Irina

Pamje magjepsëse nga Thethi, ngrijnë ujëvarat e Grunasit dhe Gjeçajve

Një ndër bukuritë më të veçanta në alpet shqiptare janë edhe ujëvarat, sidomos në stinën e dimrit kur uji ngrin duke ofruar një pamje magjepsëse.

Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë përfshirë vendin tonë ditët e fundit, dy prej ujëvarave që ndodhen në fshatin turistik të Thethit, ajo e Gjeçajve dhe Grunasit, e cila është shpallur edhe monument kulture, kanë dhuruar një spektakël të vërtetë.

Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër ka publikuar sot disa fotografi nga ky fenomen natyror, që magjeps adhuruesit e natyrës.

Uji që zbret nga faqja e malit ka ngrirë deri poshtë në gropën e krijuar prej tij.
Thethi është fshati që ka më shumë ujë dhe ujëvara në Shqipëri, sepse ngado që të ecësh do të gjeni një burim uji. Në Theth janë më shumë se 80 burime uji, që nuk shterojnë asnjëherë.

Ujëvara e Grunasit

Ujëvara e Grunasit është një ndër bukuritë natyrore më të veçanta në alpet Shqiptare. Me vendimin e qeverisë Nr.676 dt 20.12.2002 është shpallur monument natyre që mbrohet nga shteti. E lartë mbi 30 metër së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar nga çdo turist që viziton Thethin.

Kjo ujëvarë ka si karakteristikë të veçantë faktin që uji i saj buron i gjithi nga një shkëmb dhe është ujë dëbore. Për alpinistët që mund të vizitojnë burimin është një mrekulli e veçantë që nuk gjendet në asnjë ujëvarë të Europës.

Ujëvara e Gjeçajve

Gjatë rrugës tuaj për në qendër të fshatit, përveç bukurive mahnitëse që do të shikoni, kurorën me majat e maleve, do të shikoni edhe ujëvarën e Gjeçajve, e cila është sapo keni kaluar lagjen Gjeçaj rreth 30 metër, sipër rrugës nacionale, që të çon për në qendër, e cila është mjaft e bukur dhe e veçantë, rreth 25 metër e lartë./atsh

Pamje magjepsëse nga Thethi, ngrijnë ujëvarat e Grunasit dhe Gjeçajve Read More »

Stina e dimrit ndikon pozitivisht në organizëm

Kur flasim për dimrin përjetimet dhe mendimet mund të jenë të ndryshme. Ka persona që stinën e ftohtë e pëlqejnë dhe ka të tjerë që nuk e preferojnë aspak.

Përtej preferencave, dimri njihet si stina ku viruse të ndryshme gripale prekin organizmin për shkak të motit të ftohtë.

Pyetjes se, nëse kjo periudhë e vitit i bën mirë trupit i përgjigjen e ekspertët.

I ftohti dhe truri

Nëse e keni pyetur veten a është i ftohti mirë për shëndetin e trurit tuaj, përgjigja është po. Ekspertët thonë se, truri funksionon më mirë dhe më shpejt kur ndodhet në një ambient të ftohtë të, në krahasim me të nxehtin. Kështu që shëtitjet herë pas here jashtë ambienteve të mbyllura gjatë dimrit janë rifreskuese për trurin.

Djeg kaloritë

Gjatë periudhave të të ftohtit trupi harxhon më shumë energji për të mbajtur një temperaturë të balancuar trupi. Për këtë arsye ju ndihmon që të digjni më shumë kalori e të dobësoheni.

Largon alergjitë

Nëse keni alergji nga mjedisi i jashtëm, gjatë dimrit nuk keni pse të shqetësoheni. Polenet, lulet apo pemët gjatë dimrit nuk janë aspak prezente, ndaj ju mund të dilni e të shëtisni të qetë kudo që dëshironi.

Kundër inflamacionit

Nëse vuani nga fryrja e kyçeve, duarve apo e këmbëve, gjatë dimrit ky problem do të jetë më pak i pranishëm. Kjo sepse temperaturat e ftohta e ndihmojnë organizmin që të qetësojë zonat ku po zhvillohet inflamacionit.

Flini më mirë

Temperatura e trupit është më e ulët gjatë kohës kur flini gjumë. Gjatë verës procesi i uljes së temperaturës për të siguruar gjumë të mirë zgjat rreth dy orë, ndërsa në dimër kryhet shumë më shpejt.

I bën mirë lëkurës

Moti i ftohtë i bën mirë lëkurës sipas ekspertëve. Temperaturat e ftohta ngushtojnë enët e gjakut që kalojnë në lëkurë dhe funksionojnë si një tonik natyral. Sigurisht bëhet fjalë për temperatura të ftohta normale dhe jo për periudha të acarta të papërballueshme për trupin e njeriut./atsh

Stina e dimrit ndikon pozitivisht në organizëm Read More »

Me letra false drejt BE-së/ Policia parandalon një tjetër rast, në pranga punonjësi i aeroportit të Rinasit

Policia e Shtetit parandaloi sot një rast të tentativës për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve me dokumente të falsifikuara.

Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë finalizoi operacionin policor “New start”, duke vënë në pranga dy shtetas, njëri prej të cilëve punonjës i skanerit në aeroportin e Rinasit.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, shtetasja Xh. K., 23 vjeçe, banuese në Mat.

Po ashtu, u arrestua edhe R. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht punonjës i sigurisë te kontrolli i pasagjerëve me skaner, në terminalin në varësi të TIA-s.

Ky shtetas ka qenë i proceduar më parë nga Policia Kufitare, pasi është kapur në zonën sterile me 2 700 euro dhe telefon celular.

Arrestimi i tij u bë si i dyshuar për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.

Shtetasja XH. K. ka tentuar të udhëtojë në drejtim të Italisë me dokumentacion të rregullt, por pas dyshimeve të punonjësve të Policisë Kufitare mbi qëllimin e udhëtimit dhe arsyet e dhëna, është kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm, ku i është gjetur një kartë italiane e falsifikuar./atsh

Me letra false drejt BE-së/ Policia parandalon një tjetër rast, në pranga punonjësi i aeroportit të Rinasit Read More »

Thaçi: Kombi shqiptar do të mburret përjetë me figurën e Anton Çettës

Sot është 100-vjetori i lindjes së Anton Çettës, profesorit, humanistit, folkloristit e studiuesit të shquar kosovar.

Me këtë rast Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka kujtuar veprën dhe kontributin e Anton Çettës. “Para një shekulli u lind Anton Çetta, njeriu që do mbetet në historinë e kombit tonë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbledhjen e folklorit shqiptar në Kosovë, duke e bërë të pavdekshëm këtë thesar të kulturës sonë shpirtërore. Ai do mbahet mend përjetë si njeri i urtë, i mençur, humanist dhe kontribues i shërimit të plagëve të gjakmarrjes në fillim të viteve të dekadës së fundit të shekullit njëzet. Kombi ynë do të mburret për jetë dhe mot me figurën e albanologut Anton Çetta”, shprehet Thaçi.

Anton Çetta lindi në vitin 1920 në Gjakovë, ku edhe kreu shkollën fillore. Më pas arsimimi i tij i mesëm vazhdoi në Tiranë e Korçë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Beogradit, në degën Gjuhë e Kulturë Romane. Njihet si mbledhës i folklorit nga trevat shqipfolëse, duke botuar rreth 16 libra. Nga viti 1968 Anton Çetta ka qenë udhëheqës i departamentit të Folklorit në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1990 profesor Çetta u zgjodh kryetar i Këshillit Qendror të Lëvizjes Kombëtare për Pajtimin e Gjaqeve. Në vitin 1992 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së./KosovaPress/

Thaçi: Kombi shqiptar do të mburret përjetë me figurën e Anton Çettës Read More »

Konvertimi i patentave shqiptare me patenta greke, marrëveshja mbërrin në parlamentin grek

Të gjithë shtetasit shqiptarë në Greqi do të mund të konvertojnë patentat e tyre shqiptare me patenta greke.

Konvertimi i patentave do të bëhet pa pasur nevojë kryerjen e testeve teorike dhe praktike.

Marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi është dërguar për miratim në parlamentin grek më 30 dhjetor 2019 dhe miratimi i saj pritet të jetë një nga aktet e para të ligjvënësve grekë për vitin 2020.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko bën të ditur se ”sipas kësaj marrëveshjeje, të gjithë shtetasit shqiptarë në Greqi do të mund të konvertojnë patentat e tyre shqiptare me patenta greke. Konvertimi i patentave do të bëhet pa pasur nevojë kryerjen e testeve teorike dhe praktike”.

Kjo marrëveshje u firmos në Athinë në maj të vitit 2018, por për të hyrë në fuqi kërkohet miratimi i saj në të dy parlamentet. Parlamenti shqiptar e miratoi në korrik të vitit 2018./atsh

Konvertimi i patentave shqiptare me patenta greke, marrëveshja mbërrin në parlamentin grek Read More »

Gati revolucioni dixhital për shërbimet për qytetarët, Rama: Shkurtohet koha për shërbimet, eliminohet ryshfeti

Janë 472 aplikimet për shërbimet që deri dje krijonin radhë nëpër sportele thjesht për një aplikim, i cili tanimë mund të bëhet online, përmes smartfonit apo kompjuterit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dokumente shtetërorë kur aplikojnë, po vetëm dokumente individuale.

Për të aplikuar për pension një qytetari i duhej të mblidhte në sportelet e disa institucioneve një numër të madh dokumentesh.

Kryeministri Rama shpjegoi konkretisht se si do të jetë kjo procedurë që nga data 6 janar.

”Sot 16 dokumente që nevojiten për të plotësuar dosjen e për të përfituar pension pleqërie do t’i sigurojë vet Instituti i Sigurimeve Shoqërore”, tha Rama.

“16 rrugë për të bërë këto lloj dokumentesh, për të bërë një mal me letra. Tashmë të gjithë këto dokumente do t’i sigurojë vetë Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Aplikanti do të duhet të dorëzojë vetëm 5 dokumente që janë libreza e punës, diploma e shkollës së lartë, vërtetim nga qendra e fundit e punës, vërtetim page, sipas së cilit është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punës, si dhe vërtetim nga shkolla kur fëmija është mbi 18-25 vjeç”, u shpreh Kryeministri.

Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin.

Ky proces transformues rrënjësor do të zhdukë brenda 2020-s radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht ryshfetin.

Kryeministri u ndal edhe në një nga çështjet e diskutuara që ka të bëjë me aplikimin nga ana e të moshuarve.

Sipas tij, nga eksperienca me platformën e bashkëqeverisjes ka rezultuar që ky proces është i thjeshtë, sepse janë zgjidhur shumë halle që kanë ngritur të moshuarit.

”Por, ata mund të përfitojnë online këto shërbime ose duke shkuar në një pikë shërbimi, si postë, njësi administrative, apo duke iu kërkuar ndihmë familjarëve, djalit, vajzës, nipit, apo fqinjit”, shtoi Rama.

“Do të ketë një fazë tranzicioni. Në periudhën e parë, muajin e parë dhe të dytë, sportelet do të asistojnë personat për t’a bërë më të lehtë aplikimin, siç bëmë dikur në aeroporte kur u vendosën biletat elektronike dhe stjuardesat ndihmonin pasagjerët”, tha Rama.

”Data 6 janar është fillimi i një revolucioni kundër radhëve, zvarritjeve e ryshfetit për të lehtësuar maksimalisht procesin e marrjes së dokumenteve dhe shërbimeve nga qytetarët”, theksoi ai.

“Ky shërbim do të ofrohet si për shqiptarët në Shqipëri edhe për ata jashtë. Nuk do të kenë më nevojë të vijnë me pushime e të rrinë në sportele për të marrë një numër të madh shërbimesh. Ndërkohë janë vetëm një numër i vogël shërbimesh që për çështje sigurie kanë të nevojshme prezencën e qytetarit”, deklaroi Kryeministri Rama.

Në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen vetëm online në https://e-albania.al

Sistemi nuk do të paraqesë probleme pasi e-albania është një platformë e konsoliduar tashmë, dhe të gjitha institucionet janë gati./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1253055768415203/?t=0

Gati revolucioni dixhital për shërbimet për qytetarët, Rama: Shkurtohet koha për shërbimet, eliminohet ryshfeti Read More »

Buxheti 2020 / 21 miliardë lekë për mbështetjen sociale dhe ndihmën ekonomike

Buxheti i vitit 2020 vijon garantimin e mbrojtjes sociale për individët, familjet në nevojë, personat me aftësi të kufizuar dhe nënat me foshnja të porsalindura.

Mbështetja synon të zbusë varfërinë dhe përjashtimin shoqëror për individët dhe familjet, si dhe të krijojë mundësi për integrimin e tyre, nëpërmjet sigurimit të një sistemi ndërhyrjesh e shërbimesh për përmirësimin e jetesës së tyre.

Ky buxhet mbulon fondin e përcaktuar për ish-të përndjekurit në masën një miliard lekë, fondin e përcaktuar për ish-pronarët në masën 4,5 miliardë lekë, fondin e përcaktuar për mbështetjen sociale, ndihmën ekonomike dhe pagesën për aftësi të kufizuar në masën 21 miliardë lekë si dhe fondin për bonusin e bebes prej dy miliardë lekësh./atsh

Buxheti 2020 / 21 miliardë lekë për mbështetjen sociale dhe ndihmën ekonomike Read More »

Vrasja e Soleimanit/PD: Mbështesim angazhimin e SHBA në luftë kundër terrorit

Partia Demokratike ka reaguar pas vrasjes së komandantit iranian të Forcave KUDS, Qaseem Soleimani, duke u shprehur se “mbështet angazhimin e SHBA në luftë kundër terrorit”.

“Vendimi i presidentit Trump për goditjen e njërit prej arkitektëve dhe drejtuesve të aktiviteteve terroriste është nje akt i fortë lidershipi dhe mbrojtje e vlerave demokratike e të paqes. Partia Demokratike, në çdo kohë, qëndron në krah të SHBA,sot në opozitë duke u solidarizuar tërësisht dhe nesër në qeverisjen e vendit me angazhim total e akitv në përmbushje tē detyrimeve e kontributeve në mbështetje të plotë të Koalicionit Global kundër Terrorit, tē udhëhequr nga SHBA”, thuhet në reagimin e PD./atsh

Vrasja e Soleimanit/PD: Mbështesim angazhimin e SHBA në luftë kundër terrorit Read More »