Irina

Fier/ Rikonstruktohen 17 shkolla

Viti i ri mësimor 2018-2019 nis me më shumë vëmendje dhe kushte më të mira për nxënësit në qarkun e Fierit.

Në këtë qark për këtë vit shkollor, janë rikonstruktuar në total 17 shkolla, ndërsa priten investime dhe projekte të reja.

Projekti i qeverisë për libra falas nga klasa e parë në të katërtën u mbështet nga bashkia e Fierit, e cila vendosi të shpërndajë tekste shkollore falas edhe për klasën e pestë.

Ndërkohë, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga nisja e vitit të ri shkollor, janë duke u mbyllur punimet në shkollat e fundit të këtij qarku.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi ka publikuar sot foto nga rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Trifon Prifti” në Hamil, si dhe nga shkolla 9-vjeçare Tefik Dautaj në Varibop./atsh

Fier/ Rikonstruktohen 17 shkolla Read More »

“Atelier Lukova”, projekti që do të transformojë Lukovën

Në kuadër të programit “100 fshatrat” në Lukovë është hapur “Atelier Lukova”, si instrument planifikimi për modelin e zhvillimit të Lukovës.

“Atelier Lukova” ka tashmë një dhomë plani, ku komuniteti në çdo moment mund të informohet mbi zhvillimin e planit të detajuar vendor dhe modelin e zhvillimit për Lukovën.

Dhoma e Planit është donacion i GIZ për fshatin, me vizionin dhe dëshirën se do të kontribuojë në procesin e planifikimit me pjesëmarrje dhe si rrjedhojë në zhvillimin e qëndrueshëm të Lukovës.

Dhoma e Planit është një hapësirë, e cila ilustron dhe jep informacion mbi procesin e hartimit të modelit të zhvillimit të Lukovës.

Ajo përmban informacione të ndryshme lidhur me planifikimin dhe potencialin turistik të fshatit dhe zonave përreth. Dhoma, e cila ndodhet në katin përdhe të godinës administrative të Lukovës, do të shërbejë gjithashtu dhe si një hapësirë për të mirëpritur çdo sugjerim prej banorëve dhe për të lehtësuar përcjelljen e shqetësimeve të tyre.

Kjo është hera e parë që një nismë e tillë ndërmerret në Lukovë dhe synohet nxitja sa më shumë e ndërveprimit me komunitetin por edhe me turistët.

Çdo sugjerim, kritikë a mendim i tyre do të merret në konsideratë gjatë hartimit të Planit të Detajuar Vendor të Lukovës.

“Atelier Lukova” mbështetet nga partnerët e Qeverisë Gjermane, GIZ në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Himarë./atsh

“Atelier Lukova”, projekti që do të transformojë Lukovën Read More »

Tirana, një nga 3 qytetet me transformimin më të thellë në 2018

ë rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.

Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për “Pazarin e Ri”, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.

Kandidatët finalistë për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.

Çmimi, i cili jepet nga ICLEI – Qeveritë Lokale për Qëndrueshmërinë, Rajoni Bask dhe Qyteti i Aalborg (Danimarkë), shpërblen veprat transformuese në vijim ose të përfunduara në kategori socio-kulturore, transformimin socio-ekonomik dhe teknologjik.

Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.

Anëtarja e jurisë dhe kryetarja e Komisionit, Cor Lamers, thase “këto projekte pjesëmarrëse i bëjnë komunitetet dhe ekonomitë tona lokale më përfshirëse, të gjelbra dhe të qëndrueshme”.

Duke përgëzuar kandidatët e përzgjedhur, Hakan Lucius, anëtar i jurisë dhe shefi i Divizionit të Shoqërisë Civile, në Bankën Europiane të Investimeve, tha se “duke përfaqësuar diversitetin gjeografik të Evropës, këto tre qytete arritën të adresonin komponentë të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht përfshirjen sociale, zhvillimin urban dhe ushqimin, duke përfshirë në mënyrë kuptimplotë të gjitha palët e interesuara”.

Veprimet e tyre inovative, vijoi ai, “janë sfida kryesore për të ardhmen tonë të përbashkët dhe duhet të jenë frymëzues për të gjithë aktorët e angazhuar për qëndrueshmëri”.

Pylli Orbital, një balancë mes qytetit dhe rizbulimit të natyrës

Në një kohë kur disa vende po flasin për mure, Tirana është duke ndërtuar një “mur” pemësh, për t’i dhënë oksigjen qytetit. Objektivi strategjik numër 1 i Planit të Përgjithshëm Vendor të Boerit, propozon një “Pyll Orbital” prej 2 milionë pemësh, që do të rrethojnë Tiranën, e që do të shërbente si një brez i gjelbër, për të parandaluar shtrirjen urbane.

“Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Një qytet për fëmijët tanë, është një qytet për të gjithë ne. Unaza pyjore është dendësuar nga “pemët e ditëlindjeve” të fëmijëve, të cilat janë mbjellë nga prindërit. Ne jo vetëm krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por gjithashtu rrisim fëmijë që do ta mbajnë të sigurt të ardhmen”./atsh

Tirana, një nga 3 qytetet me transformimin më të thellë në 2018 Read More »

Vizita e fshehtë/ Kur Che Guevara erdhi në Tiranë, ish-diplomati tregon takimin 2 orë me Mehmet Shehun

Një vizitë e fshehtë e Che Geavarës është realizuar në Shqipëri në Mars të vitit 1960, zbulohet në dokumentarin “Gjurmë Shqiptare” të gazetarit Mema, transmetuar mbrëmjen e sotme në Top Channel.

Në aeroport për ta pritur u dërgua Zeqir Agolli, i cili asokohe mbante një post të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme.

Zeqir Agolli tregon se si e transportoi nga Rinasi në Kryeministri, aty ku zhvilloi një takim me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu. Me udhëheqësin Enver Hoxham Che Geavara nuk u takuam zbulon ish-zyrtari i regjimit.

Në një prononcim në dokumentar, ai shprehet: “Unë kam qenë drejtor politik në Ministrinë e punëve të Jashtme për Evropën. Më merr në telefon Kryeministri i atëhershëm Mehmet Shehu, më thirri në zyrë. Më tha: Do të shkosh në aeroport të presësh dy ushtarakë kubanezë. Merre veturën dhe ik”.

“Shkova në aeroport, ishte linja ajrore hungareze, Tiranë – Budapest dhe viçeversa. Erdhi avioni me dy ushtarakët. I pari menjëherë më ra në sy: Bereta e famshme e Che Geavarës. U binda që ishte Che Geavara”, tregon ai, sot 96-vjeç.

“Nuk bëmë muhabet fare se unë spanjisht s’dija. Flas 5 gjuhë por jo spanjishten. Ata nuk folëm fare në makinë, i vumë prapa në makinë, unë te shoferi. Mbërritëm në kryeministri, në atë kryeministri që është edhe sot. Edhe shkuam takuam Mehmet Shehun. U përqafuan edhe u ulën. Filluan bisedën se çu bisedua se di se ata flisnin spanjisht, unë spanjisht nuk dija. Ndenjën dy orë”.

“Enver Hoxhën nuk e ka takuar për këtë jam i bindur. Vetëm Mehmet shehun. Asnjë njeri tjetër nga udhëheqja, Enver Hoxha s’merrej me gjëra të tilla, se unë Enver hoxhën e njoh më mirë nga të tjerët, Enver Hoxha ka ndenjur 9 muaj në shtëpinë time”…

Vizita e fshehtë/ Kur Che Guevara erdhi në Tiranë, ish-diplomati tregon takimin 2 orë me Mehmet Shehun Read More »

Nëse keni shumë rrudha në ballë, jeni më të rrezikuar nga këto sëmundje

Njerëzit me rrudha të theksueshme në ballë mund të jenë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare, sugjeron një studim i ri. Sipas një studimi 20-vjeçar të kryer në Francë, rrudhat e shumta në ballë mund të jenë si shenjë alarmi për probleme potenciale, si sëmundjet e zemrës apo goditja në tru.

Personat që kanë shumë rrudha të theksueshme në ballë mund të jenë 10 herë më të rrezikuar të vdesin nga një sëmundje kardiovaskulare, shkruan autorja e studimit, Yolande Esquirol, profesoreshë e asociuar te “Centre Hospitalier Universitaire de Toulouse”.

Nuk dihet arsyeja e vërtetë e kësaj lidhjeje, megjithatë një teori është se mund të ketë të bëjë me ngurtësimin e arterieve në trup për shkak të formimit të pllakës bakteriale. Duke qenë se enët e gjakut në ballë janë shumë të vogla, ato mund të jenë më të ndjeshme ndaj formimit të kësaj pllake bakteriale.

Në studim theksohet se rrudhat nuk janë akoma një metodë e mirë për diagnostikimin e sëmundjeve kardiovaskulare – krahasuar me metodat aktuale si kontrolli i tensionit të gjakut dhe niveleve të lipideve dhe glukozës në gjak. Gjatë studimit, që ka zgjatur për 2 dekada, u analizuan të dhënat shëndetësore të 3200 personave. Studimi u prezantua në Konferencën Evropiane të Kardiologjisë në Mynih./korrieri

Nëse keni shumë rrudha në ballë, jeni më të rrezikuar nga këto sëmundje Read More »

Ja sa është pasuria e shqiptarëve e deklaruar në banka

Në pesë vitet e fundit, pasuria financiare e shqiptarëve është rritur me rreth 104 miliardë lekë, ose 12.6%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo pasuri vlerësohet të jetë rreth 940 miliardë lekë dhe llogaritet si diferenca mes mjeteve dhe detyrimeve të individëve në instrumente financiare. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, individët zotëronin në fund të muajit korrik 951 miliardë lekë depozita në sistemin bankar. Këtyre iu shtohen edhe investimet në tituj financiarë, qoftë direkt apo nëpërmjet fondeve të investimit.

Investimet e individëve në bono,  në mesin e këtij viti, kishin vlerën e afro 96 miliardë lekëve. Ndërkohë, kontributi i individëve në fondet e investimit vlerësohet në rreth 65 miliardë lekë, megjithëse për momentin statistikat nuk ofrojnë një ndarje mes kuotave të zotëruara nga individët dhe atyre që iu takojnë personave juridikë.

Një investim tjetër, që ka nisur në vitet e fundit, është ai në obligacione të shoqërive tregtare. Megjithëse nuk ekzistojnë statistika të plota, vlera e obligacioneve të korporatave llogaritet në rreth 7 miliardë lekë, të mbajtura në pjesën më të madhe nga individë. Në total, asetet financiare të individëve arrijnë në rreth 1.13 trilionë lekë. Po të zbresin kredinë për individë në sistemin financiar,  që ka vlerën e 181 miliardë lekëve, shuma e ngelur prej 938 miliardë lekësh përbën atë që në nivel makroekonomik mund të quhet pasuria financiare e shqiptarëve. E matur si pasuri për frymë, ajo do të rezultonte në rreth 323 mijë lekë apo afërsisht 2550 euro.

Ja sa është pasuria e shqiptarëve e deklaruar në banka Read More »

Një vendim qeverie “zhyt” në pasiguri të apasionuarit pas sporteve nënujore

Mungesa e zonave të rezervuara për zhytje pengon turizmin dhe pasionin e zhytësve në Durrës dhe qytete të tjera bregdetare. Një hartë e miratuar si pjesë e një VKM-je në vitin 2014 përcakton 9 zona vetëm në Vlorë e Sarandë, ndërkohë vizitat në sitet arkeologjike nënujore mbeten të ndaluara. Qeveria vendosi të miratonte në vitin 2014 si pjesë e një VKM-je për sigurinë në plazhe dhe det, një hartë me zona ku lejohej zhytja. Kjo nënkupton që në sipërfaqe të caktuara ujore të specifikuara për zhytje, ndalohet lundrimi i mjeteve motorike apo barkave të peshkimit dhe krijohen kushte për sigurinë e atyre që ushtrojnë këtë sport. Por kur mori vendimin për të bërë hartën e zonave të autorizuara, qeveria la jashtë saj gjithë bregdetin e Adriatikut, përfshi Durrësin, duke ua vështirësuar jetën zhytësve të licesuar të qytetit dhe atyre që mundësojnë trajnim në zhytje apo guida turistike nënujore. VKM-ja e vitit 2014 ka përcaktuar gjithsej 9 zona zhytjeje në të gjithë bregdetin shqiptar, 6 prej tyre në Vlorë dhe 3 në Sarandë dhe asnjë në pjesën tjetër të bregdetit, përfshi Durrësin. Denis Nova, i licensuar prej dy vitesh si guidë nënujore thotë se VKM-ja në fjalë dhe mospërcaktimi i zonave të zhytjes në qytete të tjera është kthyer në pengesë serioze për ta.

“Është bërë pengesë deri në pikën e mbylljes aktivitetit”, i tha Nova BIRN.

Kryetari i Federatës Shqiptare të Zhytjes, Igli Pustina, thotë se megjithëse shtojca me hartë që i bashkangjitet VKM-së nuk e ndalon zhytjen në Durrës apo në qytetet e tjera, ajo nuk u mundëson zhytësve siguri dhe monitorim nga institucionet shtetërore. Ndërsa zhytës të ndryshëm nga Vlorë në Durrës i thanë BIRN se zonat e përcaktuara janë pa interes për zhytësit dhe ndalimi për zhytje pranë objekteve arkeologjike përfshi anije të Luftë së Parë Botërore kishte bllokuar mundësitë për turizëm nënujor.

Nga ana tjetër, mungesa e një evidence të qartë të pasurive nënujore bën që zhytja të shihet ende si rrezik për pasuritë arkeologjike të vendit. Pustina thotë se VKM-ja nuk është hartuar në bashkëpunim me grupet e interesit dhe ato zona që janë caktuar nuk përputhen me potencialin që duhet për t’u zhytur. Këshilli i Ministrave, në përgjigje të një kërkese për informacion nga BIRN, thotë se VKM ka qenë e suksesshme, por pa specifikuar se si ishte matur suksesi i saj sa i përket ushtrimit të sportit të zhytjes. Në vend ka katër biznese të regjistruara që ofrojnë mësime zhytje apo guidë turistike, disa shoqata, një federatë të njohur nga Komiteti Olimpik Shqiptar, 10 udhërrëfyes turistik të licesuar në këtë fushë dhe disa dhjetra zhytës të licesuar.

Durrësi jashtë harte
Durrësi ka një vijë bregdetare prej 62 km, por të apasionuarit pas zhytjes apo turistë që do të donin ta vizitonin  botën nënujore aty duhet të zhyten duke marrë përsipër vetë rrezikun, pasi ndryshe nga Vlora apo Saranda, këtu nuk ka zona zhytjeje të përcaktuara. Denis Nova thotë se ata nuk janë përfaqësuar gjatë hartimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për “Sigurinë në det e plazhe”, ndërsa thekson se përcaktimi i zonave është jetik për të ushtruar aktivitetin. “Përcaktimi i zonave të zhytjes merr në mbrojtje hapësira të caktuara, aty mund të shtohet popullata e peshkut, e cila është ulur ndjeshëm nga gjuetia pa kriter”, shpjegon ai. Sipas zhytësit, mospasja e një zone të përcaktuar për këtë sport vë në rrezik jetën e tyre. Ai thotë se zonimi do të rriste sigurinë përgjatë zhytjes, “për shkak të shmangies së mjeteve lundruese në zonë gjatë kohës që qëndrojmë nënujë”.
Po ashtu sipas tij kjo rrit mundësinë e kontrollit nga autoritet shtetërore, krijon mundësinë e pastrimit të zonave nga rrjetat e hedhura prej peshkarexhave dhe i shtohet atraksioneve turistike.

Këshilli i Ministrave, në përgjigje të një kërkese për informacion i tha BIRN e pranoi defektin e VKM-së dhe tha se po “shihet mundësia për përcaktimin e zonave të reja, të lejuara për ushtrimin e aktivitetit për zhytje argëtuese, të cilat të jenë të pozicionuara në të gjithë territorin ujor të vendit”. Edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës thotë të njëjtën gjë. Por asnjë nga institucionet nuk dha një afat se kur do të bëheshin ndryshimet. Ndërkohë BIRN mësoi se edhe në bregdetin e Jugut, ku territoret për zhytje janë të caktuara guidat nënujore nuk janë të kënaqura dhe nuk janë pyetur. Një prej tyre, Saimir Kushova nga Saranda thotë se zonat e përcaktuara për zhytje u ofrojnë një referencë zyrtare turistëve për t’u ndjerë më të sigurt, por nga ana tjetër aty nuk gjen asgjë me interes turistik. “Plazhi i Bunecit, 500 m nga bregu është përcaktuar si një nga zonat për zhytje, por  përveç plazhit të mrekullueshëm në sipërfaqe, pjesa nënujore shfaqet krejt pa interes,” tha Kushova për BIRN. Edhe në Vlorë ku janë të përcaktuara 6 zona, zhytësit thonë se ato janë të papërshtatshme.  “Zona tek Tuneli ka rërë dhe shtuf; në Dhërmi 500 m nga bregu rrezikohesh nga mjetet lundruese; në Karaburun ka vaska peshku; ndërsa zona shumë të përshtatshme për zhytje, si Jala, janë lënë jashtë kësaj liste,” tha për BIRN instruktori i zhytjes Enton Mishtaku.

Turizmi nënujor i ndaluar me ligj

Një nga zonat e zhytjes të përcaktuar në  VKM, “Zona e Karaburunit [nga moli Raguza 1 deri në “Shën Jon], rezulton njëkohësisht e përfshirë në Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Nga praktika e punës së Drejtorisë së Kulturës Vlorë, kjo zonë është e mbrojtur dhe për t’u zhytur duhet leje e veçantë, ndërsa procesi duhet të jetë i monitoruar nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik. Kjo e bën zhytjen aty mjaft të vështirë për t’u realizuar. BIRN mësoi nga guidat nënujore në Durrës, Vlorë dhe Sarandë se interesin më të madh për zhytje e kanë turistët e huaj, të cilët tërhiqen jo vetëm nga shkëmbinjtë nënujorë dhe fauna, por dhe nga anijet e mbytura përfshi ato gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.

Nova tregon se pak milje nga bregdeti i Durrësit, jo larg njëra-tjetrës, janë 15 anije të mbytura përgjatë Luftës së Parë, të Dytë Botërore, që përbëjnë interes për të apasionuarit pas zhytjes. Po ashtu nën ujë gjenden anije që janë datuar se kanë lundruar deri 2500 vjet më parë. Por në pikën numër 5 të shtojcës së VKM-së së vitit 2014 thuhet se “zhytja në zonat nënujore me vlera historike dhe mbetje arkeologjike, si edhe në anijet e objektet e mbytura, që mbrohen nga ligji” është e ndaluar. Ndalimi është një përpjekje për të kufizuar “kërkuesit e thesareve” që kanë dëmtuar për vite me radhë gjetjet arkeologjike nënujore në vend.

Nova e pranon problemin, ndërsa thotë madje se pjesë anijesh të mbytura janë nxjerrë e janë shitur për skrap, por ndalimi nga ana tjetër sipas tij nuk ndihmon në ruajtjen e këtyre artefakteve nënujore. Kryetari i Federatës Shqiptare të Zhytjes, Igli Pustina, thotë se guidat nënujore janë të interesuara dhe mund të shërbejnë për ruajtjen e këtyre relikteve nga dëmtimet e mundshme, në mënyrë që ato të jenë të vizitueshme. Sipas Novës kjo pengesë mund të zgjidhet nëse aplikohen ligje të ngjashme me vende të tjera europiane “duke autorizuar persona të licensuar nga shteti për guida turistike”. Ministria e Kulturës në një përgjigje zyrtare thotë se megjithëse nuk është fusha e saj, por e Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, ajo “është e gatshme të japë kontributin e saj dhe të institucioneve të saj të varësisë në përgatitjen e një nënprogrami dedikuar arkeologjisë nënujore”.

Por para se të shkohet këtu, Pustina thotë se ministria e Kulturës duhet fillimisht të identifikojë dhe shpallë Monument Kulture këto anije. Një hartë e zonave të mbrojtura dhe dokumentimi i tyre do të mundësonte ruajtje më të mirë dhe po ashtu krijonte mundësi të vizitave të kontrolluara. Një hartë e tillë është ende larg të qenit gati. Drejtoria e Kulturës Kombëtare Durrës (DKKD), shpreson se me ligjin e ri të këtij viti për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, parashikohet edhe krijimi i këtyre zonave, “ku do të fillojë identifikimi, hartimi dhe propozimi për shpalljen e zonave të mbrojtura nënujore”.

Të paqartë dhe kontradiktorë.

Nga ana tjetër, institucionet nuk duken fort të interesuar për diçka si zhytja dhe arkeologjia nënujore, që tingëllojnë ekzotike. Institucionet shtetërore, të përmendura si palë në hartimin e VKM-së së vitit 2014, njëkohësisht përgjegjëse për zbatimin e saj i dhanë BIRN përgjigje konfuze dhe kontradiktore në lidhje me vendimin apo detyrat që kishin marrë prej saj.

Ndërsa kryeministria në përgjigjen zyrtare përfshinte policinë dhe disa institucione të tjera përgjegjëse për hartimin dhe zbatimin e VKM-së, këto të fundit i thanë BIRN se nuk kishin qenë pjesë e diskutimit, ndërsa ishte e qartë që nuk kishin informacion për detyrat që kishin prej saj.
“Zonat ku mund të ushtrohet aktiviteti i zhytjes argëtuese janë përcaktuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare, Policinë e Shtetit dhe ministrinë e Kulturës, të cilët i kanë përcaktuar këto zona bazuar në kushtet teknike, sipas fushës së përgjegjësisë”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.
Drejtoria e Përgjithshme Detare në një letër zyrtare i tha BIRN se ajo nuk ka qenë pjesë e konsultimeve për hartimin e VKM-së, dhe as më vonë kur janë bërë disa ndryshime në të, duke thënë se nuk ishte kompetencë e saj.

Në anën e saj, Policia e Shtetit  e cila po ashtu përmendet në VKM dhe që thotë se ka për detyrë të zbatojë pjesë të saj,  nuk është gjithashtu e informuar. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, bëri me dije se i është drejtuar dy herë policisë kufitare për të survejuar nëse peshkatarët bashkë me peshkun, nxirrnin në breg edhe objekte arkeologjike që binin në rrjetat e tyre. VKM-ja e vitit 2014-të në shtojcën lidhur me zhytjen e përcakton Drejtorinë e Përgjithshme Detare dhe Policinë Kufitare si institucionet që informohen dhe regjistrojnë objektet arkeologjike të nxjerra rastësisht nga deti, e më pas njoftojnë institucionet e kulturës si Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik apo Drejtorinë Rajonale të Kulturës, por policia nuk ka informacion për këtë përgjegjësi. Në përgjigjen për BIRN, Policia e Shtetit, ndërsa pranon se kishte të dhëna operative për amfora të nxjerra nga peshkatarët thotë se: “objektet arkeologjike të gjetura nuk dorëzohen pranë Policisë së Kufirit Durrës, por pranë Institutit të Arkeologjisë Nënujore”- duke përmendur një institucion që nuk ekziston në Shqipëri.

Një vendim qeverie “zhyt” në pasiguri të apasionuarit pas sporteve nënujore Read More »

“Me ndihmën e FBI-së, reforma në drejtësi do të godasë koka të politikës…”

Reforma në drejtësi do të prekë mazhorancën dhe opozitën. Ish-ministri i Drejtësisë, Spartak Ngjela shprehet se, e gjithë politika do të kalojë në kontroll në bazë të reformës në drejtësi dhe askush nga politikanët nuk do t’i shpëtojë drejtësisë.

I ftuar në Ora News, Ngjela thotë se opozita po tenton të krijojë një ndjeshmëri sociale në funksion të një detabilizimi shoqëror, por është e dështuar. Të shqetësuar në mbyllje të reformës në drejtësi e sheh dhe mazhorancën, kryesisht Kryeministrin.

Ngjela: Asnjë gjë politike, zgjedhjet janë larg.I shqetëson reforma në drejtësi, e gjithë kjo bëhet nga humbja e ekuilibrit për faktin se një pjesë e liderve të tyre do të goditen nga korrupsioni. Mendojnë se mund të realizojnë ndonjë destabilizim shoqëror, por them se është e pamundur. Policia e organizuar dhe ndërkombëtarëisht po godet krimin e rrugës, është FBI dhe shumë agjensi. Është shkollë goditja penale, nuk është gjë e thjeshtë, të paktën për amerikanët.

Sa më shumë të afrohet fundi i reformës në drejtësi, aq do të ketë përplasje sociale të nxitura nga opozita.Po mazhoranca? Edhe mazhoranca nuk është se ka ndonjë pëlqyeshmëri për reformën në drejtësi, dhe ata preken. Më i lëkunduri është Kryeministri aktual, duket.

Kemi dhe një propozim të opozitës që është nonsens. Nuk ka nevojë për vetting politik se gjithë politika do kalojë në kontroll të imët sipas reformës në drejtësi që është normë kushtetuese.Drafti nuk ka sens juridik, nuk është procedurë, asgjë.Shumë zhurmë për asgjë, kanë humbur ekuilibrin dhe mendojnë se mund të krijojnë efekt apo shqetësim social me anë të cilit mund të krijojnë ndonjë shqetësim. Zhvillimet politike, Ngjela i sheh të lidhura paralelisht dhe me krimin në rrugë.

Ngjela: Nuk është e pagjasë që edhe kriminaliteti është hedhur në sulm por edhe policia është hedhur në veprim. Nuk mund të dorëzohet aq lehtë korrupsioni por nuk mendoj se mund të ketë ndonjë akses që të krijojë ndonjë pështjellim shoqëror.

Informacioni i kualifikuar vjen nga ndërkombëtarët, u panë shenja që shqetësimi i politikës lart të korruptuar me krimin e rrugës pati një sulm aktual. Kemi dhe arrestimet që kemi parë. Mendoj se do të vazhdojnë.Këta duhet të mendohen më mirë si do mbrohen sesa të mendojnë se përmes një pështjellimi shoqëror mund të shpëtojnë. Nuk ia arrijnë dot qëllimit sepse antikorrupsiini ua ka marrë Kushteturën, nuk e “kuptuan” kur e dorëzuan. Nuk e frenuan dot, edhe ligjet organike pothuajse përfunduan. Gjithë çështja është nëse do krijohet SPAK-u apo jo? Pse duhet vettingu politikanëve kur kanë SPAK-un, duan apo nuk duan. Nuk ka lidhje as me gjykatën aktuale dhe as prokurorinë aktuale. Kanë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.

Reforma në drejtësi, e pandalshme

Ambasadori amerikan tha se ka marrë fund gjithçka. Sot u njoftuan se edhe Konferenca Gjyqësore do të zgjerdhë gjyqtarët. Ambasadori tha se të gjithë do të gjykohen nga gjyqtarë që e kanë kaluar vettingun. Nuk është vonuar krijimi i SPAK por vettingu i gjyqtarëve. Me këta gjyqtarë këta nuk fillojnë proces penal kundër korrupsionit të niveleve të larta.

Vettingu është vonuar se është bërë nga ndërkombëtarët. Në ONM nuk ka asnjë shqiptar. Pati ngërç se ata e shikojnë imtësisht por 1 muaj e gjysmë para pushimeve ka ecur me hapa të shpejtë. Ka një segment në gjyqësor që janë magjistratët, që 90% të tyre nuk i prek vettingu. Të tjerët janë njerëz të korruptuar, të ardhur me reformë partiake në drejtësi, pa shkolla. Magjistratat janë gjyqtarët më me prespektivë, nuk eleminohet krejtësisht gjyqësori. Besoj se do ta fusin këto ditë ligjin e magjistraturës. Me gjyqtarët besoj se mbarojnë deri në janar, pastaj do vazhdojë politika. 50% e gjyqtarëve do penalizohen.

Padrejtësia është institucionalizuar

Këto janë institucione që nuk japin drejtësi, janë institucione të padrejtësisë.Bashkëpunim mes politikës dhe gjyqësorit, mos më prek që mos të të prek: Ti vidh shtetin, unë grabis individin. Këto janë dy format e mëdha të gjëmës së korrupsionit në Shqipëri. Kjo është marrëveshja, qoftë dhe e heshtur. Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve prek njërin krah të ekuacionit.Lë politikën e korruptuar në mëshirën e gjyqtarëve të rinj, ata do ti gjykojnë, nuk pranuan ndërkombetarët që këta të korruptuar të gjykoheshin nga gjykata aktuale./korrieri

“Me ndihmën e FBI-së, reforma në drejtësi do të godasë koka të politikës…” Read More »