Orikuminews

120 mjekë e infermierë ushtarakë, në vijën e parë të luftës kundër COVID-19

120 mjekë e infermierë të specialiteteve të ndryshme, pjesë e Forcave të Armatosura kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këto kohë pandemie.

Të angazhuar pranë Spitalit të Traumës, mjekët dhe infermierët ushtarakë kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër COVID-19, duke evidentuar rastet e reja të infektuara.

Që prej muajit mars Forcat e Armatosura ngritën çadrat e triazhit në mjediset e jashtme të Spitalit të Traumës, ku pas kontrolleve paraprake zbuluan pacientët me COVID-19, përpara se ata të pranoheshin në spital.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë takimit me efektivët e FA vlerësoi personelin shëndetësor ushtarak dhe atë civil në të gjithë vendin, për punën e palodhur dhe humane gjatë kësaj periudhe.

“Falënderim dhe një përgëzim gjithësecilit për punën e jashtëzakonshme që keni bërë. Falë punës tuaj dhe bluzave të bardha në të gjitha strukturat shëndetësore janë parandaluar probleme që mund të ishin shkaktuar si pasojë e pandemisë. E di që nuk ka qenë e lehtë, por edhe vëmendja jonë, e qeverisë, e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë tek marrja e të gjitha masave, për trajtimin dhe për kushtet në mjedisin tuaj të punës dhe fatmirësisht nuk kemi pasur probleme”, -nënvizoi Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “një gjë është e sigurt, që me punën tuaj të jashtëzakonshme me kurajon dhe profesionalizmin që karakterizon gjithësecilin, ia keni dalë më së miri të parandalojmë probleme të tjera që mund të kishim pasur, nga çadrat e triazhit e deri brenda në spital ku vijon i gjithë procesi”.

Në Spitalin e Traumës shërbejnë 120 mjekë dhe infermierë ushtarakë të specialiteteve të ndryshme, ndërkohë që Njësia e Mjekësisë Ushtarake mbetet në gatishmëri për çdo emergjencë, kudo ku mund të kërkohet.

Në çadrat e triazhit të ngritura nga Forcat e Armatosura pranë Spitalit të Traumës janë kryer 1296 kontrolle paraprake që prej muajit mars kur këto cadra u ngritën./atsh

120 mjekë e infermierë ushtarakë, në vijën e parë të luftës kundër COVID-19 Read More »

“Maji, muaji deciziv për Reformën Zgjedhore”/Gjiknuri: Të zbatojmë një Kod Zgjedhor sipas standardeve të ODHIR

Nëse do ketë revolucion sa i takon procesit zgjedhor është depolitizimi i procesit, pra partitë të heqin dorë nga menaxhimi i procesit.
Kështu u shpreh Damian Gjiknuri, bashkëkryetar në Komisionin e Reformës Zgjedhore gjatë një interviste televizive, ku ndër të tjera theksoi se, “maji është muaji deciziv që ne të arrijmë marrëveshjen por jo se nuk kemi bërë progres. Ka pasur edhe një ekspertizë të ODHIR. Ka pasur edhe çështje sa i takon kompozimit të administratës zgjedhore të cilat kanë mbetur pa kompromis”.
“Ky komision nuk ka mandat të trajtojë çështje të qeverisë teknike. Nëse është kërkesë teknike t’ja kërkojnë Edi Ramës se nuk e kam unë mandatin për këtë. Gjërat që nuk i merr dot në rrugë nuk i arrin dot me negociata. Axhenda e reformës zgjedhore nuk ka elementë të qeverisë teknike. Është një gjë jashtë mundësive të mia dhe mandatit tim”- tha ai.
Sipas tij, për çështjen e sistemit zgjedhor, PD nuk ka ndonjë propozim për këtë.
“Te vetmet propozime janë nga grupime të ndryshme deputetësh brenda opozitës parlamentare. Ne e kemi thënë që jemi gati të zbatojmë një Kod Zgjedhor në përputhje me standardet e ODHIR”- tha Gjiknuri. /atsh

“Maji, muaji deciziv për Reformën Zgjedhore”/Gjiknuri: Të zbatojmë një Kod Zgjedhor sipas standardeve të ODHIR Read More »

Mjeku Kalo: Hapja e domosdoshme, zbatimi i këshillave të mjekëve kyç për fitoren ndaj COVID-19

Mjeku infeksionist, Tritan Kalo kërkon që qytetarët të zbatojnë këshillat e mjekëve, pasi vetëm kështu do fitohet beteja ndaj COVID-19.

Duke përshkuar ditën e 100 të përballjes së mjekëve në vijën e parë të frontit me koronavirusin, Kalo thekson se rihapja e jetës është shumë e rëndësishme, por shton rrezikun e kontaktit me personat e infektuar.

“Dita e 100-të e Punës në vijimësi, fillimisht asaj përgatitore dhe pas 8 Marsit 2020, ditës së konfirmimit zyrtar të 3 rasteve të para, në përballjen direkte me të sëmurët e hospitalizuar me Sars-Cov2/Covid-19….100 ditë të pashkëputura nga njëra tjetra prej pauzave fundjavore…..Pas kontaktit që herët në mëngjes me të sëmurët vijon dita me një bisedë në sheshin para Urgjencës së Shërbimit Infektiv/ Covid-1 me kolegët, kuptohet duke respektuar distancimin fizik…Puna në grup është kyçi i artë i suksesit në situata të tilla dhe jo vetëm…..Punonjësit e Rendit janë aty 24 orë rresht, që nga dita e parë dhe ata kurdoherë përkujdesen, për ruajtjen e rregullave të karantinimit të këtij objekti”,- u shpreh Kalo

Sipas tij, kënaqësinë ditës ia shtoi dalja e Besnikut dhe rikthimi i tij në Shkodrën-loce.

“Pacient shembullor në durimin dhe forcën e tij në përballjen jo pak sfiduese me këtë sëmundje, si dhe mjaft fisnik në mirënjohjen e shprehur ndaj përkujdesit tonë”, u shpreh mjeku.

Apeli i tij shkon për qytetarët.

“Hapja e domosdoshme dhe graduale e vendit, rigjallëron si mendjet edhe energjitë tuaja fizike, i jep oksigjenim ekonomisë, ul papunësinë si dhe përmirëson gjendjen financiare të gjithkujt, por kjo hapje shton edhe rrezikun e kontaktit me personat ende të infektuar asimptomatik me Sars-Cov2/Covid-19….Kujdes dhe vetëm Kujdes…Vijoni të respektoni veten dhe ata që gjallërojnë rreth jush….”,- vijoi ai.

“Zbatoni pa asnjë hezitim këshillat tona….Jeta do vijojë por në kushtet kur jo gjithçka mundet të jetë si më parë…..Ju lutem….Mos u shqetsoni apo brengosuni aspak për faktin se vëreni në TV, shtypin e shkruar apo në rrjetet shoqërore dukurinë se: MirëË që Covid-19 po “ngordh” pak-nga pak, por ç’dreqin kanë këta gjithollogët analistë, që nuk po na lënë rehat. Me mirëkuptim dhe me mirëbesim reciprok, ne me siguri do ia dalim të fitojmë ndaj sfidës COVID-19!!!”,- përfundoi Kalo. /atsh

Mjeku Kalo: Hapja e domosdoshme, zbatimi i këshillave të mjekëve kyç për fitoren ndaj COVID-19 Read More »

Banesa e arkitektit dhe piktorit Maks Velo shpallet “Monument Kulture”

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti firmosi sot shpalljen “Monument Kulture”, të banesës së Maks Velos.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore vendosi të shpallë “Monument Kulture të Kategorisë II”, banesën e intelektualit, piktorit, arkitektit dhe shkrimtarit, Maks Velo, në rrugën “Hoxha Tahsin”, në respekt të figurës dhe kontributit të dhënë përmes artit, profesionalizmit, dëshmisë dhe mendimit të lirë.

Në bashkëpunim edhe me pronarët e banesës, të cilët duhet të respektojnë të drejtat dhe detyrimet, që përcakton ligji nr. 27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, i hapet udhë muzealizimit të shtëpisë së Maks Velos, që garanton ruajtjen të pacenuar të trashëgimisë intelektuale dhe artistike e tij.

Tanimë, janë institucionet përkatëse të trashëgimisë kulturore, nën varësinë e Ministrisë së Kulturës, që do të kujdesen dhe do të përcaktojnë masat që duhen marrë, për vënien në mbrojtje të këtij objekti.

Maks Velo u nda nga jeta në datën 7 maj 2020, në moshën 84-vjeçare.

I nderuar me titullin “Mjeshtër në Arkitekturë”, Maks Velo ka projektuar disa objekte jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet të tjera të vendit; është autori i një numri të madh pikturash, të ekspozuara në Shqipëri e jashtë vendit. Përmes një serie veprash letrare, memuaristike e dokumentare ai është një dëshmitar i dorës së parë i një periudhe të errët të historisë së vendit tonë, si një i mbijetuar i burgjeve të komunizmit./atsh

Banesa e arkitektit dhe piktorit Maks Velo shpallet “Monument Kulture” Read More »

Nëse situata e pandemisë do të jetë e qëndrueshme, çerdhet dhe kopshtet hapen në 1 qershor

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një komunikimi për mediet sot, theksoi se nëse situata do të jetë e qëndrueshme, çerdhet dhe kopshtet hapen nga 1 qershori.

Manastirliu theksoi se “sipas planit në tentativë, nëse të dhënat do të jenë të qëndrueshme, bazuar në kriteret e përcaktuara nga Komiteti Teknik, nga data 1 qershor po planifikohet të lejohet hapja e çerdheve dhe e kopshteve publike dhe private”.

“Dëshiroj të ndalem këtu, duke theksuar nevojën e një vlerësimi të thellë dhe shumë të kujdesshëm të kushteve higjieno-sanitare për çdo strukturë të kopshteve dhe çerdheve dhe standardeve që duhet të plotësojnë për të mirëpritur fëmijët në këto institucione me rregullat e reja. Protokollet e sigurisë do të bëhen të njohura në ditët në vijim, ku dhe do të ngarkohen për zbatim të gjithë institucionet përgjegjëse për plotësimin e tyre deri në këtë datë”, tha Manastirliu. /atsh

Nëse situata e pandemisë do të jetë e qëndrueshme, çerdhet dhe kopshtet hapen në 1 qershor Read More »

“Komiteti Teknik me ekspertët më të mirë të shëndetësisë”/ Rakacolli: U ngrit që në 31 janar

“Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e COVID-19 është është ngritur që më 31 dhe se është ngritur në përputhje me ligjet e vendit”, deklaroi zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherësh kryetare e këtij Komiteti, Mira Rakacolli.

Gjatë një interviste televizive, Rakacolli theksoi se ky komitet është tërësisht teknik dhe me ekspertë dhe nuk ka asnjë lidhje me politikën.

“Ky Komitet teknik nuk është në shkelje të ligjit sepse krijimi i këtij Komiteti është bërë në përputhje me ligjin ku Ministria e Shëndetësisë ngre organe kolegjiale këshilluese të ndryshëm dhe kjo përcaktohet në ligj. I tillë është edhe ky Komitet Teknik i antiCovid, nuk është komitet politik, por një Komision ekspertësh nga më të mirët dhe kam kënaqësi që punoj me ta”, u shpreh ajo.

Rakacolli tha se ky Komitet është ngritur që me 31 janar kur OBSH e shpalli COVID-19 si emergjencë botërore.

“Atëherë u ngrit menjëherë komiteti për të marrë masat dhe ndjekur dinamikën e situatës në botë dhe për të marrë masa që nëse do shfaqej në Shqipëri si duhet vepruar”, tha Rakacolli./atsh

“Komiteti Teknik me ekspertët më të mirë të shëndetësisë”/ Rakacolli: U ngrit që në 31 janar Read More »

8 qarqe mbyllin betejën me pandeminë/ Beteja përqendrohet në qarqet Tiranë, Shkodër dhe Durrës

Tetë qarqe të vendit e kanë mbyllur betejën me valën e pandemisë, ndërsa në tre qarqe të tjera, Tiranë, Shkodër dhe Durrës përqendrohet lufta për mbylljen e saj.

Akademia e Shkencave shprehet në buletinin e përditshëm se sfida me pandeminë në vendin tonë është konturuar qartë në tre qarqe: Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

“Në këto tre qarqe rezultojnë sot 189 të sëmurë aktivë, nga 206 në tërë Shqipërinë. Tetë qarqe janë tashmë të çliruar, dhe i nënti, qarku i Lezhës, me 86 për qind të të sëmurëve gjithsej tashmë të shëruar, është fare pranë”, thuhet në buletin.

Edhe humbjet në jetët njerëzore, sipas këtij buletini, kanë qenë kryesisht në këto tre qarqe, ku numri i të ndarëve nga jeta për shkak të pandemisë është gjegjësisht 18 në Tiranë, 6 në Durrës dhe 2 në Shkodër.

Në Fier numri i jetëve të humbura është 3, ndërsa Vlora e Kukësi kanë regjistruar nga një humbje jetë. Në qarqet e tjera nuk ka pasur asnjë humbje.

“Ritmi i rritjes ditore të të sëmurëve në nivelin 1.2% në Tiranë e në shkallë vendi flet për një trend pozitiv. Ky tregues, tashmë nën 3% edhe në Krujë, tregon për frenimin e kësaj vatre dhe futjen e saj në fazën e uljes së sëmundshmërisë”, thuhet në buletinin e shpërndarë nga Akadamia e Shkencave./atsh

8 qarqe mbyllin betejën me pandeminë/ Beteja përqendrohet në qarqet Tiranë, Shkodër dhe Durrës Read More »

615 vite nga lindja e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar

Si sot 615 vjet më parë lindi Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai lindi më 6 maj 1405 në Dibër.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti solli në vëmendje figurën e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili lindi 615 vite më parë. “E kujtojmë me grupin skulpturor “Skënderbeu dhe populli”, në Muzeun Historik të Krujës, realizuar nga mjeshtri Janaq Paço dhe skulpturori Genc Hajdari”, thotë ajo.

Anëtar i familjes fisnike të Kastriotëve, ai u dërgua si peng në oborrin perandorak osman, ku u arsimua dhe hyri në shërbim të sulltanit për njëzet vitet e ardhshme. Ai u ngrit sipas gradave, duke kulmuar në emërimin si sanxhakbej i Sanxhakut të Dibrës në vitin 1440. Në vitin 1443, ai i braktisi osmanët gjatë betejës së Nishit dhe u bë sundimtar i Krujës, Sfetigradit dhe Modriçit. Në vitin 1444, ai u emërua prijës i Besëlidhjes së Lezhës, që bashkoi fisnikërinë shqiptare në territorin ku sot shtrihet Shqipëria.

Përkundër vlerave të tij ushtarake, ai nuk ishte në gjendje të bënte më shumë se sa të mbante zotërimet e tij brenda një treve shumë të vogël në Shqipërinë e Veriut, ku ndodhën pothuajse të gjitha fitoret e tij kundër osmanëve. Skënderbeu zhvilloi luftë mbrojtëse, dhe për 25 vjet, nga viti 1443 deri në vitin 1468, ushtria 10 000-anëtarëshe e tij luftoi e fitoi kundër forcave osmane, të cilat ishin vazhdimisht më të mëdha dhe më të furnizuara, gjë për të cilën fitoi admirim edhe në Europën Mesjetare.

Në vitin 1451, Skënderbeu nënshkroi një traktat me Alfonsin e Napolit për të siguruar një aleancë mbrojtëse, edhe pse ai mbeti një sundimtar de facto i pavarur. Në vitet 1460–61, ai mori pjesë në luftërat civile të Italisë në mbështetje të Ferdinandit I të Napolit. Në vitin 1463, ai u bë komandanti kryesor i forcave kryqtare të papa Piut II, por papa vdiq ndërsa ushtritë ende po mblidheshin. Së bashku me venedikasit ai luftoi kundër osmanëve gjatë Luftës osmano–venedikase të viteve 1463–79, deri në vdekjen e tij në janar të vitit 1468.

Aftësitë ushtarake të Skënderbeut përbënin një pengesë të madhe për zgjerimin osman, dhe ai u konsiderua nga shumë njerëz në Europën Perëndimore si një model i rezistencës së krishterë ndaj myslimanizmit. Sot, ndër shqiptarë, Skënderbeu njihet si heroi kombëtar i tyre, trashëgimia e të cilit është e dukshme në të gjithë trevat shqiptare./atsh

615 vite nga lindja e Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar Read More »