Irina

Tërmet me madhësi 4 të shkallës Rihter, epiqendra në Safetaj të Durrësit

Një tjetër lëkundje tërmeti u ndje mbrëmjen e sotme në qytetin e Durrësit.

Sipas IGJEUM, tërmeti i orës 22.05 ishte me magnitudë 4 të shkallës Rihter, me epiqendër në Safetaj (Durrës) dhe thellësi 36 km.

Sipas komunikimit me shtabet e Emergjencave Civile në qarqet Durrës e Tiranë, nuk ka dëme në njerëz apo materiale deri tani./atsh

Tërmet me madhësi 4 të shkallës Rihter, epiqendra në Safetaj të Durrësit Read More »

Miratimi i paketës anti KÇK/ Lleshaj nga Berlini: Para përgjegjësisë cilindo që ka grumbulluar pasuri kriminale, gati operacioni

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mori pjesë në Berlin në konferencën për kontrollin e armëve të vogla e të lehta në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për mediet pas konferencës, ai vuri në dukje rëndësinë e miratimit të paketës së masave për luftën kundër krimit të organizuar nga qeveria shqiptare, duke nënvizuar se armëmbajtja pa leje është vetëm një nga elementët e kësaj lufte.

“Është një koicidencë e bukur pjesëmarrja në këtë takim të sotëm, për arsye të miratimit po sot nga qeveria shqiptare, të paketës së gjerë të masave kundër krimit të organizuar. Kontrolli i armëve në thelb është luftë kundër krimit të organizuar dhe Qeveria shqiptare është e mobilizuar për të filluar një periudhë të re të luftës kundër krimit të organizuar”, u shpreh Lleshaj.

Sipas tij, miratimi i paketës është një hap i madh përpara. “Sigurisht në Berlin diskutuam specifikisht vetëm për kontrollin e armëve në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën time u përqëndrova tek puna që bëhet në Shqipëri, për këtë çështje. Kemi marrë masa të rëndësishme si Qeveri për ta thelluar luftën e për ta fuqizuar kontrollin në fushën e armëve, e kryesisht të armëmbajtjes pa leje. Vitin që mbyllëm, ashpërsuam masat e Kodit Penal për të goditur çdo rast të armëmbajtjes pa leje, duke ashpërsuar dënimin penal, i cili tani fillon me 3 vjet e shkon deri në 7 vjet e më tej, për ata që kapen me armë pa leje. Do të vazhdojmë të jemi të angazhuar seriozisht në këtë fushë”, u shpreh Lleshaj.

“Nga ana tjetër po seriozisht kemi plan të merremi në vitin 2020, me forcimin e rregullave për ata që kërkojnë të mbajnë armë me leje. Ne synojmë ta shtrëngojmë shumë hapësirën, ta kufizojmë shumë atë, edhe për ata që kërkojnë të mbajnë armë me leje duke e bërë procesin me të komplikuar, më të vështirë, më të shtrenjtë, në funksion të qëndrimit, për ta ulur në maksimum praninë e armëve, qofshin me leje qofshin pa leje në hapësirën tonë publike. E rëndësishme është të theksohet që kontrolli i armëve është një element i luftës kundër krimit të organizuar dhe e përsëris me kënaqësi faktin që miratimi sot i paketës ligjore kundër krimit të organizuar, i jep Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese një instrument të ri shumë të fuqishëm për të adresuar këtë fenomen kriminal në Shqipëri”, theksoi Ministri i Brendshëm.

“Menjëherë mbas miratimit të kësaj pakete, Policia e Shtetit është e përgatitur për të filluar një fushatë të rëndësishme për të targetuar të gjitha rastet e personave, të cilët kanë grumbulluar pasuri në bazë të aktivitetit kriminal dhe për këtë qëllim duke filluar nga ditët në vijim për të mos thënë orët në vijim, Policia e Shtetit do të angazhohet në një operacion të gjerë, ‘Operacioni Forca e Ligjit’, i cili synon pikërisht të vërë para përgjegjësisë cilindo, që përmes veprimtarisë kriminale ka grumbulluar pasuri dhe asete kriminale”, theksoi Lleshaj.

“Ligji i jep mundësi Policisë të ndërhyjë dhe iu jep detyrimin të gjithë personave që kanë prona dhe pasuri të pasqaruara që të provojnë para gjykatave kompetente nëse prona e siguruar prej tyre është burim i financimeve të ligjshme apo në të kundërt i veprimtarive të paligjshme. Në rastin e dytë, pra në rastin e veprimtarive të paligjshme pasuria sekuestrohet, konfiskohet dhe më tej futet në proces administrimi në dobi të publikut”, u shpreh ai.

Me ftesë të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë dhe Ministrit të Jashtëm të Francës, Lleshaj mori pjesë në një takim të rëndësishëm të nivelit të lartë të Ministrave të Ballkanit Perëndimor dhe të përfaqësuesve të shumë institucioneve europiane. Takimi i kushtohet kontrollit të armëve të vogla e të lehta, në Ballkanin Perëndimor. /atsh

Miratimi i paketës anti KÇK/ Lleshaj nga Berlini: Para përgjegjësisë cilindo që ka grumbulluar pasuri kriminale, gati operacioni Read More »

“Air Albania”/ Pas “Lasgushit” e “Migjenit”, “Naimi” nis fluturimet me Veronën, Bergamon e Pizën

Pas “Lasgushit” dhe “Migjenit”, linjës së fluturimeve “Air Albania” i shtohet edhe avioni që mban emrin e poetit të shquar të Rilindjes Kombëtare, “Naimit”, i cili do të mbulojë linjat Verona, Bergamo, Pisa në Itali.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “ja dhe Naimi po vjen pas Lasgushit e Migjenit, siç jua kam thënë duke marrë mbrapsht shumë nënqeshje e përqeshje, po s’ka gjë, pak nga pak do ta mësojnë edhe nënqeshësit e përqeshësit se unë them atë që bëj dhe bëj atë që them”.

“Tani po ju them pas Naimit vjen Fishta dhe mirëpres me buzëqeshje çdo nënqeshje e përqeshje. (Se mos thotë ndonjëri që e kam harruar Nolin. Jo, gabon, por Nolit i duhet zgjatja e pistës sepse do të bëjë Amerikën, prandaj më duhet ta mbyll me atë fjalën magjike, që aq shumë inat e kanë shumë miq këtu: Durim)”, u shpreh kryeministri Rama.

“Air Albania”, e themeluar në maj të vitit të kaluar me qendër në Tiranë, u krijua nga partneriteti i Albcontrol, një degë e Ministrisë shqiptare të Ekonomisë dhe Turizmit dhe Turkish Airlines. Fluturimi i parë drejt aeroportit të ri të Stambollit, u krye më 19 prill./atsh

“Air Albania”/ Pas “Lasgushit” e “Migjenit”, “Naimi” nis fluturimet me Veronën, Bergamon e Pizën Read More »

Rritje e investimeve të huaja, Rama: Po përmirësojmë klimën e biznesit, kush vonon shërbimet online gjobitet

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëri ka rritje të investimeve të huaja dhe normën më të ulët të papunësisë prej 25 vitesh”.

Gjatë fjalës së mbajtur në Forumin Ekonomik të Tiranës, Kryeministri përmendi si histori suksesi faktin se “Shqipëria ka normën më të ulët të papunësisë prej 25 vitesh sipas BB-së dhe kjo bazuar në gjithë popullatën dhe jo vetëm tek ata që jetojnë këtu”.

Duke folur për investimet e huaja, Rama tha se “kemi nevojë të kemi shumë më tepër investime të huaja, por duke iu referuar shifrave, kemi rritje të investimeve të huaja”.

Ai u shpreh se “e kuptojmë fare mirë se duhet të përmirësojmë klimën e biznesit dhe sjelljen dhe kapacitetin e administratës tonë për çështje që lidhen me biznesin”.

“Jam optimist që gjatë këtij viti do të kemi rezultate të qenësishme. Po bëjmë shumë më të të thjesht komunikimin mes qytetarëve dhe sipërmarrjeve me administratën, duke e shkëputur tërësisht komunikimin fizik dhe duke e kthyer në dixhital. Plani ynë është që brenda 2020, 95% të shërbimeve të jenë të dixhitalizuara në lidhje me dokumentacionin. Kjo është faza e parë, faza e dytë është që gjithçka, çdo leje dhe licencë të transferohen dhe të jepen në internet. Kjo do të ndryshojë tërësisht mënyrën e komunikimit mes njerëzve dhe administratës”, – tha Rama.

Po ashtu, Rama theksoi se “përmes një vendimi qeverie kemi vendosur që të gjitha aplikimet, nga ato më të thjeshtat te ato më të ndërlikuarat duhet të përpunohen dhe duhet të marrin përgjigje brenda afateve ligjore”.

“Për çdo shkelje të këtyre afateve ligjore do të ketë një gjobë lidhur me zyrën dhe personin përgjegjës, drejtorin apo shefin e shërbimit në atë zyrë, ata do të paguajnë nga xhepi, për çdo vonesë që i shkaktohet një biznesi”, – shtoi ai. /atsh

Rritje e investimeve të huaja, Rama: Po përmirësojmë klimën e biznesit, kush vonon shërbimet online gjobitet Read More »

Fake news shkaktarë të panikut për koronavirusin

Një person që konsumon lakuriqë nate, bilance të tepruara dhe ilaçe-mrekulli të supozuara.

Në rrjetet sociale po përhapen një sërë informacionesh të rremë mbi epideminë e pneumonisë virale duke nxitur frikën e njerëzve.

“Kam parë informacione që rekomandonin përdorimin e tharëses së flokëve për të dezinfektuar fytyrën e duart ose konsumimin e ujit të nxehtë në 60 gradë Celsius për të qenë të shëndetshëm. Një mesazh në Facebook i këshillonte njerëzit të pinin ‘Dettol’ (dezinfektues shtëpiak)”, tha një mjeke nga Hong Kongu.

Që nga njoftimi në fillim të janarit për shfaqjen e këtij koronavirusi të ri në qytetin kinez Wuhan, informacionet e rremë kanë pushtuar internetin.

Sipas studiuesve, këto informacione janë më të shumta në aplikacionet e bashkëbisedimit në internet./atsh

Fake news shkaktarë të panikut për koronavirusin Read More »

Amnistia/ Manja: Përfitojnë 175 të dënuar, garantohet riintegrimi i tyre në shoqëri

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja deklaroi sot në Kuvend se nga amnistia përfitojnë 175 të dënuar, të cilët riintegrohen dhe risocializohen më shpejtë në shoqëri.

“Ndryshe nga amnistia e vitit 2016, këtë herë amnistohen vetëm të dënuarit me vendim penal të formës së prerë të vënë në ekzekutim, ose për të cilët ka filluar ekzekutimi i vendimit penal. Nuk parashikohet dhënie amnistie për çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara ose në proces shqyrtimi nga gjykatat si dhe për kallëzimet që ndodhin”, – tha ai.

Manja tha se “arsyeja pse janë përjashtuar nga amnistia subjektet që janë në ndjekje penale apo ende në gjykim nga gjykatat ka të bëjë me respektimin e parimit të sigurisë publike”.

“Nga kjo amnisti përfitojnë të dënuarit për kryerjen e veprave penale të rënda me rrezikshmëri të madhe shoqërore, të dënuarit si pjesë e organizatave kriminale, e grupeve të strukturuara kriminale dhe bandave të armatosura, të dënuarit për krime zgjedhore dhe korrupsion, krime kundër pronës, dhe çdo lloj forme për ndërtim të paligjshëm, ata që janë dënuar për krime kundër mjedisit, zhvillimin e paligjshëm të lojërave të fatit, krime kundër autoritetit të shtetit, drejtësisë etj.”, – tha Manja.

Ai tha se “nuk përfitojnë të dënuarit në mungesë dhe përsëritësit në kryerjen e veprës penale”.

Ndërkohë Manja shtoi se nga amnistia përfitojnë të dënuarit meshkuj me burgime deri në 2 vjet dhe të dënuarat femra dhe të mitur me dënime deri në 3 vjet. “Të gjithë ata që në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji ju kanë mbetur 2 vjet pa vuajtur nga dënimi për të dënuarit meshkuj, ndërsa për të dënuarat femra dhe të mitura përfitojnë ato që u kanë mbetur 3 vjet”, – tha Manja.

Ai shtoi se amnistia krijon mundësinë e riintegrimit dhe risocializimit më të shpejtë të tyre në shoqëri, jo vetëm nisur nga qëllimet e humanizmit, por edhe për faktin se këto subjekte të dënimit penal kanë qenë në shumë raste dhe viktima.

“Ne kemi 5351 të dënuar dhe të paraburgosur, 2632 prej të cilëve janë të dënuar me vendim të formës së prerë. Nga këta të fundit, 175 përfitojnë amnisti. Janë 150 meshkuj dhe lirohen menjëherë 23 të dënuara femra dhe dy të mitur, ndërsa 29 gra dhe vajza të tjera përfitojnë 1/3 e uljes së dënimit”, – tha Manja.

Ai u shpreh se ky parlament në një moment të caktuar mund të shohë edhe mundësinë e një amnistie tjetër për shkak të mbingarkesës./atsh

Amnistia/ Manja: Përfitojnë 175 të dënuar, garantohet riintegrimi i tyre në shoqëri Read More »

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e ajo e Kosovës, protokoll bashkëpunimi për 2020-2021

Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH) dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) nënshkruan sot në Tiranë protokollin e bashkëpunimit të ndërsjellë për periudhën 2020-2021.

Ky protokoll, i cili u nënshkrua nga kryetari i ASHSH-së, akad. Skënder Gjinushi dhe kryetari i ASHAK-së, akad. Mehmet Kraja, mbështetet në marrëveshjen kuadër të bashkëpunimit ndërakademik dhe ka për synim të përcaktojë përparësitë e bashkëpunimit për periudhën dyvjeçare në vijim.

Ndër përparësitë kryesore të këtij protokolli janë: ringritja e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe dhe kujdesi për një rregullim shkencor e ligjor të përdorimit të shqipes në funksione publike e zyrtare; organizimi i takimit të parë të albanologëve të hapësirës historike shqiptare dhe të qendrave dhe shkollave të studimit të botës shqiptare jashtë saj; parapërgatitja dhe konceptimi i një enciklopedie panshqiptare; botime në shkencat e identitetit; kërkime dhe konferenca për pasuritë natyrore dhe mjedisin; bashkëpunim për nëndisiplina të reja të dijes si nanoteknologjia, shkencat e jetës (bioshkenca), inteligjenca artificiale, si dhe në disiplina që kërkojnë vëmendje të ngutshme (si sizmologjia).

Protokolli përmban zotime të drejtpërdrejta për një sinergji shkencore ndërakademike dhe mundëson edhe bashkëpunime me institucione të tjera shkencore në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në botën arbëreshe. /atsh

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe e ajo e Kosovës, protokoll bashkëpunimi për 2020-2021 Read More »

Meta vlerëson Kongresin e Lushnjës me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’

Presidenti Ilir Meta vizitoi sot “Shtëpinë e Kongresit” të Lushnjës me rastin e 100-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike.

Gjatë vizitës së tij, Meta çmoi “Kongresin e Lushnjës” me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit dhe veprimtarisë së atdhetarëve të Kongresit të Lushnjës; si një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit shqiptar, që realizoi mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, rimëkëmbjen e shtetit shqiptar dhe konsolidimin e pavarësisë së plotë të vendit. Në kushte tejet të vështira, Kongresi i Lushnjës ia doli të bashkojë vendin të jetësojë vetëqeverisjen, si dhe të garantojë sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar para opinionit ndërkombëtar”.

Presidenti i Republikës dekoroi edhe familjen e Shaqir Fugës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin: “Për kontributin e saj në mikpritjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës. Kjo familje, si një nga përfaqësueset më të mira të traditës atdhetare lushnjare, u hapi dyert e shtëpisë delegatëve dhe nuk kurseu asgjë për mbarëvajtjen e Kongresit në interes të kombit”.

Gjithashtu, ai vlerësoi edhe Abdyl Ali Ypin (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, me motivacionin: “Si atdhetar i shquar i lëvizjes për Pavarësi, kontribues në shtetformimin dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë, si dhe për përkushtimin e tij deri në flijimin e jetës për organizimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, Presidenti Meta, në fjalën drejtuar të pranishmëve u shpreh se “Kongresi i Lushnjës mbetet një moment historik që duhet të kujtohet prej çdo qytetari, politikani, diplomati dhe sidomos prej brezit të ri, pasi nuk mund të kuptohet drejt e ardhmja e një kombi pa ndriçuar themelet e shtetit mbi të cilat ai është ngritur. 100 vjet më parë lushnjarët hapën dyert dhe zemrat për të pritur atdhetarët më të shquar, krerët e mençur dhe burrat e vërtetë nga pothuajse të gjitha krahinat e vendit”, – theksoi Meta.

“Këtu në shtëpinë e Fugajve, ku jemi mbledhur, bijtë më të shquar të trevave shqiptare zhvilluan një nga kuvendet më të rëndësishëm të historisë së kombit dhe shtetit tonë. Me një vetëdije të lartë atdhetare ata realizuan qëllimin fisnik për t’i dalë zot shtetit shqiptar, i cili ndodhej në prag të zhbërjes dhe copëtimit. Të përkushtuar dhe me një vendosmëri të hekurt, delegatët e Kuvendit rikonfirmuan pavarësinë dhe vetëqeverisjen e plotë të Shqipërisë dhe kërkuan bashkimin kombëtar të trojeve të siguruara pas Shpalljes së Pavarësisë. Nder, respekt dhe mirënjohje atdhetarëve tanë, delegatëve të Kongresit, parisë dhe qytetarëve lushnjarë për këtë arritje epokale!” – theksoi Presidenti.

“Nëse nuk do të ishte ky Kongres, edhe Pavarësia e Shqipërisë e vitit 1912 do të ishte venitur dhe shuar nën presionin e shumanshëm dhe koniunkturat e disfavorshme të kohës. 100 vjet më parë delegatët e Kongresit u bënë apostujt e shqiptarisë. Kongresi i Lushnjës veproi si i vetmi autoritet i Shqipërisë, me fuqi sovrane. Ai hartoi statutin e shtetit shqiptar, miratoi aktin kushtetues, në të cilin ripohohej sovraniteti i plotë i shtetit shqiptar. Krijoi Këshillin Kombëtar: Parlamentin, zgjodhi Këshillin e Lartë, i cili do të kryente detyrën e kryetarit të shtetit dhe i dha vendit një qeveri të ligjshme, e cila iu vu me energji organizimit të administratës, të rendit publik, të shkollave dhe u mundua t’i jepte fund anarkisë”, – nënvizoi Meta.

“Ju ftoj të përkulemi me nderim para kujtimit dhe veprës së drejtuesve të këtij kongresi, atdhetarëve të nderuar: Sulejman Pashë Delvinës, Imzot Bumçit, Aqif pashë Elbasanit, Eshref Frashërit, Mehmet Konica, Ahmet Zogu, Abdi Toptanin, Sotir Peçi, dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Ali Riza Kolonja, Ndoc Çoba, Sali Nivica, etj. Si dhe të nderojmë me mirënjohje të thellë anëtarët e Komisionit Nismëtar të Kongresit të Lushnjës: Abdyl Ypi, Besim Nuri, Ferit Vokopola, Sheh Ibrahim Karbunara, Taullah Sinani, Emin Vokopola, Llazar Bozo, Nebi Sefa, Qemal Mullai, Zija Mullai, Mustafa Vokopola, Jonuz Sefa, Bajram Haxhiu, Skënder Pojani, Kadri Jenisheri, Teki Libohova, Filip Papajani, Abedin Nepravishta, Jakov Bozo, Andrea Papaj, Qerim Arapi, Rasim Hoxha, Arif Kurti, Muntar Luarasi, Reshat Shazivari, Abdyl Azizi, Hasan Islami Like, Hamit Xheka e shumë të tjerë bij të shquar të Lushnjës e të Myzeqesë. Këto mendje të ndritura i falën atdheut në momentin më të vështirë, atdhedashuri, emancipim shoqëror, kulturë shtetformuese, unitet dhe diplomaci të mençur”, – theksoi Presidenti.

“Ata, me përkushtim e mjeshtëri, hodhën themelet e strukturave institucionale shtetërore që përballuan gjithë stuhitë e kohës. Secila prej figurave të sipërpërmendura është nderuar dhe respektuar me tituj dhe dekorata të larta. Ata e kanë merituar plotësisht këtë vlerësim, por, përveç tyre, meriton të nderohet dhe çdo atdhetar që ka kontribuar në këtë ngjarje të madhe patriotike. Ata janë të shumtë dhe të njohur në historinë e Kongresit”, – shtoi ai.

“Për këtë arsye sot kam kënaqësinë dhe privilegjin të nderoj Kongresin e Lushnjës me Dekoratën më të lartë, atë të të Flamurit Kombëtar si vlerësim të kontributit të të gjithë patriotëve e luftëtarëve shqiptarë anekënd vendit, që bënë të mundur mbajtjen e këtij Kongresi dhe pavdekshmërinë e shtetit shqiptar. Për suksesin e Kongresit të Lushnjës u desh atdhedashuria, mençuria, dijet, vendosmëria dhe përkushtimi i shumë atdhetarëve dhe mikpritja e të gjithë lushnjarëve, por edhe sakrifica deri në flijimin e jetës së patriotit kolonjar Abdyl Ali Ypi, të cilin kam nderin ta vlerësoj me ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’”, – tha Meta.

“Duke iu drejtuar qytetarëve të Lushnjës dhe gjithë Myzeqesë, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Kongresi i Lushnjës, i quajtur dhe si Pavarësia e Dytë e Shqipërisë, është një ngjarje kulmore që do të nderonte çdo qytet, ku ai do të zhvillohej! Nga ana tjetër, jam i bindur, që ky kuvend nuk mund të gjente pritje e ngrohtësi më të mirë se sa nga ajo që iu ofrua në qytetin tuaj të dashur”, – shtoi Presidenti.

“Më lejoni ta mbyll këtë fjalë me refrenin e Himnit të vetë Kongresit, aq i dashur për të gjithë shqiptarët kudo ku ishin dhe kudo ku janë: ‘Shkrepi drita në Lushnjë, u lind një diell, / Shqipëria lidhi besë, / Dëshmoi bota, dëshmuan yjet në qiell, / Për ty, o i larti Kongres’! Rroftë populli i Lushnjës! Rroftë Shqipëria europiane! Nder, respekt e mirënjohje për burrat e kombit shqiptar, që hodhën themelet e shtetit modern shqiptar, realisht të pavarur dhe sovran pikërisht këtu në Lushnjë, 100 vite më parë!””, – përfundoi Meta./atsh

Meta vlerëson Kongresin e Lushnjës me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’ Read More »