Irina

Reforma Zgjedhore/Rama: Përgëzoj rikthimin e arsyeshëm të opozitës në tryezën e dialogut

Kryeministri Edi Rama përgëzoi sot rikthimin e arsyeshëm në tryezën e dialogut të opozitës jashtëparlamentare për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore.

“Përtej më shumë se një viti të humbur në rrugën e konfliktit të çuar deri në ekstremin e mosarsyes, duhet përgëzuar ky rikthim i arsyeshëm në tryezën e dialogut për shkallën e parë të Reformës Zgjedhore, ku të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR-it do integrohen në Ligjin Zgjedhor”, u shpreh Rama.

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 marsi 2020./atsh

Reforma Zgjedhore/Rama: Përgëzoj rikthimin e arsyeshëm të opozitës në tryezën e dialogut Read More »

Meningjiti/ Mjeku Harxhi: Nuk ka epidemi, as vend për panik

Mjeku Arjan Harxhi deklaroi sot se nuk ka epidemi të meningokokut në Shqipëri, nuk ka vend për panik, por ka vend për të marrë masa.

Në një intervistë televizive, mjeku Harxhi tha se “nuk ka panik në realitet, edhe vjet ka pasur raste fatale, ka vend që ekspertët, institucionet të shohin fenomene të tilla për të ndryshuar strategjinë e parandalimit, por njerëzimi do ketë dhe do përballet me sëmundje efektive. Problematikat më të mprehta janë me sëmundjet infektive”.

“Jemi dëshmitarë që ka shumë informacion që qarkullon në rrjetet sociale, ka shumë interes, ka ngjallur shqetësim. Ne jemi bombarduar nga telefonatat,miq, të afërm, pacientë. Është e rëndësishme që të jepen informacione edhe në rrjetet sociale dhe të mbështetura në fakte. Bëhet fjalë për një infeksion të rrallë, sëmundje e rrallë fatmirësisht, por kur shfaq shenja klinike është agresive dhe ka risk të lartë për komplikacione të larta dhe vdekshmëri”, – theksoi Harxhi.

Sipas tij, bëhet fjalë për një infeksion nga ky bakter , që gjendet rëndom në persona në formë mbartshmërie, është bakter i njeriut nuk gjendet në kafshë apo ambiente të tjera , gjendet rëndom në përqindje të konsiderueshme 1 në 5 raste deri në 20% persona mund ta kenë ne fytin e tyre dhe në një përqindje shumë të vogël fatmirësisht kjo bakterie jep sëmundje invazive nga meningokoku.

“Dy format janë më të rënda të kësaj sëmundje infeksioni i cipave të trurit meningjiti dhe infeksioni në gjak, që është një formë e rrufeshme me vdekshmëri që shkon në 40-50% në qendra super të specializuara të trajtimit”, tha Harxhi.

Ai u shpreh se “është një sëmundje e rrallë që nuk kursen asnjë moshë dhe e hasim në moshat fëminore 1-5 vjeç dhe në adoleshencë 14-20 vjeç. Ky infeksion ka rrezik për transmetim, përmes spërklave dhe kontakti i ngushtë me personin e infektuar mbart një rrsik”,- nënvizoi Harxhi.

Konkretisht, vijoi ai, nëse i referohemi ISDS, Organizata e Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Europë, në 28 shtete të BE, vetëm në 2017 janë 3200 raste nga meningokoku.

“Frekuenca e rasteve është 0.6 raste për 100 mijë banorë. Nuk ka vend për panik, ka vend për të marrë masa. Ky infeksion jep temperaturë, dhimbje koke, të vjella, fotofobi (bezdi nga drita), përgjumje deri në koma dhe ngrirje të qafës. Mjekësia nuk bëhet dot nga studio apo interneti, por bëhet nëpërmjet kontaktit me pacientin. Nëse forma është më fulminante që në momentet e shfaqjes së temperaturës shfaqen brenda pak orësh njollat dhe tregon që kemi me meningokoksemi. Po dolën njollat risku është shumë i lartë. Është ‘helmim’ i gjakut. Nuk ka epidemi prej kësaj këto ditë në Shqipëri, epideminë e kanë hapur në mediet sociale”, tha mjeku Harxhi./atsh

Meningjiti/ Mjeku Harxhi: Nuk ka epidemi, as vend për panik Read More »

Reforma Zgjedhore/ Hajdari: Parimisht dakord me përmbajtjen e dokumentit të dakodësuar

Bashkëkryetarja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari theksoi se ishte parimisht dakord me përmbajtjen e dokumentit të dakordësuar, që u diskutua sot në tryezën me përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare.

“Kam kërkuar që të ketë një qartësi më të madhe sa i përket angazhimit që ky Këshill do të ketë në lidhje me diskutimin për ndryshimin e sistemit zgjedhor, siç dhe e përmban objekti i Komisionit për Reformën Zgjedhore”, tha Hajdari.

Gjithashtu, shtoi Hajdari, “duke qenë se u njoha sot me përmbajtjen e këtij dokumenti, më duhet të marr pak kohë të konsultohem dhe me kolegët e mi në Parlament në lidhje me dokumentin në fjalë”.

Si përfundim, nënvizoi Hajdari, “ajo çka është më e rëndësishme është fakti që takimi i zhvilluar bëhet në kuadër të dialogut për të garantuar një konsensus të gjerë dhe sa më transparent për procesin e Reformës Zgjedhore”.

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020./atsh

Reforma Zgjedhore/ Hajdari: Parimisht dakord me përmbajtjen e dokumentit të dakodësuar Read More »

Reforma Zgjedhore/ Bardhi: Vendimet do të merren me konsensus

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike.

“Propaganda është më e ethshme se asnjëherë për të mbuluar thelbin e asaj që u arrit me ndërmjetësimin e partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, “Reforma Zgjedhore nuk do të diktohet nga qeveria e votave të blera. Vendimet për Reformën Zgjedhore do të merren me konsensus jashtë Parlamentit ilegjitim. Parlamenti është vetëm noter formal i vendimeve të tryezës politike”.

Bardhi shtoi se, “përfaqësimi në tryezën e Reformës Zgjedhore me një nga arkitektët e blerjes së votës është në turpin e PS. Në dorën tonë nuk është të zgjedhim kundërshtarin, por të bëjmë çdo gjë për zbatimin e Reformës Zgjedhore, që çon vendin drejt zgjedhjeve”.

“Në dorën e qeverisë është të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe t’u hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme”, u shpreh Bardhi, i cili publikoi edhe kuadrin e bashkëpunimit për Reformën Zgjedhore.

Bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri (PS) dhe deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari u ulën sot në një tryezë me dy përfaqësuesit e mandatuar të opozitës së bashkuar, ish-deputetët, Oerd Bylykbashi (PD) dhe Petrit Vasili (LSI).

Në përfundim të këtij takimi u përcaktua kuadri i bashkëpunimit për reformën zgjedhore, ndërsa palët u angazhuan që reforma të përfundojë jo më vonë se 15 mars 2020. /atsh

Reforma Zgjedhore/ Bardhi: Vendimet do të merren me konsensus Read More »

Emërimet në Kushtetuese/ Komisioni i Venecias letër Ruçit: Do t’i diskutojmë në mars

Komisioni i Venecias do të diskutojë në mars në lidhje me 5 pyetjet që Kuvendi i Shqipërisë i drejtoi lidhur me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Thomas Markert, sekretar i Komisionit të Venecias i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi ku shkruan se Komisioni i Venecias do të diskutojë për një opinion mbi këtë çështje në sesionin e marsit.

Gjithashtu, një delegacion nga Komisioni i Venecias do të vizitojë Tiranën në fillim të shkurtit pas kërkesës së Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi më 30 dhjetor për një opinion mbi emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Në përgjigje të interesimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Komisioni i Venecias konfirmon se vizita në Tiranë do të jetë në fillim të muajit shkurt.

“Komisioni i Venecias synon të vizitojë Tiranën dhe vizita me shumë mundësi do të bëhet në fillim të shkurtit, por ende nuk janë caktuar datat”, ka deklaruar Komisioni i Venecias për ATSH.

Komisioni hetimor parlamentar i ngritur për të shqyrtuar kërkesën për shkarkimin e Metës vendosi ta përfshijë këtë rast në objektin e tij të punës dhe formuloi pyetjet me të cilat iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias.

Pyetjet që i janë drejtuar Komisionit të Venecias

A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptimin e ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?

Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30-ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të organit kompetent, KED, a e cenon parimin e gjykatës së krijuar me ligj? A ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke venë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?

A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar ky gjyqtar?

Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i procesit të betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur gjyqtari konsiderohet i emëruar në detyrë për efekt të ligjit?

Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?/atsh

Emërimet në Kushtetuese/ Komisioni i Venecias letër Ruçit: Do t’i diskutojmë në mars Read More »

Rama citon Charles de Gaulle: Patriotizmi kur dashuria për vendin vjen e para; nacionalizimi kur e para vjen urrejtja për të tjerët

“Patriotizmi është kur dashuria për njerëzit dhe vendin tënd vjen e para; nacionalizimi është kur e para vjen urrejtja për të tjerët dhe vendin e tyre”, tha sot kryeministri Edi Rama, duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të ish-presidentit francez Charles de Gaulle, që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të Çmuara”.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë këto javë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Rama citon Charles de Gaulle: Patriotizmi kur dashuria për vendin vjen e para; nacionalizimi kur e para vjen urrejtja për të tjerët Read More »

Pushimi i hetimit nga gjykata/ Braçe: Basha kërkon të fsheh imunitetin për të mos u gjykuar kurrë

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka reaguar sërish për vendimin e gjykatës që pushon çështjen e Lulzim Bashës dhe përfaqësuesve të PD-së lidhur me skandalin e 670 mijë dollarë në SHBA.

Braçe shprehet se provat janë konkrete dhe janë dokumente zyrtare të depozituara nga agjenci prestigjioze në botë.

“Nuk ka prova! Nuk ka prova! Lulzim Basha kërkon të fsheh imunitetin unik për të mos u gjykuar kurrë, kështu! Prova? Ja ku janë e ja bëjnë muuuu! Nuk janë letra bakalli, janë dokumenta zyrtare të depozituara ne agjencinë me serioze ne botë; Janë me firme të Nik Muzin e Lulzim Bashës. Prokurorët e gjykatësit në Tirane nuk kanë lejuar të hetohet e gjykohet rreth tyre! Zero! Kur nuk hetohet nuk ka prova, afërmendsh! Por në zyra amerikane ato janë, janë publike-ne dallim nga këtu, i shohin e i marrin të gjithë”, shprehet ai.

Po ashtu Braçe shton se “Prova thotë se Nik Muzin njeriu nën kontrate me PD ka deklaruar zyrtarisht, me shkrim se ka marrë për llogari të PD-së 670 mijë dollarë! Tani, ose gënjen ai nën betim dhe përgjigjet në Amerikë për këtë, ose gënjejnë këtu Lulzim Basha e zarat e tij dhe kanë imunitet e as hetohen e as gjykohen. Provat ja bëjnë muuuuu, imuniteti ndaj drejtësisë nuk i bën të padukshme! Krim i rëndë elektoral është ky apo jo?!”./atsh

Pushimi i hetimit nga gjykata/ Braçe: Basha kërkon të fsheh imunitetin për të mos u gjykuar kurrë Read More »

Shqipëria mes vendeve me industri turizmi konkurruese/ Klosi: Rritje 2 fishore e numrit të turistëve që nga 2013-ta, 6.5 milionë këtë vit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se “është në traditën e shqiptarit që ‘Shtëpia të jetë e Zotit dhe e Mikut’, përtej humanizimit industria e turizmit dëshmoi se është një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë së Shqipërisë”.

Në fjalën e tij në samitin ndërkombëtar “Turizëm, Solidaritet dhe Qëndrueshmëri”, ku marrin pjesë Shqipëria, Greqia, Italia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, Klosi theksoi se “organizojmë këtë samit për të treguar se Shqipëria ka tashmë një ofertë turistike të konsoliduar, të qëndrueshme dhe në çdo kohë. Mijëra familje gjetën dyert e hapura dhe dorën e mikpritjes së strukturave akomoduese hoteliere shqiptare. Ata u hapën dyert dhe strehuan në sofrën e madhe shqiptare, siç kanuni e përcakton mijëra qytetarë në ditën e tyre më të keqe”.

“Me një rritje vjetore dyshifrore me 3 milionë turistë që kemi gjetur në 2013, 5.9 milionë ishin në 2019, 6.5 milionë turistë të huaj e vizituan në 2019, e me sfidën e qartë për të shkuar në 10 milionë në vitet e para të dekadës së re ne jemi me koleget tanë për të bërë së bashku me kolegët tanë për të bërë politika të caktuara për të mbështetur këtë ekonomi , atë punë të madhe që që kanë bërë hotelierët dhe komuniteti i biznesit privat kudo në vendin tonë”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “falë vizionit dhe mbështetjes me politikat qeverisëse që i dha Kryeministri Rama Shqipëria është tashmë e orientuar qartë dhe mirë drejt zhvillimit të turizmit me qëllim të qartë të rritjes jo vetëm të numrave hyrës në kufi por mbi të gjitha të thellimit të destinacionit të qëndrueshëm turistik europian”.

Ministri Klosi tha se “këtë e dëshmoi edhe 26 nëntori pavarësisht goditjes së natyrës, Durrësi zona më e rëndësishme turistike në vend është e paprekur dhe në vijim të një procesi të suksesshëm për vitin dhe sezonin e ardhshëm turistik për të pranuar përsëri qindra mijëra turistë miliona turistë të huaj”.

Prandaj, vijoi ai, prania e kaq shumë operatorëve turistikë influentë në turizmin shqiptar më jep bindjen se përsëri sezoni turistik i 2020 do të jetë i suksesshëm e plot ekonomi për familjet shqiptare.

“Ndaj këtë praktikë të mirë do ta ndaja jo vetëm me kolegët e rajonit, por edhe falë mbështetjes dhe kontributit të kolegëve të ardhur nga organizata botërore e turizmit dhe të kemi mundësi që këtë praktikë që realizuam në Shqipëri ta shpërndajmë dhe promovojmë në botë e të themi që turizmi nuk është vetëm një industri që shet vetëm kënaqësi , që ofron vetëm paketa turistike, por turizmi është një shtyllë e rëndësishme ekonomike, e cila mund të japë ndihmesa të rëndësishme edhe në kuadër të trajtimit të krizave humanitare”-, theksoi Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “përtej solidaritetit, përtej bashkëpunimit ne do të duhet shumë që politikat turistike dhe dimensionet e reja të promovimit të politikave turistike në rajon të kemi shumë më tepër të përbashkëta. Më shumë se kudo tjetër ky bashkëpunim ka vlerë në rajonin tonë”.

“Kemi kaluar të njëjtat linja zhvillimi politike e shoqërore në këtë pjesë të botës, ku kemi fatin të jetojmë, kemi historinë, kulturën natyrën, kulinarinë dhe kemi mundësinë e pakufizuar për të qenë bashkë duke rritur komunikimin dhe shkëmbimin turistik duke bashkuar ofertat turistike për tregjet e larta, kemi destinacione turistikë të konsoliduar”, – theksoi Klosi.

Klosi tha se “e kemi shumë të nevojshme të kemi një ofertë të përbashkët të rajonit më të klikuar mbase në industrinë turistike të rajonit në botë, të rajonit që e ka suksesin të garantuar në botë”.

“Ky samit unikal mbi një ngjarje unikale, u realizua në pak kohë. Industria iu përgjigj duke qenë prezente e duke i dhënë mbështetje të dëmtuarve nga tërmeti në Durrës”, tha Klosi./atsh

Shqipëria mes vendeve me industri turizmi konkurruese/ Klosi: Rritje 2 fishore e numrit të turistëve që nga 2013-ta, 6.5 milionë këtë vit Read More »