Irina

Pasojat e tërmetit/ Hetime për të dokumentuar përgjegjësit e çdo krahu, opozita inekzistente në detyrën e saj

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në një videomesazh se “ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet e policisë kriminale me prokurorinë për të dokumentuar përgjegjësit e çdo krahu e niveli për dëmet e shkaktuara si pasojë e abuzimeve në ndërtim.

“Sot janë kryer arrestimet e para, hetimet vazhdojnë pa pushim dhe mos dëgjoni ju lutem ato që gam-gamosin përnatë nëpër tendat mediatike duke u çjerrë me çehren e vrarë, pse nuk ka arrestime. Nuk dinë se si është puna, s’dinë gjë tjetër, veç llafeve ulur në kolltuqet e atyre tendave ku mblidhen si burrat e vjershave të Andon Zako Çajupit”, tha Rama.

“Një merak dua ta ndaj me ju. Arsyeja pse po ju shqetësoj me këtë mesazh. Siç e keni parë, opozita ka qenë inekzistente në detyrën e saj, përveç daljeve rutinë të Lulzim Bashës të cilin e përshëndes edhe tani, edhe një herë, dashamirësisht, për një vetëpërmbajtje në momentet tejet të vështira për njerëzit, ku u përpoq të mos bëhej i tepërt me fjalorin e rëndë të politikës së tij të përditshme. Por ama, nuk mund të mos e kritikoj, me keqardhje, për refuzimin e përsëritur dhe absurd, që të japë së bashku me opozitën një dorë në këtë situatë, duke u ulur në tryezën e bashkëpunimit me njerëzit dhe për njerëzit. Nuk e di pse refuzon, por di që refuzimi në këtë situatë është mungesë e plotë e përgjegjësisë”, theksoi ai.

“Meraku im është që opozita, hë për hë njerëzit rrotull Lulzim Bashës ka nisur të japë shenjat e para të një lufte të egër balte, ku me sa duket do të përpiqet dita-ditës të përdorë gjuhën e baltës për t’ju helmuar dhe mërzitur si zakonisht me gënjeshtra, akuza, shpifje, apo gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtra më të mëdha në fakt, siç thotë edhe një fjalë e mençur. Po kjo është puna e tyre dhe e Bashës që me siguri do e marrë shpejt flamurin e asaj lufte. Unë nuk dua të merrem me ta dhe nuk do të merremi me ta. Pra do të përpiqem të mos lejoj edhe që edhe njerëzit rreth meje të merren me ta. Se unë dhe të gjithë ne duhet të merremi me sfidën jashtëzakonshme që na ka vënë përpara Zoti apo natyra duke na goditur të gjithëve si s’ka më rëndë, por edhe duke na dhënë një mundësi të jashtëzakonshme që të ngrihemi së bashku përtej politikës, përtej vetvetes. Pra, duhet dhe do të ngrihemi edhe përtej vetvetes duke dhënë maksimumin sa më njerëzisht, sa më shqiptarisht për ata fatkeqë që u dëmtuam më shumë se ne të tjerët, për njëri-tjetrin dhe për fëmijët tanë padyshim dhe kështu për vendin tonë i cili duhet të dalë shumë më i fortë pas tërmetit”, u shpreh kryeministri.

“Nuk dua t’ju rrokanis kokën me shumë llafe por dua t’ju siguroj vetëm për një gjë që ka rëndësi për të gjithë. Unë do të bëj çmos që çdo qindarkë e angazhuar për këtë sfidë të shpenzohet me mençuri dhe ndershmëri do të bëj çmosin që transparenca të jetë maksimale dhe këtu besoj që do t’ja dalim edhe falë edhe Komitetit Kombëtar të Rindërtimit ku jemi bashkuar përtej politikës, pa dallim feje pa dallim bindjesh apo dakortësisht që mund të kemi në ditë të zakonshme për shqiptarët e goditur nga fatkeqësia natyrore. Do të bëj çmosin që këtë krizë të madhe të shkaktuar nga kjo fatkeqësi ta kthejmë në një mundësi të madhe për të krijuar shembuj kuptimplotë të Rilindjes Urbane e Sociale duke u bërë bashkë”, tha kryeministri Rama.

“Juve ju lutem vetëm që të keni besim dhe sa më shumë durim dhe për çdo akuzë që do të dëgjoni jo u vodh këtu jo u vodh ajo, të jeni të bindur se unë do të kërkoj verifikimin dhe argumentimin e saktë nga ana jonë, të çdokujt që mund të akuzohet apo çdo gjëje që mund të vihet në akuzë dhe nëse ka vërtetë bazë, do merren masa që çdo abuzues të shporret nga radhët tona dhe të shkojë në duart e drejtësisë nëse kjo do të jetë ajo që meriton dhe çdo abuzim të adresohet. Por, ju lutem mos bini pre e baltës së përditshme që mesa duket do të rrjedhë lumë dhe mos prisni nga unë dhe na të merremi me përgënjeshtrimin e përditshëm të çfarë do të nxjerrë gjuha e baltës në javët dhe muajt në vijim.

Kini durim dhe besim ne së bashku do të bëjmë histori, përfundoi Rama. //atsh

Pasojat e tërmetit/ Hetime për të dokumentuar përgjegjësit e çdo krahu, opozita inekzistente në detyrën e saj Read More »

Çfarë parashikon ligji i ri për mediet, Ulqini për ATSH-në: Rol rregullator, nuk cenohet në asnjë rast liria e shtypit

“Ligji i ri për mediet synon të rregullojë një sektor të parregulluar më parë, që janë publikimet elektronike ose ndryshe portalet dhe në asnjë rast nuk cenon lirinë e shtypit”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë për ATSH-në, anëtari i komisionit të medies, deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini.

Ulqini tha se “projekti në fjalë që ka ngjallur kaq shumë diskutime, ka si objekt të tij dhe synon që të rregullojë për herë të parë në Republikën e Shqipërisë publikimet elektronike”.

Sot, tha ai, Shqipëria ka një ligj që rregullon medien e shkruar, ka një ligj që rregullon mediet audiovizive, pra televizonet dhe radiot, dhe ky projektligj synon të rregullojë një sektor të parregulluar, që janë publikimet elektronike ose portalet.

“Edhe në Shqipëri portalet janë bërë tashmë një faktor shumë i rëndësishëm i informimit të publikut, që ka sjellë vërtetë një gjë të re në mënyrën se si informohet dhe i ka dhënë një fuqi më të madhe pluralizmit të shtypit. Por edhe kjo gjë ka nevojë për rregullime”, tha Ulqini.

Ai garantoi se “ky nuk është një ligj kundër lirisë të medies, por përpiqet të rregulloj sektorin sipas disa standardeve demokratike mbi mënyrën se si informohet publiku nga portalet”.

Ulqini sqaroi se këtu nuk bëhet fjalë për “Facebook-un” apo mënyrën se si qytetarët e përdorin teknologjinë e re, por bëhet fjalë për portalet të cilat duhet të respektojnë disa standarde që tashmë janë shumë të njohura dhe kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, me privatësinë, me paanësinë dhe me të drejtën e autorit apo transparencën etj.

“Ligji i ri përpiqet të vendos disa rregulla të qarta në mënyrën e funksionimit të një sektori që është shumë i fuqishëm, që ka një rol shumë të madh në shoqëri sot dhe që e ka ndikuar për mirë padiskutim pluralizimin, por që ka edhe probleme që duhen rregulluar me standarde demokratike”, tha Ulqini.

I pyetur se çfarë parashikon ligji kundër lajmeve të rreme (Fake News), Ulqini tha se ligji kërkon pikësëpari formalizimin e sektorit, pra që të gjitha portalet të jenë të regjistruara me të dhëna të sakta si: adresa e selisë, të punësuarit etj. Një pjesë e portaleve sot, sipas tij, nuk dihet se ku i kanë selitë dhe nga ku publikojnë.

Një pikë e rëndësishme që parashikohet në këtë ligj, sipas Ulqinit, “ka të bëjë me detyrimin që kanë portalet që çdo vit të paraqesin në AMA një raport për paratë me të cilat janë financuar dhe mënyrën se si janë shfrytëzuar këto financime”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse është një nga kërkesat e gjithë institucioneve europiane që monitorojnë Shqipërinë, që të bëhen të njohura mënyra se si financohen portalet. Është shumë e rëndësishme që medie të mos ketë financime që vijnë nga para të pista të krimit, nga politika, nga biznese për të organizuar një luftë të pandershme konkurrence, ose dhe nga jashtë, nga burime të cilat mund të cenojnë edhe sigurinë kombëtare”, tha ai.

Për deputetin socialist, ky ligj vendos disa rregulla dhe i jep garanci shumë të madhe qytetarit, që kur një portal ka një ‘Fake News’, në një kohë të shkurtër ai të paraqesë me shkrim kundërshtimin e tij dhe portali nëse e gjykon të arsyeshme e publikon përgënjeshtrimin. “Por nëse portali nuk bie dakord në këtë mes futet AMA, Këshilli i Ankesave, që e shqyrton kërkesën e qytetarit dhe kur e gjykon që qytetari ka të drejtë e detyron portalin ta publikojë përgënjeshtrimin”, sqaroi Ulqini.

Ai shtoi se “ligji përpiqet të vendos rregulla kundër ‘Fake News’ dhe të gjitha lajmeve që cenojnë të drejtat e fëmijëve, dezinformojnë publikun, cenojnë apo nuk respektojnë të drejtën e autorit”.

“Në rast se një portal transmeton pornografi për fëmijë, gjëra që lidhen me terrorizmin dhe gjëra që cenojnë në mënyrë flagrante sigurinë kombëtare, atëherë AMA ka të drejtë që t’i kërkojë që brenda disa orëve ta heqë nga portali, dhe nëse nuk reagon atëherë i drejtohet AKEP-it dhe e bllokon portalin”, tha Ulqini.

Ulqini po ashtu hodhi poshtë të gjitha pretendimet se ligji cenon lirinë e medias. “Ligji i ka specifikuar shumë qartë gjërat dhe në këtë rast asnjë nuk është kundër. Vetë drejtuesit e portaleve janë dakord që të vendosen rregulla, por natyrisht që reagojnë për mungesë të informimit, luftës politike, por edhe për shkak se preken disa interesa, sepse në shumicë ata që e kundërshtojnë kanë portale vetë dhe është një sektor informal”, tha Ulqini.

Ai shprehu garancinë që ligji është një përpjekje për të vendosur rregulla demokratike që i shërbejnë edhe qytetarëve, edhe atyre që punojnë në ato portale, sepse sot të gjithë gazetarët që punojnë nëpër portale, punojnë në të zezë.

Ulqini hodhi poshtë edhe pretendimet se propozimet, sugjerimet, kërkesat, apo ankesat që po bëhen si nga ndërkombëtarët edhe nga shqiptarët nuk po dëgjohen.

“Ne si komision kemi bërë disa seanca dëgjimore, kemi ftuar të gjithë sidomos ata që i kundërshtojnë, kemi dëgjuar me vëmendje ankesat e tyre dhe tani grupi i ekspertëve, unë jam një nga relatorët e këtij projektligji pasi janë disa relatorë, me ekspertizën juridike të parlamentit, ekspertët e Këshillit të Ministrave që kanë hartuar projektin po i vlerësojmë dhe konsiderojmë të gjitha shqetësimet që kanë ata të cilët janë kundër. Kjo lidhet me sasinë e gjobave, rolin e Këshillit të Ankesave dhe elementë të tjerë që kanë të bëjnë me raportin mes portalit, qytetarit dhe shtetit”, tha Ulqini. /atsh

Çfarë parashikon ligji i ri për mediet, Ulqini për ATSH-në: Rol rregullator, nuk cenohet në asnjë rast liria e shtypit Read More »

Basha: Mungon akti zyrtar për sigurinë e banesave, në burg kush luan me jetët e qytetarëve

“Mungesa e seriozitetit për vlerësimin e sigurisë së banesave të dëmtuara pas tërmetit është kthyer në një nga shqetësimet kryesore në javën e tretë pas tërmetit”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sipas Bashës, “disa banorë në Qerret të Katundit të Ri i treguan rastin e një akt-ekspertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme”.

“Për të shmangur marrjen e bonusit të qirasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj. I zoti i shtëpisë shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij”, tha Basha.

Kreu i PD-së tha se “edhe në një shtëpi tjetër ka ndodhur një fenomen i ngjashëm”. “Për të mos u dhënë banorëve me shtëpi të dëmtuar rëndë bonusin e qirasë, shtëpia është shpallur e banueshme, pasi ishte verifikuar e pabanueshme më 21 Shtator dhe 26 Nëntor. Banorët ngritën shqetësimin se nuk u është dhënë asnjë akt ekspertimi zyrtar që verifikon gjendjen e sigurisë së shtëpisë, gjë që për kreun e opozitës përbën një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm penalisht”, tha ai.

Basha iu drejtua banorit duke i thënë se “më e rënda nga të gjitha është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpi ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua japin”.

“Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit”, u shpreh kreu i opozitës, /.atsh

Basha: Mungon akti zyrtar për sigurinë e banesave, në burg kush luan me jetët e qytetarëve Read More »

Festat e fundvitit/ AKU shton kontrollet me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të jetë pranë konsumatorëve me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore në prag të festave të fundvitit.

Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Tiranë inspektuan 40 stabilimente të operatorëve të biznesit ushqimor me origjinë shtazore, jo shtazore dhe produkte të mbrojtjes së bimëve.

Gjatë këtyre kontrolleve janë vendosur 20 masa administrative “paralajmërim”, janë lënë detyra për plotësimin e mangësive të konstatuara, si dhe janë marrë 3 mostra për kryerjen e analizave laboratorike.

Gjithashtu nga drejtoria rajonale e AKU-së Tiranë, me kërkesë të vetë subjekteve janë asgjësuar 29 ton produkte ushqimore të pasigurta për konsum (mish dhe nënprodukte mishi, nënprodukte qumështi, produkte të ndryshme ushqimore etj)./atsh

Festat e fundvitit/ AKU shton kontrollet me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore Read More »

Thaçi: Ushtria e Kosovës e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit

Sot mbushet një vit kur Parlamenti i Kosovës, me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tri ligjet që i ndryshuan mandatin Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.

Ligjet që u miratuan para një viti ishin: Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputetët serbë në parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë. Ata e kundërshtuan formimin e ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e cilësuan si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.

Në këtë përvjetor Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shprehet se, më 14 dhjetor të vitit të kaluar u përmbyll një proces që kishte filluar më 2014, me të cilin u vunë themelet e Ushtrisë së Kosovës.

“Me ndryshimet në Ligjin për FSK-në i dhamë Forcës së Sigurisë së Kosovës mandatin dhe kompetencat që ajo dhe tërë Kosova i meritojnë. Tri ligjet që i hapën rrugë transformimit të FSK-së ishin ligjet që kanë marrë më së shumti vota ndonjëherë, duke dëshmuar kështu vendosmërinë e tërë spektrit politik dhe vullnetin e tërë Kosovës për ta pasur ushtrinë tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës, si forcë profesionale me standarde të NATO-s, si forcë shumetnike që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, në tërë territorin e shtetit tonë, është e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit tonë. Forca e Sigurisë së Kosovës ka dëshmuar aftësitë e veta dhe përgatitjen e lartë në misionet e kërkim-shpëtimit, si në Kosovë, ashtu edhe jashtë vendit. Ajo tash po i shton kapacitetet për detyra të reja, për t’i mbrojtur qytetarët e Kosovës nga kërcënimet e jashtme, por edhe për t’i ndihmuar aleatët tanë në vendosjen dhe ruajtjen e paqes kudo që shfaqet nevoja”, shprehet Thaçi./KosovaPress/

Thaçi: Ushtria e Kosovës e gatshme të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin përtej rajonit Read More »

Alumini në ushqime, rreziku më i madh nga enët e kuzhinës

Alumini i pranishëm në tabakatë metalike dhe fletët e letrës që përdoren për ruajtjen dhe gatimin e ushqimit mund ”të migrojnë” në ushqim dhe të çojnë në tejkalimin e dozës së vendosur maksimale, me rrezik potencial shëndetësor për pjesë të cënueshme të popullatës, në veçanti për bebet dhe gratë shtatzëna, deklaroi Komiteti Kombëtar italian për Sigurinë e Ushqimit (CNSA).

Rruga kryesore e ekspozimit ndaj aluminit për popullatën e përgjithshme mbetet ushqimi.

Në vitin 2008, Autoriteti Europian për Sigurinë e Ushqimit (EFSA) përcaktoi një dozë të tolerueshme javore prej 20 miligramësh për një fëmijë me peshë 20 kilogramë dhe 70 miligramësh për një të rritur prej 70 kilogramë.

Të dhënat që vijnë nga studimet e kryera tregojnë një mundësi të konsiderueshme për të kapërcyer këtë dozë tek fëmijët dhe të rinjtë pasi ato janë më të ekspozuar ndaj aluminit që përmbahet në ushqim, ndërsa grupmoshat më të larta janë më pak të ekspozuara si ndaj zakoneve të ndryshme të ngrënies ashtu edhe ndaj raportit më të ulët të konsumit të ushqimit me peshën trupore./atsh

Alumini në ushqime, rreziku më i madh nga enët e kuzhinës Read More »

Humbi nënën, babain e vëllain nën rrënoja/Rama në shtëpinë e re të Aleksit dhe Klarës: Mbështetje për të ndërtuar familjen e tyre të re

Kryeministri Edi Rama ishte sot në shtëpinë e re të familjes Çupi në Kamëz, ku pas tërmetit, Aleksi, i biri i kësaj familje është i vetmi që mbijetoi, pasi tërmeti i mori nënën, babain e vëllain.

Në shtëpinë e re të familjes Çupi, Rama tha se u realizua brenda 15 dhjetorit akomodimi i njerëzve të cilët janë prekur më rëndë nga tërmeti.

Gjatë vizitës së tij në Kamëz, Kryeministri Rama shoqërohej dhe nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli.

Rama gjithashtu u shpreh se puna do të vijojë, pasi janë shumë shtëpi për t’u rindërtuar. Gjithashtu ai shtoi se gjatë kësaj periudhe kemi takuar njerëz të mirë dhe gatishmëria për t’i ardhur në ndihmë kujtdo ka qenë e madhe.

“Janë gjithë ato shtëpi për t’u rindërtuar, por të paktën ata që humbën shtëpinë dhe jo të afërm e kanë më të lehtë. Një nga gjërat që kemi patur këto kohë është që kemi takuar njerëz të mirë. Në ditët me diell të gjithë i shajnë hajdutë, por të gjithë mjekët, forcat e policisë dhe gjithë ministrat që punojnë me mua, pavarësisht se më takon mua të dal në televizor, të gjithë kanë punuar ditë-natë. Të gjithë kanë bërë maksimumin”, – u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu tha se, edhe vetë ai nuk e kishte menduar ta përballonte këtë situatë mjaft të vështirë që kaloi vendi gjatë atyre ditëve. Rama theksoi se nuk e kishte menduar që brenda 10 ditësh do të akomodonin të gjithë njerëzit që kishin humbur shtëpitë e tyre.

Rama u shpreh se, “kur ishte momenti i parë që pashë gjendjen thashë: o Zot më ndihmo, se si do e përballoj unë këtë situatë, sepse është më e madhe se forcat tona. As unë nuk e kam menduar që për 10 ditë do ikte problemi kryesor se ku do shkojnë njerëzit, sepse ishin mijëra njerëz rrugëve. Se këtu një përmbytje bëhej dhe ngelnin njerëzit nëpër çadra shtatë vjet. Nuk ta merrte mendja që do akomodoheshin nëpër hotele me 5 yje e në shtëpi me qira të gjithë, jo se është ndonjë çudi, po u bë”.

“Tani po merremi dhe me ata në fshat, se nuk duan të lëvizin. Ata po qëndrojnë atje në çadra dimërore dhe do t’u bëjmë dhe shtëpitë. Kemi gjetur dhe një mundësi t’i bëjmë shpejt shtëpitë, dhe shtëpi fantastike, shumë herë më të mira se i kishin, dhe që nuk pyesin as për tërmet, erë edhe shi”, – tha Kryeministri Rama.

Ministrja Manastirliu e pyetur nga Kryeministri Rama mbi gjendjen shëndetësore të Aleksit u shpreh se, “sot e kemi nxjerrë nga spitali dhe gjendja e tij paraqitet e mirë. Gjithashtu do t’i sigurojmë dhe fizioterapinë, deri sa të rikuperohet plotësisht. Problemi që ka patur Aleksi në fillim ishte më i madh se problemi me këmbën: ishte ai i dëmtimit të mëlçisë, i cili e rrezikonte, por Aleksi me kurajon e tij e kaloi dhe këtë situatë pa ndërhyrje operatore. Tani thjesht është rikuperimi mbas gjithë asaj traume që ka kaluar, dhe shumë shpejt do t’i kthehet normalitet në punë”.

Aleksi gjatë bisedës me Kryeministrin u shpreh se është më mirë dhe se ka vetëm pak problem me këmbën, që shpreson t’i kalojë. Aleksi gjithashtu u shpreh për fatkeqësinë që i ndodhi se, gjërat e natyrës nuk i ndalojmë dot dhe se çfarë është e shkruar do bëhet, duhet kthyer dhimbja në forcë.

Familjarët e Aleksit e falënderuan Kryeministrin Rama, në radhë të parë si njeri, dhe pastaj si drejtues shteti, që ka bërë të pamundurën me gjithë ministrat, dhe në veçanti falënderuan kryetarin e bashkisë Kamëz, Rakip Sulin, i cili u është gjendur pranë që në momentin e parë që kërkuan ndihmë.

Aleksi, së bashku me Klarën, të fejuarën e tij, me besim e kurajo do të vazhdojnë përpara duke e ringritur sërish familjen në shtëpinë e tyre të re./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/808172249603760/?t=0

Humbi nënën, babain e vëllain nën rrënoja/Rama në shtëpinë e re të Aleksit dhe Klarës: Mbështetje për të ndërtuar familjen e tyre të re Read More »

50 vjet marrëdhënie Shqipëri-Suedi/ Kokalari: Besoj se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së

Ambasada e Suedisë në Tiranë me rastin e 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë ka publikuar mesazhin e Arba Kokalarit, politikane shqiptaro-suedeze dhe anëtare e Parlamentit Europian, e cila thekson se ndryshimet mes Suedisë dhe Shqipërisë i sheh si vlera.

“Këtë vit Suedia feston 50 vjet marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë: Prandaj, ne u kërkuam njerëzve që kishin lidhje me të dy vendet të na tregonin se çfarë do të thotë Shqipëria dhe Suedia për ta”, shprehet Ambasada e Suedisë në Shqipëri.

Ndërsa eurodeputetja Arba Kokalari shprehet se “unë kam lindur në Shqipëri dhe kam shumë prej historisë sime atje, ndërsa në Suedi u rrita dhe kam jetën time. Ndryshimet midis Shqipërisë dhe Suedisë i kam parë gjithmonë si pasuri dhe vlera”.

“Shpresoj dhe besoj se Shqipëria do t’i bashkohet komunitetit europian një ditë. Se marrëdhënia midis Suedisë dhe Shqipërisë, në kuadër të tregtisë dhe aspekteve të tjera, duhet të vijojë të rritet, sepse do të ishte një gjë shumë e mirë për të ardhmen e të dy vendeve”, thekson Arba Kokalari./atsh

50 vjet marrëdhënie Shqipëri-Suedi/ Kokalari: Besoj se Shqipëria do t’i bashkohet BE-së Read More »