Irina

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit, njeriut dhe jashtëtokësorit

Mitologjia, antikiteti dhe historia duket se janë duke na dhënë disa detaje të pakundërshtueshme që jo vetëm provojnë vjetërsinë e tokës sonë, po edhe jetën që ka qenë në to dhe zhvillimin që ka pasur.

Shumë qytetërime humbën në mjegullnajën e kohës e një prej tyre ishte edhe Horea, një qytet që përmendet nga historiani më i rëndësishëm romak i antikitetit, Titlivi, që e cilëson si një zonë të fortifikuar në zonën e Epirit.

Pavarësisht dyzimit historik, fati i Horeas duket i lidhur me këtë një marshim shkatërrimtar romak. Sot toponimet të çojnë vetëm në një vend, në zonën e lumit të Vlorës, pranë fshatit Vranisht, atje ku të gjithë e dinë se ku ndodhet qyteti i Horës.

Ky emër identifikues është mbartur brez pas brezi. Pikërisht në Hora ndodhej edhe “Sofra e Zotit”, shkëmbi gjigand që i jep një identitet tjetër këtij qytetërimi.

A thua natyra ta ketë shkëputur këtë shkëmb gjigant nga diku sipërmi për ta vendosur më pas si një tryezë mbi dy shkëmbinj më të vegjël? Si mundet të ketë qëndruar në një precizion të tillë që do të sfidonte edhe gjeometrinë e sotme?

Çfarë është ky monument që banorët e kanë pagëzuar si “Sofra e Zotit” apo “Guri me Qiell”? Këtë mund ta zbulojmë vetëm nëpërmjet këtyre të dhënave që na jepen nga studiues të ndryshëm.

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, ky monument që ngrihet në majën e malit të Lipes mbi fshatin Vranisht, rreth 50 kilometra larg qytetit të Vlorës, nga arkeologu dhe studiuesi Moikom Zeqo është identifikuar si i realizuar nga njerëzit.

Është një gur në formën e një pllake  tepër të madhe ciklopike, që rri varur  mbi dy gure të tjerë mbajtës dhe merr formën e një sofre, që akoma edhe kësaj dite, nuk ka marr një përgjigje të saktë se kush e ka vendosur ashtu.

Në fakt, shkenca monumente të tilla i njeh me emrin dolmenë, thënë ndryshe tipe varresh megalitikë të ndërtuar me gurë të punuar ose jo. Në disa raste ato ishin vend-prehje, në të tjera vend-sakrifikime apo edhe tempuj të shenjtë ku njerëzit u faleshin perëndive.

Teoria më e çmendur është ajo që dolmenët shërbenin si pika kontakti me jashtëtokësorët, kjo sepse ndërtimi i tyre në shumë vende të botës është i lidhur me diellin, dritën dhe energjinë e tij, çka sipas studiuesve është hasur edhe në piramidat e Egjiptit.

Në Evropë janë zbuluar shumë të tillë, më së shumti në Itali, Britaninë e Madhe, Francë, Irlandë , Gjermani, Spanjë etj., por ka shumë të tilla edhe përtej kontinentit si në Indi, Madagaskar, Afrikë të Veriut e më tej.

Monumentet kanë forma dhe madhësi të ndryshme, ashtu si zonat ku ngrihen. Në Shqipëri, “Sofra e Zotit” ndodhet relativisht larg, rreth 1 orë e 30 minuta në këmbë nga qendra e fundit e banuar që është Vranishti. Të gjithë në këtë fshat e njohin shtegun që të çon drejt këtij vendi mitik dhe nuk ngurojnë të të shoqërojnë.

Por si mund ta kenë zhvendosur njerëzit një gur të tillë që peshon rreth 10 tonë? A kanë pasur mjete të tilla me të cilat ta ngrinin në ato kohë të hershme? Mjafton të thuhet se monumente të tilla datojnë nga 4 deri 9 mijë vite më parë, por për shumë kërkues edhe më hershëm, deri 15 mijë vite më parë.

Nuk mund të mos bëhesh disi mosbesues. Megjithatë, askush deri më sot nuk i ka dhënë dot një përgjigje të prerë as mënyrës se si janë ngritur blloqet e gurëve të piramidave të Egjiptit. Edhe për to nuk mungojnë tezat, nga ato më të pranueshmet tek ato në dukje më absurdet. Ndaj nuk ka pse e njëjta mënyrë të mos jetë përdorur edhe këtu.

Historianë dhe arkeologë si Moriz Hoernes apo danezi Zinck kanë dhënë tezën se dolmenët duhen ndarë në grupe, duke qenë se vijnë si origjinë ndërtimore nga pjesë të ndryshme të planetit.

Megjithatë, shumica e ekspertëve të tjerë mendojnë se këto monumente prehistorike kanë origjinën nga e njëjta zonë. Tezat e tyre i kanë dhënë shumë ekspertë të njohur, si britaniku Glyn Daniel, historianet Janet Ross dhe Jean Arnal, arkeologët Jean Albert Bakker dhe Meyerhoff Janusz, këshilltari i UNESCO-s për periudhën megalitike Roger Joussaume e një pafundësi autorësh të tjerë, të cilët janë aq shumë sa është e pamundur t’i rendisësh të gjithë.

Askush nuk mund të thotë diçka të saktë apo 100 % të vërtetë. Por elementi i padiskutueshëm nga të gjithë mbetet se këto monumente janë vepër e njeriut.

Historia e dolmenëve endet mes fakteve të sjella nga historianët dhe mitologjisë së vendit ku ato ngrihen.

Në Irlandë legjendat theksojnë se ato mund të jenë ngritur  nga një popull prehistorik, Túatha Dé Danann, një tjetër se janë krijuar nga qytetërimi i humbur dhe kurrë i zbuluar i Atlantidës,  një tjetër se janë egjiptianët që e nisën me këto ndërtime për të arritur më pas te piramidat, ndërsa në Shqipëri nga pellazgët, sikurse tregojnë banorët.

Sipas tyre, fakt mbetet se përreth gjithçka lidhet për sa kohë poshtmi ndodhet guri i qytetit, ku ende mund të gjesh edhe pa gërmuar gjurmë civilizimesh të hershme. Më tej, “Lëmi i Lejlereve” apo i emërtuar ndryshe si “Pjella e bardhë” e po ashtu thellë në prehistori hidhen edhe shpella e banuar e Lipes, ajo e shkruar e Lepenicës apo ajo e Velçës.

Banorët e sotëm jetojnë mes këtyre legjendave që, sado të çuditshme të duken, janë pjesë e traditës e gojëdhënave të ruajtura brez pas brezi.

Sigurisht si për shumëçka në Shqipëri mungon një studim në tërësi i të gjithë këtyre emërtimeve dhe trashëgimisë që ato fshehin. “Sofra e Perëndisë” apo “Guri me Qiell” është jashtë vëmendjes, për të mos thënë se është e vështirë të mendosh nëse ekziston diku në regjistrat e pluhurosura të institucioneve përkatëse. E po kështu, mënjanë janë lënë edhe rrënojat e Kalasë së Horës, që ndodhet shumë afër fshatit Vranisht.

Marrë me shkurtime nga emisioni “Gjurmë Shqiptare” i gazetarit Marin Mema

“Sofra e Zotit” në Vranisht ura lidhëse mes tokës dhe qiellit, njeriut dhe jashtëtokësorit Read More »

Si po kthehet Shqipëria në “republikë” të burgosurish

Shqipëria ka numrin më të lartë në rajon për të burgosurit në 100 mijë banorë.
Të dhënat e marra nga Ministria e Drejtësisë janë bërë të ditura nga Organizata Prison Studies dhe të publikuara në World Prison Brief, ku Shqipëria numëron 193 të burgosur për 100 mijë banorë. Sipas avokatëve, ky numër i lartë lidhet me mungesën e zbatimit të dënimeve alternative në vendin tonë.

Astrit Prendi, avokat: Një nder faktorët kryesor është edhe problemet e ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale edhe pse ky i ka parashikuar dënimet alternative, por nuk po gjen zbatim nga gjyqësori, ose që nga organi i prokurorisë, pasi ka vepra të tilla që janë me marzh të ulët dënimi që mund të zgjidhen dënime alternative apo edhe me marrëveshje dhe mos shkohet direkt masa arrest me burg.

Sipas avokatëve, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri vendoset masa ekstreme arrest me burg edhe për veprat penale si vjedhje energjie, apo drejtimi i automjetit në gjendje të dehur.

“Drejtimi i mjetit ne gjendje të dehur, vjedhja penale, janë bërë vepra penale, mjerisht edhe vepra të tilla arrest me burg e humbet efektin pozitiv që ka ligji në vetvete. Për të njëjtën vepër penale në Shqipëri nëse dënohesh rishtazi të caktohet masa arrest me burg, ndërsa anë vendet e tjera në vendet fqinj nuk vendoset, mos harrojmë që një masë shtrënguese e vendimit penal nuk ka vetëm dënimin por edhe edukimin”.

Sipas raportit të Ëorld Prison Brief, pas Shqipërisë për numër të lartë të burgosurish, renditet Mali i Zi me 174 të burgosur për 100 mijë banorë, e ndjekur nga Serbia me 152, Maqedonia me 134 të burgosur , Kosova me 106 të burgosur dhe Bosnje Hercegovina me 73. Vendi ynë ka një numër të ulët përsa i përket të të dënuarve minorenë në shifrën 0.6 % ./Klan

Si po kthehet Shqipëria në “republikë” të burgosurish Read More »

Vlorë/ 390 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës në Vllahinë

Shkolla e mesme e bashkuar ”Mynyr Xhindi” në fshatin Vllahinë të Vlorës i është nënshtruar rikonstruksionit.

Bashkia e Selenicës bën të ditur se “ditët e e fundit ka filluar rikonstruksioni total i godinës së kësaj shkolle, falë një investimit prej 390 milionë lekë”.

“Pas rikonstruksionit shkolla do të mundësojë kushte shumë herë më të mira për nxënësit dhe mësuesit. Realizimi i këtij projekti do të bëjë të mundur zhvillimin normal të procesit mësimor dhe edukativ në këtë shkollë”, thekson bashkia e Selenicës.

Sipas bashkisë, mirëmbajtja dhe rikonstruksioni i godinave arsimore do të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së saj.

Rikonstruksioni i kësaj shkolle është pjesë e projektit të qeverisë për ndryshimin e infrastrukturës arsimore dhe modernizimin e kushteve të edukimit për nxënësit. Deri në vitin 2019 qeveria do të rikonstruktojë 58 shkolla në të gjithë vendin. /atsh

Vlorë/ 390 milionë lekë për rikonstruksionin e shkollës në Vllahinë Read More »

Zbardhet vendimi, si do të funksionojë shkolla e drejtorëve

Qeveria mori sot vendimin mbi mënyrën se si do të funksionojë shkolla e drejtorëve në arsim, si dhe mënyrën e trajnimit dhe certifikimit të tyre.

Kështu, sipas vendimit të publikuar sot, thuhet se Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar bashkëthemelohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me emërtimin zyrtar “Albanian-American Development Foundation” (AADF).

Kjo shkollë do të funksionojë si një organizatë jofitimprurëse, pa anëtarësi, në formën “Qendër”, ku bordi drejtues do të ketë jo më pak se 5 (pesë) anëtarë dhe një drejtor ekzekutiv.

Lidhur me procedurën e emërimit, shkarkimit dhe kompetencave të bordit drejtues dhe të drejtorit ekzekutiv përcaktohen në statutin e Shkollës së Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar, të miratuar nga bashkëthemeluesit e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse. AADF-ja gëzon të drejtën e shumicës së thjeshtë të anëtarëve në bordin drejtues. Kryetar i bordit është njëri prej anëtarëve të emëruar nga ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Pranë kësaj shkolle do të krijohet bordi këshillimor, si një organ konsultativ i drejtorit ekzekutiv, pa funksione vendimmarrëse. Ky institucion do të vlerësojë nevojat për trajnim të drejtorëve, do përcaktojë llojin e trajnimeve, si proces përgatitor për certifikim, trajnim e vazhdueshme, lëshojë certifikatat. Sakaq, kjo shkollë do të përcaktojë kriteret e përzgjedhjes dhe përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët do trajnohen.

Në vendim thuhet gjithashtu se, kjo shkollë do të monitorojë drejtorët dhe nëndrejtorët në vendet e tyre të punës. Po kështu, do të krijohet rrjeti i drejtorëve dhe nëndrejtorëve të trajnuar nga kjo shkollë. Një pikë e rëndësishme është edhe bashkëpunimi me
homologë të huaj dhe organizma ndërkombëtarë.

Lidhur me kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes së drejtorëve dhe nëndrejtorët në detyrë, në programin e zhvillimit profesional të drejtorëve/nëndrejtorëve të institucioneve të arsimit parauniversitar në Shqipëri, këto do të miratohen nga ministri përgjegjës për Arsimin, pas konsultimit paraprak me Shkollën e Drejtorëve. Trajnimi i drejtorit/nëndrejtorit në detyrë zhvillohet me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna.

Pas kalimit me sukses të provimit përfundimtar, drejtorët dhe nëndrejtorët në detyrë si dhe kandidatët për drejtor/nëndrejtor pajisen me certifikatën për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor parauniveristar, e cila lëshohet nga Shkolla e Drejtorëve.

Të gjitha kostot e trajnimit do të sigurohen nga Ministria Arsimit. Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar ka buxhetin e vet, të cilin e miraton dhe e administron bordi drejtues i Shkollës së Drejtorëve, në përputhje me statutin e saj.

Vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /atsh

Zbardhet vendimi, si do të funksionojë shkolla e drejtorëve Read More »

Rrëfimet e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës edhe nga SHBA

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka pritur sot në takim Dr. Gjon Bucaj, ish-Kryetar për 7 vjet i Federatës Pan Shqiptare të Amerikës, Vatra.

“Në fokus të bashkëbisedimit ishte vizita e përfaqësisë e AIDSSH në SHBA me rastin e festës së pavarësisë dhe mbledhjen e rrëfimit dhe të dhënave për kampin e Tepelenës”, – u shpreh kryetarja e AIDSSH, Gentiana Sula.

Po ashtu, Sula shprehet se “bashkëbiseduam për një planifikim sa më të mirë të vizitës së përfaqësisë sonë në USA me rastin e festës së pavarësisë, dhe organizimin sa më të mirë të mbledhjes së rrëfimeve të të mbijetuarve të Kampit të Tepelenës, që jetojnë në USA”.

“Po ashtu ai aplikoi për t’u informuar mbi dokumente të ish-Sigurimit, që mund të jenë krijuar për të dhe familjarë të tij në vitet e diktaturës”, – tha kryetarja. /atsh

Rrëfimet e të mbijetuarve të kampit të Tepelenës edhe nga SHBA Read More »

Agjencitë e OKB-së në Shqipëri, një javë me aktivitete për objektivat e zhvillimit

Java e Objektivave të Zhvillimit përkon me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe është një përpjekje e përbashkët dhe aktivizim për t’u fokusuar në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Kjo nismë ka tërhequr rreth vetes gjithnjë e më shumë partnerë nga e gjithë bota që kur nisi dy vjet më parë. Të gjitha aktivitetet lidhen me objektivat e zhvillimit.
Ashtu sikurse vitet e shkuara, agjencitë e OKB-së në Shqipëri do të organizojnë aktivitete në disa rrethe të vendit përgjatë kësaj jave.

Kalendari i aktiviteteve:

14 shtator – 6 tetor – MYRTIS ballë për ballë me të shkuarën, ekspozitë në COD.

Myrtis është një vajzë 11-vjeçare, e cila vdiq në mënyrë tragjike nga epidemia e tifos që pllakosi Athinën e lashtë dymijë e pesëqind vjet më parë! Për arkeologët dhe historianët, fytyra e kësaj vajze të vogël ka sjellë në jetë një aspekt shumë të rëndësishëm të historisë greke dhe u ka dhënë përgjigje shkaqeve të humbjeve të jetëve të shumë athinasve.

Myrtis është një vajzë e veçantë edhe për Kombet e Bashkuara. Tetë vite të shkuara ajo u kthye në një “Mike të Kombeve të Bashkuara” dhe tashmë “është ringjallur” për t’u bërë një zë i fuqishëm në parandalimin e sëmundjeve që prekin fëmijët. Objektivi i tretë i Zhvillimi të Qëndrueshëm: Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie, promovon mënyra jetese të shëndetshme, masa parandaluese dhe kujdes shëndetësor modern dhe efikas për të gjithë. Aksesi në mjekësi dhe në shërbimet e kujdesit shëndetësor është një e drejtë themelore e njeriut. Çdo individ duhet të marrë trajtimin e nevojshëm për të gëzuar një jetë të shëndetshme dhe produktive.

26 shtator – Dita e Objektivave të Zhvillimit në Fier

09:00-10:00 – Aktivitet me të rinjtë: Pse kanë rëndësi Objektivat e Zhvillimit për të rinjtë?

Vendi: Qendra Rinore

10:00-10-45 – Seanca “The World’s Largest Lesson” – (Mësimi më i madh në botë) për të përcjellë mesazhet rreth Objektivave të Zhvillimit tek fëmijët

11:00-12:00 – Promovimi i të drejtave të pronësisë të grave. Njohja dhe gëzimi i të drejtave të pronësisë. Roli i institucioneve dhe qeverisjes vendore

12.00 – 13:00 – Qendra e Ndihmës Ligjore Falas (FLA) në Qarkun e Fierit. Shërbimet e ndihmës ligjore falas të aksesueshme për njerëzit vulnerabël.

13:00-14:30 – Përmbushja e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në nivel vendor

Vendi: Bashkia Fier

27 shtator – Dhuna ndaj grave dhe vajzave në komunitetet e pafavorizuara

9:30 – Prezantim i raportit: Një vështrim mbi fenomenin e dhunës ndaj grave e vajzave nga komunitetet Rom/Egjyptian, LGBTI dhe atyre me aftësi të kufizuara.

Vendi: Europe House (Ish-Qendra e Informimit Europian)

28 shtator – Objektivat e Zhvillimit dhe roli i të rinjve

10:00 – Aktivitet ndërgjegjësues me të rinjtë me fokus Objektivin 5: Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i të gjitha grave dhe vajzave

Vendi: Shkolla e mesme “Shefqet Guzi”, Gramsh./atsh

Agjencitë e OKB-së në Shqipëri, një javë me aktivitete për objektivat e zhvillimit Read More »

“Enveri masakroi popullin për të ruajtur karrigen, nëse s’do ishte ai do ishim një Zvicër në Ballkan”

Nga Ilir HOXHOLLI

Po më thoni se Enveri pati të këqija dhe të mira? Do të thoja nëse Fuqitë e Mëdha do na përcaktonin pjesë të demokracive perëndimore a do ishim sot kështu?

Sot, mund të ishim një Zvicër në Ballkan, e ndërsa Enveri ndërtoi bunkere, zhvilloi luftën e klasave, ndaloi besimin në Zot, pronën private, e imagjinoni dot bregdetin, qytetet nën kujdesin dhe frymën perëndimore? Do kishim liri, mirëqenie, do të kishim gjithçka.

Zhduku analfabetizmin, po, do ndodhte siç ka ndodhur kudo në demokracitë perëndimore të pasluftës, por do i kishim të gjithë ata intelektualë që i vrau, pse dinin më shumë se ai. I vrau e familjet ua internoi të gjithëve.

O njerëz, Enverin krahasojeni me liritë dhe mirëqenien e bllokut lindor, askush nuk e masakroi popullin e tij më shumë se ky diktator, askush nuk e mashtroi me pushtimin nga superfuqitë, thjesht ruajti karrigen e tij.

Ajo që ju duket bukur në atë kohë ishte se ishim të gjithë të varfër, nuk kishim lakmi dhe xhelozi mes mesh, përveç atyre që për pak karrierë masakruan fqinjin për një fjalë që nuk e tha, për pak pushime me mirë se të tjerët në konvaleshencë, burgosi farefisin, ua la fëmijët jetimë.

Ja ky ishte Enveri, e di që disave nuk do t’u pëlqejë ky shkrim, por atë që Zoti e ka mallkuar si Faraonin, unë nuk mund të ndjej asnjë pikë mirësie, fundja një “Zot” që vdes nuk është asgjë, ndaj mos m’i tregoni të mirat e tij, kur lotët e të afërmve të viktimave nuk gjejnë varret të vendosin një tufë me lule, histori e mbushur me dhimbje e lot… Rrnoi At Zef Pllumbi për me tregue, po a ka kush me lexue…

“Enveri masakroi popullin për të ruajtur karrigen, nëse s’do ishte ai do ishim një Zvicër në Ballkan” Read More »

Karaburuni dhe Sazani, destinacioni i 3596 turistëve

Sazani dhe Karaburuni edhe gjatë muajit shtator mbetet ndër destinacionet më mbresëlënëse për turistët vendas dhe të huaj, të cilët mahniten nga bukuria që natyra i ka falur kësaj zone.

Drejtori i Portit Detar Vlorë, Admir Malaj, tha sot për ATSH-në se “gjatë periudhës 1-17 shtator 3596 turistë kanë zgjedhur portin e Vlorës për të udhëtuar drejt këtyre destinacioneve turistike”.

Sipas Malaj, pjesa më e madhe e turistëve që kanë vizituar Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan janë të huaj.

Sipas statistikave nga rreth 3596 turistë, 2014 janë shtetas të huaj të ardhur nga vende të ndryshme si Polonia , Italia, Amerika, Rusia, Finlanda, Suedia, Gjermania, Kanadaja etj”.
Parku Kombëtar Detar Karaburun-Sazan gjatë sezonit turistik veror qershor-gusht ishte destinacioni më mbresëlënës për 45 000 turistët vendas dhe të huaj.

Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operuan anije turistike, të cilat niseshin çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipërisë. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Tani zona mund të vizitohet nëpërmjet udhëtimeve ditore që zhvillojnë operatorët turistikë që nisen nga porti i Vlorës. Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Për të gjithë të apasionuarit e zhytjes ofrohen shtigje nënujore për të parë botën unike dhe pasuritë nënujore./atsh

Karaburuni dhe Sazani, destinacioni i 3596 turistëve Read More »