Irina

Pakti për Universitetin/ Rikonstruktohet konvikti i vajzave në Vlorë, së shpejti, starton gara për Kampusin e madh të Tiranës

Rikonstruktohet konvikti i vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, teksa së shpejti starton gara për Kampusin e Madh të Universitetit të Tiranës.

Lajmin e ka dhënë Kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një video nga transformimi rrënjësor që ka pësuar konvikti i vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë.

Për rikonstruksionin e konviktit të vajzave në Vlorë është bërë zëvendësimi i dritareve, veshje me kapot termik. Sallë leximi dhe dushe në çdo kat, ngrohje qendrore, lavaman në çdo dhomë, shkallë emergjence, kuzhinë në çdo kat, sistem kamerash.

“Nga puna që vijon në kantieret e Paktit për Universitetin, Ju uroj një ditë të mbarë me konviktin e vajzave të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, teksa së shpejti starton gara për Kampusin e Madh të Universitetit të Tiranës”, është shprehur kryeministri Rama.

Ndërtesa e amortizuar 5-katëshe i konviktit të vajzave ka ruajtur vetëm strukturën bazë, ndërsa gjithçka tjetër u ringrit rishtas si një mjedis modern dhe bashkëkohor për 300 studentet e saj./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/587263318721480/?t=0

Pakti për Universitetin/ Rikonstruktohet konvikti i vajzave në Vlorë, së shpejti, starton gara për Kampusin e madh të Tiranës Read More »

”Paris Match”: Pse verërat shqiptare e meritojnë një mundësi

Redaksia e së përjavshmes prestigjioze “Paris Match”, e intriguar nga një postim mbi verërat në Instagram, i ka kushtuar një artikull Shqipërisë mbi këtë temë.

“Kushte klimatike ideale, një tokë e pasur dhe varietete rrushi shumë të vjetra, po, është e vërtetë, Shqipëria është gjithashtu një vend prodhues verërash”, e nis redaksia artikullin.

”Është e vërtetë që tek ne rrallë hapet ndonjë shishe verë e prodhuar në Shqipëri. Ajo nuk gjendet nëpër supermarkete dhe restorantet shqiptare nuk bëjnë promovime në rrugët e Belgjikës, as për të ofruar në menunë e tyre. Shumë ndryshe nga markat kroate, boshnjake apo edhe ato serbe, pa harruar restorantet greke që janë të shumta.

Ka kaq shumë shishe origjinale nga Ballkani, që, të pasuruara në mënyra të ndryshme, kanë ardhur te ne.

Por, kjo mund të ndryshojë. Këtu keni një sërë arsyesh pse duhet të provoni përvojën e shijes së verërave shqiptare, nëse ju rastis të ndesheni me ndonjërën!

Shqipëria, një nga prodhueset më të vjetra të verës në Europë

E vinit në dyshim? Shqipëria mund të krenohet me një vreshtari gati 3000-vjeçare. Gjurmët më të lashta (800 p.e.s) na vijnë nga Iliria, rajoni aktual i Shkodrës, në veri të vendit.

Pas diktaturës komuniste dhe ndalimit të privatizimit të prodhimit të verës, pas uljes së konsumit të alkoolit të imponuar nga islamizimi i rajonit, shqiptarët gjetën recetat e së shkuarës dhe mënyrat stërgjyshore të veprimit, për të rimarrë veten.

Historia e vreshtarisë në këtë vend nuk ka shkuar vaj, deri në atë pikë, saqë “The Guardian” flet sot për një rilindje të saj!

Varietete rrushi endemike

Sheshi i Bardhë (rrush i bardhë) dhe Sheshi i Zi (rrush i kuq), me origjinë nga fshati Shesh, janë më simboliket e vendit. Përkrah tyre, përmendet edhe rrushi i llojit Kallmet (i kuq) dhe Vlosh (i kuq dhe i trëndafiltë). Përmenden, gjithashtu, edhe pse më pak, varietetet Debin dhe Vranac.

Në total, ai përfaqëson rreth 75 % të furnizimit me verëra të ndryshme.

Ekzistojnë, gjithashtu, edhe varietete më tradicionale: Merlot, Cabernet, Pinot, Tokai. Këto janë katër rajonet që organizojnë kultivimin e hardhisë.

Tani për tani, vendi prodhon vetëm një milion shishe, çdo vit.

Pjesa më e madhe e konsumit vendas ende mbështetet nga importi masiv i verërave italiane.

Vreshta lehtësisht të arritshme

Shqipëria turistike është e njohur për bregdetin e saj të mrekullueshëm dhe klimën e përsosur të stinës së verës. Natyra, me burimet, liqenet, malet, luan gjithashtu një rol mjaft tërheqës.

Por, nëse planifikoni një udhëtim në vendin e flamurit me kokë shqiponje, synoni zona të ndryshme të vizitueshme: Kantinën e Verës “Arbëria”, Kantinën e Verës “Çobo” dhe Kantinën e Verës “Kokomani”. Një përvojë sa unike, aq edhe origjinale.

Nuk ka dyshim që do të priteni mirë, sepse edhe brenda kufijve të vendit, verës vendase nuk i bëhet një reklamim i mirë dhe vreshtarët nuk marrin një meritë apo çmim të denjë për këtë emër, përfundon ”Paris Match”. /atsh

”Paris Match”: Pse verërat shqiptare e meritojnë një mundësi Read More »

Haradinaj ktheu shpifjen në pushkë, meriton vetëm keqardhje për bërllogun politik e gjuhësor

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Ramush Haradinaj e ka kthyer shpifjen në pushkë qëkur ka lënë pushkën! Por nëse për pushkën ia kam bërë të gjitha nderimet e mundshme dhe të merituara, për shpifjet nuk mund t’i bëj asgjë tjetër përveçse ta ftoj në gjykatën e Kosovës që t’u dalë për zot atyre që ka nxjerrë nga goja”.

Kryeministri Rama reagoi për Top Channel, në lidhje me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj në një emision televiziv, i cili pretendoi se kreu i qeverisë shqiptare ka tentuar ndarjen e Kosovës.

“Ndryshe nga Ramushi dhe nga ai soj politikanësh që s’kanë fijen e respektit as për fjalën, as për të vërtetën, as për publikun, unë nuk ulem dot në nivelin e shpifësit publik për ta luftuar bërllogun me bërllog! Pafytyrësi nuk është të shkosh në gjykatë për t’u mbrojtur nga një shpifës që të ka cenuar publikisht dinjitetin, po të përdoresh kanalet e komunikimit publik për të shpifur në mënyrë të përsëritur”, u shpreh Rama.

“Nuk është akt i turpshëm t’i nënshtrohesh gjykimit të drejtësisë si viktimë e një shpifësi që të sulmon si tradhtar të kombit me fabrikime të ulëta, po turp është të bësh agresorin ndaj dikujt tjetër për të manipuluar opinionin publik duke fabrikuar gjëra krejt të paqena”, – tha Rama.

E vërteta, vijoi Rama, është se unë kam dashur ta ndaj Kosovën, po aq sa çka dashur Ramushi ta ndajë Princ Harry-n nga Familja Mbretërore.

“Shkurt fjala, komandanti i djeshëm i UÇK-se Ramush Haradinaj, e ka merituar dhe do ta ketë për gjithë jetën respektin tim, për gjithçka i ka dhënë kauzës së lirisë së Kosovës, ndërsa politikani i sotëm Ramush Haradinaj, meriton vetëm keqardhjen time për bërllogun politik e gjuhësor ku ushtron veprimtarinë dhe pushtetin e tij. Është dëshpëruese kur sheh se si politika qorre e Ramushit e ka dëmtuar keq Kosovën në sytë e miqve të saj të mëdhenj dhe i ka dhënë Serbisë një avantazh te vazhdueshëm në arenën ndërkombëtare në raport me Kosovën”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “uroj që padia ime të vlejë për t’u hapur sadopak sytë atyre që kanë rënë pre e bërllogut politik e mediatik të Prishtinës e të Tiranës”./atsh

Haradinaj ktheu shpifjen në pushkë, meriton vetëm keqardhje për bërllogun politik e gjuhësor Read More »

Forcat e Armatosura i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut

Forcat e Armatosura i janë bashkuar fushatës për dhurimin e gjakut për t’u ardhur në ndihmë njerëzve me nevoja jetike.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shprehet krenare për iniciativën e ndërmarrë nga FA.

“Kontributi i FA për komunitetin nuk mjaftohet vetëm gjatë emergjencave civile apo përmirësimit të infrastrukturës në zonat rurale”,- theksoi Xhaçka.

“Ashtu si çdo vit, burrat dhe gratë në uniformë iu bashkuan masivisht fushatës së dhurimit të gjakut, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve me nevoja jetike. Krenari për FA”,- nënvizoi ministrja Xhaçka./atsh

Forcat e Armatosura i bashkohen nismës për dhurimin e gjakut Read More »

Negociatat me BE/ Reformat po ecin, pavarësisht cili do të jetë vendimi i radhës, do të bëjmë të njëjtën gjë për të ardhmen tonë

“Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i radhës në aspektin e çeljes së negociatave, ose shtyrjes së vendimit, ne do vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe po të hapeshin tashmë negociatat. Ne këtë e bëjmë për veten tonë dhe të ardhmen tonë, nuk e bëjmë se na i kërkon Presidenti i Këshillit, Parisi, apo Haga”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian Charles Michel, pas takimit mes tyre në Tiranë.

“Më vjen shumë mirë që ka një qartësi për faktin se reformat po ecin dhe rezultatet e pritura po vijnë dhe do vazhdojnë të vijnë. Kam ndarë me Presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri dhe pa humbur kohë në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së. Kështu do të vazhdojmë hap pas hapi”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo që po kalojmë është një fazë që BE-ja ka një diskutim të brendshëm dhe me të gjithë mirënjohjen për vëmendjen që asnjëherë nuk ka munguar, në raport me nevojën time për të përcjellë opinionet e mia, qoftë në Paris apo në kryeqytete të tjera, jam i vetëdijshëm dhe ju duhet të jeni të vetëdijshëm, që nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por varet nga sa dhe si miqtë tanë nga BE-ja do të bien dakord për atë që quhet metodologjia e re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e BE-së”.

Kryeministri Rama u shpreh se “e kam thënë edhe më parë dhe e përsëris, në këto kushte edhe Franca të ishte duke kërkuar të hynte në BE, nuk do pranohej nga Franca, përpara sesa të bihej dakord se si do zhvillohej procesi. Është një diskutim konceptual brenda BE-së që ne duhet ta respektojmë dhe nga ana tjetër ajo unë konstatova me shumë kënaqësi nga biseda me Presidentin e Këshillit dhe që u tha këtu prej tij, është qasja që ai kërkon të sjellë së bashku me të tjerët, për një dimension të ri në marrëdhëniet mes BE-në dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social. Pra, ajo që po ndodh në funksion të një metodologjie te re duhet parë si një mundësi e re për të pasur zhvillime pozitive, jo thjesht në raport me hapjen e negociatave nga pikëpamja formale, por në raport me marrëdhëniet mes nesh dhe BE-së”.

“Nëse çfarë Presidenti shpreh sot si një vizion dhe objektiv do të materializohet në investime të inkurajuara dhe mbështetura nga BE, përmes Bankës Europiane dhe instrumenteve të tjera, në më shumë mbështetje financiare në vendet e rajonit në funksion të sektorëve kyçë dhe të politikave europiane në tërësi kjo përbën një arsye për të qenë shumë pozitivisht të inkurajuar”, – tha Rama.

Duke folur për Programin e Rindërtimit, Rama theksoi se “ajo që ka rëndësi është që në fund të këtij viti Shqipëria të jetë një vend më i mirë dhe ne të kemi arritur së bashku me Bashkimin Europian si një mbështetës kryesor t’u kemi dhënë atyre që kanë pasur tragjedinë e madhe të nëntorit, drejtpërdrejt në kurriz, jo më vetëm thjesht shpresë, por shtëpi të reja dhe perspektivë të qartë për të hyrë në shtëpi, jo më larg se fundi i vitit të ardhshëm për ata që jetojnë në qytet”.

Kryeministri u shpreh se “dua ta falënderoj Presidentin e KE-së, Michel për ngushëllimet dhe interesimin e posaçëm lidhur me situatën e vështirë të krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe për angazhimin e tij personal për të ndihmuar që konferenca e donatorëve e thirrur nga Presidentja e Komisionit Europian, në 17 shkurt në Bruksel të jetë një sukses dhe populli shqiptar e në mënyrë të posaçme afro 15 mijë njerëz që kanë humbur strehën të marrin mesazhin e qartë që Europa është pranë dhe nuk do të na lërë vetëm në përpjekjen e madhe për rindërtimin”.

“Natyrisht kemi folur me Presidentin e Këshillit edhe për procesin e reformave dhe ecurinë e procesit të integrimit, kemi ndarë pikëpamjet lidhur me çfarë është arritur deri këtu dhe çfarë duhet arritur më tutje dhe mbi diskutimin e brendshëm në BE për atë që tashmë njihet si metodologjia e re e zgjerimit dhe në tërësi më vjen shumë mirë që Presidenti Michel ka shprehur vullnetin për të qenë posaçërisht i angazhuar për rajonin, jo vetëm në funksion të procesit të integrimit të mëtejshëm individualisht të vendeve , por edhe në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, por edhe të një qasje të re të Brukselit në raport të zhvillimit ekonomik dhe social të rajonit”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dua ta falënderoj edhe një herë Michel, sepse sidoqoftë në këtë rol është vetëm në momentet e para dhe ka shumë dosje të rëndësishme në tryezë për të trajtuar dhe fakti që pas një firmosje në orën 1:30 të mëngjesit, lidhur me Britaninë e Madh dhe fakti që sot i ka ardhur në Tiranë për të çelur një fazë të re të dialogut me ne dhe me rajonin, është shumë domethënës për mua”/atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/630723447761052/?t=0

Negociatat me BE/ Reformat po ecin, pavarësisht cili do të jetë vendimi i radhës, do të bëjmë të njëjtën gjë për të ardhmen tonë Read More »

Gatime tradicionale turke dhe osmane/ Mastershefja Ebru Baybara Demir “ëmbëlson” Tiranën

Gatimi i ëmbëlsirave tradicionale turke dhe osmane, të gatuara nga mastershefja turke me famë botërore, Ebru Baybara Demir mblodhi sot në Tiranë politikanë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, investitorë si dhe drejtues të medias.

Aysegul Erdal Yoruk, gruaja e ambasadorit të Republikës së Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük organizoi sot “Workshopin e gatimit të ëmbëlsirave tradicionale turke dhe osmane”, për të shijuar ëmbëlsirat e shoqëruara me çajin turk dhe kafen turke.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Aysegul Erdal Yoruk theksoi se ky aktivitet zhvillohet në kuadër të veprimtarive të Ambasadës turke në fushën e diplomacisë gastronomike.

Ajo u shpreh se, “vazhdojmë të kujtojmë dhe të ndajmë me vëllezërit dhe motrat tanë shqiptarë, kulturën dhe vlerat tona të përbashkëta në gastronomi”.

“Ebru Baybara Demir, mastershefja turke mes 10 më të mirëve në botë, ka ardhur në Shqipëri për të na njohur me recetat e ëmbëlsirave të kuzhinës tradicionale turke. Ebru Baybara Demir, është edhe një nismëtare e palodhur që përpiqet për të vënë në jetë edhe projektet me përgjegjësi të rëndësishme sociale për të mbështetur veçanërisht përdorimin e farërave vendase, sigurinë ushqimore dhe gratë turke në gjendje jo të mirë”, tha ajo.

Ne, vijoi Aysegul Erdal Yoruk, “kemi një pasuri në kulturën e përbashkët të kuzhinës edhe me Shqipërinë, me të cilën historia jonë e përbashkët dhe lidhjet tona të miqësisë zgjaten deri në shekullin e 14-të”.

Ndërsa mastershefja Ebru Baybara Demir u shpreh mjaft e kënaqur që ndodhej sot në Tiranë për të gatuar ëmbëlsirat tradicionale turke dhe osmane.

Ajo u shpreh se kjo është hera e dytë që ka ardhur në Shqipëri, pas më parë ka qenë në vendin tonë në 29 tetor të vitit 2018 me rastin e themelimit të përvjetorit të Republikës së Turqisë, në festën tradicionale që organizonte ambasada.

“Këto gatime u shpreh ajo prezantojnë vendin tim. Jam krenare që jam ambasadore për promovimin e gatimeve turke. Republika e Turqisë ka një kuzhinë tepër të pasur. Ne mendojmë se falë diplomacisë gastronomike vendet mund të njihen më mirë me njëri tjetrin dhe të jetojnë në paqe me njëri –tjetrin”, tha ajo.

Kryetarja e Grupit të Grave Sipërmarrëse të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi, Ozlem Kal, në fjalën e saj tha se, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri – Turqi që nga viti 2014 bën një punë të madhe që synon të forcojë akoma më shumë lidhjet e ngushta kulturore, ekonomike, strategjike, tregtare, sociale midis dy vendeve dhe popujve tanë”.

Ne prioritet kemi të zhvillojmë më tej marrëdhëniet tregtare dhe sociale mes Shqipërisë dhe Turqisë, dy vendeve vëllezër, si dhe krijimit të vendeve të reja për punësim./atsh

Gatime tradicionale turke dhe osmane/ Mastershefja Ebru Baybara Demir “ëmbëlson” Tiranën Read More »

Gjirokastër/ Biznesi informohet për skemat e granteve që ofron Agjencia e Zhvillimit të Investimeve

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), zhvilloi sot në në qytetin e Gjirokastrës, një takim informues me përfaqësues të biznesit mbi skemat e granteve, që ofron kjo agjenci.

Dilfirus Vrioni, drejtore e Drejtorisë Marketing, Kërkim dhe Analizë pranë AIDA-s bëri një prezantim të punës së agjencisë dhe mbështetjes që ajo ofron për bizneset në të gjithë vendin, mundësitë për ndërlidhjen e kompanive nëpërmjet platformës B2B në faqen web të AIDA-s, gjithashtu dhe faktin se agjencia është e hapur ndaj çdo komunikimi të jashtëm me qëllim lehtësimin e shërbimeve dhe adresimin e problematikave të hasura, por edhe ndaj kërkesave të ndryshme si pjesëmarrja në panaire.
Ndërsa Albana Zykaj, përgjegjëse e Sektorit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) pranë AIDA-s informoi pjesëmarrësit lidhur me skemat e granteve të cilat AIDA ofron për t’iu ardhur në ndihmë bizneseve.

Pergjatë takimit, përfaqësuesit nga bizneset pjesëmarrëse ngriten çështje dhe problematika konkrete të hasura në punën e tyre të përditshme veçanërisht në sektorin e artizanatit dhe turizmit. Nga pjesëmarrësit u kërkua vëmendje dhe investime të mëtejshme për qarkun. Bizneset kërkuan trajnime, mundësi inovative për promovimin e bizneseve te tyre, asistencë nga AIDA për aplikimin e fondeve, rritjen e kapaciteteve për shitjet online etj. Nga ana e tij Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregëtisë së Qarkut Gjirokastër u shpreh vullneti që ky qark të përfaqësohet në panaire ndërkombëtare turistike, pikë e cila do të ndiqet nga stafi i AIDA-s. U diskutua mbi promovimin e produkteve “Made in Albania”, gjithashtu për zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja në mbështetje të biznesit shqiptar.

Ne vijim të takimit, pjesëmarrësve ju prezantua dhe Rrjeti Europian i Ndërmarrjeve (EEN Albania) dhe shërbimet që rrjeti ofron për NVM-të shqiptare me synim rritjen e aftësisë konkurruese dhe inovative të tyre në tregun Europian e më gjerë.

Këto takime të ndërmarra nga AIDA kanë si qëllim final përmirësimin e klimës së të bërit biznes në Shqipëri dhe promovimin e produkteve shqiptare nëpërmjet përkrahjes dhe përmirësimit të proaktivitetit ndaj tyre. /atsh

Gjirokastër/ Biznesi informohet për skemat e granteve që ofron Agjencia e Zhvillimit të Investimeve Read More »

Eksportet e frutave dhe perimeve/ 84 milionë euro vlera e shitjeve në tregjet jashtë vendit

Eksportet e frutave dhe perimeve u rritën me 10% vitin që shkoi.

Sipas të dhënave të INSTAT mbi tregtinë e jashtme, prodhimi i bollshëm bujqësor shqiptar, veçanërisht ai i frutave dhe perimeve, realizoi rreth 10,4 miliardë lekë ose 84 milionë euro vlerë shitjesh në tregjet jashtë vendit në raport me 9.5 miliardë lekë ose 77 milionë euro të realizuara gjatë vitit 2018.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me këtë fakt bën me dije se, rritja e eksporteve bujqësore Made in Albania, erdhi si pasojë e politikave lehtësuese nxitëse për këtë sektor, veçanërisht i programeve financuese por edhe si rezultat i një sezoni më të mbarë prodhimi sidomos nga kushtet me të favorshme të motit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, vlerën më të madhe të eksportit e shënuan zarzavatet me rreth 7.8 miliardë lekë të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates. Eksporti i zarzavateve në veçanti shënoi 7.8 miliardë lekë ose 63 milionë euro me një rritje 5,3 % në raport me një vit më pare.

Ndërsa eksporti i frutave në vlerë është më i vogël me vetëm 2,6 miliardë lekë, por rritja në raport me vitin 2018 ishte me lartë, me rreth 25%.

Baza e eksporteve të frutave dhe perimeve është zgjeruar dukshëm gjatë dekadës së fundit. Vlera e tyre është katërfishuar nga viti 2013, ku vlera e tyre ishte 2,8 miliardë lekë, duke arritur vlerën e 10.4 miliardë lekëve në vitin 2019.

Shkak për këtë rritje më së shumti janë faktorët gjeografike të cilët mundësojnë prodhimin më të hershëm të frutave dhe perimeve nga vendi ynë.

Shqipëria është suficitare në tregtinë e perimeve dhe zarzavateve pasi eksporton 7,8 miliardë lekë dhe importon 2,5 miliardë lekë në vitin 2019./atsh

Eksportet e frutave dhe perimeve/ 84 milionë euro vlera e shitjeve në tregjet jashtë vendit Read More »