Irina

Flota e re e autoambulancave gati për t’u nisur nga Turqia drejt Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama tha sot se “flota e re e autoambulancave të emergjencave civile është gati për t’u nisur nga Turqia drejt Shqipërisë”.

Kryeministri ndau pamje të autoambulancave të reja të cilat janë të mirëpajisura dhe do t’i shtohen flotës së autoambulancave në vend, për të përballuar situatën e krijuar nga COVID-19.

Ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama vlerësoi faktin se “qeveria turke hapi kanalin e eksportit të materialeve mjekësore për Shqipërinë me urdhrin e Presidentit, Recep Tayyip Erdogan”.

Po dje nga Turqia, mbërriti një sasi prej 50 mijë mjetesh të mbrojtjes personale, materiale të blera nga qeveria shqiptare për stafet mjekësore, të cilat kanë filluar të shpërndahen në të gjithë spitalet./atsh

Flota e re e autoambulancave gati për t’u nisur nga Turqia drejt Shqipërisë Read More »

Lirimi i përkohshëm i të dënuarve, Gjonaj: Po shqyrtohet me imtësi dokumentacioni

Procesi i lirimit përkohësisht të 600 të dënuarve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria për shkak të rrezikut që mund t’i vijë nga pandemia COVID 19, ka nisur me shqyrtimin në imtësi të dokumentacionit të të dënuarve.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një mesazh të publikuar sot, thekson se ky proces do të kryhet për 5 ditë nga komisionet përkatëse të IEVP-ve dhe me pas Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve brenda 3 ditëve do të lëshojë urdhrin e lirimit të përkohshëm.

“Dje gjatë mbledhjes së posaçme të Këshillit të Ministrave, mbi masat e marra për përballimin e situatës së COVID-19, raportova mbi ecurinë e zbatimit të aktit normativ për lirimin e përkohshëm të një pjese të të dënuarve, me qëndrim të përkohshëm në shtëpi”,- thekson Gjonaj.

“Këto masa merren me qëllim mbrojtjen e shëndetit të personave të privuar nga liria për shkak të rrezikut që mund t’i vijë nga kjo pandemi. Për çdo të dënuar, Komisionet e ngritura në çdo IEVP, janë duke shqyrtuar me imtësi dokumentacionin e plotë administrativ dhe po kryejnë verifikimin e duhur me prokuroritë e rretheve, policinë dhe komisionin disiplinor të burgjeve për të përmbushur elementët e përcaktuar në aktin normativ me qëllim garantimin e sigurisë”,- tha Ministrja e Drejtësisë.

“Ky proces do të kryhet për 5 ditë nga komisionet përkatëse të IEVP-ve dhe me pas Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve brenda 3 ditëve do të lëshojë urdhrin e lirimit të përkohshëm. Çdo komision i IEVP-ve gjendur në këtë situatë, po merr kontaktet me familjarët e të dënuarve për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar dhe për të dhënë dakordësinë e qëndrimit në të njëjtën banesë. Formularët e proçedurës për çdo të interesuar gjenden të publikuara në faqen e DPB: ➡http://www.dpbsh.gov.al/newweb/…“,-përfundon Gjonaj./atsh

Lirimi i përkohshëm i të dënuarve, Gjonaj: Po shqyrtohet me imtësi dokumentacioni Read More »

Meta: Lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, vlerësoj masat e qeverisë

Presidenti Ilir Meta gjatë një interviste televizive, pasditen e të enjtes ka theksuar se lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, teksa ka nënvizuar se vlerëson masat e qeverisë.

“Vlerësoj se po bëhet më e mira për përballimin e kësaj pandemie dhe aktualisht është një situatë nën kontroll dhe do mund të mbahet nën kontroll në rast se çdo qytetar do tregojë përgjegjësinë që kërkohet”,- tha Meta.

“Nuk kemi asnjë arsye për të patur panik, as në drejtim të trajtimit të të prekurve, apo qoftë edhe të furnizimit të vendit për mallrat më jetikë. Natyrisht është e domosdoshme një organizim më efikas për të frenuar në maksimum përhapjen e mëtejshme të kësaj pandemie”,- shtoi Presidenti.

“Kemi patur një kufizim të disa lirive të të drejtave themelore të qytetarëve por këto masa janë marrë me qëllim për të mbrojtur shëndetin e tyre. Virusi është rrezik dhe një kërcënim për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të jemi të unifikuar në luftën kundër tij”,- përfundoi Presidenti Meta./atsh

Meta: Lufta kundër COVID 19 kërkon unitet, vlerësoj masat e qeverisë Read More »

Qelizat e moshuara të njeriut mund të ripërtërihen

Qelizat e moshuara të njeriut mund të ripërtërihen me vite në laborator falë një kokteji proteinash tipike për zhvillimin embrional.

Teknika, e cila hap skenarë të rinj në luftën kundër sëmundjeve të lidhura me moshën, është botuar në revistën ”Nature Communications” nga laboratori i Universitetit Stanford i udhëhequr nga biologu italian Vittorio Sebastiano.

Grupi i tij ka punuar për vite me radhë për të riprogramuar qelizat e rritura (për shembull ato të lëkurës) për t’i bërë ato të kthehen ‘fëmijë’, duke i shndërruar ato në qeliza burimore të induktuara dhe të shumta.

Për ta kthyer orën mbrapa, qelizat trajtohen për dy javë me një koktej proteinash rinovuese, të cilat zakonisht shprehen gjatë zhvillimit të embrionit. Bazuar në këtë përvojë, “ne kemi pyetur veten nëse ishte e mundur të kthejmë orën e plakjes pa nxitur pluripotencë”, theksoi biologu Sebastiano.

“Tani kemi zbuluar se duke kontrolluar me rreptësi kohëzgjatjen e ekspozimit të proteinave, ne mund të shkaktojmë përtëritje në shumë lloje të qelizave njerëzore.” Pas katër ditësh trajtimi, qelizat rinovohen gjenetikisht mesatarisht nga 1.5 në 3.5 vjet, dhe madje 7.5 vjet për qelizat që mbështjellin enët e gjakut/atsh

Qelizat e moshuara të njeriut mund të ripërtërihen Read More »

Kurti shkarkon zv.kryeministrin Hoti pas votimit të mocionit të mosbesimit

Kryeministri në detyrë Kurti, shkarkoi nga posti i zëvendëskryeministrit në detyrë, Avdullah Hotin.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për lirimin nga posti i zëvendëskryeministrit të parë në detyrë, Avdullah Hoti i cili është nga radhët e LDK-së.

Ky shkarkim erdhi pas votimit të mocionit të mosbesimit të qeverisë, ku 82 deputetë votuan pro.

Kurti shkarkon zv.kryeministrin Hoti pas votimit të mocionit të mosbesimit Read More »

“shqiperiaqeduam.al”/ Nga sot kanal emergjence për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit

Nga sot çdo person që ka një problem dhe kërkon zgjidhje në lidhje me situatën e shkaktuar nga COVID-19 mund të shkruajë në platformën e bashkëqeverisjes www.shqiperiaqeduam.al.

Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se “kjo kohë me një vargmal vështirësish e hallesh nga më të ndryshmet, ka nevojë për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit, për të adresuar së bashku lloj-lloj problemesh që lindin në jetën e përditshme të njerëzve”.

“Nga sot ju keni në dispozicion një kanal emergjence për të komunikuar drejtëpërdrejtë me mua dhe çdo ministër, duke përdorur ajfonin apo kompjuterin tuaj, duke e adresuar hallin tek www.shqiperiaqeduam.al”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “skuadra speciale e platformës së bashkëqeverisjes është në dispozicion për të transmetuar me shpejtësi çdo shqetësim tuajin tek unë e ministrat, që do të lëvizim me shpejtësi për zgjidhjen e çdo halli të mundshëm. Kini besim dhe durim, durim, durim”. /atsh

“shqiperiaqeduam.al”/ Nga sot kanal emergjence për komunikim të vazhdueshëm mes individit dhe shtetit Read More »

Mos lejoni që vështirësitë t’iu mbushin me ankth, në fund të fundit, yjet shkëlqejnë më shumë gjatë netëve të errëta!

“Mos lejoni që vështirësitë t’iu mbushin me ankth. Në fund të fundit yjet, shkëlqejnë më shumë gjatë netëve të errëta”, tha sot Kryeministri Edi Rama duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të kushëririt të Profetit Muhamed, Ali Ibn Abi Talib AS, që Kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të Çmuara”.

Shqipëria po përballet me koronavirusin, i shpallur tashmë pandemi botërore nga OBSH, ndërsa krahas masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit, autoritetet shtetërore kanë bërë në vijimësi thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe respektim të rregullave nga të gjithë./atsh

Mos lejoni që vështirësitë t’iu mbushin me ankth, në fund të fundit, yjet shkëlqejnë më shumë gjatë netëve të errëta! Read More »

BE jep katër këshilla të rëndësishme për gratë shtatzënë

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë dha sot katër këshilla të rëndësishme për gratë shtatzëna në këto ditë të vështira të përhapjes së koronavirusit, COVID-19.

Delegacioni i BE sqaroi përmes një broshure katër këshillat, që duhet të ndjekin këto ditë të gjitha gratë shtatzëna, që nga bisedat telefonike me mjekët, deri te qëndrimi në shtëpi.

“Mbroni veten duke praktikuar higjienën e duarve, etiketën në kollitje dhe distancimin shoqëror. Diskutojini shqetësimet tuaja me telefon me mjekun që ndjek shtatzëninë tuaj dhe verifikoni se si të vazhdoni me kontrollet e shtatzënisë apo planin e lindjes”, theksoi BE.

“Nëse e dini se jeni ekspozuar, telefonojini mjekut tuaj dhe ndiqni udhëzimet e tij. Nëse sëmureni, rrini në shtëpi dhe telefonojini shërbimeve shëndetësore për këshilla, duke u thënë se jeni shtatzënë”, janë këshillat e BE, për gratë shtatzëna në këto ditë të vështira të përhapjes së koronavirusit, COVID-19./atsh

BE jep katër këshilla të rëndësishme për gratë shtatzënë Read More »