Irina

Rritet me 9,7% numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar

Mbi 14 mijë të huaj kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin mbi “Të huajt dhe azilkërkuesit në Shqipëri, 2018”. Sipas INSTAT numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 14.162 banorë, duke shënuar rritje me 9,7 %, krahasuar me 2017.

Numri i të huajve rezidentë, në vitin 2018, përbëhej nga 9.203 meshkuj, duke shënuar rritje me 9,9 % krahasuar me 2017, 4.959 ishin femra duke shënuar rritje me 9,6 % në vitin 2018.

Të huajt me origjinë nga Europa, gjatë vitit 2018, ishin 8.212 dhe përbënin 58,0 % të të huajve gjithsej kundrejt 59,2 % që përbënin në 2017.

Në vitin 2018, arsyet kryesore të lejeve të qëndrimit ishin arsyet për punësim dhe bashkim familjar, të cilat së bashku zinin 72,4 % të arsyeve të të huajve rezidentë gjithsej.

Janë evidentuar 6.893 të huaj të parregullt, ku pjesën më të madhe të tyre, 44,8 % e zinin të huajt me origjinë nga Siria.

Gjatë 2018, rezultuan 4.386 azilkërkues në Shqipëri, ku pjesën më të madhe të tyre, 49,0 % e zinin të huajt me origjinë nga Siria.

Në 2018, rezultuan 345 persona të cilët kanë fituar shtetësi shqiptare, duke pësuar rritje me 9,2 %, krahasuar me vitin 2017.

Personat të cilët e humbën shtetësinë shqiptare gjatë vitit 2018, qenë 640, duke pësuar rënie me 1,7 %, krahasuar me vitin 2017./atsh

Rritet me 9,7% numri i të huajve që zgjedhin Shqipërinë për të jetuar e punuar Read More »

Ndarja nga jeta e aktorit Shpëtim Zani, Margariti: La pas një portret të pazëvendësueshëm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka shprehur ngushëllimet familjarëve të aktorit Shpëtim Zani, i cili u nda sot nga jeta.

Ministrja thotë se Zanit iu desh vetëm një rol për të hyrë në historinë e kinematografisë shqiptare. “Shpëtim Zanit iu desh vetëm një rol që të hynte në historinë e kinematografisë shqiptare. Ai u nda nga jeta heshtur, por duke lënë pas një portret të pazëvendësueshëm, atë të Colit, në filmin “Debatik”. Lamtumirë djaloshi i përjetshëm!” – thotë Margariti.

Ishte viti i largët 1960 kur regjisori i mirënjohur Hysen Hakani e përzgjodhi atë për rolin kryesor në filmin “Debatik” (1961), një djalë i shkathët, që binte në sy për lojën e bukur, krejt natyrshëm, dhe që fitoi admirimin dhe dashurinë e publikut për vite e vite me radhë.

Shpëtim Zani, i njohur për rolin e Colit në filmin “Debatik”, është ndarë nga jeta ditën e sotme, si pasojë e një ataku kardiak. /atsh

Ndarja nga jeta e aktorit Shpëtim Zani, Margariti: La pas një portret të pazëvendësueshëm Read More »

Pelegrinazh në malin e Tomorit, vizitorë e turistë firmosin peticionin për shpalljen Park Kombëtar

Jo vetëm festë, urime për më shumë shpresë dhe harmoni, por edhe ftesë për çdo vizitorë, turist e pelegrin për të firmosur peticionin kundër shkatërrimit të malit të Tomorit, pro mbrojtjes dhe shpalljes së tij Park Kombëtar ishin pjesë e Pelegrinazhit në malin e shenjtë të Tomorit në Berat.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm presidenti Ilir Meta, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi, besimtarë bektashinj, qytetarë nga Berati dhe qytete të ndryshme të vendit.

“Pasuria e malit të Tomorit i përket të gjithëve dhe duhet mbrojtur pa kushte. Të rinjtë e Smile Albania në Berat vijuan mbledhjen e firmave edhe në ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorit duke dëshmuar ditë pas dite interesin dhe këmbënguljen e banorëve dhe turistëve për të mbështetur mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore”-, theksoi ministri Klosi.

Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, presidenti Ilir Meta, i pranishëm në ceremoninë festive në Tomor gjithashtu firmosi peticionin e drejtuar nga të rinjtë e Smile për shpalljen e malit të Tomorit, Park Kombëtar, duke u renditur kështu publikisht tek zërat kundër shkatërrimit të Tomorit nga bizneset e guroreve, për rrjedhojë edhe kundër vendimit abuziv të gjykatës Administrative të Tiranës.

Mbledhja e firmave do të vijojë edhe në ditët në vijim, në Tomor dhe në atraksione të tjera turistike të Beratit, për t’iu drejtuar më pastaj organeve të drejtësisë, si argument i padiskutueshëm për rrëzimin e vendimit të Administratives.

Tashmë është kthyer në traditë çdo vit që në datat 20 deri në 25 gusht të zhvillohet pelegrinazhi në malin e Tomorit, për kremtimin e festës bektashiane të Abaz Aliut.

Pelegrinë të shumtë nga rrethe te ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova, Maqedonia e vende të tjera vizitojnë malin e Tomorit në festën rituale të përvitshme. Në majën e 2379 metrave të malit të Tomorit, në Berat, gjendet një teqeja e Kulmakut, e rregulluar vitet e fundit ku besimtarët e vizitorët ndezin qirinj e bëjnë ritualet e këtij sekti fetar, për fat e mbarësi./atsh

Pelegrinazh në malin e Tomorit, vizitorë e turistë firmosin peticionin për shpalljen Park Kombëtar Read More »

Tomor, Meta: Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, të bashkuar dhe europiane

“Abaz Aliu të na japë forcë të gjithëve në rrugën tonë për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të bashkuar, për një Shqipëri të vërtetë europiane, deklaroi Presidenti Ilir Meta i cili mori pjesë sot paradite në pelegrinazhin e përvitshëm madhështor në malin e Tomorit, ku përshëndeti Festën e Shenjtë Bektashiane të Abaz Aliut.

Në prani të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe mijëra besimtarëve, Presidenti Meta u shpreh: “Kënaqësi të shoh sot më shumë besimtarë dhe mysafirë të nderuar, të cilët janë bashkuar me ne në këtë Festë të Shenjtë, këtu në malin e Tomorit. Kjo është shenjë e mirë që punët në vitin që vjen do të shkojnë më mirë për vendin tonë dhe në të gjitha hapësirat tona, me ndihmën e Abaz Aliut”.

“Ndaj edhe ne mblidhemi çdo vit këtu në malin e Tomorit për të nderuar jo vetëm këtë figurë të shenjtë, por për të nderuar të gjithë ato legjenda, personalitete dhe baballarë, të cilët përmes bektashizmit bënë dhe bëjnë më të mirën për Shqipërinë dhe për çështjen tonë kombëtare”, shtoi ai. /atsh

Tomor, Meta: Abaz Aliu të na japë forcë për një Shqipëri më të drejtë, të bashkuar dhe europiane Read More »

Mbyllet restoranti në Fier, konstatohet intoksikacion nga uji i pijshëm

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka mbyllur sot një restorant në fshatin Kallm të Fierit pas konstatimit të intoksikacionit me origjinë hidrike.

Gjatë inspektimit në terren, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, dega rajonale Fier, ka bllokuar aktivitetin e subjektit restorant, me person fizik D. V, NIPT: L92728401K në fshatin Kallm, Mbrostar Ura, Fier, si dhe është marrë masë administrative në vlerën 500 000 lekë, ndaj subjektit për ndotje të ujit të pijshëm.

Po ashtu, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor deklaron se do të vazhdojë inspektimet dhe do të penalizoj çdo subjekt që do të cenojë shëndetin e popullatës.

“Trupa inspektuese e ISHSH po kryejnë inspektime të vazhdueshme me qëllim garantimin e një turizmi të sigurt dhe të shëndetshëm”, shprehet ISHSH. /atsh

Mbyllet restoranti në Fier, konstatohet intoksikacion nga uji i pijshëm Read More »

Përgatitje për sezonin e dimrit, pastrohet kanali te “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Vlorë prej kohësh ka nisur përgatitjet për sezonin e dimrit.

Ndërsa janë realizuar dhe po realizohen disa ndërhyrje të rëndësishme në rrjetin e kanalizimeve, gjatë ditës së sotme është duke u kryer një punë voluminoze për pastrimin e kanalit te “Bishti i Kalldrëmit”.

“Ky kanal që vjen nga zona e “Kuzum Babasë” dhe shkarkon te kanali i “Siavit”, cilësohet si ndër të rëndësishmit e grumbullimit të ujërave të bardha apo thënë ndryshe të shiut”, bën të ditur UK, Vlorë.

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, do ta vijojë punën edhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim garantimin e funksionimit normal gjatë sezonit të dimrit, të kanaleve, por edhe të rrjetit të kanalizimeve në tërësi.

Ditët e fundit UK Vlorë po i kushton një vëmendje të veçantë edhe riparimit të avarive në rrjetin e furnizimit me ujë pranë Drejtorisë Rajonale të Punësimit, si dhe në Stacionin e Pompave të Ujit në Llakatund për vendosjen në punë të tij, duke riparuar defektin. /atsh

Përgatitje për sezonin e dimrit, pastrohet kanali te “Bishti i Kalldrëmit” në Vlorë Read More »

Teatri i ri Kombëtar, Rama citon regjisorin Qëndrim Rijani: Është kërkuar 38 vite më parë, sot nuk e kemi ende

Aktori dhe regjisori Qëndrim Rijani, lindur në Maqedoni dhe diplomuar në Tiranë, me produksione të suksesshme në Rusi, Turqi, Bosnjë, Zvicër, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në shumë vende të tjera të botës shprehet se Shqipëria ka nevojë për një Teatër të Ri.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pasditen e së enjtes mesazhin e artistit të njohur Qëndrim Rijani, i cili shprehet se është pro teatrit të ri.

“QËNDRIM RIJANI: Një Teatër i Ri është kërkuar 38 vite me parë, të cilin ende sot nuk e kemi. Besoj shumë që Shqipëria dhe të gjithë ne shqiptarët, që vazhdimisht sytë i kemi tek ai Teatër Kombëtar dhe vazhdojmë ta konsiderojmë një projekt në Teatrin Kombëtar si arritjen më të madhe tonën ndër Shqiptari, ka dhe kemi nevojë për një Teatër të Ri. Teatri Kombëtar ka nevojë që të vazhdojë të ketë në pronësi çdo pëllëmbë të tokës të cilën posedon sot. Dhe Teatri i Ri Kombëtar do të ketë nevojë për aktorë, regjisorë, skenografë, kostumografë, kompozitorë, etj… të cilët do të arrijnë të shfrytëzojnë dhe menaxhojnë të gjitha mundësitë, që do ofrojë një teatër dinjitoz dhe vazhdimisht do të ofrojnë produkte artistike dinjitoze, pa u fshehur pas formulës së famshme: “Mungesa e kushteve bëri që mos arrijmë të gjitha qëllimet””, – citon Kryeministri i vendit, Qëndrim Rijanin.

Regjisori Qëndrim Rijani është aktualisht pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë ku ligjëron lëndën e Mjeshtrisë së Aktorit dhe në Universitetin e Tetovës ku ligjëron lëndën e Regjisë së Teatrit. /atsh

Teatri i ri Kombëtar, Rama citon regjisorin Qëndrim Rijani: Është kërkuar 38 vite më parë, sot nuk e kemi ende Read More »

Si aplikohet me tokën shtet të marrë me qira

Një nga kriteret kryesore që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga fondet e programit IPARD II, është se aplikanti duhet të provojë pronësinë mbi tokën/ndërtesën ose ndërtesat e lidhura me investimin ose të drejtën e përdorimit me afat të paktën 10 vjet që nga data e dorëzimit të aplikimit.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se, dokumentacioni që e përmbush këtë kriter është:

Fotokopje e certificatës së pronësisë, e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme mbi tokën dhe ndërtesën, ku do të kryhet investimi, shoqëruar nga harta treguese, kartela e pasurisë dhe planimetria.

Sipas AZHBR-së, kërkohet: Fotokopje e vërtetimit të pronësisë lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme mbi token dhe ndërtesën, ku do të kryehet investimi shoqëruar me hartën treguese, kartela e pasurisë dhe planimetria.

Fotokopje e kontratës së qirasë me një afat të paktën 10-vjeçar pas datës së aplikimit e noterizuar.

Fotokopje e Certifikatës së Pronësisë e lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme mbi tokës dhe ndërtesën të personave të cilët kanë lëshuar me qira tokën dhe ndërtesën e shoqëruar nga harta tregtare ku të paraqitet regjistrimi i kontratës së qirasë kartela e pasurisë dhe planimetria.

Vitet e fundit, për herë të parë Shqipëria ka arritur të jetë pjesë e një programi më të hapur europian për mbështetjen e bujqësisë. Programi IPARD II, në total me një fond prej 94 milionë euro, adreson mbështetje të drejtpërdrejtë për investime në bujqësi dhe agroturizëm. /atsh

Si aplikohet me tokën shtet të marrë me qira Read More »