Në librin e Charles de Susini «La Corse et les Corses, Opinions et Documents», botuar në Paris në vitin 1906, gjejmë në faqen n° 353 të tij, një shkrim, të shkurtër por mjaft interesant, me titullin « Corses et Albanais », i cili krahason korsikanët dhe shqiptarët.
Në fakt, ky shkrim është realizuar disa vite më parë, më saktësisht në 1877, nga doktori rumun, Miculu Georgiade Obedenaru, i cili hipotetizon se një pjesë e korsikanëve mund të jenë pikërisht me origjinë shqiptare.
Në vijim rrëfimi i doktorit :
« Në Korsikë kanë emigruar Pellazgët Trakë apo Pellazgët Shqiptarë ?
Duke marrë parasysh karakteristikat e racave të Korsikës, pranojmë se nuk janë Pellazgët Trakë, industrialistë, artizanë, tregtarë, por Pellazgët shqiptarë, ushtarë, mercenarë, shpatarë e plaçkitës, që erdhën të jetonin në Kyrnos-in e lashtë.
Në fakt, ne e dimë mjaft mirë se disa korsikanë janë të guximshëm, luftëtarë të patrembur, por edhe mizorë dhe hakmarrës ; Shumë prej tyre janë të prirur në grabitje.
Në qytete, profesioni i xhandarit, policit dhe rojes së burgjeve i përshtatet veçanërisht kësaj kategorie korsikane.
Nga ana tjetër, ne shohim shqiptarët të pushtuar nga dashuria për luftë dhe dominim, dhe ku mbështetja e fisit është parësore ; ata janë të gjithë kushërinj.
Prandaj, ne besojmë se, duke pasur parasysh ngjashmërinë e tipareve funksionale dhe aftësive intelektuale mes shqiptarëve dhe disa kategorive të korsikanëve, do të gjejmë me siguri analogjinë më të madhe mes karakteristikave morfologjike dhe anatomike të të dyja popullsive, kur të kemi në dorë një numër të mjaftueshëm vëzhgimesh antropologjike të realizuara me mprehtësi.
Ky është një dorëshkrim i rrallë i të madhit Faik Konica që përshkruan një realitet të asaj kohe që ironikisht vlen edhe sot e kësaj dite.
Nuk dihet me saktësi se në cilin vit e ka shkruar Konica këtë dorëshkrim që publikohet sot nga Sokol Çunga por çdo fjalë e tij vjen kaq aktuale.
“E vërteta është që shqiptarët janë fshatarakë, primitivë dhe të korruptuar, dhe çfarëdo që të bëjë njeriu, ky popull për vetëqeverim nuk ësht’ i zoti. Me gjith’ këtë, le të punojmë, pa illuzje edhe pa shpresë, për të shkuar kohën edhe për diletantizmë. Unë, të paktën, me këtë shpirt punoj, kur më teket. Ju përshëndosh me zemër, Faik Konitza”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun ka folur për angazhimin tij gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Ai tregon se si ishte kthyer në Kosovë nga Zvicra më 1997, ndërsa thotë se ka qenë në front të luftës që nga marsi i 1998’tës deri në qershor të 1999’tës.
Haradinaj ka folur edhe për angazhimin e tij të tanishëm në politikë.
Ai është pyetur nëse pozitat e tij tani janë falë angazhimit të tij në luftë. “Nëse s’kisha qenë në luftë, ndoshta kisha arritur edhe më shumë. Kam qenë student i mirë e i mençur”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se nuk do të ndahet asnjëherë nga vlerat e luftës. “Po të mos isha në luftë, kushedi me çfarë temash do të merresha tani”, shtoi ai.
Mitologjia, antikiteti dhe historia duket se janë duke na dhënë disa detaje të pakundërshtueshme që jo vetëm provojnë vjetërsinë e tokës sonë, po edhe jetën që ka qenë në to dhe zhvillimin që ka pasur.
Shumë qytetërime humbën në mjegullnajën e kohës e një prej tyre ishte edhe Horea, një qytet që përmendet nga historiani më i rëndësishëm romak i antikitetit, Titlivi, që e cilëson si një zonë të fortifikuar në zonën e Epirit.
Pavarësisht dyzimit historik, fati i Horeas duket i lidhur me këtë një marshim shkatërrimtar romak. Sot toponimet të çojnë vetëm në një vend, në zonën e lumit të Vlorës, pranë fshatit Vranisht, atje ku të gjithë e dinë se ku ndodhet qyteti i Horës.
Ky emër identifikues është mbartur brez pas brezi. Pikërisht në Hora ndodhej edhe “Sofra e Zotit”, shkëmbi gjigand që i jep një identitet tjetër këtij qytetërimi.
A thua natyra ta ketë shkëputur këtë shkëmb gjigant nga diku sipërmi për ta vendosur më pas si një tryezë mbi dy shkëmbinj më të vegjël? Si mundet të ketë qëndruar në një precizion të tillë që do të sfidonte edhe gjeometrinë e sotme?
Çfarë është ky monument që banorët e kanë pagëzuar si “Sofra e Zotit” apo “Guri me Qiell”? Këtë mund ta zbulojmë vetëm nëpërmjet këtyre të dhënave që na jepen nga studiues të ndryshëm.
Edhe pse mund të duket e pabesueshme, ky monument që ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, nga arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo është identifikuar si i realizuar nga njerëzit.
Është një gur në formën e një pllake tepër të madhe ciklopike, që rri varur mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.
Në fakt, shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.
Teoria më e çmendur është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.
Në Evropë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë , Gjermani, Spanjë etj., por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si në Indi, Madagaskar, Afrikë të Veriut e më tej.
Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti. Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik dhe nuk ngurojnë të të shoqërojnë.
Por si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë? A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme? Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë.
Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtu.
Historianë dhe arkeologë si Moriz Hoernes apo danezi Zinck kanë dhënë tezën se dolmenët duhen ndarë në grupe, duke qenë se vijnë si origjinë ndërtimore nga pjesë të ndryshme të planetit.
Megjithatë, shumica e ekspertëve të tjerë mendojnë se këto monumente prehistorike kanë origjinën nga e njëjta zonë. Tezat e tyre i kanë dhënë shumë ekspertë të njohur, si britaniku Glyn Daniel, historianet Janet Ross dhe Jean Arnal, arkeologët Jean Albert Bakker dhe Meyerhoff Janusz, këshilltari i UNESCO-s për periudhën megalitike Roger Joussaume e një pafundësi autorësh të tjerë, të cilët janë aq shumë sa është e pamundur t’i rendisësh të gjithë.
Askush nuk mund të thotë diçka të saktë apo 100 % të vërtetë. Por elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.
Historia e dolmenëve endet mes fakteve të sjella nga historianët dhe mitologjisë së vendit ku ato ngrihen.
Në Irlandë legjendat theksojnë se ato mund të jenë ngritur nga një popull prehistorik, Túatha Dé Danann, një tjetër se janë krijuar nga qytetërimi i humbur dhe kurrë i zbuluar i Atlantidës, një tjetër se janë egjiptianët që e nisën me këto ndërtime për të arritur më pas te piramidat, ndërsa në Shqipëri nga pellazgët, sikurse tregojnë banorët.
Sipas tyre, fakt mbetet se përreth gjithçka lidhet për sa kohë poshtmi ndodhet guri i qytetit, ku ende mund të gjesh edhe pa gërmuar gjurmë civilizimesh të hershme. Më tej, “Lëmi i Lejlereve” apo i emërtuar ndryshe si “Pjella e bardhë” e po ashtu thellë në prehistori hidhen edhe shpella e banuar e Lipes, ajo e shkruar e Lepenicës apo ajo e Velçës.
Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.
Sigurisht si për shumëçka në Shqipëri mungon një studim në tërësi i të gjithë këtyre emërtimeve dhe trashëgimisë që ato fshehin. “Sofra e Perëndisë” apo “Guri me Qiell” është jashtë vëmendjes, për të mos thënë se është e vështirë të mendosh nëse ekziston diku në regjistrat e pluhurosura të institucioneve përkatëse. E po kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht.
Marrë me shkurtime nga emisioni “Gjurmë Shqiptare” i gazetarit Marin Mema
Justin Bieber i ka befasuar fansat kur i bëri serenatë të dashurës së tij, Hailey Baldwin jashtë Pallatit Buckingham në Londër.
Këngëtari kishte vendosur që të surprizonte partneren e tij duke i performuar versionet akustike “Cold Water”, “MO” dhe “Fast Car”.
Megjithatë, menjëherë pas këtij veprimi, ishin të shumtë ata që komentuan rreth faktit se Justin dhe Hailey mund të jenë martuar.
Në një postim në Twitter që e fshiu më vonë, Hailey shkruajti:
E kuptoj se si vijnë thashethemet, por nuk jam martuar ende!”
Në Shqipëri, qyteti i Korçës është i njohur për serenatat e dashurisë që performohen në evente të ndryshme.
Mos vallë Justin ka ndonjë “fije” frymëzimi nga Korça?
Shqipëria ka numrin më të lartë në rajon për të burgosurit në 100 mijë banorë.
Të dhënat e marra nga Ministria e Drejtësisë janë bërë të ditura nga Organizata Prison Studies dhe të publikuara në World Prison Brief, ku Shqipëria numëron 193 të burgosur për 100 mijë banorë. Sipas avokatëve, ky numër i lartë lidhet me mungesën e zbatimit të dënimeve alternative në vendin tonë.
Astrit Prendi, avokat: Një nder faktorët kryesor është edhe problemet e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale edhe pse ky i ka parashikuar dënimet alternative, por nuk po gjen zbatim nga gjyqësori, ose që nga organi i prokurorisë, pasi ka vepra të tilla që janë me marzh të ulët dënimi që mund të zgjidhen dënime alternative apo edhe me marrëveshje dhe mos shkohet direkt masa arrest me burg.
Sipas avokatëve, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri vendoset masa ekstreme arrest me burg edhe për veprat penale si vjedhje energjie, apo drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.
“Drejtimi i mjetit ne gjendje të dehur, vjedhja penale, janë bërë vepra penale, mjerisht edhe vepra të tilla arrest me burg e humbet efektin pozitiv që ka ligji në vetvete. Për të njëjtën vepër penale në Shqipëri nëse dënohesh rishtazi të caktohet masa arrest me burg, ndërsa anë vendet e tjera në vendet fqinj nuk vendoset, mos harrojmë që një masë shtrënguese e vendimit penal nuk ka vetëm dënimin por edhe edukimin”.
Sipas raportit të Ëorld Prison Brief, pas Shqipërisë për numër të lartë të burgosurish, renditet Mali i Zi me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 152, Maqedonia me 134 të burgosur , Kosova me 106 të burgosur dhe Bosnje Hercegovina me 73. Vendi ynë ka një numër të ulët përsa i përket të të dënuarve minorenë në shifrën 0.6 % ./Klan
Revista prestigjioze zvicerane “Wide Walls” ka përzgjedhur muralen e pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore si një nga 10 më të mirat në botë.
Përzgjedhja është njoftuar nga kryeredaktorja e revistës, Angie Kordic, e cila ka publikuar listen e muraleve të pikturuara gjatë muajit gusht 2018 në të gjithë botën.
Kjo është një traditë, e cila vazhdon prej 14 vitesh për revistën “Wide Walls” dhe në numrin e 169 të saj, në hartën botërore të muraleve më të mira, ka përzgjedhur edhe një qytet nga Shqipëria, pikërisht qytezën e vogël të Urës Vajgurore.
Shqipëria renditet krah Kalifornisë, Austrisë, Norvegjisë, Masaçusetsit, Ilinoisit, Italisë dhe Bjellorusisë.
“Vepra ‘Flirtimi’ është muralja e tretë e pikturuar nga WD (Wild Drawing) në qytetin e Urës Vajgurore në Shqipëri. Piktura vjen si një shembull i përkryer i përdorimit të hapësirës. Në murale shikohet një çift, të cilët vështrojnë njëri-tjetrin nga të dyja anët e pallatit, duke i dhënë jetë një iluzioni të bukur”, thuhet në shkrimin e revistës “Wide Walls”.
“Flirtimi” (The flirt), “Kampioni” (The Champion) dhe “Ura e Mendjes” (Bridge of mind) janë tre muralet që janë pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore nga artisti i njohur me famë ndërkombëtare WD.
“Ai është një nga artistët më të talentuar të skenës së artit bashkëkohor në Greqi. WD është një artist indonezian me banim në Athinë, i njohur gjerësisht për muralet e tij foto-realiste që shpesh adresojnë çështjet aktuale ekonomike, politike dhe sociale në terma vendorë dhe globalë. Kurrë nuk ka frikë të flasë dhe të shprehë mendimet e veta. Ai është i pasionuar për krijimin e pjesëve të guximshme dhe të provokimit të mendimeve që rrisin ndërgjegjësimin për disa prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet bota jonë sot. Midis punës së ngarkuar në mënyrë shoqërore, ai gjithashtu krijon murale të frymëzuara nga natyra, komike, romane grafike dhe karaktere të Disney”, thuhet në përshkrimin që revista zvicerane “Wide Walls” bën për artistin.
Tre muralet janë kuruar nga artisti i njohur shqiptar, Helidon Haliti, me mbështetjen e bashkisë Ura Vajgurore. /atsh