Irina

Vokshi: Kontrata e check-up mbahet sekret, PD do e anulojë

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi tha sot se shqiptarët kanë të drejtë të njihen nga gjykata edhe me kontratën koncesionare të checkup-it prej 120 milionë euro.

Duke folur nga selia e PD-së, ajo tha se kjo kontratë mbahet sekrete.

“Shqiptarët kanë të drejtë të njihen nga gjykata edhe me kontratën koncesionare të checkup-it prej 120 milionë euro, të cilën Edi Rama refuzon ta bëjë publike duke urdhëruar vartësit e tij që ta mbajnë atë sekret në mënyrë skandaloze, si sekret tregtar”, tha ajo.

Sipas Vokshit, Partia Demokratike do ta anulojë këtë koncesion.

“Herët a vonë, sekreti i Edi Ramës do të zbulohet. Partia Demokratike do ta anulojë këtë koncesion. Ata që kanë vjedhur me vulën e qeverisë së tij do të dalin para drejtësisë”, tha ajo./atsh

Vokshi: Kontrata e check-up mbahet sekret, PD do e anulojë Read More »

Reforma Zgjedhore, Alibeaj: Ndarje e qartë midis shtetit dhe partive politike në proces

“Procesi elektoral do të duhet të ketë një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike”, tha sot ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, duke e konsideruar këtë si një element shtesë dhe risi për Reformën Zgjedhore.

Alibeaj tha se “në tryezën e Këshillit Politik janë gjithsej 13 çështje, ku 9 prej tyre janë propozuar nga opozita. “Janë çështje të sistemit zgjedhor, votimi i emigrantëve, depolitizimi i administratës, çështje të prezantuara nga ne prej kohësh”

“Çështjet e artikuluara prej nesh janë ato që ne kemi artikuluar prej kohësh, por janë të miratuar në një seri të dokumenteve ndërkombëtare kryesisht ato të OSBE/ODIHR, madje dhe në dokumentet e Bundestagut, duke filluar nga dekriminalizimi i zgjedhjeve pra impuls i ri që duhet të luftojë krimin zgjedhor, presionin ndaj administratës zgjedhore, përdorimin e burimeve shtetërore, përdorimin e medias dhe financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore”, tha ai.

“Këto janë simptoma për veshin e shqiptarëve, për përtej këtyre simptomave që janë shndërruar në çështje, besoj se është një çështje që duhet trajtuar sot dhe që është risi, por është dhe nga kërkesat e 1990 që është një pasazh i shkëputur nga dokumenti i Kopehagenit e cila në mënyrë të qartë dhe të saktë thotë që në proceset elektorale do të duhet të ketë një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike. Ndarja e qartë e shtetit, administratës shtetërore, burimeve shtetërore, përdorimit të buxhetit, gjithçka që përbën shtet të ndahet nga ajo që quhen parti politike në fushatë zgjedhore. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, që fushata zgjedhore nuk është gjë tjetër vetëm se një garë me partive politike. Pluralizmi në themelin e vet këtë nënkupton”, u shpreh Alibeaj.

Alibeaj shtoi se bespn që kjo nuk ka pse mos të ndodhë në Shqipëri siç ndodh në të gjithë Europën.

“Në europë sa herë që ka procese zgjedhore, gara është mes partive politike, sa herë ka procese, zgjedhjet nuk konsiderohen si atmosferë lufte, por kur demokracia shfaqet në mënyrë energjike, ku publiku duhet të zgjedhë mes ideve dhe programeve dhe kjo është tabloja që duhet të udhëhiqemi të bëjmë një fushatë zgjedhore. Por që të ndodhë kjo ka nevojë për dy gjëra. E para për perfeksionim të bazës ligjore që ajo parti politike që është në pushtet të mos përdorë mjete antidemokratike, të mos përdorë administratën, buxhetin e shtetit, median, krimin, mos i nxjerrë të dënuarit nga burgu. E dyta; çështja e vullnetit politik, pasi e vetmja gjë që bën një ndryshim ligjor, duhet vullnet politik”, tha ai. /atsh

Reforma Zgjedhore, Alibeaj: Ndarje e qartë midis shtetit dhe partive politike në proces Read More »

Rama pas takimit me Merkel: Mbështetje për Rindërtimin, negociatat dhe Shengenin rajonal

“Kancelarja më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në muajin mars, gjë që e dëgjuat, e tha edhe në konferencë për shtyp qoftë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, natyrisht”, tha kryeministri Edi Rama para nisjes për Shqipëri pas takimit me kancelaren Angela Merkel.

Kryeministri Rama në një përmbledhje të takimit me kancelaren Angela Merkel, para kthimit për në atdhe, u shpreh se takimi ishte realisht pozitiv.

“Jo sepse kjo fjalë duhet thënë në këtë rast, por sepse qoftë në temën që ishte shtysa ime kryesore për t’i kërkuar kancelares këtë takim, pra rindërtimi pas katastrofës së 26 nëntorit, qoftë në temën e integrimit europian në funksion të çeljes së negociatave që kancelarja e diskutoi gjerësisht me mua dhe qoftë në temën e saj të preferuar bashkëpunimi dhe integrimi rajonal në kuadrin e përgjithshëm të krijuar nga Procesi i Berlinit, takimi ishte shumë domethënës”-tha Rama.

Kryeministri theksoi se: “Së pari, lidhur me Rindërtimin, Kancelarja u shpreh se Gjermania do të marrë patjetër përsipër pjesën që i takon, qoftë për konferencën e donatorëve, qoftë për më tutje. Sepse e dinë fare mirë se konferenca do të ndihmojë, por natyrisht nuk do të përmbushë tërë nevojën për të financuar Rindërtimin, pasi kjo nuk është as objektivisht e mundur, por jo vetëm kaq. Kancelarja u informua për të gjitha kontaktet e mia me vendet e tjera. Më dha disa këshilla shumë të vlefshme dhe u angazhua për të bërë edha ajo të sajën që konferenca të jetë një sukses. Nga ana tjetër duke qenë një person shumë i dhënë madje, unë them si askush që unë kam njohur ndaj statistikave dhe shifrave, Kancelarja mori çdo detaj mbi planin tonë të financimit të brendshëm të financimit si dhe dëgjoi me shumë vëmendje idetë që ne po punojmë gjatë kësaj periudhe për t’i lançuar si masa shtesë financimi pas Konferencës së Donatorëve ku do të kemi dhe një pasqyrë të qartë”.

“U shpreh pozitive për ato ide dhe na dha disa sugjerime shumë të dobishme duke na ofruar një ndihmë teknike për strukturimin e tyre”-tha ai.

Rama ritheksoi se: “Së dyti, lidhur me integrimin europian, Kancelarja jo vetëm e rikonfirmoi pozicionin e saj të fundvitit të shkuar, por edhe më konfirmoi se Gjermania do të përpiqet për hapjen e negociatave në muajin mars, gjë që e dëgjuat e tha edhe në konferencë për shtyp qoftë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, natyrisht”.

“Ajo shpjegoi qartë se kjo nuk është aspak e pamundur por njëkohësisht nuk mund të konsiderohet as diçka e lehtë përderisa debati i brendshëm për metodologjinë e re nuk ka përfunduar ende dhe njëkohësisht duhet punuar deri ditën e fundit për të mos ulur ritmin e punës me reformat dhe për të vazhduar të japë rezultate domethënëse. Për Kancelaren, Reforma në Drejtësi, vijimi i pastrimit të drejtësisë nga të korruptuarit përmes Vetingut dhe së fundmi edhe krijimi i SPAK-ut, janë rezultate kuptimplota që japin shpresë dhe siguri për të nesërmen e pushtetit gjyqësor në Shqipëri. Po kështu ajo u shpreh pozitivisht për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe amendamenteve speciale ant KÇK, që do të hyjnë në fuqi në ditë e ardhshme pas konsultimeve përfundimtare me ekspertët ndërkombëtarë”, tha ai.

Po ashtu, Kryeministri Rama shtoi se: “Lidhur me temën e rajonit, Kancelarja e përsëriti qëndrimin e saj në mbështetje të nismës sonë për Shengenin rajonal dhe u interesua në detaje për ecuritë dhe kundërshtitë ndaj kësaj nisme duke iu referuar hapave më të fundit mes Beogradit dhe Prishtinës për linjën ajrore dhe atë hekurudhore. Ishim plotësisht me një mendje se të dyja këto rezultate duhet të shërbejnë të gjithëve për të kuptuar se fryma e procesit të Berlinit dhe hedhja e hapave konkret për kthimin e kësaj fryme në vendime të përbashkëta të të gjitha vendeve për lehtësimin e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve ne rajonin tonë janë rruga e vetme dhe e duhur drejt së ardhmes europiane dhe rritjes së mëtejshme të mirëqenies në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian do ta mbështesin dhe konkretisht nga pikëpamja financiare këtë bashkëpunim rajonal çka e dëgjuam dhe nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, para vetëm tre ditësh në Tiranë”. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/229675831382336/?t=0

Rama pas takimit me Merkel: Mbështetje për Rindërtimin, negociatat dhe Shengenin rajonal Read More »

Vetëvendosje: Nuk u arrit marrëveshja me LDK-në, nesër takim me ambasadorët e Quint-it

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate ka njoftuar se në takimin e sotëm të mbajtur mes liderëve të VV-së dhe LDK-së, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, nuk është arritur marrëveshje.

“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja.

Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me shefen e Misionit të BE-së. Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”, thuhet në njoftimin e VV-së./KosovaPress/

Vetëvendosje: Nuk u arrit marrëveshja me LDK-në, nesër takim me ambasadorët e Quint-it Read More »

Sistemet e ujitjes/ Projekti 67 milionë USD përfundon në maj të këtij viti

Banka Botërore e konsideron pozitive ecurinë e zbatimit të projektit për sistemet e ujitjes, që financohet prej saj në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

Në raportin e fundit të publikuar nga ekipi i BB-së, nënvizohet se zbatimi i projektit ka qenë më i mirë gjatë tre ose katër muajve të fundit. “Aktualisht, ministria, ekipi i menaxhimit, komunat, kontraktorët dhe mbikëqyrësit po tregojnë angazhim në zbatim në mënyrë që të kompensohen vonesat e kaluara sa të jetë e mundur”, shprehet BB.

Sipas saj, në përgjithësi, niveli i disbursimit ka treguar përmirësim të ndjeshëm, megjithatë kërkohet përshpejtim në zbatim, me qëllim që projekti pilot për ujin me presion në zonën e Divjakës të përfundojë brenda datës 31 maj 2020.

Projekti për sistemet e ujitjes ka marrë aprovimin e bankës në vitin 2012 dhe u bë efektiv në maj 2013. Data origjinale e tij e mbylljes ishte 31 maji 2018 por u shty me deri në maj 2020. Në total banka financon nga projekti një shumë prej 66.74 milionë dollarësh./atsh

Sistemet e ujitjes/ Projekti 67 milionë USD përfundon në maj të këtij viti Read More »

Reforma Zgjedhore, Pëllumbi: E rëndësishme është të fitojë elektorati, zgjedhjet parlamentare në 2021

“Zgjedhjet parlamentare do jenë në qershor të 2021, përsa kohë kemi mazhorancë në Kuvend e institucionet e shtetit funksionojnë”, tha sot i ftuar në një emision televiziv deputeti i PS-së Arben Pëllumbi.

Në lidhje me me Reformën Zgjedhore, deputeti i PS-së tha se më e rëndësishme është të fitojë elektorati shqiptar dhe në fund të fundit humbësi t’i japë dorën fituesit.

Pëllumbi sqaroi se ka pasur raporte vëzhgimi në tre zgjedhjet e fundit, që kanë dhënë opinione që “kemi patur dëshirë t’i marrim parasysh”.

“Ne kemi patur qëndrimet tona, PD qëndrimet e veta dhe partitë e vogla qëndrimin e tyre. Në fund fare ky proces vazhdoi të ecë në rrugën institucionale. Kështu është një lajm pozitiv që opozita u rikthye në tryezë dhe biem dakord ta çojmë të gjithë bashkë deri në fund. Ne si PS jemi të hapur të diskutojmë për gjithçka”, tha ai.

Në lidhje me zgjedhjet e parakohshme dhe protestat nga ana e opozitës, Pëllumbi tha se PS e ka shprehur qëndrimin e saj. “Zgjedhjet do jenë në qershor të 2021, përsa kohë kemi mazhorancë në Kuvend, institucionet e shtetit të funksionojnë dhe elektorati shqiptar të mos na japë një mesazh të drejtpërdrejt dhe të qartë që ka nevojë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këto janë kanalet demokratike që shkohet në zgjedhje të parakohshme. Pastaj nëse do shihet të bëhet një marrëveshje që unë nuk e shikoj, ne nuk na tremb asgjë si PS, pasi jemi gati që nesër të shkojmë në zgjedhje, strukturat janë në punë në organizim. Ne po përmbyllim një proces organizimi dhe rinovimi të PS-së. Por në këto momente të mos japim hamendësime. Reforma Zgjedhore të përfundojë, të japë rezultatet e veta, por për momentin nuk kemi mundësi për zgjedhje të parakohshme”, tha ai./atsh

Reforma Zgjedhore, Pëllumbi: E rëndësishme është të fitojë elektorati, zgjedhjet parlamentare në 2021 Read More »

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Shqipëria shpëtoi më shumë se 2 mijë hebrenj

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri përkujtoi sot 27 Janarin, Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ndërsa vlerësoi kontributin e Shqipërisë në shpëtimin e mijëra jetëve.

“Sot në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit duhet të qëndrojmë së bashku për të sfiduar urrejtjen dhe të punojmë drejt një të ardhmeje më të mirë”, deklaroi Delegacioni i Bashkimit Europian.

Po ashtu, delegacioni i Bashkimit Europian vlerësoi kontributin e Shqipërisë për të shpëtuar më shumë se 2000 hebrenj.

“Shqipëria është një shembull i shkëlqyeshëm i kësaj, duke shpëtuar jetën e më shumë se 2000 hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa miliona të tjerë po shfaroseshin në të gjithë Europën”, deklaroi Delegacioni i BE-së. /atsh

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, Shqipëria shpëtoi më shumë se 2 mijë hebrenj Read More »

Platforma e bashkëqeverisjes, 32 362 ankesa të zgjidhura

“Shqipëriaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre.

Këtë javë numri ankesave të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 32 362, ndërsa numri ankesave të regjistruara është 48807.

Në nivel vendor janë regjistruar 8841 ankesa dhe janë zgjidhur 4317, në rastet e biznesit numri total i ankesave të zgjidhura është 588, ndërsa ka arritur në 1120 numri total i ankesave të regjistruara.

Sipas shifrave të publikuara nga “Pasqyra e qeverisjes” këtë javë, rezulton se janë dhe 8 raste të spikatura të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes. Konkretisht janë 3 raste nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, 2 raste nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe 2 raste nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe dhe Rinisë dhe 1 rast “Biznesi im”.

Numri i “log in” në faqen e platformës për javën që sapo mbyllëm ishte 125 964, ndërsa numri numri i regjistrimeve të reja është 20818./atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, 32 362 ankesa të zgjidhura Read More »