Irina

Tërhiqet qeveria. Nikolla: S’do ketë tarifa

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, pas protestës së studentëve ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka sqaruar vendimin që është marrë nga qeveria.
Nikolla shtoi se tarifat i vendos vetë universiteti dhe jo ministria, duke theksuar edhe një herë deklaratat e bëra më herët.
“Faleminderit studentëve që shërbyen si nxitës për të rritur komunikimin. Qeveria do të heqë dorë nga tarifimi i provimeve të bartura”, – tha Nikolla.

Në deklaratën e ministres thuhet se, “Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, nuk do të ketë kosto shtesë për studentët mbetës. Do hiqet neni 4 i VKM-së dhe nuk do ketë tarifë për provimet e studentëve mbetës”.

Ky qëndrim i saj u dha pas takimit me dekanët dhe rektorët e universiteteve. Sa i takon kërkesës për përgjysmimin e tarifës së studimit, ajo tha se është në dorë të universiteteve.

Studentët e Universiteteve publike në Tiranë, prej orësh vijojnë protestën para ministrisë së Arsimit.

Madje në mënyrë simbolike ata kanë nxjerrë edhe kartonë të kuq, ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla, kundër tarifave të larta.

Tërhiqet qeveria. Nikolla: S’do ketë tarifa Read More »

“Lahuta trashëgimi e Serbisë në UNESCO”/ Reagon Ministria e Kulturës: Ja e vërteta

Ministria e Kulturës përgënjeshtron lajmin e përhapur në media një ditë më parë, se lahuta është njohur nga UNESCO si trashëgimi kulturore e Serbisë.
“Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se ‘lahuta nuk është shqiptare, por serbe’”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Kulturës.

“Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj. Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin”, sqaron më tej ministria.

Reagimi i plotë

Ministria e Kulturës, në komunikim edhe me Misionin tonë të Përhershëm pranë UNESCO-s, sqaron se:

Asnjë vendim nuk është marrë dhe në asnjë rast Komiteti Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale të UNESCO-s nuk është shprehur, siç cilësohet gabimisht në disa media, se “lahuta nuk është shqiptare por serbe”.

Në sesionin e 13-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Pasurisë Jomateriale u bë regjistrimi i nominimit “Të kënduarit në shoqërimin e Gusle” (instrumenti që në shqip quhet lahuta) prezantuar nga Serbia, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Ministria e Kulturës, ashtu sikurse u theksua edhe në këtë mbledhje nga delegacioni i Shqipërisë, vë sërish në dukje se:

Praktika kulturore e “Të kënduarit me lahutë” është historikisht e pranishme dhe është një praktikë kulturore e gjallë në një zonë shumë të gjerë të Evropës Juglindore, jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, por edhe në Mal të Zi, në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, etj.

Të kënduarit me lahutë është nga ato raste kur mund të zbatohet propozimi shumëkombësh bazuar në faktin se ato vende ndajnë praktikën kulturore në fjalë si një traditë historike dhe dukuri kulturore të gjallë dhe asnjë vend nuk përjashton tjetrin.

Ministria e Kulturës së Shqipërisë është tashmë në kontakt zyrtar me Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi për të vijuar me vullnet të përbashkët procedurën për zgjerim të pjesëmarrjes në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Europës Juglindore, që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij procesi për këtë aset kulturor specifik.

Çdo vend ndjek prioritete të ndryshme në punën përgatitore për regjistrimin e pasurive kulturore në listat e trashëgimisë botërore dhe aktualisht Shqipëria është në fazën përfundimtare të procesit të regjistrimit të dosjes së pasurisë kulturore dhe natyrore të pjesës shqiptare të Liqenit të Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërkohë që ka në proces përgatitjen e propozimeve për regjistrim në listat përkatëse disa pasuri të tjera materiale dhe jo materiale, si për shembull, Parku Arkeologjik i Apolonisë.

Ndajmë gjithashtu me publikun lajmin e mirë se falë punës së mirëkoordinuar të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, në po të njëjtin takim, u miratua kërkesa e Shqipërisë për asistencë ndërkombëtare për projektin e krijimit të Inventarit Kombëtar të Pasurive Kulturore Jomateriale që do të krijojë një bazë të dhënash në nivel rajonal dhe kombëtar për këtë kategori.

“Lahuta trashëgimi e Serbisë në UNESCO”/ Reagon Ministria e Kulturës: Ja e vërteta Read More »

“Ballkani flet shqip , iku koha kur Serbia sillej si superfuqi në Ballkan”

Kohët e fundit, ndikimi Rus ka shqetësuar jo vetëm Kosovë, por Evropën në tërësi, për më i prekur është Ballkani dhe kjo politikë e vjetër rishfaqet herë pas here, madje rishfaqet kur nuk gjen stabilitet politik në vend, si në Kosovë dhe në Shqipëri, Maqedoni dhe me gjerë.
Masa e marrë nga qeveria e Kosovës rreth taksës 100% gjithsesi se është përgjigje politike, sepse Serbia po shfrytëzon pozita për të përfituar nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbi

Kështu ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike dhe juridike Ilir Vata i cili në një prononcim për “Bota sot” ka thënë shikuar në aspektin nacionalist taksa 100% është gjeja e duhur dhe është një përgjigje flakë për flakë.

“Në aspektin nacional është veprim i qëlluar, kurse sa i përket aspektit politik mendoj se është e pa menduar mirë, pasi e ardhmja e Kosovës është në BE, dhe zëri i tyre duhet të jetë udhërrëfyes për politikën e Kosovës, sigurisht pa anashkaluar partnerin e madh strategjik të shqiptarëve SHBA.

Kurse shikuar në aspektin e tregtisë së lirë, është një rrënim, është shkelje e marrëveshjes CEFTA , cenon mirëqenën e shtetasve të Kosovës.

Në aspektin e sigurisë së Kosovës kjo taks nuk ka të bëjë sepse Kosova është e pavarur, shtet legjitim dhe në këtë koncept askush nuk mund ta cenojë sigurinë e një shteti tjetër nga vendimet e një qeverie, se pafajësish se si janë legjitime dhe varen nga vetë qeveria e Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Vata.

Ai ka theksuar se lobimi i Serbisë kundër Kosovës do vazhdojë edhe me tej, ndërsa Kosova, partnerët ndërkombëtarë, Shqipëria duhet të vazhdojnë misionin e tyre diplomatik, lobues për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare dhe kryesisht në BE.

“Kohët e fundit, ndikimi Rus ka shqetësuar jo vetëm Kosovë, por Evropën në tërësi, për më i prekur është Ballkani dhe kjo politikë e vjetër rishfaqet herë pas here, madje rishfaqet kur nuk gjen stabilitet politik në vend, si në Kosovë dhe në Shqipëri, Maqedoni dhe me gjerë.
Por ajo që vlen, sa më shumë që Serbia të punojë kundër Kosovë, apo të nxisë provokime institucionale, apo territorialë është në dëm të saj. Ka ikur koha kur Serbia të sillet si superfuqi në Ballkan, tani Ballkani flet shqip në kuptimin politikë, sepse shqiptarët kanë qenë viktima të serbëve në luftën e dekadës që lamë pas”, ka thënë Vata.
Ai konsideron se shqiptarët kanë qenë ata që e pësuan me ndarjen e territoreve një shekull më parë, dhe mëkatare ishte Evropa por falë SHBA-ve atëherë u bë shtet Shqipëri dhe së fundmi dhe Kosova.

“Padrejtësia ndaj shqiptarëve ka marrë fund, askush nuk mund ti cenojë ata në liri, pra stabiliteti i Kosovës lidhet me stabilitetin e vetë Ballkani, por dhe nëse rajoni destabilizohet shqiptarët do ta bëjnë edhe më të vogël Serbinë, sepse padrejtësia sado të zgjas do të dalë në dritë dhe shqiptarët ndahen mes vetes me pesë shtete”, ka thënë njohësi i çështjeve politike e juridike Ilir Vata.

“Ballkani flet shqip , iku koha kur Serbia sillej si superfuqi në Ballkan” Read More »

Vlorë/ BE mbështet bashkëpunimin rajonal për agrobiznesin

Greqia, Bullgaria, Qiproja dhe Shqipëria nxisin bashkëpunimin në fushën e agrobiznesit, përmes një projekti që mbështetet nga Bashkimi Europian.

Asnjë biznes që synon tregjet ndërkombëtare, nuk mund të ketë suksesin e pritshëm duke qenë i vetëm. Në kompleksitetin e faktorëve që përcaktojnë profilin e këtyre tregjeve, lind domosdoshmëria e bashkëpunimit, e krijimit të grupimeve brenda fushave të caktuara të ekonomisë.

Ky trend bashkëkohor, po nis rrugëtimin edhe në Shqipëri, ku agrobiznesi po shndërrohet në një sektor promovues që synon të bëhet gjithnjë e më shumë i dukshëm në tregjet respektive rajonale e më gjerë. Në këtë drejtim, klasterat (Cluster – apo grupimet, siç shqipërohen ndryshe), si koncepte dhe forma konkrete bashkëpunimi ekonomike bashkëkohore, vlerësohen ndër më të suksesshmet.

Partnerë nga Greqia, Bullgaria, Qiproja e Shqipëria, u mblodhën për të diskutuar së bashku hapat që do të ndiqen më tej, për të konkretizuar bashkëpunimin në kuadrin e Projektit FOCUS, pjesë e Programit BallkanMed, që financohet nga BE-ja.

Ky projekt, që ka startuar në muajin dhjetor të vitit 2017, ka si objektiv nxitjen e rritjes së konkurrueshmërisë së SME-ve në fushën e agroindustrisë dhe krijimin e një klasteri (grupimi) ballkanik.

Qëllimi është t’u ofrojë bizneseve mundësinë e njohjes me praktikat më të mira dhe hedhjen e bazave të kooperimit me simotra në vende të tjera si Greqi, Bullgari dhe Qipro. Projekti Focus- Programi INTERREG Balkan, do të synojë krijimin e klasterave transnacionalë në katër sektorë: Përpunimi i qumështit, prodhimi i vajit të ullirit, prodhimi i verës, perimet dhe drufrutorët, përmes hartëzimit të SME-ve, qendrave të kërkimit shkencor, organizatave përfaqësuese të biznesit dhe agroindustrisë, shoqërisë civile etj.
Në këtë takim, u vlerësua se, sektorët e agroushqimit, që synojnë grupet rajonale të agroushqimit, po nxiten efektivisht për t’u përfshirë në klasterin ballkanik që do të krijohet në kuadër të këtij projekti.

Me këtë argument, u hodhën ide se cili do të jetë grupi respektiv i synuar, cilat janë format e ndryshme të shërbimeve që do të ofrohen, çfarë lloj informacioni do të sigurohet nga klasteri rajonal etj.

Mirela Koçi, drejtore ekzekutive e Agjencisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, partnere e këtij projekti nga Shqipëria, sqaron se, puna e përbashkët në kuadër të këtij projekti, do të synojë krijimin e një produkti gjithashtu të përbashkët, që është konkretizimi i një klasteri transnacional, apo ballkanik, që përbën edhe “output”-in kryesor të kësaj pune.

“Në bashkëpunim me Rajonin e Peloponezit (Greqi), në cilësinë e “lead partner”, si edhe partnerët nga Universiteti Agrobujqësor i Plovdivit (Bullgari), Dhoma e Tregtisë e Rajonit të Rusës (Bullgari), Dhoma e Tregtisë e Qipros, Universiteti Bujqësor dhe Universiteti Teknik i Athinës, janë përcaktuar 4 sektorë të bashkëpunimit dhe krijimit të klasterave, që janë ata të prodhimit të verës, të vajit të ullirit, fruta perimeve, si edhe përpunimi i qumështit. Dhe tani kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të projektit, që është ajo e hartimit të një platforme transballkanike, përmes të cilës do të ofrohen shërbime të integruara, por në të njëjtën kohë edhe do të funksionojë si një klaster ndërkombëtar që do të ofrojë mundësinë e transferimit të teknologjisë, si edhe zgjerimin e bashkëpunimit me tregjet e reja”, thotë Koçi.

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, solli praktikat më të mira që spikasin në territorin e Republikës së Shqipërisë në këtë fushë. Sipas tij, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, është organizata më e madhe në vend dhe ka në përbërje 22 shoqata kombëtare e 12 këshilla rajonale.

”Në fushën e mekanizimit, ka rreth 9700 traktorë, prej të cilave rreth 4000 janë minitraktorë”, nënvizoi ai, ndërkohë që shtoi se, ka kosto të larta të punimeve të mekanizuara dhe çmim ende të lartë të karburantit për bujqësinë.

Gramos Osmani, përfaqësues i RISI Albania, u ndal në prezantimin e çertifikimit global, GAP, që u krijon mundësinë SME-ve të këtij sektori të përfshihen në aktivitetin e eksportit.

Alban Zusi, drejtor i Qendrës së Eksporteve Shqiptare dhe përfaqësues i Shoqatës së Industrialistëve Agroushqimorë, përcolli përvojën e tij për klasterat dhe klasterin e parë shqiptar, si një model i suksesshëm në advokimin e të drejtave të prodhuesve.
“Sot, trendi është krijimi i klasterave, krijimi i grupimeve. Bizneset e kanë shumë të vështirë të çajnë individualisht në tregjet ndërkombëtare. Sepse, që të kesh sukses, duhet të dalësh në tregjet ndërkombëtare, duhet të eksportosh, Por edhe për të qenë brenda tregjeve ndërkombëtare, sërish duhet bashkëpunim”, thotë Zusi.

Sipas tij, tashmë, problematikat janë komplekse dhe i kalojnë kufijtë e një biznesi të vetëm. Prandaj dhe është e nevojshme të krijohen organizata, të krijohen forma të bashkëpunimit dhe kooperimit, ndër të cilat, klasteri është demonstruar si një ndër format më efektive në Evropë dhe që po promovohet gjithmonë e më tepër nga Këshilli i Evropës.

Në takim u vlerësua fakti se, prania e përfaqësuesve nga disa vende të rajonit, si Greqia, Bullgaria, Qipro, krijon kushtet për të realizuar sinergjinë mes bizneseve të këtyre rajoneve, qoftë në aspektin e ndërkombëtarizimit të tregtisë e biznesit, kryesisht në fushën e bujqësisë, ushqimit, ku edhe Shqipëria ka potencialet më të larta për zhvillim dhe njëkohësisht edhe nevojën më të madhe për t’u zhvilluar.

Aulona Veizi, drejtore e Qendrës së Transferimit të Teknologjive, solli përvojën e këtij institucioni shkencor, në ofrimin e shërbimeve mbështetëse të SME-ve, ndërkohë që Jonida Haxhillari e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, u ndal në disa aspekte konkrete të punës që po bëhet në këtë drejtim.

Partnerët ndërkombëtarë, vizituan mjediset e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, laboratorin invitro, fabrikën e prodhimit të vajit të ullirit, AULONA.
Procesi i degustimit të vajit të ullirit dhe testimi i pastës së ullirit, nga Gjinovefa Lazaj, ishin pjesë e këtij aktiviteti. /atsh

Vlorë/ BE mbështet bashkëpunimin rajonal për agrobiznesin Read More »

Gjirokastra ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike

Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Adrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare.Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron…

Prejardhja e emrit të Gjirokastrës ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike. Sipas legjendës, gjatë rrethimit përfundimtar të qytetit nga turqit, Princesha Argjiro, motra e zotit të qytetit u hodh nga muret e kalasë bashkë me djalin e saj për të mos rënë e gjallë në duart e armikut.

Që këtu rrodhi edhe emri “kalaja e Argjirosë”. (Por kjo duket e pamundur mbasi emri i qytetit përmendet që në kohën e Bizantit, pra para pushtimit osman). Sipas një shpjegimi tjetër më pak poetik, qyteti e ka marrë emrin sipas fjalës greke argjend, argyrokastron, që lidhet me ngjyrën e përhime të mureve, rrugëve dhe çative prej guri, të cilat vezullojnë si argjend kur lagen nga shiu. Një shpjegim tjetër lidhet me emrin e një fisi vendas që jetonte pranë Gjirokastrës: Argjirët.

Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër, me kalanë (bërthama e parë e vendbanimit) dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë me emrat: Cfakë, Dunavat, Manalat, Palorto, Varosh, Meçite, Hazmurat, Pazari i Vjetër.

Historia e hershme e qytetit është relativisht e panjohur. Për shkak të afërsisë me qendrat klasike dhe helenistike: Jerma (Antigonea) dhe qyteti romak Adrianopolis pranë fshatit Sofratikë, është menduar shpesh që vendbanimi më i hershëm në Gjirokastër është kalaja mesjetare. Por mbi këtë tezë janë hedhur dyshime pasi zbulimet brenda në kala kanë nxjerrë në dritë qeramikë në 4 faza të ndryshme banimi përpara periudhës osmane: në shekujt V – II p.e.s., shekujt V – VII e.j., shekujt IX-X dhe shekujt XII – XIII. Më e hershmja nga këto faza solli gjurmë të një muri të konsiderueshëm ndërtuar me blloqe, gjë që bën të mendosh që ka pasur një fortifikim të rëndësishëm të periudhës para romake në këtë anë të luginës së lumit Drino (para vitit 168 p.e.s).

Për herë të parë burimet historike e përmendin qytetin me 1336, kur kronisti bizantin Johan Kantakuzeni shkruan për Argyrókastron. Nën Despotatin e Epirit, qyteti dhe rrethinat ishin nën sundimin e familjes feudale Zenebishi. Ndërsa Perandoria Osmane zgjerohej në Europë në fundin e shekullit të XIV, Gjirokastra ra nën ndikimin e sulltanëve dhe sundimtarët e saj u bënë vasalë të tij.

Një nga Zenebishët përmendet se udhëhoqi një grup burrash nën komandën e Sulltan Bajazidit I (1389-1402), kur ky u mund nga Timurlengu i mongolëve në betejën e Ankarasë, më 1402. Më 1419 qyteti ra nën sundimin e plotë të Turqisë, ndërkohë që sipas regjistrave te taksave më 1431-32, ai kishte 163 shtëpi.

Kalaja ka pasur gjithnjë para së gjithash funksion ushtarak. Megjithëse kishte banesa brenda mureve, ato ishin të paracaktuara për garnizonin dhe dinjitarët e rëndësishëm. Ndërkohë gjatë Mesjetës, qyteti u zhvillua jashtë mureve të saj. Zbulime për banime të hershme në qytet nuk ka, megjithëse, në një rezidencë episkopale që ndodhej nën përkujtimoren e dikurshme, sot të zhdukur të Enver Hoxhës, është gjendur një kapitel i gdhendur bukur i shekullit të XIII. Në shekujt XVI dhe XVII qyteti, si qendër kryesore e Sanxhakut të Shqipërisë (Sanxhak quheshin njësitë kryesore administrative turke në periudhën e hershme të Perandorisë Osmane) qyteti lulëzoi dhe, si rezultat, lagjet e tij u zgjeruan me 434 shtëpi më 1583, që shënon pothuaj dyfishim brenda një shekulli.

Kjo ndodhi në radhë të parë për shkak të një lëvizje të përgjithshme të popullsisë nga fshati në qytet. Rritja vazhdoi edhe kur qendra rajonale administrative kaloi në Delvinë, në kohën e Sulltan Sulejmanit të Shkëlqyerit (1520-1566). Gjirokastra mbeti një qendër administrative si seli e kadiut (gjykatës) dhe shumë banesa e xhami që mbijetuan deri në ditët tona datojnë në këtë periudhë. Popullsia e qytetit duket të ketë mbetur e njëjtë në shekujt XVIII dhe XIX.

Më 1811, qyteti ra në duart e Ali Pashë Tepelenës. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear (shih foton), i cili udhëtoi mjaft nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”.

Pasi Ali Pasha u vra nga forcat e Portës së Lartë (kështu quhej oborri i sulltanit në Stamboll), qyteti vazhdoi të funksiononte si qendër administrative, qendër tregtimi e bagëtive, leshit, shajakut, prodhimeve blegtorale, të mëndafshit dhe qëndistarisë.

Gjirokastra ka qenë gjithnjë vatër patriotizmi duke qëndruar në vijën e parë të përpjekjeve për identitet kombëtar shqiptar në shekullin XIX. Më 1880 Kuvendi i Gjirokastrës mbështeti aktivisht kauzën e vetëvendosjes dhe rezistencës ndaj sundimit otoman. Më 1908, u hap shkolla e parë shqipe në qytet me emrin “Iliria” dhe më pas u krijuan një sërë shoqatash e klubesh patriotike.

Në fillimet e shekullit XX Gjirokastra u bë një çështje e rëndësishme, ndërkohë që përcaktoheshin kufijtë e Shqipërisë së sotme. Për një periudhë që pasoi shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, ajo ishte pjesë e “Republikës Autonome të Epirit” nën gjeneralin Zografos, i cili kërkonte bashkim me Greqinë, por, pas Luftës I Botërore, fuqitë e Antantës (Britania, Franca dhe Rusia) e bindën Greqinë që të tërhiqte pretendimet e saj nga kjo hapësirë me shumicë shqiptare. Kufiri i tanishëm u ratifikua më 1921.

prejardhja e emrit gjirokaster

Gjatë mbretërimit të mbretit Zog (1828-1939) Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit. Në këtë periudhë u ndërtua edhe burgu i madh në Kala. Gjatë pushtimit fashist që pasoi, qyteti ishte qendër e rezistencës kundër forcave italiane dhe më pas atyre naziste. Krahinat rrotull Gjirokastrës u çliruan më 1944 nga forcat partizane, duke shërbyer si bazë për çlirimin e gjithë vendit më nëntor 1944.

Vitet e komunizmit shënuan përpjekje për një industrializim në shkallë të gjerë, por edhe përpjekje të mëdha për të mbrojtur trashëgiminë kulturore unikale të qytetit (për hollësi shihni seksionin e veçantë kushtuar periudhës komuniste).

Rënia e komunizmit në fund të vitit 1990, e gjeti ekonominë e Gjirokastrës tashmë në rënie të shpejtë. Për të mbajtur punësim të plotë të popullsisë, komunistët kishin mbingarkuar me forcë pune përtej nevojave komplekset industriale të vjetruara dhe jo efiçente. Kështu që rënia e sistemit komunizmit, shkaktoi humbjen katastrofike të mijëra vendeve të punës.

Me mijëra vetë emigruan ose u drejtuan në Tiranë në kërkim të punës. Trazirat që pasuan rënien e komunizmit shënuan edhe grabitje në Muzeun Kombëtar të Armëve. Statuja e madhe e Enver Hoxhës u rrëzua, duke ia lënë vendin parkimit të një bar restoranti.

Sapo nisi të dalë ngadalë nga kaosi fillestar pas rënies së komunizmit, Gjirokastra ra më 1997 në një kaos të ri pas rënies së skemave mashtruese piramidale, ku mijëra familje humbën kursimet e tyre.

Një pjesë e konsiderueshme e Pazarit u dogj ose u dëmtua gjatë kësaj kohe kur qyteti lëngonte në një gjendje rrethimi dhe njerëzit luftonin për mbijetesë në një mjedis të dhunshëm dhe në mungesë të ligjit. Kriza shkaktoi një tjetër emigracion masiv dhe braktisje të ndërtesave historike, që nisën të prishen dhe të rrëzohen. Ditët e Qytetit-muze dukeshin të largëta, në një kohë kur shteti ishte i pazoti të kryente detyrën e vet ligjore për të financuar mirëmbajtjen dhe ruajtjen e ndërtesave historike të Gjirokastrës.

Sot Gjirokastra është duke u ringjallur. Baza e ekonomisë është bujqësia, por në rajon po rritet dhe industria e përpunimit të ushqimit, duke shfrytëzuar mundësinë që jep prodhimi i frutave, perimeve dhe nënprodukteve blegtorale.

Qyteti ka universitet dhe është qendër administrative rajonale. Turizmi po tregon se është një nga shpresat më të mëdha për zhvillimin ekonomik të qytetit, duke u bazuar në trashëgiminë unikale kulturore, historike dhe arkitekturore

Gjirokastra ka një shpjegim mitik dhe dy të tjerë me natyrë më historike Read More »

Cifti gjerman që pushon në afërsi të Zvërnecit ,në zonën e Portonovës

Një çift gjerman me dy fëmijë të vegjël prej ditësh ndodhen në vendin tonë per te pushuar. Çfarë është e veçantë në udhëtimin e tyre lidhet me faktin se ata bashkë me dy fëmijët e mitur zgjedhin vende larg zhurmës së qytetit.

Larg komoditetit dhe zhurmës së qyteteve. Duke preferuar vende të paeksploruara më parë. Dy turistë gjermanë, Zara dhe Kasten së bashku me dy fëmijët e tyre, 3 vjeç dhe pesë muajsh zgjodhën Shqipërinë për të kaluar dy javë.

Qëndrimi i tyre është larg zonave të banuara, kryesisht buzë detit. Në Vlorë kanë zgjedhur të qendrojnë në afërsi të Zvërnecit, në zonën e Portonovës. Makina është dhe shtëpia për çiftin gjerman dhe fëmijet e tyre të mitur. Gatuajnë dhe flejnë aty.

Qëndrojnë vetëm dy ditë më një vend, pasi lëvizin në zona të ndryshme. Udhërrëfyes të vetëm kanë një hartë. Nuk kanë frikë që ndodhen larg qendrave të banuara. Për këta prindër me fëmijë të vegjël natyra është ajo çfarë ofron gjithçka.

Blejnë pak gjëra të nevojshme dhe pas zhvendosen larg gjithçkaje. Pas Vlorës, destinacioni i radhës është Gjirokastra dhe më pas në Greqi. /abcnews.al

Cifti gjerman që pushon në afërsi të Zvërnecit ,në zonën e Portonovës Read More »

A e dini historinë e Zonjës së Kaninës?Një histori interesante , lexojeni

Kanina, kjo trevë me një bukuri përrallore, kjo fortesë e luftrave të të gjitha kohëve, qëndresë e principatave shqiptare, ka pasur edhe një princeshë, Rexhinën (Rugjina). Ajo vjen deri në ditët e sotme përmes legjendave, këngëve që i ka thurrur populli, dhe emri i saj është skalitur në një krua, çezmë, mal, rrugë… Nga literatura e shfletuar, tregojne se Kanina iu dha fisit te Bashajve si prikë, bashke me qytetin e Vlorës dhe të Beratit.

Kjo familje e madhe ia dhuroi Rexhinës, princeshës së Kaninës e të Vlorës. Jo vetëm historianët, por edhe kalinjotët e sotëm tregojnë një histori shumë interesante, që lidhet me qëndresën e kësaj princeshe në vitin 1417, kur u pushtua Vlora dhe Kanina. Kronistët e kohës, turq dhe vendas, flasin për luftime të ashpra, që ajo nuk mundi t’i përballojë deri në fund. Por, nuk u dorëzua. Rexhina, sëbashku me 400 besnikë të saj, bëri qëndresën e fundit në kalanë e Gjon Pocarit dhe vendosi që të largohet.

Ajo urdhëroi besnikët që t’i mbushnin kuvertën e anijes me dhe nga Himara. Me atë dhe të tokës së saj, ajo la amanetin që ta mbulonin kur të vdiste. Dhe vërtet ashtu u bë.
Në bregun e djathtë të Lumit të Vlorës, atje ku vendi mban emrin e “Përtej Lume”, një copë e vogël fushe, kjo që i takon fshatit Gumenicë, gjendet “Rrapi i Rugjinës” (i thonë dhe i zonjës), Zonjës së Kaninës. Perimetri i trungut të këtij rrapi është 12 metra. Nën hijen e këtij rrapi legjendar, Rugjina Balsha thirri në kuvend krerët e Labërisë, për tu dalë në ballë osmanëve agresorë. Në afërsi të “Rrapit të Rugjinës”, kemi “Mullirin e Zonjës”, sot gërmadhë, ndërsa në Lungar- Shashicë kemi “Kroin e Zonjës”, i cili i rindërtuar në Lungar shërben dhe sot.

Po kështu në fshatin Radhimë ndeshemi ne dy mikrotoponime dhe një hydronim që mbajn ëdhe sot emrin e Rugjinës: ”Gryka e Rugjinës”, ”Shpella e Rugjinës” dhe “Përroi i Rugjinës”.
Në qafën e Llogarasë gjendet “Shkëmbi i Rugjinës”. Sipas gojëdhënës në këtë shkëmb të vetmuar qëndroi Rugjina Balsha për të shikuar dhe një herë atdheun e saj e të qajë me mallëngjim për të. Dhimbja e Rugjinës ka mbetur proverbiale. Në fshatin Dukat gjer më sot mbajnë shprehjen “Rënkoi si Rugjina”, për një që rënkon nga dhimbja e thellë.
Ka një legjendë për të ku tregohet aq me mjeshtëri dhimbja për vendin e humbur. Atje tek rrinte Rugjina, e mbante njërin sy pas, nga Oriku e Vlora, Kanina e pushtuar, kurse tjetrin e mbante të humbur tutje nga brigjet e detit. Dhe dëneste. Lotët i rridhnin çurg, i binin nga maja e mjekrës në grykën e shkëmbit..

Ata lot, të hidhur farmak, e gëryen dhe e tretën dalëngadalë sipërfaqen e shkëmbit. Atje mbi gurin e tretur, mori formë dhe u ngurtësua syri i saj. Syri i Rugjinës qëndron atje, mbi shkëmb, duke kujtuar një mall e një merak për tokën e dashur që do vuante për shekuj të tërë nën thundrën e pushtimit të egër…. Pas kësaj Rugjina rrugën e përtej detit dhe varrin i saj u hap atje, në Korfuzin e largët dhe të afërt, nën hijen e ullinjëve jetëgjatë.
Rexhina ishte e bija e Balshës II dhe e Komita Muzakës. Le të zgjatemi pak në historinë e Vlorës dhe të prindërve të saj. I ati Balsha II (vdekur në 18 Shtator 1385) ishte sundimtar i Zetës (Mali i Zi i sotshëm) dhe i Shkodrës. Ishte pinjoll i familjes së Balshajve që sundoi mbi Shkodër e Zetë nga 1356 deri më 1435. Balsha II ishte djali i vogël i Balshës I. Mori pushtetin pas vdekjes së vëllait Durad I, në 13 Janar 1378. Sundimi i tij fillimisht shtrihej në Krahinën e Shkodrës dhe në pjesën lindore të bregdetit të Zetës. Kundërshtar i tij ishte familja serbe Durasheviç-Cernojeviç, të përkrahur nga venecianët.

Në 1372 u martua me Komita Muzakën, vajza e Gjon Komneni Asen, si dhuratë martese iu dhanë qytetet e Beratit dhe Kaninës. Në 1382 filloi luftën për pushtimin e Durrësit, e mori pas katër përpjekjeve. Në 1385 Karl Topia (sundimtari i mëparshëm i Durrësit), thirri në ndihmë trupat osmane, komandant ishte Hajredin Pasha i cili shpartalloi forcat e Balshës II në Savër, buzë Vjosës, vetë Balsha II mbeti i vrarë dhe koka e tij ju çua si trofe Hajredin Pashës. E veja e Balshës II, Komita e më vonë e bija e tyre Rugjina, morën kontrollin mbi Arbërinë e jugut, që përfshinte Vlorën e Kaninën, Sazanin, Himarën, kullën e Pargës, për ta mbrojtur nga pushtuesit osmanë.
E mbetur vetëm me të bijën, Komita nuk ishte në gjendje të mbronte zotërimet e saj nga turqit, kështu që në 1386 ia kërkoi mbrojtje Venedikut duke i premtuar qytetin e Vlorës në këmbim. Këto bisedime u mbyllën pa ndonjë rezultat, e njëjta gjë u përsërit edhe në 1393, sërish pa ndonjë rezultat. Ndërkohë qe zhvilluar beteja e Fushë-Kosovës ( 1389) në të cilën aleanca ballkanike u shpartallua dhe Turqia u bë faktori më i rëndësishëm në Ballkan. Në 1395 Komita i kërkoi mbrojtje Venedikut për herë të tretë, duke i afruar krejt trojet nën sundimin e saj për tu bërë vasal i tij. I ngarkuari i saj ishte peshkopi i Arbërisë, ndërkohë që po zhvilloheshin bisedimet Komita vdiq.

Pushtetin e mori dhëndrri, burri i Rugjinës, Merksha Jarkoviç. Ishte martuar me Rugjinën në 1391, kështu pas vdekjes së vjehrrës vazhdoi bisedimet me Venedikun, të cilat sërish nuk sollën asnjë rezultat. Burri i Rugjinës vdiq në vitin 1415, duke e lënë vetëm përballë oqeanit Turk. Rezistoi edhe dy vjet të tjerë deri më 1417, turqit e rrethuan, pasi çau rrethimin u largua për në Korfuz. Që nga ai moment Vlora do mbetej nën pushtetin e Turqisë deri në 1912, gati 500 vjet pa ndërprerje.

Kënga në vazhdim i kushtohet kësaj ngjarjeje, është një këngë që është krijuar më vonë mbështetur në ndonjë këngë më të vjetër, është kujtimi që i bën populli asaj ngjarjeje. Nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku i këndohet dikujt që ka jetuar 600 vjet më parë, edhe sot e kësaj dite.

Pllakosi turku në Vlorë
Ç’bën që rri Rugjinë e gjorë,
mblidh djemtë e bënia forrë,
se do të hedhin në dorë
Hamzai me tre taborë.
Del e ik, o moj Rugjinë,
se do të bënesh robinë.
Vendi të vithisetë’
bota të përmbysetë’
Rugjina nuk zihetë’,
tek turku nuk ipetë’,
nga murret do hidhetë,
poshtë në greminë,
gjaku të mbuloje,
nderin ta shpëtoje,
Arbrin ta nderoje!
Rugjinë, Zonja Rugjinë,
erdhën turqit në Kaninë,
të përpjetën e ngjinë,
dhe tani bëjnë rrethimnë.
Turqit me topa shumë,
Rugjina hebe me gurë,
turqit topa dhe trompeta,
Rugjina gurë e shigjeta,
Rugjina zemër shkëmbi
zgjodhi djemtë e këtij vendi,
me shigjeta e jataganë,
çau turqit dolli ndanë,
kaloi nëpër Lungarë,
përtej detit kaloi,
në Korfuz vate qëndroi.

A e dini historinë e Zonjës së Kaninës?Një histori interesante , lexojeni Read More »

Ja pse duhet të shkoni në Llogora

Te kilometri 31 i rrugës Sarandë-Vlorë, në dalje të Parkut, në të djathtë të rrugës kryesore, ndodhet Pisha Flamur, që është shpallur Monument Natyre dhe që është lehtësisht e dallueshme.
Ajo ndodhet në lartësinë 910 m mbi nivelin e detit, ka një moshë mbi 100 vjeçare dhe mbart vlera unikale, si vepër artistike e erërave të Jugut. Pisha i përket llojit Pinus nigera. Ka formën e flamurit si rezultat i veprimit të erërave të forta të juglindjes. Është e gjatë 20 m, ka perimetër 3.30 m, diametri maksimal 75 cm, ka moshë rreth 100 vjeçare. Ky monument ka vlera shkencore, biologjike, estetike dhe turistike. Disa degë po thahen nga faktorët natyrorë.
Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj dhe është botuar në guida të ndryshme turistike dhe botime shkencore. Natyrisht këtu nuk mund të rrish pa bërë një foto, me të cilën mund t’u mburresh miqve në Facebook, duke u thënë: “A e shihni ku kam qenë unë”?!
Për të vajtur tek ky monument merret rruga automobilistike Vlorë – Dukat – Llogora deri pra se të dalësh në Qafën e Llogorasë, në të djathtë të rrugës, pasi keni kaluar fshatin turistik. Por edhe po nuk patë Pishën Flamur të evidentuar si të tillë, në Llogara ka plot pisha të tilla, që për shkak të erërave, në një anë janë të zhveshura dhe në anën tjetër kanë plotë degë, si një flamur i shpalosur.
Kullat e Dervish Aliut në Dukat
Kullat e Dervish Aliut ndodhen në afërsi të fshatit Dukat i Vjetër, 4 km nga rruga nacionale Vlorë-Sarandë. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Banesa është e tipit Kullë, që i ngjan një keshtjellëze të fortifikuar.
Kullat e Dervish Aliut u ndërtua në vitin 1828 nga specialistë janinas, për të siguruar mbrojtjen e fshatit, si dhe për të shërbyer si strehim në kohë të vështira sulmesh a luftërash.
Tri kullat e Dervish Aliut kanë rreth 40 frëngji dhe prej andej mund të luftonin mbi 200 luftëtarë.
Në dhjetor 1977 Kullat e Dervish Aliut u shpallën shtëpi-muze dhe u morën nën kujdes nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Edhe sot ato gëzojnë statusin e Monumentit të Kulturës, por fatkeqësisht, me gjithë rikonstruksioneve që i janë bërë, po shkojnë drejt degradimit.
Për të vizituar këtë monument kulture ndiqet rruga që të çon në qendër të Dukatit të Vjetër. Pasi arrihet në qendër të fshatit merr rrugën që të çon në lagjen “Mazo”. Rruga që të çon deri në qendër të fshatit përshkohet nga makina, më tej rreth 1 km ecet në këmbë.
Specialitete të kuzhinës labe
Sipas dëshirave dhe shijeve këtu gjen të gjitha llojet e kuzhinave, që nga ato evropiane, por edhe të krahinave të tjera shqiptare. Por ajo që është e veçantë në artin kulinar të restoranteve të Llogarasë, është kuzhina tradicionale labe, mishi i pjekur në hell, kukurecët, arapashi dhe kosi me arra.
Të shkosh në Llogara dhe të thuash nuk kam ngrënë arapash, më mirë mos trego se ke qenë atje. Arapashi është specialiteti më tipik i kuzhinës së staneve të Labërisë. Bëhet në formë qulli me miell misri, gjalpë dhe të brendshmet e kecit dhe të qengjit. Se çfarë shije dhe sa i këndshëm është, nuk përshkruhet dot. Po të doni, shkoni dhe e shijoni!
Llogara-Dukat, Orikum-Karaburun: një zonë, dy ekosisteme
Një nga qendrat më të mëdha në këtë zonë ka qenë dhe është Orikumi, që shtrihet në bregun jugperëndimor të Gjirit me të njëjtin emër, në këmbët e gadishullit të Karaburunit. Qendra arkeologjike ndodhet në një kodër të ulët shkëmbore gëlqerore në fundin e një skele druri që ndan një lagunë të vogël nga gjiri (Pasha-Liman). Një kanal, tani i shndërruar në një kënetë lidhte lagunën me detin. Orikumi ka qenë qytet antik i disa periudhave, që nga ato greke, romake dhe deri në mesjetën e hershme. Sot ai është kthyer në një qytet modern, që merr më shumë rëndësi dhe gjallëri në nerv me vërshimin e turistëve të shumtë vendës dhe të huaj. Orikumi ka akoma mundësi dhe resurse të tjera turistike të pashfrytëzuara. Ende një pjesë e tij, më e bukura, mbahet nga repartet ushtarake në një vijë të gjatë bregdetare.
Por Orikumin nuk duhet ta marrësh të shkëputur nga e gjithë zona për rreth që fillon nga Lugina e Llogarasë deri në Pashaliman (tek Gjiri i Bristanit) duke u kufizuar me Gadishullin e Karaburunit, me luginën e Llogarasë dhe Dukatit fushë duke përfunduar me lagunën e Orikumit. E vendosur midis Parkut Kombëtar Llogara dhe Rezervatit Natyror t ë Menaxhuar Karaburun kjo zonë shërben si një urë lidhëse midis dy ekosistemeve natyrore, dhe është pjesë e pandarë natyrale e tyre.

Ja pse duhet të shkoni në Llogora Read More »