Irina

“Paniku më i dëmshëm se sa vetë virusi”/Gjata apel qytetarëve: Zbatoni masat, e domosdoshme të ulim në minimum shkallën e infektimit

“Paniku është më i dëmshëm se sa vetë virusi”, deklaroi sot Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata.

Në një intervistë televizive, Gjata bëri thirrje që të mos ketë përhapje të lajmeve të rreme, sidomos në rrjetet sociale.

“Për mua paniku është më i dëmshëm më shumë se sa virusi. Pjesa më e madhe medieve kanë treguar profesionalizëm. Ndërsa rrjetet sociale të mos bëjnë fake news. Ndërsa klasa politike duhet të ketë një konvergjencë, që të bëhet sa më e kalueshme si situatë. Fatmirësisht pacientët momentalisht nuk kanë nevojë për ndihmë respiratore. Personale mjekësor është më i ekspozuari, dhe nëse infektohen mund të kesh mungesë personeli. Po ashtu është trajnimi i tyre. Infektivi mund të paraqitet deri të pacientët që nuk kanë probleme respiratore, sepse ata nuk kanë kompetencat e mjaftueshme”, tha Gjata.

I pyetur në lidhje me pajisjet në infektiv, Gjata tha se, “ pajisjet e infektivit dhe pajisjet bazë të domosdoshme janë gati dhe gjithashtu ekziston mundësia e diagnostifikimit. Di që kjo skema e telefonatës nga shtëpia dhe vet izolimi në shtëpi, marrja e analizës në shtepi me tampon janë udhëzime të OBSH”.

“Është e domosdoshme të ulim në minimum shkallën e infektimit të popullatës. Sa më shumë të ulim infektimin aq më e lehtë do jetë për sistemin shëndetësor ta përballojë situatën”, tha ai.

“Do të doja shumë që në mënyrë të përsëritur të ftoja mediat që t’i bënin thirrje publikut të zbatojë ato rregulla të thjeshta për shmangien e përhapjes së sëmundjes. Janë rregulla të thjeshta, të cilat nuk ja vlen t’i përsërisim. Që nga larja e duarve, dhe me radhë. Janë shumë të rëndësishme”, tha Gjata./atsh

“Paniku më i dëmshëm se sa vetë virusi”/Gjata apel qytetarëve: Zbatoni masat, e domosdoshme të ulim në minimum shkallën e infektimit Read More »

Pensionet do të shpërndahen nga Posta Shqiptare në adresat e pensionistëve pa asnjë kosto

Pensionet do të shpërndahen nga Posta Shqiptare në adresat e pensionistëve pa asnjë kosto.

Posta Shqiptare, në funksion të menaxhimit të situatës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, bën të ditur për të gjithë pensionistët se zyrat e pensioneve do të jenë të mbyllura, deri në një urdhër të dytë.

Posta thekson se, “pensionet do të shpërndahen nga Posta Shqiptare në adresat e pensionistëve pa asnjë kosto”.

“Pensionistë, janë të lutur të depozitojnë numrin e telefonit, adresën e saktë dhe Nr.ID ose fotokopje të kartës së identitetit, në kutinë postare pranë zyrës ku ata tërheqin pensionin”, nënvizon Posta.

“Në çdo zyrë postare do të afishohen numra kontakti për çdo informacion të nevojshëm rreth shpërndarjes së pensioneve”, bën të ditur Posta Shqiptare.

Posta Shqiptare fton të gjithë të kontaktojnë për çdo pyet/atsh

Pensionet do të shpërndahen nga Posta Shqiptare në adresat e pensionistëve pa asnjë kosto Read More »

COVID-19/ Reduktim i tavolinave në gjithë restorantet dhe klubet

Qeveria shqiptare ka përforcuar masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se, është e domosdoshme që të gjithë restorantet dhe klubet të garantojnë një modifikim të numrit të tavolinave, duke krijuar një distancë dy metra nga njëra tavolinë tek tjetra.

“Nuk është pjesë e kësaj dite, të kësaj faze, që ne të mbyllim restorantet apo klubet, por është e domosdoshme që të gjithë restorantet dhe klubet të garantojnë një modifikim të numrit të tavolinave, duke krijuar një distancë dy metra nga njëra tavolinë, tek tjetra. Këtë nuk e kemi shpikur ne. Unë nuk do doja kurrë të thoja gjëra që në kohë të tjera do dukeshin qesharake, por janë aq serioze sa nuk ka më. Është njësoj si të shmangesh nga plumbi. E njëjta gjë. Nuk janë gjobat, gjëja që ne mendojmë se është e para. Vendet e tjera, vende demokratike, vende të BE-së kanë vendosur gjoba marramendëse. Në Republikën Çeke paguan 100 mijë euro, i marrin edhe shtëpinë dikujt që del nga shtëpia, pasi ka ardhur nga një nga vendet e prekura”, tha Rama.

“Por ne jemi të vetëdijshëm që këtu është nevoja për t’u bërë bashkë. Këtu është nevoja që secili të bëjë detyrën e vet. Ne do bëjmë detyrën, unë do bëj detyrën, edhe si kryeministër, edhe si individ, edhe si familjar, edhe si prind dhe si biri i një nëne të sëmurë. Por pas kësaj, sigurisht do të ketë dhe sanksione, sepse, kur të thonë ke ardhur nga një zonë e prekur, apo ke pasur një kontakt me dikë, – e thashë në fillim, 8 prej të prekurve janë kontaktet e një burimi, nga 10 që kemi, – atëherë duhet ta respektosh për veten tënde e për familjarët e tu. Në 14 ditë, Izraeli ka mbyllur 100 000 vetë në shtëpi. 100 000 qytetarë izraelitë janë mbyllur nëpër shtëpi 14 ditë dhe nëse dalin, shkojnë drejtpërsëdrejti në burg. Këtu besoj që duhet të mirëkuptohemi e do respektojmë shumë jetën dhe të drejtën e atyre që janë më të rrezikuarit, që të mbrohen dhe nga ne. Është e vërtetë, prek më të moshuarit, ata që janë më të sëmurë, por ne nuk mund të bëjmë asnjë shaka. Frikë, fare! Ndërsa kujdes, po! Maksimal!” – tha Rama./atsh

COVID-19/ Reduktim i tavolinave në gjithë restorantet dhe klubet Read More »

5 hapat për personat që shfaqin shenjat e COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar 5 hapat kryesorë për personat që shfaqin shenjat e COVID-19.

Këshilla për personat që shfaqin shenjat e COVID-19.

Hapi i parë: Mos shkoni pranë qendrës suaj shëndetësore, urgjencës apo farmaci.

Hapi i dytë: Kontaktoni 127

Hapi i tertë: Mund t’iu kërkohet të vetëizoloheni.

Hapi i katërt: Përgjigjuni pyetjeve që do t’iu bëjë mjeku në telefon.

Hapi i pestë: Një skuadër e pajisur mund t’iu kryej testin për COVID-19

Hapi i gjashtë: Ndiqni këshillat e mjekut si të veproni më tej./atsh

5 hapat për personat që shfaqin shenjat e COVID-19 Read More »

Koronavirusi/Nuk ka prova që ushqimi është një burim apo rrugë transmetimi

Autoriteti Europian i Sigurisë së Ushqimit (EFSA) po monitoron nga afër situatën në lidhje me shpërthimin e sëmundjes koronavirus (COVID-19) që po prek një numër të madh vendesh në të gjithë globin.

Aktualisht nuk ka asnjë provë që ushqimi është një burim ose rrugë e mundshme e transmetimit të virusit.

Shkencëtarja e EFSA-s, Marta Hugas, shprehet se përvojat nga shpërthimet e koronaviruseve të mëparshëm, të tilla si koronavirusi i sindromës së rëndë respiratore akute (SARS-CoV) dhe koronavirusi i sindromës së frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS-CoV), tregojnë se nuk ndodhi transmetimi përmes konsumit të ushqimit.

“Për momentin, nuk ka prova që të sugjerojnë se koronavirusi është i ndryshëm në këtë drejtim”, tha ajo.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) thotë se ndërsa kafshët në Kinë ishin burimi i mundshëm i infeksionit fillestar, virusi po përhapet nga personi në person – kryesisht nga pikat e frymëmarrjes që njerëzit thithin, kolliten ose nxjerrin.

Shkencëtarët dhe autoritetet në të gjithë botën janë duke monitoruar përhapjen e virusit dhe nuk ka pasur raporte të transmetimit përmes ushqimit.

Për këtë arsye, EFSA aktualisht nuk është e përfshirë në përgjigjen ndaj shpërthimeve të COVID-19. Sidoqoftë, po monitorojnë literaturën shkencore për informacion të ri dhe të rëndësishëm.

Lidhur me sigurinë e ushqimit, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka lëshuar rekomandime paraprake duke përfshirë këshilla për ndjekjen e praktikave të mira të higjienës gjatë trajtimit dhe përgatitjes së ushqimit, siç është larja e duarve, gatimi i mishit në tërësi dhe shmangia e kontaminimit të mundshëm ndër ushqime të gatuara dhe të pjekura. /atsh

Koronavirusi/Nuk ka prova që ushqimi është një burim apo rrugë transmetimi Read More »

Koronavirusi/ Rama publikon postimin e Trump: Frikë aspak, kujdes shumë

“Frikë aspak, kujdes shumë” deklaroi sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një prononcim të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, lidhur me situatën nga koronavirusi.

Kryeministri theksoi se “ky prononcim nuk duhet lexuar kurrsesi si një ftesë për moskokëçarje, por thjesht si një fakt për të mos humbur qetësinë e kthjelltësinë”.

“Vitin e shkuar 37.000 amerikanë humbën jetën nga gripi i zakonshëm. Mesatarja vjetore e vdekjeve nga gripi (SHBA) është mes 27.000 dhe 70.000 në vit. Asgjë nuk ndalet, jeta dhe ekonomia vazhdojnë. Në këtë moment janë konfirmuar 546 raste të koronavirus dhe kanë humbur jetën 22 persona. Mendojeni pak!”, thuhet në prononcimin e Trump lidhur me koronavirusin, të cilin e shpërndau Kryeministri Rama./atsh

Koronavirusi/ Rama publikon postimin e Trump: Frikë aspak, kujdes shumë Read More »

Koronavirusi/ Ngrihet infrastruktura për shërbimin e karantinës në “Shtëpinë e pushimit”, në Durrës

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për marrjen e masave për ngritjen e infrastrukturës për shërbimin e karantinës dhe për një shtesë fondi në buxhetin e miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.

Në mbledhjen e sotme, qeveria vendosi caktimin e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve të FARSH-it, prona nr.231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

Po ashtu, u caktua Ministria e Mbrojtjes si autoritet kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit për rikonstruksionin e objektit prona nr. 231, me emërtim “Shtëpia e pushimit të ushtarakëve”, me vendndodhje në Plepa, Durrës, për përshtatje si infrastrukturë karantine; blerje mallrash/pajisjesh për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës;
sigurimin e ushqimit të gatuar sipas nevojave; sigurimin e shërbimit të lavanderisë.

Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020, i shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 lekësh dhe 11 milionë lekësh.

Efektet financiare të këtij vendimi përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.

Ministria e Mbrojtjes do të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve dhe kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale duhet të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psiko-social për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi. /atsh

Koronavirusi/ Ngrihet infrastruktura për shërbimin e karantinës në “Shtëpinë e pushimit”, në Durrës Read More »

COVID-19/ Largoni frikën dhe informohuni nga burime zyrtare, Rakacolli: Shqipëria i ka kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë

“Shqipëria i ka të gjitha kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë”, deklaroi sot gjatë një interviste televizive zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

“Unë e them me bindje që ne i kemi kapacitetet për të përballuar këtë situatë. E them me bindje, sepse është një gjë që ne e kemi menduar. Fatmirësisht ardhja në Shqipëri dy muaj pasi epidemia vazhdonte në Kinë, na dha kohë që të përgatiteshim, që ta njihnim më mirë se si zhvillohej virusi dhe na dha kohë të përfitonim dhe nga masat që kanë marrë vendet e tjera rreth nesh. Pra ne i kemi bërë përllogaritjet në bazë të parimeve të epidemiologjisë dhe mendojmë që Shqipëria i ka të gjitha kapacitete për ta përballuar këtë sfidë”, – tha Rakacolli.

Mbi dy rastet e konfirmuar me COVID-19 Rakacolli tha se, “kontakteve të afërta të dy të infektuarve me COVID-19 janë marrë mostrat që mbrëmë. Përgjigjen e analizave të tyre nuk mund ta di, mund të jetë çështje minute, apo çështje ore. E rëndësishme është që ato akoma nuk kanë mbaruar dhe akoma nuk e kemi informacionin, sapo ta kemi në dorë, informacioni do bëhet menjëherë publik”.

Gjithashtu Rakacolli theksoi se personeli ynë shëndetësor dhe sistemi ynë shëndetësor është i aftë ta përballojë edhe këtë.

“Shërbimi ynë shëndetësor ka kaluar disa prova të tilla epidemish: poliomelitin, fruthin vitin e kaluar dhe gripin para dy vitesh, që ishte një grip shumë i fortë që pati dhe vdekje në mosha të reja dhe numri i vdekjeve në Shqipëri ishte pak më ulët se numri i vdekjeve në Europë. Prandaj e themi me bindje që personeli ynë shëndetësor dhe sistemi ynë shëndetësor është i aftë ta përballojë edhe këtë”, – tha Rakacolli.

Mbi mjekimet e rasteve me COVID-19, Rakacolli shpjegoi se, “përderisa nuk dihet akoma një medikament që të veprojë specifikisht për këtë virus, kurimi bëhet me ato preparate që ulin temperaturën, që ulin inflamacionin, pra mjekim specifik nuk ka”.

“Disa vende kanë tentuar dhe provuar disa medikamente antiviral të cilët ne ato fatmirësisht i kemi. Nëse shërbimi infektiv në protokollin e bërë gjykon që do përdoren këto medikamente ne i kemi disponibël”, – vijoi ajo.

Gjithashtu Rakacolli apeloi se nuk duhet pasur frikë, thjesht duhet të informohemi nga burime zyrtare dhe mos biem pre e infodemisë.

“Në botë deri tani kanë vdekur 500 mijë veta nga gripi vetëm në këtë periudhë, por fakti është që të tremb gjithmonë më shumë gjëja e panjohur. Pra është frika nga e panjohura dhe kjo është normale, por frika duhet të shoqërohet jo me panik, po me marrje informacioni. Marrja e informacionit në burime zyrtare dhe në vende të sigurta ta largon dhe frikën. Fatkeqësisht bien shumë shpesh pre e asaj që i themi infodemi”./atsh

COVID-19/ Largoni frikën dhe informohuni nga burime zyrtare, Rakacolli: Shqipëria i ka kapacitetet për ta përballuar këtë sfidë Read More »