Irina

Pipero: Koronavirusi shkatërrohet shumë shpejt nga uji e sapuni, me kurajo nga qytetarët e mjekët do ia dalim

Doktori Pëllumb Pipero këshilloi sërish mbrëmjen e sotme, qytetarët që të mund të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të lajnë duart me ujë dhe sapun, shumë shpesh.

Ai theksoi se virusi mund të shkatërrohet nëse duart lahen shpesh dhe nuk preken hunda, goja apo sytë.

“Ka njerëz që dalin nga shtëpia që takohen. Unë do t’i këshilloja në këtë situatë që sa herë prek një objekt, bën një punë menjëherë të lahen duart me ujë dhe sapun. Është virus me peshë të madhe molekulare. Transmetohet me spërklat e pështymës, shkatërrohet shumë shpejt nga uji dhe nga sapuni. Por merret përmes spërklave ose me dorën kur ndodh që një objekt të ndotet, në gojë, në hundë apo në sy. Pra, nuk ka rrugë tjetër transmetimi të sëmundjes, e njohur deri tani’, -tha Pipero.

I pyetur nëse ndjehen mjekët dhe infermierët të rrezikuar, Pipero u shpreh se “ne jemi njerëz dhe në praktikën tonë të përditshme mund të bëjmë edhe gabime që na kushtojnë sëmundjen, shpesh edhe jetën. Faktet janë kokëforte dhe kemi parë qindra doktorë të infektuar, në Itali gjithashtu, tek ne kemi prapë mjekë. Pra, ndodh kjo kur je me pacientin dhe nuk ke të dhëna që ai ka pasur kontakte dhe është infektuar dhe ky është një gabim që ka ndodhur shpesh. Por, ne jemi shumë të ekspozuar, çdo ditë të ekspozuar dhe çdo gabim në veshjen apo zhveshjen e atyre maskave të kushton infeksionin. Kemi frikë por jemi të kujdeshëm, frika është njerëzore. Të mos kesh frikë më duket shumë logjike, shumë normale. Kemi frikë por kemi shumë kujdes. Me shumë mirëkuptim nga qytetarët dhe me pak kurajo që buron nga brenda nesh për t’iu shërbyer pacientëve me përkushtim, do t’ia dalim mbanë”.

Pipero po ashtu tha se lidhur me punonjësit e call centerave se “unë do të rekomandoja në këtë situatë, ato duhet medoemos të ndërpresin punën. Janë shumë njerëz që grumbullohen në një vend. Nuk ka asnjë mundësi për të parandaluar në mjedise të përbashkëta, transmetimin e virusit. Është gabim i rëndë që vazhdojnë të jenë në punë akoma. Nuk duhen lejuar”/atsh

Pipero: Koronavirusi shkatërrohet shumë shpejt nga uji e sapuni, me kurajo nga qytetarët e mjekët do ia dalim Read More »

Gjata: Mundësia më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi

– Koordinatori Kombëtar i taskforcës për Burimet Njerezore, njëherazi Rektor i Universitetit të Mjekësise, Arben Gjata u shpreh se masat që janë marrë në zbatim të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kapacitetet e spitaleve tona, kanë mundësnë e përballimit të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Gjatë një interviste televizive, Gjata tha se “janë krijuar dy taskforca një prej të cilave merret me koordinimin e shërbimit të anestezive në rang kombëtar dhe tjetra është për burimet njerëzore. Kemi filluar një program trajnimi për të gjithë stafin spitalor, në mënyrë që të dimë se kush janë shenjat dhe të mos jemi të papërgatitur”.

Duke folur për situatën aktuale, ai tha se, “në reanimacion janë tre persona. Qëndrimi im ka qenë për masa ekstreme që ditën e parë, të cilat sot janë të tilla dhe po zbatohen nga të gjithë, me përjashtim të atyre hallkave që janë të domosdoshme për t’ i shërbyer shoqërisë, si furrat e bukës apo njësitë e fruta-perimeve. Mundësia e vetme dhe më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi”.

Gjithashtu ai shpjegoi se maskat e thjeshta kirurgjikale nuk janë për të mbrojtur personin, por janë për të mbrojtur të tjerët.

Gjata u shpreh se, Shqipëria ka 9 mijë shtretër dhe shërimi i të prekurve kërkon tre javë.

Ndërsa, përsa i takon zgjedhjeve në universitet të parashikuara për t’u mbajtur më 8 maj, Gjata tha se ato do të shtyhen në një moment të dytë për shkak të situatës./atsh

Gjata: Mundësia më e mirë që ka Shqipëria është që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi Read More »

Mbyllja e aktiviteteve prodhuese tani do të ishte vetëvrasje e një populli të tërë, Rama: Nuk ka për të ndodhur

Mbyllja e të gjitha aktiviteteve prodhuese është njësoj si t’i heqësh pas 3 muajsh gjithë Shqipërisë aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë dhe kjo nuk ka për të ndodhur”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Ai u kërkoi qytetarëve që të zbatojnë ligjin special, Aktin Normativ për masat kundër përhapjes së koronavirusit.

“Të dashur qytetarë, koha që po kalojmë është një luftë botërore nervash ku kush nguron të bëjë gjënë e duhur, dhe kush ndalon lirinë e fjalës me detyrim për të zbatuar këshillat, kush dorëzohet e paguan nesër shtrenjtë. Ju kërkoj vetëm të bëni durim dhe të dëgjoni lutjen për të mirëkuptuar për masën e jashtëzakonshme të vështirësisë”, tha Rama.

Rama tha se “të bombarduar me gjithëfarë lajmesh, qytetarët kanë të drejtë të ankohen dhe të acarohen por askush nuk ka të drejtë të vendosë në diskutim dobinë jetike dhe të shkelë ligjin special që më ka rënë mua barra t’ua komunikoj”.

“Askush nuk e di sa mund të zgjasë kjo luftë. Ju lutem ta kuptoni se të mbyllësh aktivitetin prodhues është si të heqësh aparatin e frymëmarrës Shqipërisë. Vendimi nuk do të thotë sakrifikim i shëndetit të atyre që duhet të shkojnë në punë. Ne ishim të parët që mbyllëm shkollat. Asnjë vend nuk e ka përfshirë pjesën kritike të zinxhirit ekonomik të planit drastik të kufizimit, as Italia nuk i ka mbyllur fabrikat, as Izraeli”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “koha që po kalojmë është një luftë botërore”. “Dikush që ngurron të bëjë gjënë e duhur sot për të zbatuar këshillat dhe urdhrat, që në kohë normale tingëllojnë si fjalë që vijnë nga çmendina e paguan, aq shtrenjtë sa nuk do të donte ta provonte”, tha Rama.

Rama tha se “kjo nuk do të jetë një luftë e shkurtër që do mbarojë në një fundjavë apo në 1 dhe 2 javë”. “Askush nuk e di as në botë sa mund të zgjasë kjo luftë. Të gjithë tani po pranojnë dhe po i nënshtrohen të vetmit ilaç për të lehtësuar plagët e mëdha dhe ulur plagët e viktimave të pashmangshme të këtij virusi: kufizimi drastik i lirisë sonë të lëvizjes dhe distancimi gati absurd social”, tha Rama.

Ai theksoi se “sfida është jo vetëm se si të mbyllin rrugët e komunikimit, por të garantojmë që paslufta të mos jetë pa rrugëdalje drejt humnerës ekonomike”.

“Sikur pagesat e ujit, dritave, rrogave të atyre që nuk kanë burim tjetër etj. të mos vareshin nga paratë që prodhon zinxhiri ekonomik i vendit duhet të varesha nga këmbët në Sheshin ‘Skënderbej’ për mosmbylljen e të gjitha aktiviteteve prodhuese. Por është njësoj si t’i heqësh gjithë Shqipërisë pas 3 muajsh aparaturën e frymëmarrjes së drejtuar dhe kjo do të ishte vetëvrasja e drejtuar e një populli të tërë. Kjo nuk ka për të ndodhur. Kush nuk e kupton le të më shajë, nuk ka problem, mjafton të mos shkelë rregullat që i takojnë si individ”, tha Rama.

Ai theksoi se Shqipëria është në rreshtin e parë të vendeve që mbylli shkollat dhe mori masa drastike./atsh

Mbyllja e aktiviteteve prodhuese tani do të ishte vetëvrasje e një populli të tërë, Rama: Nuk ka për të ndodhur Read More »

Vlonjati ofron ndihmën e tij: ‘Meqënese e ndjej veten shumë mirë me imunitet të fort.Jam i gatshëm të ndihmoj si vullnetar…’

Qytetari nga Vlora Arben Abazaj ofron ndihmën e tij si vullnetar në këtë situatë të vështirë që po kalon vendi ynë për shkak te virusit covid-19.

“Jam i gatshem te ndihmoj si vullnetar nese do duhej te ndihmoheshin njerezit ne nevoje ne keto raste!’- shkruan qytetari në faqen e tij në facebook.

Statusi:

Meqenese e ndjej veten shume mire me imunitet te fort, po ashtu edhe te gjitha analizat, perfshi edhe checkup, me nxoren shume mire ne te gjitha organet, ( para dy muajsh te kryera), jam i gatshem te ndihmoj si vullnetar nese do duhej te ndihmoheshin njerezit ne nevoje ne keto raste!

Uroj qe dikush nga autoritetet ta lexoje!
Deri me tani ka folur vetem kryeministri dhe me ate jemi marre, virusi ende s’ka folur, nuk di nese do kemi po kaq vullnet e humor kur virusi te flas vertet!

K.A
@laberianews

Vlonjati ofron ndihmën e tij: ‘Meqënese e ndjej veten shumë mirë me imunitet të fort.Jam i gatshëm të ndihmoj si vullnetar…’ Read More »

Rama: Pas orës 18.00 ndalohet lëvizja me këmbë në gjithë territorin, gjoba edhe për ata që ulen në parqe

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “duke nisur nga sot, çdo ditë në vijim pas orës 18.00 do të ndalohet edhe lëvizja me këmbë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”.

“Nga nesër, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë do të hyjnë në fuqi gjoba edhe për këmbësorët dhe për ata që ulen në parqe apo mjedise të tjera të hapura. Ndjesë 1000 herë, po s’ka rrugë tjetër për ta fituar këtë luftë, ku askush përveç atyre që shërbejnë në strukturat kritike të shtetit dhe atyre që punojnë në hallkat themelore të zinxhirit ekonomik të vendit, nuk duhet të dalë nga shtëpia përveçse për nevojat bazë të furnizimit me ushqim apo ilaçe”, tha Rama.

Ai theksoi se “shëtitjet nuk janë domosdoshmëri jetike në këtë kohë lufte dhe uljet nëpër parqe janë të palejueshme”.

“Më shani e talluni me mua sa të doni, s’ka asnjë problem, po mos diskutoni dhe aq më keq thyeni rregullat! Frikë aspak, po kujdes po! Deri në fund! Kjo nuk është lojë kukafshehthi që mbaron kur duam ne, po luftë që ne do ta fitojmë vetëm duke i bërë me vullnet të hekurt të gjitha këto që nuk duam”, tha Rama./atsh

Rama: Pas orës 18.00 ndalohet lëvizja me këmbë në gjithë territorin, gjoba edhe për ata që ulen në parqe Read More »

Mjeku Ylli: Shqipëria ndodhet pranë fazës së dytë të përhapjes së COVID-

Mjeku epidemiolog Alban Ylli tha sot se përhapja e COVID-19 kalon në dy faza dhe Shqipëria ndodhet pranë fazës së dytë.

Në një lidhje direkte për një studio televizive, Ylli komentoi situatën e krijuar në vend, pas përhapjes së COVID-19.

Faza e parë, sipas tij, dyfishon numrin e të infektuarve çdo pesë ditë, kurse faza e dytë thekson doktori rrit eksponencialisht në çdo dy apo tri ditë numrin e të infektuarve.

Ai theksoi se shteti fqinj i Italisë dhe shumë vende të Europës Perëndimore ndodhen aktualisht në fazën e dytë.

Sipas epidemiologut, Shqipëria ndodhet shumë pranë fazës së dytë, por beson fort në faktin se masat e aplikuara prej autoriteteve për distancimin social do të japin impakt pozitiv në uljen e kurbës së epidemisë.

“Duhet të theksojmë se çdo epidemi në secilin vend ndjek linja karakteristike, por megjithatë ka diçka që i bashkon ato. Pas fazës së parë, ku rastet fillojnë të përhapen në popullate me një ritëm, i cili dyfishohet çdo pesë ditë, vjen një fazë e dytë që quhet faza eksponenciale e epidemisë gjatë të cilës rastet dyfishohen çdo dy apo tri ditë. Pra, kjo është faza ku ndodhet sot Italia dhe shumica e vendeve të Europës Perëndimore”, tha ai.

Sipas Yllit, “Shqipëria duket se është afër kësaj faze, por unë shpresoj që masat drastike të marra në vendin tonë për distancimin social kanë filluar në kohën e duhur”.

“Ndoshta ne do të kemi mundësi të shohim një qarkullim më të ngadalësuar të virusit dhe zbutje të kurbës se epidemisë, nga njëra ana për të shpëtuar jetën e individëve dhe për të ulur stresin mbi sistemin shëndetësor”, tha ai.

Gjithashtu mjeku ka dhe një apel të fortë për të gjithë qytetarët, ku kërkon prej tyre respektimin me rigorozitet të të gjithë rregullave të caktuara nga autoritetet shtetërore

“Është thelbësore për sot të zbatohen masat, sepse kjo do të bëjë të mundur që kurba e epidemisë në Shqipëri do të ndjekë një profil të ndryshëm nga ajo që vihet re në Itali”, shtoi ai.

Ylli tha se “nga ata që janë konfirmuar me COVID-19 në Shqipëri, ka një lidhje të qartë me epideminë italiane, në shumicën dërrmuese ata janë të lidhur me epideminë italiane dhe ende duket se virusi nuk ka filluar qarkullimin intensiv në popullatën shqiptare”.

I pyetur lidhur me kapacitetin e testimeve në Shqipëri, Ylli tha se në fazën në të cilën ndodhemi, nëse do të shohim treguesit, Shqipëria ka një ritëm testimi të ngjashëm me Italinë. “I rëndësishëm është niveli i pozitivëve mes atyre që testohen, ne e kemi të ngjashëm me Italinë dhe e kemi mes 7-8%, SHBA e kanë rreth 20%. Nuk e besoj se do të jetë e nevojshme në këtë fazë që Shqipëria të ndjekë modelin e Koresë së Jugut, ku është kryer testimi masiv i popullatës ku 99% apo 98.5 % e të testuarve dilnin negativë”, tha ai.

Për fazën në të cilën ndodhemi, Ylli tha se testimi është i arsyeshëm. “Me zhvillimin e mëtejshëm të epidemisë Shqipëria do të adaptohet si nga pikëpamja e stokut të kiteve, por edhe nga pikëpamja e ndjekjes së rasteve në terren. Epidemiologët janë duke kryer gjurmim të rasteve, janë duke identifikuar mbi 50% të kontakteve dhe duket se kjo ka dhënë efektin e vetë nga pikëpamja e testimit dhe një frenim fillestar të qarkullimit të rasteve të ardhura nga Italia”, tha ai.

Mjeku epidemiolog tha se “asnjë vend në botë nuk besoj se do të kalojë lehtësisht një epidemi të kësaj natyre, ku sistemi i vetë shëndetësor nuk do të ketë asnjë problem”.

“Sistemi shëndetësor pa dyshim do të vendoset nën stres. Unë besoj nga përvojat e kaluara të vendet e tjera, që e kanë kaluar këtë epidemi, Shqipëria me sistemin e vetë shëndetësor ka një aftësi për t’u adaptuar në kohë me kriza të tilla, emergjenca të tilla. Ndaj kam besim se Shqipëria do të adaptohet në kohë me krizën para së cilës ndodhemi dhe do të përballoj me kujdesin e nevojshëm klinik dhe të ndihmës respiratore për të gjithë personat që do të kenë nevojë”, tha ai.

Ylli theksoi se të gjithë sistemet shëndetësore në botë janë të mbushura me stres, ndaj dhe individët që kanë shenja të lehta nuk është e nevojshme të kërkojnë ndihmën mjekësore”./atsh

Mjeku Ylli: Shqipëria ndodhet pranë fazës së dytë të përhapjes së COVID- Read More »

Braçe apel qytetarëve: Qëndroni në shtëpi në këto javë kritike

Zëvendëskryeministri Erion Braçe ju bënë apel qytetarëve të rrinë në shtëpi në javët më kritike, ku të tjerë njerëz mund të dalin të infektuar nga koronavirusi dhe të tjerë njerëz mund të infektojnë.

Braçe shprehet se “diell, por është java më e vështirë e mundshme. Koha e inkubacionit përputhet me këtë javë, kjo mund të sjellë të tjerë njerëz të infektuar dhe ata mund të infektojnë edhe më shumë njerëz!”.

“Ndaj rri në shtëpinë tënde! Veçanërisht të moshuarit, fëmijët që bartin e transmetojnë, cilido tjetër që vuan nga patologji të tjera, të cilat të kombinuara me koronavirus, vrasin!”, apelon ai.

Po ashtu, Braçe shtoi se “kemi zgjedhur të mbrojmë jetën tënde!T’i duhet të bashkëpunosh!Zbato rregullat! Nise duke ndenjur në shtëpinë tënde në javën me kritike!”./atsh

Braçe apel qytetarëve: Qëndroni në shtëpi në këto javë kritike Read More »

Koronavirusi/Basha: Ditët që po kalojmë të paprecedenta, propozimet tona realiste

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reagur sot në lidhje me masat që duhet të marrë qeveria për mbështetjen e qytetarëve dhe të biznesit për shkak të situatës të krijuar nga koronavirusi.

Basha shprehet se “ditët që po kalojmë janë të paprecedenta. Anembanë botës qeveritë dhe opozitat po përpiqen për të gjetur mënyrën më efikase për të ndalur përhapjen e virusit, si edhe për të mbështetur qytetarët dhe bizneset që ta tejkalojnë sa më lehtë këtë”.

“Për çdo propozim ekonomik që kam bërë në dy rastet e fundit të emergjencave, pas tërmetit dhe tani për koronavirusin, kam patur parasysh se detyra numër një e qeverisë duhet të jetë shëndeti i qytetarëve shqiptarë kudo ku jetojnë anembanë vendit, dhe më pas, garancitë për kompensimin e këtij dëmi të madh si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë tonë në tërësi. Në fokusin tim kanë qenë dhe janë njerëzit, familjet e tyre dhe ekonomia”, tha ai.

Po ashtu Basha thekson se “propozimet e mia janë të bazuara në dy parime bazë: 1. “Mos kurse asgjë përpara shëndetit të njerëzve dhe rimëkëmbjes ekonomike të vendit”, dhe 2. “Mos propozo kurrë diçka që nuk do ta bëje dot vetë”.

“Këto ditë jam në kontakt të vazhdueshëm me shoqatat e bizneseve, me biznese të vogla dhe të mesme. Janë këto grupe shtyllat e ekonomisë shqiptare, të cilat kanë nevojë të mbështeten në këtë kohë krize. Çdo vend po vepron kështu, duke vënë në dispozicion buxhetin e mjaftueshëm për përballimin e krizës dhe duke aplikuar politika fiskale dhe monetare në mbështetje të ekonomisë. Këto masa fiskale lehtësuese u vijnë në ndihmë si sipërmarrësve të vegjël, ashtu dhe punëtorëve të tyre. Në fund të ditës, gjithsecili duhet të paguajë një qira mujore dhe të ushqehet. Ku do t’i gjejnë paratë për këtë, nëse nuk punojnë gjatë këtyre ditëve? Po për taksat që do të paguajnë tani në mars ku do t’i gjejnë paratë, kur bizneset janë mbyllur?”, tha ai.

Basha shton se “është jo njerëzore që të sillesh rreth e rrotull propozimeve tona apo të sulmosh opozitën në këtë periudhë. Propozimet tona janë realiste dhe të zbatueshme nëse ka mirëmenaxhim, kompetencë dhe transparencë.

“Sot Shqipëria ka nevojë të përballojë emergjencën shëndetësore që ka krijuar kriza e koronavirus. 120 milionë euro që shkojnë dëm me koncesionet, duhet të angazhohen në dy fusha kyçe: mbështetje sociale dhe fonde shtesë për shëndetësinë. Ne si opozitë do të vazhdojmë të mirëinformojmë njerëzit, të kërkojmë e të bëjmë transparencë sa të mundemi dhe të ofrojmë zgjidhje dhe alternativa për tejkalimin e kësaj gjendje”, shprehet ai./atsh

Koronavirusi/Basha: Ditët që po kalojmë të paprecedenta, propozimet tona realiste Read More »