Irina

Akreditohet spitali rajonal i Vlorës, procesi vijon për të gjithë spitalet

Spitali Rajonal i Vlorës ka marrë akreditimin si institucion shëndetësor. Spitali dhe Poliklinika e Vlorës i kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Qendra e Akreditimit QKCSAISH për cilësinë dhe standardin e ofruar në shërbim.

Pas një vlerësimi që ka filluar rreth 1 vit më parë nga QKCSAISH, Spitali Rajonal Vlorë rezulton të ketë përmbushur kushtet për shërbim shëndetësor sipas kritereve të kërkuara për infrastrukturën, pajisjet teknologjike spitalore, kushtet higjienike, kualifikimin e burimeve njerëzore, ofrimin e shërbimit shëndetësor për pacientët.

Pas spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, spitali i Vlorës ka përfunduar procesin e akredimit, ndërsa po përmbyllet ky proces për disa spitale rajonale. Alreditimi po vijon për institucionet e kujdesit shëndetësor publike dhe private në vend.

Institucionet shëndetësore, bazuar në ligjin e ri të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë do të kenë kusht për licencimin dhe rilicensimin, përmbushjen e standardeve bazë të akreditimit. /atsh

Akreditohet spitali rajonal i Vlorës, procesi vijon për të gjithë spitalet Read More »

Moti – Vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të nxehta

Vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të nxehta.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak moti sot parashikohet i kthjellët dhe me zhvillim të vranësirave në mesditë.

Reshje shiu të karakterit lokal priten në zonat malore në Veri-Verilindje dhe Juglindje në orët e mesditës deri në pasdite.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim deri në 7 m/sek dhe në bregdet deri në 10 m/sek.

Valëzimi në dete parashikohet i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/35 diell re
Kukës 21/29 diell shi
Lezhë 21/33 diell re
Dibër 18/28 Diell shi
Durrës 22/33 diell re
Tiranë 22/34 diell re
Elbasan 22/35 diell re
Berat 19/34 diell re
Vlorë 21/32 diell re
Korçë 17/28 diell shi
Gjirokastër 17/35 diell re
Sarandë 22/32 diell re/atsh

Moti – Vendi do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të nxehta Read More »

Meta: Nuk kam frikë nga reforma në drejtësi dhe SPAK, sapo kalova Spaçin

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “nuk kam frikë nga reforma në drejtësi, por prej tre vitesh nuk kemi asnjë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese”.

“E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga SPAK. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë”, thekson Meta.

Duke folur për reformën në drejtësi, Presidenti Meta shpreh shqetësimin se pse nuk kemi asnjë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

“Duke udhëtuar drejt Tropojës, sapo përfundova leximin e shtypit për sot. Ndaj ju ftoj edhe ju që të lexoni me vëmendje një shkrim i cili ndihmon për të kuptuar si funksionon shndërrimi i Reformës Historike të Drejtësisë të 21-22 korrikut në Ramaformë. Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës” shprehet ai.

Më tej, Presidenti shton se Reforma e bërë me 140 deputet u transformua në Ramareformë.

“Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi. Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për më se një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania”, shprehet Meta. /atsh

Meta: Nuk kam frikë nga reforma në drejtësi dhe SPAK, sapo kalova Spaçin Read More »

Basha: Asnjë hap pas për të mbrojtur lirinë dhe pluralizmin

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se “nuk do të bëjmë asnjë hap pas për të mbrojtur lirinë dhe pluralizmin”.

Sipas Bashës, me 30 qershor, shqiptarët refuzuan dhunimin e Kushtetutës, refuzuan votimin farsë”.

“Me 30 qershor 85% e shqiptarëve refuzuan dhunimin e Kushtetutës. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e votimeve moniste, 85% e shqiptarëve refuzuan politikën e bërë njësh me krimin.

85% e shqiptarëve refuzuan politikat e varfërisë dhe mjerimit. 85% e shqiptarëve refuzuan vjedhjen me ligj, me PPP, me koncesione dhe oligarkë. 85% e shqiptarëve refuzuan Edi Ramën”, shprehet Basha, duke shtuar se “të hënën 8 korrik në ora 20:00 bashkohemi të gjithë në Tiranë në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj, për Shqipëria si Europa!Asnjë hap pas”. /atsh

Basha: Asnjë hap pas për të mbrojtur lirinë dhe pluralizmin Read More »

Ndotja akustike, Policia e Shtetit task forcë për kontrollet në bregdet

Policia e Shtetit në bashkëpunim me institucione të tjera të ngarkuara me përgjegjësi në kuadër të task – forcës “Për sezonin turistik veror 2019” ka marrë të gjitha masat për garantimin e pushimeve të qeta dhe të sigurta për të gjithë pushuesit në zonat turistike dhe plazhe, ku një ndër më kryesoret është menaxhimi i nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe ato bregdetare.

Lajmi u bë me dije nga, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Gjovalin Loka, gjatë një deklarate për mediat të premten. Sipas tij, “nisur nga disa ankesa të ardhura në adresë të Policisë së Shtetit gjatë muajt Qershor 2019, për prishje të qetësisë së pushueseve si pasojë e muzikës së lartë që gjenerojnë lokale të ndryshme, jo vetëm në zonën bregdetare, por edhe në zona të tjera urbane, si dhe në zbatim të porosive të lëna në takimin e fundit nga Kryeministri i vendit dhe Ministri i Brendshëm, me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për reagim të menjëhershëm të Policisë së Shtetit lidhur me këtë, Policia e Shtetit ju bën thirrje të gjitha subjekteve që ushtrojë biznes disko, lokale nate, apo me muzikë “LIVE”, që të respektojnë në mënyrë rigoroze kufizimet e orareve dhe të ndotjes akustike në mjedis sipas përcaktimeve të bëra në aktet ligjorë që janë ora 23:00 në ditët e javës dhe ora 24:00 në fundjavë”.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave, urdhrat dhe udhëzimet e dala në bazë dhe për zbatim të tij, udhëzimi i fundit i Ministrit të Brendshëm për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të qetë, detyron një sërë institucionesh të përfshira në Task – Forcën “Për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2019”, për bashkërendim të masave për garantimin e rendit, rritjen e parametrave të sigurisë publike dhe menaxhimin e nivelit të zhurmave në qendrat urbane, zonat turistike dhe bregdetare”, tha Loka.

“Me qëllim plotësimin e standardeve për pushime të sigurta dhe të qeta në zonat turistike dhe qendrat e banuara, Policia e Shtetit ka hartuar dhe po zbaton një plan masash të detajuar me detyra sipas strukturave përkatëse, në zbatim të detyrimeve institucionale të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në lidhje me sezonin turistik veror 2019”, shtoi ai.

“Policia e Shtetit do të ushtrojë kontroll të pandërprerë dhe do të marrë masa të menjëhershme në funksion të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe pushuesit në zonat bregdetare e ato urbane, duke ndëshkuar sipas akteve ligjore në fuqi, çdo subjekt që gjeneron zhurmë tej normave të lejuara”, nënvizon Loka.

“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjitha institucionet që kanë detyrime në kuadrin e Task – Forcës, që të ushtrojnë kompetencat e tyre ligjore dhe të marrin masa të menjëhershme për disiplinimin e nivelit të zhurmave, duke iu përgjigjur në kohë shqetësimit të qytetarëve, në të kundërt do të merren masa jo vetëm ndaj subjekteve që krijojnë ndotje akustike, por dhe ndaj përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse, që nuk përmbushin detyrimet”, thekson Drejtori i Departamentit për Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Gjovalin Loka. /atsh

Ndotja akustike, Policia e Shtetit task forcë për kontrollet në bregdet Read More »

Investimi në sera/ Qeveria financoi 244 fermerë me rreth 232 milionë lekë në vitin 2018

Qeveria mbështet zhvillimin e prodhimit bujqësor në sera, si sektorin kryesor që po jep impakt në rritjen e prodhimeve të freskëta bujqësore gjithëvjetore dhe eksportin e prodhimeve “Made in Albania” në tregjet e huaja.

Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka financuar për ndërtimin e serave, 244 fermerë në vlerën totale që arrin në 232 milionë lekë në vitin 2018.

Ndërkohë që skema mbështetjes financoi 50% të vlerës së investimit në sera që arrin shumën deri në 150 milionë lekë për hektar, të mbjellë në sera.

Sot prodhimi i perimeve në sera përfaqëson 22% të prodhimit total të perimeve në Shqipëri.

Ndërsa prodhimi i bollshëm i këtij sektori jo vetëm plotësojë kërkesat e tregut vendas por zgjeroj gjeografinë e vendeve për eksport.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, në vitin 2018, prodhimi i perimeve në Shqipëri arriti në 1.166.283 ton. Niveli më i lartë prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 418 921 ton, Tiranë me 127 176 ton dhe Berat me 118 687 ton.

Ndërkohë që eksportet e perimeve shkojnë në vendet e rajonit dhe ato europine si Spanjë, Greqi, Gjermani, Poloni etj./atsh

Investimi në sera/ Qeveria financoi 244 fermerë me rreth 232 milionë lekë në vitin 2018 Read More »

Balla: 2019, viti kur Shqipëria hap negociatat me BE

“Viti 2019 është viti kur Shqipëria do hapë negociatat”.

Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste televizive nga ku edhe theksoi se çelja e negociatave është vetëm fillimi i procesit drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Shqipëria ka agjendë shumë të rëndësishme komunikimi dhe reformash. 2019 është viti kur Shqipëria do hapë negociatat. Më 2020 ne hyjmë në negociata me BE. Hapja e negociatave ka rëndësinë e vet, por Shqipëria do të bëjë hapa të mëtejshëm drejt integrimit në BE. Hapja e negociatave është vetëm fillimi i procesit drejt integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, – tha Balla.

Ai nuk hezitoi të komentonte edhe sjelljen politike të opozitës, së cilës sipas tij ka ndikuar në imazhin negative të vendit tonë kundrejt vendeve të Bashkimit Europian.

“2019 edhe me përpjekjen e vazhdueshme prej janarit nga ana e kësaj opozite përfshirë edhe bashkëngjitjen në dukje të Presidentit të Republikës për të denigruar imazhin e vendit, për të sulmuar, për të vënë epitet të paqena reformës më të rëndësishme mbi të cilën u bazua raporti i progresit të Komisionit Europian, citoj progresraportin që vlerëson Reformën në Drejtësi si reformën kyç mbi të cilën u bazua vlerësimi për t’i rekomanduar Këshillit Europian nisjen e bisedimeve për anëtarësimin me Shqipërinë. Ritheksoj, jemi në një moment shumë të rëndësishëm. Kemi përfunduar një palë zgjedhje vendore të cilat dashje pa dashje u kthyen pse jo në një test më shumë sesa politik dhe institucional. Shqipëria bën zgjedhje, i bën të lira, të ndershme e të qeta”, – tha ndër të tjera Balla.

Në lidhje me ngritjen e komisionit hetimor kundrejt shkeljeve të bëra nga ana e Presidentit sipas tij, ky i fundit do të duhet të lërë zyrën e Presidencës.

“Do të jetë komisioni hetimor që do të përcaktojë shkeljen për të cilën bëhet fjalë dhe më pas po Kuvendi i Shqipërisë me vendim por me votim të fshehtë t’i hapë dritën jeshile vijueshmërisë së procesit të shkarkimit të zotit Ilir Meta nga Gjykata Kushtetuese.

Unë kryesoj listën e 55 deputetëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij dhe si i tillë, edhe si kryetar grupi jam në ushtrim të drejtë të asaj që e njeh Kushtetuta për më shumë se ¼ e deputetëve për të iniciuar shkarkimin dhe të gjithë biem dakord.

Nuk ka në Shqipëri dyshime se Presidenti i Republikës ka lënë mënjanë kushtetutën, ligjet, rolin shumë të rëndësishëm që ka Presidenti dhe që e shndërroi Presidencën në një rezistencë të përkohshme të opozitës, një seli të opozitës.

Ishte një akt i dëmshëm, jo kushtetues i cili meriton të hetohet dhe në rast se komisioni hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit do të gjejë gjetjet e nevojshme për të justifikuar faktin që Presidenti ka kryer një shkelje të rëndë të kushtetutës, patjetër mendoj që duhet të shkarkohet”, – tha Balla.

Ai shtoi se “me sjelljet e tij dhe aktet antikushtetuese të tij të Presidentit të Republikës duhet ta lirojë atë zyrë dhe mjaftojnë këto për të mos thënë të tretën, atë që është paksa më e rëndë por që duhet thënë dhe është që ai komunikim i Presidentit të Republikës dhe ky që vijon çdo një orë është larg së qenuri të një Presidenti Republike dhe unë në mënyrë figurative e njehsova me sjelljen e një gaztori cirku i cili mundohet të bëjë për të qeshur arenën e cirkut, kur cirku mblidhet”, – përfundoi Balla./atsh

Balla: 2019, viti kur Shqipëria hap negociatat me BE Read More »

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”

Gjiri i Vlorës do të presë më datat 4-6 korrik, edicionin e nëntë të Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë”, “Trofeu i Mikpritjes”, regata FIV, shprehet Ambasada italiane ne Tiranë.

Kjo ngjarje lindi me edicionin e parë te vitit 2011, 20 vite pas zbarkimit në Brindisi të refugjatëve shqiptarë, për të kujtuar dhe përshkuar atë rrugë me një qëllim dhe domethënie të re, shenjë e miqësisë që lidh dy brigjet e detit Adriatik.

Po ashtu Ambasada italiane publikon axhendën e aktiviteteve.

Në këtë edicion marrin pjesë 24 barka, përfshirë edhe dy anije ushtarake me vela, përkatësisht ajo e Guardia di Finanza dhe e Forcës Detare ushtarake italiane: Gjiri i Vlorës do të mbushet me vela!

Të shtunën, datë 6 korrik, do të zhvillohet edicioni i dytë i regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”: qytetarët e Vlorës dhe turistët do të mund të vëzhgojnë garën nga Lungomare dhe nga plazhet.

Regatës do t’i bashkëngjitet një iniciativë tjetër e bukur: kursi për të lundruar me barkat me vela për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.

Po ashtu, Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë, nisur prej datës 7 korrik, 6 ditë kurs për barkat me vela, pa pagesë, pikërisht për të përhapur lundrimin me vela mes të rinjve të Vlorës, dhe me këtë, një kulturë detare të re, ndryshe./atsh

Zbret në Vlorë, Regata del Grande Salento “Brindizi-Vlorë” Read More »