Irina

Matura Shtetërore/ Publikohet testi i Matematikës me alternativat e sakta

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar njërin prej varianteve të testit të provimit të detyruar të Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës për vitin 2020.

Në variantin e publikuar, alternativat e sakta janë të theksuara. Në publikimin e testit të provimit të Matematikës, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka informuar se “testi që po publikojmë, është vetëm njëri nga katër variantet e zhvilluara në provimin e Matematikës për Maturën Shtetërore 2020. Të gjitha variantet kanë pyetje të njëjta, por renditja e tyre si edhe renditja e alternativave për secilën pyetje ndryshon në çdo variant”.

Tani më edhe një provim ka mbetur për mbi 32 mijë maturantë. Në 18 qershor përfundojnë sezonin e provimeve me lëndën me zgjedhje.

Alternativat e sakta janë të theksuara:

https://drive.google.com/file/d/1-2f-AJ6aYG0bZozevlsZiXKJZ9wNyQDE/view/atsh

Matura Shtetërore/ Publikohet testi i Matematikës me alternativat e sakta Read More »

50 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv, 8 në terapi intensive dhe 2 të intubuar

Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 50 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 571 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u kërkoi qytetarëve të tregohen të kujdesshëm për shkak se ditët e fundit po vihet re një shtim i rasteve pozitivë me COVID nga bizneset dhe institucionet publike.

“Të nderuar qytetarë, nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve ne aktivitete biznesi, institucione publike dhe private, ndërmarrje me shumë punëtorë, etj, i bëjmë apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Në këto kushte është domosdoshmëri mbajtja e maskës në ambiente publike kur nuk është e mundur të ruhet distanca fizike. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, tha Dervishi.

Ajo theksoi se “virusi është akoma mes nesh dhe për sa kohë nuk ka një vaksinë, qytetarët duhet të përshtaten me normalitetin e ri dhe të përshtasin sjelljen e tyre duke u kujdesur për zbatimin strikt të çdo rregulli të vendosur. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19″. z.tosk/atsh

50 pacientë të shtruar në spitalin Infektiv, 8 në terapi intensive dhe 2 të intubuar Read More »

Protesta e maturantëve/ Vrapi: Asnjë pyetje nuk ka gabime shkencore, nuk janë jashtë programit

Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, deklaroi sot se pas takimit me mësues të gjimnazeve rezultoi se “asnjë pyetje nuk është jashtë programit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe asnjë pyetje nuk ka gabime shkencore”.

Në një intervistë televizive, Vrapi theksoi se “përpara një ore kemi pasur një takim me një grup të konsideruar mësuesish, të cilët ishin nga gjimnazet kryesore të Tiranës, por edhe të rretheve dhe kemi diskutuar mbi pretendimet e maturantëve. Çuditërisht nga askush nuk kishte pretendime”.

“Pati diskutime në lidhje me pyetjet, por dy gjëra dolën në përfundim të këtij takimi: E para, asnjë pyetje nuk është jashtë programit të miratuar nga Ministria e Arsimit dhe e dyta, asnjë pyetje nuk ka gabime shkencore”, – tha Vrapi.

Sipas saj, ka pyetje që nxënësit kanë hasur vështirësi për shkak të natyrës së testit që kërkon njohuri me kompetenca.

“Kanë pasur tre vjet për mësimin me kompetenca, është brezi i parë që finalizohet nga të mësuarit me kompetenca. Në fillim u tha se është kopjuar, kjo është fyese. Nuk është kopjuar asnjë pyetje, këtë e them me garanci të plotë”, – tha Vrapi.

Ajo u shpreh se “programi ku specifikohen kompetencat janë dhe çfarë nxënësi duhet të zotërojë. Ne nuk testojmë më informacion dhe riprodhim, por çfarë je në gjendje të bësh me aftësitë që ke”.

“Këto nxënësi duhet t’i këtë mësuar gjatë 3 viteve. Nuk ka më riprodhim, duhet të fillojnë të mendojnë dhe gjykojnë”, – shtoi ajo.

Vrapi tha se “nga disa rezultate paraprake, nuk shoh asnjë lloj problematike. Nëse një pyetje nuk zgjidhet nga asnjë, patjetër që ka probleme, nëse është zgjidhur nga një përqindje e caktuar, do të thotë se nuk ka pasur asnjë problem”./atsh

Protesta e maturantëve/ Vrapi: Asnjë pyetje nuk ka gabime shkencore, nuk janë jashtë programit Read More »

5.4% e PBB në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve

Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha se, Programi i Rindërtimit parashikon ndërtimin dhe rehabilitimin e rreth 10 mijë banesave në zonat, ku tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi më së shumti.

Gjatë një interviste televizive ai tha se, do të ndërtohen 3400 banesa individuale të modelit, 1+1, 2+1 dhe 3+1, të cilat kushtojnë nga 17 në 25 mijë euro.

Ahmetaj tha se, qeveria po mbështet qytetarët e mbetur pa strehë nga tërmeti duke iu paguar bonus qiraje, ndërsa theksoi se, paketa e mbështetjes ndaj biznesit dhe qytetarëve, në kushtet e situatës së krijuar nga Covid-19, adresoi faljen e kamatëvonesave dhe gjobave që llogaritet në një shumë deri në 15 miliardë lekë.

Gjithashtu nënvizoi ai, qeveria vuri në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve Paketën e parë dhe të dytë të mbështetjes si dhe instrtumentin e Garancisë Sovrane në vlerën totale të gjitha 250 milionë USD.

Nga garancia e parë janë disbursuar 50 milionë euro për 629 aplikime dhe procesi vazhdon, vijoi Ahmetaj, ndërsa informoi se nga garancia e dytë janë mbi 20 aplikime të aprovuara sepse sapo ka nisur procesi.

5.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto është adresuar në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve, në kushtet e situtës së vështirë të krjuar nga Covid-9, deklaroi Ahmetaj./atsh

5.4% e PBB në mbështetje të biznesit dhe qytetarëve Read More »

Parashikimi i motit, e martë 16 qershor 2020

Moti sot parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell. Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se do të ketë reshje shiu me intensitet të ulët dhe mesatar. Në pjesën Veriore dhe qendrore lokalisht reshjet marrin karakter shtrëngatash me shkarkesa elektrike në orët e drekës.

Era do të fryjë me drejtim Veriperëndim – Jugperëndim 1-12m/sek, kryesisht në bregdet. Valëzimi në dete parashikohet i forcës 2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 14/26 Re shi
Kukës 12/26 Re shi
Lezhë 12/25 Re shi
Dibër 10/22 Re shi
Durrës 15/24 Re shi
Tiranë 16/27 Re shi
Elbasan 14/27 Re shi
Berat 12/27 Re shi
Vlorë 16/24 Re shi
Korçë 12/21 Re shi
Gjirokastër 10/27 Re shi
Sarandë 13/23 Re shi/atsh

Parashikimi i motit, e martë 16 qershor 2020 Read More »

Hoti paralajmëron për valën e dytë të infektimeve me COVID-19

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka ngritur shqetësimin e tij për një valë të mundshme të re me koronavirus në kohën kur vendi ynë po përballet me një numër në rritje të rasteve të reja.

Gjatë 24 orëve të kaluara në nivel vendi janë konfirmuar gjithsej 49 raste të reja me koronavirus.

E kjo ka nxitur të parin e Ekzekutivit vendor të reagojë ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejme të kësaj sëmundjeje që ka prekur tashmë pothuajse të gjithë botën.

“Vendi ynë mund të përfshihet nga vala e dytë e infektimeve me virusin COVID-19. Në bazë të trendit të ditëve të fundit me raste të reja të infektimeve, ky rrezik është shumë real. Mund të preken edhe më shumë jetë njerëzish, do të thellohet kriza ekonomike, ndërsa do të stërngarkohet sistemi i shëndetësisë”, tha Hoti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbajtjen e maskave, ruajtjen e higjienës dhe mbajtjen e distancës sociale si pjesë e masave parandaluese kundër përhapjes së COVID-19.

Hoti tha se pas hartimit të manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, do të angazhojë rreth 200 profesionistë shëndetësorë që do të monitorojnë zbatimin e këtyre masave./KosovaPress/

Hoti paralajmëron për valën e dytë të infektimeve me COVID-19 Read More »

“2020-a, një nga vitet më të mira të bujqësisë shqiptare”/ 10% më shumë eksporte në 5-mujorin e parë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, u shpreh se “ky vit është një nga vitet më të mirë të bujqësisë shqiptare”.

Gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së hënës, Çuçi tha se, sektori i bujqësisë nuk është prekur nga pandemia COVID-19.

“Në kushtet e situatës të masave mbrojtëse ndaj COVID-19, qeveria vendosi mbylljen e aktiviteteve të biznesit në vendin tonë, por mori vendimin që të mos mbyllej për asnjë ditë, aktiviteti i biznesit bujqësor, duke garantuar paprekshmërinë e zinxhirit ushqimor në të gjithë hallkat e tij nga prodhimi, qarkullimi (transporti) dhe eksportimi”, – tha ministri.

Eksportet bujqësore në 5-mujorin e parë të këtij viti kanë shënuar rritje në vlerë dhe sasi me 10% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ministri vuri në dukje se, “prodhimi bujqësor vendas po ndjek trendin e rritjes dhe standardeve më të mira, ndërsa qendrat e grumbullimit po funksionojnë me kapacitet të plotë”.

“Ky është viti më i mirë historik përsa i takon çmimeve të produkteve bujqësore në fermë që do të thotë se fermerët kanë marrë të ardhura të kënaqshme nga shitja e prodhimit në qendrat e grumbullimit”, u shpreh Çuçi.

Sipas tij, sot fermerët jo vetëm prodhojnë por edhe po e certifikojnë prodhimin sipas standardeve më të mira. “Produktet bujqësore shqiptare janë më të mirat në tregjet europiane dhe kanë besueshmëri të lartë”, – tha ai, duke e bazur këtë në rezultatet e analizave që kryen Instituti i akredituar i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Çuçi u shpreh se, qeveria po ndërmerr instrumente financiarë për nxitjen e kooperimit bujqësor por rastet më të mira, tha ai janë grumbulluesit, të cilët i angazhojnë fermerët të kultivojnë produktin që kërkon tregu sipas standardeve të kërkuara.

Ministri informoi se janë dy skema të financimit në bujqësi që mbështesin fermerin: Skema Kombëtare adreson financim direkt për fermerin mbi aktivitetin që zhvillon dhe IPARD që financon investimet në bujqësi.

Gjithashtu tha ai, Qeveria shqiptare në bashkëpunim me BERZH, ka vënë në dispozicion të kreditimit të fermerëve nga bankat dhe fondin e garancisë si instrumenti që shërben si kolateral dhe lehtëson huamarrjen për të gjithë ata që punojnë në sektorin rural. /atsh

“2020-a, një nga vitet më të mira të bujqësisë shqiptare”/ 10% më shumë eksporte në 5-mujorin e parë Read More »

“Brenda javës, edhe 3 çartera të tjerë me turistë”/ Klosi: Presim vizitorë edhe nga Ukraina e Polonia

Ndërsa ka mbërritur çarteri i parë me turistë pas hapjes së kufijve, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi siguroi në një intervistë televizive se janë respektuar të gjitha rregullat shëndetësore, duke nisur me kontrolle të shtuara në aeroport, dhe zbatimin e masave higjieno-sanitare në hotele.

“Nuk ka arsye për kthim prapa në masat izoluese. Numrat e lartë të infektimeve tregojnë që ka shumë arsye për t’u bërë thirrje qytetarëve për kujdes ndaj jetës së tyre”, u shpreh Klosi.

“Ne ishim të parët që vendosëm të hapeshim duke hapur fillimisht kufirin me Kosovën, Malin e Zi. Qëndrimi për t’u hapur nuk ishte thjesht se ne donim por për faktin se shëndetësia është e aftë për të përballuar një shtim të numrave të të infektuarve. Nëse do të ketë shtim dhe mosdakordësi të opionionit publik që mos të respektohen protokollet shëndetësore, sigurisht që do të ketë vendime të tjera”, tha ministri Klosi.

Klosi u shpreh se gjatë kësaj jave do të vijnë dhe 3 çartera të tjerë në Shqipëri, ndërkohë që duke filluar nga java tjetër, vendi do të presë turistë edhe nga Ukraina e Polonia.

“Me kompaninë që sollën turistët si dhe kompaninë e cila ofroi këtë shërbim, është dakordësuar që të respektohen rregulla strikte të kontrollit të pasagjerëve. Nesër vjen çarteri tjetër, brenda javës do të vijnë 3 të tillë. Më pas javës tjetër do të vijnë çartera nga Ukraina dhe Polonia. Nuk ka të bëjë me numrat, janë shumë të pakta krahasuar me vjet dhe kjo vjen si pasojë e mos hapjes së fluturimeve nga vendet e tjera të Europës”, theksoi Klosi.

Sipas tij, nëse do të vijojmë me këtë ritëm të hapjes së turizmit, do të arrijmë një nivel të konsiderueshëm të turizmit që mund të zgjatet edhe në muajt shtator dhe tetor në mënyrë që të mos kemi shumë humbje. /atsh

“Brenda javës, edhe 3 çartera të tjerë me turistë”/ Klosi: Presim vizitorë edhe nga Ukraina e Polonia Read More »