Irina

Vjedhja “inteligjente” me stolat inteligjentë të Lungomares

Nga Rezarta Caushaj

Më shumë se një vit më parë, në media bëri bujë lajmi se në Lungomaren e Vlorës ishin vendosur 20 stola “inteligjentë”. Kur në fillim të nëntorit të shkuar, Kryeministri Rama dhe Komisioneri Hahn “inspektuan” punimet në zonën e Lungomares financuar nga parët e BE-së, stolat inteligjentë morën një domethënie të re ,“europiane”.

Përmbytja nga rreshjet, që pasoi këtë vizitë të lartë, u tregua e pamëshirshme me stolat inteligjentë, sikurse në përgjithësi me hapësirat publike të rilindura nëpër Shqipëri. Përballja e “rilindjes” me natyrën nxori në pah një shqetësim të madh: investimet në fasada për qëllime propagandistike, të cilat i kanë larguar paratë e taksapaguesve nga investimet në infrastukturën e domosdoshme për zhvillimin e ekonomik të vendit.

20 stolat inteligjentë në Lungomare kanë kushtuar 50 milionë lekë, afërsisht €400 mijë. Reagimet e qytetarëve vlonjatë për këtë shpenzim publik kanë qenë të shumta, filluar nga ankesat për mungesën e informimit të qytetarëve mbi mënyrën e shpenzimit të taksave, tek luksi i këtij shpenzimi. Të gjitha në një kohë kur, në rrugët e qytetit mungojnë semaforët dhe lagje të tëra nuk kanë asnjë lloj infrastrukturë urbane apo kur në shkolla e kopshte nuk ka ngrohje dhe riparimet e lyerjet e tyre bëhen me paratë që ju merren prindërve në mënyrë “vullnetare”.

Këto komente kritike e detyruan atëkohë Bashkinë Vlorë të sqaronte se nuk bëhet fjalë thjesht për 20 stola por për një sistem të tërë multifunksional komunikimi, ku stolat ishin një pjesë e projektit dhe vetëm 5 për qind e shpenzimeve.

Debati sikur u mbyll pa shpjegime të mëtejshme, por Exit.al vendosi të shkonte më thellë në vlerësimin e këtij projekti, duke filluar nga domosdoshmëria e dobishmëria e tij për qytetarët tek kostot e zbatimit të tij.

Hulumtimi ynë ngre dyshime serioze se me projektin, e titulluar në mënyrë mbresëlënëse Sistemi Multifunksional Smart City, Lungomare, Bashkia Vlorë ka abuzuar financat publike pothuajse në çdo element.

Projekti ka patur si synim “krijimin e një sistemi multifunksional teknologjik, që do të mundësojë një rrjet komunikimi të shpejtësisë së lartë të bazuar mbi fiber optike, shërbim falas Wi-Fi, monitorim nëpërmjet kamerave të sigurisë, vendosje të pajisjeve të karikimit të telefonave smart përgjatë shëtitores, si dhe përgatitjen e rrjetit për suportin e shërbimeve të tjera smart.”

Sipas dokumentit teknik, kjo do të arrihej duke ndërtuar një rrjet infrastrukture mbështetëse pasive—ku përfshihen tubacione, puseta e aksesorë—si dhe infrastrukturë aktive, që përfshin vendosjen e fibrave optike përgjatë një gjatësie prej 8 kilometra.

Është e paqartë se përse Bashkia ka vendosur si kërkesë ndërtimin e një infrastrukture pasive, si tubacione e puseta për projektin, kur sipas ekspertëve të teknologjisë së informacionit që kemi konsultuar, fibrat optike mund të kalojnë nëpër kanalizimet ekzistuese.

Si për të mbështetur panevojshmërinë e tyre, në preventivin e siguruar përmes Koordinatorit të së Drejtës së Informimit pranë Bashkisë Vlorë, nuk ka asnjë zë që i është kushtuar infrastrukturës pasive. Nga vëzhgimet në terren rezulton se, ende, nuk janë zhvilluar punime kanalizimesh përgjatë Lungomares apo të jetë kontraktuar një kompani e dedikuar për t’i kryer ato.

Kabllimi elektrik, përkundër çmimit të paguar nga Bashkia, nuk kushton 1 908 lekë për metër, por nga 100-150 lekë për çdo metër linear.

E njëjta gjë është e vërtetë për fibrën optike. Kostoja e parashikuar dhe zbatuar nga Bashkia Vlorë është 1 708 lekë (rreth €14) për metër linear, për një total prej 13 664 000 lekë (rreth €110 mijë) për 8 km. Nga konsultimi me ekspertë të kompanive të teknologjisë së informacionit, dhe duke krahasuar me disa oferta që siguruam, mësuam se mesatarisht çmimi i fibrës optike 48SM, bashkë me shtrirjen, shkon rreth 300 lekë për metër linear, pra rreth pesë herë më pak se sa ka kushtuar në këtë projekt.

Në ndryshim nga kjo fryrje e kostos për kabllin optik, preventivi për koston e stolave inteligjentë ka një përputhshmëri thuajse “hyjnore” me çmimin me të cilin kompania fituese i tregton këta stola. Redaksia e Exit.al mori prej kompanisë së prodhimit të tyre, teora and Include, një ofertën me çmim €2 999 për stol, dhe 5 për qind ulje nëse blejmë 20 stola—ndryshe, kompania na ofroi 20 stola me çmimin e 19 stolave. Kjo shifër përputhet me shifrën e parashikuar në preventivin e projektit, afërsisht 7,55 milionë lekë.

Duhet sqaruar se stola inteligjentë Steora kanë sistem të integruar për kthimin e energjisë diellore në energji elektrike, rregullator të rrymës dhe stabilizator të tensionit, sistem baterie mbështetëse, ruter për rrjetin WiFi, 2 porta për karikim pajisjesh me kabëll, karikim WiFi, sistem për monitorimin dhe rregullimin e temperaturës si dhe sensorë, të cilët përcjellin cdo 15 sekonda të dhëna në një panel monitorimi online, i cili kontrollohet online nga blerësi (Bashkia Vlorë).

Prandaj, duket e pakuptimtë që Bashkia Vlorë ka kërkuar instalimin 20 pikave lidhëse me internetin (access points), kur njëra nga arsyet pse këto stola janë “inteligjentë” është sepse ofrojnë shërbim wireless hotspot përmes një ruteri wireless të përfshirë në trupin e tyre. E vetmja gjë që duhet të siguronte kontraktori ishte linjë interneti ose përmes futjes së një karte sim në USB-në e stolit ose përmes lidhjes direkte të ruterit me fibrën optike.

Pra për të patur një projekt sa më rentabël, Bashkia kishte mundësi të shfrytëzonte sistemin hotspot të stolave, duke kursyer instalimin e fibrave optike me vlerë abuzive mbi €110 mijë.

Sidoqoftë, në mënyrë kategorike, ajo nuk duhej të kishte instaluar 20 pika hyrëse në internet me vlerë rreth 6 milion lekë (mbi €45 mijë), pasi, edhe nëse do të zgjidhnin internetin përmes fibrave optike dhe jo rrjetit celular, stolat inteligjentë Steoraofrojnë mundësi lidhje për lidhje direkte interneti.

Duket se Bashkia është përpjekur në mënyrë të tërthortë të justifikojë instalimin e fibrave optike në dokumentin e specifikimeve teknike duke aluduar se furnizimi me internet wireless përmes pikave hotspot nga kompanitë celulare në të shkuarën ka qënë problematik. Preteksti i Bashkisë duket se është funksionimi jo i mirë i 4 pikave hotspot në qendër të qytetit ofruar falas nga një kompani celulare. Por edhe nëse merret e mirëqenë ajo që raporton Bashkia në lidhje me këto pika, duhet patur parasysh se ato janë ofruar falas nga operatori, pa asnjë detyrim dhe pa asnjë kërkesë llogarie. Nëse ky shërbim do të blihej nga Bashkia, padyshim që do të ishte cilësor dhe do të zvogëlonte ndjeshëm koston e gjithë projektit.

Në mënyrë ironike, duket se edhe me këtë alternativë të shtrenjtë Bashkia nuk e ka zgjidhur problemin e cilësisë. Provat e shpejtësisë (kapacitetit) të internetit të bëra nga Exit.al gjatë më shumë se një viti, nga vera e shkuar deri tani, me anë të aplikacionit Speedtest, treguan se në praktikë nuk ofrohet cilësia që ka kontraktuar Bashkia, dhe kostoja e shërbimit është e tej fryrë.

Në kontratë është kërkuar furnizimi me kapacitet 200 Mbps dhe mbulim me rreze 100 metra nga stoli, për një kosto prej 126 389 lekë (rreth €1 000) në muaj. Të dhënat e provave që ne kryem sugjeruan se kapaciteti i ofruar për gjithë periudhën nga fillimi i verës 2017 deri në maj 2018 nuk i kalonte 2 Mbps, pra në total për të gjithë stolat kapaciteti i ofruar ka qenë rreth 40 Mbps. (Matjet u realizuan kur asnjë nga stolat nuk ka qënë i zënë nga përdorues të tjerë). Për më tepër, zona e mbuluar në asnjë rast nuk e kaloi rrezen prej 10 metra nga stoli, ndërkohë që mbulimi që kërkon Bashkia është 100 metra nga çdo stol.

Burimet pranë kompanive të ofrimit të internet e konsideruan këtë cilësi të njëjtë me atë të paketave standarde individuale të ofruara pa asnjë ulje, me çmimin jo më shumë se 2 mijë lekë (rreth €16) për stol. Pra, për kapacitetin e ofruar kostoja vjetore me të cilin këtë shërbim e ofron cdo operator interneti është jo më shumë se 50 000 lekë, ose 30 herë më pak se ajo për të cilën paguan Bashkia Vlorë, sipas preventivit të projektit.

Gjatë verës së këtij viti kapaciteti u rrit ndjeshëm, në total deri në 50-200 Mbps, por gjithsesi ky kapacitet me çmimet e tregut nuk i kalon 60-80 mijë lekë në muaj, pra thuajse dy herë më pak se sa paguan Bashkia Vlorë.

Një nga elementet më të shtrenjtë të projektit, ka qënë instalimi i kamerave në ambiente të jashtme, të cilësisë së lartë, të afta për të identifikuar tiparet e fytyrës (forensic capture). Kamerat që ka përzgjedhura Bashkia Vlorë janë të firmës Axis, të blera nga kompania shqiptare Communication Progress, e cila është shitësi i autorizuar i Axis për Shqipërinë.

Për të verifikuar çmimin e blerjes nga Bashkia Vlorë, Exit.al kërkoi një ofertë nga një shitës i autorizuar i markës Axis në Greqi, për furnizimin e 20 kamerave të modelit AXIS P3225-LVE MKII, modelit të vendosur përgjatë shëtitores Lungomares. Çmimi i blerjes nga Bashkia Vlorë është rreth €2 190 për aparat, ndërkohë që furnitori grek i Axis na ofroi çmimin €650 për aparat—ku përfshihet edhe kosto e transporit dhe montimit të tyre në Vlorë—plus një kosto prej rreth €38 për pajisjen fiksuese të nevojshme për montimin e tyre në objektin mbajtës. Diferenca mes çmimit të ofruar nga shitësi i autorizuar në Greqi me çmimin e blerjes së Bashkisë Vlorë është minimalisht €30 mijë për të 20 kamerat.

Duke qënë se ruajtja me kamera e stolave inteligjentë, të cilët në vetvete janë të pajisur me sistem anti-vjedhje dhe monitorim online 24 orë në 24, ngrihet pyetja se përse Bashkia ka vendosur montimin e një sistemi monitorimi aq të shtrenjtë për to, dhe akoma më keq pse ka pranuar një çmim marramendëse disa herë më të lartë se çmimet e tregut. Duhet theksuar se çmimi i kamerave me afërsisht të njëjtat parametra dhe që do ta kryenin fare mirë funksionin e kërkuar fillon nga €250.

“Sigurisht që janë shumë delikate e mund të dëmtohen…”. Kështu e ka justifikuar sistemin e monitorimit Kreybashkiaku Leli në një deklaratë për mediat, e cila duket disi absurde duke qënë se materialet e zgjedhura prej tij janë nga më të shtrenjtat e nga më rezistentet.

Hulumtimi i Exit.al nxori se të gjitha pajisjet shtesë apo ndihmëse të parashikuar në projekt (të tilla si Rack 42U, UPS, Switch Core, NVR, Videoclient Workstation. etj.) kanë patur si çmim reference në dokumentat e prokurimit dhe janë prokuruar me çmimet me të larta, në disa raste disa herë më të larta, se çmimet e tregut.

Mjafton të përmendim se sistemi mbrojtës (firewallanti virus dhe kundër ndëryrjeve të pa atorizuara) është blerë me kosto 925 mijë lekë, kur mund të sigurohej një mbrojtje po aq e mirë me çmime nga 200–500 mijë lekë.

Kryebashkiaku Leli ka pohuar se projekti përfshin edhe hapjen dhe mirëmbajtjen e një faqeje për promovimin e qytetit, që do të trasmetojë informacione drejtpërdrejt në faqjen në rrjet të Bashkisë Vlorë. Një gjë e tillë nuk gjendet as në specifikimet teknike të projektit, as në shpenzimet e Bashkisë, as në faqjen në rrjet, ku informacionet përditësohen rrallë dhe ku mungon promovimi i qytetit dhe as që bëhet fjalë për trasmetime në kohë reale.

Një ndër zërat e projektit ishte përgatitja e materialeve udhëzuese dhe trajnimi i përdoruesve, por nga kërkimet tona nuk arritëm të mësojmë nëse një gjë e tillë ka ndodhur.

Nga ana tjetër, projekti rreket të justifikojë fondin e majmë duke aluduar se një pjesë e pajisjeve së montuara mund të përdoren në të ardhmën si infrastrukturë bazë për elemente të rinj që do t’i shtohen projektit Smartcity, por ai nuk ofron asnjë informacion shtesë nëse këto projekte ekzistojnë apo janë thjeshtë dëshirë e Bashkisë.

Duke qënë se synimi i shpallur i projektit ishte “krijimi i një sistemi intensiv komunikimi”, është e vështirë të argumentosh pro dobisë së tij, në një kohë kur, thuajse çdo person ka sot qasje të mirë në internet përmes operatorëve celularë.

Në një zonë, e cila frekuentohet vetëm gjatë mbremjeve në verë nga vendasit, sa janë gjasat që një një turist të qëndrojë në një stol tërësisht të zbuluar në pisk të vapës apo në mes shiut, kur interneti ofrohet në çdo bar apo restorant të rehatshëm të qytetit?

Ndërkohë ne nuk kemi konsideruar fare prioritetin e këtij investimi kur infrastruktura shkollore dhe studimore e qytetit është në gjendje primitive, përfshi atë të bibliotekës së qytetit dhe Universitetit të Vlorës.

Ironikisht, hulumtimi ynë krahasues na zbuloi se nëpër qyetet europiane, shumica e stolave inteligjentë janë vendosur në kampuse universitare apo parqe, pa thënë se numri i stolave të vendosur në këto qytete nuk i kalon 3-4 për çdo qytet, me përjashtim të Londrës që ka 10.

Qartësisht, në vendet perendimore ato vlerësohen si një lehtësi për të siguruar informacion, por jo si mënyrë për të inkurajuar “komunikim intensiv” sic e sheh Bashkia Vlorë.

Në Vlorë, në pasditen e ngrohtë të një të djele mestetori, rripi i Lungomares ishte i gjithi tërësisht i boshatisur e askush nuk ishte ulur apo po përdorte stolat “inteligjentë”. Shumica e stolave janë të vendosur në trotuare, ku nuk mund të qëndrojnë më shumë se 5-7 veta rreth çdo stoli pa penguar lëvizjen. Pra, a ia vlen të shpenzosh rreth 530 milion lekë për t’iu shërbyer gjithsej 120 vetave në ditë në rastin më të mirë? A nuk ka qyteti plotë mangësi, siç tregojnë kritikat e vendasve?

Këto janë vetëm problemet parimore të projektit, që nuk justifikon dot ekzistencën dhe investimin që ka thithur.

Të gjitha bashkë dëshmojnë, në rastin më të mirë papërgjegjshmërinë e keqmenaxhimin e financave publike e në rastin më të keq, nëse zbardhet, një skemë abuzimi dhe korrupsionin me qëllim përfitimi personal nga fondet publike.

Vjedhja “inteligjente” me stolat inteligjentë të Lungomares Read More »

Psikologu shqiptar që kultivon kërmij: I shes 4-5 euro kilogramin

Për shumëkënd në vendin tonë mund të duket një ushqim i neveritshëm, mirëpo kërmijtë janë ushqim shumë i pëlqyer në vendet fqinje.
Për këtë arsye një 32-vjeçar nga Sukthi i Durrësit ka kthyer në biznes rritjen e kërmillit dhe eksportimin e tij.

Ervini, i cili me profesion është psikolog, ka kthyer pasionin e tij në punë dhe ndonëse tentative e parë dështoi, pas konsultimit me disa specialistë italianë duket se gjithçka shkon më së miri.

Këto ditë ai po përgatitet që në fermën e tij të nisë vjeljen e këtij lloji butakësh.

Një kërmill do të paktën një vit e 4 muaj të dalë në treg. Në një sezon Ervini nxjerr deri në 8 ton prodhim, me një çmim prej 4.5 eurosh për kilogram, shkruan TCH.

Gjatë viteve në vijim 32-vjeçari kërkon që të marrë edhe nënprodukte të kërmillit. Puna në këto parcela sapo ka nisur, ndërsa Ervini sheh të mundur edhe krijimin e një kompanie.

Rritja e kërmillit ka nisur të zgjerohet në shumë zona të vendit. I gjithë prodhimi eksportohet. Fermerë si Ervini arritën të shesin jashtë vendit në këto 9 muaj, të 90 ton kërmijtë, me një vlerë gati një milionë euro. Destinacioni kryesor i këtij produkti është Bosnja me 54.4 %, por edhe Greqia, Serbia, Rumania dhe Italia.

Psikologu shqiptar që kultivon kërmij: I shes 4-5 euro kilogramin Read More »

Balla: Nuk e kam takuar Alizotin, në të kundërt shkoj në “kokërr të burgut”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha në emisionin “Opinion” se nuk e njeh dhe nuk e ka takuar kurrë Fredi Alizotin, i cili në përgjimet e prokurorisë dhe në videon e publikuar nga Partia Demokratike pretendon të kundërtën.

“Nuk e kam takuar ndonjëherë. Nuk e njoh këtë person dhe sot në kallëzimin e depozituar në Prokurori, këto që them para jush i kam thënë edhe atje. Nesër kam kërkuar që të shkoj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda që këto që po them këtu t’i them edhe atje”,– tha Balla.

Pyetjeve se nëse mund të jetë ndonjë Taulant tjetër, Balla iu përgjigj: “Nuk e di, unë nuk jam. Deklaroj me përgjegjësi. Ju e dini që unë kam bërë një kallëzim penal dhe kam deklaruar me përgjegjësi të plotë që nuk e kam takuar, nuk jam unë ky personi. Dhe ju e dini që kallëzimi im, në rast se vërtetohet e kundërta rrezikoj deri në 5 vite burg, marr përgjegjësi të një kallëzimi të rremë, është nga gjobë deri në 5 vite burg, apo jo?

Kam edhe unë kritikat e mija për Prokurorinë lidhur edhe me këto përgjime, në asnjë vend nuk mund të dilnin këto përgjime në publik. Në asnjë vend nuk mund të ndodhë që të dalë, më falni, një idiot, të përmendë emrin e një politikani, dhe sigurisht tani ky politikani apo qytetari duhet të justifikojë në media jam, apo nuk jam unë. Nuk jam o vëlla, fare, as nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse provohet se e kam takuar “shkoj në burg, në kokërr të burgut”.

Fredi Alizoti, i cili ka pranuar se është personi që ka luajtur rolin e Agron Xhafajt në videon “Babale 1”, ka thënë se ka takuar Ballën dhe drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu për çështjen e audiopërgjimit të Albert Veliut.

Balla: Nuk e kam takuar Alizotin, në të kundërt shkoj në “kokërr të burgut” Read More »

Këto janë cilësitë tuaja të fshehta sipas horoskopit, duhet t’ua tregoni të gjithëve

I dini se cilat ja ë cilësitë tuaja të fshehta?

Nëse jo, astrologët e kanë një përgjigje të argumentuar për secilën shenjë zodiaku, e kështu mund të mësoni më shumë për veten dhe miqtë tuaj:

DASHI

Përveçse jeni tipa origjinalë dhe të hapur me botën, të lindurit nën shenjën e Dashit kanë një karakteristikë që pak veta ia njohin. Këta persona kanë tendencën të fshihen në objektivat e tyre për t’u bërë më të mirët çdo ditë dhe për të realizuar dëshirat e tyre.

DEMI

Shpesh Demat shihen si shumë kokëfortë, egoistë dhe intolerantë. Megjithatë, thellë brenda tyre, janë njerëz shumë të dashur, me shumë dashuri për të ofruar, edhe pse jo gjithmonë dinë si ta demostrojnë një gjë të tillë. Bëjnë më të mirën e tyre për t’u kujdesur për ata që i rrethojnë dhe mbështesin kauza vërtet të rëndësishme.

BINJAKËT

Pas personalitetit të tyre të gëzueshëm, të shoqërueshëm dhe optimist, këta persona kanë një anë të izoluar dhe të veçuar nga bota. Binjakët janë shumë të përfshirë emocionalisht me miqtë e tyre dhe njerëzit rreth tyre, ndaj kanë nevojë për të qëndruar vetëm ndonjëherë në mënyrë që të rekuperojnë energjitë.

GAFORRJA

Gaforret japin përshtypjen e butësisë, qetësisë dhe ndjeshmërisë, por edhe një anë të tyren që janë të aftë për t’u rekuperuar, për të qenë kurajozë dhe për të kaluar me lehtësi gjërat. Dinë si të pozicionohen mbi atë që përfaqësojnë dhe nuk dekurajohen nga presionet e jashtme.

LUANI

Mendimi që shumë vetë kanë për Luanët është se janë egoistë, të sigurtë tek vetja, deri në narçizëm. Megjithatë, konkluzione të tilla bazohen vetëm në anën sipërfaqësore. Të lindurit nën shenjën e Luanit janë njerëz që impenjohen, dedikohen dhe kanë kurajo. Edhe pse trishtohen nga dështimet e tyre, nuk ndalojnë së luftuari për objektivat që kanë.

VIRGJËRESHA

Edhe pse shihen si tejet të ndjeshëm, kritikë dhe kërkues, njerëzit e shenjës së Virgjëreshës janë shumë më tepër se kaq. Janë miq gjithnjë të pranishëm kur ke nevojë, të dashur dhe mbi të gjitha të ndershëm. Janë gjithnjë të gatshëm për të mbështetur ata që duan dhe i lënë mënjanë problemet e tyre për t’u ofruar mbështetje të dashurve të tyre.

PESHORJA

Duke qenë shumë të ndershëm dhe duke insistuar për të qenë afër të dashurve të tyre, Peshoret fshehin brenda vetes ndrojtje, e cila shpesh nuk i lejon të shfaqen se kush janë në të vërtetë, me gjithë cilësitë dhe difektet e tyre. Thellë thellë kanë frikë se mos gjykohen nga njerëzit që i rrethojnë, për shkak të personalitetit të tyre të vërtetë, por luftojnë çdo ditë për t’u çliruar nga ky mendim negativ

AKREPI

Për shumë vetë Akrepi shihet si shenja më mizore e zodiakut: hakmarrës, të paedukuar dhe madje edhe dashakeqës, në shumë raste. Këto opinione të ekzagjeruara mund të na ndalojnë të shohim një anë shumë pozitive të personalitetit të Akrepëve. Të lindurit nën këtë shenjë janë shumë të vëmendshëm dhe të dedikuar ndaj njerëzve që duan, duke i mbrojtur në çdo moment.

SHIGJETARI

Shigjetarët janë konsideruar si njerëz shumë të impenjuar dhe seriozë për të mbajtur fjalën. Por, ajo që pak vetë dinë, është se Shigjetarët përballen me një dilemë shumë serioze brenda vetes, për të plotësuar gjithçka që premtojnë. Janë të detyruar të përforcojnë vetvlerësimin, në mënyrë që të mbajnë fjalën.

BRICJAPI

Bricjapi është ndër shenjat më pak të vlerësuar të zodiakut. Shihen si njerëz që kontrollojnë shumë, rigorozë, seriozë dhe shpesh të mërzitshëm. Por, nga ana tjetër e gjithë këtyre karakteristikaave, janë persona që përballen me momente pasigurie dhe pavendosmërie, si të gjithë ne, kështu nuk dinë se çfarë të bëjnë. Në shumicën e rasteve, sjelljet e tyre të ekzagjeruara nuk janë tjetër veçse nevoja e fshehur që kanë për t’i ndihmuar.

UJORI

Shpesh këta persona gjykohen si sipërfaqësorë dhe apatikë, pa mendime, ndjenja dhe ideale. Por, realiteti nuk është gjithnjë ky. Ujorët ndihen si të gjithë ne, por nuk janë mësuar t’i përcjellin ndjesitë e tyre aq lehtë si shumica. Kanë mësuar t’i ndajnë me veten.

PESHQIT

Shpesh shihen si njerëz të sjellshëm, të edukuar dhe të ndjeshëm. Peshqit kanë edhe anët e tyre jo aq pozitive që dalin në pah kur ndihen të kërcënuar apo të fyer nga njerëzit që i rrethojnë. Kur ndihen të lënduar, e kthejnë me të njëjtën monedhë.

Këto janë cilësitë tuaja të fshehta sipas horoskopit, duhet t’ua tregoni të gjithëve Read More »

“Bastet s’shpëtohen dot”, Rama nxjerr foton e Berishës në kazino

Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot debatin në lidhje me mbylljen e kazinove. Edhe pse nuk ishte i pranishëm në Kuvend, nga rrjetet sociale ka thumbuar kundërshtarin e tij politikë duke publikuar një foto të Berishës në kazino.

Rama në një postim në Instagram, ka publikuar një foto të Berishës në një kazino dhe shkruan se bastet nuk i shpëton dot asnjë.

“Nga kazinotë elektronike tek shpifjet elektronike. Por bastet nuk i shpëton dot më as dëshpërimi i lojtarëve të fatit, as paraja e krimit të organizuar që financon industrinë e baltës kundër mbylljes së tyre dhe as hungërrimat e derrave apo pickimet e mushkonjave të kënetës mediatike”, shkruan Rama në postimin e tij.

“Bastet s’shpëtohen dot”, Rama nxjerr foton e Berishës në kazino Read More »

Lajme të jashtëzakonshme nga kampi i unazimit në Orikum!/Zbulohet zogu i rrallë , studiuesi zbulon gjithçka

Lajme të jashtëzakonshme nga kampi i unazimit në Orikum! Mbrëmjen e 12 Tetorit 2018, në rrjetat e ngritura ra një specie e re që ngjalli debat, diskutim dhe padyshim shumë gëzim.

Studiesit e huaj hungarezë nga MME – Magyar Madártani Egyesület dhe shqiptarë nga AOS zbuluan praninë e Fishkëllyesit të murrmë (Phylloscopus fuscatus), një shpend i vogël me peshë 8.2 gr., me gjatësi krahësh 5.4 cm, gjatësi bishti 4.3 cm dhe gjatësi mesatare bisht-kokë 11-12 cm.

Fishkëllyesi i murrmë është specie e re për vendin tonë dhe e pavrojtuar asnjëherë më parë. Ai është mjaft i rrallë në Europë dhe konsiderohet si endacak. Specia është e përhapur kryesisht në Azi dhe pika më e afërt me Shqipërinë janë Himalajet ose kufiri Indi-Pakistan-Nepal siç shihet edhe në hartën e shpërndarjes.

Fishkëllyesi i murrmë folezon në Azinë juglindorë dhe pikërisht në Kinë, Mongoli, Siberi etj. Është kryesisht insektngrënës dhe shtegtar tipik. Pas sezonit të folezimit zbret në Indi, Malajzi, Vietnam, Bangladesh, Kinën jugore etj.

Identifikimi në natyrë i Fishkëllyesit të murrmë është mjaft i vështirë për shkak të ngjashmërisë së lartë me fishkëllyes të tjerë dhe sidomos me Fishkëllyesin e vogël (Phylloscopus collybita). Por shpina tek Fishkëllyesi i murrmë është më e errët dhe në ngjyrë gështenjë. Po kështu këmbët e të murrmit janë në ngjyrë të hapur.

Ky zbulim i jashtëzakonshëm na bën krenarë për kontributin tonë në njohjen më të mirë të faunës së Shqipërisë.

Lajme të jashtëzakonshme nga kampi i unazimit në Orikum!/Zbulohet zogu i rrallë , studiuesi zbulon gjithçka Read More »

Varësia nga lojërat e fatit u mori shqiptarëve 130 milion euro në vitin 2017 (Video)

Shqiptarët vitin e shkuar shpenzuan rreth 130 milionë euro në lojëra fati. Kaq ishte qarkullimi vjetor i këtyre kompanive. Ndërkohë mjekët e konsiderojnë sëmundje varësinë nga lojërat e fatit.

Sot vendos një skedinë, nesër një tjetër derisa kjo të kthehet në mendimin e parë sapo del nga shtëpia.

Dëshira kthehet në nevojë dhe kontrolli i impulsive bëhet i pamundur.

Varësinë nga lojërat e fatit Shoqata Amerikane e Mjekëve Psikiatër e ka cilësuar sëmundje që në vitin 1980, ndërsa mjekët psikiater shpjegojne se kur nje person cilesohet i varur..

Irena Thoma, Mjeke Psikiatre: “E kanë bërë lojën e fatit një qëllim kryesor të jetës së tyre. Merren vazdimisht me ketë lloj sjellje Tjetër është toleranca. Kur në një mnmënyrë këta individë bëjnë këtë sjellje dhe nuk i shqetëson fakti që po rrënojnë ekonomikisht. Bëhen problematikë në familje, punë e shoqëri. Ndjehen të stepur për tu tërhequr nga kjo sjellje, por duke qenë se janë të varur dhe nuk mund ta lënë këtë sjelleje ata rikthehen përsëri.”

Të ardhurat e kompanive të lojërave të fatit kanë shënuar rritje nga viti në vit gjë që tregon edhe për përdorimin e tyre nga qytetarët.

Nga ky ves shqiptarët shpenzojnë 130 milionë euro në vit. Kaq ishte qarkullimi vjetor i kazinove dhe basteve sportive në vitin 2017.

Qytetar 1: Provova të luaja fatin, po rrallë ia dola.

Gazetarja: Sa lekë vendose?

Qytetar 1: 1 mijë lekë, 2 mijë lekë

Qytetar 2: Shokët e mi kanë vënë, po unë jo.

Gazetarja: Pse vënë?

Qytetar 2: Po se janë të fiksuar, është mirë që po bëhet kjo, që po hiqen, është humbje kohe dhe lekësh. Është mirë të angazhohen adoleshentët me punë, se të merren me bixhoz.

Qytetar 3: Skedina kemi vënë.

Gazetarja: Sa lekë?

Qytetar 3:Në bazë të shifrave 500-700, po fitimet kanë qenë shumë pak.

Gazetarja: E provon shpesh?

Qytetar 3: Jo ndonjëherë kur shohim gazetën dhe ndryshon mendja.

Disa luajnë për t’u argëtuar, të tjerë për t’u identifikuar në shoqëri, një pjesë për të fituar ndërkohë që vesi mund t’i çoje në kurth.

Stigma vijon të mbajë larg specialistëve persona të tillë, ndërsa mjekët thonë se kontakti me ta bëhet i domosdoshëm.

Irena Thoma, Mjeke Psikiatre: “Truri i qënies njerëzore është i sajuar që të prodhohen disa neurotransmetues në momentin kur bën diçka që sjell kënaqësi kjo është më dominante dhe këta persona zgjedhin lojën e fatit për ta arritur këtë lloj vetëkënaqësie se ka edhe gjendje emocionale shoqëruese si pagjumësia, stresi, ankthi, humori jo i mirë dhe në këto momente ndërhyhet me një plan trajtimi medikamentesh, me ndjekje nga psikiatri dhe psikoterapi”.

Kryeminsitri ka paralajmëruar mbylljen e basteve sportive dhe zhvendosjen e kazinove nga zonat e banuara nga janari i vitit 2019.

Thuajse pesë vjet nga operacioni “Fundi i Marrëzisë” të tjera ndryshime ligjore shkojnë në parlament.Por për të parë nëse këtë herë marrëzia do të marrë fund vërtetë duhet pritur dhe pak kohë./ABC News

Varësia nga lojërat e fatit u mori shqiptarëve 130 milion euro në vitin 2017 (Video) Read More »

PIRAMIDAT ILIRE NË BOSNJE, ZBULIMI QË PO HABIT BOTËN

Në Bosnje janë zbuluar disa piramida, të cilat rezultojnë të jenë ndërtuar nga ilirët. Për nga mënyra sesi janë ndërtuar, ata janë tejet të sofistikuara, gjë e cila ka befasuar shumë ekspertë.

Sipas historianit dhe arkeologut amerikano-boshnjak, Sam Semir Osmanagiç, piramidat në Bosnje, ajo e Diellit, Hënës dhe e Muajit janë piramidat më të vjetra që janë ndërtuar ndonjëherë mbi sipërfaqen e Tokës.

Piramidat janë zbuluar në vitin 2006, në Visoko, qytet 20 km larg kryeqytetit të Bosnjes, Sarajevë.

Madje, sipas arkeologut boshnjak që i ka zbuluar, piramidat janë edhe më të lashta nga piramidat e Egjiptit.

“Piramida më e lartë në botë është ajo e Gizës, 145 metra, piramida më e lartë e Majave është ajo El Mirador – 103 metra, por piramida më e lartë në botë është ajo e Bosnjës, e quajtur Piramida e Diellit e lartë 220 metra.

Shmangia nga veriu është 0 gradë, 0 minuta dhe 12 sekonda. Asnjëherë nuk është shënuar një orientim më i saktë se ai në Piramidën e Diellit”,ka shpjeguar Semir Osmanagic, transmeton INA.

Disa gjeolog vendas dëshmojnë se këto janë thjeshtë përbërje gjeologjike, por Osmanagic shprehet se kanë të dhëna se ato janë të ndërtuara nga njeriu.

Sipas arkeologut që i zbuloi, Osmanagic, piramidat ilire në Bosnje nuk janë përmendur më parë për shkak se ata janë fshehur nga sistemi politik në ish-Jugosllavi.

PIRAMIDAT ILIRE NË BOSNJE, ZBULIMI QË PO HABIT BOTËN Read More »