Irina

Soreca: Zgjedhjet e 30 qershorit të qeta e të rregullta, palët të ulen në dialog

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, ambasadori Lugi Soreca vlerëson se zgjedhjet lokale të 30 qershorit u zhvilluan në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt.

Ai shprehet se qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog

“Zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt. Tani, qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog”, thekson ambasadori Soreca./atsh

Soreca: Zgjedhjet e 30 qershorit të qeta e të rregullta, palët të ulen në dialog Read More »

Matura 2019, dalin rezultatet e provimit me zgjedhje

Qendra e Shërbimeve Arsimore ka publikuar rezultatet e fundit të “Maturës Shtetërore 2019”, ato të provimit me zgjedhje.

Në provimin e zhvilluar më datë 24 Qershor kanë marrë pjesë në total 35,466 nxënës.

Nga rezultatet e publikuara rezulton se kalueshmëria është 95.94%, ndërsa përqindja e nxënësve që kanë marrë notën 10 është 11.56 %.
Maturantët e interesuar mund të klikojnë në linkun e mëposhtëm për të parë rezultatet e provimit:
http://www.qsha.gov.al/infos/matura_2019/rezultate/rezultate_z_msh2019.pdf
/atsh

Matura 2019, dalin rezultatet e provimit me zgjedhje Read More »

Votimet e qeta, pas bojkotit të opozitës tërheqin vëmendjen e medias ndërkombëtare

Zgjedhjet e kundërshtuara lokale në Shqipëri u zhvilluan në qetësi të plotë, pavarësisht thirrjes për bojkot nga ana e opozitës së qendrës së djathtë të drejtuar nga Lulzim Basha, i cili nuk merr pjesë pasi ka akuzuar mazhorancën socialiste për parregullsi të rënda gjatë zgjedhjeve të kaluara, shkruante dje agjencia italiane e lajmeve, ANSA.

“Ajo që është më e rëndësishme sot është mësimi historik që kjo ditë do t’i japë të gjithëve, sepse, një herë e mirë do të konfirmohet se me popullin nuk luhet, se sovraniteti i popullit nuk është një fjalë boshe. Dhe kush tenton t’ia marrë popullit sovranitetin nuk ka asnjë fund tjetër përveç se fundit me dështim dhe me turp”, tha Rama duke dalë nga qendra e votimit.

”Selitë më të rëndësishme europiane dhe ambasada amerikane kanë dërguar në terren një numër vëzhguesish për të ndjekur procesin e votimit”, shton ANSA.

‘’Shqiptarët kanë votuar në zgjedhje si asnjë herë tjetër, pasi opozita i bojkotoi ato, ndërkohë që incidente të vogla ndodhën në disa qendra votimi’’, shkruan rrjeti informative britanik, BBC.

”Për muaj të tërë opozita ka zhvilluar protesta duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit si edhe zgjedhje të reja të përgjithshme”, shton ai.

”Zgjedhjet u bënë edhe pse kritikët i konsideruan ato si zgjedhje jo të duhura, duke marrë parasysh mungesën e konkurrencës”, thekson BBC.

”Zgjedhjet lokale në Shqipëri… u zhvilluan në qetësi të plotë dhe pa incidente serioze”, shkruan agjencia e njohur italiane e lajmeve, agenzinova.it.

”Shqipëria mënjanoi një konflikt të mundshëm të brendshëm që nga momenti kur lideri i opozitës së djathtë, Lulzim Basha, kërcënoi për bojkotimin e procesit zgjedhor dhe për moszhvillimin e tyre, por që përfundoi duke u kërkuar qytetarëve që të mos merrnin pjesë në zgjedhje”, thekson kjo agjenci.

”Zgjedhjet për kryetarët e bashkive shqiptare, të bojkotuara nga partitë e opozitës u zhvilluan paqësisht… Përfaqësitë europiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje partive shqiptare, që të shmangin dhunën gjatë zgjedhjeve”, shkruan gazeta britanike ”Daily Mail”.

”Bashkimi Europian, që do të vendosë në vjeshtë nëse do të fillojë bisedimet e pranimit me Tiranën, ka paralajmëruar politikanët e vendit se dhuna dhe grindjet mes dy palëve do të jetë në vëmendjen e tyre dhe se ato do të ndikojnë në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, shton ”Daily Mail”./atsh

Votimet e qeta, pas bojkotit të opozitës tërheqin vëmendjen e medias ndërkombëtare Read More »

Goro: Sot fitoi Himara e bashkuar e së ardhmes

Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, kandidat i Partisë Socialiste fitues për një mandat të dytë pas përfundimit të numërimit të votave nga KQZ, theksoi të hënën se “sot fitoi Himara jonë, kudo në Lumin e Vlorës dhe në Lukovë, Himara e bashkuar e së ardhmes”.

Duke falënderuar çdo banor të Himarës , Goro shprehet se “falënderoj çdo votues që ditën e djeshme duke mos marrë parasysh temperaturat e larta, largësinë nga qendrat e votimit, për vetë pozitën e vështirë gjeografike të fshatrave në bashkinë tonë, përveç ndonjë “pengese artificiale” që ka të bëjë me prezencën e kundërshtarëve tanë politikë pranë qendrave të votimit (e paligjshme). Ata kundërshtarë, të cilët gjej rastin t’i ftoj publikisht të kontribuojnë, duke hedhur kështu matanë skepticizmin dhe kundërshtinë e tyre, kjo si një sfidë e re për ta bërë së bashku Himarën. Himarën që me rrugën e Lumit të Vlorës në zgjedhjet e ardhshme do të jetë një e bashkuar”.

“Himara që punon e gjitha për zhvillimin ekonomik të banorëve të saj, të çdo bindje apo përkatësie partiake, duke parë vetëm potencialet e saj të pakrahasueshme që i ka falur Zoti, të rralla dhe të veçanta, më e bukur sa më s’ka”, shprehet Goro.

Kreu i bashkisë së Himarës falënderoi gjithashtu çdo banor të bashkisë Himarë që nuk ndodhet në Shqipëri dhe që nuk mundi dot të ishte prezent për të votuar, por që ndjek me shqetësim dhe interes atë që ndodh në vendin tonë.

Po ashtu Goro uroi këshilltarët e rinj bashkiakë të çdo spektri që rezultoi fitues në këtë garë elektorale.

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të 38 kutive kandidati i Partisë Socialiste, për këtë bashki, Jorgo Goro ka fituar duke marrë gjithsej 4209 vota. /atsh

Goro: Sot fitoi Himara e bashkuar e së ardhmes Read More »

Në 24 bashki fitojnë kandidatët e PS, vijon numërimi në 37 të tjera

Në 24 bashki, ka përfunduar numërimi i votave për kandidatët për kryetarë bashkiak dhe janë shpallur fituesit.

Kështu në Divjakë, Pustec, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Konispol, Libohovë Kolonjë, Belsh, Himarë, Roskovec, Poliçan, Vorë, Lushnje, Skrapar, Prrenjas, Mallakastër, Malësi e Madhe, Pukë, Ura Vajgurora, Librazhdi, Gramshi dhe Tropoja, Selenicë, Has ka përfunduar procesi i numërimit të votave dhe është shpallur fituesi i votimeve lokale, ndërkohë që në 37 bashki vijon ende numërimi.

Nga të dhënat zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në të gjithë territorin e Shqipërisë më 30 qershor votuan 771 863 qytetarë apo e përkthyer në përqindje në 21.6%.

Has
Fiton Liman Morina PS (4276 vota)

Divjakë

Fiton Fredi Kokoneshi PS (13513 vota)

Selenicë

Fiton Pëllumb Binaj PS (5819 vota)

Prrenjas

Fiton Nuri Belba PS (7054 vota)

Roskovec

Fiton Majlinda Bufi PS (7740 vota)

Vorë

Fiton Agim Kajmaku PS (6208 vota)

Fushë-Arrëz

Fiton Fran Tuci PS (2462 vota)

Kolonjë

Fiton Erion Isai PS (4279 vota)

Libohovë

Fiton Luiza Mandi PS (1275 vota)

Konispol

Fiton Shuaip Beqiri PS (3328 vota)

Belsh

Fiton Arif Tafani PS (6377 vota)

Poliçan

Fiton Adriatik Zotkaj PS (4681 vota)

Himarë

Fiton Jorgo Goro PS (4209 vota)

Malësi e Madhe

Fiton Tonin Marinaj PS (7,772 vota)

Gramsh

Fiton Klodian Taçe PS (8471)

Pukë

Fiton Gjon Gjonaj PS (3730 vota)

Ura Vajgurore

Fiton Juliana Mema PS (7,666 vota)

Tropojë

Fiton Rexhë Byberi PS (3538 vota)

Mallakastër

Fiton Qerim Ismailaj PS (5692 vota)

Librazhd

Fiton Kastriot Gurra PS (11383 vota)

Skrapar

Fiton Adriatik Mema PS (4505 vota)

Lushnje

Fiton Fatos Tushe PS (28086 vota)

Memaliaj

Fiton Gjolek Guci PS (4,206 vota)

Pustec

Fiton Pali Kolefski PS (1505 vota)/atsh

Në 24 bashki fitojnë kandidatët e PS, vijon numërimi në 37 të tjera Read More »

Gjonaj: Proces model, asnjë incident

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar sot se zgjedhjet kanë qenë model dhe pa asnjë incident.

E ftuar në studion e News 24, Gjonaj ka theksuar se pjesëmarrja ka qenë tepër e kënaqshme. “Mund të themi se deri më tani pjesëmarrja ka qenë tepër e kënaqshme. Gjithçka ka qenë e qetë, transparente dhe larg incidenteve. Në asnjë mënyrë nuk janë kërcënuar qytetarët dhe e mohoj kategorikisht këtë gjë. Çdo qytetar e ka kuptuar që vota sot është shumë e rëndësishme, pasi ka të bëjë me ndryshimin që duhet të vijë në Shqipëri”, u shpreh Gjonaj.

Ajo tha se Partia Socialiste dhe Kryeministri Edi Rama është i hapur për dialog. “Kryeministri Edi Rama e ka ftuar vazhdimisht Lulzim Bashën për të folur, këtu ju rikujtoj edhe dërgimin e një sërë letrash të hapura. Ju siguroj se Partia Socialiste ka qenë gjithmonë e hapur për dialog konstruktiv dhe pa kushte me opozitën”, saktësoi ministrja e Drejtësisë.

Duke folur për qendrimet e Presidentit Meta, Ministrja Gjonaj u shpreh se, “mund të flas për pozicionin tim. Unë e shoh si një ditë të veçantë që më jepet vetëm një herë në dy vjet për ta pasur, ku duhet të ushtrojë detyrat e mia si qytetare e këtij vendi. Jemi futur në garë si subjekt zgjedhor, pasi Meta dekretoi datën e zgjedhjeve 30 qershorin. Nuk e zgjodhëm ne që të ishim pa kundërshtarë, kushtet i vendosi opozita. Për sa kohë nuk duan të garojnë, kjo është e lirë, e duam apo jo këtë proces. Ne donim të kishim një kundërshtar të fortë, por siç e dini nuk e vendosëm ne këtë gjë”, tha Gjonaj.

Ne po respektojmë të gjitha rregullat e procesit dhe rezultatet në terren po e dëshmojnë këtë gjë. Ndërkohë, edhe ndërkombëtarët e kanë monitoruar nga afër procesin ashtu siç janë shprehur qartazi kundër dhunës”, nënvizoi Gjonaj. /atsh

Gjonaj: Proces model, asnjë incident Read More »

Zgjedhjet lokale, Braçe: Superkonfirmim

Zv/kryeministri Erion Braçe i cilësoi sot një superkonfirmim për Partinë Socialiste, pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

“Referendum! Super, super, super, super konfirmim! Faleminderit Divjakë, faleminderit Shqipëri”, shkruan Braçe në rrjetet sociale.

Qytetarët në mbarë vendin votuan sot për zgjedhjen e 61 kryebashkiakëve të rinj si dhe për anëtarët e rinj në këshillat bashkiakë.

Me mbylljen e procesit të votimit në orën 19:00, pritet të nisë numërimi në të gjithë vendin për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve lokale./atsh

Zgjedhjet lokale, Braçe: Superkonfirmim Read More »

Sot fitoi Shqipëria europiane, humbi me turp Shqipëria e djeshme e politikës pa din e iman

Sot fitoi e ardhmja, shteti, forca e politikës, qytetaria, shpresa; fitoi me të drejtë dhe dinjitet Shqipëria e nesërme europiane e fëmijëve tanë dhe humbi me të drejtë dhe turp Shqipëria e djeshme e politikës pa din e iman”, deklaroi sot në mbrëmje kryeministri Edi Rama.

Në daljen e parë publike pas përfundimit të procesit së votimit, Rama falënderoi të gjithë qytetarët shqiptarë.

“Të nderuar bashkëqytetarë me ose pa përkatësi e bindje politike, brenda ose jashtë atdheut, kudo ku ndodheni në këtë moment historik. Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike të frymëzuar, nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përparanë rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popujve të Europës”, tha Rama.

Sot, vijoi ai, “ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës e cila u kthye muaj pas muaji në ditën kulmore të një përplasjeje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes, harbutërisë dhe qytetarisë, antishtetit dhe shtetit, pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, politikës së forcës dhe forcës së politikës, dhunës kërcënuese të së djeshmes dhe shpresës për të nesërmen, mes Shqipërisë së vjetër të padrejtësisë, fantazmës dhe foslileve të historisë dhe Shqipërisë së drejtë që duan të gjithë fëmijët e kësaj bote që fjalën e parë kanë thënë ‘nënë’”./atsh

(vijon)

Sot fitoi Shqipëria europiane, humbi me turp Shqipëria e djeshme e politikës pa din e iman Read More »