Irina

Rama me Pacollin pranë banorëve të prekur nga tërmeti në Krujë: “Ka nisur puna për projektin e pallateve të reja”

Kyeministri Edi Rama, i shoqëruar nga zv. kryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni si dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor, vizitoi mbrëmjen e së enjtes, banorët e prekur nga tërmeti në qytetin e Krujës, ku bëri të ditur se, ka nisur puna për të bërë projektin e pallateve të reja që do të ndërtohen.

Banorët i treguan kryeministrit që inspektorët e huaj, pas verifikimit të banesave kanë konstatuar 6 pallate me probleme në strukturë dhe që janë për t’u shembur. Ndërsa objektet e tjera kanë dëmtime që mund të riparohen.

“Do të gjejmë një zonë për t’i ndërtuar të gjitha bashkë këto pallate, që janë konstatuar për t’u prishur”- tha Rama, ndërsa iu drejtua Pacollit se në rastin konkret përveç donacionit që ka dhënë, mund të kontribuojë edhe vetë drejtpërdrejt me kompaninë e ndërtimit.

“Bëni projektin që ta integrojmë në planin e rindërtimit dhe ta ndërtoni vetë. Me shumën financiare që ka vënë në dispozicion Behgjeti, ne mund të ndërtojmë pallatet në Krujë. Pasi me banorët e Thumanës, do të përpiqemi t’i sjellim në Tiranë, ndërsa në Laç kemi nisur të projektojmë me një kompani turke. Ndërsa këtu në Krujë është tamam mundësia e realizimit të një projekti me vlerën e donacionit që ka dhënë Behgjeti” – tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se procesi duhet të jetë i shpejtë referuar edhe problematikës në Krujë e Fushë-Krujë të mungesës së banesave me qira. Kryebashkiaku Artur Bushi tha se bashkia do të paguajë qiranë për të gjithë, edhe nëse ata mund të sistemohen pranë të afërmve të tyre në qytet. Në të kundër, bashkia do t’i paguajë qiranë në banesa në Tiranë dhe do të shlyejë gjithashtu edhe transportin.

Nga ana e tij, Pacolli u shpreh i gatshëm për të ndërtuar komplekse banimi model.

Zv.kryeministri në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka dhuruar 1 milionë euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri dhe do të ndërtojë vetë banesa për ata që u prekën nga tërmeti. Si një ndërtues me eksperiencë në këtë fushë, Pacolli sugjeroi që në qytetin e Krujës, pallatet dhe shtëpitë e shembura të ndërtohen në pjesën e poshtme të qytetit, duke i dhënë hapësirë zonës turistike. Por në të njëjtën kohë duke i afruar banesat me shkollat, kopshtet e çerdhet.

Gjatë këtij bashkëbisedimi me qytetarët, Kryeministri Rama i informoi ata se, të gjitha pallatet që nuk bëhen më do të ndërtohen të reja. Ndërsa opcioni i qirasë duhet parë edhe ku ka dhoma bosh, dhe ne i paguajmë qiranë. “Se të ikin e të vijnë nga Tiranë, i kanë fëmijët në shkollë”, tha ai.

Në takim ishte e pranishme edhe deputetja e zonës, Egalntina Gjermeni, për të cilën Rama u shpreh: “Meriton njëmijë urata për shërbimin e përulur, që u ka bërë krejt larg syve të medias familjeve të mbledhura në kampin e Thumanës, pa pushim e pa iu ndjerë zëri, së bashku me rrjetin e vajzave vullnetare, krahas trupave të shtetit”./atsh

Rama me Pacollin pranë banorëve të prekur nga tërmeti në Krujë: “Ka nisur puna për projektin e pallateve të reja” Read More »

Qeveria plan masash, jo vetëm për emergjencën, por edhe për të ardhmen e familjeve të prekura nga tërmeti

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, teksa e nisi fjalën e saj në Kuvend duke cituar Branko Merxhanin, mendimtarin e shquar shqiptar, me fjalët se ‘shpëtimi gjendet thellë në shpirtin kombëtar’, theksoi se “buxheti dhe të gjitha aktet që qeveria ka miratuar synojnë një plan tërësor masash, jo vetëm për emergjencën, por edhe për të ardhmen e këtyre familjeve, duke nisur së pari nga familjet që kanë humbur njerëzit e tyre, si pasojë e tërmetit”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali theksoi se “sot nuk e kam aspak të lehtë të flas në këtë foltore kur ende nuk është zhbërë dhe besoj do të jetë e vështirë të zhbëhet hija e dhimbjes së madhe e tërmetit të 26 nëntorit”.

“Një fatkeqësi natyrore që e liga e desh të çirrej edhe me fatkeqësi njerëzore 51 jetë të humbura , gra, fëmijë, burra e të moshuar që do ti kujtojmë si portrete në zemrat e mendjet tonë në rrokullimën e përditshme. 1 mijë të plagosur, mijëra të pastrehë, 5000 ndërtesa, banesa të shkatërruar , çaste që të mbërthenin dhe që duhet të prisje deri në pafundësi deri sa të dëgjoje nga mesi i gërmadhave lajmin se në këtë shtëpi ka jetë apo ai , ajo shpëtoi, ky fëmijë doli e gjer tek momentet therëse kur një jetë flijohet për të shpëtuar një tjetër jetë, si e moshuara nga Thumana që i bekoi jetën për së dyti nipit duk e mbajtur në prehrin e saj dhe duke e shtrënguar fort mes krahësh”,- nënvizoi Spiropali

Sigurisht, vijoi ajo, jo të gjithë mbërritën ti shpëtojnë fëmijët dhe të afërmit e tyre, prandaj të gjithë përjetuam orë tmerrim, por ora jonë nuk duhet të mbetet në ato momente por duhet të ecë përpara.

“Ne duhet të themi patjetër e duhet të tregojmë për shpirtin e pamposhtur shqiptar të treguar këtë javë , jo vetëm institucionet shtetërore që u angazhuan të gjitha pa përjashtim për përballimin e kësaj situate të fatkeqësisë natyrore, por edhe shpirti kombëtar që u ngrit e solidarizua për të na treguar që ne mund të ngremë nga gërmadhat dhe rrënojat një mundësi e vizion për të ardhmen dhe ky është synimi ynë”,- theksoi Spiropali.

Ministrja Spiropali u shpreh se “mbi 2 mijë efektivë të forcave të armatosura ishin në gatishmëri që në momentet e para , forcat e armatosura shqiptare, por edhe vëllezërit tanë nga Kosova të cilët të parët iu përgjigjën jo detyrës por ndjenjës së tyre kombëtare. Por edhe miqtë tanë nga Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Zvicra Rumania, Maqedonia e Veriut, Franca dhe Izraeli. Forcat e Armatosura janë të mobilizuar anë terren me mjekë, infermierë, zjarrfikës, punonjës të pushtetit lokal, emergjencat civile, të cilët po menaxhojnë situatën”.

Sipas saj, janë bërë më shumë se 3 mijë vizita mjekësore e trajtime për qytetarët e prekur nga tërmeti.

Spiropali falënderoi edhe qytetarët e thjeshtë që i janë bashkuar këtyre ekipeve.

“Këshilli i Ministrave miratoi akte normative pas një analize të imtësishme të situatës, para për dhurimin e apartamenteve për familjet që humbur të afërmit e tyre nga tërmeti.
Të gjithë familjarët që kanë patur viktima në familje do tu akordohet një përkrahje financiare prej 1 milion lekë, do të përfitojnë bursë prej 15 mijë lekë në muaj studentët dhe fëmijët deri në moshën universitare, që kanë humbur familjarët e tyre në Durrës, Tiranë , Lezhë apo kudo tjetër. Të gjithë personat që u janë shkatërruar banesat apo janë shpallur të pabanueshme do të akomodohen tani në hotel dhe më vonë me trajtim dhe më vonë në apartamente. Do të trajtohen me ndihmë të posaçme të gjithë të moshuarit e familjeve të mbijetuara”-, tha Spiropali duke shtuar se projekti i rindërtimit është një çështje shumë e gjerë që parashikon një vizion tonin për ti ndryshuar këto qytete.

Ajo theksoi se kemi më pak resurse se shumë vende të tjera që kanë kaluar fatkeqësi natyrore por nuk na mungon aspak shpirti i solidaritetit.

“Kemi gjetur jo vetëm tek politika por edhe tek qytetarët një dëshirë të madhe për t’u ringritur. Është kjo dëshirë për ripërtëritje, kjo dëshirë për të vendosur rend në kaosin tonë që na ra mbi kokë nga tërmeti që më jep shpresë”, tha Spiropali./atsh

Qeveria plan masash, jo vetëm për emergjencën, por edhe për të ardhmen e familjeve të prekura nga tërmeti Read More »

Balluku: Shqiptarët të bashkohen për të rindërtuar shpirtin e Shqipërisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se shteti reagoi në mënyrë ekselente duke marrë nën kontroll situatën menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa ftoi shqiptarët të bashkohen për të rindërtuar shpirtin e Shqipërisë.

“Tërmeti i 26 nëntorit është ngjarja më e rëndë që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit. Që në momentet e para pas ngjarjes, të gjitha strukturat e shtetit ishin në gatishmëri të plotë, duke ju dhënë ndihmën e parë personave të dëmtuar dhe duke nxjerrë nga rrënojat shumë qytetarë. Por tashmë ka ardhur koha që dhimbjen ta kthejmë në forcë dhe motiv. Të bëhemi të gjithë bashkë, për t’u ringritur, edhe më të fortë se më parë”, deklaroi Balluku në Kuvend.

Ministrja falenderoi të gjitha ekipet e kërkim-shpëtimit që na u bashkuan në këtë situatë dhe u solidarizuan, por tha ajo, forcat shqiptare ishin të parat që kishin shpëtuar shumë jetë derisa erdhën forcat e huaja.

“Kemi gjetur tek pallati i rrëzuar, Dritan Lelin me dy zjarrfikëse. Njerëzit e pare nga rrënojat i kanë nxjerrë zjarrfikësit shqiptarë. Luani nga Vlora që kishte ardhur me kreun e bashkisë së Vlorës, Dritan Lelin. Pavarësisht se shpesh asfiksohej gjatë përpjekjeve për të nxjerrë sa më shumë të mbijetuar nga rrënojat, ai nuk pranonte të merrte oksigjen, sepse ende dëgjoheshin zëra, ende kishte shpresë për të mbijetuar”, tha Balluku.

Më tej ajo shtoi se opozita duhet të ketë fytyrën e Edlira Hyseni, deputetes së opozitës në Durrës, e cila mbajti një fjalim prekës në Kuvend.

Në përgjigje të akuzave të opozitës për ndërtimet pa leje, ministrja Balluku vuri në dukje se në zonën e ish Kënetës, në Durrës nuk ka sot asnjë ndërtim pa leje pas 2013, kohë kur kjo mazhorancë erdhi në pushtet.

Folët për ndërtimet e pakontrolluara, vijoi Balluku, por Edi Rama mban me nder sot një veprim të jashtëzakonshëm që ka miratuar në 2013, që ka të bëjë me ndalimin e ndërtimeve pa leje, kohë kur opozita ulëriste e thoshte si nuk lejohen të ndërtohen me gjakun dhe sakrificën e qytetarëve këto ndërtime dhe pse kërkohen leje e akte administrative.

“Kjo qeveri e Edi Rama mund të deklarojnë sot me nder se pas vitit 2013 nuk ka asnjë ndërtim pa leje në zonën e ish Kënetës, në Durrës.Ato ndërtesa që u rrafshuan e shuajtën familje para syve tanë janë ndërtuar pa leje por jo pas 2013”, deklaroi Balluku.

Opozita është aty për të kontrolluar qeverinë, theksoi Balluku, por edhe për të bërë dialog, ndaj duhet të ketë fytyrën e Edlirës.

“Është shumë e lehtë që secili prej jush të dalë dhe të thotë se çfarë u bë gabim, por nuk e di si është të dalësh përpara familje së Ramë Lalës, i vetmi i mbijetuar nga familja Lala, si për të treguar se jeta dominon mbi vdekjen”, vuri në dukje Balluku.

Sot, tha Balluku, po ngrihen shtëpitë në Floq, po mbarohen shtëpitë e goditura nga tërmeti i Shtatorit. Sipas saj, programi që kemi për të ndërruar banesat e reja është i shkëlqyer, pavarësisht se dhimbja nuk kalohet.

Balluku siguroi se asnjë ndërtesë nuk do të hidhet pa u marrë kampionet e saj dhe të çohen në laboratorin e Institutit të Ndërtimit për të çuar para drejtësisë të gjitha atë që kanë shkelur ligjet, rregullat dhe standardet./atsh

Balluku: Shqiptarët të bashkohen për të rindërtuar shpirtin e Shqipërisë Read More »

20 miliardë lekë për programin e rindërtimit, Rama: Ky është vetëm alokimi fillestar

“Buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë lekësh prej të cilave 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme”, tha sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, duke folur për buxhetin që akordohet për programin e rindërtimit.

Kryeministri Rama deklaroi se “ka një program buxhetor të veçantë për rindërtimin”.

Ai theksoi se “e gjitha kjo është pakoja e parë, është një alokim fillestar”. “Kam dëgjuar përveç klithmave për kapele, doreza e çizme, që natyrisht janë jehonë e konstatimeve të përcipta të përcjella nga ekrane, portale dhe vitrina, edhe që shteti paska mbetur pa lekë dhe nuk paska kapacitete të përballoj këtë situatë. Ndaj, sipas tyre, ne po i shtrijmë dorën botës”, tha Rama.

Kjo, theksoi ai, “është e pavërtetë dhe po ju them sot dhe ta dëgjojnë mirë të gjithë që ne do ta programojmë të gjithë procesin sikur të mos marrim asnjë lekë nga bota”.

“Do ta bëjmë kështu, e kemi programin. Kjo që bëjmë me këtë buxhet është fillimi i këtij programi, sikur asnjë kokërr leku mos të vijë nga bota. Ne do ta përballojmë të gjithën sepse është detyra jonë dhe se jemi më të zgjuar, më të zot, më të aftë se sa ju dhe ata që ju kanë hapur rrugën juve për të ardhur këtu”, iu drejtua Rama, deputetëve të opozitës në sallë e Kuvendit. /atsh

20 miliardë lekë për programin e rindërtimit, Rama: Ky është vetëm alokimi fillestar Read More »

Olsian Çela zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm

Olsian Çela u zgjodh sot si Prokurori i ri i Përgjithshëm me 101 vota pro të deputetëve.

Pas votimit, Olsian Çela është betuar mbi Kushtetutë në sallën e seancës plenare.

Olsian Çela ishte kandidati i parë i radhitur në listë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Ndërsa Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku e renditur e dyta nga KLP mori 11 vota pro.

Ndërsa kandidatja e tretë Fatjona Memçaj, mori vetëm 8 vota pro./atsh

Olsian Çela zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm Read More »

Në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua dita informuese e projektit “POLYPHONIA”

Në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua dita informuese e projektit “POLYPHONIA”, në praninë e partnerëve të këtij projekti si dhe me pjesëmarrjen e grupeve të interesit në Bashkitë Vlorë, Selenicë dhe Himarë.

Në këtë projekt ndërkufitar, i cili mundësohet nga fondet e Bashkimit Evropian nga programi “Interreg Greece-Albania 2014-2020”.Organizimi dhe realizimi i kësaj Dite të Informimit të Hapur në Vlorë kish qëllim prezantimin e projektit dhe objektivat e tij për publikun, rritjen e vetëdijes dhe tërheqjen e interesit të aktorëve / palëve të interesuara kryesore. Nisur nga nevoja urgjente për të studiuar, mbledhur dhe ruajtur këtë trashëgimi muzikore të pasur dhe autentike, nga e cila mund të nxirren informacione të vlefshme në një seri disiplinash si etnomuzikologjia, estetika, antropologjia dhe historia, ky projekt kërkon të fotografojë gjendjen aktuale të këtij zhanri, ta ruajë dhe gjithashtu të vlerësojë, përmes instrumentit të turizmit tematik, duke parë potencialin domethënës të pazhvilluar të brendshëm (fshatrat tradicionale etj) dhe të përmirësojë atraktivitetin e rajonit, për të sjellë për prosperitetin dhe rritjen ekonomike.

Per prefektin e Gjirokastres, Astrit Aliaj, muzika polifonike eshte ajo e cila do te sherbej per te ngritur ura lidhese midis partnerve nderkombetar ne kete projekt dhe pales shqipetare, duke krijuar nje stategji te qart per kultivimin dhe trashgimin e kesaj pasurie kombetare brez pas brezi.

Per Orgest Feimi, drejtorin e drejtorise rajonale kombetare te kultures ne Vlore, polifonia Shqipetare eshte shpallur tashme trashgimni boterore, vendimi i marre vite me pare per ta shpallur polifonine trashgimni boterore tregon edhe njehere vlerat e nje populli i cili jeton me polifonine, si nje nder popujt me te lasht nga i cili ka themelet polifonia gojore.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Vlorë është partner së bashku me Perfekturën Gjirokastër dhe Bashkinë Dropull nga pala shqiptare si dhe Bashkinë e Pogonit dhe Unionin e bashkive të Epirit, e cila është dhe partneri lider i këtij projekti, nga pala greke.

Projekti adreson disa dimensione të politikave të BE-së, të tilla si kultura dhe turizmi i qëndrueshëm. Të gjithë opartnerët synojnë të rrisin kompetencat e tyre për të shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme burimet kulturore në zonat e tyre, duke forcuar bashkëpunimin përmes shkëmbimit të njohurive dhe transferimit të ekspertizës.

Në ambjentet e Pallatit të Kulturës “Labëria” në Vlorë u zhvillua dita informuese e projektit “POLYPHONIA” Read More »

Rama nga Londra: Europa e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në takimet që ka zhvilluar në kuadër të Samitit të NATO-s ka kërkuar organizimin e një konference donatorësh për Shqipërinë.

Në një komunikim me median, pas fjalës në Samitin e Londrës dhe largimit të parakohshëm nga tryeza, për t’u nisur drejt Romës, Rama tha se, ky ka qenë fokusi dhe objektivi kryesor dhe se reagimet e para janë pozitive.

“Natyrisht që për mua ky ishte objektivi kryesor i gjithë këtij Samiti dhe me thënë të drejtën u ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin jo vetëm në dijeni, por edhe të interesuar të dinin më shumë. Faktikisht kemi diskutuar me partnerët europianë, kam bërë bisedë të gjatë me Presidentin e Francës, Kancelaren e Gjermanisë, kryeministrin e Holandës, dhe me një sërë liderësh të tjerë. Kryeministrja e Danimarkës ka qenë jashtëzakonisht e përfshirë dhe e interesuar, padiskutim kryeministri Conte dhe kryeministri i Kanadasë. Me Presidentin Trump kemi folur, me Presidentin Erdogan kemi folur”, tha Rama.

Të shikojmë tani më tutje, tha Rama, duke shtuar se “qëllimi është të realizojmë një konferencë donatorësh dhe kjo ishte ajo që unë kam kërkuar”. “Reagimet e para janë pozitive, të shikojmë më tutje. Jemi duke punuar intensivisht dhe vazhdojmë punën intensive në këtë drejtim”, tha Rama.

I pyetur nëse u diskutua për integrimin, Rama tha se fokusi ka qenë në këtë temë, situatën nga tërmeti. “Natyrisht që ka pasur edhe elementë të tjerë në bisedë lidhur me ecurinë e procesit të brendshëm në BE, si do të shkojë procesi i diskutimit dhe si mund të shkojë procesi i diskutimit mbi dokumentin e paraqitur nga Franca për një ndryshim të metodologjisë, por për hir të së vërtetës, unë kam qenë shumë i fokusuar tek kjo çështje se është një çështje që prek drejtpërdrejt sot njerëzit”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “vendi do të vazhdojë të bëjë të njëjtat gjëra njësoj siç do t’i bënte sikur të ishin hapur negociatat”.

“Nga ana tjetër është një moment për të kuptuar qartë të gjithë se përtej dallimeve dhe kundërshtirave të natyrave të ndryshme në aspektin e procesit të negociatave, Europa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve, të gjitha vendet pa asnjë dallim, të gjithë liderët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vetë duhet të kthehet në Shqipëri, por Ministrja e Mbrojtjes po vazhdon intensivisht komunikimet me homologët dhe po ashtu edhe ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Në këtë front po bëjmë një punë shumë intensive. Kemi vënë në dispozicion edhe dokumente dhe shumë informacione që të mund të kenë një pamje shumë të qartë. Në nivelin e Ministrisë së Jashtme, të burokracisë shtetërore apo edhe në Bruksel, informacioni ka arritur dhe ndjekja bëhet në kohë reale se kemi parë shumë ndihmë në momentet e para, vazhdojmë të shohim ndihmë me ekipet e ekspertëve. Po ashtu për strehimin e përkohshëm kam kërkuar ndihmë që të mund të plotësojmë të gjithë ata që janë në zonat urbane me çadra dimërore”, tha Rama.

Por, Rama tha se “objektivi, që them se e kam arritur, është përfshirja drejtpërdrejt e liderëve”. “Të përfshijmë emocionalisht ata të cilët janë shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse një fjalë e tyrja është më shumë se sa një dosje e tërë e përgatitur në nivelet më të ulëta”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për thirrjet për bashkëpunim që i drejton kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke shtuar se “kjo është gjëja më normale në botë”. “Nuk ka asnjë sens që të vazhdojë historia me deklarata e komunikata në distancë, kur ne të gjithë jemi jo vetëm të goditur nga e njëjta tragjedi, por të gjithë jemi në nevojë për të ndërtuar çatinë e një shtëpie shumë më të madhe se shtëpia e politikës, që është shtëpia e Shqipërisë”, tha Rama. /atsh

Rama nga Londra: Europa e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve Read More »

“Durrësi qyteti më i bukur dhe nuk e lëmë”, qytetarët dhe bizneset i kthehen normalitetit

Qyteti i Durrësit është zgjuar sot plot diell dhe gjallëri.

Njerëzit në qytet i janë kthyer përditshmërisë së tyre ku dyqanet janë të hapura, kafenetë janë të mbushura dhe fëmijët të shoqëruar nga prindërit po shijojnë shëtitjet dhe diellin në shëtitoren e qytetit.

Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare sot në Durrës banorët dukeshin më të qetë dhe i ishin kthyer aktivitetit të tyre normal duke u rikthyer në punë, duke bërë pazaret dhe konsumuar kafe me njëri-tjetrin.

Qytetarët shpreheshin se tashmë situata është më e qetë dhe ata janë rikthyer në banesat e tyre të cilat sipas tyre janë verifikuar dhe nga specialistët dhe nuk përbëjnë rrezik për ta.

Ata gjithashtu shprehen se tashmë e kanë kaluar atë situatë të vështirë dhe shpresojnë që mos të përsëritet më.

Një qytetare shprehet për ATSH-në se, “ndihem shumë e lumtur që qyteti është mbushur sërish nga njerëzit. Nuk e lëmë dot Durrësin, pasi është qyteti më i bukur”.

Teksa largohesh nga qyteti bregdetar rrezet e diellit dhe buzëqeshja në fytyrën e njerëzve të fton të rikthehesh në qytetin që tashmë po ringrihet dhe shkëlqen sërish e ku jeta vazhdon po me të njëjtin ritëm e vitalitet. /atsh

“Durrësi qyteti më i bukur dhe nuk e lëmë”, qytetarët dhe bizneset i kthehen normalitetit Read More »