Irina

Përse konsiderohet miku ynë më i mirë?

Përveç dashurisë, të pakta janë ato koncepte që i bëjnë shkencëtarët, të cilët studiojnë kafshët, të jenë më skeptikë, një term ky i përcaktuar si vazhdimisht i ndryshueshëm dhe, padyshim, së tepërmi i modeluar nga përvoja njerëzore.

Por, një libër i ri, i botuar në SHBA, pohon se për qentë dashuria është një fjalë jo vetëm e domosdoshme, por edhe jetësore për sa i përket lidhjes që na bashkon me ta prej mijëvjeçarësh, një nga marrëdhëniet mes interspecieve më të afërta dhe më të rëndësishme të vëzhguara më parë.

Qeni është dashuri

“Fillova të dyshoja ndaj skepticizmit tim”, thotë autori Clive Wynne, një anglez 59-vjeçar që drejton laboratorin e shkencave kanine të Universitetit të Arizonës.

Këto shkenca po njohin një rilindje prej dy dekadash. Në librin «Gjeniu i qenve», Brian Hare gjithashtu mbështet teorinë se qentë janë të pajisur me një inteligjencë të lindur dhe të jashtëzakonshme.

Pëllumbat njohin objekte të shfaqura në dy dimensione, delfinët kuptojnë rregullat gramatikore, bletët kërcejnë për t’u thënë ”shoqeve” të tyre se ku gjendet ushqimi.

Ndërsa qentë janë të paaftë për gjëra të tilla.

Pas shumë vitesh kërkimi multidisiplinar, Clive Wynne propozon të ndryshojë model.

”Hipershoqërueshmëria dhe një instinkt shoqëror ekstrem i bën ata ndryshe dhe jo inteligjenca”, thotë Wynne.

Një gjen shumë i veçantë

Sipas zbulimeve më të fundit, hormoni përgjegjës i besimit dhe i empatisë te njerëzit, oksitocina, gjithashtu ndikon në marrëdhëniet mes qenit dhe të zotit.

”Kur njerëzit dhe qentë shihen në sy, norma e oksitocinës pëson një rritje të beftë”, sipas studimeve të kryera nga Takefumi Kikusui në universitetin ”Azabu” në Japoni. Pikërisht si ajo që është vëzhguar mes nënës dhe foshnjës.

Kërkimi shkencor mbi gjenetikën hapi një pistë të re, nga e cila u frymëzua Clive Wynne.

Në vitin 2009, në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxheles, specialistja e gjenetikës, Bridgett von Holdt zbuloi se qentë kishin një mutacion të gjenit përgjegjës tek njeriu me sindromë Williams.

Kjo sindromë përkthehet me një vonesë mendore dhe një hipershoqërueshmëri.

“Qentë, si të gjithë njerëzit që vuajnë nga sindroma Williams, kanë një dëshirë të madhe për të krijuar lidhje afërsie, për të pasur marrëdhënie personale të ngrohta, të marrin dhe të japin dashuri”, shkruan Clive Wynne.

Kjo pistë ka qenë pohuar nga përvoja të shumta sjelljeje, që çdokush mund t’i riprodhojë në shtëpi me disa karamele dhe para’.

Një prej tyre, një studiues hapi derën e shtëpisë me ndihmën e një litari. Qeni atëherë vuri re, jashtë në distanca të barabarta nga dera, të zotin e tij dhe një tas për ushqimin.

Vëzhgimet vunë në dukje se truri i qenve stimulohej më tepër nga lëvdatat, sesa nga ushqimi.

Por kjo prirje e lindur për dashuri duhet të inkurajohet dhe zhvillohet që më herët. Dhe gjithçka dëshmon se kjo histori dashurie nuk është unike për njerëzit. Kështu, një fermer ka rritur këlyshë nga një koloni pinguinësh në një ishull të vogël australian me qëllim për të mbrojtur zogjtë nga dhelprat.

Gjithçka që keni nevojë është dashuria

Cilve Wynne është i bindur se gjenetika mund të zbulojë sesi të parët tanë kanë zbutur qenin para 14 000 vitesh.

Një teori sugjeron se paraardhësit e qenve mblidheshin në vendet ku njerëzit hidhnin jashtëqitjet e tyre, dhe menjëherë, ata filluan të zbuteshin, deri në çastin kur filluan të shoqëronin njerëzit në ekspeditat e gjahut.

Kjo hipotezë, mbështetur nga autori, sigurisht është më pak romantike se sa imazhi i gjahtarëve që kapin dhe zbutin këlyshët e ujqërve, edhe pse cilësohet si fenomen “plotësisht i pavërtetueshëm” duke pasur parasysh egërsinë e tyre ndaj njerëzve.

Fatmirësisht, ecuritë e fundit teknologjike mundësojnë përcaktimin e fijeve gjithnjë e më të hershme të ADN-së. Ndoshta do ta zbulojmë momentin që gjeni që kontrollon sindromën e Williams ndryshoi tek qentë.

”Mutacioni ka ndodhur para 8 000 apo 10 000 vitesh”, shton më tej Clive Wynne, në mbarim të Epokës së fundit të Akullnajave, kur qentë dhe njerëzit shkonin bashkë për gjah.

Megjithatë, mësimi që nxjerrim janë se metodat e ashpra të zbutjes shkojnë përtej natyrës së qenve.

“Qeni juaj pret që ju t’i tregoni rrugën. Në vend që t’i mbysni me qafore, inkurajoni pozitivisht dhe tregohuni dashamirës”, këshillon ai.

“Qentë na japin shumë dhe nuk kërkojnë gjë në këmbim”, thekson ai.

“Nuk ia vlen të blesh gjithë këto lodra, bonbone apo ku di unë se çfarë tjetër. Ata kanë nevojë për shoqërinë tonë dhe të jenë pranë nesh”, shton Clive Wynne./ atsh

Përse konsiderohet miku ynë më i mirë? Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Asnjë rast të koronavirusit në Shqipëri deri më tani, informacionet në rrugë jo zyrtare nuk duhen konsideruar

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ftoi sot të gjithë qytetarët që të shmangin informacionet e rreme që në këto momente po përhapen për koronavirusin me qëllim rritjen e panikut.

“Të gjitha informacionet që përhapen në rrugë jo zyrtare, në rrjete sociale, media, nuk duhet të merren në konsideratë pasi nuk referojnë situatën reale dhe dëmtojnë mbi të gjitha sigurinë publike, duke përhapur panik të panevojshëm. Aq më pak duhen besuar mesazhe zanore dashakeqe, të sajuara dhe hedhur në qarkullim njësoj si ato të pak muajve më parë pas situatës së tërmetit”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën me dije se të gjitha informacionet mbi situatën e koronavirusit publikohen në faqen zyrtare të MSHSH dhe në profilet e saj në rrjete sociale dhe media.

MSHMS publikon çdo ditë informacionin zyrtar mbi koronavirusin në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike./atsh

Ministria e Shëndetësisë: Asnjë rast të koronavirusit në Shqipëri deri më tani, informacionet në rrugë jo zyrtare nuk duhen konsideruar Read More »

Koronavirusi/ Rama: Shteti shqiptar gati ta përballë në rast shfaqjeje me organizim e profesionalizëm të lartë

“Koronavirusi nuk e ka prekur Shqipërinë, por si për gjithë botën është një kërcënim potencial, për të cilin janë marrë të gjitha masat në rast se do të na duhet ta përballim”.

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama, ndërsa duke iu drejtuar qytetarëve u shpreh se “të njëjtat mendje të shthurura, që ju shqetësuan keq me lajmet fallco dhe me gojëligësinë e tyre gjatë ditëve e netëve të gjata pas tërmetit, janë në veprim”.

“Mos bini pre e tyre dhe jini të sigurt se shteti shqiptar po e bën prej kohësh detyrën për të qenë gati në rast shfaqjeje të koronavirusit, të cilin jemi gati ta përballim me organizim e profesionalizëm të lartë”, tha Rama.

Më herët, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino deklaroi sot se “nuk duhet të ketë panik për situatën e koronavirusit në Shqipëri, ku deri tani nuk kemi asnjë rast të dyshuar”, ndërkohë që theksoi se “laboratori i ISHP-së është pjesë e rrjetit europian të laboratorëve për sëmundjet e rrezikshme, që e përcakton diagnozën e koronavirusit”./atsh

Koronavirusi/ Rama: Shteti shqiptar gati ta përballë në rast shfaqjeje me organizim e profesionalizëm të lartë Read More »

Rama citon Helen Keller: E vetmja gjë më e keqe se të jesh i verbër është të kesh sy dhe të mos shikosh

Kryeministri Edi Rama, e ka nisur sot ditën duke cituar shkrimtaren dhe aktivisten e njohur amerikane, Helen Keller.

“E vetmja gjë më e keqe se të jesh i verbër është të kesh sy dhe të mos shikosh”, është shprehja që Kryeministri Rama ka cituar sot nga autorja amerikane, Keller./atsh

Rama citon Helen Keller: E vetmja gjë më e keqe se të jesh i verbër është të kesh sy dhe të mos shikosh Read More »

Si të mbrojmë veten nga koronavirusi

Gripi është një sëmundje serioze e cila mund të çojë në gjendje të rëndë shëndetësore me shtrime në spital, e ndonjëherë deri në vdekje.

Antibiotikët nuk veprojnë ndaj viruseve por si mund ta mbrojmë veten nga koronavirusi?

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndarë disa këshilla për të shmangur infektimin nga ky virus.

“Masa bazike të higjienës së duarve, siç është larja e duarve me ujë dhe sapun.
Higjiena respiratore, kur kolliteni apo teshtini, përdorni bërrylin ose shami.
Shmangia e kontakteve të ngushta me çdo person që shfaq simptoma të sëmundjeve respiratore, si kollë apo teshtitje.
Mënjanimet e kontakteve të panevojshme me kafshë të gjalla apo produktet e tyre dhe larja e duarve pas prekjes së tyre.
Aplikimi i praktikave të higjienës ushqimore. Sigurohuni që mishi është gatuar mire para se të konsumohet”, -këshillojnë specialistët e ministrisë së Shëndetësisë./atsh

Si të mbrojmë veten nga koronavirusi Read More »

Zbulohet subspecia unike, Epineda e Alpeve Shqiptare

Ministria i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri të ditur se në malet shqiptare është zbuluar një bimë e rrallë që rritet vetëm në Shqipëri, e quajtur Epineda e Alpeve Shqiptare.

Ministri Klosi shprehet se “dua të ndaj me ju lajmin e zbulimit të subspecies endemike, Epineda e Alpeve Shqiptare (Epimedium alpinum subsp. Albanicum), një lloj që rritet vetëm në Shqipëri dhe askund tjetër në botë”.

Ai sqaron se “ky zbulim është bërë nga një prej punonjësve të institucionit tonë, në bashkëpunim me Departamentin e Biologjisë në Tiranë dhe Kopenhagen”.

“Së fundmi, mbi këtë specie u botuan një artikull në revistën shkencore Phytologia Balcanica. Pas lançimit të kësaj gjetje, pritet pranimi nga Instituti Internacional i Ushqimit të Bimeve, IPNI dhe Kopshti Mbretëror i Londrës KNW. Kjo nuk është e vetmja bimë endemike që është zbuluar në Shqipëri. Tashmë ajo i shtohet listës së gjatë me emra si Tulipani i Kukësit, Zambaku Shqiptar, Gentiana Lutea në Malin e Tomorrit, Viola e Rrumës, Shafrani i Sharrit, etj”, tha ai./atsh

Zbulohet subspecia unike, Epineda e Alpeve Shqiptare Read More »

Shpërdorim detyre/ SHÇBA pezullon 7 punonjës policie në Durrës

7 punonjës policie të dyshuar për shpërdorim detyre janë pezulluar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Durrës.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat( SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Abuzuesit e detyrës 2”.

Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale, nën drejtimin e Prokurorisë u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë së kundraligjshme të subjekteve të këtij procedimi. Ata dyshohet se duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Punonjësit e Policisë kryenin funksione të ndihmës/specialistit për Rendin, në Komisariatin e Policisë Krujë, në DVP Durrës. Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme, ku veprimet dhe mosveprimet e tyre konsistojnë në favorizime të kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë hetimeve u sekuestrua një sasi kanabisi dhe u asgjësuan bimë narkotike.

Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara, Gjykata e Krujës caktoi masat e sigurimit personal “Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, për: Xh.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme; S.D., Ndihmës/specialist për Rendin; M.C., Ndihmës/specialist për Rendin; N.S., Ndihmës/specialist për Rendin; K.D., Ndihmës/specialist për Rendin; D.S., Ndihmës/specialist për Rendin; F.B., punonjës i Patrullës së Përgjithshme.

Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari.

SHÇBA nxit qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi me detyrën të punonjësve të policisë, duke telefonuar në numrin falas 0800 90 90, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ligjor./atsh

Shpërdorim detyre/ SHÇBA pezullon 7 punonjës policie në Durrës Read More »

Ndahet nga jeta “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha

Mbretëresha e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha është ndarë sot nga jeta në moshën 87- vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

“Bilbili i Kosovës”, “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, “Këngëtarja e Shekullit”, “Artiste e Merituar” , “Nderi i Kombit”, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të karrierës së saj artistike.

Nexhmije Pagarusha, legjenda e gjallë e këngës shqiptare, u lind më 7 maj të vitit 1933 në Pagarushë, ku ndoqi shkollën fillore, ndërsa shkollimin e vijoi për 3 vjet në Beograd, në shkollën e muzikës për solo kanto.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera, por pati karrierë të suksesshme edhe si aktore, si në film ashtu edhe në teatër.

Angazhimin e parë profesionist e pati në Radio Prishtina, ku në vitin 1948 u pranua si soliste. Paraqitjen e parë skenike e pati në Beograd, ndërsa karrierën muzikore e përfundoi me një koncert në Sarajevë në vitin 1984.

Muzikën popullore shqipe e përhapi në shumë vende të botës, ku interpretoi me ansamblin “Shota”.

“Unë gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që këngën e bukur shqipe ta çoj sa më lart. Në kohëra shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, unë me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqipe pothuajse në tërë botën”, është shprehur Pagarusha.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexhep Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump. /atsh

Ndahet nga jeta “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha Read More »