhër të ministrit kemi pasur në fokus këtë lloj krimi, duke ruajtur anonimatin dhe konfidencialitetin”, – nënvizoi Voda. /atsh

Monitorime edhe me dron në luftën kundër kultivimit të kanabisit, së shpejti të tjera goditje nga OFL Read More »

“coronavirus.al”/ Deri tani janë shëruar 531 persona të prekur nga COVID-19

Deri tani janë shëruar 531 persona të prekur nga COVID-19 në Shqipëri.

Shifrat bëhen të ditura nga adresa zyrtare e platformës “coronavirus.al”, e krijuar me qëllim informimin e qytetarëve për shifrat zyrtare, vetëm për situatën e të prekurve me COVID-19 në Shqipëri.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 531.

Po sipas shifrave të publikuar në coronavirus.al, aktualisht në vendin tonë janë 233 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Në vendin tonë deri tani janë evidentuar 795 të infektuar me COVID-19, 233 raste aktive, 531 të shëruar, 31 të vdekur, ndërsa janë kryer 8 866 teste gjithsej.

Përmes platformës coronavirus.al, qytetarët kanë mundësi të ndjekin në kohë reale të rejat nga fronti i luftës kundër COVID-19./atsh

“coronavirus.al”/ Deri tani janë shëruar 531 persona të prekur nga COVID-19 Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja, shkon në 795 numri i të prekurve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në 24 orët e fundit janë identifikuar si të prekur me COVID-19, 6 raste të reja duke e çuar numrin e të infektuarve në 795 në total.

Gentiana Qirjako, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik deklaroi se “nga 197 testimet e kryera gjatë 24 orëve të fundit për persona të dyshuar me COVID-19, janë vetëm 6 raste pozitive, që i përkasin Krujës dhe Kurbinit dhe vetëm 1 rast pozitiv në Tiranë”.

Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 795 qytetarë, por në këto momente pothuajse 67% e tyre rezultojnë të shëruar.

Gjatë 24 orëve të fundit një tjetër zonë e Shqipërisë rezulton me risk të ulët për transmetim të infeksionit, që është Fieri dhe numri total i të shëruarve shkon në 531. Sa i përket personave që aktualisht janë aktivë me COVID19, Kruja është në vend të parë me 91 raste, e ndjekur nga Tirana, Kurbini, Shkodra dhe në total janë 233 persona aktivë me COVID19./atsh

Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja, shkon në 795 numri i të prekurve Read More »

“E diel e bukur me frymëmarrje më të qetë”/ Rama: Kemi një bilanc fantastik, mos të kthehemi mbrapsht

Kjo e dielë e bukur me frymëmarrje më të qetë, do të pasohet nga lehtësime të vazhdueshme në vijim, por mbetet meraku i madh i sjelljes individuale sipas rregullave të mbrojtjes së shëndetit për veten, familjen, shoqërinë.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama teksa publikoi pamje nga shëtitja e të moshuarve dhe nënave me fëmijë sot në kryeqytet.

“Deri në daljen e vaksinës, e gjithë bota po shkon drejt një normaliteti të ri, me kufizime të arsyeshme që fillojnë nga vetëdija njerëzore e qytetare e secilit prej nesh”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kemi një bilanc fantastik deri këtu, të arritur së bashku dhe është e pajustifikueshme që të kthehemi mbrapsht, si pasojë e mungesës së vëmendjes ndaj shëndetit”.

“Kalofshi sa më mirë dhe më e mira do të bëhet, me durim, mirëkuptim, bashkëpunim, për familjet tona dhe për Shqipërinë”, – tha Rama./atsh

“E diel e bukur me frymëmarrje më të qetë”/ Rama: Kemi një bilanc fantastik, mos të kthehemi mbrapsht Read More »

“Heroizëm që nuk e gjen gjëkundi”/Helena Kadare për mjekët në spitalin Infektiv: Punë e jashtëzakonshme që na tronditi

Shkrimtarja Helena Kadare, gjatë një emisioni televiziv ka shprehur vlerësim maksimal për bluzat e bardha që janë në vijën e parë të betejës ndaj COVID-19.

Ajo shprehet se sapo të ketë mundësi do t’i përulet atyre grave, mes të cilave pashë një heroizëm që nuk gjen gjëkundi.

“Kam parë një emision “brenda COVID” dhe ishte tmerrësisht tronditës sepse pashë brenda në spitalin Infektiv ato gra e burra, kryesisht gra, ishte një punë e jashtëzakonshme, që na ka tronditur se çfarë pune bëhet atje që njerëzit nuk e dinë. Mendova se sapo të kem mundësi, të shkoj e t’i përulem atyre grave mes të cilave pash një heroizëm që nuk e gjen gjëkundi. Dëgjova dhe pashë që shefja e “Infektivit” Najada Çomo, rrinte 20 orë në spital pa pushim, me një përkushtim të admirueshëm. Përshëndes ekipin e bluzave të bardha dhe kryesisht gratë, sepse gratë shqiptare janë kurdoherë më të përkushtuarat që kam njohur në jetën time”,- tha Kadare.

“Kam dëgjuar që qytetarët i kanë respektuar rregullat aty, por ka pasur edhe nga ata të disi të papërgjegjshëm. Dëgjova një zonjë e cila thoshte ‘nuk kam frikë’, por kjo nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik për njerëzit e dashur”,- apeloi shkrimtarja Kadare. /atsh

“Heroizëm që nuk e gjen gjëkundi”/Helena Kadare për mjekët në spitalin Infektiv: Punë e jashtëzakonshme që na tronditi Read More »