Irina

Vrasja e komandantit iranian, Soleimani/ Rama: Ne qëndrojmë të vendosur me SHBA

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vrasjes së komandantit iranian të Forcave KUDS, Qaseem Soleimani me urdhër të presidentit Donald Trump.

“Si një vend që njohu pak kohë më parë veprimtarinë e padrejtë të Iranit kundër botës së lirë dhe bëri distancë të qartë nga ajo, Shqipëria aprovon me forcë qëndrimin e Donald Trump ndaj një aktivisti keqdashës të regjimit të Teheranit! Ne jemi të vendosur me SHBA dhe shpresojmë se të gjithë ta bëjnë këtë”, deklaron Kryeministri Rama.

Vrasja e komandantit iranian, Soleimani/ Rama: Ne qëndrojmë të vendosur me SHBA Read More »

10 projektet e Bashkisë së Tiranës në 2020, nga Piramida, Teatri, deri tek Unaza e Madhe

Dhjetë projekte të mëdha strategjike do të nisin në kryeqytet gjatë vitit të ardhshëm, njofton bashkia e Tiranës.

Në buxhetin e 2020-ës dhe në vijim, Bashkia parashikon të nisë transformimin e Piramidës, në një Qendër për Edukimin dhe Teknologjinë. Kjo qendër do të jetë një mjedis ku do të ndërveprojnë të rinjtë duke përdorur teknologjinë më të mirë nga profesionistë të fushës, si dhe do të ndërlidhet më së miri teknologjia dhe arti.

Po ashtu, parashikohet të nisë transformimi i Kopshtit Zoologjik, ky synohet të zgjerohen sipërfaqet për kafshët dhe parashikohet krijimi i habitateve në mjedise të hapura sa më të ngjashme dhe sa më afër habitatit natyror. Do të vijojë projekti për Tiranën policentrike, i cili ka në qendër krijimin e 5 epiqendrave urbane për kapërcimin e dyzimit qendër-periferi dhe për të nxitur zhvillimin e balancuar të qytetit, të cilat janë Kinostudio, Kombinati, Farkë-Qytet Studenti, Bulevardi i Ri dhe Lapraka.

Ndërkaq, po “punohet për krijimin e një Zone të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik”, në të cilën Bashkia do të ketë rolin e zhvilluesit të kësaj zone duke përmbushur kriteret e legjislacionit në fuqi. Kampusi Universitar në Tiranë si dhe Pylli Orbital janë dy projekte të tjera që në qendër të vëmendjes së vitit 2020″, thotë më tej bashkia.

Ndërkohë që parashikohet gjithashtu, ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe vijimi i punë për zgjerimin e Lanës, duke vazhduar nga Lanabregasi e deri poshtë në Kashar. Po ashtu, sipas bashkisë, dy projekte të tjera strategjike janë axhenda e gjelbër e qytetit dhe ndërtimi i Unazës së Tiranës./atsh

10 projektet e Bashkisë së Tiranës në 2020, nga Piramida, Teatri, deri tek Unaza e Madhe Read More »

Parashikimi i motit

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti për ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira kalimtare në mëngjes.
Parashikohen ngrica në zonat malore dhe ato kodrinore në mëngjes e mbrëmje.
Era do të fryjë me drejtim Veri – Veriperëndim 1-8m/sek, përgjatë vijës bregdetare
jugore me shpejtësi deri në 13m/sek.
Valëzimi i forcës 3-4 me lartësi vale 0.8-1.2metër.
Temperaturat parashikohen:
QYTETET
Temperaturat në °C
Shkodër 0/11 Re diell
Kukës -0/9 Re diell
Lezhë 7/12 Re diell
Dibër -3/7 Re diell
Durrës 4/12 Diell
Tiranë 2/12 diell
Elbasan 1/13 diell
Berat -1/15 diell
Vlorë 4/14 diell
Korcë -4/4 Re diell
Gjirokastër -3/11 Re diell
Sarandë 7/16 Re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Rama citon Eleanor Roosvelt: Bëj atë që zemra të thotë është e drejtë

“Bëj atë që zemra të thotë është e drejtë – në çdo rast do të të kritikojnë. Do të të shajnë po e bëre, po s’e bëre prapëseprapë do të të shajnë”.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot fjalët e Eleanor Roosevelt, ish-Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (mars 1933 – prill 1945), gjatë kohës së mandatit të bashkëshortit të saj, Franklin D. Roosevelt për 4 herë rresht.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitete botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ana Eleanor Roosevelt (11 tetor 1884 – 7 nëntor 1962) ishte politikane, diplomate dhe aktiviste për të drejtat e njeriut.

Presidenti Harry S. Truman do ta quante më vonë “Zonja e Parë e botës” në nder të arritjeve të saj në fushën e të drejtave të njeriut.

Ajo ka shërbyer si e dërguar e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara./atsh

Rama citon Eleanor Roosvelt: Bëj atë që zemra të thotë është e drejtë Read More »

Urimi i Fundvitit, Rama: Detyra jonë ta bëjmë këtë vend më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë

Kryeministri Edi Rama, në videomesazhin e publikuar prej tij me rastin e ndërrimit të viteve, duke uruar shqiptarët për një vit sa më të mbarë dhe të bekuar nga Zoti, tha se është detyrë e gjithësecilit për ta bërë këtë vend më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë.

“Teksa lëmë pas vitin 2019 dhe me të drejtë duam shumë më tepër, jo vetëm sesa çfarë na dha ky vit i vështirë, po në përgjithësi për vendin, familjen e fëmijët tanë, mendoni sidoqoftë ku ishim dhjetë vjet më parë”, – tha Rama.

“E di, e di, e di që shumëkush nga ju do të më hidhej në fyt tani e do të më thoshte, kushedi sesa shumë gjëra për botën që fluturon e për Shqipërinë që mezi ecën, po në fakt nuk është kështu, nuk është aspak kështu, dhe jam gati të debatoj, me ditë e me netë me ju për këtë”, – shtoi Kryeministri.

“Por ky s’është rasti për t’ju bezdisur me shifra e me fakte, po është rasti për t’ju thënë, se ndërkohë që një vit i ri po vjen me një dekadë të re përpara nesh, mendojeni edhe ju bashkë me mua, se sa dhe si mund të bëjmë ne shqiptarët për Shqipërinë, katër a pesë herë më shumë sesa në dekadën që po lemë pas. Është jo vetëm e mundur, po është ajo që duhet të bëjmë”, – u shpreh Rama.

“Zoti çon dritë e çon tërmete, po nuk çon dhurata mbi këtë tokë. E kemi ne për detyrë ta bëjmë më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë. Është detyra jonë të mos i trembemi të përpjetave sfiduese të së ardhmes dhe të mos biem në tatëpjetat e përbaltura të së shkuarës. Është sfida jonë të mos dorëzohemi përpara vështirësive në arritjen e rezultateve dhe të mos gënjejmë veten me rezultatet sa hap e mbyll sytë në kafene”, – nënvizoi Rama.

“Është e jona dhe vetëm e jona, e njerëzve përtej kufirit të adoleshencës, që të mos e humbasim durimin në përballjen me realitetin dhe të mos e lëshojmë gojën e veten në mexhelisin e komunikimit të ulët, sharjeve e shpifjeve, që rrezikojnë të infektojnë si një sëmundje kronike edhe fëmijët tanë. Ky vend i ka të gjitha që ne t’ia dalim në krye të përpjetës ku po ngjitemi me vështirësi, për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, funksional, social. Po ne duhet të kemi vullnetin, vendosmërinë, përkushtimin dhe mbi të gjitha vetëdijen, se kjo kërkon kohë, durim, punë e bashkim”, – bëri thirrje Kryeministri.

“Bashkim në qëllime, jo në bindje politike. Bashkim fuqish pozitive, jo forcash politike. Bashkim për të jetuar në një vend ku askush nuk duhet të jetë kurrë vetëm. Unë ju falenderoj nga zemra të gjithëve, juve që më keni besuar, mbështetur, inkurajuar, po edhe juve që nuk më keni besuar a më keni gjykuar keq, po sidoqoftë më keni ndjekur në punën time.

Në fund të ditës koha ikën, vitet ikin, kryeministrat vijnë e shkojnë, të gjithë jemi kalimtarë në këtë tokë. Çka mbetet është Shqipëria dhe kombi ynë. Le të vazhdojmë të bëjmë së bashku më të mirën për Shqipërinë e për kombin shqiptar dhe më e mira u bëftë për ju e gjithkënd ju do zemra!

Gëzuar Vitin e Ri 2020 dhe ardhtë i lehtë, me shëndet e mbarësi në familjet tuaja. Zoti e bekoftë Shqipërinë!” – përfundoi Rama videomesazhin e tij. /atsh

Urimi i Fundvitit, Rama: Detyra jonë ta bëjmë këtë vend më të mirë, më të sigurt e më të begatë për fëmijët tanë Read More »

Mesazhi i Fundvitit/ Tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit, zgjidhje përfundimtare problemit të pronës

Viti 2020 duhet të shënohet si viti i vënies përpara lupës së ligjit të çdo pasurie që buron nga krimi. Për këtë, ne jemi gati për ofensivën më shembullore ndaj botës së krimit dhe kapedanëve të asaj bote, të cilët do t’i përballim me Forcën e Ligjit”, – u shpreh Kryeministri Rama në mesazhin drejtuar shqiptarëve me rastin e Vitit të Ri 2020.

“Me të nisur viti i ri, tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit që i bëjnë karshillëk komunitetit, shoqërisë dhe këtij vendi, i cili nuk e meriton njollën e pisllëkut të tyre në sytë e botës. Kush ka kryer krime duhet të provojë pastërtinë e burimeve të pasurisë ose duhet ta humbasë pasurinë”, – theksoi Kryeministri.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i fillimit të një historie të re shqiptare, në administrimin e në zhvillimin e bregdetit të mrekullueshëm të Shqipërisë”, – shtoi ai, duke theksuar se zaptimi i plazheve dhe pamundësia e njerëzve të këtij vendi për të zgjedhur, sipas dëshirës e mundësisë së tyre, nëse duan të shkojnë në një plazh publik apo në një plazh me pagesë, duhet të marrin fund.

“Po kjo është vetëm A-ja, sepse me radhë, duhet të ndalohet çdo lloj ndërtimi i mëtejshëm pa plan, pa kuptim, pa cilësi e pa asnjë përputhje me ambicien e Shqipërisë turistike. Shqipëria ka nevojë për projekte dhe investime që e kthejnë potencialin e vijës sonë bregdetare, në një burim fuqie ekonomike transformuese dhe krenarie kombëtare”, – theksoi Rama.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i nisjes së investimeve të huaja serioze në vijën bregdetare dhe i investimeve vendase të cilësisë së parë, duke krijuar kapacitete pritëse për turizmin e shtrenjtë, që sjell më shumë të ardhura dhe krijon më shumë vende të reja pune të paguara më mirë”, – theksoi ai.

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i zgjidhjes përfundimtare të problemit të pronës për dhjetëra-mijëra familje në fshat që janë kthyer në kufijtë e vjetër pa asnjë konflikt me fqinjët rreth tyre. Kanë 30 vjet që presin në tokën e stërgjyshërve dhe as e shesin dot, as aplikojnë dot për financime nga shteti ose nga institucionet financiare, sepse nuk e gëzojnë dot ligjërisht, pasi e kanë të pamundur ta regjistrojnë”, – theksoi Kryeministri Rama.

Dhe jo vetëm kaq, sipas Ramës, “falë ndryshimeve të mëdha ligjore që duhet të kalojmë në fillim të vitit të ri, të adresojmë dhjetëra-mijëra dosje të mbetura pezull në procesin e legalizimit të tokës a të banesës, si rezultat i bllokimeve ligjore”. /atsh

Mesazhi i Fundvitit/ Tërmeti i shtetit do të bjerë në themelet e botës së krimit, zgjidhje përfundimtare problemit të pronës Read More »

Braçe: Niseni vitin në Divjakë mes bukurive natyrore

Z/kryeministri Erion Braçe në ditën e parë të vitit sjell pamje nga Divjaka ku dhe fton qytetarët që të nisin vitin duke parë bukuritë natyrore dhe lagunën të mbushur me pelikanë.

“Çdo bëni sot e deri të diel që e keni pushim? Shkoni në Divjakë; Diell, ngrohtë, bukuri siç kjo që shihni, ajër i pastër dhe perime të rritura në kushte natyrale!Niseni vitin kështu!”, shprehet Braçe.

Divjaka ndodhet 5 km larg detit Adriatik dhe në veri-lindje të Lagunës së Karavastës që është një nga vendet më të bukura të bregdeti shqiptarë dhe ofron pamja madhështore dhe bukuri të rralla, ndërsa pelikani shtegtari i kontinenteve gjende aty i pranishëm./atsh

Braçe: Niseni vitin në Divjakë mes bukurive natyrore Read More »

“Kurrë nuk jam ndjerë më krenare për FA-të se mëngjesin e 26 nëntorit”, Xhaçka: Do të ringrihemi të gjithë së bashku

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka uruar shqiptarët dhe të dëmtuarit nga tërmeti për vitin e Ri, 2020, si dhe ka vlerësuar punën e Forcave të Armatosura pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ministrja Xhaçka në urimin e saj thekson se ky fundvit është shumë ndryshe, tragjedia e 26 nëntorit është e freskët,

“E di që ky fundvit është shumë ndryshe. Tragjedia që goditi vendin në 26 nëntor është ende e freskët. Është ende e freskët dhimbja për jetët e humbura. Është ende e freskët trauma dhe frika. Janë ende mes nesh pasojat e asaj ngjarje, sepse sot mijëra qytetarë, burra, gra, fëmijë e të moshuar janë të detyruar ta kalojnë festën e Vitit të Ri larg shtëpive të tyre. Urimet e mia shkojnë mbi të gjitha për ta. Nuk jeni vetëm. Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm dhe do të bëjmë gjithçka që së shpejti jetët tuaja t’i rikthehen normalitetit”, shprehet ajo. Është e lehtë të humbasësh kurajën e optimizmin kur përballesh me një fatkeqësi të tillë. Por është kjo arsyeja përse ne sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të besojmë tek e ardhmja, të kemi shpresë”, shprehet ajo.

Ministrja Xhaça theksoi se Forcat e Armatosura u ngritën në lartësinë e detyrës në mëngjesin e 26 nëntorit

“Unë besoj që pavarësisht tragjedisë që kaluam, ne kemi sot shumë arsye për t’u ndjerë mirë e për të qenë optimistë. I gjej këto arsye tek shfaqja solidariteti mbresëlënës që treguan shqiptarët pas tragjedisë. I gjej këto arsye tek fakti, që ne s’jemi vetëm, por kemi miq e partnerë në mbarë botën që na u gjendën e do të na gjenden për ta kaluar këtë fatkeqësi së bashku! Por një arsye e gjej edhe mes mijëra burrave grave që punojnë në Forcat e Armatosura e që mëngjesin e 26 Nëntorit u ngritën në lartësinë e detyrës.Vetëm 1 orë pas goditjes së tërmetit, ata lanë familjet e tyre dhe ishin në terren, duke ndihmuar qytetarët e duke shpëtuar jetë!Kurrë nuk jam ndjerë më krenare për Forcat e Armatosura sesa atë mëngjes”, theksoi ajo.

Po ashtu Xhaça shprehet se shpreh besimin për kapërcimin e situatës post tërmet.

“Dhe sot, në këtë pragfillim viti kam bindjen, që të gjithë së bashku do t’ia dalim ta kapërcejmë këtë situatë të vështirë dhe t’i hapim rrugë një të ardhmeje më të mirë, më të bukur për të gjithë. Me shumë punë, shumë besim, shumë solidaritet dhe duke punuar së bashku!Gëzuar vitin e ri! Gëzuar 2020!”, shprehet ajo. /atsh

“Kurrë nuk jam ndjerë më krenare për FA-të se mëngjesin e 26 nëntorit”, Xhaçka: Do të ringrihemi të gjithë së bashku Read More »