Irina

Përfitojnë 62 mijë pacientë në vit/ Hapet të hënën spitali i ri në QSUT, Manastirliu: Nis epoka e re e Kirurgjisë shqiptare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar sot spitalin e ri kirurgjikal në QSUT, ku theksoi se “pas 90 vitesh, bëhemi gati të hapim një epokë të re për kirurgjinë shqiptare”.

“Ia arritëm ditës së madhe”, – tha Manastirliu, e shoqëruar nga mjekë e infermierë që përgatiten për ceremoninë zyrtare të hapjes së këtij spitali. “Po, kjo është epoka e re për Kirurgjinë. Jam e emocionuar. Ia arritëm kësaj dite dhe mendoj si ndihen mjekët dhe infermierët. Këtu ka ndryshuar çdo gjë, aty është zanafilla (duke iu referuar spitalit të vjetër), por këtu është fillimi i ri”.

“Tani duhet të ndryshojmë ritmin e punës, duhet performanca… planifikimi online për ndërhyrjet operatore është sfida… Të hënën do jetë ditë historike, dita e inaugurimit zyrtar. 90 vjet kishte kirurgjia e vjetër dhe kur mendojë sa breza kanë kaluar e kuptoj nostalgjinë”, – tha Manastirliu.

Mjekët u shprehën të lumtur për investimin e bërë. “Ende nuk arrijmë ta besojmë, nuk na iket në shtëpi”, – u shpreh një mjeke. “Nuk dimë si të gëzohemi”, – tha një tjetër. “Ne jemi të lumtur se më në fund marrim frymë”, – tha mjeku tjetër.

Spitali i ri i Kirurgjisë në QSUT është një investim me vlerë 8.8 milionë euro, ku do të përqendrohet i gjithë shërbimi i kirurgjisë, përfshirë edhe urgjencën. Nga ky investim përfitojnë 62 mijë pacientë në vit. Në sajë të këtij investimi, sallat e operacionit të kirurgjisë në qendrën më të madhe spitalore në vend nuk do të kenë dallim nga spitalet europiane, falë pajisjes me aparatura të teknologjisë së lartë që po instalohen në QSUT.

Spitali i ri i Kirurgjisë do të ketë një kapacitet me 120 shtretër, duke bërë të mundur transferimin e të tri klinikave të kirurgjisë së përgjithshme në këtë godinë. Spitali i ri do të ketë 7 salla operacioni (Urologji, Kirurgji e Përgjithshme, Tiroidet, Toraksi, Kirurgji Abdominale, me një kullë laparoskopie secila), njëra prej të cilave krejtësisht digjitale, që u shërben edhe studentëve të Mjekësisë për të ndjekur nga afër ndërhyrjet operatore në praktikën e tyre klinike. Spitali i ri ka edhe 2 salla leksioni kushtuar studentëve të Mjekësisë ku do të zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Qeveria shqiptare po investon rreth 30 milionë euro për modernizimin e QSUT-së me ndërtimin e Spitalit të Ri të Kirurgjisë, Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme dhe Pediatrisë. Nga këto investime përfitojnë 300 mijë pacientë, rreth 5000 punonjës staf mjekësor dhe jomjekësor, si dhe rreth 1000 studentë të Mjekësisë. /atsh

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/499834330644924/?t=0

Përfitojnë 62 mijë pacientë në vit/ Hapet të hënën spitali i ri në QSUT, Manastirliu: Nis epoka e re e Kirurgjisë shqiptare Read More »

Hapet gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit

Hapet gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kreu i SPAK, Arben Kraja ka theksuar se gara është hapur dhe për strukturën tjetër të re të drejtësisë shqiptare, BKH.

Kraja ka bërë me dije se të gjithë të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për të drejtuar grupin prej 60 hetuesish. Ndërkohë ai ka bërë apel se BKH-së i duhet një drejtues i aftë për të bashkëpunuar ngushtë edhe me SPAK dhe kandidati fitues do të trajnohet në SHBA nga FBI.

“Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj për shpalljen e njoftimit për pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky njoftim shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm”, shprehet Kraja.

“Në duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider, për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së”, vijon kreu i SPAK.

“Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit. Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar. Kandidati fitues do t’i nënshtrohet një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, njofton Kraja.

Sistemi i përzgjedhjes së drejtorit të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i hartuar për të përzgjedhur kandidatin më të aftë. Personi që do të përzgjidhet nga ky proces, do të jetë pjesë e një grupi elitë që mbështet drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorët e Posaçëm, të cilët do të hetojnë veprat penale nën juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thuhet në njoftimin zyrtar të hapjes së garës.

Aplikimet duhet të dërgohen jo më vonë se të enjten, 30.01.2020. /atsh

Hapet gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit Read More »

Bardhi: Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj i dënuar në Greqi

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi publikoi sot një dokument të prokurorisë greke, ku sipas tij, rezulton se kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, është dënuar në Greqi me 3 vjet burg.

Sipas Bardhit, Ismailaj e fshehu ndalimin dhe dënimin në formularin e Dekriminalizimit.

“Ashtu sikurse premtova dy ditë më parë, sot do të publikojmë dokumente zyrtare dhe të pakundërshtueshme që provojnë se Qerim Ismailaj, është person me rekorde kriminale. Sipas vërtetimit me nr. Protokolli 405 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Edi Rama i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, rezulton i dënuar me 3 vjet burgim nga Gjykata e Kios, më datë 25 Shkurt 2000. Ai është dënuar për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje (rrahje) dhe nuk e ka vuajtur dënimin për shkak të mosgjetjes në territorin grek”, tha Bardhi.

“Sipas ligjit të dekriminalizimit, Qerim Ismailaj nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik, aq më pak të jetë kandidat për Kryetar Bashkie. Ai është subjekt ndalimi sipas ligjit dhe duhet menjëherë të procedohet penalisht për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit”, u shpreh Bardhi. //atsh

Bardhi: Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj i dënuar në Greqi Read More »

Mamografia e lëvizshme, 44 depistime në qendrën shëndetësore Kotë në një javë

Pamundësia ekonomike dhe gjeografike ka bërë që shumë gra të mos ekzaminohen për kancerin e gjirit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka menduar edhe për këto kategori.
Falë mamografisë lëvizëse arritën të depistohen 44 gra të qendrës shëndetësore Kotë, vetëm në javën e parë të instalimit të saj pranë qendrës shëndetësore.

Tumori i gjirit është i trajtueshëm nëse kapet në kohë.

Njësia vendore e kujdesit shëndetësor në Vlorë ka bërë apel për të mos neglizhuar kujdesin ndaj shëndetit. “Përqafoje jetën, sepse të parandalosh është më mirë sesa të kurosh”, -thonë specialistët e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor në Vlorë./atsh

Mamografia e lëvizshme, 44 depistime në qendrën shëndetësore Kotë në një javë Read More »

Vullnetarizmi i të rinjve/ Meta: Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social

“Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social dhe pozitiv”, është shprehur Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili zhvilloi sot një takim me përfaqësinë e grupimit “UnionS” të nismës “Unë e Dua Vullnetarizmin”.

“Energjia dhe vizioni i të rinjve për ndërtimin e një të ardhmeje të sigurtë në Shqipëri janë përherë frymëzuese. I tillë ishte edhe takimi që zhvillova sot me përfaqësinë e grupimit “UnionS” të nismës “Unë e Dua Vullnetarizmin”, me një kontribut të spikatur në shërbim të familjeve të prekura rëndë nga tërmeti”, ka thënë Meta.

Meta i ka falënderuar të rinjtë për shembullin e duhur, jo vetëm për zhvillimin dhe konsolidimin e humanizmit dhe solidaritetit, por edhe për ndihmën e çmuar të dhënë ndaj komuniteteve në nevojë.

“Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social dhe pozitiv, që bazohet tek kontributi vullnetar i secilit prej nesh, për një shoqëri më njerëzore, më të përgjegjshme dhe më europiane, por edhe më të fortë dhe të pathyeshme përballë sfidave të globalizimit”, është shprehur Meta.

“Aktivizimi vullnetar është një vlerë e shtuar, fuqizimi i të cilit na bën të gjithëve qytetarë më të mirë dhe shoqërinë tonë më të dashur, më njerëzore dhe më optimiste”, është shprehur Meta./atsh

Vullnetarizmi i të rinjve/ Meta: Shqipëria e ka të domosdoshme një dimension të ri social Read More »

Aksidentet rrugore, në 76,1 % të rasteve shkak sjellja e drejtuesit të mjetit

Vetëm në muajin nëntor 2019, aksidentet rrugore në 76,1 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

Institutit i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,1 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas ISHP-së, aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,2 %.

Në njëmbëdhjetëmujorin e 2019, aksidentet rrugore në 15,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit./atsh

Aksidentet rrugore, në 76,1 % të rasteve shkak sjellja e drejtuesit të mjetit Read More »

Temperaturat nën zero/ Ngrin liqeni në Pukë, bashkia apel qytetarëve për kujdes

Temperaturat e ulëta që kanë prekur vendin tonë kanë bërë që në Pukë sipërfaqja e liqenit të ngrijë.

Përmes një njoftimi, bashkia e Pukës njoftoi qytetarët e saj të bëjnë kujdes, teksa ka publikuar edhe foto nga liqeni i ngrirë.

“Për shkak të temperaturave të ulëta që kanë karakterizuar qytetin tonë prej ditësh, Liqeni i qytetit të Pukës është ngrirë në të gjithë sipërfaqen e tij”, thekson bashkia e Pukës.

“Përballë kësaj situate porositni fëmijët tuaj të shmangin aventurën për të hipur mbi sipërfaqen e akullt të qytetit, pasi është me mjaft rrezikshmëri”, thekson bashkia e Pukës./atsh

Temperaturat nën zero/ Ngrin liqeni në Pukë, bashkia apel qytetarëve për kujdes Read More »

Nuk ka vend për panik,ISHP: Vetëm një rast nga infeksioni i meningjitit, nuk ka epidemi

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi sot se nuk kemi asnjë situatë epidemike në lidhje me meningjitin ose meningokoksemisë në Shqipëri.

Në një prononcim për mediet, e pyetur lidhur edhe me rastin më të fundit ku një person humbi jetën si pasojë e meningjitit dhe me shqetësimet e krijuara për qytetarët, Bino tha se deri më tani vetëm ky rast ka rezultuar të jetë me meningjit ndërsa rastet e tjera nuk kanë të bëjnë me këtë sëmundje.

Bino theksoi se qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi situata është nën kontroll, duke theksuar se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit ka më pak raste personash të prekura nga gripi.

“Raste të infektuara nga meningjiti kemi çdo vit por nuk kemi epidemi. Nuk ka asnjë vend për panik dhe shqetësim pasi nuk kemi epidemi. Infeksioni nga menigokoku është një infeksion i rëndë fatal që evoluon shumë shpejt. Kjo është arsyeja që ai person të ketë pësuar një fat të keq pavarësisht mjekimit. Janë marrë masa të caktuara. Nuk ka rrezik pasi të gjithë personat e kontaktit me këtë person kanë marrë antibiotikë”, tha Silva Bino.

Ndërsa për rastin në Durrës, ku një grua rreth 33 vjeçe, humbi jetën ditën e djeshme si pasojë e problemeve shëndetësore Bino deklaroi se “për këtë rast mostrat kanë ardhur në ISHP dhe po analizohen nuk ka patur shenja për këtë sëmundje. Ndërkohë ne kemi vetëm një rast me meningjit. Nuk kemi të bëjmë me situatë epidemike. Personat që kanë pasur kontakt me të kanë marrë kurën përkatëse. Të gjitha rastet janë testuar për gripin dhe kanë rezultuar negative. Situata po monitorohet”, tha Bino.

Ndërkohë si këshill për të prekurit nga sëmundjet sezonale, Bino u shpreh se të gjithë këta persona nuk duhet të neglizhojnë.

“Këshilla për qytetarët është që duhet të besojnë se Instituti po monitoron situatën në vend. Jemi në një sezon normal të gripit, kemi intensitet të ulët të gripit. Kemi qarkullim të viruseve të gripit por është e rëndësishme të dihet për ata që kanë probleme të mos neglizhojnë”, apeloi Bino./atsh

Nuk ka vend për panik,ISHP: Vetëm një rast nga infeksioni i meningjitit, nuk ka epidemi Read More »