Irina

Paslëkundje e 26 nëntorit/ Sizmiologu Dushi: Tërmeti zgjati 10 sekonda, qytetarët të mos përfshihen nga paniku

Sizmiologu Edmond Dushi tha mbrëmjen e sotme se lëkundja e tërmetit e kësaj të marte ka zgjatur 10 sekonda, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve që të mos përfshihen nga paniku.

“Ky tërmet është në vazhdën e tërmetit të 26 nëntorit dhe e kishte epiqendrën në Fushë-Krujë në afërsi të Bubqit. Tërmeti ka zgjatur 10 sekonda. Ruani qetësinë, të mos përfshihemi nga paniku në mënyrë të ç’organizuar. Duhet të mësoni që do jenë prezente sepse është një dukuri që nuk shuhet kollaj. E ka treguar historia e këtyre goditjeve, është karakteristikë e kësaj zone dhe ndoshta mund të kemi dhe tërmetet të tjera”, tha Dushi në një prononcim televiziv.

Tërmeti sipas IGJEUM ka qenë me epiqendër në fshatin Bubq dhe në thellësi 7 km.

Lëkundjet janë ndjerë në një pjesë të mirë të Shqipërisë dhe në Kosovë e deri në jug të Italisë.

Nuk raportohet për dëme. /atsh

Paslëkundje e 26 nëntorit/ Sizmiologu Dushi: Tërmeti zgjati 10 sekonda, qytetarët të mos përfshihen nga paniku Read More »

Pakti për Universitetin/ Sfidat e brezit të parë të ekselentëve në administratë

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë sot në forumin e diskutimit zhvilluar me brezin e parë të studentëve të ekselencës, të punësuar pranë MFE dhe në institucionet e saj të varësisë.

Denaj bisedoi me ta mbi sfidat e hasura gjatë këtij rrugëtimi dhe mbi të ardhmen e tyre në vijim të Paktit për Universitetin.

“Studentët e ekselencës janë të rëndësishëm për të sjellë një frymë të re në administratën publike. Në MFE kemi vlerësuar këtë kontigjent të rinjsh dhe kemi ofruar mbështetje përmes trajnimeve të nevojshme dhe një integrimi të plotë në vendin e punës”- tha Denaj.

Përfundimi me sukses i testimeve dhe përfshirja e tyre në shërbimin civil do të ishte përmbyllja e duhur e këtij rrugëtimi, vijoi ministrja, ndërsa i uroi suksese brezit të parë në këtë finalizim dhe një vit po aq të mbarë për brezin e dytë të studentëve ekselentë.

Në kuadër të Paktit të Universitetit, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe institucioneve të saj të varësisë u punësuan rreth 175 studentë të ekselencës, nga 350 studentë pranë administratës publike në tërësi./atsh

Pakti për Universitetin/ Sfidat e brezit të parë të ekselentëve në administratë Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta të Hafidh Ibën Hazmi: Kush ua kthen njësoj atyre që i bëjnë keq, ai është njësoj si ata

“Kush ua kthen njësoj atyre që i bëjnë keq, ai është njësoj si ata. Ndërsa kush nuk ua kthen të keqen njerëzve që i bëjnë keq, ai është zotëria e tyre”, tha sot Kryeministri Edi Rama duke përcjellë të tjera fjalë të shenjta në mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të shenjta nga dijetari Hafidh Ibën Hazmi, që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të Shenjta”.

Duke cituar fjalë të shenjta nga librat e shenjtë, por edhe nga personalitetet botërore, Kryeministri Rama ka përcjellë apelin e solidaritetit dhe ndihmës njerëzore ndaj të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit./atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të Hafidh Ibën Hazmi: Kush ua kthen njësoj atyre që i bëjnë keq, ai është njësoj si ata Read More »

Shtëpitë tradicionale dhe objektet e kultit, vlerë të veçantë për turizmin në zonat malore të Alpeve

Në mes të qetësisë, pastërtisë së ajrit, aty ku natyra zbulon bukurinë e saj mahnitëse vizitorët vendas e të huaj kanë mundësinë të njihen edhe me arkitekturën e veçantë të shtëpive tradicionale dhe objekteve të kultit, të ndërtuara në veri të Shqipërisë.

Në këto shtëpi dhe objekte kulti mbizotëron arkitektura tradicionale, në respektimin e traditës së ndërtimit me gurë dhe dru.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit sjell në vëmendje disa prej këtyre shtëpive ku kjo arkitekturë ka një vlerë të veçantë turistike, sepse ajo tregon ndërtimin individual, i cili është autentik, origjinal dhe i rrallë.

Shtëpitë tradicionale, objektet e shërbimeve publike dhe ato të kultit janë shumë të rëndësishme në turizmin e zonave rurale malore në Alpet shqiptare.

“Në këtë kuadër investimet publike në infrastrukturë lehtësojnë aksesin e vizitorëve/turistëve në këto “ndërtime spontane”, duke mundësuar përmirësimin e standardeve të jetesës, standardeve të banimit si pasojë e rritjes së ekonomisë lokale”, shprehet FSHZH.

Sipas FSHZH-së, “Historia e bjeshkëve të namuna” ruhet me fanatizëm në secilën prej këtyre banesave.

Banesat tradicionale në veri të vendit janë të ndërtuara prej guri, në trajtën e kullave dhe me çati shumë të pjerrëta për të mos mbajtur dëborën e shumtë të dimrit.

Gjatë viteve të fundit shumë prej këtyre shtëpive tradicionale janë kthyer në bujtina, për të pritur turistët e shumtë vendas e të huaj, që po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga bukuria natyrore e Alpeve shqiptare./atsh

Shtëpitë tradicionale dhe objektet e kultit, vlerë të veçantë për turizmin në zonat malore të Alpeve Read More »

Njohja e patentave/Rama: Në shkurt vjen një mision nga ministria e Transporteve të Gjermanisë, në Greqi procedurat hyjnë në parlament

Kryeministri Edi Rama informoi sot se në shkurt vjen një mision nga ministria e Transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave.

Rama informoi se ka biseduar për këtë çështje për herë të parë drejtpërdrejtë me Kancelaren Merkel ditën e djeshme.

“Meqënëse disa miqve këtu u ka kaluar pa e vënë re përmbledhja e djeshme nga Berlini dhe vijojnë përsërisin kërkesën për njohjen e patentave të drejtimit në Gjermani, ju informoj të gjithëve se e kam biseduar këtë kërkesë, zyrtarisht të kahershme në fakt, por për herë të parë drejtpërdrejtë me Kancelaren dje. Dhe në shkurt vjen një mision nga ministria e transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave”, tha Rama.

Nga ana tjetër, Kryeministri informoi se “jemi njoftuar po dje nga qeveria greke se në javët në vijim do të hyjë në procedurën e parlamentit të Greqisë njohja e patentave shqiptare të drejtimit, siç është dakordësuar në tryezën e dialogut mes dy shteteve tona”./atsh

Njohja e patentave/Rama: Në shkurt vjen një mision nga ministria e Transporteve të Gjermanisë, në Greqi procedurat hyjnë në parlament Read More »

Lajmi në RAI 3 për kanabisin në Shqipëri turp gazetaresk, nuk ka lidhje me realitetin e certifikuar nga Guardia di Finanza

“Lajmi i mbrëmshëm në RAI 3 mbi gjoja 12-fishimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri është një turp gazetaresk, pa asnjë lidhje me realitetin e monitoruar dhe certifikuar nga vetë Guardia di Finanza”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke reaguar ndaj lajmit të publikuar mbrëmë në RAI 3.

“Uroj që partnerët tanë të shkëlqyer ta thonë vetë pa humbur kohë të vërtetën”, tha kryeministri Rama./atsh

Lajmi në RAI 3 për kanabisin në Shqipëri turp gazetaresk, nuk ka lidhje me realitetin e certifikuar nga Guardia di Finanza Read More »

Koronavirusi/ Manastirliu: Shqipëria me risk të ulët, kemi marrë të gjitha masat si pjesë e OBSH-së

“Vendi ynë nuk hyn tek vendet me risk, por qeveria shqiptare ka ndërmarrë të gjitha masat për t’i bërë ballë koronavirusit”, pohoi sot ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e ftuar në një emision televiziv.

Manastirliu tha se fakti që me Kinën nuk ka linjë direkte, do të thotë se ka filtra mbrojtës, pasi udhëtarët që vijnë nga ky vend kalojnë në ‘skaner’ në Itali apo dhe Turqi.

“Shqipëria për fat të mirë është vend me risk të ulët për koronavirus. Ne nuk kemi linja direkte me Kinën. Ky është një filtër i parë që pengon marrëdhënien direkte të pasagjerëve. Jemi një vend me risk të ulët, për arsye të filtrave që bëhen më parë, në Itali, apo në Stamboll. Ka një sistem karantine për ato vende me risk të mesëm. Qeveria shqiptare, ministria, ka marrë masat që në momentet e para, pasi ne jemi pjesë e OBSH-së. Shqipëria nuk është më një nga ato vendet që një situatë emergjence e gjen të papërgatitur. Ajo organizohet njësoj si vendet e tjera. Qoftë në burimet njerëzore, sa i takon trajnimeve. Pasi në rastin konkret menjëherë sapo OBSH ka nxjerrë udhëzuesit e vet, ne nxorëm urdhër për të marrë masat dhe për të bërë studime”, tha ajo.

Po ashtu, ministrja shtoi se: “Ekspertët kanë trajnuar ato persona që qëndrojnë dhe realizojnë filtrin. Në aeroportin “Nënë Tereza” kemi pajisje të tilla, si termometrat me lazer. Çdo protokoll realizohet në bazë të shkallës së rrezikshmërisë. Ne kemi një shkallë të riskut të ulët. Me linjat ajrore, njoftohen strukturat e ministrisë dhe aty bëhen filtrat e parë. Në momentin e vendosjes së këtij protokolli, ne kemi vendosur linja komunikimi kemi vendosur linja protokolli për të na informuar për pasagjerët që vijnë tranzit. Jemi me të gjitha linjat në dispozicion në raport me personat që udhëtojnë tranzit”.

Në lidhje me studentët në kthim, Manastirliu tha ne “kemi informacion që është duke mbërritur apo ndodhet në rrugën për në kthim një vajzë, Xhesila. Jemi të angazhuar për të marrë të gjithë kontaktet dhe për të kaluar të gjitha protokollet edhe në raport me hyrjen e saj në Shqipëri. Sigurisht ajo ka kaluar filtrin nga Kina dhe me sa jemi të informuar ajo do përshkonte rrugën e Romës dhe më pas do të hynte në Shqipëri. Gjithashtu, kemi informacion që janë edhe disa raste të tjera që kanë kaluar nga Kroacia. Praktikisht nga të dhënat që kemi nga ambasada jonë numri rezidentëve në Kinë është 400 ku 60 janë studentë, por rezulton se kanë qenë kthyer edhe për shkak të Vitit të Ri kinez, pra dhe kanë qenë në Shqipëri. Sigurisht, identifikimi po bëhet hap pas hapi nëpërmjet ambasadës tonë në Kinë, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ne si Ministri Shëndetësie jemi duke u kujdesur për të gjithë ato protokolle dhe skeda. Kemi kontrolle të pasagjerëve dhe kur vijnë këtu, plotësohet dhe skeda e shëndetit të pasagjerit ku ka disa informacione të përgjithshme të pyetjeve dhe disa informacione të tjera lidhur me çështjet që lidhen me interesin publik. Ne rastet kur nuk paraqiten me probleme me shëndetin dhe kualifikohen, ndiqet në dinamikë çdo rast”.

“Ne jemi në kontakte dhe struktura e Inspektoriatit Shëndetësor është qoftë në aeroportin “Nënë Tereza”, si dhe strukturat e tjera që janë në porte dhe pikat kufitare janë duke plotësuar të njëjtin format të protokollit në raport me skedat dhe të gjitha ata elementë që kanë të bëjnë me marrjen e informacionit në kohë, verifikimin në kohë, për të patur informacionin e duhur dhe më pas gjurmuar dhe menaxhuar rastin”, tha ajo. /atsh

Koronavirusi/ Manastirliu: Shqipëria me risk të ulët, kemi marrë të gjitha masat si pjesë e OBSH-së Read More »