Irina

“Refuzova urdhrin politik për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm”/Agron Malaj për 21 janarin: Përgjegjësit e atij krimi shtetëror të dalin para drejtësisë

Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj, deklaroi sot se “nuk do të rresht së kërkuari që tragjedia e 21 janarit 2011, ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”.

Në një deklaratë, Malaj, i cili në 21 janar 2011, ka qenë gardist dhe kryente detyrën pranë Kryeministrisë, thekson se “21 janari është një tragjedi me të cilën mua më është dashur të jetoj çdo ditë gjatë 9 viteve të fundit. Unë nuk humba në atë tragjedi asnjë pjesëtar të familjes time. Por ka megjithatë diçka që më bashkon mua, ish “gardistin e 21 Janarit” me familjet e 4 qytetarëve të pafajshëm që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme. Na bashkon dëshira që ajo ngjarje të zbardhet e drejtësia të shkojë në vend”.

“Prej 9 vitesh tashmë emri im është lidhur me atë ngjarje tragjike. Emri i një njeriu, i një ish-gardisti në krye të detyrës, që refuzoi të zbatojë urdhrin për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm, është lidhur në mënyrën më perverse me vrasjen e Ziverit, Aleksit, Faikut dhe Hekuranit, jo nga familjet, jo nga organet e ligjit, por pikërisht nga ata që dhanë urdhër për të qëlluar e më pas shkelën çdo ligj e çdo normë, për të mos lejuar zbardhjen e të vërtetës”, – nënvizoi Malaj duke shtuar se sot vijoj punën time me kokën lart me ndërgjegjen e pastër.

Malaj shprehet se “mbi mua nuk rëndon asnjë akuzë. As për 21 janarin e as për asgjë tjetër. Kush ka ende dyshime për këtë mund të hapë vendimin e KQZ, bazuar në vendimin e Prokurorisë, ku certifikohet pastërtia e figurës time dhe më njihet e drejta për të marrë pjesë në zgjedhje. A mund ta thonë të njëjtën gjë ata që sot drejtojnë sulmin kundër meje? A nuk do duhej që të paktën sot, në 21 janar, së paku të mbyllnin gojën e të ulnin kokën nga turpi për jetët e pafajshme që kanë marrë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, nën urdhrat e ish-kryeministrit dhe të atij që asokohe ishte Ministër i Brendshëm dhe që në çdo vend normal do ishin dënuar jo një, por disa herë, për krime që shkojnë nga vjedhja e korrupsioni e deri tek pastrimi i parave e financimi nga Rusia dhe vrasja?”.

“Por mbi mua rëndon nevoja që kjo ngjarje të zbardhet e fajtorët të shkojnë atje ku meritojnë, të shkojnë ata që duke shkelur ligjin kanë marrë jetë njerëzish. Prandaj, sot dua së pari, t’ju shpreh familjarëve ngushëllimet e mia. E së dyti, t’ju them atyre që as unë nuk do të rresht së kërkuari që ajo tragjedi e ai krim shtetëror të zbardhet duke nxjerrë përpara përgjegjësisë autorët e tij të vërtetë, sado lart qofshin ata në jetën politike të vendit”, – tha Malaj./atsh

“Refuzova urdhrin politik për të hapur zjarr mbi protestuesit e pafajshëm”/Agron Malaj për 21 janarin: Përgjegjësit e atij krimi shtetëror të dalin para drejtësisë Read More »

Braçe: 6 vite në pushtet jam torturuar kokëulur çdo 21 janar, asnjë prokuror nuk hetoi Berishën

Zëvendëskryeministri Erion Braçe duke përkujtuar 21 janarin e 2011, theksoi se “sistemi kriminal gjyqësor i emëruar e nën sundimin e Sali Berishës edhe sot bëri që pushkatimet e Ziver Veizit, Hekuran Dedes, Faik Myrtajt, t’i cilësojë “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa pushkatimin e Aleks Nikës, ta shpallë edhe pas 9 vitesh “vrasje pa autor”.

Në një reagim, Braçe shprehet se “Sali Berisha i ka dalë për zot pushkatimeve me zë e me figurë, fill pas dëshmisë televizive të pushkatimeve në mes të ditës e në mes të bulevardit, ai tha troç se i kishte urdhëruar vetë. Asnjë prokuror nuk e hetoi në cilësinë e kryeministrit që ka urdhëruar pushkatimet; Katër prokurorë të përgjithshëm janë ndërruar ne 9 vite, Sali Berisha vijon të marrë përsipër pushkatimet dhe asnjë nuk guxoi dhe nuk guxon as tani, ta vërë nën hetim për krimin e rëndë”.

Braçe shprehet se “as atë tjetrin, ish ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili kishte nën komande pushkatarët e Gardës së qeverisë. Këta që emëronin prokurorët e gjykatësit e kishin në xhep imunitetin, por kriminalisht i dhanë imunitet, shpëtuan, nxorën nga burgu dhe sot janë të lirë, dy pushkatarët plumbat e të cilëve, qitur nga armët e qeverisë, u gjetën në trupat e pa jetë të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt. Edhe Aleks Nika nga ata është pushkatuar. Padrejtësi më të madhe se kjo, në këtë vend nuk ka! Kjo padrejtësi rrënon, themelet e shtetit, bën të pavlerë çdo akt rutinë drejtësie. Në 9 vite e gjysmë, kjo padrejtësi është tortura më e rëndë për familjarët e tyre. Në 6 vite e gjysmë në pushtet, torturë është edhe për mua”.

“Çdo 21 janar, me turp e kokë ulur shkruaj radhë si këto, një akt pafuqie që nuk shtyn për drejtësi, nuk bën drejtësi. Reforma në Drejtësi, ka nxjerrë jashtë nga sistemi 8 gjyqtarë të vegjël e të lartë, të cilët dhanë vendimet kriminale e shfajësuan pushkatarët e 21 janarit. Por kjo nuk është drejtësi! Drejtësi është hetimi i plotë, gjithëpërfshirës i gjithë zinxhirit të krimit, nga urdhri e urdhërdhënësi deri tek pushkatarët e pushkatimi”, – nënvizon Braçe.

Zv/kryeministri Braçe u shpreh se “gjykimi i drejtë dhe i shpejtë gjithashtu. E di, e kam dëgjuar edhe unë atë kërcënimin e përjetshëm që na përplasin në fytyrë se nëse hetohet e gjykohet urdhri e pushkatimi, urdhërdhënësi e pushkatarët, këtij vendi do i vënë zjarrin”.
“Por kjo është edhe një herë më shumë padrejtësi! Ekuilibri politik dhe stabiliteti social, ekonomik, politik, i vendosur prej dhunës së padrejtësisë është zjarr edhe më i madh se ai i katër muajve të vitit që shkoi, është zjarr mbi liritë kushtetuese, atë bazë-të drejtën për të jetuar, mbi ligj e çdo rregull është zjarr mbi drejtësinë e barazinë, mbi shtetin e bashkëjetesën në të. Dhjetë ditë më parë, presidenti i SHBA i bëri veç një thirrje regjimit të pushkatarëve të Gardës së qeverisë në Teheran/Iran: Mos i vrisni protestuesit! Në Tiranë protestuesit u vranë njësoj, me pushkë, të njëjtat si atje. Në Teheran, drejtësinë e bëjnë po ata, me pushkë, këtu jo më, asnjëherë më; është e padurueshme, ta shpif bashkëjetesa me dhunën sfiduese të një krimi të zbardhur e të pandëshkuar, si pafuqi, si stabilitet apo standard drejtësie, por që nuk arrin tek pushkatarët e udhëheqësit e tyre. Jo sepse unë e dua kundërshtarin në burg, siç Sali Berisha donte dhe e çoi në burg, mbajti kyçur atje politikisht kundërshtarin e tij; Jo! por si akt i pastër, moral, ligjor drejtësie”, – theksoi Braçe duke shtuar se atë që nuk duhet e nuk e bën partia, por ligjërisht drejtësia.

“Provat janë aty, në dritë të diellit! Duhet veç kurajo! Katër burra, një jetë, pushkatimi dhe padrejtësia që rrënon themelet e shtetit. Në 21 janar 2011, katër qytetarë të zakonshëm, pjesëmarrës në një demonstratë të opozitës së kohës, të pa armatosur e paqësore u pushkatuan në mes të bulevardit Dëshmorët e Kombit. Mbi 12 të tjerë u plagosën me të njëjtat armë zjarri, për fat edhe sot në jetë”, – tha Braçe./atsh

Braçe: 6 vite në pushtet jam torturuar kokëulur çdo 21 janar, asnjë prokuror nuk hetoi Berishën Read More »

Programi i depistimit, 14 mijë gra kryen falas testin HPV

Programi kombëtar i depistimit të kancerit të qafës së mitrës në Shqipëri i ofruar për herë të parë falas në vitin 2019 i ka mundësuar kryerjen e testit HPV 14 mijë grave të grupmoshës 40-49 vjeç.

“Në vitin 2019 nisëm për herë programin kombëtar të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës falas nga i cili përfituan 14 mijë gra të grupmoshës 40-49 vjeç”, shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.

“‪Prej tyre, 750 gra rezultuan të prekura nga HPV dhe u referuan për ekzaminime të mëtejshme tek mjeku specialist”, tha ministrja.

Ajo gjithashtu i bën apel të gjitha grave të ekzaminohen falas pranë qendrave të tyre shëndetësore.

“Ekzaminohu falas pranë qendrës tënde shëndetësore”, shprehet Manastirliu.

Ky program kombëtar ka për qëllim identifikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Testimi me HPV kryhet i koordinuar nga Ministria e Shëndetësisë nëpërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe ofrohet falas për gratë e grupmoshës 40-49 vjeç, që është edhe grupmosha më e prekur nga kanceri i qafës së mitrës./atsh

Programi i depistimit, 14 mijë gra kryen falas testin HPV Read More »

Rama në pikën e Kontrollit “Stanica Luganska”, Ukrainë, ku ndahet edhe zona e konfliktit

Kryetari i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama vizitoi sot bazën e “Shiroky” në qytetin lindor Kharkivit, Ukrainë dhe pikën e Kontrollit “Stanica Luganska”, ku ndahet edhe zona e konfliktit.

Gjatë vizitës, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së Rama pa nga afër situatën, ndërsa u takua më pas me forcat ushtarake që ndodhen në bazën e “Shiroky”.

Po ashtu, Rama vizitoi edhe pikën e Kontrollit “Stanica Luganska”, ku ushtarakët ukrainas e njohën me situatën, në zonën e nxehtë të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë. Njëkohësisht Rama u njoh edhe me situatën humanitare në zonat e ndikuara nga konflikti dhe ndikimin praktik të SMM në terren.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp ditën e djeshme me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Vadym Prystaiko, Rama , theksoi se “nuk është rastësi që vizita ime e parë zyrtare si President i OSBE-së është në Ukrainë dhe reflekton rëndësinë e madhe që i jap adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës. Në këndvështrimin tim, kjo mbetet çështja më kryesore për sigurinë dhe stabilitetin në Europë sot. Do bëjmë më të mirën tonë që të garantojmë respektimin e parimeve të OSBE-së dhe angazhimit të saj, e sigurisht do të inkurajojmë fort zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Minskut, në mbështetje të përpjekjeve nga Grupi Trepalësh i Kontaktit, si dhe procesit të Formatit të Normandisë”.

“Ndërkohë që marrëveshjet e kontaktit dhe të Formatit po diskutohen prej kohësh e mbase do na duhet ende shumë kohë, ajo që mbetet thelbësore, çdo ditë është jeta e njerëzve dhe vështirësitë me të cilat duhet të përballen të gjithë ata që jetojnë në zonat e konfliktit. Aty do të punojmë pandërprerë, për të bërë çdo gjë të mundur sepse duhet të garantojmë ndalimin e zjarrit dhe armëpushimi i qëndrueshëm është absolutisht jetësor së pari e më e rëndësishmja për jetën e njerëzve. Konflikti vazhdon të marrë jetën e qytetarëve të pafajshëm dhe kjo është e papranueshme dhe kjo duhet të ndalojë. Prandaj qëllimi ynë, së pari e mbi të gjitha është të garantojmë armëpushim të plotë e të qëndrueshëm”,- theksoi Rama.

Bashkë me delegacionin që e shoqëron, Rama u nis mëngjesin e sotëm me një helikopter ushtarak nga aeroporti Chuguev në Kharkivit, Ukrainë.

Vizitën e tij të parë zyrtare si President i OSBE-së, Kryeministri Edi Rama e zhvilloi në Ukrainë dhe kjo sipas tij, “reflekton rëndësinë e madhe që i jep adresimit të krizës në dhe rreth Ukrainës”.

Gjatë qëndrimit në Ukrainë Kryeministri Rama zhvilloi takime me autoritetet më të larta të vendit./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/249614066019150/?t=0

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2802682586464983/?t=0

Rama në pikën e Kontrollit “Stanica Luganska”, Ukrainë, ku ndahet edhe zona e konfliktit Read More »

Restaurohet pas 100 vitesh flamuri i Kongresit të Lushnjës, Stamati: Më i rëndësishmi që ka Shqipëria

Mjeshtri i restaurimit Frederik Stamati ka përfunduar restaurimin e flamurit të valëvitur në kongresin e Lushnjës, të mbajtur më 21-31 janar të vitit 1920, duke e kthyer atë në gjendje shumë të mirë.

Stamati, i cili ka publikuar dy fotografi, një sesi ka qenë gjendja tij përpara dhe pas restaurimit, thekson se, “e gëzofshim flamurin e Kongresit të Lushnjës. Shqipëria nuk e ka flamurin e 28 nëntorit 1912. Por nëse Kongresi i Lushnjës konsiderohet si pavarësia e dytë e Shqipërisë, atëherë ne kemi flamurin e pavarësisë së dytë të Shqipërisë”.

Sipas tij, ky është flamuri më i rëndësishëm që ka Shqipëria.

“Kujdesi ndaj ruajtjes së këtij flamuri do të jetë i vazhdueshëm, ndërsa të tjera masa me bazë shkencore do të ndërmerren në vazhdimësi”, – tha Stamati.

Më herët në një prononcim për ATSH-në, Stamati është shprehur se “flamurin e ka pasur atdhetari Veli Vasjari, i cili e ka çuar në ndërtesën ku bëheshin punimet e Kongresit të Lushnjës. Pas përfundimit të punimeve e mori përsëri në vitin 1928 ai e dhuroi në Muzeun Kombëtar. Më pas Muzeu Kombëtar e ruajti në fondet e veta, ndërsa me ndryshimet ai kaloi nga një institucion në tjetrin dhe ky flamur mbeti në fondin etnografik”.

Pas një pune të lodhshme, pasi edhe dëmtimi ka qenë i rëndë flamuri është restauruar.

“Flamuri historik i kongresit të Lushnjës u zbulua në vitin 2011 nga Ariola Prifti, e cila në atë kohë ka qenë përgjegjësja e fondit etnografik, ku ruhej flamuri”, – tha Stamati për ATSH-në.

Më 25 nëntor 2011 u identifikua në Fondin Etnografik të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve të Artit, flamuri i Kongresit të Lushnjës. Ky kongres cilësohet nga njohësit e afirmuar të historisë së asaj periudhe kohore si ngjarja më madhe pas Pavarësisë dhe në mënyrë figurative, si çlirimi i dytë i vendit tonë.

Kongresi i Lushnjës ku u valëvit ky flamur i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta./atsh

Restaurohet pas 100 vitesh flamuri i Kongresit të Lushnjës, Stamati: Më i rëndësishmi që ka Shqipëria Read More »

Cakaj kujton Rugovën: Përulemi me nderim përpara politikanit më të madh

Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, përkujtoi sot Presidentin Ibrahim Rugova, në 14 vjetorin e vdekjes.

“Ibrahim Rugova ka qenë intelektuali më i madh në politikë dhe politikani më i madh ndër intelektualë gjatë viteve të veprimtarisë së tij” – thekson Cakaj.

Ministri Cakaj shprehet se “pa angazhimin e drejtpërdrejtë të Rugovës, mendimet e baraspeshuara dhe vizionin afatgjatë, nuk mund të kuptohet drejt, as orientimi euroatlantik i Kosovës, as ngritja e strukturave paralele, as përpjekja për zhvillimin e demokracisë në Kosovë”.

“Sot kujtojmë jo vetëm Presidentin e Parë të Kosovës me kontribut të pashlyeshëm në historinë e saj, por edhe historinë dekadëshe të shtetndërtimit të Kosovës që s’mund të mendohet pa të”, – tha Cakaj./atsh

Cakaj kujton Rugovën: Përulemi me nderim përpara politikanit më të madh Read More »

Ambasadori i Austrisë: Mbështesim Shqipërinë drejt BE-së

Austria do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në proceset integruese të saj.

Kështu deklaroi sot ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Christian Steiner, nga qyteti i Kavajës, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e dhurimit të një makine dhe mjeteve të tjera moderne për Shërbimin Zjarrfikës të këtij qyteti.

“Qeveria e re e krijuar rishtazi nga janari i këtij viti do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në proceset e saj integruese. Në mënyrë eksplicite në programin e qeverisë Austriake është përmendur që Qeveria Austriake do të përkrahë intensivisht në mënyrë të vazhdueshme procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në anëtarësimin në BE”, – nënvizoi Steiner.

Ambasadori Steiner u shpreh se “jam shumë i lumtur që kjo marrëdhënie e mirë nuk ekziston midis dy vendeve tona vetëm në nivele shtetërore, por që kjo marrëdhënie e mirë dhe përkrahje ekziston edhe në nivele lokale, ku njerëzit me iniciativën e tyre private ndihmojnë në një bashkëpunim edhe më të suksesshëm”./atsh

Ambasadori i Austrisë: Mbështesim Shqipërinë drejt BE-së Read More »

Vizita në Ukrainë si kryetar i OSBE-së/ Rama në aeroportin ushtarak Chuguev

Kryeministri Edi Rama u nis mëngjesin e sotëm nga aeroporti ushtarak Chuguev në Ukrainë, drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin.

Në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, Kryeministri Rama ndodhet prej ditës së djeshme në Ukrainë, ku zhvilloi takime me autoritetet më të larta të vendit.

Bashkë me delegacionin që e shoqëron, ai u nis mëngjesin e sotëm me një helikopter ushtarak nga aeroporti Chuguev në Kharkivit, Ukrainë, drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin.

Pjesë e delegacionit, ambasadori i Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë, Igli Hasani u shpreh se “mund të inspektojmë masat e sigurisë të kolegëve ukrainas”.

“Këtu jemi në një helikopter ushtarak ukrainas, që do të na çojë drejt pikës së kontaktit me ata që e kundërshtojnë regjimin. Udhëtimi do të zgjasë rreth 1 orë. Ky është aeroport ushtarak. Mund të inspektojmë masat e sigurisë të kolegëve ukrainas”, informoi Hasani./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2850473494999526/?t=0

Vizita në Ukrainë si kryetar i OSBE-së/ Rama në aeroportin ushtarak Chuguev Read More »