Irina

Në malin magjik të Lenies, ku uji bën mrekulli për të sëmurët

Natyra shpesh fsheh brenda vetes çudira të rralla. Krahas bukurive, ku të çlodhet syri ajo krijon për njerëzit edhe ato gjëra, që një mjek nuk mundet t’i krijojë asnjëherë. Nga të njohurit e mi kisha dëgjuar për Burimin e Lenies, në një nga zonat më të thella të Gramshit, të përdorur prej shekujsh, duke e konsideruar ndër ujërat e ftohta kuruese në Shqipëri dhe jo vetëm aty..! Burimi ndodhet në lartësinë 1684 m mbi nivelin e detit, në shtrirjen e një akullnaje të vjetër kuaternare, ku ndodhen liqene të vegjël e ku ka me shumicë pisha malore qindravjeçare.

Nga Pëllumb Gorica

Një mëngjes të bukur u nisëm drejt Lenies, që ndodhet 50 kilometra larg Gramshit. Por, për të shkuar deri atje, duhet të ecësh në një rrugë të “mundimshme’’, me zigzage të shumta e shpesh të “pasigurta’’. Nuk ke arsye të ankohesh për rrugën e “keqe’’, nëse do të shijosh të mirat e natyrës, freskinë dhe magjinë e pyjeve të pishave, si një spital natyror, e më kryesorja ujin çudibërës, ku mund të bëhesh mjek i vetvetes që të shërohesh prej sëmundjeve pa ngurruar në kohën e duhur, por edhe të qetësohesh ca ditë larg zhurmës së trevave urbane. Kur e sheh pak me gjakftohtësi këtë guxim sfidues, për të bërë “celebrimin” e ligjshëm ajo ndjenja e furishme përbrenda vetes, të bën të mos ndjesh lodhje. Makina jonë ndoqi rrugën në të majtë të rrjedhës së lumit Devoll, që gjarpëron si një vijë e hollë dhe e kaltër grykave, pyjeve e kurrizeve shkëmbore.

Të kthyer në drejtim të xhamave të dritareve vështronim Bërsnikun, Kodovjatin, Bulçarin dhe Tragjinin, fshatra të vendosur rrëzë kodrave, që shfaqen si njolla shkëndijore në atë qilim të gjelbër të pyjeve. Edhe këtu erozioni ka bërë punën e vet së bashku me dorën lakmitare të njeriut, me pasojë shkatërrimin e ekuilibrit të natyrës, duke masakruar pyjet. Ndërkohë pushtohesh nga një ndjenjë zhgënjimi e arratisë së dhimbshme të fshatrave, si një kambanë alarmi, që do sjellë boshatisjen e tyre nga mungesa e kushteve për të jetuar, më kryesorja rrugës së pashtruar gjithë gropa, pluhur dhe lodhje, e cila prej vitesh nuk ka pasur përkujdesjen e duhur. Në Qafën e Dushkut, si portë natyrore të shfaqet në pëllëmbë të dorës, Kurata, Grabova e Poshtme dhe Shënepremte, me shtëpitë grupe-grupe sa një dorë, të fshehura mes gjelbërimit, si gjithë fshatrat e Gramshit. Më lart Shënepremtes është Grabova e Sipërme e banuar nga vllehët, të vendosur këtu pas djegies dhe shkatërrimit të parë të Voskopojës, që për të siguruar vetëqenien e tyre shkuan drejt vendeve të mbrojtura, me ujë, toka, livadhe e pyje. Qafa e Dushkut ka shërbyer si vijë fronti lufte sa herë janë dyndur ushtritë pushtuese. Historitë tregojnë se në Luftën e dytë Botërore u kthye në arenë luftimesh midis ushtrive italiane dhe greke, ku secila palë me kacafytje dhëmb për dhëmb për jetë a vdekje, të kapnin lartësitë e malit të Lenies. Një histori lufte ”me veten e tyre”, me shumë elementë strategjikë, por deri më sot është “enigmë”.

– Pas përfundimit të luftës, – tregon Bajram Haxhillari nga Grabova e Poshtme, ushtarët italianë nuk kishin bukë për të ngrënë. Ata vinin në shtëpitë tona dhe kërkonin nga prindërit tanë t’u jepnin atyre bukë. I trajtuan si vëllezër se nuk ka faj ushtari, por ata që drejtojnë luftën. Shënepremte e mbledhur në lugun e kodrave, me lagje të shpërndara rrëzë tyre s’kishte se si të mos rrëmbente vështrimin tonë. Masat shkëmbore, i kanë dhënë forma të veçanta peizazhit të saj. Aty kalon një urë metalike, me dy gurë si gardianë besnikë të mureve të kalasë antike, ku gjurmët humbasin mes arave dhe ndërtimeve. Më lart shfaqet një e çarë pingule me dy shkëmbinj të njëjtë rreth 1.5 km ( Shkëmbi i Kopaçit), me mbi 500 metra lartësi shquhet, si një monument që e ka krijuar natyra me aq madhështi. Thuhet se shekuj më parë Shënepremte ishte tepër e populluar, me një kulturë të zhvilluar për kohën, ku endeshin zhurmat, duke jetuar me të mirat dhe të këqijat e saj. E vështirë jeta, por e kapërcyeshme pranë ajrit të pastër, pyjeve dhe maleve përreth. Nga shfletimet e dokumenteve dhe historive të dëgjuara, kanë lënë gjurmë ngjarje të rëndësishme të ndikuara nga faktorë historikë, trashëgimie, ekonomikë e social. Figurat e saj në kohë ishin liridashëse pro kombëtare, të qëndresës ndaj çdo shkelësi të huaj, sepse shpirti i tyre, si vetë natyra, kishte forcuar tek ata tiparet e termit “burrë”, të këngës e muhabetit, besnikërisë, guximit, zemërgjerësisë e sakrificave ndaj vetvetes. Këto vlera të skalitura në shekuj shikoheshin nga partiakët në dy këndvështrime, si në pozitiven dhe negativen e situatave. Të vijnë në mëndje histori rrëqethëse, kur kuadrot partiakë nga Gramshi shtroheshin në darka të mëdha aty dhe të nesërmen e dënonin mikpritësin me burg. Sigurisht janë kohë të tjera dhe ndryshimi në Shqipëri në fillim të viteve ’90, të kalimit nga centralizimi në kapitalizëm edhe këtu krijoi probleme. Pas kësaj gjërat morën dhe një kah të kundërt, sa pati stërmundim për kapërcimin e vështirësive të panjohura. Por zgjidhja erdhi nga lëvizja e pakontrolluar e emigrimit jashtë shtetit dhe drejt qyteteve më shumë se gjysmës së banorëve për një të ardhme më të mirë. Të pamundurit, që nuk janë larguar nga vendlindja kanë investuar aty, duke shfrytëzuar mundësitë që u ka dhuruar natyra.

Mali i Lenies

Rruga kalonte mes për mes shtëpive, të rrethuara nga kopshtije me lloj- lloj frutash, që tregonte se banorët i kanë trajtuar paqësisht e mjeshtërisht ato, me tradita që burojnë nga thellësitë e shekujve. Të mësuar me lëvizjet në këtë periudhë, por të zënë me punët e tyre në arat dhe stanet, me ballafaqimin e vështirësive ata janë të çlirët nga kureshtja e mysafirëve që shkelin aty. Ne, duke u ngjitur nëpër një varg kodrash që ngrenë shpinën në malin e Lenies, në një të përpjetë që sa vinte e bëhej më e vështirë, na bënte të shijonim bukuri të tjera. Emrin mali sipas një legjende e ka marrë nga mbretëresha Lenje, që mbretëronte viset rreth e qark. Me pyjet, gurët, kullotat, bimët medicinale dhe ujin e jashtëzakonshëm ai shfrytëzohet në interes të mirëqenies së banorëve dhe u jep një avantazh të madh për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, duke mos u mjaftuar me një muaj. Por nëse do të investohet, së pari rruga me asfalt, duke e lidhur me Gramshin vizitorët do të vinin ndoshta me mijëra e s’do të ishin thjeshtë frekuentues të ujit çudibërës. Por, këtu ato mungojnë dhe shteti nëpërmjet projekteve për një fshat turistik mund ta ringrejë nga gjendja ku ndodhet.

Të njohësh sfidat kuruese të natyrës

Me këto mendime përgjatë rrugës gjarpëronjëse, që sa vinte e bëhej e përpjetë dhe me hendeqe të thella, ku në të rrallë kalonte ndonjë makinë, i afrohemi lartësive të Lenies, që kufizohen me fshatrat malorë të Pogradecit dhe të Korçës. Të binin në sy lëndinat, ku bari kishte marrë ngjyrë okrri e mizëronin tufa delesh, të cilat përtypnin e ripërtypnin atë. Tringëllimat e zile-këmborëve, melodia e fyellit dhe kënga e zogjve të sillnin një kënaqësi shpirtërore.  Ndalesën tjetër e bëjmë pranë një pylli me dru gjithfarësh deri edhe pemë frutore, identike, si në lartësitë e tjera rreth e rrotull, aty- këtu stane e lera uji të cilat lehtësonin punën e barinjve dhe përmirësonin regjimin kullosor të bagëtive. Diku mbrapa malit dëgjohen ca shpërthime. Janë punimet për Hidocentralin e Moglicës, që po konturon digën e tij në rrjedhën e Devollit, pothuajse një orë rrugë më këmbë larg që këtej. Ecim dhe pak derisa derisa mbërrijmë në një shesh të gjerë, të thatë e të mbrojtur nga erërat, në mes dy përrenjve që gurgullonin ujërat drejt Shënepremtes. Ajri dridhej nga zhurmat e makinave, hingëllimat e kuajve dhe zërave njerëzorë, që ashtu siç thuhet s’ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Ne arrijmë, por të tjerë nxitojnë të ikin prej andej, me plot lëvizje e gjallëri. Në mes të tij shfaqej në guackën e vet një godinë e gurtë hijerëndë e të vetmit hotel këtu, me një arkitekturë kubike, të cilën po ta kundroje, të ngjante si një kapanon ushtrie, rrethuar nga dy tre baraka dhe qindra çadra në mënyrë kaotike, të ngritura këtu për një muaj rresht çdo vit. Nuk pret komoditete, por në thjeshtësinë e pajisjeve, ato sigurojnë kushte, ku mund të kalohet nata e freskët. Kjo periudhë aktiviteti ka shpërthime dhe pushime të përkohshme, që nuk zgjat më shumë se, nga fillimi i gushtit deri në mes të shtatorit.

-Ky numër të ardhurish në këtë kohë, nga anë e anës është shumë i madh për Lenien – thotë Bledi Bici, që shkon në më shumë se 300 në ditë, me shpresën për t’u kuruar u lehtëson dhimbjet, largon stresin, kënaq sytë dhe qetëson shpirtin. Me ardhjen e tyre duket se edhe natyra këtu merr pamje tjetër dhe gjithçka gjallërohet. Bledi na sistemon diku në mesin e hapësirës së çadrave. Qemë lodhur pas asaj ngjitje dhe një kafe e shoqëruar me një gotë ujë do e zhbënte atë, por kureshtja të bën t’i afrohesh burimit që gurgullonte nga një lëfyt i vogël.

Pak më poshtë në gjendje natyrale uji i burimit kishte formuar një gropë të rrethuar me gurë, me diametër 3 metra, i cili qarkullonte vazhdueshëm e derdhej në një liqen me sipërfaqe ujore 2.5 ha, si një sy i kaltër. Rrezet e diellit e bënin më shkëlqyese pamjen e tij dhe gjithashtu edhe atë vend me gurë e drurë. Ndërkohë që aty ziente gjallëria, pamja e natyrës ishte aq romantike dhe e thyer sa s’mund ta përshkruash dot, nga shkëmbinjtë me forma interesante dhe pyll i veshur me pisha që krihen e tunden nga era.

Në qiell ndonjë re e bardhë, të ngjante si një dele e shkëputur nga tufa. Mjekë dhe studiues vendas e kanë vëzhguar me përkushtim se ç’fshihet në përbërjen e vetive të këtij burimi që shëron. Ndalesat e tyre në studime shkencore përcaktuan fuqinë kuruese të burimit të freskët të Lenies, i cili shkon në temperaturën 3 gradë gjatë verës së nxehtë.

Përmbajtja e disa kripërave të pasuara me kalcium, magnez, sulfate të natriumit me pH neutral, jo vetëm për t’u pirë, por edhe me banjën ndihmojnë për reumatizmin, sëmundjet bllokuese të gjunjëve, krahëve, tendinëve, paralizave, edhe për ato me anemi, anoreksi, astmë, bronshit, ftohje, edema, gastrit, të sindromës së zorrës së irrituar, hemorroideve, sinozitit, teshtitjeve, por jo për ata me sëmundje të rënda të zemrës dhe mushkërive për të cilat është i domosdoshëm miratimi i mjekut.

Mos ta zemërojmë Natyrën, ajo ka ligjet e veta ndëshkuese!

Por, megjithë frekuentimin e jashtëzakonshëm këtu nuk ka shërbim mjeksor për kontrollin e tyre para hyrjes në ujin e ftohtë e cila mund të jetë fatale. Dhe rastet nuk kanë munguar. Banjat në pus për çdo njeri zgjasin rreth 15 minuta, njëherë në ditë. Çdo frekuentues zhyt trupin në ujë dhe mundohet të durojë temperaturën e ulët. Larja e përditshme në pus e qindra njerëzve kërkonte edhe respektimin e higjienës me sa lejonin kushtet. Edhe pse ishte investuar për grumbullimin e mbetjeve atje përsëri ndotej Natyra. Në një vëzhgim të shkurtër të bënin përshtypje kasapët që thernin qengja dhe mbetjet i hidhnin në grykëderdhjen e burimit, gra të cilat hidhnin mbetjet e tyre higjienike në ujë me besëtytni se do u largoheshin sëmundjet, apo te veprimet e pijanecëve ordinerë, që pasi mbaronin së piri i thyenin shishet me birra ku të mundnin. Natyra ka ligjet e veta të miratuara qysh me krijimin e saj. Ajo mund të na ndëshkojë siç ka bërë me burime të tjera, duke i tharë ose zhdukur ato, ndaj të mos e keqtrajtojmë këtë dhuratë të Natyrës, për t`ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm.  Pas banjës, sipas rregullave, kuruesi nuk duhet të qëndrojë në vend, por për disa minuta duhet të bëjë ushtrime dhe ecje për të mos e ndjerë të ftohtin. Ai duhet të shtrihet më pas e të mbulohet me batanije e ndoshta edhe të flejë një orë sa të djersijë. Rregulla të tjera thonë se kuruesit nuk duhet të konsumojnë as mish dhe as alkol. Megjithëse të panjohur shumë shpejt miqësohesh me ata që janë pranë pusit. Bisedat vërtiten rreth vetive kuruese, ku secili tregon diçka të dëgjuar për mrekullitë e ujit, ndonjëherë të ekzagjeruara nga fantazia e shfrenuar e tyre. Tregimet shpesh ishin të veshura me cilësi të veçanta për njerëz që janë shëruar, e s’është e udhës të përmendim grimca dëshmish të përfitimit nga uji çudibërës.

– Që ka vlerë kurues ky ujë është e padiskutueshme – thotë Tahiri nga Dumrea, se ndryshe nuk do të tërhiqnin njerëz të panumërt. Neimi, një banor vendas tregtonte djathë. E pyesim për toponiminë e Ujit të Ftohtë.

-Këtu shuanin etjen barinjtë dhe udhëtarët që kalonin. Dikur një çoban i këtyre anëve kthehet nga meraja dimërore dhe meqë kishte shumë ujë, bashkë me delet qëndronte pranë këtij burimi. Mushkën e tij e pickoi miza dhe vrapin e ndali te pusi, ku u mbyt. Ndaj e quajnë burimi i mushkës. Ai e tregoi aq rrjedhshëm dhe me aq pasion, sa të krijonte përshtypjen sikur kishte qenë dëshmitar i kësaj ngjarje. Është quajtur edhe pusi i grave. Kështu thoshin pleqtë e moçëm. Me energjinë e zhurmshme orët në kampingun pranë burimit të Lenies kalojnë në çaste të këndshme, të vogla në përmbajtje të tyre, por të mëdha nga kuptimi i kënaqësisë. Për të pasur një syshikim të gjerë, të apasionuarit e eksplorimit të natyrës u bien kryq e tërthor pyjeve, livadheve pa mbarim të malit të Valamares aq të dashura për qetësinë dhe freskinë, duke kapërcyer, shkëmbinjtë e trungjet e rrëzuara të pishave, gropa dhe brigje, gurë të copëtuar që thurin e thyejnë peizazhin këtu. Pa dyshim që në rrethana të tilla romantikën e shijon tej mase, rreth zjarreve, ku freskinë nuk e ndjen, por zhurmat ngjajnë me një zgjua blete që s’pushon as natën vonë, me këngët që çiltërsojnë gjendjen, si në një festë të bukur. Bota krijon aty ku s’ka, kurse banorëve të Lenies Natyra ua dhuroi me bujari burimin e ftohtë të Lenies, që është rrallë ta gjesh, si një bekim i saj, ndaj duhet ta njohim, ruajmë e të rritim më tej vlerat kurative e turistike. Sa më shumë që largohemi nga ky burim i ftohtë kurativ aq më shumë e ndjejmë veten të lidhur me ujin e tij të kristaltë.

Në malin magjik të Lenies, ku uji bën mrekulli për të sëmurët Read More »

Çështja “Balla”, bëhet nami në Parlamentin Europian. Gjithcka çfarë ndodhi

Çështja “Balla” është bërë problem para syve të politikanëve europianë.
Debati brenda politikës shqiptare ka kaluar kufirin dhe kësaj here është spostuar në Bruksel. Genc Pollo dhe Taulant Balla kanë ngritur tonet edhe në Parlamentin Europian.

Teksa Balla fliste përballë të pranishmëve, Genc Pollo kërkoi të merrte fjalën. Ndërkohë drejtuesja e Komisionit “kritikoi” Pollon, ndërsa ky i fundit bashkë me përfaqësuesit u larguan nga salla.

“Eurodeputetët e sikletosur nga Balla. Ç’të bëjmë, zemë hundën me dorë e vazhdojmë punën. Eurodeputetët kerkojne zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës. Balla pasardhës i denjë i Tahirit në këtë Komision; si Tahiri të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues”, tha Pollo.

Pollo kërkon që komisioni të mos drejtohet nga Balla, ndërsa ka theksuar se kjo është e padenjë të jetë bashkëkryetar.

“Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi. Turp për ne të gjithë, po e toleruam edhe në Bruksel. Ne nuk mund të rrimë e të votojmë deklarata me thirrje kundër krimit te korrupsionit me Ballën në presidium. Eurodeputetët mund të mos kenë mekanizëm procedural për ta larguar Ballën. Por, siç e thanë, do zënë hundën me dorë e vazhdojnë një orë punë. Dhe po i kërkojnë llogari ekzekutivit të tyre për skandalet e shumta të Balles. Edhe pse kjo është hera e fundit me Ballën bashkëkryetar ne këtë parlament. Me Ballën shef delegacioni parlamentar sabotohet integrimi europian dhe silurohet hapja e negociatave vitin tjetër”, shtoi ai.

Drejtuesja e komisionit kërkoi nga deputetët e opozitës të respektojnë rendin e ditës, por theksoi faktin se me largimin nga mbledhja, deputetët tregojnë se janë kundër dialogut.

Po gjatë ditës së sotme ka patur reagime dhe kundër-reagime në distancë mes Ballës dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Balla deklaroi se Basha ka porositur deputetët e tij për të krijuar rrëmujë në Parlamentin Europian, ndërsa i bëri thirrje që të ishte i kujdesshëm, me qëllim për të ruajtur imazhin e vendit duke mënjanuar sulmet politike, të cilat sipas tij janë të pabaza.

Nga Brukseli Balla tha se betejat mes kampeve politike duhet të lihen në Shqipëri. Po ashtu Balla bëri deklaratën e fortë, ndërsa shtoi se nëse ndonjë nga akuzat që lëshoi deputeti i PD-së Genc Pollo është e vërtetë, ishte i gatshëm që t’i bëhet gjyqi në Luksemburg.

“Ne duhet të lëmë betejat tona në Shqipëri, dhe këtu të bashkojmë forcat me ju. Nëse 1% kaq është shumë 1 në 1 mln nga gjithcka sa tha z. Pollo jam gati të më bëhet gjyqi ne gjykaten e Luksemburgut”, tha ai.

“Ata duhet të votojnë bashkë me mua ligjin e Magjistraturës. Dy vite me parë votuam reformën në drejtësi. Ishte Kukan, Fleckenstain, por ka shumë ligje në parlament që kërkojnë shumicë të cilësuar në parlament kolegët ne parlament duhet të kuptojnë se nëse duan të vijnë në pushtet vihet me zgjedhje të lira. Ndryshimi nuk behet me marrëveshje por përmes votës se popullit dhe te kesh zgjedhjet e lira. Ndryshimi nuk behet me marrëveshje por përmes votës se popullit dhe te kesh zgjedhjet e lira ne thamë se duhet te bëjmë ndryshimet ne kodin zgjedhor. Drafti është këtu, unë dua t’ju jap një kopje gjithçka është aty nga A te ZH. Vettingu po vazhdon gjysma e tyre që e kanë kaluar, për fat të keq ose për fat të mirë. Faleminderit për angazhimin tuaj. Ju e doni vendin tim më shume se opozita jonë”, tha ai.

Çështja “Balla”, bëhet nami në Parlamentin Europian. Gjithcka çfarë ndodhi Read More »

PD-PS përplasen në Bruksel, opozita braktis takimi, të largohet Taulant Balla

Ka shkuar deri në Bruksel përplasja mes PD dhe PS. Sherri mes tyre është zhvendosur në Parlamentin Europian ku opozita ka braktisur takimin. Ka qenë Genc Pollo ai që ka kërkuar që Taulant Balla të mos jetë bashkëkryetar i këtij delegacioni, duke thënë se ai është pardon i krimës dhe i drogës. ‘’Është e padrejtë që Balla të jetë bashkëkryetar i këtij delegacioni. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndryshoi këtë deputet me një tjetër dhe turp për ne që e toleruam ”, mësohet të jetë shprehur Pollo, pak para se të linte sallën bashkë me kolegët e tij të PD-së.

Sipas Pollos, “me Ballën në majë të pirgut s’ka kuptim deklarata e sotme kundër drogës e pro negociatave”. Sipas Pollos, eurodeputetët kërkojnë zyrtarisht shpjegime për skandalet e Ballës. “Balla pasardhës i denjë i Tahirit në këtë Komision; si Tahiri të largohet! Dhe do të largohet. Kjo është e fundit mbledhje e Parlamentit ku Balla është bashkëdrejtues”.

Por teksa ai fliste ndërhyri Monika Macovei, nënkryetarja komisionit të Stabilizim Asociimit, duke i thënë që të mos vazhdonte më. “Të gjithë këto akuza që ju thoni, i kemi kontrolluar dhe nuk janë të vërteta”– tha ajo. Edhe para nisjes së kësaj seance në parlamentin europian ka pasur një përplasje përmes statuseve në Facebook mes Pollos dhe Ballës, ku ku i fundit shkruante: Lulzim! Ti e di që je zyrtarisht në hetim për “kallzim të rremë” bashkë me Shpifës Nuhun. Për mua flasin qartë kamerat e komisariatit (s’kam qenë hiç aty, madje as Nuhun s’e ke aty). Nesër, sapo të kthehem nga Parlamenti Europian, gati një kallzimi tjetër për ty dhe Florenc Hoxhën, shokun tënd të famshëm që s’i zë dora vend pa shkelur ligjin👎.

PD-PS përplasen në Bruksel, opozita braktis takimi, të largohet Taulant Balla Read More »

Çfarë po ndodh me Ramën? Gjatë fjalimit para zyrtarëve të policisë ra në sy një gjë e pazakontë

Kreu i qeverisë, Edi Rama mbajti sot një fjalim të gjatë para zyrtarëve të Policisë së Shtetit, ku kërkoi të padisin mediat e qytetarët për shpifje. Gjithashtu Rama tha se, sa i takon sigurisë Tirana është më mirë se Roma, Athina dhe kryeqytete të tjera.

Por ndërsa fliste ra në sy sikleti i Ramës, pasi në fytyrën e tij u pa të gëlonin djersë të pazakonta. Nuk dihet nëse ambienti është shumë i nxehtë aty apo vetë Rama ka ndonjë siklet shëndetësor, e cila po pasqyrohet me djersitje.

Çfarë po ndodh me Ramën? Gjatë fjalimit para zyrtarëve të policisë ra në sy një gjë e pazakontë Read More »

Blendi Fevziu rrëfen një takimin e Ramiz Alisë me Leka Zogun

Drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ka rrëfyer një takim të Ramiz Alisë me Leka Zogun, të ndodhur në vitin 2002 në ambasadën franceze. Fevziu, i cili njihet për lidhjen e gjakut që ka me Mbretin Leka Zogu, analizon paradoksin e regjimit komunist ku njerëzit ndaheshin në të mirë dhe të këqij.

Angazhimi politik do të shenjonte për një gjysmë shekulli, historitë e secilit… ‘Historia e gabuar e “të mirit” dhe “të keqit”’, botuar në revistën “Medius” hedh dritë në ca prapaskena historike.

1528227298_BlendiFevziu

BLENDI FEVZIU

Në një pritje të Ambasadës Franceze më 14 korrik të vitit 2002 isha duke biseduar më këmbë, në mes të një grumbulli të madh e heterogjen të ftuarish me liderin e fundit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alinë. Nuk e kujtoj nëse biseda ishte fokusuar në çështje të ditës apo të së shkuarës, por një moment dallova pretendentin e fronit mbretëror, Lekën e Irë, ose Leka Zogun siç njihet në Shqipëri, që po afrohej duke përshëndetur të ftuarit në dy anët e tij.
Leka kishte mbërritur në Shqipëri ca javë më parë, për t’u vendosur përfundimisht në atdhe, prej nga ishte larguar thuajse 48 orë pasi kishte ardhur në këtë jetë dhe qe kthyer tashmë 63-vjeçar. Më të isha njohur 3 vjet më parë në Johanesburg të Afrikës së Jugut, kur i kisha bërë, së bashku me të ëmën, Mbretëreshën Geraldinë, një intervistë shumë interesante. Leka u afrua të më jepte dorën dhe vetëm momentin e fundit dalloi përballë meje Ramiz Alinë. Lideri i fundit komunist dhe pretendenti për fron u gjendën përballë, të dy të ngrirë, pa i dhënë dorën njëri-tjetrit, por edhe pa mundur të thonë asnjë fjalë.

Rastësia i vendos njerëzit në situata të çuditshme e, shpesh, shumë problematike. Ajo ngrirje prej statujash e të dyve, vetëm një hap larg, ishte më shumë se një ngërç personash, ishte një ngërç i historisë. Leka Zogu ishte larguar nga Shqipëria 2 ditë pasi kishte lindur. Babai i tij u largua si pasojë e pushtimit italian dhe jo e ndonjë zhvillimi të brendshëm politik. Logjikisht një fëmijë nuk mund të mbajë kurrë përgjegjësi për bëmat e babait të tij dhe as të jetë përgjegjës për një kohë kur ai nuk kishte lindur ende.

Por komunistët nuk e ndoqën këtë parim universal. Ramiz Alia doli në atë kohë partizan dhe u bë një nga liderët e rëndësishëm komunistë në vite. Pas ardhjes së tyre në pushtet, Mbretit iu ndalua kthimi në Shqipëri. Kur Mbreti Zog i I-rë iku nga kjo botë, Leka u konsiderua kërcënimi kryesor i regjimit. Ai u vendos në krye të listës së kriminelëve të luftës edhe pse gjatë saj kishte qenë 4 – 5 vjeç dhe kishte jetuar në Angli! Komunistët vendosën ta luftojnë Lekën me çdo mënyrë dhe kudo që të ishte. Por edhe Leka nuk u pajtua me fatin e tij. Ndërmori jo pak nisma për ta rrëzuar regjimin komunist, edhe pse pa sukses. Nëse Alia dhe regjimi i tij do ta kishte kapur Leka Zogun, ai patjetër do të kishte përfunduar në togën e pushkatimit.
Por edhe Leka nuk do të kishte pasur ndonjë sjellje më bujare nëse Alia një ditë do të ishte në dorën e tij. Ata kishin luftuar fort si dy kundërshtarë politikë, produkte të ideologjive të ndryshme dhe tani gjendeshin përballë. Të pafuqishëm për ta luftuar njëritjetrin; të pabindur plotësisht për ta falur njëri-tjetrin dhe, pa dyshim, të çuditur me mënyrën se si zhvillimet politike i kishin sjellë tani përballë, në të njëjtin ambient dhe të dy të ftuar të një vendi demokratik.

Zhvillimet politike të një vendi, ndryshimi i sistemeve dhe regjimeve, por edhe roli që individët luajnë në histori ndryshon shpesh, por për historiografinë komuniste, që ende vijon të dominojë mendësinë e shoqërisë, kjo ishte e papranueshme dhe e pamundur. Në fakt, kjo përballje e Alisë me Zogun niste pikërisht këtu. Te bindja jonë e rrënjosur që një gjë e tillë nuk mund të ndodhte. Te keqkuptimi që historia e shkruar kishte krijuar në Shqipëri dhe te paaftësia jonë për ta rishkruar atë mbi një bazë dhe stil krejt tjetër nga ai që kishte imponuar sistemi totalitar.

Si gjithçka e shkruar në mungesë lirie dhe me një ndikim të fortë ideologjik, historiografia komuniste kishte vetëm një mënyrë të shpjegimit të fenomeneve, ngjarjeve dhe personazheve. Atë të ndarjes së tyre në të mirë dhe të këqij. Në pozitivë dhe negativë. Në patriotë dhe tradhtarë. Asgjë e ndërmjetme nuk ekzistonte. Nuk po zgjatem me shpjegimin më të detajuar të kësaj metodologjie të sakatuar, sepse do të kërkonte një analizë më të thelluar dhe më të gjatë, por po mundohem ta ilustroj që të jetë më lehtësisht e kuptueshme. Sipas kësaj metode, në varësi të qëndrimit ndaj komunistëve apo filozofisë së tyre, personazhet kalonin në njërin sirtar apo tjetrin pa ekuivoke.

leka zogu

Historiografia komuniste përpunoi edhe një format të “të mirit” dhe të “të keqit”, të patriotit dhe të tradhtarit. Më shumë se me historiografinë, ky trajtim na ngjan me letërsinë e realizmit socialist dhe me modelin e njeriut të ri. Patrioti ishte gjithnjë trim, nuk gabonte kurrë, ndodhej gjithnjë nga ana e drejtë e historisë, madje ai nuk kishte as vese dhe as probleme në jetën e tij personale. Tradhtari ishte gjithnjë në anën tjetër. Gjithnjë gabim, gjithnjë me armikun dhe plot me vese. Kjo mënyrë absurde e shikimit të historisë jo vetëm i ndau më dysh personazhet e ngjarjeve të rëndësishme, por zhvlerësoi debatin mbi ngjarjet dhe qëndrimin që personazhet e historisë mbajnë ndaj tyre. Nga shikimi i mëpasshëm, roli i shumë personazheve ka qenë dhe mbetet kompleks. Në bazë të bindjeve, të rreshtimeve, apo qëndrimeve politike, shumë prej tyre patën aksione politike që historia sot i vlerëson si të kota e të dështuara, apo të suksesshme. Por shumë prej tyre që në një moment kanë zgjedhur ose janë orientuar gabim, një moment tjetër kanë qenë nga ana tjetër e peshores së historisë. Si të gjithë, me uljet dhe ngritjet, në fitoret apo humbjet e tyre, ata krijuan një tablo komplekse, e cila jo vetëm që nuk mund të shpjegohet, por përkundrazi, masakrohet duke u shpjeguar vetëm bardhë e zi, vetëm me të mirë e të këqij.

P.sh., Mit’hat Frashëri, që ishte gjatë luftës një kundërshtar ideologjik i komunistëve, u klasifikua automatikisht negativ, duke mos i konsideruar as faktin që ishte firmëtar i aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, as që ishte anëtar i Qeverisë së parë të Ismail Qemalit, as ambasador shumë i rëndësishëm i Shqipërisë në Athinë dhe as kontributin e tij fantastik si albanolog dhe njeri i letrave. Madje ky aktivitet nuk i vihej në pah kurrë. Me parimin që personazhi negativ i historisë duhet të jetë gjithnjë i tillë, historiografia komuniste i fshiu atij gjithë aktivitetin e mëparshëm 40-vjeçar, edhe atë të zhvilluar kur komunizmi nuk ekzistonte as is term në Shqipëri. Absurdi shkonte deri aty sa nuk përmendej as fakti që ishte djali i Abdyl Frashërit, madje kjo ishte herezi. Sepse Abdyl Frashëri ishte klasifikuar te personazhet pozitivë dhe kjo e prishte skemën. Me këtë metodologji personazhe tejet të rëndësishëm e me kontribut të historisë së Shqipërisë u fshinë prej saj ose u vendosën në kolonat e tradhtarëve, me 1001 etiketime negative, ndërsa personazhe episodikë, shpesh banditë apo keqbërës lokalë, që u përfshinë në luftë dhe u renditën në anën e komunistëve u shpallën heronj ose modele të historisë. Historia nuk trajtonte fenomene të dyzuara. P.sh., Mehdi Frashëri, që kishte qenë një nga personazhet e rëndësishëm të rezistencës së 7 Prillit 1939, u klasifikua automatikisht tradhtar, sepse në vitin 1944 ishte për disa kohë anëtar i regjencës. Por historia nuk lodhej të shpjegonte argumentin e tij për të qenë aty dhe as lëvizjet politike që ai bëri duke pasur si synim kryesor marrëdhëniet me britanikët.

Leka Zogu I
Leka Zogu I

Ahmet Zogu që u konsiderua armik, u zhduk nga historia e Kongresit të Lushnjës edhe pse ai kishte luajtur aty një rol kryesor. Ndërsa Kongresi në vetvete mbeti një moment tejet i rëndësishëm i shtetit shqiptar. Mbi 30 firmëtarë të aktit të pavarësisë, që patën përplasje me regjimin komunist, u fshinë automatikisht nga historia, madje firmat e tyre, në faksimilet e botuara u fshinë ose u transformuan.

Shikimi i personazheve si robotë të programuar që mund të ishin vetëm të mirë ose të këqij; nxjerrja nga çdo lloj konteksti historik, zhveshja nga debati normal dhe mbi të gjitha, moskuptimi që të gjithë me qëndrimet e tyre, mundoheshin për Shqipërinë, pavarësisht se kush ishte më largpamës, krijoi një tablo historike të gjymtuar dhe me ndikim tejet negativ.

Ky keqkuptim historik, që u bë në fakt histori zyrtare, nuk qe korrigjuar as atë moment, kur Ramiz Alia, “heroi” dhe “i miri”, deri më 1990, qëndronte përballë armikut dhe të keqit, po deri më 1990, Leka Zogu. Për fat të keq, pas vitit 1990, ose në ato 12 vite që qëndronin midis, historia nuk kishte dituar as të korrigjonte veten, as personazhet e saj.

“Ngritja e shoqërive të reja demokratike postkomuniste nisi në Europën Lindore nga rishkrimi i historisë”, thotë Urs Altermat, një filozof dhe historian zviceran që studioi me themel këtë fenomen. Për të ndihmuar këtë simbolikë godinat më të rëndësishme të këtyre kryeqyteteve, iu dhanë instituteve dhe akademive të historianëve. Shqipëria, për fat të keq, e anashkaloi krejtësisht këtë fenomen. Jo vetëm që nuk pati përgjegjësi penale për dramat dhe katastrofën gjysmëshekullore që regjimi totalitar komunist solli në Shqipëri, por as një lloj rehabilitimi moral. Për arsye se historia, sidomos ajo e Luftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si ndarje ideologjike për partitë moderne shqiptare, rishikimi i së shkuarës nuk u vu në shërbim të së vërtetës, por të politikës së momentit. Ajo varioi sipas forcave politike që vinin në pushtet, duke krijuar një kaos të plotë dhe duke e bërë sot Shqipërinë të vetmin vend të Ballkanit ku historia nuk është debat akademik, por politik. E bëri dhe e bën ende të vetmin vend ku monumentet e personazheve historikë dhe emrat e rrugëve vendosen mbi bazën e preferencave politike, dhe jo mbi bazën e kontributit real që personazhet kanë dhënë ndaj vendit.

Për këtë arsye, edhe Ramiz Alia e Leka Zogu qëndronin përballë njëri – tjetrit, midis disa qindra të tjerëve, elita e Shqipërisë, të ftuar në atë pritje, e cila ishte po aq e paaftë sa ata vetë për të bërë një definicion të aksionit të të dyve!

Ndarja e historisë në patriotë dhe tradhtarë, pra versioni të mirit dhe të keqit, është padyshim defekti më i madh që historiografia komuniste ka lënë pas në shoqërinë e sotme. Ky stereotip vijon ende, madje shërben jo rrallë edhe si element i luftës verbale politike. Zhbërja e tij duket e vështirë sa për arsye të rrënjosjes së thellë të ardhur nga tekstet apo propaganda e viteve të komunizmit, aq edhe nga paaftësia e historianëve postkomunistë për të ndërtuar tekste të besueshme dhe të mbështetura mbi dokumente. Më shumë se sa për të treguar të vërtetën, dokumentet zgjidhen dhe jo nuk shërbejnë për të ilustruar idenë e parafiksuar. Kjo është arsyeja, që edhe përzgjedhja dhe publikimi i tyre është selektiv. Por ky shikim bardhë e zi i ngjarjeve, fenomeneve dhe personazheve nuk është gjymtimi i vetëm që historiografia komuniste dhe vijimi i saj i ka bërë formimit të shqiptarëve.

Dy fenomene të tjera po kaq negative janë ai i kërcënimit të përjetshëm dhe i armikut të përhershëm, që ka ndikuar fort në sindromën e izolimit të shqiptarëve. Dhe i dyti, trajtimi i historisë sonë, thjesht, si një histori qëndrese, duke lënë jashtë vëmendjes dhe duke mos trajtuar periudha të tëra historike të jetesës së shqiptarëve në formacione shumetnike.

Nëse u referohesh teksteve të historiografisë komuniste, filozofia e tyre ka qenë ajo e një populli të rrethuar dhe të izoluar, në luftë të përjetshme me të gjithë. Identifikimi i regjimeve totalitare me kombin ishte thuajse normë dhe kjo sillte një sindromë të armikut të përhershëm. P.sh., Perandoria Osmane njësohej me turqit dhe detyrimisht, Turqia shihej si një armik. Ndërkohë Turqia moderne kishte të bënte pak ose aspak me Perandorinë Osmane, sidomos me ekspansionin e saj 500 vjet më parë; Gjermania Naziste identifikohej me Gjermanët, duke i konsideruar ata apriori armiq, edhe 50 vjet pas luftës. Kjo metodologji ndikonte tej mase në idenë e vetizolimit, duke e kthyer atë te shqiptarët në një sindromë me peshë. Një sindromë nga e cila nuk jemi shëruar ende. Pra, vendet nuk janë parë si regjime që në kohë të ndryshme kanë dhënë e kanë marrë, apo edhe kanë luftuar, por si kombe të cilat si pasojë e një momenti historik, konsiderohen kërcënim permanent për ne. Për këtë arsye, sindroma e Luftës së Dytë Botërore, nuk kishte ikur ende nga Shqipëria deri në vitin 1990, edhe 45 vjet pas mbarimit të saj.

Fiksimi i shikimit të historisë sonë si një histori qëndrese ka sjellë, më pas, një deformim jo të vogël të periudhave të tëra. Periudha 5-shekullore e shqiptarëve në perandorinë osmane thuajse nuk ekziston. Ajo është reduktuar në një seri kryengritjesh, një pjesë e të cilave ishin lëvizje proteste për autonomi fetare apo favore fiskale. Kjo e ka lënë thuajse bosh rolin që shqiptarët kanë luajtur në Ballkanin Osman dhe mënyrën e stilin e jetës së shqiptarëve në këtë perandori. Disa përpjekje të zbehta janë bërë kohët e fundit, por ende pa kontributin e duhur për të sqaruar se si ka qenë jeta, rregullat dhe kontributi që shqiptarët kanë pasur në Perandorinë Osmane bashkë më shumë popuj të tjerë. Të jetuarit në një perandori ka qenë në mesjetë formë e organizimit politik. Në perandori kanë jetuar edhe popuj më të mëdhenj dhe të më të zhvilluar sesa ne. Kjo nuk na bën as më inferiorë, as më të dobët. Ideja që bashkëjetesa në perandori ka qenë moment dobësie, është thjesht derivat i tezave të komunizmit për një popull të izoluar që kërkonte dhe donte të jetonte thjesht i vetëm.

Një popull që nuk di të vlerësojë të shkuarën e tij e ka gjithnjë të vështirë ndërtimin e së ardhmes. Kjo frazë që shpeshherë duket si shabllon, i shkon më shumë se kushdo tjetër momentit që përmenda në fillim të shkrimit. Ngrirjes përballë të Ramiz Alisë dhe Leka Zogut, pa guxuar të përshëndeten, por edhe pa asnjë dëshirë për të vijuar më pas grindjet e tyre. Secili i bindur se kishte pasur një rrugë të drejtë dhe historia që ende nuk ka mundur ti vendosë të dy në vendin që meritojnë…

(Titulli i autorit: Historia e gabuar e “të mirit” dhe “të keqit”)

Blendi Fevziu rrëfen një takimin e Ramiz Alisë me Leka Zogun Read More »

Rasti Xhisiela/ Rama dush të ftohtë Ardi Veliut dhe drejtorit të SHÇBA-së

Edi Rama ka mbledhur në një takim drejtorët e policisë, dukshëm i acaruar me disa nga ngjarjet e fundit kriminale dhe impaktin që ato kanë pasur në opinionin publik. Rama kritikoi drejtorin e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe të Aankesave se nuk reagoi në kohë për të verifikuar letrat që i kishte dërguar Emiljano Nuhu.

Rama e quajti “një shpifës” oficerin Emiljano Nuhu, por u shpreh i habitur se përse nuk u publikuan në media pamjet e komisariatit për të treguar se e gjitha ishte një sajesë dhe në vend të kësaj u dorëzuan si provë në prokurori.

“Djali deputetit është aty ku do ta kishte çuar drejtesia dhe jo ku do ta kishte lënë partia. Pavarësisht se policia u godit brenda radhëve të saj, prej një shpifësi të provuar katërciperisht, u desh që shpifja të merrte dhenë dhe struktura të çmontohej.

Ku ishte drejtori i SHÇBA-së, kur shpifesi solli me shkrim shpifjen? Pse nuk u veprua menjëherë, por doli kur letra u bë publike? Pse iu la një shpifësi të krijonte vorbull dhe të përfitonte azil? Kujt ia kishim borxh mosreagimin e SHÇBA-së për një shpifje që u bë dhe që torolisi dynjanë për një javë rresht.

Pse iu mohuan publikut kamerat e komisariatit, për atë që ka ndodhur realisht? Ndërkohë që në ato kamera del qartë, që e tërë skena e përshkruar në skenën e shpifësit është sajesë e tij fund e krye? Nuk mjafton fakti që kamerat iu kërkuan prokurorisë, se nuk e justifikon gjithë atë baltë që mori policia e shtetit. U la gjithë Shqipëria të përpëlitej me deputetë në komisariat dhe që i vënë pistoletën në ballë punonjësit të policisë.

E vërteta e tëra në policinë e shtetit dhe policia që rri e pret të reagojë në këtë kohë dixhitale duke thjesht respektuar procedurën. Unë nuk mund ta pranoj dot që një jashtënxerrje mbi policine të marrë dhenë dhe një provë të çohet në prokurori dhe aty mbyllet se është provë hetimore” u shpreh Rama.

Ndërkohë për rastin e video-përgjimit të Fredi Alizotit të publikuar nga deputeti Ervin Salianji, Rama kritikoi drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që reagoi publikisht, ndërkohë që duhet të kishte heshtur për të folur vetëm në prokurori.

“Autoriteti më i lartë i unormave blu reagon emocionalisht duke u thithur nga vorbulla e kësaj jashtënxjerrje. Unë e di i dashur drejtor si është të të sulmojnë në dinjitet, për gjëra kundër të cilave ti lufton, por nuk i takon autoritetit më të lartë të policisë të replikojë me një politikan dhe më një kriminel të degraduar. Ju takonte t’i drejtoheshit prokurorisë dhe të ofroheshit të dëshmonit për hetimin e cdo shpifjeje, pasi dhe nëse verifikohet përcillet në gjyq, raporti i kësaj trupe me shpifjet nis me verifikimin dhe mbaron me informimin e publikut.
Replikat dhe deklaratat nuk i përkasin kësaj trupe” u shpreh Rama.

Rasti Xhisiela/ Rama dush të ftohtë Ardi Veliut dhe drejtorit të SHÇBA-së Read More »

Pas paralajmërimit të Ramës AKEP vihet në lëvizje, ja 44 portalet që duhet të publikojnë niptin

Pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama, se portalet duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si pjesë e “Paketës Antishpifje”, AKEP ka nisur të veprojë. Mbi nismën nuk kanë munguar kritikat për kreun e qeverisë, duke e akuzuar këtë të fundit se po sulmon fjalën e lirë, dhe mediat që janë kritike me të. Përmes një njoftimi për mediat, AKEP bën me dije se në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi informon të gjitha subjektet e regjistruara si portale online se duhet të publikojnë brenda 72 orësh niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes  së tyre online. AKEP i’u bën thirrje gjithashtu, të gjithë personave që kane lidhje me portalet e mëposhtme, që të pajisen me nipt në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe brenda 72 orësh te deklarojnë niptin përkatës në seksionin Kontakt të faqes së tyre online: Subjektet e regjistruara si portale online se duhet te publikojnë brenda 72 oresh niptin (NUIS) përkatës ne seksionin Kontakt te faqes  se tyre online:

124-ore.com
2360grade.al
3Albpress.org
4Alpenews.al
5Argjirolajm.net
6Botasot.info
7Diell-online.al
8Durreslajm.al
9ekskluzive.al
10eperditshmja.com
11Exit.al
12Folshqip.al
13gazetaimpakt.com
14Hashtag.al
15Ina-online.net
16InfoElbasani.al
17infopasqyra.com
18Insajderi.com
19Javanews.al
20Korrieri.org
21Lajme.net
22Lajmeonline.al
23Lajmi.net
24Lajmifundit.al
25Liberal.al
26Noa.al
27Opinion.al
28Opozita.com
29Orikuminews.com
30Pacensure.com
31perqasje.com
32Politiko.al
33Publik.live
34Reporter.al
35Respublica.al
36Sarandaweb.net
37Shqiperia.com
38Skandal.al
39Sovrani.info
40Superligash.com
41Tesheshi.com
42Tiktak.al
43Tpz.al
44Zjarr.tv

Regjistrimi mund të bëhet në pak minuta online në adresën e Qëndrës Kombëtare të Regjistrimit qkb.gov.al Pas skadimit të këtij afati, AKEP do të mbyllë çdo portal online që është i paregjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Pas paralajmërimit të Ramës AKEP vihet në lëvizje, ja 44 portalet që duhet të publikojnë niptin Read More »