Irina

Koronavirusi/ Meta: Nuk është koha për mbledhje të Komitetit të Sigurisë, duhen fonde që situata të mos dalë jashtë kontrollit

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot angazhimin dhe masat e marra deri tani nga institucionet shtetërore përfshirë dhe vendimet e qeverisë sot, ndërsa i ftoi shqiptarët të përballojnë me qetësi këtë situatë, të respektojnë këshillat mjekësore, të ndjekin dhe të zbatojnë sugjerimet e institucioneve shtetërore.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se “nuk ka vend për panik, por nuk ka vend as për nënvlerësim nga institucionet dhe çdo qytetar”.

“Sot u konfirmuan dy rastet e para të të prekurve nga koronavirusi. Duke ju uruar shërim sa më të shpejtë, shpreh solidaritetin tim. Kërkohet përgjegjshmëri dhe bashkëpunim, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë. Mbështes edhe njëherë personelin mjekësor, të cilët do të duhen të përballen edhe me këtë rrezik serioz. Apeloj domosdoshmërinë e angazhimit të të gjithë strukturave shtetërore”, tha Meta.

Ai u bëri thirrje institucioneve të marrin masa për sigurimin e mjeteve mbrojtëse, për nisjen e trajnimeve të personalit, përcaktimin e karantinave dhe perimetrit të sigurisë, por edhe pajisjeve.

“Po e ndjek situatën hap pas hapi dhe së bashku me institucionet e tjera do të bëjmë çdo gjë për të qenë pranë çdo qytetari për moslejimin e përshkallëzimit. Apeloj për plan të detajuar, plan monitorimi të detajuar, për financim të plotë për nevojat për materialet mjekësore mbrojtëse jo vetëm për ekipet mjekësore, por edhe për forcat e sigurisë, që të përballojmë me sukses këtë pandemi”, tha Meta.

Po ashtu, Presidenti u shpreh se nevojitet “një plan e detajuar ekonomik për veprimet financiare mbështetëse”.

“Sot familja dhe e gjithë shoqëria shqiptare janë së bashku për të përballuar një emergjencë shumë serioze dhe vetëm, solidariteti mbarëkombëtar do të jetë forca përballë kësaj pandemie. Maturia dhe mësimet e nxjerra nga vendet e tjera më të zhvilluara janë instrumentet më të sigurta për të përballuar në mënyrën e duhur situatën. Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm se nënvlerësimi më i vogël rrezikon jo vetëm jetën e tij, por edhe fëmijëve e prindërve”, tha Meta.

Ai kërkoi përgjegjshmëri dhe bashkëpunim maksimal, ndërsa shprehu bindjen se vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim që të mos e lëmë të përshkallëzohet këtë situatë të vështirë.

I pyetur nëse është koha për të mbledhur Këshillin e Sigurimit, Meta tha se “nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje”.

“Që në 31 janar kam kërkuar marrjen e masave ende pa u shfaqur rastet në Itali dhe më pas u kam kërkuar të parapërgatiten në vijimësi. Dje kam bërë një kërkesë më të fortë. Qeveria sot ka marrë një seri masash në këtë drejtim, ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore dhe të qeverisë për të bërë çdo gjë, jo vetëm për të hetuar këto dy raste , por e rëndësishme është të kuptojmë që nënvlerësimi më i vogël i qytetarëve krijon një rrjet të kontaminuar që kthehet në bartës dhe shpërndarës të virusit”, tha Meta.

Ai vlerësoi se “veprimet po bëhen me përgjegjësi të plotë dhe ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë”.

Po ashtu, Meta informoi se “nga dita e sotme në Presidencë ka një taskforcë të kryesuar nga këshilltari për sigurinë kombëtare dhe të gjithë qytetarët do të kenë një adresë ku të drejtohen kur shohin probleme”.

“Besoj se me përgjegjshmëri maksimale ne do të arrijmë të kemi situatën nën kontroll. Sot kam folur me ambasadoret tona në Romë dhe Greqi. Janë disa gjëra që kërkojnë fonde dhe fondet duhen gjetur pa tjetër. Por, ka dy gjëra që nuk kërkojnë fonde: bashkëpunimi i secilit qytetar e kujdesi që çdo qytetar bën, dhe vullnetarizmi. Të gjithë intelektualët profesorë, studentët e Fakultetit të Mjekësisë mund të jenë me mjaft kontribut në këtë moment, ashtu sikurse vullnetarët e Kryqit të Kuq”, tha Meta./atsh

Koronavirusi/ Meta: Nuk është koha për mbledhje të Komitetit të Sigurisë, duhen fonde që situata të mos dalë jashtë kontrollit Read More »

Koronavirusi/ Fico: Dy të prekurit në gjendje të qëndrueshme, personat e afërt janë në vetëkarantinim

Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico deklaroi sot se “dy të prekurit me koronavirus janë stabël, ndërsa personat e afërt janë futur në vetëkarantinim”.

E ftuar në një studio televizive, Fico u shpreh se janë ndjekur të gjitha protokollet e parashikuara në planin e organizuar më herët për masat parandaluese të koronavirusit.

“Me daljen pozitive të testit, dy pacientët janë shoqëruar në shërbimin infektiv, ku gjenden nën trajtimin mjekësor në dhomat e izolimit. Janë stabël temperatura po u normalizohet, ndërsa vijojmë me protokollet e trajtimit të kësaj sëmundje. Komuniteti Mjekësor nuk ka një protokoll të përcaktuar, nuk ka mjekim specifik dhe vaksinë. Pacientët janë nën protokollin e trajtimit të atyre infeksioneve të sëmundjeve me natyrë virale”, tha ajo.

Fico inkurajoi qytetarët që të vetëdeklarohen në rastet kur kanë probleme, të hyjnë në vetëkarantinim. “Kjo është detyrë kombëtare, jo vetëm personale. Ne kemi marrë kontakt me këta persona për të kuptuar rrethin e parë të kontakteve të tyre dhe rrethin e dytë. Kemi identifikuar pacientin zero, kontaktin e tij më të ngushtë, rrethin e ngushtë prej 8 personash dhe sot në mëngjes kemi vijuar me një rreth më të gjerë. Është punë në vijimësi”, tha ajo.

Fico tha se këtyre personave u janë marrë monstrat dhe po përpunohen, brenda 24-orëshit të parë duhet të kemi rezultate, ndërkohë që janë vetëkarantinuar e survejuar në pritje të përgjigjes së ekzaminimeve.

“Janë njerëz që deri tani konsiderohen të shëndetshëm, nuk kanë shfaqur shenja të sëmundjes. E rëndësishme është që pacientët të kontaktojnë me 127 dhe të mos u drejtohen urgjencave. Ne duam në këtë fazë të shmangim përhapjen e virusit. Kemi bërë një plan herët në kohë që është ndihmesë shumë e madhe që në momentin e identifikimit të pacientit masat e ndërmarra përforcohen”, tha ajo.

Fico tha se “kemi marrë ato masa që duhen marrë sa i takon situatës ku gjendet Shqipëria”. “Bota ka histori të ndryshme, ka pasur murtajën, gripëra të tmerrshme dhe nuk kemi pasur poste kufitare e trena, por ndërkohë ka pasur një përhapje të caktuar. Jemi konform planeve të hartuara herët dhe të përditësuara”, tha Fico.

E pyetur nëse do të ketë një frenim të virusit me ngrohjen e kohës, ajo tha se “në botën e viruseve ka dy kategori virusesh: viruse që një nga karakteristikat që kanë është membranë me përqindje shumë të lartë të yndyrnave që ka tentativën të dobësohen, por është shumë pak. Për COVID -19 ne pak dimë. Jemi para një virusi të ri, ndaj të sillemi me kujdes dhe të marrim masat personale që të kemi mundësi t’ia dalim. Fondet e alokuara në këtë moment në fushën tonë e bëjnë ndryshimin”, tha Fico.

Duke folur për masat, ajo ritheksoi se “vlen shkolla e vjetër e higjienës. T’i kthehemi larjes së duarve më shumë se 20 sek me ujë e sapun, të vijojmë të ushqehemi mirë brenda mundësive dhe të shmangim grumbullimet e panevojshme”./atsh

Koronavirusi/ Fico: Dy të prekurit në gjendje të qëndrueshme, personat e afërt janë në vetëkarantinim Read More »

2 raste me koronavirus/ Basha: Nuk është koha për panik, të luftojmë bashkë përhapjen e virusit

Kryetari i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha është shprehur se, “asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri”.

“Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjienën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi”, ka theksuar Basha.

“Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura”, ka shtuar Basha./atsh

2 raste me koronavirus/ Basha: Nuk është koha për panik, të luftojmë bashkë përhapjen e virusit Read More »

Informacion i përditësuar, MSHMS: Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 në gjendje të stabilizuar

Dy qytetarët e konfirmuar me koronavirusin e ri, babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç kanë qëndruar disa ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit me makinë personale.

“Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP. Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ndërkohë strukturat e shëndetit publik po realizojnë hetimin epidemiologjik dhe marrjen e mostrave të kontakteve./atsh

Informacion i përditësuar, MSHMS: Dy rastet e konfirmuara me COVID-19 në gjendje të stabilizuar Read More »

2 raste koronavirusi në Shqipëri/ Braçe: Tani duhet qetësi, çdokush që ka hyrë nga Italia të vetë karantinohet

Zv/kryeministri, Erion Braçe ka apeluar për qetësi dhe zbatim të çdo protokolli për mos përhapjen e koronavirusit në Shqipëri.

Pas lajmit të konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus, Braçe është shprehur se, “tani duhet qetësi, vetëkontroll, disiplinë për të zbatuar çdo protokoll dhe çdo rregull të shpallur, vendosmëri për të mos lejuar përhapjen kudo!”.

“Çdokush që ka hyrë nga Italia në Shqipëri dy javët e fundit dhe ka shenja të gripit, të telefonojë numrin 127; Çdokush që ka hyrë nga Italia në Shqipëri gjatë dy javëve të fundit duhet të vetë karantinohet për 14 ditë; Pjesa tjetër është higjiena, higjiena, higjiena!”, ka thënë Braçe.

“Lani duart shpesh dhe për 40 sekonda me ujë e sapun, dizinfektoini me solucione me bazë alkoolin; Të gjitha vendet me grumbullime të mëdha, posaçërisht shkollat duhet të 100 fishojnë kujdesin ndaj higjienës; Mos prekni gojën, hundën e sytë me duar të palara, virusi hyn në trup prej tyre! Mbroni fëmijët dhe të moshuarit! Është detyrë!”, ka përfunduar Braçe. /atsh

2 raste koronavirusi në Shqipëri/ Braçe: Tani duhet qetësi, çdokush që ka hyrë nga Italia të vetë karantinohet Read More »

Qeveria sot, 50% burra 50 % gra/ Rama uron 8 marsin: Gratë dhe vajzat shqiptare gjysma më e mirë e këtij populli

Kryeministri Edi Rama ka uruar sot në Ditën Ndërkombëtare të Grave të gjithë vajzat dhe gratë shqiptare duke i konsideruar gjysma më e mirë e popullit.

“ Mirëmëngjes, me një urim të përzemërt të gjitha grave e vajzave shqiptare, që janë gjysma me e mirë e këtij populli”, shprehet ai.

Po ashtu Kryeministri postoi një video të titulluar qeveritë shqiptare ndër vite, ku nga viti 1991 deri në ardhjen në pushtet të qeverisë Rama, në qeveritë e mëparshme pushtetin e kishin burrat, ndërsa sot balanca mes grave dhe burrave është e barabartë.

Duke ju referuar statistikave qeverisëse pushteti i grave në qeveri ishte nga zero, deri 24 % në vitin 2001.

“Qeveria e Ylli Bufit, 11 qershor 1991-6 dhjetor 1991 100% burra, zero gra. Qeveria e Vilson Ahmetit 18 dhjetor-13 prill 1992 100% burra, zero gra, qeveria e Aleksandër Meksit 13 prill 1992-6 gusht 1996 100% burra. Zero gra, qeveria e Bashkim Finos, 11 mars 1997-24 korrik 1997 100% burra zero gra, qeveria e Fatos Nanos 25 korrik-28 shtator 1997-28 shtator 1998, 91% burra. 9% gra. Qeveria e Pandeli Majkos 2 tetor 1998-25 tetor, 1999 89% burra. 11% gra. Qeveria e Ilir Metës 28 nëntor 1999- 6 shtator 2001, 76% burra-24% gra. Qeveria e Sali Berishës 9 shtator 2005-10 shtator 2009 94% burra, 6% gra. Qeveria e Edi Ramës 50% burra. 50% gra”./atsh

Qeveria sot, 50% burra 50 % gra/ Rama uron 8 marsin: Gratë dhe vajzat shqiptare gjysma më e mirë e këtij populli Read More »

Media prestigjioze spanjolle: Shqipëria sekreti i fundit i Europës

Shqipëria është sekreti i fundit i Europës, shkruan gazeta prestigjioze spanjolle ”El Pais”, që i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë.

”Turistët spanjollë të moshës së tretë kujtojnë se, për shumë dekada, në pasaportat e tyre shkruhej: E vlefshme për të gjitha vendet, përveç Shqipërisë, Koresë së Veriut dhe Mongolisë”.

Për më të interesuarit, kjo pengesë ka ngjallur një kuriozitet për të zbuluar se çfarë fshiheshin në këto vende të ndaluara. Një nga këto vende të ndaluara, më e afërta gjeografikisht ishte pikërisht Shqipëria, e cila deri vonë kishte mbetur larg hartës turistike.

Pas dekadash izolimi, vendi ballkanik i shfaqet botës me një miks të parezistueshëm plazhesh, pyjesh dhe qytetesh, arkitektura e të cilëve është një përzierje e asaj shqiptare dhe otomane.

Tani shqiptarët duan të prezantohen para botës me bukuritë e tyre natyrore dhe kulturore. Dhe këto bukuri duhet t’i prezantojnë para se vendi të përfshihet nga turizmi masiv.

Dekada izolimi e kanë bërë Shqipërinë me një madhësi pak më të vogël sesa Katalonja apo Galicia, një vend ndryshe nga pjesa tjetër e fqinjëve të tij në Ballkan.

Nuk është destinacion për ata që kërkojnë shumë komoditete dhe nuk është udhëtim pa ngjarje të papritura. Por, mbase është kënaqësi të shndërrosh një udhëtim, në një aventurë të vogël.

Kështu ndërsa do të kapërcejmë territoret malore përmes rrugëve dredha-dredha, do të shikojmë një bregdet të egër, do të shëtisim nëpër disa qytete që janë si një mozaik venecian i kishave bizantine me afreske, xhami, teqe bektashiane, shtëpi të bardha osmane, kombinatet e vjetër të epokës sovjetike dhe shumë bunkerë të vegjël.

Por, pa dyshim, zbulimi më befasues janë 400 kilometrat e bregdetit piktoresk, ku rëra e Adriatikut bashkohet me gurët e plazheve të detit Jon.

Tirana në kërkim të kohës së humbur
Tirana, kryeqyteti në qendër të vendit ballkanik, pak e ngjashme me çdo kryeqytet tjetër europian, i shpëton çdo kategorie ose përkufizimi.

Ajo strehon muze që ruajnë dëshmitë e shkëlqyera të së kaluarës ilire (origjina e të cilave daton nga Epoka e Hekurit), me një shesh ku rreth tij ndodhen disa nga ndërtesat historike, nga xhamia e Et’hem Beut, një nga më të bukurat në Shqipëri, deri në epokën fashiste (1930), apo deri te tunelet e fshehta të Luftës së Ftohtë.

Kështu është Tirana, një qytet ku jeta rrjedh pareshtur, si në trafikun e dendur të qendrës, ashtu edhe në pazarin e qytetit apo në xhaminë gjatë lutjeve të pasdites.

Në sheshin kryesor, ”Skënderbej” ndodhen trotuare të reja dhe lulishte me kopshtet e vogla, ku fasadat e viteve 1930 ndajnë hapësirën me rrokaqiejtë modernë. Përveç xhamisë së Et’hem Beut, ia vlen të vizitohet edhe Muzeu Kombëtar, si dhe galeritë kombëtare të artit, në të cilat gjenden kryevepra të shumta.

Por më shumë sesa për të parë, Tirana ka shumë për të jetuar. Buzë lumit Lana, ndodhet lagjja e quajtur ”Blloku”, lagje e vjetër ku banonte nomenklatura komuniste, e shndërruar tashmë në një zonë të kohës së lirë dhe argëtimit, sidomos gjatë fundjavave.

Qyteti duket i vendosur për të rifituar kohën e humbur gjatë dimrit të gjatë komunist dhe tashmë jeton në një mjedis shumë të gjallë, ku ndërthuret aroma e Lindjes së Mesme me dëshirën për të qenë europian. E gjithë kjo përzihet me tingullin e lutjeve të pasdites gjatë Ramazanit në Rrugën e Kavajës dhe atmosferën në tregun e Pazarit të Ri.

Berati qyteti i “një mbi një dritareve”
Disa nga bukuritë kryesore të vendit janë të fshehura në peizazhin e thyer dhe malor të Shqipërisë juglindore, midis lumenjve të egër që përshkojnë kanionet dhe liqenet mijëra vjeçare. Berati, i pagëzuar gjatë fazës komuniste si qyteti i mbivendosjes së dritareve, është një qytet osman i zhytur në një natyrë të virgjër, tepër të paprekur falë vendndodhjes së tij.

Është e vështirë të gjesh një vend të ruajtur kaq mirë në Shqipëri. Me tre lagje të vjetra Mangalem, Goricë dhe Kala, si dhe shumë xhami e kisha, qyteti me mijëra dritare ka 2 400 vite histori dhe është i jashtëzakonshëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Berati i vendosur buzë të lumit Osum, në shtëpitë e tij osmane me mure të bardha disponon edhe një muze të shkëlqyer etnografik. Në krye qëndron kështjella e madhe, ende e banuar dhe e zhytur si në një ëndërr, me një kishë në qendër ku shfaqet koleksioni i ikonave nga mjeshtri Onufri (shek.XVI).

Gjatë ditës, mund të vizitojmë këtë “muze të gjallë” dhe vende specifike si Xhaminë e Beqarëve, Xhaminë Mbret, më e vjetra në Berat, me një çati prej druri të gdhendur në mënyrë spektakolare.

Pranë saj, ndodhet edhe teqeja Havelti, si dhe kështjella, në majë të Beratit ku mund të arrish përmes një labirinti rrugicash me shtëpi të bardha. Pjesa e krishterë përfaqësohet nga kisha e Virgjëreshës, që u shpëtua nga braktisja e kohës së komunizmit dhe sot na lejon të shijojmë një brendësi të mrekullueshme.

Gjirokastra qyteti-muze i Enver Hoxhës
Pa lënë këtë rajon të brendshëm të Shqipërisë, duke udhëtuar thellë në jug, gjejmë një vend unik, në Shqipëri dhe në Ballkan: Gjirokastrën ose Argirocastro (kështjellë argjendi, në shqip), një qytet i vendosur në një luginë të madhe, i rrethuar nga fshatra që fshehin kishat e lashta bizantine.

Për të kuptuar origjinën e emrit, është më mirë ta sodisni atë në ditë me shi, kur gurët e shndritshëm të kalasë së madhe, plot legjenda dhe me një reputacion të trishtuar, pasi gjatë periudhave të ndryshme është përdorur si burg.

Gjirokastra ndodhet 215 kilometra në jug të Tiranës dhe është një prej destinacioneve më interesante në vend, me një kështjellë të madhe me pamje nga lugina e gjerë dhe pjellore e Drinit dhe një pazar që mbetet qendra e qytetit për turistët.

Në këtë qytet pikaset harmonia e disa shtëpive me kulla, që mund shihen me sy të lirë. Disa prej tyre mund të vizitohen dhe të tjerat thjesht të vëzhgohen nga jashtë.

Qindra prej këtyre shtëpive monumentale që datojnë që nga epoka osmane, përbëjnë qendrën historike të kurorëzuar nga kështjella. Qyteti gjatë periudhës komuniste mori emrin “qytet muze”.

Fakti që ishte vendlindja e diktatorit komunist Enver Hoxha (1908-1985), e ruajti qytetin nga ndërhyrjet arkitektonike, siç ndodhi në zona të tjera të vendit. Falë kësaj, vizitorët mund të kontaktojnë me një fragment pothuajse të paprekur të Shqipërisë që nga shekulli XIX.

Ksamil dhe Riviera Shqiptare
Shqipëria laget nga deti Jon në të ashtuquajturën Riviera Shqiptare, me një bregdet të thepisur shkëmbor që kulmon në Ksamil. Por i gjithë bregdeti, nga Vlora deri në Ksamil tregon bukurinë e Mesdheut me ujëra gjithnjë e më të pastra dhe më transparente. Përgjatë bregdetit, minaret e kishave me kambanat e tyre, i japin vendit një bukuri magjepsëse.

Në verë, plazhet e rivierës janë plot me njerëz dhe jetë, duke thyer qetësinë e ujërave të kristalta.

Ndërtuar në vitet 1960 pranë Parkut Kombëtar të Butrintit, qyteti i Ksamilit gjatë stinës së verës është një atraksion i mahnitshëm turistik, në të cilin ndodhen tre ishujt e vegjël të virgjër larg bregdetit.

Me kalimin e kohës, plazhet janë populluar duke ndërtuar bare, plazhe, hotele dhe sot është një nga destinacionet më të njohura. Por Ksamili, në të vërtetë, është vetëm një qytet i vogël, i përshkuar nga një rrugë që të çon në Butrint. Më të frekuentuarit nga njerëzit janë zakonisht plazhet që dalin nga tre ishujt.

Por, këshilla jonë është eksplorimi i të gjitha plazheve, që ju lejon të zbuloni vende më të qeta ku të vendosni peshqirin tuaj.

Syri i Kaltër
Jo shumë kilometra larg Ksamilit, gjendet Syri i Kaltër, një burim 50 metra i thellë nga i cili burojnë ujërat e një ngjyre të bukur.

Çdo vit ka mijëra turistë që ndihen të lumtur teksa ngrihen herët për të shijuar vendin, të vetëm. Është një emocion i veçantë. Zona përreth ujëvarës nga vjen edhe emri i vendit “Syri i Kaltër’’, është e hapur për vizitorët gjatë gjithë vitit, por gjatë verës është tejet e mbushur me turistë, sidomos në mesditë.

Nëse arrijmë të shmangim turmat (parkimi në mes të mëngjesit bëhet xhungël e vërtetë) do të shijojmë një burim fantastik me një ujë akull të ftohtë të rrethuar nga pyje të dendura.

Dhe një paralajmërim: noti është i ndaluar, kështu që duhet t’i rezistoni tundimit të hidheni në të. Nga atje, dhe nëse keni makinë, mund të bëni një rrugëkalim të vogël dhe të vizitoni Mesopotamin, një fshat ku ndodhet kisha ortodokse e Shën Nikollës.

Butrinti dhe trashëgimia greke
Butrinti është shpërblim për ata që guxojnë të arrijnë në majën jugore të Shqipërisë, pothuajse në kufi me Greqinë. Ky park arkeologjik, i shpallur Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, tregon prova të rëndësishme të kalimit nëpër zonën e grekëve, bizantinëve dhe venedikasve, të rrethuar nga bimësi e errët dhe të freskët.

Në gjirin e Butrintit natyra është luksoze, shkurret e gjelbra mbulojnë mure, mermerë, mozaikë, madje fshehin vizionin e qiellit.

Parku Kombëtar i Butrintit është një territor gjeografikisht kurioz, me një ekosistem mesdhetar që përzihet me lagunën tipike. Këtu bregdeti krijon një gji që duket më shumë si një liqen, ai i Butrintit, i ndarë nga deti Jon nëpërmjet kanalit Vivari.

Megjithatë turistët vijnë kryesisht për të parë rrënojat e Butrintit, në zemër të parkut, në një ndërtesë me pamje nga liqeni. Ata janë vendi i vetëm i trashëgimisë botërore në bregdetin shqiptar, një trofe që pret udhëtarin në fund të itinerarit, përmes tokës së shqiponjave, që lë një kujtim të shkëlqyer.

Butrinti është dëshmia e vendbanimeve të ndryshme urbane që vendi ka pasur ndër shekuj dhe është një vizitë e rëndësishme. Atmosfera më e mirë është veçanërisht në orët e para të mëngjesit, mes zhurmave që na zhysin në natyrë, nga e cila papritmas dalin strukturat spektakolare arkitekturore të së kaluarës.

Ata të kujtojnë vendet e fiseve Maja të Amerikës Qendrore, por në një mjedis mesdhetar.

Butrinti e ka origjinën në Greqinë e lashtë dhe ishte i njohur në antikitet për praninë e tempullit “Asclepius’’, i perëndisë së mjekësisë, i cili tërhoqi besnikë nga e gjithë Ballkani.

Butrinti u pushtua nga romakët, bizantinët, venedikasit dhe u sundua nga Ali Pasha deri sa ra në harresë.

Në 1927, një grup arkeologësh italianë filluan të zbulojnë sekretet e tyre. Pasuritë e tij janë “Kulla Veneciane’’, tregu i atëhershëm, palestrat, banjat romake, si dhe teatri romak, ku ende shfaqen dhe organizohen ngjarje kulturore.

Qyteti i vjetër i Himarës
Po në bregdetin Jon, por më në veri, ndodhet qyteti i vogël i Himarës, nga i cili mund të shihet ishulli grek i Korfuzit.

Përveç pjesës së lartë dhe të lashtë të Himarës, ekziston një pjesë tjetër e ulët me shëtitore, që është bërë një nga qytetet më të këndshme bregdetare në rivierë. Në horizont është ishulli i Korfuzit, si dëshmi se sa afër Shqipërisë është Greqia jo vetëm gjeografikisht, por edhe në kulturë.

Në fakt, në Himarë ka një popullsi të vjetër greke që flet greqishten me dialekt ku përdoren shumë fjalë nga greqishtja e lashtë, dialekt që flitet vetëm në Himarë, Mani dhe Kretë.

Jehona e muzikës greke ndihet kudo, po ashtu edhe kuzhina greke me musaka, xaxiqi dhe sallatë greke, ushqime që gjenden në gjitha menutë e restoranteve.

Kruja zemra e Shqipërisë
Ishte kryeqyteti i parë i vendit të shqiponjave, dhe kështu njihet Shqipëria gjerësisht. Dhe, në të vërtetë, Kruja të kujton një fole zogjsh në një shpat të pjerrët, në verilindje të Tiranës.

Ishte selia e Skënderbeut, heroi kombëtar, që drejtoi rezistencën në shekullin XV kundër turqve, tashmë e shndërruar në një muze etnografik kushtuar figurës së heroit të madh shqiptar. Në qytet, pazari i vjetër mbijeton i rrethuar nga ndërtesa moderne, të vogla por aq të bukura sa që mund të përkufizohet si një përqendrim i shpirtit osman.

Kruja është një nga pazaret më të mira në Shqipëri, me rrugën kryesore dhe disa rrugica të rrethuara me shtëpi të ulëta tradicionale, të cilat i rezistojnë blloqeve të betonit që rrethojnë qendrën historike.

Në këtë qytet gjenden edhe disa artizanë, ku mund të bëni blerje kurioze, nga reliket fashiste apo komuniste, deri në disa antikitetet apo fyej druri tradicionalë.

Teqeja e Krujës është veçanërisht e bukur, e ndodhur në një vend piktoresk, nën hijen e një ulliri shekullor. Në rast se do të vizitoni këtë vend, do të ndieni një frymëzim, pasi Kruja shkakton nostalgji për kohën e kaluar.

Shkodra e rafinuar
Shkodra, kryeqyteti kulturor i Shqipërisë, është qyteti më europian në vend, një vend i rafinuar dhe në të njëjtën kohë popullor, që befason me rendin arkitektonik të rrugëve, në kontrast me kaosin përreth dhe me modernitetin e muzeut fotografik.

Vendi befason me Xhaminë e Plumbit, që mbizotëron në rrafshin e Shkodrës, nën hijen e kalasë së madhe të Rozafës dhe për birraritë me tarraca në bregun e liqenit të Shkodrës.

Në rrugët e këmbësorëve, ka ndërtesa elegante të shekullit XIX dhe madje një kafene e famshme e stilit të Europës Qendrore, “Cafè Grand”, një monument kulture dhe simbol i qytetit, që përgjatë shekullit XIX ishte vend takimi për intelektualët dhe atdhetarët.

Duke vizituar Shkodrën ndihesh pothuajse në shtëpi, por mos u mashtroni. Është pikërisht në veri që shqiptarët kanë gjetur izolimin e nevojshëm për të shpëtuar nga sundimi i huaj dhe kanë forcuar identitetin e tyre.

Muzeu i fotografisë “Marubi’’ është gjithashtu një muze historie që gjurmon epokën e familjes homonime, me origjinë italiane, që mbërriti këtu në mesin e shekullit XIX në kërkim të azilit.

Ajo që ata gjetën, ishte një vend i ndërtuar në mesjetë, të cilin filluan ta fotografojnë, duke i dhënë jetë pamjeve që kapin në mënyrë të përsosur peizazhe, tradita, aristokraci, zakone popullore dhe me pak fjalë, jetë shqiptare.

Por monumenti më i rëndësishëm i Shkodrës është padyshim kalaja e Rozafës, një nga atraksionet kryesore historike të Shqipërisë. Ju mund ta shihni nga kilometra larg dhe nga brenda keni një pamje që shtrihet në det, me liqenin e madh, rrjedhën e lumenjve, Buna dhe Drin dhe fushat e Shkodrës.

Ekskursione në Alpet Shqiptare
Edhe pse në Shqipëri ka dete dhe qytete interesante, thelbi i vërtetë i popullit shqiptar qëndron në male. Në luginat e pjerrëta dhe të paarritshme të verilindjes së vendit, gjendet shpirti i shqiptarëve, ku identiteti i tyre është ruajtur me shekuj.

Ai është gjithashtu vendi ku natyra ka fytyrën e saj më të mirë, peizazhe të gjera të virgjëra, lumenj që gërmojnë kanione të thella, liqene të kaltra dhe pyje shekullorë.

Thesaret e vërteta të trashëgimisë mjedisore fshihen në qoshet më të largëta të Alpeve shqiptare, në një mjedis pothuajse të egër. Aty mund të lundrosh në një fjord, të kurorëzosh kreshtën e një mali ose të nisesh në kërkim të kullës (kulla të fortifikuara mesjetare) në mes të një natyre pothuajse primitive, të zbukuruara me minare dhe ura osmane.

Ka edhe vende si Thethi ku nuk është e lehtë të arrihet. Por përpjekja për t’i vizituar këto vende shpërblehet, sepse jo vetëm hyrja në një rajon të largët dhe të egër të Europës.

Alpet e Thethit janë pikënisja për ekskursione të shumta në Alpet shqiptare, njëra prej të cilave, përmes shtigjeve që përshkojnë malet, nga ku mund të shkohet në luginën e Valbonës.

Kepi i Rodonit, atraksioni i të gjitha ngjyrave
Gjiri i Kepit të Rodonit, në bregdetin Adriatik të Shqipërisë, ka ujëra të kaltra dhe të gjelbra, ku kodrat e buta fundosen midis bunkerëve të ndryshkur dhe kishave të vjetra.

Ndoshta për shkak të vendndodhjes së largët, qetësisë që merr frymë ose limaneve të vogla gjysmë të fshehura, Kepi i Rodonit është destinacioni i preferuar i fundjavës për shqiptarët e zonës.

Në këtë vend janë gjetur relike të anijeve ilire 2 300-vjeçare që konfirmojnë të kaluarën e rajonit. Plazhi më i famshëm është gjiri i Lalzit, një shtrirje e jashtëzakonshme e rërës që kufizohet me fusha dhe kodra.

Plazhet janë të pajisura mirë dhe rrugët janë të shtruara. Ky vend është shumë tërheqës për qytetarët e Tiranës dhe Durrësit në periudhën e verës.

Korça – Parisi i Shqipërisë
Qyteti i Korçës, në juglindje të vendit, njihet nga shqiptarët si “Parisi i Shqipërisë’’, sepse intelektualët që jetuan aty në fillim të shekullit XX, e pajisën atë me atmosferë kulturore dhe kozmopolite.

Korça, e rrethuar nga peizazhe që ndryshojnë në mënyrë drastike sipas stinëve, është qyteti më lindor në Shqipëri, si në aspektin gjeografik ashtu edhe kulturor.

Personat, të cilët vijnë për herë të parë në këtë qytet, befasohen nga përzierja e aromave dhe tingujve, veçanërisht të forta në pazar, ku gërshetimet e tregtarëve dhe klientëve ndërthuren me tingujt metalikë të tepsive të aluminit në të cilat shërbehet byrek.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar paraqet thesaret e ruajtura në kishat e afërta të Voskopojës dhe në qytet zhvillohet një festë për nder të birrës që mban emrin e qytetit dhe gatime tipike si lakrori.

Atmosfera në Korçë është unike, me shtëpi të restauruara në zonën e vjetër të qytetit, me një xhami dhe një katedrale ortodokse, që shënojnë përkatësisht përzierjen myslimane dhe ortodokse të vendit./atsh

Media prestigjioze spanjolle: Shqipëria sekreti i fundit i Europës Read More »

Vokshi: Ta përdorim fuqinë, mençurinë dhe sakrificën tonë të përditshme për të sjellë ndryshimin

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi tha sot se 8 marsi është dita kur gruaja është në qendër të vëmendjes, por nuk mjafton vetëm duke thënë gëzuar duhet ndryshim.

Vokshi shton se, “ne jemi të lumtura, kur na urojnë, kur na dhurojnë lule, kur fëmijët na kushtojnë një vizatim frymëzues plot ngjyra. E gjithë bota është e jona për disa minuta, por ne e dimë se kjo nuk mjafton. Vetëm duke thënë “Gëzuar Ditën e Gruas” nuk vjen asnjë ndryshim”.

Po ashtu Vokshi shprehet se varfëria, përjashtimi, diskriminimi, dhunimi mbeten aty si kërcënimi më i madh i dinjitetit të gruas.

“Ne duhet të veprojmë! Ne nuk kemi nevojë për mëshirë! Na duhen mundësi reale dhe liri e vërtetë për të marrë vendimet e duhura për vete dhe fëmijët tanë! Këto mundësi nuk vijnë dot nga një qeveri që përdor gratë si fasadë, por nuk investon për shëndetin më të mirë të grave, të arsimimit më të mirë të tyre dhe, për rrjedhojë, as të punësimit të grave me vende të mirëpaguara. Në duhet t’i krijojmë vetë mundësitë tona, duke nisur me ndryshimin e atyre që na qeverisin! Le ta përdorim fuqinë, mençurinë dhe sakrificën tonë të përditshme për të sjellë ndryshimin! Ndryshimi nis me gratë! Ndryshimi jemi ne!”, thekson ajo./atsh

Vokshi: Ta përdorim fuqinë, mençurinë dhe sakrificën tonë të përditshme për të sjellë ndryshimin Read More »