Irina

Ushqimi 100% bio dhe vend fantastik/ Ambasadorja e Suedisë fton turistët në Shqipëri

Ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad i ka bërë thirrje turistëve suedezë që të vizitojnë Shqipërinë.

Ajo ka vizituar Mrizin e Zanave, pikën agroturistike në Fishtë të Lezhës të ngritur nga sipërmarrësi Altin Prenga.

Ambasadorja Hastad shprehet se tek Mrizi i Zanave ushqimi është fantastik dhe 100% vendas. Ajo shton se “Altini është një sipërmarrës me vizion”.

“Miq suedezë – koha për të vizituar Shqipërinë! Sot u njohëm me Altinin, një sipërmarrës të vërtetë, me vizion! Agroturizmi Mrizi i Zanave. Ushqimi është fantastik! 100% lokal dhe i qëndrueshëm”, thekson Ambasadorja Hastad.

Ambasadorja suedeze Hastaq që prej ardhje së saj në Shqipëri ka promovuar mënyrën e jetesës sa më të shëndetshme dhe të qëndrueshme në mbrojtje të mjedisit./atsh

Ushqimi 100% bio dhe vend fantastik/ Ambasadorja e Suedisë fton turistët në Shqipëri Read More »

Fluks udhëtarësh në portin e Vlorës, 21 642 në dhjetor dhe ditët e para të janarit

Porti i Vlorës është pika më e rëndësishme e turizmit në jug të vendit në çdo stinë të vitit. Gjatë vitit 2019 dhe fillimit të vitit 2020 ka patur një fluks të lartë të hyrjeve dhe daljeve të udhëtarëve shqiptarë dhe të huaj.

“Në bazë të statistikave, gjatë muajit dhjetor 2019 – 13 janar 2020, nga Porti i Vlorës kanë hyrë dhe kanë dalë rreth 21 642 udhëtarë dhe 3 322 automjete”, bën të ditur porti i Vlorës.

Sipas portit, duke e krahasuar këtë shifër me vitin e kaluar shohim një rritje të konsiderueshme me rreth 1705 udhëtarë dhe 940 automjete më shumë.

Një rol të rëndësishëm në përpunimin e udhëtarëve këtë vit ka luajtur edhe terminali i ri i pasagjerëve në portin e Vlorës.

“Ndryshe nga vitet e tjera edhe pse fluksi ka qenë i lartë, nuk janë krijuar pritje të gjata si në hyrje dhe në dalje, kjo për shkak të masave të marra nga Autoritetet Portuale dhe funksionimit të Terminalit të Ri të Pasagjerëve”, – thuhet në njoftimin e portit të Vlorës, i dyti më i madh në vend./atsh

Fluks udhëtarësh në portin e Vlorës, 21 642 në dhjetor dhe ditët e para të janarit Read More »

Të bllokuar nga moti i keq në malin e Gramozit, 4 alpinistë shpëtohen nga policia dhe banorët e zonës

Katër alpinistë të bllokuar për shkak të kushteve atmosferike në malin e Gramozit u shpëtuan pas disa orësh nga policia dhe banorët e zonës në Kolonjë.

Në sallën operative të komisariatit të Policisë Kolonjë, është marrë një telefonatë sipas të cilës 4 alpinistë që kishin lënë mjetin e tyre tip “Ford”, në fshatin Starje dhe ishin nisur për të ngjitur malin e Gramozit, mund të kishin mbetur të bllokuar në rrugë për shkak të kushteve të vështira atmosferike.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, në drejtim të zonës, u nisën shërbime të komisariatit të Policisë Kolonjë dhe Stacionit të Policisë Kufitare Shtikë, të Emergjencave Civile, të ndihmuar edhe nga banorë të zonës.

Pas disa orë kërkimesh, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja në gjendje të mirë shëndetësore e 4 alpinistëve, të cilët ishin ngjitur në majën e quajtur “Çuka e Peçit” në lartësinë 2523 m, të malit të Gramozit dhe më pas për shkak të kushteve të vështira atmosferike, kishin hasur vështirësi gjatë kthimit.

Alpinistët (njëra prej tyre vajzë) kanë falënderuar shërbimet e Policisë dhe banorët, që iu erdhën në ndihmë dhe iu shpëtuan jetën. Policia më pas ka bërë shoqërimin e tyre, deri në vendin ku u akomoduan në qytetin e Ersekës./atsh

Të bllokuar nga moti i keq në malin e Gramozit, 4 alpinistë shpëtohen nga policia dhe banorët e zonës Read More »

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre

“Policia e Shtetit sot është shumë herë më e mirëpaguar se dje dhe për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk është trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin apo nga influenca të çdo lloj natyre”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në inaugurimin e repartit të ri të forcave speciale RENEA, Rama theksoi se “për herë të parë në 30 vite, forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre”.

Kryeministri vlerësoi Policinë e Shtetit, përtej të gjithë vështirësisë së jashtëzakonshme në të cilën u vunë si rezultat i provokimeve nga palët demonstruese.

“Në 6 muajt marramendës të protestave të dhunshme të opozitës, u shfaq në sytë e opinionit publik vendas dhe atij të interesuar jashtë Shqipërisë, fytyra e një Policie Shteti profesionale dhe proporcionale në raport me protestën”, – deklaroi Rama.

Rama tha se “vitin e shkuar vijoi procesi i përafrimit të standardeve me policitë simotra të vendeve europiane”.

“U hap rruga për herë të parë në Policinë e Shtetit për studentët ekselentë dhe u forcua më tutje struktura e bazuar në meritokracinë në provesin e rritjes në detyrë në Policinë e Shtetit. U zbatuan për herë të parë metoda të reja kundër krimit, përfshi edhe krimin kibernetik, siç vërteton edhe progresraporti i 2019. U rrit niveli i respektimit të të drejtave të njeriut”, – tha Rama.

Duke u ndalur te investimet në Policinë e Shtetit, Rama tha se “vazhdoi rinovimi i flotës së automjeteve dhe sot nuk ka pikë diskutimi që në çdo aspekt Policia e Shtetit është në ditën e saj më të mirë krahasuar me çdo ditë të djeshme”. “Por nuk ka pikë diskutimi se krahasuar me të nesërmen nuk mjafton”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Policia e Shtetit po kryen dhe një proces pastrimi, përmes një vetingu që po ecën me të gjithë kujdesin dhe domosdoshmërinë e nevojshme”.

“Nuk kemi bërë sa kemi dashur për shpërblimin e Policisë së Shtetit, por kemi bërë sa kemi mundur sot. Sot, Policia e Shtetit është shumë herë më e mirëpaguar se dje. Kemi respektuar maksimalisht autoritetin e Policisë së Shtetit, autoritetet drejtuese të saj që për herë të parë në historinë e 30 viteve nuk janë të trysnuar nga urdhrat nga lart, në kundërshtim me ligjin, apo nga influenca të çdolloj natyre. Apo forcave speciale, që nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre, për herë të parë në 30 vite”, – tha Rama./atsh

Policia shumë herë më e mirëpaguar se dje, për herë të parë në 30 vite forcat speciale nuk janë tradhtuar në operacionet e tyre Read More »

Veliu: Brenda 3 vitesh ulim moshën mesatare të Policisë së Shtetit

“Asetet kriminale të hequra nga duart e krimit llogariten në rreth 90 milionë euro për vitin 2019, një dëshmi e luftës së ashpër e të pakompromis që i kemi shpallur paligjshmërisë dhe krimit të organizuar në vend”, – deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

I pranishëm në inaugurimin e ambienteve të reja të Repartit special RENEA, Veliu u shpreh se, “njëri prej reparteve me reputacionin më të lartë, jo vetëm brenda vendit dhe tek agjencitë ligjzbatuese në Shqipëri, por edhe tek partnerët tanë të huaj që kanë bashkëpunuar me këtë njësi speciale, do të ketë nga sot shtëpinë e re. Inaugurojmë këto ambiente vërtet moderne, me të njëjtat standarde si ato të policive partnere më të zhvilluarat në Europë, të bindur se ky është një investim që reparti RENEA do t’ia kthejë pas gjithë shoqërisë, duke prodhuar më shumë siguri”.

Veliu theksoi se, “ndërtimi i këtij reparti u bë i mundur falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, me iniciativë të Kryeministrit Rama, duke siguruar infrastrukturën e nevojshme, sipas standardeve bashkëkohore për përgatitjen fizike, taktike, profesionale dhe akomodimin e forcave speciale në një mjedis të sigurt. Implementimi i këtij projekti u mbështetet nga financimet e buxhetit të shtetit dhe ato të BE-së, nëpërmjet programit IPA. Në total, për realizimin e këtij projekti u investuan 10 milionë euro, nga të cilat 7.6 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe 2.4 milionë euro nga Bashkimi Europian”.

“Në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është kënaqësi e dyfishtë, që kjo ditë e përurimit të ambienteve ku do të stërviten e qëndrojnë forcat RENEA, sot përkon me 107-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit. E kemi zgjedhur jo pa qëllim, që këto dy evente të ishin në të njëjtën ditë. Gjithë trupa e Policisë është fizikisht në frontin e parë të luftës kundër krimit e paligjshmërisë, por në jo pak raste më të rrezikuarit e kësaj lufte janë këta burra, djem e gra, që punojnë në forcat RENEA. Publiku nuk njeh fytyrat, por njeh aktet dhe ka parë shpesh sakrificat e tyre”, – tha Veliu.

Ky, shtoi Veliu, “është momenti, ku së pari dua që të gjithë së bashku të nderojmë e përkujtojmë me respekt 224 Dëshmorët e Policisë, që nuk kursyen jetën në mbrojtje të ligjit, jetës e pronës së qytetarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!”

Veliu theksoi se, “Policia e Shtetit është në sytë e publikut dhe aleatit tonë më të madh, qytetarit, institucioni më i besueshëm”.

Duke folur për vitin 2019, Veliu tha se, “ne mbyllëm një tjetër vit me rezultate domethënëse, duke garantuar parametrat normal të sigurisë dhe rendit publik, edhe pse e them pa drojë se 2019-ta ishte një ndër periudhat me mbingarkesën më të madhe për Policinë e Shtetit, këto vitet e fundit”.

“Numri i personave të rrezikshëm të vendosur prapa hekurave është me qindra, për t’i përballur ata me drejtësinë. Në disa raste ishim të tradhtuar nga disa vendime të gjyqësorit. Por kjo nuk ishte për asnjë moment dekurajim për ne, përkundrazi”, – tha Veliu.

“Duke qenë një partnere e besueshme tek partnerët, Policia e Shtetit zhvilloi në bashkëpunim, me dhjetëra operacione ndërkombëtare, në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit”, – u shpreh Veliu.

Ne vijoi Veliu, “ia dolëm të mbajmë të pastër dhe jashtë hartës së kultivimit të kanabisit Shqipërinë, duke e kthyer këtë në një arritje të konsoliduar tashmë. Të ashpër me shkelësit e ligjit kudo e kushdo qofshin ata, do të jemi edhe në vijim”.

“Sezoni turistik me gjithë volumin e madh e të pakrahasueshëm me disa vite më parë, u përballua falë dhe bashkëpunimit me institucione të tjera me shumë sukses dhe pa asnjë ngjarje kriminale, që do të cenonte jetën e pushuesve të huaj e vendas, apo cenonte imazhin e Shqipërisë”, – shtoi Veliu.

“Përballimi i situatës pas tërmetit të datës 26 nëntor, ku mijëra punonjës Policie lanë familjet e tyre në panik e frikë dhe të parët u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit mes rrënojave. Sot në këtë ditë të shënuar për Policinë, dua t’i falënderoj edhe njëherë për sakrificën dhe përkushtimin. Janë me dhjetëra jetë të shpëtuara dhe qindra të tjerë që u ndihmuan e asistuan. Ky është misioni ynë, e ndihemi krenarë që veshim këtë uniformë e shërbejmë”, – theksoi Veliu.

Duke folur për marrëdhëniet e Policisë me komunitetin, ai tha se, “njohën zhvillim epokal. Duke parë tek qytetari aleatin e vyer, punonjësit e Policisë nuk janë padronë të qyteteve, por janë shërbëtorë të qytetarëve. Ky zhvillim, kjo marrëdhënie dhe ky ndryshim është rezultat i aplikimit të metodave më të përparuara të policimit në komunitet, falë edhe mbështetjes së programeve nga qeveri e policitë mike. Një ndihmesë mjaft të madhe kanë dhënë edhe partnerët tanë OSBE, misionet PAMECA-s e ICITAP-it, si dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese të huaja, duke ndihmuar Policinë e Shtetit me trajnime, arsimim e bazë logjistike”.

Për vitin 2020, Veliu tha se, “objektivat janë shumë të qarta, duke veçuar si prioritet luftën kundër krimit të organizuar. Policia e Shtetit do të demonstrojë në këtë luftë se ka kapacitetet, motivimin, përgjegjësinë për t’ju përgjigjur pritshmërive të larta të publikut. Kapacitetet tona rriten dita-ditës. Besoj brenda muajit të ardhshëm do të kompletojmë flotën tokësore me mjete të reja e dinjitoze”.

Më tej, tha Veliu, “falë mbështetjes së qeverisë ndër projektet kryesore për 2020 e në vijim janë ngritja e një godine, më modernia e profesionalja në rajon për Policinë Shkencore. Akademia e Sigurisë do të pësojë një transformim rrënjësor, duke vijuar traditën e mirë të arsimimit të dhjetëra të rinjve e të rejave, që janë forca dhe inteligjenca e nesërme e Policisë së Shtetit”.

Në 2019, shtoi Veliu, “ne rekrutuam numrin më të madh të të rinjve, gati 700 vetë, duke rritur kështu edhe numrin total të Policisë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe në 2020, duke i dhënë frymëmarrje organizatës, duke ulur moshën mesatare, duke rinovuar me të rinj të motivuar kryesisht shërbimet me të cilat përballet qytetari çdo ditë, si Policinë Kufitare dhe Qarkullimin Rrugor”.

“Hapësira që na u dha me vendimin e fundit të qeverisë për trajtimin financiar të punonjësve mbi 55 vjeç, është një tjetër mundësi për të rritur kapacitetet e brendshme, duke ulur moshën mesatare në 3 vitet e ardhshme, me të paktën 1 vit e gjysmë. Sigurisht që dhe organizata e Policisë si vetë shoqëria ka nevojë për përmirësim, ndryshim e vetëpastrim. Besoj fort se procesi i vetingut që ka nisur prej muajsh me gradat e larta, si dhe puna në vijim do të pastrojë nga radhët e Policisë së Shtetit elementet e padëshiruar dhe do ta bëjë më të shëndetshme atë”, – tha drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu./atsh

Veliu: Brenda 3 vitesh ulim moshën mesatare të Policisë së Shtetit Read More »

Rama në mjediset e repartit të ri të RENEA-s: Investime edhe në Akademinë e Sigurisë, repartin e FNSH-së dhe laboratorin shkencor

Akademia e Sigurisë, reparti i FNSH-së dhe laboratori shkencor janë 3 objektiva, për të cilat Kryeministri Edi Rama siguroi se “puna fillon sot”.

Kryeministri inspektoi edhe ambientet e repartit të ri të forcave Speciale RENEA, ku u njoh nga afër me ambientet dhe pajisjet speciale të njësive.

Ai tha se “Akademia e Sigurisë do të kthehet në një strukturë model në rajon, në çdo aspekt”.

Po ashtu ai siguroi se “reparti i FNSH-së do jetë një tjetër model në çdo aspekt dhe laboratori shkencor patjetër që është një domosdoshmëri alarmante si rezultat i nevojës për ta sofistikuar policinë e shtetit në kushtet kur krimi sofistikohet çdo ditë”.

“Nëse me RENEA-n ne sot ndjehemi kryelartë sepse shlyem një borxh dhe i kemi vënë në dispozicion të gjithë këtë strukturë mbresëlënëse, ultramoderne, jemi në borxh me kohën dhe me Policinë e Shtetit deri kur të kemi vënë në dispozicion të studentëve një Akademi Sigurie të të njëjtave standarde si këtu, të kemi vënë në dispozicion të FNSH një strukturë të të njëjtave standarde si këtu dhe të kemi vënë në dispozicion të Policisë së Shtetit një laborator shkencor të të njëjtave standardeve si në vendet e BE-së”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “armiku më i madh i Policisë nuk është krimi, por është vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes nga shtypja, apo mungesa e vëmendjes për ta dëgjuar”.

“Më vjen shumë mirë që me qeverinë që unë drejtoj qysh nga dita e parë, ky armik është asgjësuar. Ne nuk kemi bërë sa kemi dashur për Policinë e Shtetit, por kemi bërë gjithçka kemi mundur. Ne nuk kemi arritur ende t’i plotësojmë Policisë së Shtetit të gjitha nevojat, por kemi bërë gjithçka që ajo sot të ketë më pak nevoja se dje”, tha kryeministri Rama./atsh

Rama në mjediset e repartit të ri të RENEA-s: Investime edhe në Akademinë e Sigurisë, repartin e FNSH-së dhe laboratorin shkencor Read More »

Përfundon censi i shpendëve ujorë, në Lagunën e Nartës 45% më tepër se vitin e kaluar

Përgjatë 3 ditëve Administratat e Zonave të Mbrojtura në gjithë vendin zhvilluan Censi e Shpendëve Dimërues migrator të mjediseve ujore për vitin 2020.

Ky census u mbyll sot në Liqenin e Vau Dejës ku ekspertëve ju bashkuan dhe miqtë e vegjël të Taraboshi Junior dhe së bashku numëruan dhe vëzhguan shpendët ujor në këtë liqen.

Gjithashtu ekspertë, studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe përfaqësues të stafit të AdZM Elbasan zhvilluan numërimin e shpendëve ujorë në disa pika të caktuar si: Liqeni i Banjës Gramsh, Liqeni i Belshit, Liqeni i Seferanit, Liqeni i Marinës, Liqeni i Çesties.

Stafit i AdZM Vlorë i shoqëruar nga ekspertë të PPNEA dhe 4 vullnetarë dhe fotograf të “Jetës së egër” dhe “Regjistrit elektronik të specieve” bën vrojtimin dhe numërimin e shpendëve ujor në 42 poligone vrojtimi që përfshijnë Lagunën e Nartës, Lagunën e Kallëngës, dhe Lagunën e Orikumit.

Në Lagunën e Nartës rezultatet e këtij censi tregojnë se ka një rritje me 45% më tepër shpendë në krahasim me vitin e kaluar.

Censi i Shpendëve Dimërues migrator të mjediseve ujore zhvillohet në të gjitha basenet ujore ku strehohen dhe shumohen shpend ujorë, dhe bën të mundur identifikimin dhe numërimin e tyre./atsh

Përfundon censi i shpendëve ujorë, në Lagunën e Nartës 45% më tepër se vitin e kaluar Read More »

Prodhime bujqësore cilësore, Çuçi: Eksportet janë rritur me 20% gjatë 11 muajve të vitit 2019

“Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e prodhimeve bujqësore”, tha sot ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi ndërsa ka vizituar një serrë në fshatin Petovë të Fierit.

Çuçi tha se “në fshatin Petovë të Fierit ka një histori suksesi. Serra e Xhevahir Likës funksionon që prej vitit të largët 1993. Një biznes familjar që ka ardhur duke u rritur vit pas viti. Aktualisht në një sipërfaqe prej rreth 1 hektar janë të kultivuara disa lloje domatesh”.

“Prodhimi shitet në tregun vendas dhe sidomos për eksportin, ku kërkesa dhe çmimi për momentin janë të favorshme për fermerët. Falë shtimit të sipërfaqeve me serra dhe fuqizimit të pikave të grumbullimit, Shqipëria vijon të ketë një trend rritës në eksportin e prodhimeve bujqësore”, tha ai.

Po ashtu Çuçi shtoi se “20% më të larta kanë qenë eksportet përgjatë 11 muajve të vitit 2019 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës. Prodhimet tona janë sot më konkurruese, sepse janë gjithashtu cilësore”./atsh

Prodhime bujqësore cilësore, Çuçi: Eksportet janë rritur me 20% gjatë 11 muajve të vitit 2019 Read More »