Orikuminews

Policia intensifikon kontrollet në Vlorë: Penalizime për qytetarët që shkelin masat

Policia Vlorës ka intensifikuar kontrollet e saj për zbatimin nga ana e qytetarëve dhe bizneset masave dhe protokolleve të caktuara për mos përhapjen e koronavirusit.

Artion Duka, Kreu i Policisë së Vlorës, në një prononcim për mediat ka bërë të ditur se kontrollet do intensifikohen, veçanërisht nëpër lokale dhe bare.

“Siç dhe jeni në dijeni edhe qyteti i Vlorës është bërë një nga pikat e nxehta për sa i përket situatë së COVID-19. Policia ka shtuar masat për kontrollin dhe zbatimin e rregullave për aktin normativ të dalë nga kjo situatë. Ne kemi dalë për të parë nëse respektohen rregullat, distancimi fizik, masat që duhen marrë për mbarëvajtjen e jetës së qytetarëve”,- tha Duka.

“Dua t’i bëjë apel qytetarëve të Vlorës, ne si qytetarë duhet t’i shmangim në maksimum grumbullimet. Ne si Polici kemi marrë përsipër të mos i lejojmë këto lloj grumbullimesh. Është përgjegjësi individuale nëse do tentojnë të grumbullohen dhe ne do zbatojmë ligjin me rigorozitet”,- tha Duka.

“Qytetarët e Vlorës duhet të ruajnë distancim fizik në ceremonitë mortore, pasi duke nisur nga sot do i monitorojmë dhe këto ceremoni. Do zbatojmë me rigorozitet aktin normativ. Ne do i japim një autorizim për mjete që do shoqërojnë të ndjerin”,- tha më tej Duka.

“Doja t’i bëja thirrje personave të infektuar dhe familjarëve të tyre, që janë në shtëpi, të respektojnë mos daljen nga banesa dhe të respektojnë karantinimin. Ne kemi të gjithë emrat dhe kontaktet. I kemi bërë thirrje të mos dalin dhe të respektojnë rregullat e karantimit. Kemi bashkëpunuar dhe me bashkinë e Vlorës për t’i dërguar ushqime me qëllim për të eliminuar daljen e tyre nga banesa”,- tha Kreu i Policisë së Vlorës.

“Sa i takon kontrolleve në bare e lokale, ne në këtë rast, jemi forcë mbështetëse e inspektorateve që kanë për detyrë monitorimin e këtyre aktiviteteve. Të gjithë bar kafet me ambientet e mbyllura nuk do të funksionojnë. Ato të hapura duhet të respektojnë distancimin fizik. Kjo gjë s’bëhet vetëm me urdhër, por duhet dhe sensibilizim për distancimin fizik. Tani jemi futur në një pikë rreziku për situatën COVID-19. Qyteti i Vlorë nuk është më vetëm me një vatër, por ka disa vatra dhe nuk përcaktojmë dot një zonë apo një tjetër. I kemi në monitorim çdo ditë të gjitha zonat dhe të gjithë qytetin për respektimin e masave”, -garantoi Kreu i Policisë së Vlorës, Artion Duka./atsh

Policia intensifikon kontrollet në Vlorë: Penalizime për qytetarët që shkelin masat Read More »

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen”/ Fati i luftës vendoset nga vetë qytetarët

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “numrat e të infektuarve me COVID-19 në Shqipëri janë shqetësues, por ende nën kontroll”, ndërsa u bëri thirrje bizneseve dhe qytetarëve të respektojnë protokollet e sigurisë së shëndetit.

Rama tha se “testimet janë rritur dhe përpjekja në frontin e shëndetësisë vazhdon njësoj me përkushtim, angazhim total e heroik të mjekëve dhe infermierëve”.

Ai theksoi se “gatishmëria jonë rritet me shtimin e investimeve dhe mjeteve, por ama fati i kësaj lufte vendoset nga qytetarët jo nga bluzat e bardha, por si dhe sa i bën detyrat e thjeshta çdo individ, respekti për protokollet e çdo biznesi dhe distancimi social në kushtet e këtij normaliteti”.

“Shumë prej jush thanë se kjo është lojë politike, konspiracion ndërkombëtar, thanë se këtë e bëja unë se jam diktator, autokrat, se kisha frikë nga protesta e ku di unë për sa të tjera. Por nuk i vë faj asnjërit prej jush që u mërzit e u nervozua nga ajo mbyllje e madhe; kujtdo që donte të shkonte në punë, të kthehej në normalitet, e as atyre prej jush që gjithnjë e më shumë me kalimin e javëve kujtuan gabimisht se rezultati fantastik që arritëm në fazën e parë nuk lidhej as me masat që morëm dhe as me sakrificën që gjithë shqiptarët bënë. Nuk u vë faj as atyre që në politikën e tyre ‘hip se të vrava, zbrit se të vrava’ dhanë mesazhe dhe shembuj skandalozë me fjalët dhe tubimet rrugëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kur vendosëm javë pas jave të heqim masat dhe ta lirojmë përfundimisht lëvizjen, punën, ndërveprimin ishim të qartë se hapja do të sillte me vete rrezikun e harresës”.

Por, vijoi ai, “bëmë gjënë e duhur dhe, do ta ribënim përsëri sikur të ktheheshin aty ku ishim. E bëmë në kohën e duhur, duke bërë edhe protokollet e duhura për të gjithë”.

Kryeministri tha se “isha dhe jam dakord me shumëkënd që kërkonte gjithnjë e më shumë, ditë pas dite, javë pas jave, kthimin në normalitet, duke thënë përditë e më shumë se shëndeti i ekonomisë familjare nuk mund të dobësohej përtej një pike të caktuar”.

“Kemi zgjedhur me vetëdije rrugën e këshillimit dhe mirëkuptimit, jo të ndëshkimit dhe as të mbylljes së bizneseve që nuk respektojnë një për një protokollet e sigurisë. Kemi dashur të jemi mirëkuptues dhe t’ia lehtësojmë hallin. E kemi ditur dhe e kemi thënë se numrat do të rriteshin, pasoja më e natyrshme pas hapjes në të gjitha vendet, ku më shumë e ku më pak”, tha Rama.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Rama tha se “kemi kërkuar vijimësisht të mirëkuptoni nevojën për një solidaritet të ri në respektimin e rregullave”.

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen, nëse qytetarët nuk bëjnë detyrën e tyre të thjeshtë. Unë nuk kam ndryshuar mendim: ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukën e gojës në Shqipëri nuk ka vdekur askush, por është po kaq e vërtetë edhe tjetra, një mbyllje tjetër do të ishte dërrmuese për Shqipërinë, çdo familje dhe për burimet e energjisë së rimëkëmbjes”, tha Rama.

Por, Kryeministri theksoi se “nëse do të vazhdojmë kështu fatkeqësisht do të na duhet të rimbyllemi dhe do të na duhet të përballojmë me shumëfish sëkëlldinë që provuam dhe pasojat e plagëve që morëm nga mbyllja e parë”.

“Nuk dua ta zgjas me atë që do heqim po u rimbyllëm. Kam bindjen se ne jemi në kohë, e kemi vetë në dorë ta kontrollojmë rikthimin e armikut të padukshëm që nuk ka ikur asnjë ditë dhe është aty kudo”, tha Rama. /atsh

“Me policë e ushtarë kontrollon mbylljen, por nuk mund të disiplinosh hapjen”/ Fati i luftës vendoset nga vetë qytetarët Read More »

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare, akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo

Akademiku, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo është ndarë sot nga jeta në moshën 71-vjeçare pas sëmundje të rëndë.

Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Pasi mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës më 1971 në degën gjuhë-letërsi, do të niste punën si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita”.

Në vitet 1979-1987, Zeqo punoi pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, e më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Më 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1991 u zgjodh deputet i PS dhe shërbeu deri më 1996. Më pas, do të shkëputej nga politika dhe do të zgjidhej drejtor në Muzeun Historik Kombëtar.

Moikom Zeqo ka lënë pas rreth 100 tituj librash në poezi, prozë, eseistikë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe një numër skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor.

Veprat e tij janë përkthyer më disa gjuhë të huaja, anglisht, esperanto, gjermanisht etj.

Historiani Zeqo është vlerësuar me Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”./atsh

Ndahet nga jeta në moshën 71-vjeçare, akademiku dhe shkrimtari Moikom Zeqo Read More »

Shtimi i infektimeve me COVID-19/ Apeli i Shëndetësisë: Ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët, të jenë të kujdesshëm

Numri i lartë i infektimeve me COVID-19 brenda 24 orëve ka bërë që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të sugjerojë punën nga shtëpia si mënyrë alternative për frenimin e përhapjes së COVID-19.

Në komunikimin e përditshëm, ministria e Shëndëtësisë ka sugjeruar “nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka rekomanduar bizneset, institucionet, kompanitë, kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e COVID-19″.

“Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar, qoftë edhe pa shenja, duhet të izolohet dhe se thyerja e karantinës është e dënueshme pasi rrezikon shëndetin e qytetarëve. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për personat e prekur nga COVID-19”, u shpreh ekspertja Daja.

Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja i ka kujtuar subjekteve tregtare të shërbimit përdorimin e masave apo barrierave mbrojtësë të detyrueshme me ligj.

“Një kujtesë edhe për subjektet tregtare të shërbimit: maska apo barrierat mbrojtëse janë të detyrueshme dhe çdo shkelje do të dënohet sipas ligjt në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kërkon edhe njëherë ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave të distancimit fizik dhe higjienës personale.

Inspektoret e taskforcës anticovid do të ndëshkojnë çdo subjekt që thyen rregullat e vendosura.

“Edhe një herë ju drejtohemi qytetarëve: Jemi ende në luftë me një armik të padukshëm dhe këtë luftë mund ta fitojmë të gjithë së bashku duke zbatuar disa rregulla të thjeshta, qëndroni në distancë fizike, lani duart, përdorni maska në ambjente të mbyllura”, u shpreh ajo

“Lidhuni me mjekun tuaj të familjes nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40, për informacion rreth Covid19. Nëse keni shenja të sëmundjes, qëndroni të izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare, 127”, apeloi Ministria e Shëndetësisë./atsh

Shtimi i infektimeve me COVID-19/ Apeli i Shëndetësisë: Ndërgjegjësim nga vetë bizneset dhe qytetarët, të jenë të kujdesshëm Read More »

Testi i Maturës Shtetërore 2020, i mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar

Testi i Maturës Shtetërore 2020 është mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar, bëri të ditur sot Qendra e Shërbimeve Arsimore.

Në lidhje me pretendimin e ngritur për “pyetje jashtë programit”, Qendra përmes një deklarate për shtyp informoi se nuk ka asnjë pyetje jashtë këtij programi.

“Ftohen nxënësit të sjellin pranë QSHA ankesat konkrete për pyetjet që mendojnë se janë jashtë këtij programi në mënyrë që të adresohen duke i hequr nga vlerësimi. Në lidhje me cut-off-in, në përfundim të marrjes së rezultateve, QSHA do të shikojë kurbën e shpërndarjes së pikëve. Bazuar mbi këtë kurbë, nëse do të vihet re zhvendosje të saj (në rast se ka pasur ndonjë grup pyetjesh me një shkallë më të lartë vështirësie), atëherë do të shikohet mundësia e rishpërndarjes së peshave të pikëve në test”, thuhet në deklaratën e QSHA-së.

Sipas QSHA-së, i gjithë ky proces do të analizohet profesionalisht dhe në mënyrë të kujdesshme nga specialistët e fushës në mënyrë që të bëhet më e mira për maturantët.

“Njëkohësisht, duam të shprehim se testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe mënyra se si hartohet përjashton çdo mundësi që të ketë gabime – qoftë në përmbajtje dhe qoftë në përfshirjen e koncepteve jashtë programit”, thuhet në deklaratë.

Për sa i përket dy (2) testeve të ardhshme të Maturës Shtetërore, QSHA thotë se ata do të jenë me kohëzgjatje 2.5 orë dhe me alternativa.

QSHA vlerëson se edhe kohëzgjatja prej 2 orësh e parashikuar në fillim është më se e mjaftueshme në zhvillimin e provimit./atsh

Testi i Maturës Shtetërore 2020, i mbështetur tërësisht mbi programin e reduktuar Read More »

Festa e Shën Ndout/ Bashkia Kurbin me plan të detajuar masash, apel për respektimin e rregullave kundër COVID-19

Duke parë situatën dhe zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e COVID-19, por edhe pritjen e një fluksi të madh pelegrinazhi në Kishën e Shën Ndout me rastin e festës së 13 Qershorit, bashkia e Kurbinit në bashkëpunim edhe me institucione të tjera vendore ka përgatitur një plan të detajuar masash.

Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Shërbimi Shëndetësor Vendor, Zjarrfikësja etj., do të funksionojnë me shërbime të përforcuara përgjatë periudhës 12-13 qershor me qëllim përballimin e numrit të madh të pelegrinëve që priten në këto dy ditë.

Bashkia njoftoi se “është i ndaluar kategorikisht transporti publik me mjete si autobusë apo furgonë drejt Kishës së Shën Ndout dhe lëvizja do të bëhet vetëm me automjete private ose në këmbë”.

Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara u bëri thirrje të gjithë banorëve të Kurbinit dhe pelegrinëve të shumtë që vijnë nga vende të tjera, për respektim rigoroz të distancimit fizik dhe përdorimin e maskave/dorezave apo dezinfektantëve pasi një ditë pelegrinazhi dhe lutjesh mund të kthehet në një vatër infektimi.

Gjithashtu, ajo tha se “është shumë e rëndësishme ruajtja e higjienës personale, por edhe mosndotja e mjediseve publike me ambalazhe e mbetje të ndryshme”.

“13 Qershori është një ditë feste dhe paqeje dhe jam e bindur se, me bashkëpunimin tuaj, si e tillë do të kalojë”, tha Cara. /atsh

Festa e Shën Ndout/ Bashkia Kurbin me plan të detajuar masash, apel për respektimin e rregullave kundër COVID-19 Read More »

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Mjekja e Infektivit apel qytetarëve: Më shumë kujdes, zbatoni masat mbrojtëse

I gjithë stafi mjekësor i spitalit Infektiv është në vijën e parë në përballje me pacientët e prekur nga COVID-19, duke ju gjendur pranë jo vetëm si mjekë, por edhe si familjarë, të cilët nuk kanë mundësi t’i shohin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot apelin e dr. Esmeralda Metës, mjeke e përkushtuar ditë-natë në shërbim të të sëmurëve, e cila bën thirrje për më shumë kujdes nga të gjithë qytetarët.

“Natyrisht puna është mjaft e madhe brenda shërbimit. Ne luajmë rolin e stafit mjekësor, por nga njëra anë edhe të familjarit ndoshta, deri diku, jo 100% për pacientin, sepse i ofrojmë edhe suportin emocional, suportin shpirtëror apo edhe nevojat e tjera që mund t’u duhet pacientëve”, tha ajo.

Sipas dr Metës, “shtimi i numrit të rasteve ka rritur edhe nivelin e frikës apo panikut te pacientët apo te familjarët e tyre, ndaj rikujtojmë sërish kujdesin”.

Edhe ministrja Manastirliu bëri edhe një herë një kujtesë mbi masat mbrojtëse. “Të lajmë sa më shpesh duart. Të ruajmë distancën me njëri-tjetrin. Të mbajmë maskë në ambiente të mbyllura ku nuk është e mundur të respektohet distancimi fizik. Lidhuni me mjekun tuaj të familjes ose telefoni Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse keni shenja të sëmundjes”, tha Manastirliu./atsh

Shtimi i rasteve me COVID-19/ Mjekja e Infektivit apel qytetarëve: Më shumë kujdes, zbatoni masat mbrojtëse Read More »

“Mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD”/ Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë për të përhapur një gënjeshtër të madhe

Janë afro çerek milion punonjës që do të marrin deri në mesin e këtij muaji ndihmën financiare të akorduar nga qeveria, pasi u prekën në punën e tyre për shkak të situatës së krijuar prej COVID-19.

Kryeministri Edi Rama duke iu përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për paketën e tretë të ndihmës ndaj bizneseve deklaroi se “në fund të majit Shqipëria u rihap dhe u rikthye në normalitet. Pagesat vazhdojnë dhe do të mbyllen 100% për afro çerek milion punonjës”.

Kreu i qeverisë publikoi sot një video të nxjerrë nga PD-ja, për të cilën shprehet se gjysmë të vërtetat janë gënjeshtra të mëdha dhe që të ruheni prej tyre mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD&Co.

Rama thekson se qeveria do të jetë gati për paketën e tretë, duke parë dinamikën e situatës, si dhe do iu gjendet pranë atyre në nevojë.

“Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë nga goja e tjetrit, për të përhapur një gënjeshtër të madhe ndaj tij. Gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha”, theksoi Rama.

PD publikoi videon ku kryeministri Rama është shprehur në 13 prill të këtij viti se “në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj”.

Në përgjigje, pasi ndau videon e shpërndarë nga PD, kryeministri Rama publikoi të plotë fjalën e mbajtur në 13 prill ku ka theksuar se “paketa e parë i ndihmoi të goditurve të valës së parë të biznesit të vogël. U akordua një ndihmë që vazhdon lëvrohet çdo ditë, pasi verifikimit nga tatimet. Sot pasi e kemi ndjekur me vëmendje çdo ditë dinamikën në të dyja frontet është momenti ta zgjerojmë paketën. Kjo paketë e zgjeruar do të mbështesë përveç atyre të parëve plot 176 mijë të tjerë. Por, në të gjitha rastet ne jemi gati dhe do të jemi gati për paketën e tretë mes datave 20 dhe 25 maj duke parë gjithmonë dinamikën në të dyja frontet dhe përsëri do të jemi në gjendje t’i gjendemi pranë të gjithë atyre që nuk do të kenë të ardhura nga puna në atë moment për shkak të pamundësisë së daljes nga perimetri i rrethimit mbrojtës”.

Rreth 250 mijë persona kanë përfituar nga të dy paketat ekonomike të qeverisë në mbështetje të qytetarëve për shkak të COVID-19./atsh

“Mos i gëlltisni kurrë pa përtypur produktet e LBPD”/ Mjafton të nxjerrësh gjysmën e një fraze të vërtetë për të përhapur një gënjeshtër të madhe Read More »