Irina

Braçe/ 100 vite nga rishpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Lushnjë

Zv.kryeministri Erjon Braçe e konsideroi 100-vjetorin e parlamentarizmit që nisi në Lushnjë si një rishpallje të pavarësisë.

“100 vite nga rishpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Lushnjë! Këta janë burrat e kongresit, nismëtarët e garantuesit e një akti ndër i dyti më i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë! Në Lushnjë, aty ku lind një diell”, u shpreh Braçe.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Anëtarët e Komisionit Nismëtarë të Kongresit të Lushnjës

Besim Nuri

Ferit Vokopola

Sheh Ibrahim Karbunara

Taullah Sinani

Emin Vokopola

Llazar Bozo

Nebi Sefa

Qemal Mullai

Zija Mullai

Mustafa Vokopola

Eshref Frasheri

Jonuz Sefa

Bajram Haxhiu

Skender Pojani

Kadri Jenisheri

Teki Libohova

Filip Papajani

Abedin Nepravishta

Jakov Bozo

Andrea Papaj

Qerim Arapi

Rasim Hoxha

Arif Kurti

Muntar Luarasi

Reshat (Hysni) Shazivari

Abdyl Aziz

Hasan Islami Like

Hamit Xheka

Kongresi i Lushnjës kreu punimet në shtëpinë e patriotit lushnjar, Kasëm Fuga, nga 21 deri më 31 janar të vitit 1920. Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria./atsh

Braçe/ 100 vite nga rishpallja e pavarësisë së Shqipërisë në Lushnjë Read More »

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës/ Meta: Ngjarja më e madhe në historinë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë

“Kongresi i Lushnjës, 100-vjetorin e të cilit festojmë sot, është ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912 në Vlorë”, u shpreh sot presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Meta theksoi se, “Kongresi i Lushnjës rithemeloi shtetin e pavarur, riformatoi institucionet shtetërore dhe vetëqeverisëse të tij, krijoi Kushtetutën e parë të vendit, zgjodhi të parën trupë legjislative mbi baza pluraliste, dhe shprehu vendosmërinë e të gjithë shqiptarëve për të mbrojtur pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë”.

100 vjet më vonë, shtoi Meta, “vendimet e këtij Kuvendi Kombëtar janë mesazhe për reflektim, për të ecur në rrugën që hapi ky Kongres, për të mbrojtur Kushtetutën dhe pluralizmin, integritetin e institucioneve shtetërore e në mënyrë të veçantë për të mbrojtur vlerat reale dhe pluraliste demokratike të parlamentarizmit shqiptar”.

“Koha i thirri burrat e shquar atdhetarë shqiptarë me bindje të ndryshme politike në vitin 1920 për t’i vënë mendjen dhe energjitë e tyre në shërbim të kombit e për të shpëtuar Shqipërinë”, tha Meta.

Presidenti Meta nënvizoi se, “nderimi për ta e për veprën e tyre është sot obligim, por edhe një detyrë që në emër të idealeve që frymëzuan ata, të ecet drejt për ta bërë atdheun tonë një vend të qëndrueshëm dhe frymëzues për brezat e rinj, që të ndërtojnë të ardhmen e tyre, në një Shqipëri demokratike dhe anëtare të Bashkimit Europian”./atsh

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës/ Meta: Ngjarja më e madhe në historinë kombëtare, pas shpalljes së Pavarësisë Read More »

Kartëmonedhat lokale të autorizuara nga qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës

Më 21 janar 1920, Kongresi i Lushnjës sanksionoi përfundimisht formimin e shtetit shqiptar, i cili ndër të tjera, bëri përpjekje për t’i dhënë një zgjidhje të përkohshme mungesës së prerjeve të vogla monetare, që kishte tregu shqiptar.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, me vendimin e qeverisë në janar të vitit 1921, prefekturat e vendit u autorizuan të nxirrnin kartëmonedha lokale me vlerë të vogël në një shumë deri në 80 mijë franga ar dhe në prerje të ndryshme.

E para, që vuri në zbatim këtë vendim ishte Bashkia e Shkodrës, Përlimtarja.

Qytetet e tjera që emetuan kartëmonedha lokale qenë Berati, Vlora, Korça, Fieri, Gjirokastra dhe Elbasani.

Në foto paraqiten disa prej kartëmonedhave që emetuan këto prefektura./atsh

Kartëmonedhat lokale të autorizuara nga qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës Read More »

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, Basha/ Kur ka konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhjet

“Kur ka një konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhje në rang kombëtar, edhe fitore kombëtare” tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha ndërsa kujtoi 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjës.

“Shqipëria e para! 100 vjet më parë, burra të shquar nga të gjitha trojet shqiptare, u mblodhën në Lushnjë, në një moment të vështirë për pavarësinë e shtetit të brishtë shqiptar dhe me Kongresin që i çeli dyert me 21 janar 1920, dhanë shembullin e madh të vendosjes mbi gjithçka të së mirës së atdheut. Kur fati i Shqipërisë ishte ende në tryezën e Konferencës së Paqes në Paris, delegatët e Kongresit të Lushnjës u mblodhën, duke pasur mbi gjithçka dy parime bazë: Shqipëria është një dhe e pandarë, Shqipëria është e pandarë kur është fjala për të mbrojtur interesat e saj para fuqive të mëdha. Në këtë leksion të madh trimërie dhe atdhedashurie morën pjesë të gjithë, morën pjesë të gjitha besimet fetare, të gjitha shtresat shoqërore, morën pjesë përfaqësuesit politikë dhe klerikë, rinia, inteligjencia e diaspora”, u shpreh Basha.

“Edhe ata që s’mundën të vinin në Lushnjë, për shkak se një pjesë e madhe e vendit ishte ende nën pushtim, iu bashkuan kësaj zgjidhje kombëtare, asaj iu bashkuan delegatët e Shkodrës, Lezhës e Malësisë së Gjakovës, me firmat e tyre të 13 shkurtit në Tiranë. Kur ka një konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhje në rang kombëtar, edhe fitore kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjës, autoriteti i dalë prej tij mori në dorëzim Shkodrën me 25 mars, Gjirokastrën me 27 prill dhe Korçën me 15 maj”, theksoi ai.

Po ashtu Basha shtoi se “Me luftën madhështore të Vlorës dhe marrjen e qytetit me 17 gusht, u përmbyll faza e jetësimit të shtetit shqiptar, i cili prej Kongresit të Lushnjës trashëgoi edhe të parat principe kushtetuese të qeverimit të tij, me anë të Kanunores së Këshillit të Lartë. Ata burra e gra që u angazhuan për mbajtjen e Kongresit të Lushnjës meritojnë një vend të përjetshëm në historinë e Shqipërisë. Kontributi i tyre është sot e gjithë ditën një leksion që duhet përsëritur vazhdimisht, në mënyrë që çdo shqiptar, qytetar i thjeshtë, aktivist, politikan a klerik të mos i humbasë prioritetet e veta. Në fillim është kombi dhe mbrothësia e tij, më pas vijnë individët dhe karrierat e tyre. Respekti për qytetarin, për të drejtat dhe interesat e tij dhe përpjekja për të mbrojtur ligjet që sanksionojnë dinjitetin e tij janë detyrime të përhershme që na vijnë nga Kongresi i Lushnjës”.

“Siç thotë Mit’hat Frashëri, njëri nga gjenitë e historisë së Shqipërisë së shekullit të kaluar, “Kongresi i Lushnjës është një kandil që ndrit dhe duhet të ndriçojë kurdoherë që gjendet në errësirë e në të keqe. Të mbajturit lart të akteve të mëdha të patriotizmës është një lumturi, si edhe një detyrë”, tha Basha. /atsh

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës, Basha/ Kur ka konsensus të tillë kombëtar, vijnë edhe zgjidhjet Read More »

“21 janari”, Balla: Shqiptarët presin nga Drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e fajtorëve të krimit të rëndë

“Shqiptarët presin nga drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e fajtorëve për krimin e rëndë të 21 janarit”.

Kështu deklaroi sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në pritjen që u organizua në sallën COD të kryeministrisë, me familjarë të 4 protestuesve të vrarë në Bulevard 9 vite më parë.

“Sot 9 vite nga 21 Janari 2011! Nderim dhe respekt dëshmorëve Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të cilët u qëlluan pabesisht në protestën popullore, në mbrojtje të vlerave dhe parimeve të demokracisë në Shqipëri. Shqiptarët presin nga drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndërshkimin e fajtorëve për këtë krim të rëndë”, tha Balla.

Ministra të kabinetit qeveritar, deputetë të Partisë Socialiste, familjarë të viktimave dhe qytetarë të shumtë zhvilluan sot homazhe për viktimat e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me heshtje, lot në sy dhe karafila të kuq në duar, ata përkujtuan 9-vjetorin e vrasjes së 4 protestuesve Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Sot shënohen 9 vite nga 21 Janari 2011, dita kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës./atsh

https://www.facebook.com/b.taulant/videos/597071407555061/?t=0

“21 janari”, Balla: Shqiptarët presin nga Drejtësia e re zbardhjen e plotë dhe ndëshkimin e fajtorëve të krimit të rëndë Read More »

Kryemadhi: Tryeza për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike

Ulja në një tryezë për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike, por një dakordësi për të krijuar rregullat e lojës, që sipas saj janë zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi sot Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.

Në një intervistë televizive, Kryemadhi u shpreh se, “dakordësia u arrit pas ndihmës nga ndërkombëtarët, veçanërisht rolit të ambasadorit britanik në vendin tonë, Duncan Norman”.

Kryemadhi u shpreh se ambasadori Norman “krijoi infrastrukturën e takimit”.

Kryemadhi gjithashtu falenderoi edhe përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Europian, ndërsa shtoi se mazhoranca u ul pas presionit nga SHBA dhe BE.

Kryemadhi theksoi se, dakordësia për miratimin me konsensus të reformës zgjedhore, si një nga kushtet e Bundestagut për integrimin e Shqipërisë në BE, është bërë shumë më herët.

Ajo tha se ishte vendosur që zgjedhorja të miratohej në Kuvend në dhjetor, në seancën e fundit të sesionit të kaluar parlamentar.

Ajo tha se miratimi i reformës zgjedhore u shty me argumentin nga ana e mazhorancës se Kuvendi nuk mund të votojë një reformë të tillë në kushtet kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.

“Mos harroni që Rama mjafton të shtyjë dhe të fitojë sekonda: Shpalli gjendjen e emergjencës deri në mars. Reforma zgjedhore duhej të ishte miratuar në dhjetor, sepse kështu ishte dakordësimi edhe me SHBA, edhe me BE, por duke shpallur gjendjen e emergjencës parlamenti nuk mund të miratojë kod zgjedhor, ky ka qenë justifikimi nga ta. Ne si opozitë mbarojmë të gjitha detyrimet tona, sepse deri tani ky njeri mbante peng vendin me justifikimet që opozita nuk bëhet pjesë”, tha Kryemadhi./atsh

Kryemadhi: Tryeza për reformën zgjedhore nuk është marrëveshje politike Read More »

100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjës, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920.

Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Në këtë kuadër, Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar sot një sërë aktivitetesh në Lushnjë dhe Tiranë.

Kështu kalendari i aktiviteteve për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar parashikon mbajtjen e ceremonisë në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë në orën 9:30, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Ndërkohë në Tiranë në orën 11:30-12:00 do të bëhet çelja e Ekspozitës dhe shfaqja e Dokumentarit “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” ne Pallatin e Kongreseve, holli para sallës së Albanologjisë.

Ndërsa në 21 janar, ora 12:00-13:30 do të mbahet Konferenca shkencore “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”, në Pallatin e Kongreseve, salla e Albanologjisë.

Aktivitetet vijojnë edhe në datën 22 janar, ora 10:00-20:00 me Ditët e Hapura te salla e seancave.

Ndërsa në datë 23 janar, ora 11:00 do të jetë faza finale e konkursit të shkollave të mesme të Tiranës dhe Lushnjës për interpretimin e fjalimeve të përzgjedhura parlamentare.

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina./atsh

100 vjet parlamentarizëm në Shqipëri/ Kuvendi shënon përvjetorin e Kongresit të Lushnjës me aktivitete të shumta Read More »

Ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Traumës shpëton nga paraliza 21-vjeçaren

Një ndërhyrje e rrallë dhe e suksesshme ka shpëtuar nga paraliza Arlindën, 21-vjeçaren nga Durrësi.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka theksuar se Arlinda zgjodhi ta kryejë ndërhyrjen në Shqipëri, pavarësisht për shkak të vështirësive, mungesës së prindërve dhe ndërhyrjes tepër delikate.

Ministrja Manastirliu thekson gjithashtu se, 21-vjeçares i ofruam edhe mundësinë për të kryer operacionin në Turqi.

Manastirliu ka vlerësuar punën e shkëlqyer të ekipit mjekësor të spitalit Universitar të Traumës, dr. Fatos Olldashi, dr. Irgen Hodaj, dr. Eriketa Jaho, dr. Esma Gashi dhe infermierët Sokol Xhafa, Flutura Balla dhe Elsa Agalliu, të cilët kryen vertebrectominë anteriore, një ndërhyrje të vështirësisë së lartë, e cila rezultoi e suksesshme për 21- vjeçaren nga Durrësi.

“Një ndërhyrje e rrallë dhe e suksesshme ka shpëtuar nga paraliza Arlindën, 21-vjeçaren nga Durrësi, e cila ka zgjedhur të kryejë ndërhyrjen në Shqipëri, pavarësisht se për shkak të vështirësive, mungesës së prindërve dhe ndërhyrjes tepër delikate, 21-vjeçares i ofruam mundësinë për të kryer operacionin në Turqi.

Punë e shkëlqyer e ekipit mjekësor të spitalit Universitar të Traumës, dr. Fatos Olldashi, dr. Irgen Hodaj, dr. Eriketa Jaho, dr. Esma Gashi dhe infermierët Sokol Xhafa, Flutura Balla dhe Elsa Agalliu që kryen vertebrectominë anteriore, një ndërhyrje të vështirësisë së lartë, e cila rezultoi e suksesshme për 21-vjeçaren nga Durrësi.

Shërim të shpejtë Arlinda”, ka theksuar Manastirliu./atsh

Ndërhyrja e rrallë në Spitalin e Traumës shpëton nga paraliza 21-vjeçaren Read More »