Irina

Rudina Hajdari tregon momentin kur e mori vesh lajmin e vrasjes e babait Azem Hajdarit

Deputetja Rudina Hajdari në një rrëfim për emisionin “N’Konak” ka treguar detaje nga e shkuara e saj dhe jeta me të atin, deputet të Partisë Demokratike.

E pyetur sesi e përjetoi lajmin e v rasjes të së atit, Hajdari tha se ajo periudhë ka qënë tejet e vështirë për të megjithatë familja e saj ia doli që ta kthente dhimbjen në forcë.

Ndërsa sa i përket drejtësisë, ajo u shpreh se “ambicja” e saj politike ishte ha kmarrja më e mirë për të gjithë kundërshtarët e të atit.

PJESË NGA INTERVISTA:

Rudina Hajdari: Jemi munduar që ta kthenim dhimbjen në forcë. Kur ika në Amerikë doja që ai të ishte krenar për mua. Më ka frymëzuar shumë. Edhe të rikthehem në Shqipëri që të jap kontributin tim në vend.

Pyetje: Pse nuk kishte drejtësi për v rasjen e babait tuaj?

Rudina Hajdari: Padrejtësia ka ekzistuar për një kohë shumë të gjatë. Babai e dinte sa rrezik i kan osej. Nuk donte që ne të merreshim më këtë çështje. Në intervista thoshte ‘amanet fëmijët’ se e dinte që ne do ta vazhdonim rrugën e tij. Dhe unë këto fjalë i kam vathë në vesh. Kam menduar të merrem me këto gjëra që ai donte t’i çonte para. Për mua kjo është “ha kmarrja” më e bukur.

Pyetje: A pret një epilog?

Rudina Hajdari: Pres që në Shqipëri të ketë drejtësi. Po bëjmë reformën në drejtësi, nuk ka qënë perfekt por ka qënë i mbikqyrur nga SHBA dhe BE

Rudina Hajdari tregon momentin kur e mori vesh lajmin e vrasjes e babait Azem Hajdarit Read More »

Fluks pushuesish në jug të vendit

Me ujin e kristaltë dhe plazhet mahnitëse bregdeti i Vlorës ka mirëpritur gjatë kësaj fundjave pushues të shumtë nga qytete të ndryshme të vendit ku nuk kanë munguar dhe më besnikët e turizmit tonë, shqiptarët nga Kosova.

Gjatë pasdites së sotme përgjatë bregdetit të Vlorës shihet një fluks i madh pushuesish të cilët po rikthehen në qytetet e tyre pasi kanë kaluar një fundjavë në brigjet dhe plazhet mahnitëse që ky vend ofron.

Të shumta janë dhe makinat e shqiptarëve të Kosovës që tashmë e kanë kthyer Vlorën në vendin e tyre të preferuar për fundjavat verore.

Në axhendën e qëndrimit të vizitorëve të shumtë gjatë kësaj fundjave që vizituan Vlorën, përfshihen shëtitje në qytet, vizita në objekte dhe vende të ndryshme historike dhe kulturore, si Zvërneci, Kanina, etj, ndërsa nuk mungon as Llogoraja, si dhe plazhet e shumta që shtrihen përgjatë vijës bregdetare.

Me një transformim rrënjësor vitet e fundit falë projektit të Rilindjes Urbane tashmë Vlora është tashmë destinacioni i preferuar për pushuesit e të gjitha grupmoshave./atsh

Fluks pushuesish në jug të vendit Read More »

Amnistia fiskale/ Rama: Formalizojmë kursimet në të zezë të emigrantëve; Basha kundër

Në projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale i cili ka mbërritur në Kuvend për shqyrtim në komisionet Parlamentare, e që synon injektimin me likuiditet të ekonomisë në kushtet e krijuara, pas dy tërmeteve që goditën vendin tonë vitin që lamë pas dhe pandemisë së COVID-19, përcaktohen qartë procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe e pasqyrave financiare.

Bëhet fjalë për një amnisti në shkallë të gjerë, pa limit kohor në të kaluarën, ku përjashtohen politikanët, paratë e krijuara nga aktiviteti kriminal dhe kategoritë që kanë patur detyrë deklarimin rregullisht të pasurisë.

Nga kjo amnisti fiskale e penale pritet të legalizohen shuma të konsiderueshme, të cilat duke u falur nga informaliteti fiskal deri tani, mund të investohen në forma të ndryshme në ekonominë e vendit, duke u bërë kapitale të pastra me ndikim në zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Por, si është parashikuar procedura e deklarimit vullnetar të pasurive dhe i pasqyrave financiare?

Subjektet e këtij ligji mund të deklarojnë vullnetarisht pasuritë dhe elemente të pasqyrave financiare, pavarësisht nëse pasuritë, në tërësi apo pjesë të tyre, janë të padeklaruara apo të paregjistruara në autoritetet kompetente, apo ndodhen ose jo në territorin e shqiptar.

Deklarimi vullnetar i pasurive apo i pasqyrave financiare kryhet pranë Njësisë Speciale, strukturë e cila do të ngrihet pranë Administratës Tatimore, nëpërmjet paraqitjes së një vetëdeklarimi, sipas formularit që do të publikohet nga Ministria e Financave.

Njësia Speciale, brenda 2 ditëve nga depozitimi i formularit të deklarimit vullnetar, pajis biznesin, individin ose përfaqësuesin e tij me një kopje të formularit të vetëdeklarimit të certifikuar nga Njësia.

Procesi i deklarimit vullnetar fillon me depozitimin e formularit të deklarimit vullnetar dhe përfundon me pajisjen e subjektit me vërtetimin përkatës, të lëshuar sipas parashikimeve të këtij ligji.

Shumat në të holla depozitohen në llogari bankare të bankave të nivelit të dytë. Deklarimet dhe veprimet e kryera në kuadër të kësaj procedure nga ana e përfituesve, në lidhje me llojin dhe vlerën e pasurisë që deklarojnë vullnetarisht në formularin përkatës, nuk shërbejnë si pikënisje apo provë për ndjekjen apo procedimin penal dhe/ose administrativ të subjekteve përfituese.

Banka apo institucionet e tjera financiare, që veprojnë në kuadër të këtij ligji, njoftojnë menjëherë Njësinë Speciale mbi depozitimin e shumës në të holla dhe përputhshmërinë e kësaj shume me vlerën e deklaruar në formular.

Nëse pasuritë e deklaruara janë pasuri të paluajtshme apo pasuri të luajtshme të regjistrueshme, me përfundimin e procesit të deklarimit vullnetar të pasurive, sipas parashikimeve të këtij ligji, subjekti përfitues ka prioritet në kryerjen e regjistrimit të pasurisë. Vërtetimi i përfundimit të procesit të deklarimit vullnetar nuk përbën regjistrim të këtyre pasurive.

Në p/ligj përcaktohet edhe procedura e deklarimit vullnetar të elementeve të veçanta të pasqyrave financiare.

Bizneset mund të rideklarojnë elemente të veçanta të aktiveve, të detyrimeve apo të kapitaleve të veta të pasqyrave financiare të shoqërisë, me synimin për të siguruar një paraqitje reale, të vërtetë dhe e drejtë të çdo elementi të aktiveve dhe të detyrimeve të këtyre pasqyrave.

Kjo u hap rrugën atyre të kreditohen më lehtë nga sistemi bankar, pasi një pjesë e biznesit ndër vite kanë krijuar një diferencë midis realitetit dhe pasqyrave financiare dhe sot kjo situatë ju krijon një ngërç edhe në avancimin e tyre ekonomik.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka deklaruar më herët se amnistia po bëhet për pastrim parash të njerëzve të inkriminuar pranë qeverisë.

“Emigrantët janë perdja pas së cilës fshihet favorizimi i klientelës kriminale”, është shprehur Basha.

Sipas tij, amnistitë fiskale nuk bëhen kurrë pa një konsensus të gjerë shoqëror, pa një konsensus të madh midis faktorëve të ndryshëm të gjithë shoqërisë dhe duhen në kohë të qeta, në kohë stabiliteti.

Por, Kryeministri Edi Rama që në krye të herës ka deklaruar se nga amnistia e përgjithshme fiskale do të përjashtohen kategorikisht të gjithë ata që i kanë të ardhurat e tyre nga krimi.

“Amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale do të rrisë shumë kapacitetin ekonomik të gjithë individëve që kanë kursime por do të jetë edhe një kontribut i madh për ekonominë e vendit”, ka deklaruar më herët Rama.

“Amnistia e përgjithshme fiskale dhe penale është për të gjitha kursimet në të zezë të gjithë emigrantëve që kanë 30 vite që punojnë e kursejnë, që t’i fusin në bankë dhe t’i formalizojnë duke mos patur frikë të sjellin në Shqipëri lekë”, është shprehur Rama./atsh

Amnistia fiskale/ Rama: Formalizojmë kursimet në të zezë të emigrantëve; Basha kundër Read More »

Parku Divjakë-Karavasta parajsa e turizmit natyror

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, i ka bërë ftesë qytetarëve dhe turistëve të vizitojnë Divjakën, një nga destinacionet më të preferuar për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.

“Shihe nga lart tani dhe shko ku të duash me biçikletë e varkat tona. Merr frymë thelle aq sa mushkëritë të ndjejnë ajrin e pastër të një parku natyral, kurrë të prekur nga ndotja. Aty e ke, 50 minuta larg nga çdo drejtim”, shprehet Braçe.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. /atsh

Parku Divjakë-Karavasta parajsa e turizmit natyror Read More »

Rregullat që duhen zbatuar gjatë pushimeve

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndarë disa rregulla që duhen zbatuar në kuadër të sezonit turistik, për të mos rrezikuar infektimin nga COVID-19.

Në strukturat akomoduese, rekomandohet ruajtja e distancimit fizik jo më pas se 1.5 metër ndërsa stafi i shërbimit në kontakt me pushuesit apo vizitorët duhet të mbajmë domosdoshmërisht maskë.

“Pastrimi dhe dezinfektimi duhet të zbatohen me rigorozitet në bare, restorante, shezlone dhe në çdo ambient.Në strukturat akomoduese duhet të ruhet distancimi fizik jo më pak se 1.5 meter. Stafi i shërbimit në kontakt me pushuesit apo vizitorët duhet të mbajmë domosdoshmërisht maskë. Kujdes me përdorimin e ashensorit, respektoni distancimin dhe higjienën. Hapësira midis ndenjëseve dhe çadrave të pushuesve duhet jo më pak se 3.5 metër distancë. Shmangni grumbullimet e çdo lloji. Shmangni ambientet e mbyllura, konsumoni ushqim në ambiente të hapura. Mos këmbeni aksesorët e plazhit me të tjerët. Ruani higjienën vetjake. Nëse keni temperaturë mos u nisni për udhëtim dhe mos frekuentoni plazhin”, apelon ministria.

Por, cilat janë hapat që duhet të ndiqni nëse udhëtoni?

Gjëja e parë që duhet të bëni është të lani duart para se të udhëtoni dhe përdorni dezinfektant. Distanca sipas ministrisë së Shëndetësisë, është me rëndësi për t’u respektuar për të mos rrezikuar infektimin nga COVID-19.

“Mbani distancë nga njerëzit e tjerë. Vendosni maska mbrojtëse. Mos udhëtoni nëse jeni sëmurë apo keni temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje”, këshillon ndër të tjera ministria./atsh

Rregullat që duhen zbatuar gjatë pushimeve Read More »

Angazhimi frontal i Policisë e ka bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se lufta frontale kundër kanabisit e ka shkatërruar në themel të gjithë ngrehinën kriminale të ngritur në vend, që nga kryeqendra në Lazarat, e deri në kthinat më të thepisura të maleve të Shqipërisë.

“Kur Partia Demokratike flet për kanabisin, përkufizimi i hipokrizisë bëhet vetë PD. Themeluesit krenarë dhe shfrytëzuesit e paskrupullt të kryeqytetit europian të kanabisit, Lazaratit, e kanë humbur të drejtën morale për të drejtuar gishtin ndaj kujtdo në këtë vend për këtë temë, por jo vetëm për këtë”, th Lleshaj.

Duke reaguar pas publikimit të dy fotove të parcelave me kanabis nga PD, Lleshaj tha se “janë jo vetëm një fiasko në aspektin informativ, po edhe një tjetër shembull i radhës së PD nuk i intereson e verteta, po dizinformimi i publikut”

Policia e Shtetit, bëri të ditur ministri, ka shkatërruar prej ditësh jo vetëm dy parcelat në fotot e lodhura të PD, që mesa duket i kanë dhembur ndonjë kultivuesi a lidhjeje biznesore të vetë PD, por edhe dhjetëra parcela të tilla në të gjithë vendin.

“Lufta frontale kundër kanabisit e ka shkatërruar në themel të gjithë ngrehinën kriminale të ngritur në vend, që nga kryeqendra në Lazarat, e deri në kthinat më të thepisura të maleve të Shqipërisë. Sigurisht që ende ka e do ketë kokëshkretë që përpiqen të vijojnë veprimtarinë kriminale. Por shanset e suksesit për ta tanimë janë shumë afër zeros”, tha më tej ministri.

Sipas tij, angazhimi frontal i Policisë dhe institucioneve të tjera shtetërore e kanë bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme.

“Në vitin 2019 në bregdetin italian u sekuestrua sasia më e ulët historike e kanabisit. Të gjithë treguesit e nivelit të sigurisë në vend dhe ata të rezultateve në luftën kundër krimit, përfshirë kanabisin, janë në nivelet më të mira historike. Asgjë nuk mund të krahasohet me kohën kur vendin e qeveriste lazaratopatia”, informoi ai.

Krahasimi i këtyre treguesve me kohën e qeverisjes së PD, vijoi Lleshaj, prodhon diferenca aq të mëdha, sa që vetë krahasimi i ngjan një abuzimi.

“Në fushën e sigurisë, mund të jesh më mirë nga koha edhe sikur të mos bësh asgjë. Ndaj ne as nuk krahasohemi me trashgiminë e PD dhe as nuk shpërqëndrohemi nga tymnajat e saj dezinformuese”, u shpreh ministri.

Sipas tij, lufta për çrrënjosjen përfundimtare të kanabisit vazhdon me intensitet maksimal dhe qytetarët ftohen të kontribuojnë me informacion, pasi kështu secili ndihmon për një Shqipëri më të sigurt.

Reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj vjen pas deklaratës së Sekretarit për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata i cili ka paraqitur pamje të parcelave me kanabis, që sipas tij tregon se Shqipëria prej dy vitesh po mbillet fuqishëm me drogë.

“Kjo foto është bërë së fundmi në Kukës. Kjo tjetra i përket plantacioneve me kanabis në Labëri. Kështu është në Malësinë e Dukagjinit, në Malësinë e Krujës, të Tepelenës, të Gramshit, në fshatrat e Beratit, të Vlorës, madje edhe në periferi të Tiranës”, u shpreh Gjata.

Sipas tij, Shqipëria prej 2 vjetësh është rimbjellë fuqishëm me drogë, por policia është urdhëruar të mos shikojë, të mos dëgjojë, të mos shqetësojë bosët e drogës në partneritet me qeverinë.

Ndërkohë pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, ka reaguar Partia Demokratike e cila përmes një deklarate shprehet se: “Akuzat e rreme të Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj kundër Partisë Demokratike për çështjen e kanabisit janë identike me ato të paraardhësit të tij Saimir Tahirit para 4-5 vjetëve, kur droga transportohej me avion dhe qeveria bënte sikur vriste mushkonja”.

“Fotot e publikuara sot janë vetëm maja e ajzbergut e siperfaqeve të mbjella me drogë kudo në Shqipëri. Janë prova se kultivimi i kanabisit ka bekimin e kësaj qeverie, të deputeteve dhe kryebashkiakëve të Edi Ramës. Shqipëria është e mbushur plot me kanabis. Kudo është mbjellë drogë dhe fakt është se nuk ka asnjë bos droge të arrestuar, nuk ka asnjë Drejtor Policie të larguar”, shprehet PD./atsh

Angazhimi frontal i Policisë e ka bërë kanabisin në Shqipëri një alternativë pa të ardhme Read More »

Meta dekreton 4 ligje: Krijojnë lehtësi për qytetarët në marrjen e shërbimeve

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar shpalljen e 4 ligjeve, që synojnë krijimin e lehtësirave për qytetarët e disa kategorive, në marrjen e shërbimeve.

Kështu, Meta ka dekretuar aktin normativ për ndryshimin e ligjit “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar’”. Po ashtu, ai dekretoi ligjin “Për një shtesë në ligjin ‘Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë’, të ndryshuar’”.

Presidenti argumenton se të dyja këto nisma, si shtyrja e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve shqiptarë, që u përfundon ky afat brenda vitit 2020, ashtu dhe lehtësimi nga detyrimi për shtetas të moshës mbi 75 vjeç për të rinovuar këtë dokument, përbëjnë një lehtësim më shumë për qytetarët në aplikimin dhe pajisjen me letërnjoftimin elektronik, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, si dhe reduktojnë kostot për të moshuarit.

“Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa për të informuar qytetarët mbi këto lehtësi”, u shpreh presidenti.

Meta dekretoi po ashtu ligjin “Për një ndryshim në ligjin “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë””.

Edhe kjo nismë, sipas tij, lehtëson aplikimet e operatorëve ekonomikë, duke mundësuar marrjen e licencave/autorizimeve dhe certifikatave që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve edhe përmes aplikimeve on- line.

Së fundi, Meta dekretoi edhe ligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme””.

“Ky ligj ka shtyrë afatin për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri në 31 dhjetor 2020.

Shtetasit apo subjektet juridike që për shkak të pandemisë, nuk kanë patur mundësinë të aplikojnë brenda afatit, tashmë u ofrohet edhe një hapësirë e re kohore për të kryer rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me vlerën e tregut”, theksoi presidenti Meta. /atsh

Meta dekreton 4 ligje: Krijojnë lehtësi për qytetarët në marrjen e shërbimeve Read More »

Mjekja hematologe që u përball me COVID-19: Vendosja e maskave duhet të ishte bërë mandatore me kohë

Mjekja hematologe, Alma Cili, e cila u përball me virusin e rëndë COVID-19, tregon se ajo ndjen ende shenjat e tij.

Në një intervistë në media, mjekja shprehet se ende e ka të vështirë të ecë apo të flasë gjatë, pasi i duhet të ndalet dhe të marrë frymë thellë.

Lidhur me akuzat e ngritura se QSUT u kthye në vatër e rrezikshme e përhapjes së COVID-19, Cili e konsideron absurde ta cilësosh QSUT vatër infeksioni.

“Në QSUT unë kam hyrë 18 vjeç dhe është i vetmi spital ku bëhet shkencë. Aty nuk bëhet korrupsion, në asnjë formë. Nuk po them që rroga ime është maksimale, por absolutisht nuk mund të blesh një fustan me ato lekët e vdekjes“, deklaroi mjekja.

Në një ditë, thotë Cili, në një klinikë në kat, në një godinë me gjashtë kate, mund të qarkullojnë të paktën 60 pacientë, që janë absolutisht me maska.

“Që kur u zbulua rasti zero, jemi munduar t’i mbajmë në dhoma të ndara, por sigurisht që është verë dhe hapet dera, s’mund të thyejmë atë lidhjen mes pacientëve. Ju shkoni në një supermarket, ku mund të keni 5 veta në radhë dhe nëse njëri teshtin, virusi mund të përhapet deri në 8 metra. Vendosja e maskave duhet të ishte bërë mandatore me kohë. Ne gjithë kohës kemi pasur mbrojtje, jemi të mbuluar totalisht, na duken vetëm sytë”, tha ajo./atsh

Mjekja hematologe që u përball me COVID-19: Vendosja e maskave duhet të ishte bërë mandatore me kohë Read More »