Irina

Meta: Më 13 tetor zgjedhje të përgjithshme dhe për presidentin

Presidenti i Republikës, Ilir Meta propozoi sot për zgjidhjen e krizës që më datë 13 tetor të mbahen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe për presidentin.

Në një konferencë për shtyp, Meta tha se ky është propozimi i tij për zgjidhjen e krizës politike që vijon edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 30 qershor.

Ai tha se do të kandidojë sërish për postin e presidentit në këto zgjedhje të 13 tetorit që ai propozon, dhe thotë se kryeministri Edi Rama mund të vërë cilin kandidat të dëshirojë.

“Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë”, tha Meta në konferencë duke shtuar se “unë do të garoj për president me këto kompetenca që kam. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë. Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama ta bëjë. Të mos tallet askush me Kushtetutën tonë. U tallën njëherë në 2008”.

“Nuk më intereson se kush fiton, Basha apo Rama, por nuk dua që të humbasë më Shqipëria për lojëra politikanësh dhe ambasadash”, tha Meta.

Presidenti thekson se gjithashtu zgjedhjet lokale do të mbahen më 13 tetor, duke shtuar se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese.

Ai tha se nuk është krizë politikë, por krizë e shtetit. “Kjo është një krizë e shtetit të së drejtës, dhe kryetar i shtetit është presidenti”, tha Meta.

Presidenti tha se alternativa e tij për zgjidhjen e krizës ishte një axhendë ndryshe nga ajo e opozitë jo parlamentare, që është Rama ik. “Ajo ishte Rama reflekto, që pas zgjedhjeve të 30 qershorit, sipas Metës është kthyer në Rama kthjellohu.

“Nëse nuk je i pavarur të marrësh vendimet e duhura, unë dhe gjithë shqiptarët e ndershëm që kanë ende gjak shqiptari do ta mbrojnë Shqipërinë nga gjithë ata miliarderë që i duket Shqipëria mizë lisi e mund të tallen”, tha Meta.

Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, kreu i shtetit tha se dekretin e tij i fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet lokal, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.

“E ftoj z. Rama të tregohet i përgjegjshëm. I ftoj përfaqësuesit e huaj të mos bëhen qesharak. Të mos tallen me Kushtetutën tonë. Sepse u tallën njëherë në 2008-ën. Duhet t’i zgjidhim çështjet vetë këtu si burra shteti”, tha ai.

Ndërsa për reformën në drejtësi, Meta tha se, u shndërrua në “Ramaformë”.

I pyetur nëse po flet si kryetar i opozitës, Meta tha se, “kjo është një krizë e shtetit të së drejtës dhe kreu i shtetit është Presidenti dhe jo kryetari i qeverisë që ka përgjegjësi për unitetin e popullit, për pluralizmin politik dhe sidomos në momente krize të bëjë më të mirën që shqiptarët të mos përplasen e vriten për politikë”.

“Opozita ka axhendë Rama ik, unë Rama reflekto. Si kam kërkuar t’i lerë karrigen Lulit. Edhe Bashës i kam thënë mos iu shmangni institucioneve. Po t’i kishin dëgjuar më parë këshillat e mia, shumë më mirë do kishin dale dhe as 5 % e shqiptarëve s’do kishin dalë. Socialistët janë njerëzit që kanë dhënë më shumë për demokracinë. Nuk po i kërkoj Edit karrigen e tij. Të votohemi nga populli, nuk do asgjësojmë demokracinë se kemi frikë nga populli. Mos harroni, në këtë godinë, pyesni prof. Meidanin, kam ikur nga këtu vetëm për një arsye për të mos cënuar integrimin europian”, tha Meta.

Gjatë konferencës, Meta foli edhe për një grup të strukturuar që punon kundër interesave të Shqipërisë që e quajti PPPd.”P e madhe janë politikanët, P – Propaganda (mediet), P – policia jo si Polici e Shtetit, por rrugët policeske që ndiqen për të shantazhuar njerëzit si dhe d – diplomatët e huaj që kanë braktisur parimet perëndimore dhe raportojnë sipas qejfit të Ramës”./atsh

vijon….

Meta: Më 13 tetor zgjedhje të përgjithshme dhe për presidentin Read More »

Djathi, ilaç i disa sëmundjeve

Djathi është një ndër ushqimet të cilin sipas ekspertëve të shëndetësisë nuk duhet ta ndajmë nga vaktet tona ushqimore. Ky ushqim është i pasur me proteina, yndyrë, kalcium, vitamina dhe minerale të cilat i bëjnë kockat dhe muskujt më të fortë.

Te djathi janë të përqendruar përbërësit më të mëdhenj të qumështit: vitaminat A, D, E dhe vitaminat e grupit B. Vitamina C nuk ka në djathë, sepse kjo vitaminë është e tretshme në ujë dhe mbetet në hirrë. Djathi përmban edhe proteina të çmuara, të cilat organizmi i njeriut nuk i prodhon vetë dhe të cilat janë të domosdoshme në jetën e përditshme.

Minerale të tilla si kalciumi dhe fosfori gjenden dhjetë herë më shumë te djathi, sesa te qumështi (më së shumti ka në djathërat e forta), ndërsa te djathërat e tjerë kjo sasi ndryshon deri në katër a pesë herë. Përbërja e kaliumit është pothuajse e njëjtë si te djathi, ashtu edhe te qumështi, ndërsa përqindja e natriumit varet nga kripa e shtuar.

Parandalon kancerin – Vitamina B që ndodhet në përbërjen e djathit forcon imunitetin e organizmit dhe ju mbron kundër sëmundjeve të ndryshme, përfshirë edhe kancerin.

Djathi ju ndihmon të humbisni, por edhe të fitoni masë muskulore. Nëse dëshironi të humbni peshë është e rëndësishme të zgjidhni djathë me yndyrë të ulët. Gjithashtu djathi mbron dhëmbët nga dëmtimi. Shkencëtarët besojnë se djathi përmban acide yndyrore të ngopura të cilat parandalojnë bllokimin e arterieve. /atsh

Djathi, ilaç i disa sëmundjeve Read More »

Shalqiri, fruti simbol i verës me vlera hidratuese dhe antioksidante

Shalqiri është fruti hidratues më i dashur në stinën e verës, i pasur me vitamina dhe minerale, është ideal për të rimarrë substancat e humbura me djersitjen.

Shalqiri ka efektin të na bëjë të ndihemi të ngopur ndërkohë që kemi marrë minimumin e kalorive. Është fantastik për dietë.

Shalqiri është i shijshëm, i freskët, ka cilësi pa fund, por në fakt, është edhe më i çmuar se ç’mendojmë.

Burim i kripërave minerale të rëndësishme si potasiumi, fosfori dhe magneziumi, përveç vitaminave, sidomos vitaminës C, shalqiri është i pasur me antioksidantë si beta karoteni dhe likopeni.

Le të zbulojmë më shumë:

Lamtumirë lodhje: Shalqiri përfshin sasi të mëdha mineralesh e vitaminash, të cilat nevojiten sidomos në verë kur, për shkak të nxehtësisë, djersitja shtohet. Një fetë shalqi, përveç se na freskon, është edhe ilaç kundër lodhjes.

Jo më hipertension: Shalqiri është një aleat i shkëlqyer për aparatin kardiovaksular, pasi ndihmon në uljen e presionit të gjakut. I varfër në sodium, falë pranisë së potasiumit dhe citrulinës, një aminoacid që ndihmon zgjerimin e venave të gjakut, ky frut është i shkëlqyer në balancimin e presionit.

Lamtumirë celulit: Shumë i pasur me ujë dhe tej mase diuretic, shalqiri është aleati ynë numër një në luftën kundër celulitit. Frut i shkëlqyer në shkarkimin e ujërave të tepërta.

Antioksidat natyral: Shalqiri është një antioksidant shumë i fuqishëm, falë vitaminës C, që lufton veprimin e radikaleve të lira, duke parandaluar plakjen dhe formimin e qelizave kancerogjene. Ndërkohë, stimulon sistemin imunitar, duke parandaluar edhe ftohjet gjatë verës.

Aleat i bukurisë: Ky frut na garanton mirëqenie të lëkurës sonë, falë përmbajtjes së beta karotenit, një pigment me veprim antioksidant, i cili u jep fruta perimeve, ngjyrën e verdhë në portokalli.

Kryen një sërë funksionesh në organizmin tonë, siç është rritja e qelizave, mbron sytë dhe është shumë i dobishëm për rritjen e kockave. Konsumimi i shalqirit vonon plakjen e lëkurës dhe e mban elastike: një eliksir i vërtetë bukurie.

Lufton inflamacionet: Shalqiri është antiinflamatori perfekt, falë likopenës, një antioksidant që ndihmon në parandalimin e patologjive, madje edhe atyre të rënda. Likopeni, bashkë me betakarotenin, stimulon në mënyrë të natyrshme prodhimin e melaninës. Kujtojmë se frutat dhe perimet me lëkurë dhe tul ngjyrë të kuqe, të verdhë dhe portokalli, duke nisur nga karotat, specat dhe domatet, janë aleatët më të mirë për ngjyrën e bukur të trupit. /atsh

Shalqiri, fruti simbol i verës me vlera hidratuese dhe antioksidante Read More »

Kujdesi për fëmijët gjatë stinës së nxehtë të verës

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndarë këshilla për kujdesin që duhet treguar ndaj fëmijëve gjatë temperaturave të larta të verës.

Ekspertët rekomandojnë që të mos ekspozoni fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muajsh ndërsa për fëmijët e të gjitha moshave duhet përdorur gjithmonë kapele me strehë të gjerë.

“Kujdes!Mos ekspozoni fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj. Përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat. U lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE.

Përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20 dhe në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50.

U vishni rroba të gjera prej pambuku ose liri”, -rekomandojnë ekspertët. /atsh

Kujdesi për fëmijët gjatë stinës së nxehtë të verës Read More »

Durrë, 87 jahte dhe 3 kroçera me 938 turistë vetëm në qershor

87 jahte turistike të madhësive të ndryshme dhe 3 kroçera me turistë të huaj e kanë vizituar portin e Durrësit gjatë muajit qershor.

Numri i tyre pritet të rritet gjatë dy muajve të ardhshëm edhe për shkak të
vënies së kalatës 4 të portit në dispozicion të mjeteve turistike. Vetëm sot
paradite në kalatën qëndrore të portit janë ankoruar shtatë jahte turistikë,
personeli i të cilave përveç shërbimeve portuale viziton edhe qendrat muzeale
e historike të qytetit.

Nga të dhënat statistikore të Autoritetit Portual Durrës mësohet se gjatë muajit që lamë pas vetëm kroçerat kanë sjellë në Durrës 938 turistë, kryesisht nga SHBA, Franca dhe Britania e Madhe.

Që nga fillimi i vitit 2019 numri i jahteve dhe kroçerave ka arritur përkatësisht
në 141 dhe 11, me një numër të përgjithshëm turistësh prej 2.194 shtetasish të huaj.

Megjithëse është një port shërbimesh me destinacion kryesor përpunimin e
anijeve, Autoriteti Portual Durrës ka krijuar kushte për qëndrimin disaditor të
mjeteve lundruese turistike në qytetin antik./atsh

Durrë, 87 jahte dhe 3 kroçera me 938 turistë vetëm në qershor Read More »

Klosi: Çdo ditë kontrolle për monitorimin e zonave bregdetare

Task Forca e ngritur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për inspektimin e zbatimit të kushteve dhe kritereve për stacionet e plazhit, ka vijuar kontrollin dhe monitorimin në zonat bregdetare të vendit.

Ministri Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi sot se konkretisht inspektimet janë kryer në plazhet e Durrësit, Gjirin e Lalzit, Hamallaj, Currila, Kallm dhe përgjatë Shëngjinit.

“Trupat inspektuese, çdo ditë në terren për të garantuar zbatimin e ligjit për pajisje me kulla vrojtimi, ruajtës të certifikuar të shpëtimit të jetës, sinjalistika tokësore dhe ujore të sigurisë, kriteret e pastërtisë dhe higjienës, respektimin e ndarjes 80% plazh privat – 20% publik”, tha Klosi.

Më herët, ministri Klosi ka deklaruar se “Task forca e drejtuar nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit së bashku me Institutin e Higjienës, Agjencinë e Zonave të Mbrojtura dhe inspektoratin e Turizmit do të kontrollojnë çdo pëllëmbë të plazhit”./atsh

Klosi: Çdo ditë kontrolle për monitorimin e zonave bregdetare Read More »

Moti,ja si parashikohen të jenë temperaturat

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në vend do të ndikojnë masat ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta.

Moti parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në verilindje të cilat do të shoqërohen me reshje shiu të izoluara dhe lokale.

Era do të fryjë me drejtim Verilindje-Veriperëndim deri 10m/sek ne bregdet. Valëzimi në dete i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 25/37 diell
Kukës 20/36 diell pika shiu
Lezhë 26/36 diell
Dibër 18/33 Diell pika shiu
Durrës 23/35 diell
Tiranë 25/37 diell
Elbasan 24/38 diell
Berat 19/37 diell
Vlorë 12/34 diell
Korcë 18/33 diell
Gjirokastër 18/37 diell
Sarandë 23/33 diell/atsh

Moti,ja si parashikohen të jenë temperaturat Read More »

Dritan Leli konfirmohet për një tjetër mandat në krye të bashkisë së Vlorës

Dritan Leli u rikonfirmua sot për një tjetër mandat në krye të bashkisë së Vlorës.

Sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, në përfundim të numërimit të votave në 220 kuti votimi, Dritan Leli rezulton fitues me 29,733 vota ose 94.21% të tyre.

Ndërsa kandidatja tjetër Valbona Mezini rezulton se ka marrë 1,827 vota/atsh

Dritan Leli konfirmohet për një tjetër mandat në krye të bashkisë së Vlorës Read More »