Irina

Marrja e Presidencës së BE/ Basha letër kryeministrit të Kroacisë: Do bëjmë çdo gjë për integrimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka garantuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç se ai dhe opozita në Shqipëri do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar procesin e integrimit europian.

Basha ka publikuar një letër të 14 janarit, ku ai përshëndet kryeministrin kroat për marrjen e drejtimit të Presidencës së Bashkimit Europian, një ngjarje që kreu i opozitës e cilëson si historike për shkak se kjo është hera e parë që Kroacia drejton presidencën e BE-së që kur u bë anëtar i Unionit në vitin 2013.

“Presidenca kroate e BE, është një arritje të cilën ne, në Shqipëri, e vlerësojmë shumë, ashtu si edhe rajoni. Kam bindjen e plotë se nën drejtimin tuaj të Presidencës, proceset integruese për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, do të avancojnë edhe më tej“, ka theksuar Basha në letrën e tij.

“Ju jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më keni shprehur për Shqipërinë gjatë takimit që patëm Nëntorin e shkuar”, vë në dukje kreu i opozitës, duke e garantuar Kryeministrin e Kroacisë për rolin e PD dhe opozitës në integrimin e vendit.

“Prioritetet tuaja në krye të BE-së janë shpresëdhënëse dhe shtysë për mua që të bëj çdo gjë që mundem në emër të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare, që të avancojmë procesin e integrimit në BE, pa vonesa të mëtejshme, siç përcaktohet edhe në kushtet e Bundestagut. Edhe pse marrja e Presidencës Kroate po ndodh në momente sfiduese, jam i bindur se ju do t’i përmbushni prioritetet duke qenë edhe njëherë një shembull i shkëlqyer për ne”, është mbyllur letra e kreut të opozitës Lulzim Basha, duke i uruar Kroacisë një presidencë të suksesshme dhe duke mirëpritur drejtimin dhe mbështetjen e mëtejshme të kryeministrit kroat.

Marrja e Presidencës së BE/ Basha letër kryeministrit të Kroacisë: Do bëjmë çdo gjë për integrimin Read More »

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Hap i rëndësishëm, ka ende shumë për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd.

Duke cituar Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg Kryeministri Rama ka theksuar se ky është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”.

Rama ka shtuar se ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë.

“E përshëndes me kënaqësi marrëveshjen e sotme për fluturimet Prishtinë-Beograd, që siç tha Sekretari i NATO-s është “një hap i rëndësishëm për qarkullimin më të lehtë të njerëzve e mallrave në Ballkanin Perëndimor”. Ka ende shumë hapa për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë!”, është shprehur Rama.

Kryeministri gjithashtu ka theksuar se shumë mirë ka bërë dhe kryeminstri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj që e përshëndeti këtë hap.

“Shumë mirë bëri edhe Ramushi që e përshëndeti këtë hap. Paqja është tejet e vështirë, por në asnjë rast ajo nuk fitohet me mjetet e luftës dhe popullariteti i përkohshëm që sjellin nganjëherë ato mjete, nuk i sjell asnjë hajër popullit e vendit”, tha Rama.

Një delegacion nga Ministria e Ekonomisë e Serbisë nënshkroi sot një letër synimi me kompaninë Lufthansa në Berlin për nisjen e linjës ajrore Beograd-Prishtinë.

Me nënshkrimin e kësaj letër synimi ekskluzivisht, Serbia njofton se do të njoftojë UNMIK-un dhe KFOR-in për qëllimin e saj për të rivendosur linjën ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të Kumanovës./atsh

Fluturimet Prishtinë-Beograd/ Rama: Hap i rëndësishëm, ka ende shumë për të bërë me vizion e kurajo në atë rrugë Read More »

Artur Metani zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë

Artur Metani është zgjedhur Inspektor i Lartë i Drejtësisë.

Kuvendi ka zgjedhur në seancën e sotme me 98 vota pro dhe 8 kundër, Artur Metanin në postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Metani ishte renditur i pari edhe në listën me pesë kandidatë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kishte dërguar Kuvendit.

Pas votimit, Metani është betuar në foltoren e Kuvendit, përpara deputetëve.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin me nismë të shkeljeve dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është përgjegjës edhe për inspektimin institucional të gjykatave dhe të zyrave të prokurorisë./atsh

Artur Metani zgjidhet Inspektor i Lartë i Drejtësisë Read More »

Milva Ekonomi zgjidhet Kryetare e Komisionit të Ekonomisë

Deputetja socialiste Milva Ekonomi u zgjodh sot në postin e Kryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financat, duke zëvendësuar në këtë post ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Ndërsa në vend të Ekonomit si nën/kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik është zgjedhur Mirela Kumbaro.

Kuvendi gjithashtu ka miratuar programin e punës së Kuvendit për periudhën 20 janar – 7 mars 2020.

Gjithashtu është miratuar kalendari 3- javor i punimeve të Kuvendit për periudhën 20 janar -7 shkurt 2020./atsh

Milva Ekonomi zgjidhet Kryetare e Komisionit të Ekonomisë Read More »

Rezultatet në “PISA 2018”/ Shqiptarët i japin vlerë shkollës më shumë se vendet e rajonit

Sipas përfundimeve që demonstroi Programi i Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2018”, 87% e nxënësve shqiptarë “ndjejnë se i përkasin shkollës” – shifër kjo krahasimisht më e lartë se vendet e tjera të rajonit.

Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka publikuar disa të dhëna sipas gjetjeve të “PISA 2018” ku thuhet se 65% e nxënësve në Shqipëri presin të përfundojnë një diplomë shkencore, ndërkohë që 75% e nxënësve që janë ekselentë të paktën në një fushë të “PISA”, aspirojnë të përfundojnë “Master Shkencor” ose “Doktoraturë”.

MASR nënvizon gjithashtu se nxënësit me ndjenjë të lartë përkatësie ndaj shkollës janë mbi 1 vit shkollor më të avancuar sesa nxënësit me ndjenjë më të ulët përkatësie.

“Nga mënyra se si vlerësohet nxënësi në këtë lloj testimi përmes pikëve (60 pikë=2 vite shkollore), rezulton se nxënësit me ndjenjë më të lartë përkatësie ndaj shkollës, në lexim, matematikë dhe shkencë kanë marrë mbi 30 pikë më shumë sesa nxënësit që ndjenjën e përkatësisë ndaj shkollës e kanë më të ulët”, thekson MASR.

“Kjo do të thotë se në aplikimin e njohurive të marra, ata nxënës që “shkojnë me qejf” në shkollë janë mbi 1 vit shkollor më përpara. Fatmirësisht, 87% e nxënësve shqiptarë ndjejnë se i përkasin shkollës”, përfundon MASR./atsh

Rezultatet në “PISA 2018”/ Shqiptarët i japin vlerë shkollës më shumë se vendet e rajonit Read More »

Kontingjenti shqiptar në Letoni vazhdon kontributin në grup-batalionin e NATO-s

“Kontingjenti shqiptar në Letoni vazhdon kontributin në grup-batalionin e NATO-s, për sigurinë e aleatëve në verilindje të Aleancës”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, ndërsa publikoi foto të kontingjentit shqiptar në Letoni, i cili është angazhuar në grup-batalionin e NATO-s.

Kontingjenti shqiptar i Forcave të Armatosura mori detyrën në kampin “Adazi” në Letoni në 18 dhjetor 2019 dhe do të shërbejë atje për rreth 6 muaj si pjesë e grup-batalionit të NATO-s./atsh

Kontingjenti shqiptar në Letoni vazhdon kontributin në grup-batalionin e NATO-s Read More »

Të rinjtë njihen me të kaluarën komuniste përmes aktivitetit “Kujtojmë për të mos harruar”

Disa të rinj të shkollës “Harry Fultz” kanë zhvilluar sot një bashkëbisedim me Uran Kostreci, poet e shkrimtar, i dënuar me 20 vjet burg dhe 5 vite internim gjatë regjimit komunist.

Ky bashkëbisedim vjen në kuadër të projektit të Ministrisë së Kulturës, “Edukimi përmes Kulturës”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti është shprehur se, “Edukimi përmes Kulturës, vijon me Muzeun Kombëtar të Përgjimeve: “Shtëpia me Gjethe”, nën titullin “Kujtojmë për të mos harruar”. Të rinjtë e shkollës “Harry Fultz” patën një bashkëbisedim me z.Uran Kostreci, poet e shkrimtar, i dënuar me 20 vjet burg dhe 5 vite internim gjatë regjimit komunist”.

Uran Kostreci Lindi më 1938, në Sarandë. Ai u arrestuar më 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit”, dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg.

Kostreci kreu gjithsej 20 vjet në burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie. Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave” 2013.

Të rinjtë njihen me të kaluarën komuniste përmes aktivitetit “Kujtojmë për të mos harruar” Read More »

Hajdari: Reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, njëherazi bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari deklaroi sot se reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota.

Duke folur në seancën plenare sot ajo tha se, “në këtë Kuvend janë marrë vendime të rëndësishme politike si dhe një vendim që kishte të bënte me të ardhmen e vendit tonë, për të ndaluar copëtimin e tij. Kjo ngjarje e rëndësishme na bën të reflektojmë për vitin që kaluam, një vit mjaft i vështirë për politikën në vend. Angazhimi ynë në parlament ka qenë kyç dhe i ka shërbyer vendit”.

“Pavarësisht përbaltjes për të delegjitimuar këtë Kuvend, puna jonë po vijon të japë frytet e saj. Besoj se i kemi shërbyer vendit tonë. Disa cinikë vazhdojnë ta paragjykojnë këtë vendim tonin. Mendoj se dalja nga kjo krizë duhet të vijë përmes reformave, si ajo në drejtësi si dhe ajo zgjedhore. Angazhimi ynë si deputetë në Kuvend dhe Komisione ka qenë pikërisht që ne të hapim debatin e madh për ndryshimin e sistemit. Unë dua të falenderoj të gjithë, përfshijë këtu edhe opozitën parlamentare”, tha Hajdari.

“Kjo reformë nëse mbështet nga SHBA dhe BE, nuk duhet të mbetet peng në retorikë dhe të kthehet në alibi për një pazar të radhës. Ajo duhet të kthejë besimin te vota”, theksoi Hajdari.

Hajdari ka shpjeguar edhe uljen ne tryezën për reformën zgjedhore.

“Dua të shpjegoj pse u ula në atë tryezë. Dua të garantoj që ajo reformë të mos abuzojë me besimin e shqiptarëve që ata të jenë në gjendje të zgjedhin dhe jo të votojnë. Ne nuk do bëhem bllokues për integrimin e vendit por nuk do lejojmë që kjo reformë të kthehet në pazar. Angazhimi ynë do të jetë në funksion të kësaj axhende dhe në bashkëpunim me BE dhe SHBA do i japim formën e duhur. Shqiptarët po përjetojnë një krizë të thellë mendimi dhe besimi. Zhvillimi ekonomik vijon të mbetet peng i krizës politike”, tha Hajdari.

“Reforma Zgjedhore duhet të bazohet tek vullneti për t’i dhënë shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur, duke e theksuar ndoshta edhe përmes një referendumi”, u shpreh Hajdari.

“Shqiptarët kanë pritshmëri të larta dhe duhet t’i japim besimin institucioneve ashtu si shqiptarët e meritojnë, që të ndalim njëherë e mirë emigracionin. Dua t’i kujtoj shqiptarëve që e drejta e tyre në parlament të rikthejë besimin”, tha Hajdari./atsh

Hajdari: Reforma zgjedhore duhet të kthejë besimin tek vota Read More »