Irina

Akuzat nga Prokuroria e Hagës për Thaçin e Veselin/DASH: Hap përpara për drejtësinë në Kosovë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në lidhje me aktakuzat që Prokuroria e Hagës ka ngritur ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

“Njoftimi është rezultat i një procesi që vazhdon prej 20 vjetësh,” tha zëdhënësi, i cili bëri komente për Zërin e Amerikës, në kushte anonimiteti.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se ngritja e akuzave e njoftuar nga Prokurori i Specializuar është një hap përpara për procesin e realizimit të drejtësisë dhe ripajtimit në Ballkanin Perëndimor. Njoftimi është esencial për avancimin e shtetit ligjor dhe drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për vendin, që të kapërcejë këtë periudhë të tmerrshme dhe të bashkohet me komunitetin euro-atlantik,” tha për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, njoftoi të mërkurën se ka ngritur akuza ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje të paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Sipas prokurorit akuzat janë ngritur më 24 prill./atsh

Akuzat nga Prokuroria e Hagës për Thaçin e Veselin/DASH: Hap përpara për drejtësinë në Kosovë Read More »

Hoti anulon udhëtimin drejt SHBA-së: Nuk mund të marr pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë

Pas ngritjes së akuzave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti deklaron se nuk do të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, ku do të takohej me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Hoti thekson se lidhur me këtë vendim, ka njoftuar edhe Ambasadorin Grenell.

“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, deklaron Hoti./atsh

Hoti anulon udhëtimin drejt SHBA-së: Nuk mund të marr pjesë në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë Read More »

“Perlat” e Shqipërisë/ Këtë verë ta kthejmë situatën në mundësi për të zbuluar më shumë destinacionet tona turistike

Shqipëria e cilësuar si perla e Ballkanit njihet për bukuritë e zonave bregdetare dhe malore, që gjithnjë e më shumë po tërheqin turistët vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga vendet më të bukura të Shqipërisë, nga veriu në jug.

“Me disa imazhe perla të Shqipërisë, të cilat edhe me kushtet e pamundësisë për të lëvizur lirisht jashtë uroj të keni kohë e mundësi për t’i vizituar këtë verë”, – shprehet Rama.

Në videon promovuese me sloganin “Unë rri në shtëpi”, thuhet se “sekreti i fundit i Europës ka ende shumë për të zbuluar, edhe për ne që jetojmë këtu. Këtë verë e cila do të jetë pak më ndryshe nga të tjerat ashtu siç qëndruam në shtëpi për të mbrojtur familjet tona le të zgjedhim të qëndrojmë në vendin tonë dhe ta kthejmë këtë situatë në një mundësi për të zbuluar më shumë natyrën shqiptare, vendet më të bukua ato të pazbuluara ende, historinë dhe traditat dhe për të mbështëtur të gjithë ata që punojnë në sektorin e turizmit. Bashkohu me nismën “Unë rri në Shqipëri” dhe fillo të bësh planet afër teje dhe ato më të largëtat., ku mund të udhëtosh , të zbulosh, të shijosh, të festosh shqip”.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor./atsh

“Perlat” e Shqipërisë/ Këtë verë ta kthejmë situatën në mundësi për të zbuluar më shumë destinacionet tona turistike Read More »

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit/ Hoti: Askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës; Osmani: Kosovës i duhet drejtësi

“Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, deklaroi sot Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

“Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi”, tha ai.

Ndërsa Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa R. Osmani tha se “në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi”.

“I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Europë e çdo kund në botë”, tha Osmani./KosovaPress//

Aktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit/ Hoti: Askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës; Osmani: Kosovës i duhet drejtësi Read More »

I indinjuar për listën e Tribunalit Special, sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës

“Jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”.

“Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit, duke mbyllur me gjak, nder e lavdi një histori padrejtësie historike në zemër të Europës! Rroftë Kosova dhe sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare”, tha Rama.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, për një varg krimesh kundër njerëzimit dhe krime të luftës, përfshirë vrasjen, zhdukjen me forcë të personave, persekutimin dhe torturat./atsh

I indinjuar për listën e Tribunalit Special, sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të Luftës Çlirimtare të Kosovës Read More »

Paketa e Zgjeruar/ Deri më sot kanë përfituar 168 508 qytetarë, 11 mijë vetëm në qarkun e Fierit

Deri më sot 168 508 qytetarë shqiptarë kanë përfituar nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekësh.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ndërsa solli shembullin e një tjetër punonjësi që ka përfituar nga kjo paketë shumën prej 40 mijë lekësh.

Sipas ministres, vetëm në qarkun e Fierit nga Paketa e Zgjeruar kanë përfituar 11 mijë qytetarë.

“Ermali, në një biznes mobilierie është një nga 11 mijë përfituesit e Paketës së Zgjeruar në qarkun Fier”, tha Denaj./atsh

Paketa e Zgjeruar/ Deri më sot kanë përfituar 168 508 qytetarë, 11 mijë vetëm në qarkun e Fierit Read More »

Shqipëria, destinacion i preferuar për investitorët e huaj/ Mikpritje, politika nxitëse dhe akses në tregjet ndërkombëtare

Shqipëria mbetet destinacioni i preferuar për investitorët e huaj, falë mikpritjes, politikave nxitëse dhe aksesit në tregjet ndërkombëtare.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, vizitoi sot një biznes turk ku foli mbi mundësitë e reja dhe zgjerimin e aktivitetit gjatë periudhës së pandemisë.

“Ne po mendojmë se si t’i ndihmojmë bizneset, qoftë përmes skemave të financimit, qoftë përmes atyre të garancisë. Instrumentet e garancisë do të vijojnë. Do të jenë formate të vazhdueshme të mbështetjes së financimit, ku garancia jepet si mbështetje nga shtetit, ose skema të gërshetuara me grantet”, u shpreh ministrja Denaj.

“Optimal Center sh.p.k” arriti t’i përshtatej nevojave të tregut, duke zgjeruar gamën e produkteve. Nga muaji maj, falë pozicionimit strategjik në Shqipëri, ka nisur eksportin e produkteve të higjienës drejt tregjeve italiane dhe përtej oqeanit në tregjet amerikane.

“E kemi nisur me një makinë dhe e kemi çuar në 5 makineri. Kemi nisur edhe prodhimin e letrave të lagura antibakteriale. Në këtë situatë njerëzit po kërkojnë më tepër produkte që lidhen me higjienën. 60-70% e produkteve që prodhojmë ne po i eksportojmë”, shprehet përfaqësuesi i kompanisë.

Një ndër problematikat e ngritura nga biznesi ka qenë rimbursimi i TVSH-së. Për këtë ministrja Denaj tha se rimbursimi është detyrim që po ndiqet hap pas hapi nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Denaj u shpreh se në 2019-n kemi paguar 23.5 miliardë lekë të reja.

“Ndryshuam rregulloren, përmes së cilës bëhet ndarja e bizneseve sipas riskut. Bizneset me risk të ulët, që nënkuptohen bizneset që kryejnë të gjitha detyrimet, taksa, tatime dhe sigurime shoqërore në kohë, si dhe bizneset me risk të lartë, për të cilat më parë kishte dyshime për përfshirje në skema të dyshimta të TVSH-së, apo kanë procese të caktuara me risk”, u shpreh ministrja. /atsh

Shqipëria, destinacion i preferuar për investitorët e huaj/ Mikpritje, politika nxitëse dhe akses në tregjet ndërkombëtare Read More »

“Situata mbetet nën kontroll”/ Rakacolli: Kishim llogaritur më pak raste ditore, jemi akoma në kohë nëse respektohen protokollet

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, njëherazi edhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve komentoi situatën aktuale të COVID-19 për të cilën u shpreh se ndonëse numrat e të infektuarve i kanë kaluar parashikimet, situata mbetet e kontrolluar.

Në një intervistë televizive, Rakacolli u shpreh se “shtimi i rasteve pas hapjes është një moment i pritshëm në të gjitha llojet e strategjive”.

“Problemi është gjithmonë sasia. Me thënë të drejtën, në pritshmëritë tona kishim llogaritur më pak raste ditore dhe më pak ngjarje por gjithsesi vazhdojmë të jemi te numrat e pritshëm. Situatën e quajmë të kontrolluar, për momentin jo të një niveli me një rrezikshmëri shumë të lartë. Puna është se nëse vazhdojmë kështu, nëse vazhdojmë me këtë trend, nuk e di nëse do të arrijmë ato nivele që janë me rrezikshmëri tepër të lartë. Që të mos arrijmë këtë, jemi akoma në kohë që të zbatojmë ato rregulla të mbrojtjes nga infeksioni të cilat aq mirë dhe aq me përgjegjshmëri i zbatuam në fazën e parë të sëmundjes, atëherë kur ishim më të frikësuar”, u shpreh Rakacolli.

Sipas saj, infektimi i bluzave të bardha nga koronavirusi është fenomen në çdo vend të botës ndërsa theksoi se për fat të mirë, asnjë person pjesë e personelit shëndetësor nuk ka humbur jetën nga COVID-19.

“Infektimi i bluzave të bardha është një fenomen që ndodh në çfarëdolloj epidemie. Kjo është edhe arsyeja që u përshëndetën me duartrokitje emocionuese. Plagosje të bluzave të bardha ka pasur në të gjitha vendet e botës, ka pasur në të gjitha institucionet shtetërore sado me emër dhe të fuqishme të ishin ato dhe fatkeqësisht ka pasur edhe të vdekur. Në Shqipëri, fatmirësisht deri më sot nuk kemi pasur asnjë nga bluzat e bardha që të ketë humbur jetën dhe nuk kemi asnjë nga bluzat e bardha që të ketë pasur nevojë për trajtim në kujdesin intensiv. Kjo ka ardhur si rezultat i një përgjegjshmërie dhe organizimi të punës. Por pikërisht në këtë kohë, infeksioni nuk ndodhi në të gjithë QSUT-në sepse nuk është mirë që të përgjithësohet e gjithë QSUT me 1 ose me 2 shërbime sepse në QSUT janë 57 ose 58 shërbime. Nga këto infeksione të mëdha patën vetëm 2 shërbime dhe pikërisht ato shërbime që trajtojnë pacientë që janë me faktorë risku shumë të madh për t’u prekur nga COVID siç janë pacientët e mjekësisë interne, pra pacientë që kanë disa lloje sëmundjesh: që kanë diabet dhe patologji të tjera që shtrohen. E rëndësishme është që u mbyll. Është një fenomen që ndodh, nuk ishte mirë që të ndodhte por është diçka që ndodh. E rëndësishme është që u mbyll”, theksoi Rakacolli.

Rakacolli argumentoi ndër të tjera se janë ende në fuqi masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë ku asnjë familjar nuk lejohet të shoqërojë pacientin brenda ambienteve të spitaleve. Sipas saj, edhe në spitalet rajonale apo ato bashkiakë, pacienti dorëzohet në hyrje të spitalit dhe më pas kujdeset personeli shëndetësor.

“Që në fillim të epidemisë dhe vazhdon të jetë në fuqi, është dhënë urdhër që të mos ketë familjarë që t’iu shërbejnë të sëmurëve dhe ky urdhër është zbatuar me rigorozitet edhe në kontrollet e ndryshme që janë bërë nga strukturat përkatëse. Në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit, nuk lejohen familjarët që të shoqërojnë pacientët siç ndodhte më parë. Pra, urdhërat janë dhënë që në fillim të epidemisë dhe vazhdojnë këto urdhëra të jenë në fuqi”, sqaroi ajo.

Kryetarja e Komitetit Teknik u shpreh se janë qytetarët shqiptarë që zgjedhin nëse kjo situatë të kalojë sa më lehtë, përmes respektimit të rregullave

“E kemi në dorë. Nëse Spanja dhe Italia nuk e kishin shumë në dorë sepse nuk njihej mirë virusi, ne pas kësaj eksperience që kemi dhe sidomos pas këtij bashkëpunimi që kemi pasur me qytetarët, duhet të mësohemi ta bëjmë të gjithë. Kjo luftë mund të fitohet vetëm po të jemi të gjithë bashkë. Po nuk ishim të gjithë bashkë, po nuk dëgjuam njëri-tjetrin dhe po nuk besuam ata njerëz që u është ngarkuar kjo punë dhe dhanë prova që po e bënin shumë mirë. Këtë përgjigje do ta jepja edhe si qytetare e thjeshtë. Po të isha vetëm qytetare dhe të vëzhgoja se çfarë bën shumica, se çfarë po ndodh në Shqipëri, unë do të thoja që fazën e parë e bëmë shumë mirë, ashtu siç po më thonë edhe shumë qytetarë të tjerë që pse nuk po vazhdojmë si në fazën e parë. Ka shumë qytetarë të përgjegjshëm që thonë që ne po i mbajmë masat por nëse nuk i mbajnë të tjerët, s’ka shumë vlerë po i mbajtëm vetëm ne sepse ne do të infektohemi”, u shpreh Rakacolli.

Lidhur me mosrespektimin e masave të kërkuara nga Ministria e Shëndetësisë si përdorimi i maskës apo distancimi social, Rakacolli u shpreh se “është një realitet i dhimbshëm sidomos nga të rinjtë që janë të kulturuar, të rinjtë që marrin informacione, janë të rinj me gjuhë të huaja, të rinj me elektronikë dhe sinqerisht më dhemb në shumë drejtime”.

“Maska të mbron shumë. Është provuar që virusi shpërndahet nga spërklat dhe është shumë normale që mbrojtja mekanike të mbron dhe të mban spërklat. Është provuar që edhe maskat janë një mjet i mbrojtjes i rëndësishëm dhe i domosdoshëm”, përfundoi Rakacolli. /atsh

“Situata mbetet nën kontroll”/ Rakacolli: Kishim llogaritur më pak raste ditore, jemi akoma në kohë nëse respektohen protokollet Read More »