Irina

Në podium për Xhiselën, në Vlorë për Teatrin

Nga Skënder Minxhozi

Gjithnjë kemi pasur histori të dhimbshme, me dhunë të afërmish të pushtetit dhe persona të gjendur pa mbrojtje përballë kësaj dhune. Shqipëria po jeton disa orë të nxehta debati kombëtar (të sforcuar dhe hipokrit në fakt), për rastin e Xhisela Malokut, e cila ka vuajtur në heshtje dhe në vetmi dhunën e një të forti lokal, i cili ka nga pas mbështetje dhe pushtet. Të dhunosh e djegësh me cigare një femër, do të thotë të meritosh pa asnjë mëdyshje të gjitha pasojat e ligjit. Ajo që i ka ndodhur Xhiselës është një histori dramatike që meriton ndëshkim shembullor me të gjithë forcën e ligjit.

Prokuroria ndodhet sot në provën e rradhës, për të treguar se nuk sugjestionohet nga “kartvizita” e të akuzuarve të kësaj ngjarje. Siç ka ndodhur rëndom këto 28 vjet, është veprimi ose mosveprimi i drejtësisë, që do të përcaktojë nëse ngjarja në fjalë do të zgjidhet mbi bazën e ligjit, apo do të vazhdojë të shpërdorohet duke krijuar zhurmë politike. Shqiptarët presin që ajo që e sheh veten si drejtësia e re, të fillojë të tregojë me vepra se është e tillë, e jo një apendiks i pushtetit të rradhës.

Në anën tjetër, ngjyrimi politik që ka marrë kjo histori, është një aspekt historikisht i shëmtuar i etikës së munguar, mbi të cilën e bazon aktivitetin e saj e gjithë klasa politike. Kanë mjaftuar vetëm vetëm pak orë pas daljes së lajmit, që Tirana politike të ndizet nga deklarata të skajshme për rrëzim me dhunë, tërheqje zvarrë etjetj. Është një mekanizëm i çuditshëm fiziologjik brenda trurit të çdo politikani shqiptar, që e shtyn të flasë para kohe e të hidhet në sulm, para se të jetë e qartë fabula, aktorët dhe shkaqet e një ndodhie. Politikanët-pitbull janë përjetësisht në modë në Tiranë.

Opozita po përpiqet ta shndërrojë dhimbjen private të Xhiselës, në favor të saj. Përrallë e parë dhe e dëgjuar edhe më parë. Po e bën, fatkeqësisht, pa asnjë elegancë dhe vetëpërmbajtje, siç ka ndodhur jo rrallë edhe më kundërshtarët e saj kur ishin në pozita të përmbysura. Lulzim Basha, Monika Kryemadhi e eksponentë të tjerë të opozitës po bëjnë këto orë thirrje për të zbatuar të gjitha skenaret e mundshme të largimit të Ramës nga pushteti. Megjithëse nuk kanë qenë të aftë deri tani të aplikojnë as gjysmën e njërit prej këtyre skenareve!
Kur dëgjon fraza të tipit “Ramën e rrëzojmë për shtatë ditë” nga goja e liderit demokrat, kupton de facto se ke përballë një politikan që nuk ka pikën e idesë, për ta rrëzuar Edi Ramën jo më për shtatë ditë, por ndoshta-ndoshta as pas dy mandatesh katërvjeçare. Lulzim Basha vijon të mbetet lideri politik i improvizuar, që kapet pas çdo historie që gjen në faqet e kronikës së zezë, por që kur është puna për të trashur zërin e treguar muskujt, shkon e fshihet. Lulzim Basha shquhet si një politikan që e luan bllofin pa ju dridhur qerpiku. Madje edhe në rastet kur kjo mendohet si e vështirë ose e parealizueshme. Dhe bllofi, dihet, ka përherë brenda riskun e dështimit.

Po e shohim sesi opozita ka kapur podiumin dhe gdhihet e ngryset në deklarata kilometrike për Xhisela Malokun. E sforcuar dhe vështirësisht e besueshme, por do të ishte gjysma e te keqes sikur përpos kësaj zhurme, të kishte bërë edhe pjesën tjetër të detyrës së saj. Atë të mbrojtjes së interesave të qytetarëve që e kanë votuar.

E pamë se çfarë bëri e njëjta opozitë, kur qe puna për të kryqëzuar shpatat me qeverinë në parlament, kur u diskutua dekreti presidencial për Teatrin. Në vend që të rreshtonte nga e para arsyet e veta se përse Teatri nuk duhej të shembej, vajti e u fsheh në Vlorë, në momentin më delikat, kur duhet të ishte në foltoren e Kuvendit.

Ja pra, kjo është opozita shëtitëse, që i ikën misionit të saj, pikërisht atëhere kur duhet të jetë në krye të frontit antiqeveritar. Nuk duhet të habitet Basha e të tjerët, kur dëgjojnë t’i rrethojë kaq shumë skepticizëm, shpoti dhe akuza. Nga të vetët, më shumë se nga kundërshtarët. Sepse një gjë është të thuash që nuk bëj marrëveshje me Ramën, e tjetër gjë t’i qëndrosh realisht përballë pushtetit të tij. Duke u marrë skajshëm dhe me tepri me Xhiselën e gjorë, Basha dhe opozita thjesht po instrumentalizojnë një dramë personale që duhet zbardhur e hetuar urgjentisht. Për të tjerat, merrini me qetësi se janë vetëm lojra politike.

Në podium për Xhiselën, në Vlorë për Teatrin Read More »

Ndërkombëtarët njëzëri: Duan SPAK dhe BKH për çrrënjosjen e pushtetarëve të inkriminuar shqiptarë

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk kanë asnjë prej vendeve partnere që të mbështesin kauzën e vetingut në politikë. Kreu i PD, Lulzim Basha ka kërkuar që të skanohen gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë, por duket se të gjithë po dalin kundër idesë së artikuluar prej tij.

Fillimisht, ka qenë SHBA që pak ditë më parë përmes zv/ndihmës sekretares së Shtetit, Elisabeth Millard u shpreh se zgjedh reformën në drejtësi si rrugën e vetme për të pastruar politikën nga krimi dhe korrupsioni.

Ndërkohë që dje krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë rreshtuar edhe Gjermania dhe Britania.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz kërkoi që pastrimi i politikës të bëhet pas ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas saj, nisma e propozuar nga opozita për një veting të politikës nuk duhet të çojë në bllokimin e vetingut në drejtësi.

“Politikanët sikundër edhe çdo qytetar tjetër shqiptar të cilët mund të jenë autorë të veprave të ndryshme penale do të duheshin gjithsesi që të silleshin para drejtësisë dhe në një shtet ligjor për këtë ka procedura të mirëpërcaktuara juridike. Ndaj mendoj se ajo që duhet bërë si hap i parë është bërja funksionale e procesit të vetingut që do të sillte pastaj edhe një drejtësi funksionale. Do të duhej të ngrihej sikundër e kemi thënë SPAK dhe Byroja Kombëtare e hetimit, në mënyrë të tillë që të mund të garantohej në një hap të dytë edhe vetingu në politikë. Më lejoni të plotësojë gjithashtu se diskutimet për idenë e vetingut brenda politikes nuk do të duhet të çonin në ngadalësimin apo në bllokimin e vetingut në drejtësi”, deklaroi ajo.

Në të njëjtën linjë me ambasadoren gjermane, dje është rreshtuar edhe ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë, Duncan Norman.

“Miksimeve të vetingut që po ndodhin t’i shtosh edhe një veting të ri atë në politikë, këto momente ndoshta nuk është diçka që Shqipëria ka nevojë”, deklaroi ambasadori Norman.

Goditja e krimit ekonomik, pastrimit të parave, terrorizmit dhe kultivimit e trafikimit të kanabisit do të jenë objektiv i këtyre strukturave.  SPAK dhe BKH të identifikojnë rrjetet kriminale që fshihen pas këtyre veprave penale.

Ndërkombëtarët njëzëri: Duan SPAK dhe BKH për çrrënjosjen e pushtetarëve të inkriminuar shqiptarë Read More »

Spartak Ngjela jep lajmin goditës: Amerikanët kanë gjetur në kompani offshore mbi pesë miliardë euro të pushtetarëve tanë

Paratë e pushtetarëve shqiptarë jashtë vendit janë ngritur gjithmonë si shqetësim. Sipas një raporti të Global Financial Integrity (GFI), vetëm përgjatë vitit 2017 kanë dalë plot shtatë miliardë dollarë nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.

Edhe në raportet e herëpashershme të Drejtorisë së Pastrimit të Parave të Pista shihet me shqetësim kjo pjesë. Paratë e pjesës më të madhe të politikanëve të nxjerra jashtë Shqipërisë janë të fshehura kryesisht në kompanitë offshore dhe në banka. Një gjë të tillë e konfirmuan ditën e djeshme për “SOT” avokati Spartak Ngjela së bashku me ish-kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.

Spartak Ngjela deklaroi se partnerët ndërkombëtarë SHBA-BE jo vetëm kanë rënë në gjurmët e parave të të korruptuarve, por nga momenti në moment pritet që të sekuestrohen për t’ia kthyer popullit shqiptar. Sipas tij, amerikanët kanë gjetur në kompani offshore mbi pesë miliardë euro të pushtetarëve tanë, ndërsa pritet që kjo shumë të rritet në vijim.

“Ndërkombëtarët jua kanë gjetur paratë në offshore atyre. Unë kam të dhëna që ju kanë gjetur mbi pesë miliardë euro dhe amerikanët kanë deklaruar që me këto pesë miliardë euro dhe më shumë që do t’i gjejmë korrupsionit shqiptar, do të fillojmë rikonstruksionin e Shqipërisë. Do t’ia kthejmë popullit shqiptar, pra do të sekuestrohen dhe do t’i kthehen vendit. Është mendim amerikan ky. Jua kanë gjetur nëpër offshore, mbi 5 miliardë euro dhe kanë thënë që tani e tutje do t’jua marrim, do t’jua konfiskojmë dhe do t’i investojmë në të mirë të popullit shqiptar në ekonomi. Ata nuk shpëtojnë dot më”, u shpreh avokati Spartak Ngjela.

Spartak Ngjela jep lajmin goditës: Amerikanët kanë gjetur në kompani offshore mbi pesë miliardë euro të pushtetarëve tanë Read More »

SHBA fundos deputetë, ministra e bosë krimi, bie në gjurmët e 77 mld USD para të pista

Gjatë një viti në Shqipëri qarkullojnë rreth 7 miliardë dollarë para të pista. Ndër vite është folur se në politikë, drejtësi dhe shumë institucione kushtetuese janë bërë pazare, por deri më sot është mister se si kanë arritur politikanët të fshehin pasurinë. ILDKP ka kallëzuar vetëm një numër të ulët pushtetarësh, ndërkohë që rezulton se në Parlament ka “sheikë” për nga pasuria. Por duket se një pjesë e madhe kanë gjetur strehim për të fshehur të ardhura në bankat, kompanitë offshore dhe kompani të ndryshe në vende jashtë Shqipërisë. Por ka dhe shumë të tjerë që marrin miliona lekë nga aktivitet kriminale jashtë vendit. Gazeta “Sot” ka siguruar një raport të Global Financial Integrity (GFI), një ndër kompanitë më prestigjioze në botë, që jep të dhëna mbi paratë e pista që dalin dhe hyjnë në të gjitha shtetet e botës.

Kompania me qendër në Uashington, një herë në dy ose tre vjet publikon të dhëna mbi financuar që dalin jashtë vendit, por këtë herë ka dhënë informacione dhe për ato që hyjnë. Në raportin më të fundit janë dhënë informacione për periudhën 2005-2014 dhe për vitin 2014. Aty bëhet e ditur se për vitin 2014, kanë qarkulluar plot 7.6 miliardë dollarë të pista. Pra kaq është shifra e parave të pista që kanë hyrë dhe kanë dalë jashtë vendit në një vit. Siç thekson raporti, janë para të vëna nga evazioni fiskal, krimi i organizuar dhe korrupsioni. Sipas raporti në harkun e 10 viteve, 2005-2014 kjo shifër shkon në 59 miliardë dollarë.

Ashtu si çdo vit, GFI flet për para të llogaritura mbi flukset tregtare, por shpjegon se përmes mashtrimeve që bëhen në dogana, kjo lejon që të korruptuarit të nxjerrin jashtë vendit të gjitha të ardhurat. Çdo vit kjo organizatë jepte informacione vetëm mbi paratë që kalonin në shtetet e huaja, por këtë herë tregohen dhe paratë që vijnë në vendin tonë nga kontigjentë kriminalë. Kjo tregonte se Shqipëria përveçse nxjerr para të pista jashtë, është kthyer dhe një vend ku depozitohen para krimi e korrupsioni.

“Flukset e paligjshme financiare në vendet në zhvillim lehtësohen nga mungesa e transparencës në nivel global për sistemet financiare që japin mundësi për shmangien e taksave, rritjen e korrupsionit apo krijimin e kompanive guaskë. Ka teknika të panumërta për të lëvizur në mënyrë të paligjshme paratë nga një vend në tjetrin ose për të pastruar paratë e pista. Këtu përfshihet keqpërdorimi i tregtisë, me qëllim që të zhvendosen të ardhurat e marra në mënyrë kriminale”,thekson raporti. Sipas tij, në Shqipëri është rritur me 6% futja e parave të pista në vitin 2014.

SHBA fundos deputetë, ministra e bosë krimi, bie në gjurmët e 77 mld USD para të pista Read More »

“Mendoni sikur të ishte halli juaj”, nëna e dëshpëruar letër Kuvendit të Shqipërisë

Letra e një nëne të dëshpëruar për djalin e saj të vetëm.

“U detyrova të shkruaj se jam në udhëkryq për shëndetin e djalit tim të vetëm që më ka mbetur!”. Kështu e nis letrën e saj dërguar ligjvënësve shqiptarë nëna e një djali të sëmurë me virusin H/B që e ka humbur një djalë për shkak të po këtij virusi dhe iu kërkon të vënë dorën në zemër sikur ky të ishte halli i tyre.

Gruaja nga Tirana Suzana Mehmeti, rrëfen në letrën e saj se djali mjekohet me kartelë spitalore prej rreth 5 vjetësh por se tani shëndeti i tij është duke u rrezikuar për shkak të ndryshimit të ligjit sepse ilaçi që duhet të merrte i biri nuk mund mund të merret më dhe në vend të tij është vendosur një ilaç turk.

E dëshpëruar nëna thotë se i kërkon komisionit të shëndetësisë si nënë e një djali të vetëm, e cila ka humbur një djalë nga H/B duke mos u mjekuar, të rishikohet ky ligj dhe të ketë klauzola për raste të veçantë.

Letra është publikuar nga deputeti demokrat Bardh Spahia i cili thotë se “kjo është pasqyra më e qartë e pseudo shëndetësisë falas dhe politikave sociale të kësaj mazhorance”.

LETRA E PLOTË
Letër Parlamentit të Shqipërisë
Komisionit të Ligjeve për Shëndetësinë
Të nderuar deputetë të këtij komisioni:
U detyrova të shkruaj se jam në udhëkryq për shëndetin e djalit tim të vetëm që më ka mbetur!
Djali vuan nga H/B dhe sipas ligjit në fuqi mjekohet me kartelë spitalore prej rreth 5 vjetësh. Mjekimi ka ecur mirë deri në muajin maj 2018 pasi në këtë muaj hyri në fuqi lista e re e rimbursimit të barnave, në të cilën ilaçi (VIREAD) u rendit si alternativë e fundit me çmimin më të shtrenjtë prej 21.300 lekë të reja/muaj, e pa përballueshme për një kryefamiljar që paguhet 22.000 lekë të reja në muaj. E them këtë sepse alternativa e ilaçit turk nuk i bën efekt, e provuar 6 muaj në vitin 2015.

Mjekët dhe fondi i barnave me të cilët kam kontaktuar disa herë në të gjitha institucionet edhe me portalin e bashkëqeverisjes më janë përgjigjur që ky është ligji. Alternativa falas dhe me bashkë pagesë siç e theksova dhe më lart nuk bëjnë efekt, alternativë europiane nuk ka përveç viread-it që kushton shtrenjtë.

Për sqarim: Në vitin 2013-2014 ky ilaç është marrë falas (VIREAD-i). Në 2015 është marrë me 7.500 lekë të reja. 2016 me 10 000 lekë të reja deri në 2017 me 5.400 lekë të reja dhe në maj të 2018 me 21.300 lekë të reja. Përveç ilaçeve problem janë dhe analizat. Dy analiza 6-mujore dhe 1-vjetore kushtojnë 23.000 lekë të reja pasi nuk bëhen në spitale shtetërore dhe janë të detyrueshme për të marrë mjekimin. Ligji na thonë se është evropian. Mjekimi na imponohet aziatik.

I kërkoj këtij komisioni si nënë e një djali të vetëm, e cila ka humbur një djalë nga H/B duke mos u mjekuar, të rishikohet ky ligj dhe të ketë klauzola për raste të veçantë, si në rastet e djalit tim që nuk i bën efekt ilaçi turk. Sigurisht kjo kërkon sugjerimin e mjekut në mënyrë që djali im mos të mbetet pa mjekimin e duhur se ky virus prodhon kancerin e mëlçisë.

Ishte bërë progres në 2017 që Viread-i u bë 5.400 lekë të reja në muaj, pse u kthye mbrapsht duke mos futur asnjë alternativë evropiane në mjekim?
Ju lutem lexojeni këtë letër dhe mendoni sikur ky hall të ishte i juaji. Për çdo paqartësi jam në dispozicion.
Mbetem me shpresë për të marrë një përgjigje nga ju.
Suzana Mehmeti

“Mendoni sikur të ishte halli juaj”, nëna e dëshpëruar letër Kuvendit të Shqipërisë Read More »

Negovani, fshati që ka vetëm shqiptarë, por ku nuk lejohet të flitet shqip

Është e trishtë historia e Negovanit. Në vitin 1928 këtij fshati të famshëm iu kthye emri në Flamburo. Në ditët e sotme aty ende banojnë shqiptarë ortodoksë dhe pak vllehë. Por sipas të dhënave nga viti 1912 deri në vitin 1928 në Negovan banonin rreth 1100 njerëz.Ky fshat është i njohur për atdhetarizmin e banorëve të tij. Në shumë shkrime të mëparshme kemi përmendur që në këtë fshat u hapën shkolla shqipe dhe u mbajtën mesha në gjuhën shqipe që në fillim të shekullit XX. Fshati është i njohur sepse këtu lindën figura të shquara shqiptare ndër më të njohurit Papa Kristo Negovani dhe Theodhos Haradhambi Negovani, të cilët u vranë barbarisht nga grekët në vitin 1905 sepse u mësonin fëmijëve të fshatit gjuhën shqipe. Papa Vasil Gjikë Stillo është nipi i Negovanëve i cili më 1910, bëri përpjekje që në kishën e fshatit të mbante meshën në gjuhën shqipe dhe e goditën me thika gjatë meshës, vdiq më 16 janar 1910 në spitalin e burgut të Manastirit.

Për vrasjen, në Negovan, të priftit shqiptar, dëshironte ta kthente liturgjinë në kishë nga gjuha greke në gjuhën shqipe ka shkruar edhe Brailsford.Sipas të dhënave që disponon historiani i njohur Arben Llalla në librin e tij “Demografia në viset Veriore të Greqisë”, shumë dokumente historike vërtetojnë se Negovani ka qenë fshat i pastër shqiptar. Pleqësia e fshatit në fund të vitit 1909, lajmëronte me një letër në gjuhën shqipe prej tre faqesh se është hapur shkolla shqipe “Dituria”, me mësonjës Petro Nini Luarasi, Në letër thuhet se shkolla në Negovan ka nevojë për libra dhe fletore për rreth 40 nxënës, djem dhe vajza të cilët e kishin braktisur shkollën në gjuhën greke. Në fund letra është firmosur nga pleqësia e shkollës, kryeplaku Sotir Kristo, arkëtari Sotir A Xoxe, Pleqnar Naso Tire dhe mësonjësi Petro.

Në fund letra ka edhe vulën e pleqësisë së mësonjëtores me vitin e themelimit të saj 1909. Origjinali i kësaj letre gjendet në muzeun e qytetit të Elbasanit. Kjo shkollë u drejtua deri në vitin 1911 nga Petro Nini Luarasi . Nga Negovani është dhe ish-ministri i brendshëm i Republikës së Shqipërisë Koçi Xoxe (1911-1949), njëri nga figurat qendrore të Partisë Komuniste. Gjatë kohës së diktaturës komuniste është shkruar se Koçi Xoxe ishte sllav-folës, por në Negovan nuk ka pasur asnjë familje sllav-folëse. Një kushëri i Koçi Xoxes i quajtur Mihal Xoxe, në fund të shek.XIX kishte ngritur në Kostancë një shtypshkronjë nga më të mëdhatë të asaj periudhe në Rumani, ku rilindësit shqiptarë botonin veprat e tyre patriotike. Aty janë botuar edhe librat e Frashërllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, të cilat ndezën në ato vite shumë ndjenjat patriotike.Negovani në fillim të shek.XX ishte fshat shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë.

Në një shkrim të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, më 10 nëntor 2003, Renate Flottau, shkruan se në Flamburo (Negovan) kishte takuar një të moshuar që shiste mollë anës rrugës dhe ai i kishte thënë se shqiptarët vendas nuk guxojnë as të flasin shqip në shtëpitë e tyre. Grekët na kanë asimiluar. Nuk ka shkolla shqipe apo institucione kulturore.Nga të dhënat e regjistrimeve të popullsisë që do sjellim më poshtë, nuk na rezulton që në Negovan të ketë familje sllave.Nga të dhënat që jep autori Brankof në fshat ka 96 bullgarë të krishterë, 110 grekë, 300 vlehë dhe 1080 shqiptarë të krishterë. Fshati kishte dy shkolla fetare, tre mësues dhe 200 nxënës. Sipas Millojeviç, ai jep të dhëna për 110 shtëpi ku banojnë shqiptarë ortodoks dhe 3 shtëpi vlleh ortodoks. Në regjistrimin e vitit 1932, fshati kishte 210 familje të huaja që flisnin gjuhën shqipe dhe pak prej tyre gjuhën sllave dhe rumanishten, dhe 44 familje kanë deklaruar hapur se janë shqiptar.Ndërsa Riki Van Boeschoten dhe Helleen van der Minne, deklarojnë se banorët e Negovanit janë deklaruar të gjithë shqiptarë.Sot fshati i përket komunës së Perasmatos dhe ka rreth 420 banorë.Nga Arlinda Canaj

Negovani, fshati që ka vetëm shqiptarë, por ku nuk lejohet të flitet shqip Read More »

Ja çfarë duhet të dini për dietat e vjeshtës/Këshilla për të mos u humbur…

Problemet me peshën janë gjithmonë shqetësuese për të gjithë ne. Pas periudhës së pushimeve ne mund të kemi marrë dhe disa kilogramë më shumë dhe fillimi i vjeshtës është mënyra më e mirë që do të na ndihmojë për të eleminuar sa më shumë këto kile të tepërta.

Dieta është njëlloj si pushimet, duhet që çdo gjë të planifikohet më parë. Përshembull nëse bëhet fjalë për ushqimin e fëmijëve, duhet ta planifikoni që në darkë të njëjtën gjë duhet të bëni dhe me ushqimin tuaj.Gjithashtu është e rëndësishme që çdo vakt duhet të ketë karbohidrate, proteina dhe yndyrna.

Një supë drithërash me perime të freskëta, peshk apo mish i bardhë janë të shijshme dhe me vlera. Për të shuar disi ndjesinë e ngopjes para se të ulemi në tavolinë pimë dy gota ujë, shkruan Living.Ndërkohë me uljen e temperaturave supërat janë mjaft të mira, por një aleat i mirë dhe për rënien në peshë. Tundimi ekziston për çdo ushqim, dhe për të shmangur sheqernat e tepërta mjafton vetëm ta shijoni, apo siç themi ne të hani sa për neps.

Ja çfarë duhet të dini për dietat e vjeshtës/Këshilla për të mos u humbur… Read More »

‘’Xhisela dhe nëna e saj sonte janë dhimbja ime’’ nga Sonila Meço!

NGA SONILA MEÇO

Ndërsa ekranet televizive janë ndarë në 25 pjesë, për të dëgjuar shumë burra e fare pak gra të shkoqisin të vërtetën nga mashtrimi mbi një histori ku janë shkartisur politikanë, deputetë, fëmijë deputetësh, policë, krerë lokalë thelbi i saj është dhuna e përdhunimi i vijueshëm ndaj një vajze 24 vjeçare, jetime, nga Nikla e terrorizuar e braktisur në fatin e vet të keq.Me siguri i ndjek e strukur, duke mbërdhirë prej etheve të ankthit, e terrorizuar, kredhur trupit të drobitur të së ëmës, që një Zot e di si i duron shpirti gjëmën, pas dhunës ndaj së bijës, përgojimin, përdorimin dhe keqtrajtimin publik të dritës së syrit.Për kë të të vijë keq më parë, për Xhiselën (ende nuk ia dimë emrin e saktë, ndoshta më mirë për identitetin e saj), për të ëmën, motrën, për të tjera vajza e gra të Niklës, që mund të jenë dhunuar e përdhunuar po nuk patën guximin të denoncojnë, për vajzat që rrisim në vendin ku dhunuesit mbrohen nga politika, policia, prokuroria, parlamenti, shteti?Kjo është një histori përdhunimi e dhune, para se drejtësia të thotë të vetën dhe pasi të prekurit në histori të kenë ndezur altoparlantë propagande për të devijuar thelbin. Si për ironi të fatit, në Shtetet e Bashkuara, në Komitetin e Drejtësisë të Senatit, po sot u mbajt një seancë dëgjimore e Christine Blasey Ford e cila ka akuzuar të nominuarin për Gjykatën Supreme Brett Kavanaugh për tentativë përdhunimi kur ishin adoleshentë, në vitin e largët 1982.Të dëgjoje sot anëtarë komiteti, shoqëri civile e media gjithçka vërtitej në pasojat e tmerrshme të ngacmimeve seksuale e përdhunimeve. Ky rast, si shumë të tjerë të sjellë në vëmendje nga lëvizja Me Too, sipas reagimeve publike dëshmojnë sa e nënvlerësuar është kjo lloj dhune, që kalon pa u konsideruar. Dhe dalin senatore, që pranojnë se institucionet kanë dështuar, se gratë e vajzat janë braktisur, janë riviktimizuar.
Protagonistja thotë së ndihet e tmerruar, se nuk mban mend detajet, por di se si i ka ndikuar jetën, si i ka shkatërruar pjesë të saj, si po vuan familja e saj tashmë daljen publike të faktit, mes kërcënimeve me vdekje, gjykimit publik, për traumën, që ripërjeton karshi opinionit publik, si e masakrojnë me përcaktime, fyerje e mallkime njerëz, që nuk i ka takuar një herë të vetme në jetë. Edhe atë e akuzojnë, nuk e besojnë, e gjykojnë pa gjyq, e paragjykojnë, e konsiderojnë vegël politike.Dhe kur kjo situatë, e një historie përdhunimi në thelb prodhon këto reagime e deklarata në Amerikë, mund të imagjinoni se ç’do thosh në vend të Christine Flasey Ford, Xhisela e Niklës?Po si ndihet aty në një kënd të dhomës, e braktisur, e përgojuar, e kërcënuar? Një Amerikë e tërë sot dëgjon, si për të parën herë se përdhunimi është i tmerrshëm, shkatërrues. Se akuzat për ngacmime seksuale duhen marrë seriozisht, se ata që bëjnë akuzat meritojnë të dëgjohen seriozisht, të mbrohen, të trajtohen.Imagjinoni Xhiselën, që ka duruar djegien e cigares në lëkurë, të fiktin prej dhunës, ndjesinë e ftohtë të pistoletës në tëmtha e pas kësaj, tërheqjen zvarrë të denoncimit, fyerjen, braktisjen, kërcënimin, intervistat pa shpirt të medias, skërmitjen e dhëmbëve të pushtetit, revanshin e politikës, vrerin e rrjeteve sociale, pasigurinë e agut në prag.Ndaj Xhisela dhe nëna e saj sonte janë dhimbja ime. Çfarë po përjetojnë tani dhe kush i mbron?

‘’Xhisela dhe nëna e saj sonte janë dhimbja ime’’ nga Sonila Meço! Read More »