Irina

Beteja antiCOVID/ Ruçi: Pandemia bën urgjente proceset integruese të Europës Juglindore

“Pandemia që ka përfshirë rajonin, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona”, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Ruçi falënderoi Kuvendin e Kosovës për organizimin e shkëlqyer të kësaj mbledhjeje, edhe pse në kushte jo të zakonshme si edhe për përkushtimin që kanë treguar gjatë presidencës për forcimin e mëtejshëm të kësaj organizate, duke realizuar një Presidencë dhe sesion produktivë dhe të efektshëm.

Ruçi nënvizoi se është për të ardhur keq që sot nuk mundëm të ishim fizikisht në Prishtinë për të marrë pjesë në këtë sesion, por në kushtet e pandemisë COVID-19, me të cilën po përballemi të gjithë, është në të mirën e përbashkët të takohemi në formë virtuale.

“Tema për të cilën po diskutojmë sot është shumë aktuale dhe e rëndësishme për rajonin tonë për të thelluar edhe më tej bashkëpunimi dhe mirëkuptimin në proceset integruese, në të cilat janë përfshirë vendet tona. Pandemia që ka përfshirë rajonin, Europën dhe të gjithë globin, e bëjnë imediate dhe urgjente proceset integruese të vendeve tona”, tha Ruçi.

“Tani më shumë se kurrë është e domosdoshme që vendet tona të ndajnë përvojat e tyre në luftimin e pandemisë Covid-19, në mënyrë që të jemi të gatshëm për sfida të tjera të mundshme në të ardhmen. Fatmirësisht vendet tona u goditën më pak sesa rajonet dhe vendet e tjera të botës, përsa i përket humbjeve njerëzore”, tha ai.

Por, shtoi Ruçi, “nga pikëpamja e ndikimit në rritjen ekonomike, mirëqënien e popullsisë dhe ritmet e zhvillimi, pasojat edhe në vendet tona ishin po kaq të rënda”.

“Bashkëpunimi ynë bëhet më emergjent, po të mbajmë parasysh se, edhe pse kishim humbje më të vogla jetësh njerëzore, për kthimin në normalitet të ekonomisë, zhvillimit, mirëqenies, shëndoshjes së sektorit privat, e shërbimeve publike ndaj qytetarëve, ne do të ndeshemi me më shumë vështirësi sesa vendet e zhvilluara”, theksoi Ruçi.

“Unë kam besim se, përveç mbështetjes që vendet tona do t’i japin njeri-tjetrit, në këtë aspekt nuk do të na mungojë as ndihma e BE-së, siç ndodhi edhe pas letrës që i dërguam Presidentit të Parlamentit Europian Sassoli, të cilin duhet ta falenderojmë për gadishmërinë dhe vullnetin për të ndihmuar rajonin tonë”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në fjalën e tij në sesionin plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Në këtë sesion merrnin pjesë Kryetarë të parlamenteve dhe drejtues të delegacioneve parlamentare të Bosnje-Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Slovenisë dhe Turqisë.

Në sesion mori pjesë edhe Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Olivér Várhelyi. Ky sesion iu kushtua përshpejtimit të integrimit dhe rritjes së bashkëpunimit rajonal midis parlamenteve të Europës Juglindore, në kushtet e pas pandemisë.

Sesioni u drejtua nga Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, e cila ka kryesimin e radhës të kësaj organizate./atsh

Beteja antiCOVID/ Ruçi: Pandemia bën urgjente proceset integruese të Europës Juglindore Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 22 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 67 me raste me koronavirus.

Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik u shpreh se “vijon të ketë sërish shtrime të reja në Spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 82 pacientë, 14 prej tyre janë në terapi intensive”.

Por lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 22 qytetarë, mes tyre 7 mjekë dhe infermierë, duke e çuar në 1217 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 347 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 67 raste pozitive.

Sipas Dervishit, numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Kruja me 18 raste, kemi 16 të prekur në Tiranë, 10 në Shkodër, 6 në Vlorë, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kurbin, Lushnje, dhe nga 1 rast përkatësisht në Durrës, Fier, Korçë, Kavajë, Rrogozhinë, Tropojë, Berat, Vau i Dejës dhe Divjakë. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.

Në vendin tonë janë aktualisht 850 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

COVID-19 – Statistika (24 Qershor 2020)
Testime totale 24367
Raste pozitive 2114
Raste të shëruara 1217
Raste Aktive 850
Humbje jete 47 (Qarku Tiranë 26, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 377
Durrës 165
Shkodër 135
Vlorë 69
Fier 39
Lezhë 24
Korçë 18
Kukës 10
Elbasan 9
Gjirokastër 2
Berat 2/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 67 raste të reja, 22 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit Read More »

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq

Kisha e Manastirit të Shën Kollit, në Mesopotam, Finiq, monument kulture i kategorisë së parë, i është nënshtruar procesit të restaurimit në dy faza të ndryshme.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë tha se “faza e parë konsistoi në përforcimin konstruktiv të strukturës së kishës, restaurimin e çatisë, konsolidimin e muraturës, si dhe restaurimin e ambienteve të brendshme të saj”.

Sipas saj, në fazën e dytë u krye restaurimi dhe konsolidimi i mureve rrethues të manastirit si dhe përforcimi konstruktiv i kambanares.

“Këto ndërhyrje restauruese kanë kthyer në identitet një nga monumentet më të rëndësishëm të besimit të krishterë në jug të Shqipërisë”, tha DRKK Vlorë.

Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Në fillim ka ekzistuar si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.

Nga manastiri ruhen rrënojat e mureve rrethues me një sipërfaqe rreth 100 m² dhe kontrollohen nga 9 kulla drejtkëndëshe. Muret rrethues janë më të hershme sesa kisha.

Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera origjinale.

Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive floreale e zoomorfe, gjithashtu dhe për dekoret e punuara me tulla në muraturën e jashtme si dhe në harqet e dritareve dhe hyrjeve.

Basorelievet e rivendosura ne muret e kishës në forma të ndryshme ku përmendim: një shqiponjë, dy dragonj dhe një luan në njërën anë ndërsa në anën tjetër ndodhen figura mitologjike.

Kisha përbëhet nga salla e madhe e lutjeve dhe nga dy ambiente më të vogla. Motivi qendror në mozaikun e sallës paraqet një dragua me krahë të hapura. Kisha ka pasur dy rindërtime në vitet 1793 dhe 1845. /atsh

Kthim në identitet për Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, Finiq Read More »

Topalli: Basha, dështak manipulues si Enver Hoxha, i ndërronin ministritë prej skandaleve që krijonte

Ish-kryetarja e Kuvendit në qeverisjen e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e cilësoi sot kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, një dështak, manipulator si Enver Hoxha, ndërsa theksoi se Bashës pas një apo dy vitesh i ndërronin ministritë se ishte si minë me sahat prej skandaleve që krijonte.

Në një reagim, pas publikimit të një videoje nga ish-deputeti demokrat Endri Hasa, Topalli tha se “kështu manipulonte Enver Hoxha historinë, për të manipuluar mendjet e njerëzve. Fshinte dhe censuronte çdo fytyrë dhe emër personaliteti nga fotoja dhe historia, për të thënë se historia jam Unë. (Fotot më poshtë janë në ballkonin e bashkisë Shkodër. E. Hoxha heq pjesëmarrësit, duke filluar nga Gjergj Fishta). Në 2020, me video në facebook kunati në emër të Partisë që rrëzoi Partinë e Enver Hoxhës bën të njëjtën gjë”.

“Ky paska bërë NATO-n, liberalizimin e vizave, ky paska sjell Bushin në Shqipëri… Ky ka bërë TAP-in; Ky Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, ky do ketë themelu edhe Partinë Demokratike; edhe në ’97 ky do e ketë ringritur nga hiri… Kryeministri i kohës paska qenë në gjumë gjithë kohën, kurse të tjerët paskemi qenë në planet tjetër… Ky i ka bërë të gjitha, siç bëri dhe tramin. Në fakt, me sa më kujtohet, pas një apo dy vitesh këtij i ndërronin ministritë se ishte si minë me sahat prej skandaleve që krijonte”, shprehet Topalli. /atsh

Topalli: Basha, dështak manipulues si Enver Hoxha, i ndërronin ministritë prej skandaleve që krijonte Read More »

Dhjetëra ventilatorë mbërrijnë së shpejti/ Soreca: Vijon solidariteti i BE në kushtet e pandemisë

Bashkimi Europian vazhdon të jetë pranë popullit shqiptar dhe autoriteteve shëndetësore shqiptare në luftën kundër COVID-19

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shprehet se dhjetëra ventilatorë do të vijnë në Shqipëri në ditët e ardhshme, dhe më vonë këtë vit, 46 milionë euro grante do të ndihmojnë konkretisht familjet dhe bizneset shqiptare.

“Mbështetja konkrete nga Bashkimi Europian për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19 vazhdon, me ndihmën e UNOPS. Më shumë mbështetje nga Bashkimi Europian po vjen. Dhjetëra ventilatorë në ditët e ardhshme, dhe, më vonë këtë vit, 46 milionë euro grante do të ndihmojnë konkretisht familjet dhe bizneset shqiptare”, theksoi Soreca.

Javën e kaluar ambasadori i BE-së Luigi Soreca i dorëzoi ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pjesën e tretë të ndihmës së BE-së për trajtimin dhe parandalimin e koronavirusit.

Pajisjet mjekësore të siguruara përmes UNOPS do të ndihmojnë mjekët dhe infermierët shqiptarë të përballojnë më mirë situatën që është bërë më akute kohët e fundit./atsh

Dhjetëra ventilatorë mbërrijnë së shpejti/ Soreca: Vijon solidariteti i BE në kushtet e pandemisë Read More »

Basha: Do ulim çmimin e naftës për fermerët

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar nga Zall-Bastari gjatë takimit me fermerët e zonës uljen e çmimit të naftës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Zall-Bastar, një zonë me rreth 5000 banorë ku pjesa më e madhe e tyre merren me bujqësi. Fermerët që kultivojnë një nga varietetet më të njohura të domates në këtë zonë thonë se problemi kryesor i tyre është kostoja që ka vajtja në treg. “Prodhimet i çojmë në fund të Tiranës dhe transporti në mungesë të rrugës ka kosto”, – tha një nga fermerët.

Ndërsa një tjetër banor që gjithashtu merrej me kultivimin e domates së njohur të Zall-Bastarit tha se kostoja e punimit të tokës është shumë e madhe. “Plugimi është shumë i shtrenjtë. Naftë me akcizë zetoristi nuk i jep, helmet janë të pasigurta. Edhe fara nuk dihet si do të dali”, – tha ai, ndërsa tregoi se puna me tokën u shërben sa për të jetuar.

Basha u shpreh se, “qeverisja e PD do të fokusohet te fermerët dhe nevojat e tyre. Nën qeverisjen e Partisë Demokratike do të akordohen 50 milionë euro për ndërtimin apo rindërtimin e infrastrukturës rrugore. Partia Demokratike do të mundësojë 100 milionë euro subvencione në vit për fermerët shqiptarë, që prodhimi i tyre të rritet dhe fitimet të garantojnë mirëqenie dhe zhvillim. Taksa e naftës do të ulet dhe kjo do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në çmimin e naftës, duke e ulur atë dhe duke i bërë më të përballueshme kostot e prodhimit”. //atsh

Basha: Do ulim çmimin e naftës për fermerët Read More »

Eksportet e peshkut arritën në 1200 tonë në 5-mujorin e parë të vitit

Sipas statistikave zyrtare, eksportet e prodhimeve të detit në 5-mujorin e parë 2020, vetëm për qytetin e Vlorës kapën shifrën 1200 tonë, kundrejt 850 tonëve që shënoi eksporti i peshkimit në këtë rajon në 5-mujorin e parë 2019.

Sipas të dhënave, janë eksportuar në këtë pesëmujor rreth 800 tonë peshk kocë, 270 tonë peshk levrek dhe pjesa tjetër prodhime të ndryshme deti, si karkaleca, kallamarë, etj.

Gjermania dhe Italia vijojnë të jenë destinacionet kryesore të eksporteve shqiptare të peshkut, ndërkohë që vijon normalisht edhe furnizimi i tregjeve të vendit me peshk e fruta deti/atsh

Eksportet e peshkut arritën në 1200 tonë në 5-mujorin e parë të vitit Read More »

Dekorata “Nderi i Kombit” për etnomuzikologun Ramadan Sokoli

Presidenti Ilir Meta çmoi etnomuzikologun, kompozitorin dhe pedagogun e shquar Ramadan Sokoli (pas vdekjes) me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje si themelues i etnomuzikologjisë shqiptare, muzikolog, kompozitor e pedagog. Vepra e tij studimore e muzikore është pjesë e patjetërsueshme e identitetit kulturor evropian të shqiptarëve. Kontributet e tij të jashtëzakonshme kanë bërë që të flasin shqip zbulimet e arkeologjisë sonë muzikore, duke dhënë përgjigje shteruese për mënyrën e organizimit dhe tipologjisë bazë të folklorit muzikor shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë të vendit tonë”.

Në fjalën përshëndetëse, në ceremoninë solemne të organizuar, Meta shprehu kënaqësinë dhe privilegjin që po nderon një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës dhe artit kombëtar.

“Profesor Ramadan Sokoli kaloi nëpër shumë sfida jetësore duke u shndërruar në një shtyllë të patjetërsueshme referimi për zbulimin dhe shpalosjen e vlerave të jashtëzakonshme kulturore të kombit tonë”, tha Meta.

“Ai rridhte nga një familje atdhetare dhe qytetare shkodrane, i mëkuar që në djep me patriotizëm nga familja historike e Sokolëve, si pasardhës i denjë i Hodo Pashë Sokolit, njërit prej komandantëve kryesorë të Lidhjes së Prizrenit”, u shpreh Meta.

“Profesor Sokoli pavarësisht kalvarit personal dhe persekutimeve si familje ia doli të ngrihej mbi presionin dhe vështirësitë e kohës falë talentit, dinjitetit, formimit kulturor, pasionit dhe trashëgimisë shpirtërore të familjes”, theksoi Meta.

“I gjithë kontributi etnomuzikologjik i profesor Sokolit është një enciklopedi e mbartjes dhe e shpjegimit të dukurisë së folklorit muzikor shqiptar në kohë dhe hapësirë shumë të gjerë. Talentin dhe kapacitetin profesional Profesor Sokoli e tregoi edhe në udhëheqjen e ekspeditave hulumtuese, bashkë me studiues gjermanë, rumunë, etj., në krahina të ndryshme të Shqipërisë, me të cilat pasuroi Fonotekën e Institutit të Folklorit shqiptar”, vuri në dukje Presidenti Meta.

“Vepra e tij studimore dhe muzikore tashmë është pjesë e identitetit kulturor europian të shqiptarëve. Emri i tij renditet në enciklopeditë e huaja krahas më të mëdhenjve etnomuzikologë të botës. Pas viteve 1990-të vlerat e kontributit të tij u rivendosën në piedestalin e merituar, i kërkuar në gjithë hapësirën shqiptare si udhëheqës e drejtues artistik i shumë festivaleve folklorike kombëtare e rajonale. Krijimtaria e tij studimore vazhdoi deri në çastet e fundit të jetës. Me veprën e tij të jashtëzakonshme profesor Ramadan Sokoli është bërë tashmë pjesë e panteonit të personaliteteve më të shquara të kombit tonë. Për profesor Ramadan Sokolin do të ketë vetëm ditëlindje”, theksoi Presidenti Meta, duke i dorëzuar zonjës Linda Sokoli-Duma dekoratën e lartë për babain e saj.

Në ceremoninë solemne, ku ishin të pranishëm familjarë e të afërm, miq e kolegë, muzikologë, artistë dhe personalitete, fjalën e hapjes e mbajti Zhani Ciko, dhe më pas u luajtën disa pjesë muzikore nga veprat e Ramadan Sokolit, të interpretuara nga artistët Shqipe Zani dhe Kastriot Tusha. /atsh

Dekorata “Nderi i Kombit” për etnomuzikologun Ramadan Sokoli Read More »