Irina

100 vjet parlamentarizëm/ Ceremonia në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur

“Në Lushnjë nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare”, deklaroi sot kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili mori pjesë në ceremoninë festive të organizuar në Shtëpinë e Kongresit të Lushnjës.

Në këtë veprimtari, me të cilën nisi kremtimi i kësaj ngjarjeje madhore të historisë sonë kombëtare, morën pjesë deputetë dhe ish- deputetë, ish-drejtues të Kuvendit, trashëgimtarë të protagonistëve, delegatëve, deputetëve, ministrave e shtetarëve që zgjodhi Kongresi i Lushnjes, autoritete lokale dhe mijëra qytetarë.

Pas fjalës së mirëseardhjes së kryetarit të Bashkisë, Fatos Tushe, përshëndeti kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

“Rrallë gjendet në histori një shtëpi me kaq kontribute në historinë e një vendi”, tha Ruçi.

“Shteti i shqiptarëve deri në shpalljen e pavarësisë, kishte qenë një planet i largët për shqiptarët. Por edhe pas shpalljes së pavarësisë, shteti rrezikonte të zhdukej e bashkë me të edhe Shqipëria”, theksoi ai.

“Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur e parlamentare. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi diplomacia shqiptare në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe integritetit të Shqipërisë. Nga kjo Shtëpi dhe nga ky Kongres nisi ndërtimi i administratës shqiptare, arsimit, shkollave dhe forcave të rendit”, nënvizoi kreu i Kuvendit.

“Kjo shtëpi dhe ky Kongres u vunë në dispozicion të mbrojtjes së Shqipërisë dhe u shndërruan në një shtëpi e kongres historik, për arsye të vendimeve që u morën. Kongresi i Lushnjës pati një rrezatim kombëtar e popullor, u prit me entuziazëm e besim prej shqiptarëve dhe u bë sintetizues dhe gjenerues i energjive të kombit”, tha Ruçi.

Sipas tij, në vitet e para të jetës parlamentare çelën filizat e parë të pluralizmit demokratik.

“Sot, një shekull pas kësaj vepre themeltare për kombin dhe shtetin shqiptar, le të shprehim mirënjohjen tonëpër veprën monumentale të delegatëve të Kongresit të Lushnjës, burrave që përfaqësuan krahinat e Beratit, Skraparit, Mallakastrës, Lushnjës, Fierit, Dibrës, Matit, Durrësit, Shijakut, Kavajës, Tiranës, Elbasanit, Peqinit, Gramshit, Dumresë e Sulovës, Gjirokastrës, Libohovës, Përmetit e Këlcyrës, Delvinës, Tepelenës, Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Leskovikut, Hasit e Lumës, Gjakovës, Gashit dhe Shkodrës. Vizioni, vendosmëria dhe kontributi i tyre e bënë Shqipërinë me Parlament.

Mirënjohje të përjetshme për këtë vepër që nuk do të harrohet edhe deputetëve të parë të Shqipërisë, të caktuar nga Kongresi i Lushnjës. Këta u bënë legjionarët e parlamentarizmit shqiptar dhe për këtë fakt historik kombi dhe historia do tu jenë përjetë mirënjohës”, nënvizoi në përshëndetjen e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Sot shënohen 100 vite nga Kongresi i Lushnjes, i mbajtur më 21 janar të vitit 1920. Kjo datë shënon edhe fillimin e parlamentarizmit shqiptar.

Kongresi i Lushnjës krijoi Senatin, Parlamentin e parë shqiptar (më vonë Këshilli Kombëtar), si organ legjislativ, i cili përbëhej nga 37 anëtarë të zgjedhur nga vetë delegatët e Kongresit. Kongresi shprehu në formë të organizuar politike vullnetin e shqiptarëve për të marrë fatin e vendit në duart e veta. Në këtë periudhë afirmohen për herë të parë parimet e parlamentarizmit: emërimi dhe shkarkimi i Qeverisë nga Senati, si dhe ushtrimi i kontrollit parlamentar ndaj saj. Megjithëse parlamenti i parë shqiptar e shtriu veprimtarinë e tij legjislative në një periudhë të shkurtër kohe, ai arriti të miratonte disa ligje të rëndësishme. Akti më i rëndësishëm ishte Statuti i Lushnjës që përbënte një ligj kushtetues. Veprimtaria legjislative e Këshillit Kombëtar mori fund në dhjetor të vitit 1920, kur Këshilli u shpërnda për t’ua lënë vendin zgjedhjeve të para në Shqipëri (mars 1921)./atsh

100 vjet parlamentarizëm/ Ceremonia në Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, Ruçi: Këtu nisi konsolidimi i Shqipërisë së pavarur Read More »

Parku i parë Fotovoltaik në Karavasta, 2020 shënon zgjerimin e hartës së burimeve energjetike të Shqipërisë

Në zonën e Karavastasë do të ndërtohet parku i parë Fotovoltaik, një projekt i rëndësishëm në sektorin e energjisë së rinovueshme që llogarit mbi 100 milionë euro investim.

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “ky vit 2020 shënon zgjerimin hartës së burimeve energjetike të Shqipërisë me investimin në energjinë diellore për parkun e parë Fotovoltaik, që do të ndërtohet në zonën e Karavastasë., me një kapacitet prodhues 140 megavat”.

Parku fotovoltaik i Karavastasë më i madhi i projektuar në vend është i ndarë i ndarë 70 megavat për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar.
Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE).

Ky projekt është hartuar duke pasur në bazë një studim të Bankës Botërorë që ka nxjerrë tre zonat kryesore me rrezatimin më të lartë në vend, që garanton një investim që i kthehet shpejtë investitorët dhe i sjell përfitim shtetit shqiptar në prodhimin e energjisë me çmim të ulur. Çmimi i rregulluar është paracaktuar në 55 euro duke pasur parasysh teknologjitë e tregut dhe mesataren e kostos së prodhimit.

Projekti do të vendoset në një hapësirë prej 198 hektarësh në bashkitë Fier dhe Divjakë./atsh

Parku i parë Fotovoltaik në Karavasta, 2020 shënon zgjerimin e hartës së burimeve energjetike të Shqipërisë Read More »

Revolucion dixhital edhe në Hipotekë/ 52 shërbime online, eliminim radhëve, burokracive dhe korrupsionit

Pas 30 vitesh ka nisur edhe eliminimi i radhëve për aplikim në Hipotekë falë revolucionit dixhital 2020, duke eliminuar radhët, burokracitë dhe korrupsionin.

Kryeministri Edi Rama theksoi të mërkurën se “sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës mundëson përmes “e-albania.al” 52 aplikime për shërbime nga smartfoni apo kompjuter më i afërt”.

“280 000 aplikime në sportel gjatë një viti ose 8 vjet radhë pritjeje sot eliminohen dhe 70 % të dokumenteve të dosjes së aplikimit sot i sigurojnë punonjësit e hipotekës, për llogari të qytetarit”, – shprehet Rama.

Qytetari, pasi futet në faqen e-Albania, shkon tek e-shërbime, ku ndodhet lista e shërbimeve elektronike sipas institucioneve. Aty gjendet Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ku renditen të gjitha shërbimet online që ofron kjo agjenci.

Nëse futesh te seksioni i aplikimeve për lëshim vërtetimi, nevojitet fillimisht të krijohet një aplikim i ri. Më pas përzgjidhet ZVRPP, tek e cila drejtohet kërkesa. Pas kësaj plotësohen të dhënat e aplikantit, më pas të dhënat e përfaqësuesit, të dhënat e pronës.

Pas kësaj zgjidhet shërbimi që kërkohet, ngarkohen dokumentet që kërkohen nga aplikanti. Përpara se ta dërgojë aplikanti ka mundësi të shohë përmbledhjen e kërkesës së tij, të cilën më pas e konfirmon dhe e dërgon./atsh

Revolucion dixhital edhe në Hipotekë/ 52 shërbime online, eliminim radhëve, burokracive dhe korrupsionit Read More »

Amnisti për 164 të dënuar/ Gjonaj në Komisionin e Sigurisë: Qëndrim strikt lidhur me kategoritë që përfitojnë

164 të dënuar do të përfitojnë nga ligji për “Për dhënie amnistie”, të propozuar nga qeveria dhe që ka nisur të diskutohet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj paraqiti sot para deputetëve të Komisionit të Sigurisë detaje nga projektligji i ri për “Dhënie Amnistie”.

“Nga ligji për dhënie amnistie përfitojnë 164 të dënuar, 141 janë meshkuj dhe 22 janë gra dhe 1 i mitur. Kjo si shifër i referohet të dhënave të marra ditën e martë”,- theksoi Gjonaj.

Ajo tha se qeveria në hartimin e projektligjit “Për Dhënie Amnistie” ka qenë e kufizuar në përcaktimin e kategorive, duke qenë strikte sa i takon kategorive të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë.

“Rastet e fundit, ku kemi patur lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë, me dënime alternative siç kanë qenë lirimet me kusht për të cilat edhe unë si ministër Drejtësie kam marrë masat dhe kam reaguar, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm lidhur me vendime të tilla të paligjshme në konsideratat e mia dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe për këtë arsye kemi qenë shumë të fokusuar për të kuptuar dhe për të qenë të kufizuar lidhur me kriteret dhe kategoritë të atyre që do të përfitojnë nga kjo amnisti”,- theksoi Gjonaj.

“Për hir të së vërtetës, tha Gjonaj, ka një problematikë, ku edhe nga amnistitë e mëparshme që janë dhënë apo propozuar nga ministrat e mëparshëm të drejtësisë, janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kritere ndaluese, duke i krijuar mundësinë e përftimit edhe subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë”.

“Nëse sot apo më përpara në gjykata ka njohje të amnistisë edhe për subjekte kriminale që janë dërguar me burgim të përjetshëm apo dënime të larta, ato kanë përfituar edhe nga amnistitë e mëparshme. Kjo është vërtetuar edhe nga një studim që Ministria e Drejtësisë i ka bërë të gjitha amnistive që nga viti 2012 deri në vitin 2016, ku kategori të caktuara që lidhen me rrezikshmërinë e lartë shoqërore, kanë përfituar amnisti duke i’u ulur dënimi me 1 apo 1.5 dhe 2 vite”,-tha Gjonaj

“E vendosa këtë në prezantim të amnistisë për të patur një pararendje dhe për të kuptuar pse ne, në këtë amnisti kemi qenë shumë striktë lidhur me kategoritë dhe subjektet kriminale që përfitojnë nga amnistia. Pra, për të shmangur dhe ngjarje të ngjashme që kemi jetuar dhe gjatë kësaj periudhe dhe të mos jetë amnistia që t’i japi mundësi subjekteve me me rrezikshmëri të lartë përfitojnë ulje të dënimit”,- sqaroi Gjonaj.

“Në këtë amnisti ka dhe një risi, që ka të bëjë me politikat kundër kriminalitetit që qeveria ka ndjekur dhe një nga këto ka qenë vënia e një kriteri ndalues që është përfshirë, dhe lidhet me futjen dhe mbajtjen e sendeve të ndaluara në IEPV”,-tha Gjonaj.

“Në asnjë prej amnistive të mëparshme nuk është trajtuar kjo. Amnistia përcjell dhe respekton politikat e qeverisë dhe për këtë, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm për të mbajtur në konsideratë të gjitha elementët që ne u kemi shpallur luftë”,- garantoi ministrja Gjonaj.

“Nga amnistia përfitojnë të gjithë ato të dënuar, që brenda datës 31/12/19, kanë marrë një vendim të formës së prerë dhe pavarësisht sa kohë u ka mbetur dënimi, janë dënuar me dy vite vuajtje dënimi për burrat dhe tre vite për gratë dhe për të miturit dhe gjithashtu përfitojnë amnisti të dënuarit që kanë marrë çdo lloj dënimi alternativ”,- tha Gjonaj.

“Kategoria tjetër që përfiton, janë të dënuarit me burgim, por që i ka mbetur për të vuajtur 2 vite burg për meshkuj dhe 3 vite femra e të mitur. Amnistohen gjithashtu femrat që janë në moshën baras ose mbi 50 vjeç në kohën kur hynë në fuqi ky ligj dhe të gjithë meshkujt që janë në moshë 60 vjeç ose më sipër nga momenti hyrjes së këtij ligji. Po ashtu, përfitojnë edhe ato të dënuar që kanë qenë baraz ose nën moshën 18 vjeç”,- tha Gjonaj.

“Duke u bazuar në këto kritere, rezulton se janë 164 të dënuar që përfitojnë nga Amnistia. Nga këto 141 janë meshkuj dhe 22 janë gra dhe 1 i mitur. Kjo si shifër i referohet të dhënave të marra ditën e martë”,- tha Gjonaj para deputetëve të Komisionit të Sigurisë.

Ministrja e Drejtësisë garantoi gjithashtu se në projektligjin “Për dhënie amnistie”, ka dhe disa kritere shtrënguese, që vijnë në zbatimi të politikave të sigurisë dhe gjithashtu për të mënjanuar që individë me rrezikshmëri të lartë kriminale të përfitojnë ulje dënimi”. /atsh

Amnisti për 164 të dënuar/ Gjonaj në Komisionin e Sigurisë: Qëndrim strikt lidhur me kategoritë që përfitojnë Read More »

Ministri Çuçi thirrje fermerëve: Mbillni vetëm fidanë të certifikuar nga Enti Shtetëror i Farave

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, u bëri thirrje fermerëve që të përdorin vetëm fidanë të certifikuar nga Enti Shtetëror i Farave dhe Fidanëve sepse vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet sasia e prodhimit, por edhe cilësia. Ministri vizitoi në Berat një prej fidanishteve më të mëdha të zonës, ku përgatiten fidanë të hardhisë, ullirit dhe pemëve frutore.

“Një mesazh shumë i rëndësishëm për të gjithë fermerët që të marrin fidanë të certifikuar nga Enti Shtetëror i Farave sepse tek fidani fillon çdo gjë, është baza për suksesin e prodhimit. Kjo gjë është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar nga fermerët, jo vetëm për ullirin dhe hardhitë, por për të gjitha pemët. Nëse nuk merren fidanë të certifikuar ndodh pastaj që në shumë zona duke marrë fidanë në vende të ndryshme si Greqia e Spanja, i kanë sjell këtu dhe më pas kanë dalë pa produktivitet ngaqë nuk përshtaten dot me klimën. Këto fidanishte kanë rëndësi shumë të madhe sepse këto në një farë mënyrë orientojnë drejt fermerët se çfarë duhet të mbjellin për karakteristikat e tokave që kanë”, tha ministri Çuçi.

Ai shoqërohej në këtë vizitë nga zv.ministri Dhimo Kote dhe kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo. Fidanishte “Pupa” në Berat ka nisur aktivitetin që në vitin 1997. Fidanët e ullirit dhe hardhisë që prodhohen nga kjo fidanishte në 80% të tyre janë autoktonë. Krahas fidanishtes 3.5 Ha, pjesë e kësaj sipërmarrje janë edhe rreth 10 Ha vresht, me varietete autoktone rrushi si Pulsi Beratit, Serina, Debina etj./atsh

Ministri Çuçi thirrje fermerëve: Mbillni vetëm fidanë të certifikuar nga Enti Shtetëror i Farave Read More »

Emetohet pulla postare me tematikë “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”

Posta Shqiptare emeton emisionin e pullave postare me tematikë “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.

Posta Shqiptare, në bashkëpunim me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, me rastin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, ka hedhur sot në treg emisionin e pullave postare me tematikë “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.

Emisioni i pullave përbëhet nga 1 seri me 5 pulla, vlerat e të cilave janë 20 lekë, 30 lekë, 40 lekë, 60 lekë dhe 200 lekë.

Tirazhi i pullave postare është 3.000 pulla (20-lekëshe), 3.000 pulla (30-lekëshe), 3.000 pulla (40-lekëshe), 3.000 pulla (60-lekëshe), 13.000 pulla (200-lekëshe), ndërsa tirazhi i zarfeve të ditës së parë me seri është 400 copë./atsh

Emetohet pulla postare me tematikë “100 vjet parlamentarizëm shqiptar” Read More »

Meta: Opozita gaboi me dorëzimin e mandateve dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje

“Opozita ka bërë veprime të mëparshme të gabuara siç është dorëzimi i mandateve apo mospjesëmarrja në zgjedhje vendore. Rruga që opozita ndoqi nuk ishte një rrugë që i shërbeu vendit”, tha sot Presidenti Meta në një intervistë televizive.

Duke folur për 100 vjetorin e Kongresit të Lushnjës, Meta tha se “21 janari është një datë shumë e rëndësishme, sepse është dita e Kongresit të Lushnjës. Ne sot kemi 100-vjetorin e kësaj ngjarjeje, më e rëndësishmja pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, pasi në vetvete është një rivendosje e pavarësisë dhe e organizimit të shtetit shqiptar dhe e të gjitha institucioneve, por edhe një fillim i parlamentarizmit në Shqipëri. Në këtë drejtim është një nga ditët më të rëndësishme të shtetformimit tonë dhe që na kujton se sa e rëndësishme është që të forcojmë institucionet”.

Duke folur për vrasjen e 4 qytetarëve të pafajshëm në bulevard, Meta tha se duhet hequr përgjithmonë dorë nga dhuna.

“Sa i takon 21 janarit tjetër, sigurisht që nuk kemi asnjë arsye për t’u krenuar. Është një ngjarje që na kujton se sa tragjike është kur opozita përdor dhunën për të arritur objektiva politike të pandershme. Dhe se sa e rëndë është kur instrumentalizohen qytetarët për qëllime të tilla, sidomos kur nxiten në rrugën e dhunës. Kjo ngjarje na kujton se duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga dhuna si një mjet i arritjes së qëllimeve politike”-tha ai.

Për sa i përket procedurës së shkarkimit, Meta tha se “është një absurditet vazhdimi në mënyrë të paligjshme dhe antikushtetuese i këtij komisioni hetimor. Por për mua nuk përbën një shqetësim. E kam thënë edhe më parë që e mira është ta zgjasin afatin deri në 24 korrik të vitit 2022. Presidenti mund të shkarkohet apo të hetohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese, të cilat janë të atij karakteri që mund të cenojnë sovranitetin apo integritetin e Republikës së Shqipërisë”,.

Në vijim Meta shtoi se “Presidenti nuk mundet të hetohet kurrsesi apo të shkarkohet për shkak të akteve që ai nxjerr dhe të dekreteve të tij, sepse Presidenti vepron përmes dekreteve ashtu si parlamenti vepron përmes ligjeve. Sa ligje dhe sa vendime qeverie, Gjykata Kushtetuese, përpara se të paralizohej, i ka rrëzuar parlamentit apo qeverisë së Ramës?! Me dhjetëra! Nuk kemi parë që parlamenti të jetë rrëzuar apo qeveria të jetë shkarkuar.Kjo është një lojë politike që tregon shqetësimin e madh që ka mazhoranca aktuale për qëndrimet mjaft të qarta, kushtetuese, parimore dhe transparente të Presidentit të Republikës. Në këtë drejtim kjo gjë mua më bën nder”.

Në lidhje me dialogun e palëve për reformën zgjedhore, Meta tha se “jemi në kuadër të përpjekje të palëve për t’u shfajësuar përpara dështimeve të mundshme përsëri në të ardhmen në raport me integrimin evropian, se se një reflektim për të marrë përgjegjësi dhe për të vendosur një dialog të besueshëm dhe të mirë strukturuar në interes të heshtjeve më të mëdha që ka vendi dhe për të cilat të dy palët duhet të bashkëpunonin prej vitesh”.

“Megjithatë është një hap pozitiv sepse përfundimi i reformës zgjedhore dhe miratimi me konsensus është nga rekomandimet e Bundestagut për hapjen mundshme e negociatave. Le të shpresojmë të mos ketë ndonjë surprizë rrugës, por sidoqoftë edhe sikur ky jap të jetë pozitiv është fare pak dhe tepër vonë dhe kërkohet një tryezë tjetër shumë e thellë dhe më e përgjegjshme për të plotësuar ato detyrime që tashmë janë të qarta në rezolutën e Bundestagut. Reforma nuk do të zgjidh ndonjë gjë të jashtëzakonshëm, por mund të jetë mënyra me e thjeshtë”, tha ai./atsh

Meta: Opozita gaboi me dorëzimin e mandateve dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhje Read More »

Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta

Përkujtohet sot në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta presidenti i parë i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova (1944-2006)

Ibrahim Rugova është presidenti i parë i Republikës së Kosovës, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe studiues.

Ai lindi në 9 dhjetor 1944 në Cerrë të Istogut. Shkollën e mesme e kreu në Pejë (1967) dhe studimet e larta i kreu për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.

Në vitet 1976-1977 studioi në Ecole Pratique des Hautes Etudes (Shkolla praktike e studimeve të larta), në Paris.

Më 1984 mbrojti doktoraturën për letërsi në Universitetin e Prishtinës. Gjatë viteve 1988-1990 shërbeu si sekretar shkencor, në Institucionin Albanalogjik të Prishtinës.

Ai botoi disa libra, ku më kryesorët janë: “Vepra e Bogdanit 1675-1685” (Prishtinë 1982), “Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983” (Prishtinë 1986), “Refuzim estetik” (Prishtinë 1987) dhe një varg studimesh në fushën e teorisë së letërsisë, të kritikës dhe kulturës shqiptare. Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

Me formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh kryetar i saj (23.12.1989) dhe qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2005. Me formimin e partive të tjera politike shqiptare ai u zgjodh kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike të Shqiptarëve të Kosovës (22.07.1991). Gjatë zgjedhjeve të drejtpërdrejta parlamentare dhe presidenciale të majit 1992 dhe qershorit 1998, të organizuara nga partitë politike dhe institucionet shqiptare të Kosovës, Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Republikës së Kosovës.

Ai u rizgjodh president i Republikës së Kosovës, në mars 2002 dhe në dhjetor të vitit 2004. Ibrahim Rugova është laureat i shumë çmimeve dhe dekoratave ndërkombëtare, ndërmjet të cilave: çmimi për Paqen i Fondacionit Paul Litzer, në Danimarkë (1995); çmimi për paqen i Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrosco i Farmiguera”.

Pas vdekjes ai u dekorua me “Urdhrin e Famurit Kombëtar”, nga presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu. Ibrahim Rugova vdiq në Prishtinë më 21 janar 2006. /atsh

Përkujtohet presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova në 14-vjetorin e ndarjes nga jeta Read More »